AGJERIMI - 0BLIGIM I DOMOSDOSHEM -2

            Agjërimi pra nuk është i tillë. Nëse njeriu nuk është besimtar i sinqertë, mund të hajë e të pijë kur të dojë pa e vërejtur askush. Ndërsa, besimtari i vërtetë agjëron nga besimi i sinqertë dhe i bindshëm në All-llahun xh.sh., ngase është urdhër i Zotit, i cili na udhëzon në fat të dyfishtë, andaj sakrifikimet që kërkon i duron pa asnjëfarë vështirësie. Të duruarit e këtyre flijimeve, pra, rrjedh nga vullneti dhe vendimi i fortë i besimtarit me qëllim që ta kënaqë vullnetin e All-llahut xh.sh..Nga kjo del se formimi dhe përforcimi i vullnetit tonë  është rezultat i besimit të sinqertë. Agjërimi, pra është një nga faktorët më të fortë të zhvillimit dhe të edukimit të vullnetit tonë. P.sh., shumë njerëz, posaçërisht konsumuesit e duhanit apo të alkoolit, nëse prej tyre kërkohet që jashtë Ramazanit të heqin dorë nga to të paktën për një kohë të shkurtër, nuk do të mundnin, dhe altruizmi i tillë do të ishte i papranueshëm. Mirëpo, gjatë Ramazanit, forca e vullnetit që del nga besimi i thellë dhe i sinqertë, bën që atë as të mos e ndiejnë. Shumica nën ndikimin e agjërimit bile krejtësisht lirohen nga këto lakmi të cilave u janë nënshtruar. Ose, na është e njohur se luftrat, vitet e thata ose fatkeqësitë elementare, shpesh rezultojnë me uri. Mirëpo, njerëzit që kanë agjëruar, do të mundin shumë më lehtë t'a durojnë atë vështirësi, në krahasim me ata të cilët asnjëherë nuk kanë agjëruar. Vullneti, pra, është faktor i jetës, kusht i suksesit në jetë. Përderisa dikush e ka vullnetin më të fortë, po aq më të sigurtë e ka edhe suksesin  në të gjitha fushat e veprimit.   

            Si definicion jetësor është edhe thënia:           "Jeta është luftë". 

             »Gjatë këtij luftimi fiton ai, vullneti i të cilit është më i fortë. Ndërsa vullneti i dobët është mohim i jetës. Ja pra, sa është i rëndësishëm agjërimi si burim i vullnetit dhe i karakterit të fortë.«  

             Të gjitha parimet Islame, në rend të parë agjërimi i Ramazanit dhe namazi, e kanë për qëllim t'a ndërtojnë njeriun në kuptimin e plotë të fjalës, njeriun me karakter pozitiv (konstruktiv). Me fjalë të tjera, mëtojnë që nga njeriu musliman të ndërtojnë një qënie të përsosur me veti pozitive dhe fisnike, sikur: durimi, vetëmohimi, ngushëllimi, dasha-mirësia, etj., që posaçërisht vijnë në shprehje gjatë muajit të agjërimit (Ramazanit), e me qëllim të mposhtjes së vetive negative (ahlaki zemime).  Shkurt, ja ku qëndron rëndësia dhe roli  i agjërimit Islam në ndërtimin e vullnetit dhe të karakte-rit pozitiv te besimtari, muslimani.

 

         AGJERIMI SI FAKTOR SOCIAL

 Eshtë thënë se:  "I ngopuri të uriturit nuk i beson", që dmth se të ngopurit, pra shtresat e pasura, mund t'i kuptojnë vështirësitë e të varfërve dhe të  uriturve vetëm atëherë kur ato ndjenja do t'i perjetojnë vetë. Muaji i Ramazanit, jo vetëm që e ndryshon kohën e racioneve dhe furnizimin e bollshëm dhe të kualitetshëm të atyre racioneve, por agjërimi ka ndikim të fortë në edukimin social. Agjërimi, po ashtu na mëson në vetmohim dhe në flijim, jo  vetëm ndaj vetes por edhe ndaj të tjerëve, njerëzve të ngratë. Madje edhe të mos ekzistonte një numër i madh i urdhërave social-altruiste agjërimi bën që muslimani në shpirtin e tij ta ndjejë imperativin e ndërgjegjies dhe ta ofrojë ndihmën e vet për ata që kanë nevojë. Kështu që te besimtarët e sinqertë, përmes kuptimit të drejtë dhe të praktikimit të agjërimit, zhvillohet ndjenja e ngushëllimit, e dashamirësisë dhe e vetmohimit në kuptimin e gjerë të fjalës. Zhduket egoizmi i rëndë i cili zëvendësohet me altruizëm të gjerë. Shumë imperativa socialo-altruistë të Islamit (Kur'ani dhe sunneti) këtë ndjenjë e përforcojnë dhe ndezin flakë gjatë këtyre ditëve të bekuara. Te muslimanët e tillë gjatë agjërimit të Ramazanit vjen deri te realizimi i këtyre urdhërave sociale.  

