
Komentimi fikhor i ajeteve mbi agjërimin - I -
(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.
(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.
E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.
Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. All-llahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen.” (El-Bekare,183-187.)[1]
Njohuri të përgjithshme
Zoti i Lartësuar dhe i Madhëruar lajmëron që Ai robërve të Vet besimtarë agjërimin ua ka bërë detyrim, ashtu siç ua bëri detyrim edhe pjesëtarëve të feve të kaluara (ehlu-l-milel). Obligueshmërinë e agjërimit Ai e ka qartësuar me shpjegimin e rëndësisë së madhe dhe urtësive të larta të tij, të cilat vërehen në atë që ai përgatit shpirtin e agjëruesit për devotshmëri, i cili, duke iu nënshtruar urdhëresave të Lartmadhërishmit dhe duke shpresuar në shpërblimet tek Ai, do t’i lër dëshirat e lejuara (shehevat), dhe në këtë mënyrë të bëhet prej atyre të devotshmëve dhe atyre të cilët iu largohen të ndaluarave.
Agjërimi të cilin Allahu, xh.sh., ua bëri obligim robërve të Vet është i përcaktuar në ditë të numëruara, kurse ato ditë janë në muajin e Ramazanit. Allahu, nga mëshira e Tij, nuk ka obliguar që gjithmonë të agjëroni. Krahas kësaj mëshire në agjërim, Ai ka ligjësuar (shere’a) që i sëmuri, të cilin e dëmton agjërimi, dhe udhëtari, të cilin e vështirëson agjërimi, mund të mos agjërojnë dhe atë të mos agjërojë ditë për ditë për dite. Kjo ësht lehtësim dhe mëshirë ndaj robërve. Më pas, i Lartësuari kumton që muaji në të cilin ka urdhëruar që të agjërohet muaji i ramazanit, është muaj në të cilin ka zbritur edhe Kur’ani (nuzulu—Kur’an), libër i lartësuar me të cilin e ka begatuar ummetin e Muhammedit, ., dhe e ka bërë kushtetutë të tyre (dusturen) dhe ligj të cilit iu përmbahen gjatë jetëve të tyre. Në të është drita, udhëzimi dhe shkëlqimi; ai është rruga e lumturisë (sebilu-se’adeh) për atë që dëshiron të shkoj shtigjeve të tij. Krijuesi, agjërimin e ka bërë obligim në këtë muaj për arsye se ky është muaji në të cili robërve u lëshohet mëshira Hyjnore (er-rahmetu-l-ilahijjeh), kurse Ai, i Lartësuari, robërve të Vet u dëshiron vetëm lehtësim, dhe për këtë shkak të sëmurit dhe udhëtarit ua ka lejuar që të mos agjërojnë në ditët e muajit të ramazanit.
Pastaj, Allahu, xh.sh., tregon se Ai është afër, se iu përgjigjet lutjeve të lutësve dhe se ua plotëson nevojat nevojtarëve. Ndërmjet Tij dhe robërve nuk ka asnjë perde. E atyre është që me dua dhe nënshtrim t’i kthehen vetëm Atij, duke qenë të sinqertë në fenë e Tij.
Allahu, xh.sh., ua ka lehtësuar robërve të Vet me atë që ua ka lejuar që, në netët e muajit të ramazanit, të afrohen me gratë e tyre, ashtu siç ua ka lejuar ushqimin dhe pijen. Më parë për to kjo ka qenë e ndaluar. Megjithatë, Ai ua lejoi ushqimin, pijen she qëndrimin me gratë, që t’ju tregoj dhuntitë dhe mëshirën e Tij ndaj tyre. Ai gruan e ka krahasuar me petkun i cili e mbulon trupin, sepse ajo e mbulon burrin dhe i dhuron prehje. Njashtu, burri e mbulon gruan. Ibn Abbasi thotë që kuptimi i ajetit “hunne libasun lekum ve entum libasun lehunne”, është si në vijim: “Ato janë prehja juaj, kurse ju jeni prehja e tyre.” Qëndrimi me gratë është i lejuar gjer në agim. Nga kjo leje e përgjithshme (‘amun) të qëndrimit me gratë bën përjashtim qëndrimi në kohën e i’tikafit, sepse kjo është kohë e përkushtimit intensiv në ibadet. I Lartësuari këto ajete madhështore i përfundon duke alarmuar nga kundërshtimi i urdhëresave të Tij me zbatimin e veprave të ndaluara dhe mëkatare, të cilat janë kufij të Allahut (hududull-llah). Ai ato ua ka qartësuar robërve të Tij në mënyrë që t’ju largohen, ndërsa fortë t’i përmbahen sheriatit të Tij, që të jenë të devotshëm.
Shkaqet e zbritjes
1. Ibn Xherir përcjell nga Muadh b. Xhebel, Allahu qoftë i kënaqur me to, se ka thënë: “Kur Muhammedi, a.s., erdhi në Medine, agjëronte ditën e Ashures dhe tre ditë nga cdo muaj. Pastaj Allahu, xh.sh., obligoi agjërimin e muajit të ramazanit, duke ia shpallur Muhammedit, .: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim...” deri tek ajeti: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri...” Ashtu që, ai që dëshironte agjëronte, kurse ai që nuk dëshironte e ushqente një të varfër; Më pas Allahu, xh.sh., agjërimin ia obligoi personit të shëndosh i cili gjendet në shtëpi, ndërsa e liroi personin e moshuar, i cili nuk mund ta përballoj agjërimin, të mos agjëroj, duke shpallur: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë...” [2]
2. Nga Seleme b. el-Ekve’a përcillet se ka thënë: “Kur u zbrit ajeti “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri...”, kush dëshironte nga ne agjëronte, e kush nuk dëshironte të agjëronte, jepte fidje, gjersa më pas nuk u shpall ajeti i cili e derogoi të parin: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë...”[3]
3. Përcillet se një grumbull beduinësh e pyetën të Dërguarin e Allahut, .: “O Muhammed! A është Zoti ynë afër, e me zë të ulët ta thërrasim, apo është larg e ta ngremë zërin”? Atëherë Allahu, xh.sh., shpalli “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet...”[4]
4. Buhari përcjell nga Bera’a b. ‘Adhib se ka thënë: “Kur ndonjëri nga as’habët e të Dërguarit të Allahut, ., agjëronte, dhe afrohej iftari, ndërsa atë e zinte gjumi para se të bënte iftar, nuk hante asgjë gjatë natës dhe ditës së nesërme, gjersa përsëri të afrohej muzgu. Kështu, Qajs b. Sarme, ensar, i cili ditën punonte me miell, kishte agjëruar dhe kur është afruar iftari kishte shkuar në shtëpi dhe ka kërkuar nga gruaja e tij ushqim për të ngrënë. Ajo i ishte përgjigjur se nuk ka asgjë gati, por që do t’ia përgatiste. Ndërkohë atë nga lodhja e kaplon gjumi. Kur gruaja e sheh, thotë: Mjerë për ty! Nga mesdita e ditës së nesërme ensariu i përmendur vije në vetëdije. Kjo i tregohet të Dërguarit të Allahut, ., dhe shpallet ajeti: “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” As’habët për këtë u gëzuan shumë, dhe u shpall edhe ajeti: “...hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje.”[5]
Bukuritë e komentimit
1) Ajeti fisnik i lartpërmendur tregon që agjërimin është ibadet i lashtë (ibadeh gamideh) të cilin Allahu, xh.sh., ua ka bërë detyrim edhe popujve para nesh. Megjithatë, Ithtarët e Librit e ndryshuan dhe e zëvendësuan këtë dispozitë. U pajtuan që në temperaturat e larta dhe në të ftohtin e madh të mos agjërojnë, me ç’rast agjërimin e caktuan për në pranverë duke ia shtuar disa ditë, kështu që, në shenjë shpagimi, kanë agjëruar gjithsej pesëdhjetë ditë.
