
Rimëkëmbi ekonominë, hapi dosjet, lejoi të hulumtohet e gjithë ajo që ishte shkruar përgjatë Shtetit Osman dhe që ishte e mbyllur gjerë atëherë nëpër bibliotekat e Turqisë. U akuzua për tradhti kur deklaroi se në vendin e tij, megjithatë jetojnë me miliona kurd. Për pak i shpëtoi një plumbi të nacionalistëve teksa po mbante një fjalim. Kur u ngrit prapë tek foltorja, mori mikrofonin në dorë dhe tha: "Vetëm Allahu është ai që mund të ma merr shpirtin". Është e njohur deklarata e Turgut Ozalit se: "Turqia ka potenciale për të ndihmuar vëllezërit e saj kudo që janë, tek e fundit bijtë e saj janë trashëgimtarët e një shteti që me shekuj gjysmën e botës e kishin në dorë".
Shumë vite më vonë, në Davos të Zvicrës, dijalogu tepër i ashpër mes Taip Erdogan, kryeministër i Turqisë dhe Shimon Peres, kryetar i Izraelit përveç tjerash ishte edhe një paralajmërim i radhës. Në atë ditë u dhanë shenjat e paraqitjes së një Turqie më të fortë se kurdoherë më parë. Në Davos, Taip Erdogan pati guximin t'i thotë presidentit izraelit se: "Ju shumë mirë dini të vrisni". Nga ajo ditë pra, harta politike e Lindjes së Mesme po ndryshonte e tëra. Turqia po bëhej lojtare me rëndësi e politikës ndërkombëtare.
Populli turk përkrahu qëndrimin e kryeministrit të vet. Në aeroportin e Stambollit ai u prit si hero. Edhe pse nga opozita u akuza se në Davos po aktronte për t'i fituar votat, unë personalisht kisha një mendim tjetër. Taip Erdogan, nuk ishte një politikan i cili qëndrimin personal e qet para diplomacisë institucionale. Pastaj, atij nuk i duhej fare karizma për t'i fituar zgjedhjet dhe e treta, meqë disa vite të jetës sime i kisha kaluar në Turqi, pikërisht në kohën kur ky shtet kishte filluar ndryshimin e themeleve të veta që nga ekonomia, atë natë çdo gjë ishte e qartë: Turqia më nuk është ajo që ka qenë.
Ministri i Jashtëm i Turqisë Ahmet Davutoglu, që është një profesor me nam në Turqi, sa herë që vizitoi vendet e Kaukazit deklaronte se popujt e kësaj ane janë bashkëkombës të tij. Ai asnjëherë nuk përtoi të deklarojë se Turqia ndjenë për borxh të jetë krah i tyre, në paqe dhe në probleme. Me gjuhën e diplomacisë, borxhi nënkupton obligimin e dyanshëm. Turqia e Taip Erdoganit, përderisa njërin krah po e shtrinë kah jugu, pra kah Lindja e Mesme, krahun tjetër e kishte shtrirë kah veriu, pikërisht mbi supet e vëllezërve nëpër shtetet e Kaukazit. Pozicioni i tillë, gjeografikisht jep të kuptojë se Turqia, fytyrën e ka të kthyer kah perëndim, pra, shikimin kah Ballkani. Më së miri këtë e kishte thënë Prof. Dr. Davutoglu. Ai, teksa elaboronte historinë e Ballkanit në një samit të Sarajevës, sikur më parë në Kaukaz kishte thënë se vendi i tij ndjenë për borxh të ndihmojë edhe vëllezërit e vet në Ballkan.
Kur u dha lajmi se komandosët izraelit vranë nëntë vullnetarë turq në Flotila që po dërgonte ndihma humanitare në Gaza, Turqia reagoi shumë ashpër. Ndoshta ajo kishte të drejt sepse anija që lundronte me flamurin turk. Edhe pse marrëdhëniet mes dy qeverive u tendosen edhe më shumë, ato marrëdhënie mes dy popujve po punohet të ruhen. Megjithatë, kohëve të fundit afrimi i vazhdueshëm me Sirinë, raportet e ngushta me Iranin, interesimi i saj për Gaza-n dhe së fundi takimi i Damaskut mes anëtarëve të Asamblesë Kombëtare Turke dhe parlamentarëve të Ligës Arabe, Turqisë i kanë siguruar një pozitë shumë të fortë në Lindje të Mesme. Sot për Turqinë flitet e shkruhet si të ishte shpëtimtarja e kësaj pjese të botës. Lindja e Mesme që nga koha e Salahudin Ejubit, përveç gjatë kohës sa ishte nën kontrollit e Shtetit Osman, rrallë herë pati qetësinë.
Influenca ekonomike dhe nga andej politike e diplomatike e Turqisë në Ballkan sa shkon e shtohet. Gatishmëria e qeveritarëve turq, posaçërisht e Kryeministrit Taip Erdogan për të ndikuar në shtetet mike të Turqisë të pranojnë Kosovën shtet i pavarur, pastaj krizat e njëpasnjëshme të Greqisë e cila është shkallmuar nga goditjet e fundit të grevave dhe borxheve, Turqisë po i japin shansin edhe më shumë të shton influencën e saj. Ndalimi i një flote ushtarake turke në ujërat shqiptarë, për shtetin e helenëve ishte një kërcënim rajonal. Mirëpo, vizita e Taip Erdogan që i bëri Athinës fqinje ku i premtoi mbështetje ekonomike, ishte një qetësim për grekët, në kohën kur Gjermania po u propozonte atyre shitjen e ishujve për larjen e borxheve të mëdha në të cilët është zhytur ky vend i Mesdheut.
Tregtia e shqiptarëve me Turqinë është e kahershme. Nga ana tjetër, ndihmat turke për popullin tonë asnjëherë s'janë ndalur. Jemi dëshmitarë të dërgimit të mijëra tonelatave ndihma për Bosnjën, Shqipërinë, Maqedoninë e Kosovën. Turqia zë vendin e parë për nga dhënia e bursave për studentët shqiptar. Numri i madh i bashkëkombësve tanë që jetojnë në Turqi konsiderohet edhe një urë më shumë lidhëse mes dy popujve. Shqiptarët e Turqisë ndjehen në vendin e tyre. Ata asnjëherë nuk u diskriminuan sikur që po diskriminohen në vendet tjera të Ballkanit.
Edhe pas lufte, Turqia vazhdoi të forcojë pozicionin e saj në këto treva. Pasardhësja e Perandorisë Osmane llogaritë se edhe në këtë pjesë të Evropës ka vëllezërit e vet. Ndaj tyre, sikur edhe ndaj popujve tjerë në Kaukaz dhe Lindje të Mesme Turqia po ndjenë për borxh t'u ndihmoj atyre. Ndërtimi i autostradave në tokat shqiptare, investimet e mëdha, e së fundi nënshkrimi i marrëveshjes për Aeroportin e Prishtinës, janë vetëm disa shenja të kësaj vëllazërie që Prof. Dr. Ahmet Davutoglu e përmend sa herë që i jepet rasti. Dhe së fundi, interesimi turk për Tyrben e Sulltan Muratit, mbajtja e disa tubimeve anuare Gazimestan si dhe dëshira e saj për një tretman më të mirë për varrin e Sulltanit që ra dëshmorë në tokën e Kosovës, bindshëm tregon se Turqia po interesohet. Ajo më nuk është Turqia e "qaj rusit" të Kosovës, nuk është as e vetëm mallrave të lirë. Turqia e Taip Erdoganit nuk di të ndalur.
(Ky shkrim është botuar në gazetën ZËRI me datë 16 Gusht 2010)