            Agjërimi i Ramazanit bën pra, që të pasurit t'a ndiejnë e ta shohin thellësinë dhe madhërinë e fjalëve të Kur'anit (Zotit), të cilat urdhërojnë që ndihma të realizohet me vepra.   Agjërimi i Ramazanit është rasti më i volitshëm kur muslimanët më së miri do t'i kuptojnë fjalët e Muhammedit a.s.: "Nuk është musliman i vërtetë ai i cili natën e kalon i ngopur ndërsa e di se fqiu i tijë e kalon i uritur". 

            Islami përmes agjërimit dëshiron që t'i bindë musli-manët se zhvillimi i tyre, sidomos në aspektin ekonomik varet nga vetmohimi dhe altruizmi i çdo individi për mirëqënien dhe fatin e shoqërisë.  

            Nga këto shkaqe për Ramazanin janë të lidhura gati të gjithë veprat socialo-altruiste, siç janë zeqati, Sadekatul-fitri, dhe shumë lloje lëmoshash, etj., me qëllim që ajërimit si akt formal i besimit (ibadetit) t'i jepet  edhe shpirti që të arrihet qëllimi në përgjithësi.

             Andaj Muhammedi a.s. thotë:   

             "Agjërimi i Ramazanit rri pezull ndërmjet qiellit dhe tokës dhe s'do të arrijë në vendin e vet në qiell deri sa të jepet sadekatul-fitri."   

            Domethënien e shumëfishtë të agjërimit Islam, posaçërisht rolin edukues në aspektin social, e vërejtën edhe disa orientalistë evropiano-perëndimorë. Ashtuqë njëri thotë: "Institucioni i agjërimit, sikur që e kemi të njohur, përbëhet nga abstenimi në ngrënie, pirje, largim nga marrëdhëniet seksuale gjatë muajit Ramazan, e kjo është një shkollë disipline, mëshire e dashurie ndaj të afërmëve. Vërtetë, duke e shtërnguar besimtarin të abstenojë nga këto kënaqësi për një kohë të caktuar, e mëson që t'i frenojë epshet e veta. E shtrëngon ta ndjejë urinë dhe ta kuptojë se sa është e rëndë, institucioni i agjërimit shkakton ngushëllim ndaj të varfërve, duke e shtyrë që më mirë t'i vlerësojë mirësitë dhe dhuntitë e Zotit xh.sh., pra kjo e shton falenderimin ndaj Zotit.”[7]

 

AGJERIMI - FAKTOR SHENDETESOR

            Siç kemi cekur deri më tani, të shumëfishta janë qëllimet dhe dobitë e përcaktimeve Islame, ndaj edhe të agjërimit. Disa nga këto dobi qenë hetuar qysh në fillim, qysh kur u përcaktuan, e disa më vonë gjatë zhvillimit të shkencave, e s'do mend se dobi të tilla do të zbulohen edhe gjatë zhvillimit të mëtejmë të shkencave. 

            Ashtu qëndron puna edhe me agjërimin Islam. Deri më sot janë theksuar dobitë e agjërimit vetëm si ibadet. Dhe del se roli dhe qëllimi i agjërimit me fjalë të tjera, është që nga njeriu i rëndomtë si më i afërm me kafshën, të krijojë njeri, krijesë morale dhe sociale, fuqi shpirtërore ngjashëm me engjëjt. Ky qëllim i agjërimit është theksuar më herët me citimin e ajetit: "LEALEKUM TETTEKUN" - që të bëheni të devotshëm. Përsosshmëria morale është qëllimi kah tenton institucioni i agjërimit. Mirëpo, përmes medicinës bashkë-kohore domethënia e agjërimit fillon të vertetohet dhe të arsyetohet edhe si faktor shëndetsor siç vertetohen shkencërisht edhe ibadetet tjera sepse  Islami (Kur'ani) thirret në shkencë. 