Taberiu me zinxhirin e tij të transmetuesve përcjell se Ed-Dujji ka thënë: “Të krishterët e kanë pasur obligim që të agjërojnë në muajin e ramazanit, e kanë pasur të ndaluar që të hanë dhe të pinë pas fjetjes dhe të mos martohen në muajin e ramazanit. Agjërimi në muajin e ramazanit ka filluar t’u shkaktonte vështirësi dhe kanë filluar ta ndërrojnë në kohën e dimrit dhe të verës, d.m.th., në pranverë. Thoshin: Do t’i shtojmë edhe njëzet ditë në mënyrë që me të të shpaguhemi nga ajo që bëjmë! Kështu agjërimi i tyre ngërthente gjithsej pesëdhjetë ditë.[6]
2) Ibn Arebiu për kuptimin e fjalëve të Allahut: “...aq ditë nga ditët e mëvonshme. (fe'iddetun min ejjamin uhar)” thotë: “Këto fjalë paraqesin rafinimin stilistik të shprehjes së përkryer, sepse parafytyrohen fjalët: le të agjëroj për aq ditë sa ditët tjera. Është lëshuar fjalia e varur (kryesore), ndërsa genitivi (mudaf) shquhet bindshëm.”[7]
3) Zoti i Lartësuar shpjegon që agjërimi përmison devotshmërinë: “...kështu që të bëheni të devotshëm.” Me fjalë të pakta është shpjeguar rëndësia e tij e madhe dhe urtësia e lartë, e cila shihet në atë që me anë të agjërimit forcohet shpirti i agjëruesit, sepse ai, duke iu nënshtruar urdhëresave të Zotit dhe duke pritur shpërblimin prej Tij, diferencohet përndryshe nga nevojat e natyrshme të lejuara. Me anë të agjërimit, me fuqinë e devotshmërisë, edukohen dëshirat e agjëruesit sepse ai u shmanget kënaqësive të ndaluara. Agjërimi e asgjëson lakminë e madhe të barkut dhe organit gjenital, sepse njerëzit, pikërisht këto të dyja duan që sa më parë t’i dëfrejnë, ashtu siç potencohet në shembullin vijues: “Njerëzit vrapojnë që t’i dëfrejnë dy gjëra: barkun e tij dhe organin gjenital!”[8]
4) Kaffal, Allahu e mëshiroftë, thotë: Shiko në mrekullinë (‘axhib), ku Allahu, xh.sh., nga mirësia dhe mëshira e Tij e madhe, ka treguar në obligueshmërinë e agjërimit. Ai, i Lartësuari, tregon si në vijim:
a) Ky ummet në dispozitën e agjërimit ka shembullin në ummetet e mëparshme;
b) Agjërimi është mjet për arritjen e devotshmërisë, sikur të mos ishte obliguar ky qëllim fisnik do të ishte i paarritshëm;
c) Agjërimi është obligim në ditë të caktuara, sikur të urdhërohej që gjithmonë të agjërohej kjo do të paraqiste vështirësi të madhe;
ç) I Lartësuari në mesin e muajve zgjodhi muajin në të cilin u shpall Kur’ani, sepse ai është muaji më i begatshëm;
d) Reduktimin e vështirësive në obligimin e agjërimit. I Lartësuari atij që me vështirësi përballet me agjërimin ia ka lejuar që ta shtyj, siç janë udhëtarët dhe të sëmurët.[9] Allahu i Lartësuar gjatë obligimit të agjërimit ka demonstruar mëshirën e Tij. Atij i takon çdo falënderim për dhuntitë e Tija të pa numëruara.
5) Kuptimi i fjalëve të Allahut, xh.sh.: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri...”, është që plakut dhe plakës i lejohet që të mos agjërojnë, mirëpo atë duhet ta kompensojnë. Në gjuhën arabe thuhet: Eteka-sh-shej’e idha kanet kudretuhu fi nihajeti-d-d’af/ Përballoi ca kur fuqia e tij ishte në krye të dobësisë. E përballoi atë, pra, më vështirësi të madhe. Folja jutikunehu – ata që agjërojnë më vështirësi të madhe- rrjedh nga fjala tavk (forcë, fuqi, mundësi, durim). Ragibiu për këtë thotë: “Fjala et-takatu është emër i cili nënkupton sasinë e asaj që njeriu me vështirësi e kryen. E njëjtë është edhe fjala tavk – ai i cili përfshinë diçka. Allahu, xh.sh., thotë: “...mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! (ma la takate lena bih)” (El-Bekare, 286), d.m.th., me atë që për ne do të jetë vështirë ta realizojmë.”
Fjala et-takatu është emër i cili përdoret për atë që është i zoti të bëj diçka, mirëpo krahas këmbënguljes dhe vështirësisë, përderisa emri el-vus’u përdoret për atë që bën diçka me lehtësi. Kthe vëmendjen në precizitetin e këtyre fjalëve!