 

            Madje, Kur'ani na obligon në studimin e të gjitha lëmive shkencore:  

            "Ne u sollëm atyre (mekkasve) një libër (Kur'anin) që ua shkoqitëm në baza të diturisë, e që është udhërrëfyes e mëshirë për ata që besojnë." (El Arafë: 52)    

            Jo veçse me shkencë, por edhe përvoja vërteton se të mbushurit e tepërt të stomakut me pije dhe gjellëra të llojllojshme sjell deri te plogështia dhe lodhja e të gjitha organeve, sepse organi më me rëndësi në organizëm - stoma-ku, nuk është në gjendje t'i tresë. Stomaku i mbushur bëhet burim i shumë helmeve të rrezikshme për jetën tonë. E logjikshme është se mbushja  e pandërprerë e stomakut është një lloj atentati i stomakut, e me të edhe i organeve tjera të organizmit. Shtypja e gjakut - sëmundje e rëndë, për të cilën s'ka ilaç tjetër përpos urisë, arterioskeleroza etj., - sëmundje këto vdekjeprurëse, më së shpeshti rrjedhin nga mbushja e tepërt e stomakut me ushqime të forta, të yndyrshme. 

             Andaj, Muhammedi a.s. porosiste shpesh që ta ndërpresim ushqimin madje edhe atëherë kur do të na paraqitet oreksi më i madh. 

            Ai ka thënë: "Agjëroni, - do të jëni të shëndoshë!"   

 

            Ai gjithmonë porosiste të përmbahemi nga pijet dhe ushqimet e tepërta me qëllim që ta ruajmë elasticitetin dhe energjinë e organizmit dhe kthjelltësinë e jetës në frymën e fjalëve Kur'anore:  

            "O bijt e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz, hani e mos e teproni, sepse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë."   (El A'rafë: 31) 

              Muhammedi a.s. jo vetëm që s'ishte mjek ose njeri i arsimuar, por thjesht ai ishte analfabet. Këto thënie të tij na tregojnë  në muxhizet e tij, muxhize këto të cilat shkenca veçsa ka filluar t'i vertetojë gjë të cilën detaisht do ta shohim më poshtë. Ai gjithashtu ka thënë: 

             "Enë më e ligë është stomaku i mbushur". 

             Të shumta janë dëmet nga pija dhe ushqimi i tepërt, e të shumta janë për shëndetin e njeriut edhe dobitë nga uria, thënë me fjalë të tjera, lehtësimi i stomakut me agjërim, pra me atë agjërim që i përket Islamit. A nuk është e saktë se pushimet javore dhe vjetore e freskojnë njeriun shpirtërisht dhe fizikisht dhe i japin forca të reja për punë të mëtejme? Kështu është edhe me agjërimin e Ramazanit, dmth, një pushim i përsosur i organizmit tonë edhe atë, jo vetëm i organeve tretëse, por edhe i veshkëve, mëlçive etj., i përtërinë, i pastron dhe i aftëson për punë të mëtejme. Le ta marrim si shembull makinën. S'ka asnjë makinë që mundet të punojë pandërprerë dhe pa gabim. Secilës makinë i nevojitet ta ndërpresë punën për një kohë të caktuar që të pastrohet dhe të lubrifikohet. Në të kundërtën do të hudhet në hekurishta të vjetra. Edhe organizmi ynë, nuk është gjë tjetër veçse një makinë e komplikuar të cilës i nevojitet një pushim siç është agjërimi Islam. Krijuesit të Gjithëdijshëm të organizmit tonë i qe e njohur se çka i nevoitet organizmit tonë, ndaj pos për qëllime tjera edhe për këtë e përcaktoi agjërimin.  Por, që ky agjërim të jetë i dobishëm për shëndetin tonë duhet të jetë i orientuar kah uria e jo kah ushqimet e forta dhe të pasura  gjatë iftarit dhe syfirit, sikur që praktikohet sot, e posaçërisht te të pasurit. Nga këto shkaqe është porositur që të agjërohet edhe jashtë Ramazanit sa më tepër ditë, posaçërisht ata njerëz të cilët tensioni i gjakut (energjia trupore) mund t'i shpie në mëkat. 

             Meqë këtu është fjala për agjërimin nga aspekti shëndetësor,  t'i cekim dobitë e agjërimit për sëndetin tonë të vertetuara në mënyrë shkencore-medicinale. Qysh grekët e vjetër, e posaçërisht mjekët arabë, vërtetuan se dieta është faktori kryesor në terapi për shërim gati të të gjitha sëmundjeve, prandaj kanë thënë: "Lukthi është burim sëmund-jesh, ndërsa dieta koka e çdo ilaçi."  Dieta edhe në terapitë e medicinës së sotme është hapi i parë.