6) “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë (fe men shehide minkum-sh-shehre fe-l-jesumh)! Këtu nënkuptohet qëndrimi në shtëpi, e jo shikimi i hënës (të muajit të ramazanit, megjithëse është përdorur folja shehide – të shikuarit, të dëshmuarit – vër. e përkth.) Në qoftë se hënën e shohin një ose dy njerëz, agjërimi bëhet obligim për të gjithë muslimanët. Folja shehide këtu është në kuptimin hadere (të jesh prezent, të prezantosh). Në këtë ajet ekziston një mision i fshehtë (idmar), d.m.th., kuptimi i ajetit do të ishte: E kush nga ju gjithmonë (mukimen) do të banoj në shtëpi dhe nuk do të jetë në udhëtim apo i sëmurë, le të agjëroj. Theksimi i së dukshmes në vend të së fshehtës është për shkak të ekzagjerimit dhe hiperbolës në fjalim, siç e përmend këtë Ebu Su’udi.
7) “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” Në këtë ajet gjendet figura kumbuese stilistike (el-muhassinatu-l-bedi’ijjetu) e cila quhet antiteza negative (tibakus-selb). Kjo është thelbësore në fe dhe nga kjo juristët kanë nxjerr rregullën fundamentale e cila thotë: Vështirësia nënkupton lehtësimin (mushek-katu texhel-lubu-t-tejsir). E Allahu, xh.sh., nuk dëshiron që me sheriatin e tij t’i bëj njerëzit të ndjehen të pakënaqur, Ai vetëm se dëshiron t’u lehtësoj edhe atë që për to është e dobishme dhe e mirë.
8) Duke e komentuar ajetin: “...(Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” , dijetari Zamahsheriu shpjegon: Ai juve, në këtë mënyrë të përbashkët ua bëri obligim siç u përmend. Dispozita për atë që gjendet në shtëpi është që ta agjëroj muajin e ramazanit; për të sëmurin dhe udhëtarin që të agjërojnë për aq ditë sa nuk kanë agjëruar, kurse lehtësimi shihet në lejueshmërinë e mos agjërimit; “(Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni...” shkaku i formës imperative është që të kihet llogari për të njëjtat ditë; “ta madhëroni All-llahun...”, për shkak se është e njohur mënyra se si realizohet kompensimi i agjërimit dhe si mbaron koha e ndërprerjes së agjërimit; “dhe që të falënderoni.” – për shkak të lehtësimit. Lloji i këtillë i trajtimit stilistik emërtohet si përmbledhje dhe shpërndarje (el-leff ve-n-neshr). Ky është trajtim i rafinuar, dhe thuajse nuk do të mund të zbulohej shpjegimi i tij pa dijetarët e ekspertuar të stilistikës.
9) I Lartësuari për marrëdhëniet intime ndërmjet bashkëshortëve ka përdorur shprehje të lart elokuente në mënyrë që të na e mësoj kulturën e sjelljes në gjërat në lidhje me gratë, “ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” Kjo është thënë në mënyrë metaforike, kurse nënkuptohet përfshirja reciproke e bashkëshortëve, meqenëse petku e përfshinë (mbulon) trupin.
Imam el-Fahr thotë: Duke qenë se burri dhe gruaja bashkohen, dhe e përkëdhelin njëri tjetrin me trupin e tyre, ashtu që njëri tjetrit i konsiderohen sikur petku, prandaj për të dy thuhet se janë sikur petku për njëri tjetrin. [10]
10) “...Derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim!” Esh-Sherif Er-Radi thotë: “Kjo është metaforë që të habit. Me të mendohet në dallimin e bardhësisë së agimit nga errësira e natës. (Litari) këtu as që është përdorur në kuptimin figurativ; ndërsa ngjashmëria shihet në atë se fillimi i bardhësisë së agimit ndodh duke shkëlqyer fshehurazi, kurse errësira e natës pushon së pushtuari. Të dyja janë në intensitet të dobët. Dhe ashtu, duke u shtuar bardhësia e agimit, ashtu shtohet edhe fshehtësia e errësirës së natës.”[11] Transmetohet se kur është shpallur ky ajet, ‘Adijj b. Hatim, ka thënë: I mora dy fije peri, të bardh dhe të zi, dhe i vendosa nën jastëkun tim, kështu që e gdhiva tërë natën duke shikuar në to, mirëpo peri i bardh nuk mu qartësua nga i ziu. Pasi që agoi shkova të i Dërguari i Allahut, ., dhe ia tregova gjithë atë që bëra. Ai, buzëqeshi, dhe tha: Këtë ti pak e kupton! Me këtë mendohet mbi bardhësinë e ditës dhe errësirës së natës.” [12]
Referencat:
1 Përkthimi i ajeteve është marrë nga: “Kur’ani me përkthim dhekomentim”, Sherif Ahmeti, verzioni elektronik. (Shën. i përkthy.)
2 At-Tabari, Xhami' el-Bajan, II, 132.; Shih: Es-Sujuti, Ed-Durr el-Mensut, I,176.
3 Transmetojnë el-Buhari, Muslim i Tirmidhi nga Salam b. el-Akva'; Shih: Es-Sujuti, Ed-Durr..., I, fq. 177.
4 Et-Taberi, II, 158.; El-Kurtubi, II, 288.; Ed-Durr...,I, 194.; Zad El-Masir, I, 189.; Muxhma' el-bejan, II, 278.
5 Transmeton Buhariu.; shih: El-Kurtubi, II, 294.; Et-Taberi II, 164.; Muxhma' el-bejan, II, 280.
6 Et-Taberi, Xhami' el-bejan, II, 129.; Shih: Ed-Durr...,1, 176.
7 Ibn El-`Arabi, Ahkam el-Kur'an, I, 77.; Shih: Tefsir Ebu Su'ud, I, 153.
8 Më gjerësisht shih çka ka shkruar për këtë El-Fahr El-Razi në Tefsirin e tij, V,77.
9 Është marr në një formë koncize prej: Imam El-Fahr Er-Razi, Et-Tefsir El-kebir, V, 80.
10 Zemahsheri, El-Keshshaf, I, 172,
11 Esh-Sherif Er-Radi, Talhis el-bejan fi mexhazat el-Kur'an, 13.
12 Hadithin e transmetojnë Buhari, Muslimi dhe Ahmadi; Shih: el-Keshshaf, I, 175.; Er-Razi, V, 120.; Zad el-mesir, I, 192.; Et Tabari, II, 172.
Komentimi fikhor i ajeteve mbi agjërimin - II -
DISPOZITAT SHERIATIKE (LIGJORE)
Dispozita e parë: A kanë qenë muslimanët të obliguar me agjërim para se ai të obligohet në muajin e ramazanit?
Forma e jashtme kuptimore e fjalëve të Allahut, xh.sh., “(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara...” tregon në faktin se agjërimi i cili u është bërë obligim muslimanëve është agjërimi në ditët e muajit të ramazanit. Ky është mendimi i shumicës së komentatorëve të Kur’anit, kurse transmetohet edhe nga Ibn ‘Abbasi dhe Hasani. Këtë mendim e ka zgjedhur edhe Et-Taberiu. Transmetohet nga Katade dhe ‘Ata’i se muslimanët kanë qenë të detyruar që të agjërojnë nga tre ditë në çdo muaj, ndërsa më vonë u është bërë obligim agjërimi i ramazanit. Argument i kanë fjalët e Allahut: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim...”, të cilat tregojnë se agjërimi është obligim, por me ditë të zgjedhura agjërimi. Sa i përket agjërimit të ramazanit ai është i detyruar në ditë të caktuara (të muajit të ramazanit). Andaj, e qartë është se agjërimi i përmendur nga tre ditë në çdo muaj nuk është edhe agjërimi i muajit të ramazanit.
Shumica e komentatorëve qëndrimet e veta i argumentojnë me ajetin “...agjërimi u është bërë obligim...”, sepse ky është ajet konciz (i pa precizuar, M.A) (muxhmel), kështu që është e mundur që të bëhet detyrim një ditë, dy apo më shumë ditë agjërim. Ky ajet pjesërisht është shpjeguar me fjalët “... për ditë të caktuara...” , mirëpo edhe kjo bën të kuptohet që mund të agjërohet një javë apo një muaj. Dhe ky ajet është shpjeguar me ajetin: “Në muajin e ramazanit...”, i cili është argument i qartë se agjërimi që iu është detyruar muslimanëve është agjërimi i muajit të ramazanit.
Xherir et-Taberiu thotë: sipas mendimit tim më e drejt është pikëpamja e parë, d.m.th., ajo e cila demonstron se me fjalët “...për ditë të caktuara...” mendohet mbi ditët e muajit të ramazanit. Dhe kjo për shkak se nuk kemi argument se ithtarët e islamit janë detyruar të agjërojnë jashtë muajit të ramazanit, të cilin më pas e ka droguar agjërimi i ramazanit. Në ajetin që pason Allahu, xh.sh., shpjegon se agjërimi të cilin na e ka detyruar është në muajin e ramazanit, e jo në ndonjë kohë tjetër. Ditët të cilat na janë detyruar t’i agjërojmë janë të shpjeguara me ajetin: “Në muajin e ramazanit filloi të shpallet Kur’ani...” Komentimi i këtij ajeti është: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm, dhe atë në ditë të caktuara të muajit të ramazanit.[13]
Dispozita e dytë: Cilat lloje të sëmundjes dhe udhëtimit mundësojnë lejimin që të mos agjërohet?
Allahu i Lartësuar nga mëshira dhe lehtësimi i Tij kundrejt njërëzve ka lejuar që i sëmuri dhe udhëtari të mund të mos agjërojnë në muajin e ramazanit. Juristët islam kanë disa mendime kur është në pyetje sëmundja në të cilën lejohet të mos agjërohet:
a/ Qëndrimi i Dhahiritëve [14]. Njeriut i lejohet që të mos agjëroj, pavarësisht llojin e sëmundjen ose të udhëtimit, madje udhëtimi qoftë i shkurtër ose sëmundja e lehtë, p.sh sic është dhimbja në gishtërinj ose në dhëmbë. Një qëndrim i këtillë përcillet nga Ata’i dhe Ibn Sirinit. [15]
b/ Grupi i dytë i teologëve konsideron se ky lehtësim vlen vetëm për ato lloje sëmundjesh në të cilat njeriu, nëse do të agjëronte, do të ndjente lodhje dhe mundim. Po ashtu njëjtë edhe me udhëtarin gjatë udhëtimit. Ky është qëndrimi i El-Ethamait.
c/ Pjesa dërmuese e juristëve islam përfaqësojnë qëndrimin që sëmundja në të cilën lejohet të mos agjërohet është sëmundje e rëndë e cila të sëmurit mund t’i shkaktojë dëm, t’ia ris dhimbjen ose nëse ekziston frika se sëmundja mund t’ia prolongoj shërimin; ndërsa sa i përket udhëtimit, ky është udhëtim i gjatë i cili, në masë të madhe, mund të shkaktoj vështirësi. Ky mendim është edhe i katër imamëve.[16]
Argumenti i dhahiritëve:
Dhahiritët qëndrimin e tyre e mbështesin në intonimin e përgjithshëm (bi ‘amun) të ajetit “e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim” – në të cilin është përdorur gjendja e përgjithshme ku sëmundja nuk është përkufizuar në atë e cila shkakton vështirësi e as rruga në udhëtim të gjatë. Përgjithësisht sëmundja dhe udhëtimi lejojnë të mos agjërohet. Tregohet se, disa njerëz në muajin e Ramazanit kanë hyr tek Ibn Sirini, ndërsa ai ka qenë duke ngrënë, pasi që ka pasur dhimbje në gisht. Davudi thotë: “Lehtësimi nënkupton çdo lloj udhëtimi, madje ai udhëtim qoftë edhe sa një ferseh[17], pasi që edhe në këtë rast për atë që udhëton thuhet se është udhëtar (musafir). Kjo është ajo në çka tregon kuptimi i jashtëm i Kur’anit.
Argumenti i shumicës:
Shumica e juristëve islam mendimet e tyre, se gjatë dhimbjes së lehtë e cila nuk shkakton mundim nuk lejohet që të mos agjërohet, i argumentojnë me ajetin: “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” Ajeti tregon se është e detyrueshme zbatimi i lehtësimit në mënyrë që të mënjanohet vështirësia ose dëmi. E, nëse dhimbja është e lehtë kurse udhëtimi i afërt, nuk mund të thuhet që, në këtë rast, ekziston vështirësia e cila do ta lironte agjëruesin nga agjërimi. Çfarë vështirësie është kjo në qoftë se agjëruesit i dhemb gishti ose dhëmbi?