 

RREZIQET NGA USHQIMET E RENDA DHE TE TEPERTA - URIA SI BAR

             Të shohim se çfarë qëndrimi ka medicina moderne për urinë dhe agjërimin. Sa i përket kësaj e konsideroj të dobishme t'i citoj disa fragmente nga ekspertë të njohur të medicinës të cilat janë hasur në shtyp. Gazeta "Dnevnik", kishte një artikull të gjerë nga Dr. B.P., me titull: "Ushqimi i pleqëve", ku përpos tjerash theksonte rrezikun nga ushqimet e yndyrshme dhe të rënda për pleqtë. "Masa aktive e muskujve zvogëlohet dhe plotësohet me ind të yndyrshëm. Puna e veshkëve zvogëlohet. Po ashtu ndryshime vërehen te enët e gjakut, ato bëhen të brishta ngase në to sedimentohet lloji special i yndyrës i quajtur polesterin". Dobësohet puna dhe ritmi i zemrës... Ky grumbullim i yndyrës shpejton shkaktimin e arterioskelerozës dhe sjell deri te sëmundja e vjetër angina pektoris, te rritja e tensionit të gjakut etj. Që të mos vijë deri te këto sëmundje te pleqtë, ushqimi duhet të jetë sa më i varfër me yndyrëra të botës shtazore. Nevojat yndyrore duhet të plotësohen me vajëra nga bimët që janë shumë pak ose aspak të rrezikshëm." 

             Ky dijetar më tej tërheq vërejtjen në largimin nga gjellërat shumë të kripura sepse kripa i ndihmon arterioskelerozës dhe sendimentimit të kripërave nëpër venë dhe arterie dhe shkaktohet rritja e tensionit të gjakut. 

            "Sa i përket sheqerit duhet të reduktohet në përmasa sa më të vogla, sepse teprica e sheqerit në organizëm shndërrohet në yndyrë. Gjatë të ushqyerit duhet të kihet kujdes që të mos vie as deri te parangopja e as në tejngopje." Revista "RAD" në numrin 12 të 19 marsit 1960 nën titullin: "Uria e dobishme", shkruan:             "Sipas pohimit të një letrari amerikan Apton Sinklerit, njeriu pas eleminimit të shprehisë për ushqim të tepërt, ndjehet më i ri dhe më i fortë. Privimi i ushqimit e përforcon organizmin. Kjo ndoshta duket paradoksale, por këtë e vertetojnë ekspertët e medicinës. Shembulli i Vinston ?erçillit, i cili me elasticitet të plotë i priti të 80-tat, tregon se agjërimi është një ndër stimuluesit më të mirë të elasticitetit. Një burrështetas britanik me sukses i krijoi vetes një disiplinë në konsumim, pije, zbavitje dhe kënaqësi të tjera trupore. Ai, shpesh gjatë 24 orëve madje edhe gjatë 48 orëve nuk konsumonte asgjë, e kohë pas kohe i shmangej ushqimeve madje edhe nga një javë.  

            ?ërçilli, sikur edhe shumë të tjerë, zbuloi se të përmbajturit nga ushqimi është mënyra më e mirë që të arrihet koncentrim i plotë. Përkrahës i madh i agjërimit ishte edhe burrështetasi britanik Sir Staford Krips, ndërsa mjekët të cilët e shqyrtonin shëndetin e Gandit gjatë agjërimit të tij "grevë urie" në vitin 1933, vërtetuan se shëndeti i Mahatma Gandit deri në ditën e dhjetë vetëm përforcohej dhe përtërihej deri në atë masë sa që mundej të krahasohej me organizimin e një 40 vjeçari, ndërsa atëherë i kishte plot 64 vjet. Në Zvicër, Britani të Madhe, në Gjermani e Amerikë ekzistojnë shumë spitale ku shërimi bëhet ekskluzivisht me agjërim. Rëndom ai agjërim zgjat 21 ditë, e mandej sipas fjalëve të shkrimtarit Apton Sinkler, njeriu ndjehet më i fortë dhe më i ri për disa ditë. Higjenistët konsiderojnë se agjërimi është bar efikas i çlirimit të trupit (organizmit) nga helmet e ndryshme. Rëndimi, dhembja e barkut dhe lodhjet kronike janë pasojë e të ushqyerit të tepërt dhe iracional. Depresioni që i kaplon njerëzit, shpesh mund të jetë gjithashtu pasojë e plotësimit të trurit me toksinë nga ushqimi i tepërt. Agjërimi disa ditësh nuk e dobëson organizmin. Uria hetohet vetëm dy tre ditët e para e pastaj zhduket. Organizmi atëherë fillon t'i shfrytëzojë rezervat që në arsenalin e vet i ka të mjaftueshme. Mëlçia është e pasur me glikogjen, gjaku me proteinë, ndërsa rezervat e yndyrës te meshkujt arrijnë 30 %, kurse te femrat në 20 %.  

            Kur agjërojmë "e hamë vetveten", ndërsa organizmi pa rrezik për shëndetin, mund të gjejë rezerva në vete deri 20 ditë abstenim nga ushqimi. 

             Gjatë agjërimit nga fytyra zhduken njollat, puçërrat, të thatët dhe shtresat e tepërta të yndyrërave. Sistemi nervor dhe truri mbeten të paprekëshme, ndërsa përbërja e gjakut nuk ndryshon.  

            Ngadalësimi i ritmit jetësor gjatë agjërimit sjell dobi të pakompensueshme. Përderisa zemra rrah 70 herë në minut dhe rreth 100.000 herë në 24 orë, gjatë agjërimit zemra rrah rreth 60 herë në minutë gjegjësisht diçka më tepër se 80.000 herë në ditë, që do të thotë se kursen diçka më tepër se 10.000 rrahje të zemrës. Agjërimi gjithashtu ndikon dobishëm edhe për shqisat e të pamurit. Të pamurit kthjellohet dhe në bazë të hulumtimeve të ndryshme, pas agjërimit të pamurit përmirësohet për dy herë më mirë se më parë.

             Mbrojtësi i madh i agjërimit, mjeku amerikan Shellton, e porosit abstenimin 21 ditësh të ushqimit. Ekspertët evropianë konsiderojnë se agjërimi i plotë s'duhet të zgjasë më tepër se katër ditë[8], ndërsa disa janë të mendimit se lëngjet e frutave gjatë agjërimit nuk e zvogëlojnë vlerën e këtij tretmani". Në një artikull me titull: "Përforcimi i organizmit dhe shërimi me ndihmën e urisë", pos tjerash theksohet:  