Mendimi mbizotërues:
Konsideroj se mendimi i shumicës së juristëve islam është më i drejt dhe se mund ta pranoj logjika. Urtësia e cila manifestohet në lehtësimin e të sëmurit që të mos agjëroj paraqet aspekt të lehtësimit, ndërsa lehtësimi mund të vij vetëm atje ku ekziston vështirësia. Çfarë vështirësie paraqet, nëse dhemb gishti ose nëse në pyetje kokëdhimbja e vogël? Këto janë dhimbje të lehta ta cilat nuk shkaktojnë mundim gjatë agjërimit. Pastaj, ekzistojnë sëmundje për të cilat ilaçi i vetëm është agjërimi, e si atëherë lejohet që të mos agjërohet në ato sëmundje? Ne Allahu xh.sh., na ka obliguar në përputhje me atë që arrihet të zotërohet, andaj, në qoftë se agjërimi shkakton dhimbje ose e rrit atë, ose në përgjithësi diçka tjetër në këtë aspekt ose lodhje, atëherë urdhri i agjërimit për të obliguarit anulohet me rrethanën lehtësuese.
El-Kurtubi konsideron: “Personi i sëmur mund të gjendet përpara dy situatave. E para është kur nuk mund ta përballoj agjërimin andaj e ka të ndaluar të agjëroj. Situata e dytë është kur personi është i aftë të agjëroj, mirëpo krahas dëmit dhe mundit. Këtij personi i rekomandohet që të mos agjëroj. Shumica e dijetarëve thonë: Përderisa agjërimi personit të sëmur i shkakton dhimbje dhe shqetësim, ose frikësohet se agjërimi mund t’ia prolongoj sëmundjen ose t’ia shtoj, atëherë është e drejtë që personi i tillë të mos agjëroj. Përcillen transmetime të ndryshme nga Imam Maliku mbi sëmundjen në të cilën lejohet të mos agjërohet. Në një transmetim thuhet se ai ka thënë që ajo është sëmundja në cilën ekziston frika nga dëmtimi i saj prej agjërimit. Në transmetimin tjetër thuhet që ajo është sëmundja e rëndë të cilën agjërimi do ta shtonte ose do t’i shkaktonte mundim. Ky është mendimi më i drejtë dhe kjo është ajo që e kërkon situata e dhënë. [18]
Dispozita e tretë: Cilat lloje të udhëtimeve lejojnë mos agjërimin?
Juristët islam, pasi që janë pajtuar në atë se udhëtimi duhet që të jetë i gjatë, kanë mospajtueshmëri në pikëpamjen e pyetjes së lartpërmendur dhe atë si vijon:
a) Udhëtimi në të cilin lejohet të mos agjërohet është ai i cili zgjat një ditë, mendimi është i Evza’iut.
b) Ai është udhëtimi i cili zgjat dy ditë e dy net, ndërsa është i kufizuar në 16 fersehë, konsiderojnë Shafi’u dhe Ahmedi.
c) Ai është udhëtimi i cili zgjat tre ditë e tre net, ndërsa është i kufizuar në 24 fersehë, konsiderojnë Ebu Hanife dhe Thevri.
Argumenti i Evzaiut:
Udhëtimi i cili zgjat më pak se një ditë konsiderohet udhëtim i shkurtër dhe ky ka të bëj me mukimin[19]. Zotëron mendimi se udhëtar, është ai person i cili nuk mund t’i kthehet familjes së tij atë ditë kur edhe e ka marr rrugëtimin. Nga kjo, e patjetërsueshme është që zgjatja minimale e udhëtimit të jetë një ditë, në mënyrë që mos agjërimi të konsiderohet i lejuar.
Argumentet e Shafi’ut dhe Ahmedit:
1. Udhëtimi sipas sheriatit është ai udhëtim në të cilin lejohet të shkurtohet namazi. Lodhja nga udhëtimi vetëm një ditës nuk është vështir të përballohet, mirëpo, nëse ajo lodhje përsëritet në ditën e dytë, çfarë vështirë është të përballohet, atëherë vihet në zbatim lehtësimi.
2. Transmetohet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “O Mekkasë! Mos i shkurtoni namazet në largësi prej më së paku katër “burdësh” nga drejtimi i Mekkes deri në ‘Asefan! [20] Gjuhëtarët thonë që një “burd” llogaritet katër fersehë, kurse kjo gjithsej do të ishte 16 fersehë.[21]
3. Transmetohet nga Ata’i se ai e ka pyetur Ibn Abbasin, r.a.: “A mund ta shkurtoj namazin në ‘Arafat? Jo – i është përgjigjur Ibn Abbasi. E te Merru’z-Zahrana? Jo, por shkurto namazin në Xhedde, ‘Asefan dhe Taif.”[22] Kurtubiu e shënon atë që gjendet tek Buhariu: “Ibn Omeri dhe Ibn Abbasi nuk agjëronin dhe nuk e shkurtonin namazin përderisa nuk e kalonin largësinë pre katër burdesh, kurse kjo llogaritet 16 fersehë.”[23]
Ky është qëndrim i njohur nga medh’hebi i Malikut. Prej tij transmetohet se ka thënë që zgjatja minimale e udhëtimit është një natë dhe një ditë, duke e argumentuar këtë me hadithin: “Nuk i lejohet gruas e cila ka besuar në Allahun dhe Ditën e Gjykimit që të udhëtoj natën dhe ditën pa përcjelljen e mahremit (personi me të cilin nuk ka të drejtë martese, M.A) të saj.”[24] Transmeton Buhariu.
Argumentet e Ebu Hanifes dhe Thevriut
1. Ebu Hanife konsideron që fjalët e Allahut, xh.sh.: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë!” – janë argument për obligueshmërinë e agjërimit. Megjithatë, e nevojshme është që udhëtimi të zgjas tre ditë, sipas konsensusit, që të mund të shfrytëzohet lehtësimi. Ndërsa, nëse udhëtimi është më pak sesa u përmend, mendimet janë të ndryshme, megjithatë është obligim nga maturia të agjërohet.
2. Hadithi i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s.: “Mukimi mestin mbi meste do ta shfrytëzoj një ditë dhe një natë, ndërsa mysafiri tre ditë dhe tre net.”[25] Ligjdhënësi, pra, në udhëtim e ka lejuar mestin tre ditë, kurse për këtë dimë vetëm në bazë të rregullit sheriatik. Andaj, është e detyrueshme që të merret parasysh udhëtimi tre ditësh, si udhëtim sheriatik.
3. Hadithi: “Gruas nuk i lejohet të udhëtoj më gjatë se tre ditë, pa mahremin (personin me të cilin s’ka të drejtë martese, M.A.) e saj.”[26] Shihet qartë se, rregulla e sheriatit ka të bëj me tre ditë, e përpos kësaj diçka tjetër nuk merret parasysh, andaj është obligative që lejimi të përkufizohet në tre ditë udhëtim në mënyrë që të lejohet mos agjërimi.
Ibn Arebiu në tefsirin e tij “Ahkamu-l-kur’an”, thotë: “Në hadith të vërtetë përcillet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Nuk i lejohet gruas e cila ka besuar në Allahun dhe Ditën e Gjykimit që të udhëtoj natën dhe ditën pa përcjelljen e mahremit të saj.” Në hadithin tjetër thuhet: “...që të udhëtoj tre ditë...” Ebu Hanife konsideron se udhëtimi realizohet në vijë të disa ditëve: dita kur udhëtari lëshon familjen e tij dhe dita kur arrin në vendbanim e ri, ndërsa dita mesatare është ajo kur vetëm udhëton. Në rastin e parë njeriu duhet të jetë i përgatitur, në të dytin ta zbatoj lehtësimin, ndërsa në të tretin ta shkurtoj namazin.”[27]
Konsideroj që në çështjet e ibadetit duhet qenë të kujdesshëm. Pasi që nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., është transmetuar se ia ka ndaluar gruas të udhëtojë më gjatë se tre ditë, e gjithashtu, sipas hadithit tjetër një ditë dhe një natë, ndërsa që të dy hadithet janë autentik, veprimi sipas hadithit të parë është më i matur. Atëherë mendimi i Ebu Hanifes do të ishte më me peshë, ndërsa Allahu e di më së miri!
--------------------------------
Fusnotat:
13 Et-Tabari , Xhami'al-bejan, II, 112.
14 Ata të cilët tekstet kur’anore dhe profetike i komentojnë ekskluzivisht në bazë të kuptimit të jashtëm të tyre. (shën. i përkthy.)
15 Është transmetuar nga tefsiri i Imam Er-Raziut, V, 81.
16 Mendohet mbi Ebu Hanifen, Malikun, Shafi'un dhe Ahmed b. Hanbelin. (shën. i përkthy.)
17 Një ferseh llogaritet sa tre milje, çfarë shumë e përgjithshme llogaritet përafërsisht 89 km. (shën. i përkthy.)
18 El-Kurtubi, II, 256.; Xhessas, Ahkam el-Kur'an, I, 204.; Argumentet e paraqitura më detalisht shihi në: El-Fahr Er-Razi, Et-Tefsir el-kebir, V, 80.
19 Mukim është personi i cili nuk është udhëtar, respektivisht personi i cili gjendet në vendin e tij të vendbanimit. (shën. i përkthy.)
20 Hadithin e transmeton Shafi'u prej Ibn Abbasit, shih: Er-Razi, Tefsir..., V, 82.
21 Atëherë kjo llogaritet 112 km. (shën. i përkthy.)
22 Transmeton Shaf'iu prej Ata´it, shih: Er-Razi, Tefsir..., V, 82.
23 Tefsiri i Kurtubiut, II, 258.
24 Ibn El-'Arebi, Ahkam el-Kur'an, I, 77.
25 Shih: El-Xhessas, Ahkam el-Kur'an, I, 204., ku argumentet jaë paraqitur detalisht.
26 Shënon Buhari prej 'Abdullah b. 'Umer b. El-Hatabit, në kapitullin: ''Kasr es-salah.”
27 lbn al-'Arebi, Ahkam el-Kur'an, I, 78.
(Artikulli është botuar në: “PREPOROD, gazetë informative islame”, nr. 19/789 dhe 20/790, më 1. dhe 15. tetor 2004., Shkëputur nga vepra: Tefsiru ajatil-ahkam minel-Kur’an”. Nga gjuha arabe e përktheu Almir Fatić.)
Komentimi fikhor i ajeteve mbi agjërimin - III -
Dispozita e katërt: A është lejimi që i sëmuri dhe udhëtari të mos agjërojnë lehtësim apo detyrim primar?
Dhahiritët konsiderojnë se për të sëmurin dhe udhëtarin është detyrim të mos agjërojnë dhe se agjërimin e lëshuar duhet ta kompensojnë në ditët tjera. Në qoftë se do të agjëronin për këtë nuk do të kishin shpërblim, sepse i Lartësuari thotë:
“...e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë...” Domethënia e ajetit është se personi i tillë do të agjëroj në ditët tjera, dhe kjo kërkon detyrimin sipas fjalëve të të Dërguarit: “Nuk ka të mira në agjërim gjatë udhëtimit.” Ky qëndrim transmetohet prej disa dijetarëve të hershëm.
Shumica e dijetarëve islam dhe juristëve regjional mbajnë qëndrimin se kjo është lehtësim, kush dëshiron mund të mos agjëroj, e kush dëshiron mund të agjëroj. Ata shënojnë këto argumente vijuese:
1. Në ajetin e lartpërmendur gjendet misioni i fshehur i cili parafytyrohet, d.m.th., e kush prej jush është i sëmur ose në udhëtim le të mos agjëroj, ndërsa do t’i kompensoj aq ditë të tjera. Me këtë ka të bëj ajeti: “...Ne i thamë: “Bjeri gurit me shkopin tënd”, atëherë nga ai gufuan dymbëdhjetë kroje që secili grup e dinte vendin ku do të pinte ujë.”[28] Këtu parafytyrohet folja darebe- dhe kur ai i bie nga shkëmbi gufon. Gjithashtu edhe në ajetin: “Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është...”[29], d.m.th., e rruhet– e ka për obligim që të jep kompensim. Përndryshe, kjo dukuri, në Kur’an, është shumë prezente, të cilën vetëm të paditurit mund ta mohojnë.
2. Prej të Dërguarit përcillet me transmetim mustefid[30] se ai ka agjëruar në udhëtim.[31]
3. Nga Enesi, r.a., transmetohet se ka thënë: Gjatë muajit të ramazanit kemi udhëtuar me të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., dhe ai i cili agjëronte nuk e ka qortuar atë që nuk agjëronte, as ai që nuk agjëronte nuk e ka qortuar atë që agjëronte.”[32]
4. Sëmundja dhe udhëtimi, sheri’atikisht dhe logjikisht, detyrimisht e shkaktojnë lehtësimin. Nuk është e lejuar që ata të jenë të provokuar nga vështirësia.
Sa i përket argumentimit të dhahiritëve që ata shfrytëzohen me hadithin: “Nuk ka të mira në agjërim gjatë udhëtimit.”- duhet ditur që ky hadith është thënë në situatë specifike kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., kishte parë se si njerëzit ishin tubuar përreth një njeriu të cilit i bënin fllad. I Dërguari kishte pyetur për atë njeri. Agjërues është- i ishin përgjigjur- e ka kapluar etja! Dhe i Dërguari, a.s., e kishte thënë hadithin e lartpërmendur.
Ibnu-l-‘Arebiu në tefsirin e tij thotë: “Njerëzve u caktohet që nëse udhëtojnë gjatë muajit të ramazanit të mund të agjërojnë ose të mos agjërojnë. Këtë mund ta mohojnë vetëm ata të dobëtit të cilët nuk e kuptojnë mirë gjuhën arabe. Me fjalë të tjera, baza e fjalës dhe fuqia stilistike e shprehjes së përkryer kërkojnë që (në ajetin e lartpërmendur, shën. i përkth.) të parafytyrohet folja le të mos agjërojnë. Ndërsa nga i Dërguari, s.a.v.s., përcillen, me fjalë e me vepra, transmetime autentike, se ai edhe gjatë udhëtimit ka agjëruar. Ne këtë e kemi shpjeguar në komentin e drejtë edhe në vendet tjera.”[33]
Dispozita e pestë: A është më mirë të agjërohet apo të mos agjërohet?
Juristët islam, të cilët konsiderojnë se mundësia që të mos agjërohet është lehtësim, kanë mendime të ndryshme mbi çështjen se çka është më e vlefshme: të agjërohet apo të mos agjërohet?
Ebu Hanife, Shaf’iu dhe Maliku konsiderojnë se për atë që ka mundësi më mirë është të agjëroj, ndërsa për atë që nuk mundet t’i përmbahet agjërimit më mirë është të mos agjëroj. Për rastin e parë theksojnë ajetin: “Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” – ndërsa për të dytin: “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.”
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, mendon se më mirë është të mos agjërohet, duke e shfrytëzuar lehtësimin, për arsye se Allahu i Lartësuar dëshiron që të shfrytëzohet lehtësimi i Tij ashtu siç dëshiron që të zbatohet urdhëresa e tij.
Omer b. ‘Abdul’azizi, r.a., konsideron se më mirë është ajo që është më e lehtë për njeriun.
Mendimi mbizotërues:
Duke e pasur parasysh fuqinë e argumenteve të cilat i shfrytëzojnë, mendimi i shumicës së dijetarëve është më mbizotërues. Ndërsa, Allahu e di më së miri!
Dispozita e gjashtë: A është i domosdoshëm kompensimi i pandërprerë i ditëve të lëshuara të agjërimit?
Sipas mendimit të Aliut, Ibn Omerit dhe Sha’biut, ai person i cili nuk ka agjëruar për shkak të sëmundjes ose udhëtimit, ditët e lëshuara të agjërimit do t’i kompensoj pandërprerë. Argument i tyre është se kompensimi (kada’) i agjërimit i ngjanë rregullës thelbësore (el-eda’), andaj pasi që sipas rregullës thelbësore agjërohet pandërprerë, ashtu ndodh edhe me kompensimin.
Shumica e dijetarëve konsiderojnë se kompensimi i agjërimit është i lejuar që të realizohet edhe pandërprerë edhe ndarazi. Për argument i marrin fjalët kur’anore: “...atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë!” Në ajet asgjë tjetër nuk kushtëzohet përveçse të kompensohen aq ditë sa nuk janë agjëruar. Në të nuk ka asgjë që do të tregonte në njëpasnjëshmërinë (e agjërimit). Ai është i papërcaktuar në kontekstin e të vërtetuarit, pa marr parasysh se cila ditë agjërohet, kompensimi është i realizuar.
Qëndrimin e tyre, shumica e dijetarëve, e argumentojnë me atë që është transmetuar nga Ubejde b. El-Xherrahi se ka thënë: “Allahu i Lartësuar nuk ua ka caktuar lehtësimin ne atë që të mos agjëroni, Ai dëshiron që ta ndjeni mundimin gjatë kompensimit të agjërimit. Nëse dëshironi ditët e kompensimit të agjërimit mundeni t’i bashkoni, e nëse dëshironi mundeni edhe t’i ndani.”[34]
Për shkak të qartësisë së argumentit, qëndrimi i shumicës së dijetarëve është më mbizotërues, ndërsa Allahu e di më së miri!
Dispozita e shtatë: Në lidhje me çka kanë të bëjnë fjalët e Allahut: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim...?
Disa jurist islam konsiderojnë se, në fillim, agjërimi ka qenë me dëshirë, e kush ka dëshiruar ka agjëruar e kush nuk ka dëshiruar që të agjëroj ka dhënë kompensim (fidje), duke e ushqyer një të varfër për çdo ditë. Pastaj kjo praktikë është droguar me ajetin: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë!” Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, ndërsa për argument kanë atë që transmetohet tek Buhariu dhe Muslimi prej Seleme b. Ekve’a se ka thënë: “Kur u shpall ajeti ‘E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë)...’, kush prej nesh dëshironte, ai agjëronte, e kush nuk dëshironte të agjëronte jepte fidje. Kështu vazhdoi gjersa më pas nuk u shpall ajeti: ‘...E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë!’, i cili e derogoi atë të mëparshmin.” Kjo transmetohet edhe prej Ibn Mes’udit, Mu’adhit, Ibn Omerit dhe të tjerëve.[35]
Ndërkaq, disa dijetarë janë të mendimit se ajeti i theksuar nuk është i deroguar, mirëpo ai ka të bëj me personat e moshuar, pleqtë e pafuqishëm dhe të sëmurit të cilëve agjërimi u shkakton vështirësi. Kjo transmetohet nga Ibn ‘Abbasi. Ibn Abbasi, r.a., thotë: “Personit të moshuar i është lehtësuar që të mos agjëroj, dhe ai për çdo ditë nga një varfër duhet ta ushqej, dhe nuk do ta kompensoj agjërimin e lëshuar.”[36]
Buhariu transmeton nga ‘Ata’i, r.a., se e ka dëgjuar ‘Abbasin sesi e lexon ajetin: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri!”- e pastaj ka thënë: Ajeti nuk është i deroguar, por ka të bëj me plakun dhe plakën të cilët nuk mund të agjërojnë, ndërsa ata për çdo ditë do ta ushqejnë fukaranë.[37] Sipas kësaj, ajeti nuk është i deroguar, kurse kuptimi i fjalëve të Allahut: ““E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë)...” – është- ata të cilët agjërojnë më vështirësi dhe mund të madh. Këtë mendim e përforcon edhe kiraeti jutavvikunehu – d.m.th., ata të cilët e kryejnë me mundim.
Dispozita e tetë: Cila është dispozita për shtatzënën dhe gjidhënësen?
Në qoftë se shtatzëna dhe gjidhënseja frikësohen për shëndetin e tyre ose për shëndetin e fëmijës, atëherë ato nuk do të agjërojnë, për arsye se mbi to zbatohet dispozita e njëjtë sikur edhe për të sëmurin. Hasan el-Basriu është pyetur për agjërimin e shtatzënës dhe gjidhënëses, në qoftë se ato frikësohen për shëndetin e tyre, dhe është përgjigjur: “Cila është ajo sëmundje e që është më e rëndë sesa shtatzënia? Ato nuk do të agjërojnë, mirëpo ditët e lëshuara të agjërimit do t’i komensojnë.” Në këtë dijetarët islam janë të një pajtimi. Megjithatë, kundërshtohen në cështjen se personi i tillë a do ta kompensoj agjërimin bashkarisht me dhënien e fidjes apo se vetëm agjërimin do ta kompensoj?
Ebu Hanife konsideron që ato janë të obliguara vetëm ta kompensojnë agjërimin, gjersa Ahmedi dhe Shaf’u mendojnë që ato agjërimin do ta kompensojnë krahas dhënies së fidjes.
Argumenti i Shafi’ut dhe Ahmedit:
Shtatzëna dhe gjidhënëseja bien nën domethënien e cila nënkuptohet nga ajeti: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë)...”, pasi që ajeti e përfshinë plakun, plakën e lodhur dhe çdo njërin të cilin e vështirëson agjërimi, kështu që shtatzënës dhe gjidhënëses i obligohet që të japin fidje ashtu sikur që është edhe për personin e moshuar.
Argumentet e Ebu Hanifes:
1. Për shtatzënën dhe gjidhënësen vlen dispozita e njëjtë sikur edhe për të sëmurin. A nuk ke njohur për fjalët e Hasan el-Basriut: “Cila është ajo sëmundje e që është më e rëndë sesa shtatzënia? Ato nuk do të agjërojnë, mirëpo ditët e lëshuara të agjërimit do t’i kompensojnë.” Pra, ato janë të obliguara vetëm që t’i kompensojnë ditët e lëshuara të agjërimit.
2. Personi i moshuar nuk është në gjendje që ta kompensoj agjërimin, ai është i liruar nga agjërimi për shkak të pleqërisë, dhe do të jep fidje, pasi që nuk pret ditën kur të jetë në gjendje të agjëroj. Sa i përket shtatzënës dhe gjidhënëses, ato kanë pengesë kaluese e cila do të ndërpritet, kështu që e kanë për obligim ta kompensojnë agjërimin. Në qoftë se do t’ua shtrojmë edhe fidjen si obligim atëherë kjo do të thoshte bashkim i dy zëvendësimeve (xhem’an bejne-l-bedelejn), gjë që nuk lejohet, për shkak se edhe kompensimi i agjërimit edhe fidja janë zëvendësim, me ç’rast është i pamundur bashkimi i tyre, sepse obligim është të vepruarit e njërës prej të dyjave.[38]
Aga imam Ahmedi dhe Shafi’u përcillet edhe transmetimi se ato janë të mendimit që, në qoftë se shtatzëna dhe gjidhënsja frikësohen vetëm për shëndetin e fëmijës, e nuk agjërojnë, atëherë janë të obliguara me kompensim dhe me fidje; ndërsa nëse frikësohen vetëm për veten, ose për veten dhe për shëndetin e fëmijës, atëherë agjërimin vetëm do ta kompensojnë.[39]
Dispozita e nëntë: Me çfarë vërtetohet fillimi i muajit të ramazanit?
Fillimi i muajit të ramazanit vërtetohet me të parët e hënës, madje qoftë edhe nga ana e një personi të drejtë, ose me mbushjen e tridhjetë ditëve të muajit sha’ban. Nuk merren parasysh llogaritjet matematikore apo astronomia, për shkak të fjalëve të të Dërguarit, s.a.v.s.: “Agjëroni kur ta shihni (d.m.th. Hënën) atë, dhe ndërpritni agjërimin kur ta shihni përsëri, ndërsa nëse është me vranësira atëherë llogaritni se muaji sha’ban i ka tridhjetë ditë.”[40]
Nëpërmjet hënës dihet koha e agjërimit dhe haxhit, sikur që Allahu i Lartësuar thotë: “Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: "Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh.”[41] Andaj hëna vërtetohet në bazë të të parit. Sipas shumicës së dijetarëve islam, mjafton që hënën, për vërtetimin e fillimit të muajit të ramazanit, ta shoh një person i drejtë, pasi që transmetohet nga Ibn Omeri, r.a., të ketë thënë: “Në një rast, gjersa njerëzit shihnin se kur do të paraqitet hëna, unë e lajmërova të Dërguarin e Allallahut, s.a.v.s., se e pashë atë, atëherë ai filloi të agjëroj dhe i urdhëroi edhe të tjerët të fillojnë të agjërojnë.”[42]
Sa i përket hënës të muajit shevval, ajo vërtetohet me atë që muaji ramazan llogaritet që ka tridhjetë ditë. Tek pjesa dërmuese e shumicës së juristëve, në këtë rast, nuk merret parasysh dëshmia e një personi të drejtë. Maliku thotë: Patjetër të dëshmojnë dy persona të drejtë, sepse në pyetje është vërtetimi i hënës të muajit shevval. Pra, më së paku duhet të jenë dy veta.
Tirmidhiu thotë: “Praktika e shumicës së dijetarëve është që ta pranojnë dëshminë e një personi kur është në pyetje fillimi i ramazanit.”
Transmeton Darekutni se një njeri ka dëshmuar tek Ali b. Ebi Talibi, r.a., se e ka parë hënën e muajit të ramazanit, dhe Aliu, r.a., ka agjëruar dhe e ka urdhëruar popullin që të agjëroj duke thënë: “Më shumë dëshiroj që të agjëroj një ditë nga muaji sha’ban se sa të mos agjëroj ndonjë ditë nga muaji i ramazanit!”[43]