            "Deri sa mjeku amerikan Dr. Shellton, përpos abste-nimit të plotë nga ushqimi për 21 ditë, ekspertët evropianë Dr. Birsheri dhe Beneri janë të mendimit se është më mirë më shpësh të agjërohet nga katër ditë dhe në ndërkohë të konsumohen lëngje frutash." Për organizmin dobia nga agjërimi është e shumëfishtë. Depresioni sipas mjekut gjerman  Dr. Martinit, në të shumtën e rastëve është pasojë e plotësimit të trurit me toksinë, ndërsa dietisti francez, Dr. Gelpi, konsideron se 4/5 e sëmundjeve i shkaktojnë fermentet e kuqe. Abstenimi për një kohë nga ushqimi  nuk sjell vetëm deri në ndërprerjen e helmimeve të organizmit, në eleminimin e substancave të dëmshme, por edhe në pushimin gjeneral e me të edhe në përforcimin e organizmit. Zvogëlohen përmasat e thartimeve në urinë, zhduken puçrrat, njollat, të thatët nga fytyra etj. Gjatë agjërimit pesha e muskujve, mëlçisë dhe shpënetkës, zvogëlohet përgjysmë derisa pesha e zemrës mbetet e paprekëshme. Përbërja e gjakut sipas hulumtimeve të Prof. Benediktit për 31 ditë aspak nuk ndërrohet. Dobia e agjërimit për pushimin e zemrës është shumë e madhe, pasi ajo vetëm gjatë një dite rrah rreth 14 mijë herë më pak. Gjatë agjërimit qelizat e sëmura të organizmit eleminohen, ndërsa të rejat zhvillohen më mirë. Së fundi agjërimi pozitivisht ndikon në funksionet intelektuale".  Konsideroj se nuk është e tepërt të citohet edhe një pjesë e artikullit të prof.dr. Teodor Lluka-qit, të shpallur në gazetën "Jeta dhe shëndeti" - Sarajevë, nënë titullin: "Agjërimi i plotë e vetmja masë e sigurtë kundër trashësisë", ku thotë:  "Agjërimi si metodë medicinale është e vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Edhe te religjionet e vjetra e hasim agjërimin si ibadet të pëlqyer të Zotit, e që në realitet është dashur të theksohet disiplina e vetmohimit të ditëve dhe javëve të caktuara. Dhe, kësisoj, pa vetëdije i është kontri-buar shëndetit, ngase abstenimi nga yndyrërat në gjellë gjatë agjërimit, ishte i dobishëm për individët me peshë të rëndë dhe për pleqtë. Artikullshkruesi flet më tej se Gandi 15 herë është hedhur në grevë urie prej të cilave tre herë më gjatë se 21 ditë, duke mos konsumuar asgjë përveç ujit të ngrohtë dhe disa pika të lëngut të limonit. Por, prapëseprapë nuk perjetoi asnjë çrregullim në organizëm përpos që u dobësua. Mëtej theksohet: "Para 90 vjetëve në Evropë shpërtheu një valë e urisë së atëhershme "moderne" kur shumë mjek pohonin se me uri mund të shërohen  të gjitha sëmundjet prej kancerit deri te reuma. ?shtë realitet shkencor se pesha e madhe e organizmit u paraprin shumë çrregulli-meve në organizëm, e populli ynë aq bukur tha: "Të dobëtit - dobësohen, trashamanët udhëtojnë". Këtu nuk theksohet dieta ose zvogëlimi i racioneve ditorë, por uria e plotë. Mjekësia bashkëkohore  sot shërbehet me agjërimin e plotë si metodë e vetme suksesive për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, e në rend të parë të peshës së tepërt trupore. Përmes hulumtimeve të hollësishme është vertetuar se nuk është e mundur të zvogëlohet pesha e trupit vetëm me dietë të thjeshtë, porse me uri të plotë e nën mbikëqyrjen e specialistëve nëpër spitale".  Gjatë zhvillimit të vet edhe sa fakte do t'i zbulojë shkenca dhe do t'i sqarojë e vertetojë madje jo vetëm këtë (agjërimin) porse edhe parimet dhe të vertetat e Islamit të madhërishëm (Kur'anit)?!  Urdhëri i Zotit dhe fjalët e Muhammedit a.s. për agjërimin: "Agjëroni, - do të jeni të shëndoshë"!, - a nuk janë edhe një muxhize e vertetuar dhe e dëshmuar shkenctarisht pas gati 14 shekujve?   Nga e gjithë kjo që u tha mund të shihet se agjërimi i Ramazanit është një mëshirë ë paskajshme e Zotit për ata që e pranojnë këtë mëshirë e cila do t'i shpie kah lumturia në këtë dhe në botën tjetër.

 

        RREGULLIMI I CESHTJES SOCIALE NE ISLAM

            Të gjitha parimet dhe rregullat Islame, në veçanti themelet praktike të obligimeve Islame, kanë karakter dhe tendencë social-shoqërore ose altruiste. Por, përpos kësaj ekziston një sistem i plotë social i parimeve praktike që së bashku me burimet fetare kualifikohen si ibadete - shërbim Zotit. Qëllimi i tyre është mirëqënia e plotë e shoqërisë Islame. Të gjitha këto parime Islame, pra këto të aspektit socialo-altruist ndahen në dy grupe. Grupin e parë e përbëjnë parimet  që juridikisht i rregullojnë obligimet sociale e me të cilat obligohen pjestarët e pasur të Islamit. Ndërsa grupi i dytë përbëhet prej parimeve që më tepër në aspektin moral i obligojnë muslimanët pa marrë parasysh gjendjen e tyre ekonomike. Në grupin e parë nënrenditen këto obligime: a.- kontributi i domosdoshëm - "zeqati";   b.- kontributi i domos-doshëm gjatë Ramazanit, sadakatul-fitri. c.- therja e kurbanit,  d.- "FIDJE". 

Në grupin e dytë nënrenditen: 

a.- dënimet për thyerjen e disa parimeve - "KEFA-RETET", 

b.- lëmosha vullnetare - "SADAKA",   

c.- tesatamentet për qëllimet bëmirëse - "VAKFUN" - (vakëf). 

http://www.alb-net.com/pipermail/alb-islam/2000-February.txt

 VEHBIJA HOXHIQ

 THEMELET  E ISLAMIT    

 Domethënia dhe qëllimi i përcaktimeve

 Përktheu: Lutfi Muharemi 

Gostivar, 1998

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme