Me rënien e komunizmit, Nënë Tereza u shfaq sërish në Shqipëri. Bashkë me mijëra misionarë që pushtuan vendin tonë, që varionin nga tele-evangjelistët amerikanë që bënin koncerte ku dridheshin si të elektrizuar duke pretenduar se kishin me vete shpirtin e shenjtë, e deri te Bahaitë që pushtuan qendrën e Tiranës, Nënë Tereza u shfaq në botën tonë pas-komuniste si një nga ata mijëra njerëz çudibërës që kishin ardhur për të marrë të korra me shpirtra njerëzish në Shqipërinë pas-komuniste.
Për sa kohë që Nënë Tereza ishte e gjallë, imazhi i saj, u tregohej shqiptarëve të varfër nëpërmjet pasazheve filmike në Indi, ku shqiptarëve që në këtë kohë çanin kufijtë sa nëpër male, në këmbë e me skafe për të fituar bukën e gojës, sikur u thuhej që Nënë Tereza ishte bamirëse – por jo për ne ama, por për fukarejtë e largët të Indisë. Megjithatë regjimi i Berishës së asaj kohe, që shihte si perëndi çdo gjë të ardhur nga jashtë, që nga skemat piramidale dhe çeku i bardhë i Gramoz Pashkos e deri të Nënë Tereza, misionares katolike që jetonte në Indi, nisi t’i jepte statusin e Shkurte Pal Vatës.
Por vdekja e Nënë Terezës në 1997 solli në mendjen e shqiptarëve edhe me më shumë forcë figurën e Nënë Terezës, të cilën, pas vdekjes së saj, Kisha Katolike u kujdes ta zbukuroj në maksimum. Hapat që Papa Gjon Pali II ndërmori për të lumturuar dhe shenjtëruar Nënë Terezën, në Shqipërinë tonë të varfër u trumbetuan sikur këtë lumturim ta kishte marrë vetë populli ynë i pikëlluar. Tamam si në filmat bollivudjan, ku indianët e varfër shtyhen që të kalojnë disa orë të lumtura për të harruar varfërinë, edhe në Shqipëri, mrekullia mediatike e Nënës Terezë përdorej si një formë ngushëllimi për t’i hequr brengat e përditshme popullit tonë dhe treguar Nënë Terezën, përkrah Xhon Belushit dhe Eliza Dushkut si shembuj që shqiptari mund të arrinte me punë dhe mundime, nëse besonte në mrekullitë e Perëndimit.
Por klasa që përfitoi më shumë nga mirazhi mediatik i Nënë Terezës në vendin tonë kanë qënë politikanët, të cilët ndërsa janë më të korruptuarit e injorantët në Evropë nuk lënë rast pa përdorur mitin e saj, për të fshehur korrupsionin dhe paaftësinë e tyre, dhe bërë karshillëk njëri tjetrit me plakën e Kalkutës. Gjatë qeverisjes socialiste, Nënë Tereza u kthye në një lloj heroine kombëtare nga qeverisja e majtë, që historinë e misionares katolike e futi nëpër librat shkollorë ku u mësonte fëmive të vegjël që të mburren me heroinën më të madhe të kombit që kishte punuar në Indi. Ndërsa Presidenca e Republikës, shpiku edhe një dekoratë presidenciale të quajtur Urdhri Nënë Tereza,[1] ministria jonë e kulturës që nga viti 2005 organizon edhe maratonën ‘Nënë Tereza’ me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa ditën e lumturimit të saj nga Vatikani, qeveria socialiste e shpalli festë kombëtare. Flirti mediatik i politikanëve tanë me Nënë Terezën mori përmasa edhe më mitike në vitin 2006, kur ministri i kulturës së qeverisë Berisha, Bujar Leskaj e quajti atë edhe shpirti i kombit.[2]
Siç e kam përmendur edhe në vende të tjera, fushata ‘Nënëterezizuese’ në vendin tonë sot shihet kudo. Aeroporti ynë i vetëm ndërkombëtar quhet Nënë Tereza. Nënë Tereza quhet edhe spitali më i madh shtetëror që kemi në Tiranë. Nënë Tereza quhen edhe një seri rrugësh, sheshesh, shoqatash e organizimesh në vendin tonë. Nënë Tereza është bërë aq e rëndësishme në Shqipëri saqë kryeministri Berisha, përpara disa muajsh urdhëroi që në recetat mjekësore të shtypet gjithmonë fytyra e Nënë Terezës, pasi, siç tregojnë disa thashethemexhinjë, doktorit tonë kryeministër i është mbushur mendja që fytyra e saj shërben edhe si hajmali.
Dashuria e kombit tonë për Nënë Terezën u pa shumë qartë nga datat 5-15 shtator 2007, kur sheshet, rrugët, bulevardet dhe muzeumet e Tiranës u mbushën me postera gjigandë për të përkujtuar 10 vite pa Nënë Terezën dhe 10 ditë me Nënë Terezën. Fushata që ministri i kulturës, Ylli Pango, shpalli për Nënë Terezën, përkujtonte 10 vjetorin e vdekjes së Nënës sonë heroinë, me një melankoli aq prekëse saqë mendoj se preçedenti i saj në historinë moderne shqiptare mund të krahasohet vetëm me aktet funebre dhe zinë e mbajtur në Tiranë me vdekjen e Enver Hoxhës apo të Stalinit. Tamam si me Enver Hoxhën, kur pas vdekjes së tij komunistët ndërtuan një muzeum në kujtim të udhëheqësit kombëtar, edhe sot në muzeumin tonë kombëtar, ministria jonë e kulturës, turizmit dhe e sportit ka çelur një muzeum për Nënë Terezën.
Dashuria e kombit tonë për Nënë Terezën shihet kudo. Ne sot kemi në Shqipëri një numër të madh sheshesh, rrugësh, bulevardesh, muzeumesh, shoqatash, organizatash e botimesh që flasin për mrekullitë e Nënë Terezës. Biles unë kam dëgjuar që disa politikanë veriorë, kohëve të fundit kanë nisur që edhe kur të betohen seriozisht për diçka, të thonë ‘Për ideal të Nanës Terezë’.
Ama proçesi i nënëterezizimit të jetës në Shqipërinë pas-komuniste ka patur edhe hendikepet e tij. Një shembull është protesta e marsit 2006, kur një grup qytetarësh shkodranë dhe tre shoqata, refuzuan vendosjen e bustit të Nënë Terezës në hyrje të Shkodrës.[3] Ky refuzim që u prit dhunshëm nga establishmenti i Tiranës i cili akuzoi shkodranët si në kohët e vjetra, si armiq dhe reaksionarë, dhe pas tyre vendosi një numër të madh hafijesh, spiunësh dhe policësh, duket se po shkon në ngritje. Në prill 2007 një grup besimtarësh në Dibër, të cilët kishin mësuar që kryeministri Berisha kërkonte që në kartat e identitetit të vendosë figurën e Terezës, i shkruajtën dibrançe kryeministrit se nuk pranonin të mbanin Terezën nëpër xhepa. Në fushatën kundër Nënë Terezës u bashkua edhe Avokati i Popullit dhe Forumi Musliman i Shqipërisë, të cilët në shtator 2007 i kërkuan sqarime kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, Bujar Nishani për thellësinë e depërtimit të kultit të Nënë Terezës në jetën tonë publike.
Ngaqë shqiptarëve deri më sot, bëmat e Nënë Terezës në gjuhën shqipe i’u janë treguar vetëm nga burime kishtare, që prej vitit 2005 kam qënë i mendimit se botimi i librit ‘Nënë Tereza – Vendimi Final’ nga Aroup Chatterjee do të ishte një hap i mirë për të çmitizuar pakëz figurën e Nënë Terezës në shoqërinë tonë. Edhe pse nuk mund të jem dakort me shumë ide të Aroup-it, prapë mendoj që botimi i librit të tij në gjuhën shqipe është një hap i duhur dhe në kohën e duhur, për të globalizuar debatin mbi Nënë Terezën, i cili deri më tani ka mbetur monopol shtetëror dhe i Kishës Katolike.
Ngaqë në Shqipëri prekja e mitit të Nënë Terezës sot është tamam si të prekje mitin e Mehmet Shehut në vitet 70’, përkthyesit dhe redaktorët e këtij teksti, që i frikësohen ndonjë të papriture, më kanë lutur që emrat t’ua lë anonimë. Unë do ta respektoj vendimin e tyre, me shpresë që lexuesi shqiptar, pasi të lexoj librin të arrijë dhe të ndajë Nënë Terezën tonë mitike nga realja, që jetonte në Kalkuta, qytetin ku miku im, Aroup Chatterjee ka ndjekur me pasion e bezdi lojën e madhe që mediat dhe politika ndërkombëtare kanë luajtur viteve të fundit me të madhen tonë, Nënë Tereza.
Olsi Jazexhi
Në Firence, Vjeshta e III-të, 2007
HYRJE
Një herë Nënë Tereza më bëri të qaj. Ishte viti 1988. Unë isha në një nga vizitat apo pushimet e mia të shpeshta në Kalkuta të Indisë. Vija nga Britania e Madhe, ku isha shpërngulur që nga viti 1985. Ndërsa isha duke ngrënë mish të pjekur tradicional indian sodisja anën e rrugës në Gariahat Morr, vështroja ambientin ku isha rritur; rrugë plot me dyqane, njerëz të detyruar të përplaseshin me shitësit ambulantë të rrugëve, autobusë të anuar nga pesha e rëndë e pasagjerëve e duke nxjerrë tym të zi, tramvaje që prisnin ndërrimin manual të shinave dhe aty pranë ndodheshin neonet e zakonshëm që tregonin praninë e një astrologu.
I rrethuar nga të gjitha këto, unë kujtova “Kalkutën” e Perëndimit - Kalkutën si një metaforë, jo qytetin. Gjatë këtyre tre viteve në Perëndim, unë arrita të kuptoj që qyteti i Kalkutës ishte sinonimi i vuajtjes më të keqe njerëzore dhe degradimit në sytë e botës. Kam lexuar dhe dëgjuar përsëri që Kalkuta është një vend plot me “tuba kanalizimesh të ujërave të zeza” dhe me “rrugica të ndyra” ku shtrihen përtokë një numër i pafund të vdekurish, por jo për një kohë shumë gjatë, sepse “engjëjt” në formën e ndjekësve të disa murgeshave do të vijnë për t`i kërkuar ata. Më pas, do t`i rrëmbejnë me ambulancat e tyre të shpejta.
Gjatë këtyre njëzet e shtatë viteve të mia, këtu në Kalkuta, nuk e kam parë kurrë një skenë të tillë. Por ky stereotip i gabuar është rrënjosur në mënyrë të përhershme në psikikën e kësaj bote dhe kjo gjë më lëndon thellë. Papritur ndjeva një trishtim të madh që ky qytet, dhe në fakt një kulturë e tërë, po fyhet vazhdimisht në këtë mënyrë.
Kam lindur dhe jam rritur në Kalkuta. Edhe familja ime gjithashtu ka jetuar prej shumë kohësh këtu. E njoh shumë mirë këtë qytet. Unë nuk e kam “në gjak” Kalkutën, por ky vend më ka bërë njeriun që jam sot. Gjuha ime amtare është Bengali, gjuha e Kalkutës, por flas mirë edhe gjuhën indiane, e cila flitet nga një numër i madh të varfërish në Kalkuta.
Unë nuk kam qenë i interesuar për Nënë Terezën përpara se të vija në Angli. Kjo mund të duket e vështirë për t’u kuptuar në Perëndim, por në kohën e saj, ajo nuk ishte një qenie e rëndësishme në Kalkuta. Imazhi i saj u rrit ndjeshëm në mënyrë paradoksale, për shkak të nevojës indiane për t’u futur në garë me Perëndimin, në shumë çështje të parëndësishme.
Gjatë studimeve të mia në kolegj kam qenë gjithmonë i interesuar për të varfërit e Kalkutës, ku dhe jam përfshirë në politikën majtiste për një farë kohe. Kam qenë i interesuar shumë edhe për çështjet e të drejtave të njeriut. Ama gjatë aktiviteteve të mia me të varfërit e Kalkutës, nuk kam pasur asnjë përballje me organizatën e Nënë Terezës.
Pasi jetova për një farë kohë në Perëndim, dalëngadalë kuptova se çfarë do të thonë për botën fjalët “Nënë Tereza” dhe “Kalkuta”. Kjo gjë më tronditi dhe më dëshpëroi. Në Indi, të thuash që vjen nga Kalkuta, konsiderohet si mburrje sepse banorët e Kalkutës gabimisht janë konsideruar “njerëz me tru dhe të rrezikshëm”. Është e përhapur shumë shprehja se “atë që Bengali (shteti ku Kalkuta bën pjesë) e mendon sot, India e mendon nesër.” Në Indi, Kalkuta është perceptuar si vend i një kulture të shteruar dhe i politikave anarkiste. Një shprehje indiane thotë: “Nëse ju keni një banor të Kalkutës, ju keni një poet. Nëse keni dy të tillë, ju keni një parti politike ndërsa me tre, ju keni dy parti politike.”
Stereotipi i Kalkutës në Perëndim nuk më ka mërzitur në atë masë sa më mërzit mendimi i përhapur, se Nënë Tereza zgjodhi të jetojë atje sepse ishte një shpëtimtare. Jam habitur që ajo është bërë një figurë ligjëratash dhe emri i saj thirrej për të cilësuar superlativën ekstreme të qenies pozitive. Ju mund ta kritikoni Zotin, por jo Nënë Terezën. Ta kritikoje atë, quhej gjëja më e paimagjinueshme. Nuk numërohen shprehjet e dëgjuara për të, të cilat do të shkaktonin habi dhe kuriozitet në Kalkuta, bile edhe tek admiruesit më të thekur të saj. Unë nuk mund ta them lehtë se përse vendosa të “bëj diçka për Nënë Terezën”. Si njeri i drejtë, e kam të vështirë t’i kuptoj gënjeshtrat dhe mashtrimet. Është një çështje e ndërlikuar se përse disa njerëz të cilët nuk janë mbështetës të drejtësisë, vendosin të bëjnë një bllokadë kundër padrejtësisë dhe së pavërtetës. Gjithashtu gruaja ime, e rritur dhe e edukuar në Irlandë (një katolike romane), e mashtruar nga mitologjia e Nënë Terezës, u zemërua kur shkoi në Kalkuta duke u përballur me realitetin dhe u larguar nga trillimet rreth Nënë Terezës. Kjo gjë është bërë shkas, dhe më ka dhënë kurajë në të përpjekjet e mia për të shkruar këtë libër.
Për herë të parë me çështjen Nënë Tereza unë u morr në shkurt të vitit 1994, kur i telefonova Vanya Del Borgo-s në kompaninë e prodhimeve televizive “Bandung Productions” në Londër. Ajo i dëgjoi ankimet e mia dhe për t`i rënë shkurt rrëfimeve të mia, vendosi që “Kanali 4” të prodhonte dokumentarin “Hell`s Angel” apo “Engjëlli i Ferrit”, e cila ishte edhe përpjekja e parë për të sfiduar mitin e Nënë Terezës në televizion. Znj. Del Borgo zgjodhi Christofer Hitchenksin si prezantues, pasi e njihte atë që nga ditët që kishin kaluar bashkë në “The Nation” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk jam i kënaqur me dokumentarin “Hell`s Angel” (engjëlli i ferrit) sidomos mënyrën e tij sensacionale, apo të quajturit nga Hitchenks të Nënë Terezës, një virgjëreshë e supozuar. Sidoqoftë filmi shkaktoi zhurmë jo vetëm në Britani, por edhe në nivel ndërkombëtar.
Dikush mund të debatojë në favor të saj. Nënë Tereza ka vdekur dhe në këtë rast nuk ka mundësi të mbroj veten ndaj akuzave të mia. Sidoqoftë, kritikat arritën kulmin gjatë jetës së saj; përveç dokumentarit të nëntorit të vitit 1994, i cili prodhoi një sulm të furishëm (dhe krejt të detajuar) mbi kushtet në jetimoret e saj në Indi, të cilat u publikuan në gazetën “The Guardian” të Londrës (14.10.1996), u bënë akuza edhe të një neglizhimi të madh dhe të abuzimeve fizike dhe emocionale nga ana e saj. Artikulli deklaronte pjesëmarrjen e vetë asaj dhe të qenit në dijeni të praktikave të papranueshme që vazhdonin (dhe ende vazhdojnë) në shtëpitë e saj. Gjatë janarit të vitit 1997, një dokumentar i quajtur “Nënë Tereza: Koha për ndryshim”, i cili ishte një kritikë ndaj metodave të saj të punës dhe e akuzonte për neglizhencë, u shfaq në kanale të ndryshme televizive evropiane.
Nënë Tereza e kishte mundësinë për të mbrojtur veten kundër kritikave të tilla gjatë jetës së saj. Ajo nuk e bëri këtë gjë. Mbështetësit e saj (dhe të tjerë) do të thoshin sigurisht që ajo ishte si Jezusi; se ajo nuk do e ulte veten duke protestuar kundër akuzave të tilla; ajo thjesht do të kthente faqen tjetër. Por duke dashur që të rrisë imazhin e saj, ajo reklamohej sa herë që i jepej rasti. Pak para se të vdiste, ajo u përfshi në një grindje ligjore me një furrë pjekje në Tennese për marketingun e një kulaçi; dhe u përla akoma edhe më seriozisht, me mikun e saj të ngushtë dhe të kahershëm autorin Dominique Lapierre, në lidhje me përmbajtjen e një filmi mbi jetën e saj.
Në të dy rastet, avokati i saj nga Majami ndërhyri. Më pas, kemi letrën e famshme të protestës që ajo i shkroi gjykatësit Lance Ito, duke protestuar ndaj persekutimit (ajo e perceptoi atë si një persekutim) të mikut të saj Charles Keating, mashtruesit më të madh në historinë amerikane.
Pas vdekjes së saj, urdhri që ajo drejtonte vazhdoi me një traditë gjyqësore; në më pak se një vit mbas vdekjes së saj, dhe një organizatë me bazë në Kalkuta, u përfshi në një rast gjyqësor me komitetin memorial të Nënë Terezës.
Revista gjermane “Stern” (10.09.1998), publikoi një kritikë shkatërruese ndaj punës së Nënë Terezës, në përvjetorin e parë të jetës së saj. Artikulli i quajtur “Nënë Tereza, ku janë milionat e tua?”, kërkimet e të cilit zgjatën një vit në tre kontinente, vuri në dukje se organizata e saj është në thelb, një urdhër fetar që nuk meriton të quhet një fondacion bamirës. Asnjë protestë nuk pati në vijim nga urdhri i saj.
Ndaj akuzave për neglizhim të banorëve, indiferencë ndaj të vuajturve, sulme apo kortezi ndaj figurave të njohura, manipulim të mediave dhe pranimin me vetëdije të miliona dollarëve të vjedhur, Nënë Tereza kurrë nuk protestoi. Përgjigjet e saj ndaj pyetjes “Pse e bën këtë?” ishte “kjo ishte e gjitha një publicitet”. Por ajo është tronditur aq shumë nga kritikat dhe akuzat që u lëshuan kundër saj, sa që mbas dokumentarit të vitit 1994, ajo anuloi një mision fetar në Lindjen e Largët.
Gjatë jetës së saj, unë i kam shkruar Nënë Terezës shumë herë duke i kërkuar një intervistë formale me të ose me një nga përfaqësuesit e saj më të lartë. Unë pata rënë dakord që ta takoja atë në Kalkuta apo në Vatikan, duke pasur parasysh udhëtimet e saj të shpeshta atje ose në ndonjë vend tjetër të botës. Pavarësisht imazhit të saj, të ngritur me kujdes nga vetë ajo, të dikujt që largonte mediat dhe publicitetin, ajo gjithmonë përkulej në prapaskenë që të jepte intervista për mediat e preferuara të botës (me fjalë te tjera, për të gjitha mediat e botës). Në vitin 1994, ajo harxhoi një ditë të tërë duke folur për revistën ‘Hello!”; e njëjta revistë bëri një intervistë të gjatë me pasuesen e saj në vitin 1998. Sidoqoftë, ajo nuk pranoi kurrë asnjë nga kërkesat e mia për një intervistë. Unë e kam takuar atë shkurtimisht dhe me raste, në shoqërinë e një dhome plot e përplot me admirues të saj, por nuk ndjehesha se ishte vendi dhe koha e duhur për të bërë pyetje të sikletshme për të.
Pas dy vitesh përpjekje, kur unë dështova të nxirrja ndonjë përgjigje nga ajo ose nga urdhri i saj, kontaktova me biografët zyrtarë të saj, duke i pyetur nëse ata mund t`i jepnin përgjigje pikëpyetjeve serioze që shfaqeshin mbi veprimtarinë e saj. Të gjithë u përgjigjën përveç njërit, duke pasur për qëllim të më frenonin mua. Të gjitha këto ndodhën ndërkohë që Nënë Tereza ishte gjallë.
Shumë njerëz më thoshin se Nënë Tereza duhet lënë rehat sepse ajo ka bërë “diçka” për të pa privilegjuarit. Unë nuk e mohoj që ajo e ka bërë këtë gjë. Sidoqoftë, reputacioni i saj, i cili u ndërtua deri në një masë goxha të mirë nga ajo vetë, nuk ishte në shkallën e “diçkaje”. Ajo që është më e rëndësishmja, është se ajo “diçka”-ja, të paktën në Kalkuta ishte shumë pak, gjë që do ta tregojë libri im në vijim. Akoma më e rëndësishme është se ajo ka kthyer mbrapsht shumë më tepër se çka ka ndihmuar edhe pse gjatë gjithë jetës së saj ka pretenduar se po bënte gjithçka për gjithkënd.
Shkrimi kundër saj, nuk ka të bëjë me atë që ajo nuk u mor për të shëruar rrënjët apo shkaqet e vuajtjeve dhe unë nuk sugjeroj për asnjë moment se ajo duhet ta kishte bërë këtë, sepse e kuptoj traditën fetare të veçantë nga e cila ajo vjen, por po them që ka një hendek të madh ndërmjet imazhit dhe punës së saj, ndërmjet fjalëve që ka thënë dhe punëve të saj; që ajo e ndihmuar nga të tjerë u përzje në një kulturë mashtrimi.
Në një nivel sipërfaqësor, unë dua t`ju tregoj të vërtetën rreth Terezës sepse unë ndjehem i poshtëruar, duke qenë i lidhur me një vend, i cili është portretizuar gabimisht sikur jeton dhe ekziston falë bamirësisë perëndimore dhe Nënë Terezës. Mbase, shkaku kryesor përse unë dua t`ju tregoj këtë histori është sepse, unë besoj, se secili nga ne ka një detyrë për të qëndruar dhe për të protestuar kur historia është në rrezik për t’u shtrembëruar. Në pak vite, Nënë Tereza do të ngrihet lart e më lart, duke vezulluar në të njëjtën galaksi me Moxartin dhe Leonardon.
Unë dua të falënderoj disa shtëpi botuese shumë të fuqishme, të cilat krijuan pengesë pas pengese për botimin e këtij libri. Në të vërtetë, dega britanike e një shtëpie botuese multinacionale, nënshkroi kontratën dhe e anuloi atë mbas nëntë muajsh, duke më dërguar mua vetëm një gjysmë letër faks. Por vendosmëria ime për ta botuar këtë libër më bëri më të fortë përballë pengesave që më krijoheshin.
Unë e di që nuk mund ta ndryshoj “historinë” e parapërgatitur nga mediat e fuqishme botërore, por kjo nuk më dekurajon që të bëj një përpjekje për të shënuar diçka në të.
Unë nuk do isha dakord, që libri im të quhej kontradiktor sepse atë unë e shoh si një libër faktesh të forta edhe pse ndonjëherë turbulluese.
Kalkuta kohët e fundit është riquajt Kolkata nga drejtuesit e saj dhe nga një pjesë e qytetarëve. Emri i ri, i cili politikisht është korrekt dhe është më afër shqiptimit vendas, është përhapur dhe kuptuar më shpejt seç duhet. Në këtë libër, unë e kam përdorur ekskluzivisht emrin Kalkuta, pjesërisht sepse për mua ka më shumë kuptim historik dhe nga ana tjetër, sepse për të treguar historinë e Nënë Terezës, Kalkuta më duket më e përshtatshme.
Aroup Chatterjee
Londër dhe Kalkuta
PARATHËNIE
Nga Joe Winter
Kohët e fundit, Kalkuta e ka riemëruar veten e saj në Kolkata, në të njëjtën linjë me shqiptimin bengalez duke ndjekur shembullin e dy metropoleve të tjera indiane. Kolonializmi, edhe pse shumë vetë thonë që është hequr qafe, ndihet akoma pas vdekjes së tij, dhe edhe pse shumë thonë që është “tkurrur”, shenjat e tij duken kudo. Beteja për një pavarësi të brendshme për Indinë është një biznes më vete. Prekja e të shkuarës është akoma një peshë e vdekur dhe ka filluar të marrë një formë të shëmtuar nëpërmjet formës së një nacionalizmi të ri. Pranimi në heshtje i Kalkutës si një lojtar pasiv në bamirësi, dhe pjesa që Kalkuta vazhdon të zërë me fenomenin e Nënë Terezës, duket sikur përbën një tallje me simbolin e vetpërcaktimit në ndërrimin e emrit të qytetit. Është tepër e qartë për një banor të Kalkutës pse qyteti është tronditur nga afrimi i shenjtërimit të tij. Vetë viktimizimi i Kalkutës në këtë histori vlen për t`u shenjtërizuar. Shenjtërimi është një formë e miratimit perëndimor që i dredhon shenjtërisht psikozës indiane. Por miratimi i heshtur aziatik nuk është i mjaftueshëm për të shpjeguar fenominenin. Në këtë perspektivë, analiza ndriçuese e Dr.Chaterjee-së del në pah si një shpjegues ndriçues. Këtu gjenden faktet konkrete mbrapa këtij fenomeni. Çfarë arritjesh pati Nënë Tereza në të vërtetë?
Është e qartë që shumë më pak se çfarë thoshte. A i bën ndonjë dëm përkujtimit të saj faktet që sillen në këtë libër mbi jetën e kësaj zonje të vogël plakë e të pathyeshme me devotshmëri? Bengali ka shenjtorët e tij; Ramakrishnan, Vivekandan, Rabindranathan. Pse mos të bëjmë edhe një grua shenjtore gjithashtu, në kryeqytetin ku admirohet nëna, shtëpia e madhe shpirtërore e perëndeshës Durga? Pse jo në të vërtetë? Por në tregun e vlerave, që do të vendosen para syve të gjeneratave të ardhshme, dashuria për dëlirësi, që ngarkon kaq shumë mendjen e zakonshme, le të mos verbojë shikimin e saj ngulmues tek përzierja e metalit bazë. Kishte diçka të këndshme tek Nënë Tereza – dhe gjithashtu kishte diçka jo të këndshme tek ajo.
Princesha Dajana vdiq disa ditë përpara saj. Mesa duket bota ka nevojë për gjëra të paqena. Më pas erdhi vdekja e Nënës dhe një mit u vulos. Ne kemi nevojë për mitet tona gjithashtu, dhe jo vetëm në literaturë. Por aty ku ka fakte për t’u parashtruar, ato duhet të bëhen të ditura. Ekziston një sindromë në mendimin perëndimor për botën më pak të zhvilluar ekonomikisht. E para, nëse mund ta quaj, është sindroma e sinqeritetit. Ajo bazohet tek mosvështrimi i afërt i gjithëfarë miteve dhe trillimeve, që përhapen nga njerëzit që kanë interesa ti prodhojnë ato.
Sa “koshiencë në para” është paguar në vitet e fundit, nga të pasurit, me sinqeritetin e tyre të verbër, tek ajo që njihet sot si bota e tretë! Për këtë kategori të verbuarish ekziston ende një alternativë dhe ajo nuk është për të kthyer dikë mbrapa. Në radhë te parë ne duhet të hapim sytë tanë. Ky libër tregon një histori mbrapa versionit popullor të jetës së Nënë Terezës – i cili ka një sërë faktesh – nga e cila ne mund të mësojmë të gjithë.
(Joe Winter është një poet anglez, që jeton në Kalkuta)
“Ajo vraponte nëpër vende ku ne nuk do të shkonim kurrë.”
Më 11 tetor të vitit 1995, prostitutat që kishin dalë në një lagje të Kalkutës po i kërkonin para kalimtarëve, por jo për favoret e zakonshme por për diçka tjetër. Për disa arsye, ato kishin vendosur të vishnin bluza të bardha, të cilat vishen nga doktorët, duke pasur një ndikim të çuditshëm dhe jo real në mes të rrugëve të Kalkutës, mbushur plot me njerëz të sëmurë me turbekuloz. Secila nga ato kishte një kuti në dorë, e cila bënte zhurmë pa pushim ndërsa zonjat marshonin përgjatë rrugës së tejmbushur në veri të Kalkutës.
Prostitutat po mblidhnin lekë për viktimat e përmbytjeve. Në shtator, përmbytjet kishin shkatërruar zona të tëra të Bengalit Perëndimor, shteti indian që ka për kryeqytet Kalkutën. Ajo çfarë i bëri veçanërisht problematike këto përmbytje ishte koha në të cilën ato po ndodhnin – përpara festivalit më të madh të 70 milion indianëve nga Bengali, magjepësit Durga Pujo. Megjithëse sipas shifrave indiane, numri i viktimave ishte i vogël, 200 të vdekur (shumë nga ata ishin pickuar nga gjarpërinjtë siç ndodh shpesh gjatë përmbytjeve kur gjarpërinjtë dhe njerëzit qëndrojnë në të njëjtin nivel), më shumë se tre milion njerëz kishin mbetur të pastrehë në fshatrat përreth Kalkutës. Nëse flasim me shifra, dëmi vlerësohej rreth 1050 milion Rs.
Historitë e humbjeve dhe vuajtjeve bënë që miliona njerëz të ngriheshin në këmbë, duke përfshirë edhe prostitutat. Një nga ato, Uma Mandal, i tha një gazetari: “Si mund ta quajmë veten njerëz nëse nuk ndihmojmë të vuajturit kur ata kanë nevojë? Ata të cilët kanë humbur çdo gjë në këto përmbytje mund të jenë anëtarë të familjeve tona.” Sankari Pal, i cili ishte analfabet, por kishte ardhur të mësojë rreth shkatërrimit tha: “Megjithëse unë nuk njoh personalisht askënd nga këta njerëz të prekur nga përmbytjet, ne besojmë se jemi një pjesë e madhe e komunitetit ku jetojmë, kështu që, është e natyrshme për ne t`i ndihmojmë ata”.[4]
Fushata e prostitutave për mbledhjen e fondeve ishte organizuar bashkërisht nga Instituti i Shëndeti dhe Higjenës, Komiteti Koordinues i grave dhe një klub lagjeje të zonës Nr .48 Milan Sangha. Kjo ishte një nga qindra fushatat për ndihmë, organizuar nga qytetarët e Kalkutës, për përmbytjet, të cilat filluan në shtator dhe zgjatën rreth gjashtë muaj. Shkollat, kolegjet, zyrat, bizneset, restorantet dhe individët, të gjithë morën pjesë. E vetmja organizatë që nuk u duk ishte organizata e misionareve të bamirësisë që drejtohej nga Nënë Tereza, personi që është bërë i famshëm nga Kalkuta në sytë e botës. Mungesa e Nënë Terezës në operacionet për ndihmë nuk ishte e dukshme në Kalkuta. Mund t`i duket e çuditshme dikujt që nuk është banor i Kalkutës, por urdhëri i saj nuk njihet të ndihmojë në këto situata. Në Kalkuta, ajo njihej për aktivitete të strukturuara, për të cilat ajo në përgjithësi pëlqehej dhe urdhri i saj shihej me sy të mirë.
Kur përmbytjet po bënin kërdinë në rrethinat e Kalkutës, Nënë Tereza ishte në Shtetet e Bashkuara, sikurse çdo stinë vere dhe gjatë sezonit të musonit. Në 15 qershor të vitit 1995, ajo po vizitonte njësinë lindore në qendrën mjekësore St. Elizabeth në Bringhton, Massachussets. Prindërit që ishin mbledhur aty nuk mund t’i besonin vetes për fatin e fëmijëve të tyre (shumë nga ata me lindje të parakohshme) të cilët morrin bekimet e Nënës dhe një medalje alumini. Ajo i deklaroi medias se: “Unë kam 200 fëmijë të vegjël në spitalin tim në Kalkuta”. Ky është një vend i bukur.[5] Megjithatë ajo nuk kishte ndonjë spital në Kalkuta, as edhe në ndonjë vend tjetër të botës. Dennis Mchugh, babai i Hayleyit, lindur parakohe (rreth 25 javë) deklaronte i eksituar: “Nënë Tereza na dha bekimin e saj dhe na tha se ajo do ta ketë Hayleyin në lutjet e saj.”
Por përmbytjet u kthyen përsëri në shtator dhe shkaktuan edhe nja dyqind mijë të pastrehë të tjerë në rrethinat e Kalkutës. Megjithatë Nënë Tereza ishte akoma jashtë vendit. Ajo u kthye në Kalkuta për një periudhë të shkurtër, por detyra e thirri përsëri të kthehej në Shtetet e Bashkuara shumë shpejt. Gjatë përmbytjeve të dhjetorit, kur Bengali Perëndimor ishte akoma nën pasojat e këtij fenomeni, Nënë Tereza kreu një vizitë shumë të suksesshme në Peoria, Illinois dhe kur arriti në Katedralen Shën Marisë, vuri në lëvizje turmat e njerëzve me devotshmëri dhe gëzim. Atje ajo përmendi fjalët e zakonshme, të cilat ajo i ka thënë me qindra herë:
Unë isha e uritur dhe ju më dhatë të ha
Unë isha e etur dhe ju më dhatë të pi
Unë isha e zhveshur dhe ju më veshët
Unë isha pa shtëpi dhe ju më strehuat
Unë isha e sëmurë dhe ju më vizituat
Kjo është pikërisht ajo gjë që misionaret bëjnë 24 orë.
Ndalesa e Nënë Terezës në Peoria, u bë për të mbikëqyrur ripërtëritjen e angazhimeve të shtatë murgeshave të saj. Ajo kishte një lidhje të gjatë me Dioqezën e Peorias dhe ka qenë “pranuar” nga Këshilli Dioqezian i Grave Katolike të Peorias në vitin 1958, i cili kishte dhuruar 300.000 USD për aktivitetet e saj me vite të tëra. Mbas fjalimit, ajo bëri një njoftim se do t`i dhuronte një nga medaljet e saj çdo njërit prej 750 pjesëmarrësve në Katedrale. Të gjithë po lotonin dhe shumicës i ra të fikët kur merrnin medaljet. Një nga ata tha më vonë:
“Përshtypja ime personale: shumë e vjetër, shumë e vogël, shumë e përulur. Ka diçka tek ajo grua, që i bën burrat të përgjunjen. Ajo ka fituar popullaritet jo duke manipuluar median me zërin e saj, por duke i shërbyer më të varfërve në vende ku ne nuk do të shkonim kurrë. Ajo është me të vërtetë një shenjtore e gjallë!.... Një frymë shenjtërie mbuloi katedralen.[6]
Menjëherë, pas ceremonisë së dhënies së medaljeve, Nënë Tereza u largua me avion privat ashtu siç kishte ardhur, siç duket për të vizituar “vendet ku ne nuk do të shkonim kurrë.”
Përmbytjet shkatërruese goditën Bengalin Perëndimor edhe një herë tjetër vitin që vijoi në gusht të 1996, këtë herë duke shkatërruar veçanërisht lagjet veriore. Shumë periferi të Kalkutës ishin përmbytur gjithashtu, duke u sjellë shumë vështirësi të varfërve. Por, misionaret e Nënë Terezës ishin sërisht tërësisht pasive. Përsëri, punën e bamirësisë për viktimat e bënë organizatat e tjera, kryesisht misioni Ramakrishna dhe Bharat Sevashram Sangha. Një thirrje publike,[7] u bë nga Sëami Nityananda e misionit Ramakrishna, duke kërkuar për fëmijët jetimë të mbetur prej përmbytjeve, të akomodoheshin në jetimoren e qendrës në Barrackpur (një periferi e Kalkutës).
Edhe pse ajo kurrë nuk lëvizi as edhe një gisht gjatë përmbytjeve të vitit 1995 ose 1996, në një intervistë të fundit të saj me Lucinda Vardeyn, Nënë Tereza përmendte punën e saj të palodhshme gjatë përmbytjeve në Kalkuta. Megjithatë është karakteristike sesi ajo nuk dha ndonjë detaj për kohën dhe vendin: “Për shembull, kur një sipërfaqe e madhe afër Kalkutës u përmbyt dhe u zhduk, 1200 familje u lanë të mjeruara pa asgjë. Motrat nga Shishu Bhavan dhe gjithashtu vëllezërit punuan gjithë natën duke ju sjellë pajisje dhe duke ju ofruar strehë.[8] Kjo mundet të ketë qenë e vërtetë në këtë rast, por ajo nuk është puna e zakonshme e misionareve të bamirësisë. Bota gjithsesi do të supozonte, duke lexuar intervistën e saj, se Nënë Tereza ishte në pararojë duke ofruar ndihma gjatë shkatërrimeve natyrore në rrethinat e Kalkutës.
Gjatë pesëdhjetë viteve të çuditshme që Nënë Tereza bënte bamirësi në Kalkuta, pati një duzinë përmbytjesh të mëdha në këtë qytet duke shkaktuar qindra e mijëra të vdekur. Vetë qyteti u përmbyt disa herë, duke paralizuar jetën qytetare dhe ndikuar keq tek të varfërit e qytetit; por vetëm në një nga ato përmbytje, Nënë Tereza u pa të ofrojë ndihmë. Unë nuk ja ul vlerën asaj ndihme, edhe pse ishte modeste. Gjithsesi është bërë tashmë modë e mitologjisë Tereziane, që ai rast të kthehet në mit të punës së saj – por në anën tjetër mosveprimi i saj gjatë përmbytjeve të tjera, nuk përmendet askund.
Në 13 korrik të vitit 1995, Shahida, mamaja 16 vjeçare e një fëmije një vjeçar u dogj shumë keq. Shahida jetonte në lagjen e varfër të Dnaraparas, e cila gjendet shumë pranë qendrës Prem Daan të Nënë Terezës në Kalkuta. Ajo pati shumë vështirësi që të arrinte të pranohej në një spital shtetëror, por në më pak se tre javë ajo u flak jashtë përpara se plagët të fillonin t`i shëroheshin. Shahida nuk kishte mjetet financiare që të merrte përkujdesje shëndetësore private. Në Indi, as klasat e mesme nuk mund të përballojnë mjekësinë private. Kështu që ajo piketoi Korporatën Kalkuta për të protestuar. Ajo u vendos në një çadër përpara ndërtesës viktoriane me tulla të kuqe të Korporatës Kalkuta. Aty qëndroi shtrirë për disa javë, ndërkohë që infeksioni i përhapej ngadalë në djegiet e saj. Ndërkohë që i shoqi shkonte në ndeshje futbolli dhe i ati ishte i zënë duke shitur fruta, e ëma ulej me të, qante në heshtje duke përkundur fëmijën e vajzës së saj.
Shahida nuk arriti dot të prekte zemrat e zyrtarëve të Korporatës Kalkuta. Së fundi, një punonjësi të korporatës, Sonnasi Das, i erdhi keq dhe kontaktoi me Dr. Amitabha Das nga shoqata bamirëse HEAL. Dr. Das tha: “Edhe pse imuniteti i njerëzve që flenë nëpër trotuarë është i lartë, bakteriet dhe infeksionet e tjera mund të shfaqen në çdo kohë dhe ajo mund të vdesë. Ajo ka nevojë për transplant lëkure, përndryshe do t`i zhvillohet një kontrakturë, që do të thotë se pulpat e saj do t’i futen ndër kofshë.” Qetësuesit që Dr. Das i dha Shahidës, që qëndronte e shtrirë në dysheme, nuk e ndihmuan: “Dhimbja është kaq e madhe saqë dhe kur mundohem të ngrihem pak, gjaku më rrjedh nëpër këmbë.”
Gjatë prezantimeve të ndryshme për asistencë, Shahida i kërkoi ndihmë edhe Nënë Terezës, kështu që ajo mund të siguronte përkujdesje mjekësore (në kundërshtim me mitologjinë ndërkombëtare, Nënë Tereza nuk ka spital në Kalkuta). Shahida i kërkoi ndihmë misionareve të bamirësisë, jo pse ata janë streha natyrale e thirrjes për kalkutasit e varfër, por sepse ato ishin një nga shumë që organizata që ajo ju drejtua për ndihmë, dhe gjithashtu sepse ajo ishte një komshie e tyre në lagjen e varfër, pranë Prem Daan-it. Thirrja e Shahidës iu çua drejtpërdrejtë Nënës Terezë, e cila me shumë konsideratë i kërkoi murgeshave të saj “ta shikonin çështjen.” Por Shahida u refuzua menjëherë nga misionaret e bamirësisë pasi ajo ishte “jo shumë e varfër”, p.sh., ajo ishte “një rast familjar”, një kusht i aplikuar rregullisht gjatë vizitave të vobektëve nga misionaret e bamirësisë në Indi. Organizata është vigjilente që “rastet familjare” të mos i pranojë.
Më në fund, fati i shkëlqeu Shahidës. Në 30 gusht ajo u pranua të kurohet falas nga Spitali Islamia. Gjithashtu edhe klubi Rotary kontribuoi financiarisht në mënyrë modeste për trajtimin e saj. Ajo mori përkujdesjen e duhur dhe u shtrua në një dhomë private. Ajo u përmirësua dhe brenda disa ditësh e hoqi mërzitjen tamam si çdo vajzë tjetër 16 vjeçare. Ndërkohë, që ajo ishte bërë kronikë e lajmeve nëpër qytet, shërimi i saj bëri të gjithë vendin që të marri frymë lirshëm.
Por në 21 tetor 1995 Shahida vdiq, duke lënë pas një fëmijë. Vdekja e saj u pasqyrua në lajmet e Kalkutës ku banorët e trotuareve dhe lagjeve të varfëra shpesh trajtohen si të panevojshëm. Gjithëkush fajësonte qeverinë dhe korporatën për zemër ngurtësinë e tyre dhe mungesën e komoditeteve. Por askush nuk akuzoi Nënë Terezën meqenëse ajo nuk njihet në Kalkuta si ndonjë shpëtimtare. Megjithatë, bota e sheh këtë grua si të tillë sot, falë përçapjeve të mëdha që Nënë Tereza ka bërë në dekadat e fundit që bota ta shohë si shpëtimtare.
Tregimi i pafat i Shahidës nuk mbaron me vdekjen e saj sepse ajo la pas vajzën e saj Marjina. Në muajin maj të vitit në vazhdim, u vu re se Marjina, tani 16 muajshe, ishte me turbekuloz. Përsëri organizata bamirëse HEAL dha asistencën e saj modeste, por për sëmundjen e saj ilaçet duheshin blerë. Gjysha e saj Xhubeida, nga dita në ditë po bëhej më e pashpresë. Babai i Marjinës, Ziaruli, ishte një shitës i përkohshëm rrugësh. Tek ai njeri nuk mund të kishe besim sepse ai gjendej shpesh i arrestuar nëpër burgje. Xhubeida ishte e shqetësuar për të ardhmen e fëmijës dhe nuk kishte dëshirë të merrte përgjegjësinë e një vajze të vogël tjetër, e cila do të duhej të martohej në kohën e saj. Ajo vendosi ta adoptojë atë si mundësinë më të mirë. Ziaruli gjithashtu e pranoi këtë gjë duke mos pasur zgjidhje tjetër. Unë nuk jam në dijeni nëse Xhubeida i kërkoi ndihmë përsëri misionareve të bamirësisë, por e di se kjo organizatë nuk dha asnjë lloj ndihme.[9]
Për gjatë gjithë kësaj kohe Nënë Tereza ka qënë shumë e zënë për të ndihmuar këtë rast në Kalkuta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiteshin për zgjedhjet presidenciale dhe në maj të vitit 1996 ajo u gjend përsëri në Washington D.C. Në 1 qershor 1996, ajo takoi kandidatin republikan Bob Dole (kandidati konsesual i katolikëve të Shteteve të Bashkuara) për ta nxitur atë të fitonte zgjedhjet në një platformë ekstreme kundër abortit. Detajet e fshehta të këtij takimi privat (pa dyshim politik) nuk u bënë kurrë publike, por z. Dole e gjeti shenjtoren e tij të gjallë “të frymëzuar”, “me një sens të mirë humori” dhe jo “një kartë të keqe biznesi”. Nënë Tereza i dha z. Dole, gruas së tij Elizabetës dhe vajzës së tij Robin “medaljet e mrekullueshme” dhe gjithashtu një kartolinë ku shkruhej:
Fryti i heshtjes është lutja
Fryti i lutjes është besimi
Fryti i besimit është dashuria
Fryti i dashurisë është shërbimi
Fryti i shërbimit është paqja
Nënë Tereza ishte një grua me pasion, dhe për të aborti ishte një shqetësim. Kjo grua e dobët, dëshironte të udhëtonte shpesh në të gjithë botën për të parandaluar rastet individuale të abortit. Unë nuk di, nëse besimi mund të tundë male, por ai në mënyrë të qartë e tundi këtë shenjtore të gjallë. Për sa kohë që fenomenet shkatërruese do të jenë një shqetësim në Indi, shenjtorja, në mënyrë të habitshme, nuk rezulton e zellshme për të reaguar në situata të tilla. Kur unë i hedh një sy shifrave të atyre që ndihmuan gjatë katastrofave lokale dhe kombëtare në Indi dhe Kalkuta, kam gjetur në të vërtetë një ndihmë shumë të pakët të saj.
Në dhjetor të vitit 1984, në Bhopal vdiqën 3500 vetë nga thithja e gazit toksik, lëshuar nga gjiganti multinacional Union Carbide, në aksidentin më të keq industrial që bota kishte parë ndonjëherë. Aktualisht, numri i njerëzve të prekur nuk mund të numërohet, duke qenë se efektet janë shumë vjeçare dhe ka mundësi që gjeneratat e ardhshme do të vazhdojnë të vuajnë nga kjo gjë.
Nënë Tereza, reputacioni post-Nobel i të cilës ishte në të vërtetë shumë i lartë në Indi, punoi në Bhopal si një funksionare e lartë ndërkombëtare. Kontributi i saj në Bhopal është bërë legjendë. Ajo vështroi kasaphanën, përshëndeti në mënyrë të zymtë tre herë dhe tha: “Unë them, fal.” Në audiencë mbretëronte një qetësi e habitshme. Ajo pranoi mosbesimin, përshëndeti edhe një herë dhe përsëriti, “Unë them, fal.” Më pas ajo u largua me shpejtësi, sikur të ishte anëtare e ndonjë familje mbretërore. Komentet e saj do të kishin qenë në një farë mënyre të justifikuara nëse ajo do të kishte dërguar ndonjë nga misionaret e bamirësisë për të ndihmuar në njëfarë mënyre. Mirëpo, të vish pa lajmëruar dhe të bësh një koment të pandjeshëm si ai, nuk ishte asgjë tjetër përveç se një fyerje. Megjithatë në botën e pafundme, imazhi i saj u rrit shumë meqenëse ajo portretizohej tashmë si Jezu Krishti, i cili do të kthente faqen tjetër, sado që në këtë rast faqja nuk ishte e saj. Por njerëzit në Bhopal nuk u zbaviten më deklaratën e Terezës, dhe shkaku i vetëm që e lanë të largohet pa e poshtëruar ishte justifikimi se ajo qe një grua e moshuar.
Por në anën tjetër makina propaganduese e Nënë Terezës udhëtimin e saj në Bhopal e trajtonte në këtë mënyrë:
Ndërsa gjendej e pranishme në agoninë e Kalkutës dhe të qyteteve të tjera të mëdha të Indisë, Nënë Tereza ishte prezente në dhimbjen e madhe të Bhopalit, një qytet 400 milje në të majtë të Delhit, kur një re tymi mbuloi një lagje të varfër të mbushur plot me njerëz natën e 3 dhjetorit të vitit 1984. Misionaret e bamirësisë, të cilat punonin prej kohësh në Bhopal, u shpëtuan nga gazi vdekjeprurës i cili ishte përhapur nga era në një drejtim tjetër... Por edhe në kohën kur të vdekurit digjeshin apo varroseshin, Nënë Tereza qëndronte në Bhopal me skuadrat e misionareve të bamirësisë për të punuar me Motrat, që gjendeshin në terren. “Ne kemi ardhur t`i duam dhe të përkujdesemi për ata që kanë shumë nevojë në këtë tragjedi të tmerrshme” tha Nënë Tereza, ndërsa vizitonte nga një qendër në tjetrën, nga një spital në një tjetër, duke vizituar njerëzit e helmuar.[10]
Kjo është një lojë fjalësh sepse shprehja “Nënë Tereza ishte prezent në dhimbjen e madhe të Bhopalit” do të thotë në mënyrë letrare që: “skuadrat e misionareve të bamirësisë” ka për kuptim “murgeshat që shoqëronin Nënë Terezën në Bhopal”; por folja “punoj” është përdorur në një kuptim shumë të gjerë. Fjalia “misionaret e bamirësisë (të cilat) kanë kohë që punojnë në Bhopal” është një fjali komplet e vërtetë, sepse ato kanë pasur një shtëpi të vogël, por të pastër për të varfërit (që quhej Nirmal Hriday, si ajo në Kalkuta për shumë vite.
Një biografi tjetër e Nënës, mban një fotografi me të ku citohej: “Duke ndihmuar të mbijetuarit nga gazi vdekjeprurës në Bhopal, dhjetor 1984”[11]
Fotografia tregonte Nënën duke i dhënë lule një gruaje, e cila ishte duke dhënë shpirt në spital. Pa dyshim ajo ishte një “ndihmë”, por jo në kuptimin e vetëm të fjalës që bota duhej të priste nga Nënë Tereza.
Tërmeti i 30 shtatorit 1993 në shtetin e Indisë Perëndimore të Maharashtrasë është një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore në historinë e Indisë. Tetë mijë njerëz vdiqën dhe pesë milion të tjerë humbën shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Mbi dyqind organizata jo qeveritare vrapuan të ndihmonin dhe shumë prej tyre punojnë edhe sot e kësaj dite sepse rindërtimi i një lagjeje të madhe, kërkon kohë si nga ana fizike ashtu edhe nga ana emocionale. Shumica e shoqatatave bamirëse ishin të gatshme për të kontribuar në rindërtimin e shumë fshatrave. Qeveria vendosi një grand special prej 8 bilion Rs.
Bota, në mënyrë të qartë, mendon se Nënë Tereza ka kontribuar me zemër dhe me shpirt në këtë operacion, duke supozuar instinktivisht që në ndonjë fatkeqësi natyrore në Indi, veçanërisht në atë shkallë, ajo duhet te jetë prezent, qoftë edhe me një përfaqësim jo shumë të madh. Por misionaret e bamirësisë nuk erdhën kurrë në Latur. (Ato nuk kanë shkuar as në Uttarkashi, në Himalaje ku një tërmet vrau një mijë e pesëqind vetë në 20 tetor 1991.)
Inventarizimi i tërmetit në Latur zgjati pak muaj dhe rindërtimi filloi seriozisht, në janar të vitit 1994. Në shkurt Nënë Tereza u preokupua me gjëra më serioze. Kur procesi i rindërtimit po ecte me hapa të shpejtë, ajo u detyrua të shkonte përsëri në Shtetet e Bashkuara; këtë herë në Gjykatën e Lartë, për të takuar një “shok të Gjykatës” në lidhje me një njeri të quajtur Alexandër Loce, i cili ishte shpallur fajtor për cenimin e një klinike aborti duke ndaluar ish të fejuarën e tij për të abortuar. Aktpadia ndaj tij nuk ishte e rëndë, por ai apeloi sepse e dinte se do të kishte një “shenjtore të gjallë” si mbrojtëse.[12] Në Washington D.C., Nënë Terezës iu dha rasti të dilte në televizion, përpara kombit amerikan (në 3 shkurt 1994) së bashku me presidentin dhe zëvendës presidentin. Gjatë fjalimit të mëngjesit të lutjeve, ajo foli rreth djajve të kontraceptivëve dhe abortit, dhe rreth bamirësisë – Laturi për atë ishte me mijëra kilometra larg.
Alexander Loce dhe Shahida Khatun; dy njerëz, dy fjalë. Njëri i shkolluar, i pasur, që jeton në periferi të Nju Xhersit, tjetri i pashkolluar, nën moshë të re, që jeton në një lagje të varfër të Kalkutës dhe vajzë e një punëtori emigrant musliman nga Bihari. Ky nuk ishte skenari rreth të cilit, Michael J. Farrell, redaktor i gazetës amerikane “National Chatolic reporter” po aludonte, kur fliste mbi dy lloje të “revolucionit njerëzor”; njëri i pasur dhe që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe tjetri “një njeri i varfër” që jeton në një rrugë të Kalkutës, i cili në fund vdes.[13] Mbase, ndryshe nga Shahida, z. Loce nuk ishte një “rast familjar”.
Qeveria e Indisë u kritikua për vonesën, në harxhimin e borxhit prej 246 milion USD, të cilën ajo e kishte marrë nga Banka Botërore për rindërtimin e Laturit, por askush nuk komentoi rreth mos veprimit të misionareve të bamirësisë, asetet e të cilave nuk u dërguan për ndihmë.
Vera e vitit 1994, e gjeti Nënë Terezën e Kalkutës, në Kalkuta, për të qëndruar pak muaj. Në tetor ajo largohet përsëri, për një plan tjetër ndëshkues, duke udhëzuar botën rreth vlerave të lutjes, përuljes dhe bamirësisë, dhe më e rëndësishmja rreth dëmit të abortit; mbledhja e fondeve ishte gjithashtu në axhendën e saj (të pa zbuluar). Ajo e bëri Vatikanin ndalesën e parë të saj, siç do të bënte shpesh në udhëtimet e saj ndërkombëtare. Ndërsa ishte duke kaluar nëpërmjet Bombeit, për të kapur avionin për në Romë, autoritetet e atjeshme e kapën dhe i kërkuan që të jepte dokumentet e disa shtëpive të ndërtuara rishtazi, në Latur tek disa fshatarë që kishin humbur vendbanimet e tyre gjatë tërmetit. Autoritetet në atë kohë u kritikuan nga ndërkombëtarët se ishin të ngathët dhe të plogësht në harxhimin e borxhit që kishin marrë nga Banka Botërore. Ata menduan në mënyrë naive që duke pasur Nënë Terezën, e cila jepte dokumentet, do të tërhiqnin vëmendjen e botës ndaj punës së qeverisë. Megjithatë bota e supozoi ndryshe; duke vështruar fotografinë e Nënë Terezës që përulej për t`i paraqitur fshatarëve dokumentet e shtëpive, ata menduan natyrisht që Nënë Tereza vetë shërbente si vegël në ndërtimin e këtyre shtëpive. Media ndërkombëtare katolike nuk do ta lëshonte këtë oportunitet, për të bërë reklamë falas, me shpenzimet e qeverisë së Indisë dhe letrat e Bankës Botërore. “Gjithëçka nga puna e një dite për Nënë Terezën” ishte titulluar diçitura e fotografisë së Nënës me fshatarët.
Mediat botërore nuk i kanë me shumë qejf faktet; ato nuk i tregojnë historisë sesi lexuesit e një gazete indiane (“Malayalam Manorama”) mblodhën 20.61 milion Rs për viktimat e tërmetit dhe punësuan një arkitekt, Laurie Baker, për të rindërtuar banesat e fshatrave. Ato kurrë nuk raportuan se, megjithëse Laturi është me mijëra milje larg Kalkutës, Misioni Ramakrishna, një shoqatë bamirëse hindu me seli në Kalkuta dhe shumë shoqata të tjera kristiane, punuan pareshtur në Latur. Në të vërtetë, drejtuesi kryesor i Kalkutës bëri një udhëtim për mbledhje donacionesh dhe mblodhi më shumë se 10 milion Rs nga lexuesit e tij, të cilat i dorëzoi tek Misioni Ramakrishna për t`i shpenzuar në Latur. Në këtë rast, dikush mund të mendojë se misionaret e bamirësisë mund të kishin ndihmuar nëse do të kishin marrë fonde. E vërteta është që ato nuk bënë rindërtime ose “punë zhvillimi”. Kur në 18 dhjetor të vitit 1995, kryeredaktori i “Malayalam Manoramës” i dorëzoi fshatarëve në ceremoninë e Killarit, çelësat e 163 shtëpive të rindërtuara, kjo nuk u pasqyrua si një lajm i rëndësishëm në mediat indiane.
Në 20 gusht të vitit 1995, një javë përpara 85-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, dyqind vetë humbën jetën në një përplasje trenash në Ferozepur, pranë Delhit. Cili ishte kontributi i Nënë Terezës këtu? Lutje speciale për ditëlindjen e saj. Nëna kurrë nuk harroi të lutej për viktimat, por ajo bëri sikur harroi një herë; kur në tetor të vitit 1979, pasi ishte shpallur fituese e çmimit Nobel, korporata e Kalkutës i organizoi asaj një pritje madhështore. Në 23 tetor në vigjilje të pritjes, tre vagonë të një treni ranë në lumin Hooghly në Jangipur, pra në Bengalin Perëndimor, 159 km nga Kalkuta, duke shkaktuar vdekjen e 350 vetëve. Nëna harroi të përmendte viktimat në fjalimin e saj gjatë mbrëmjes vijuese; ka mundësi për shkak të eksitimit rreth vizitës së saj të afërt në Oslo.
Në 11 shtator të vitit 1995, 22 fëmijë (13 vajza dhe 9 djem) vdiqën nga një shpërthim i rëndë 60 km nga Kalkuta, në Distriktin Howrah të Bengalit Perëndimor, ku misionaret e bamirësisë, veçanërisht vëllezërit misionarë të bamirësisë kishin një qendër të madhe. Fëmijët po hidhnin fishekzjarrë, në një punishte ilegale me rastin e sezonit festiv që po afronte. Edhe 18 fëmijë të tjerë u plagosën rëndë. Më i vogli prej tyre që humbi jetën, ishte nëntë vjeç, Sheikh Mahidul. Vetë punishtja punësonte fëmijë (1500 prej tyre) të cilët punonin nga gjashtë e mëngjesit deri në gjashtë pasdite për një pagesë javore prej 65 Rs. Në këtë rast konkret, fëmijët prodhonin “çokollata bombë” (të quajtura kështu sepse kapsollat mbështilleshin në letër alumini si copa çokollatash).
Shpërthimi shkatërroi një të tretën e ndërtesës së punishtes së madhe dhe gurëzoi tërë fshatin e Haturias. Pemët u çrrënjosën, shtyllat e betonit bashkë me trupat e fëmijëve u hodhën lart në ajër dhe ranë në një pellg aty afër. Sabera Bibi, i humbi të katër fëmijët e saj.
Incidenti shkaktoi pak rrëmujë në Kalkuta, ndoshta për shkak të fajit që i përshkonte klasat e mesme, për argëtimin e të cilave ishin destinuar fishekzjarrët. Zor se gjen një familje (të klasës së mesme) në Indi, e cila nuk e ka punësuar një fëmijë shërbëtor, në një periudhë të caktuar. Në Indi, fëmijëve shërbëtorë dhe fëmijëve punëtorë (janë 55 milionë të tillë) nuk i dihet emri, por pas incidentit të Haturias, gazetat e Kalkutës ndërmorën hapin e pazakontë, të publikimit të emrave dhe moshave të të gjithë fëmijëve të vdekur dhe të dëmtuar.
Në Indi, ka të paktën mbi njëzet organizata që punojnë për të çrrënjosur traditën e hershme të fëmijëve që punojnë dhe fëmijëve skllevër. Ato kanë pasur goxha arritje, por kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë. Koalicioni i Azisë së Jugut për Fëmijët Shërbëtorë (SACCS) madje, organizoi dy marshime të gjata, në vitin 1993 dhe në vitin 1994; njëri nga lindja, në perëndim të vendit dhe tjetri nga veriu, në jug të vendit. Nuk pati asnjë incident, duke pasur parasysh madhësinë e vendit dhe kushtet klimaterike. Askush nuk i kërkoi Nënë Terezës të fliste kundër punësimit të minorenëve sepse do të ishte tejet politike për të. Për më tepër, “lëvizja kundër skllavërisë” ka një prezencë kryesisht të majtë. Ajo e ka thënë shpesh se “ne nuk jemi të shqetësuar për shkakun e një problemi, por punojmë me efektet.” Fshati i Haturias që ka qëlluar gjysëm ore me makinë nga qendra Howra e Nënë Terezës, ku një numër i madh i vëllezërve të saj mësojnë si të jenë kristianë të mirë. Po kontributi i tyre ndaj efekteve të kasaphanës cili ishte?- Ju duhet ta keni marrë me mend tashmë.
Në vigjilje të krishtlindjeve të vitit 1995, në qytetin verior indian të Mandibabwalit, jo shumë larg nga Delhi, 1200 fëmijë po festonin fundin e semestrit të tyre shkollor me një festë gjigante në një shesh tek pallati me emër disi jo të përshtatshëm Rajiv Marriage. Siç u supozua, si rezultat i një qarku të shkurtër, pallati mori flakë rreth orës dy pasdite. Nga tymi dhe nga ikja me rrëmbim nga paniku, 360 fëmijë vdiqën bashkë me 50 të rritur. Disa familje u zhdukën. Spitalet lokale nuk patën mjetet e duhura për të përballuar krizën e një shkalle të tillë dhe për ditë me radhë, fëmijët e djegur rëndë u transportuan nga spitalet lokale, për në kolegjin mjekësor Rohtak. Incidenti mbuloi me një re hidhërimi festimet e Vitit të Ri, në të gjithë Indinë veriore dhe për ditë me radhë, një fushë e gjerë afër skenës së fatkeqësisë, u shndërrua në një vend gjigand krematori me mbeturina të djegura, shpesh dy ose tre trupa të paidentifikuar, duke u djegur së bashku në një hidhërim të heshtur, nën një qiell dimëror. Shteti i Haryanës deklaroi zyrtarisht tre ditë zi. Qytetarët e gjithë kombit, ndihmuan mesa mundën dhe donacionet filluan të vërshonin. Doktorët dhe vullnetarët e tjerë u grumbulluan për të ofruar shërbimet e tyre. Anëtarët e Manev Sava Samstha, një organizatë lokale vullnetare, koordinuan një fushatë të madhe për dhurim gjaku. Përsëri, misionaret e bamirësisë nuk ishin aty, përsëri ato ishin të padukshëm me mungesën e tyre. Dy ditë më vonë, gjatë meshës së Krishtlindjeve në “shtëpinë e Nënës” në Kalkuta, u bënë lutje speciale për të vdekurit.
Kur fatkeqësia goditi Indinë në vitin 1994, Nënë Tereza arriti në Vatikan në një nga vizitat e saj të shpeshta. Sapo mbërriti në aeroportin e Romës, ajo u prit me ceremoni. Fotografitë e saj qarkulluan në të gjithë botën. Ishte i natyrshëm supozimi, se ajo kishte punuar shumë në ndihmë të viktimave të katastrofës. Ajo nuk u përfshi fare në ndihmë të tyre me anë të ndonjë trajtimi ose mbrojtje, si gjatë fatkeqësisë ashtu edhe pas saj.
Nëse dikujt i lihet hapësirë që të supozojë, se mangësia e veprimit të Nënë Terezës ishte një fenomen i vonshëm, le të kthehemi mbrapa në vitin 1979, viti i çmimit Nobel. Jyotirmoy Datta, një intelektual konservator nga Kalkuta, i cili nuk njihej për kundërshtimin e tij ndaj Nënë Terezës, shkroi për një mori problemesh që hasën banorët e klasës së mesme të zonës përreth Kalkutës. Ata u përballën me një grua të moshuar e të varfër, e cila u gjet e vdekur në rrugë. Sipas perceptimit ndërkombëtar, ky është një “skenar terezian” i rëndësishëm për imazhin e saj, sikurse të një engjëlli lëvizës, i cili rrëmben të sëmurët dhe të vuajturit nga rrugët.
Duke qenë se linja 102 e ambulancave të shërbimit bashkiak të Kalkutës dilte vazhdimisht e zënë, Datta vendosi të telefonojë misionaret e bamirësisë. Dy herë atij i thanë se zyra e Motrave ishte gabim, ndwrsa herën e tretë ai arriti të lidhej në telefon me vetë Nënë Terezën (pavarësisht se ajo njihej gjerësisht si një “shenjtore e gjallë”, Nënë Tereza nuk kishte një stil jete hyjnore të pavarur; ajo duhet ta ngrinte vetë telefonin) tek numri 247115. Nëna i tha atij me një “zë të butë, të qetë dhe të bukur”, “të lutem telefonoji përsëri numrit 102, nëse ambulanca nuk vjen, atëherë më njofto.”
Ai telefonoi përsëri dhe së fundi, erdhi një ambulancë e shërbimit bashkiak dhe e mori gruan e moshuar. Datta shkroi “i bekuar qoftë qyteti”, “telefonatës mund të mos i përgjigjen dhe ambulanca mund të mos vijë, ku tjetër në botë mund ti telefononi një shenjtoreje të gjallë dhe të keni një përgjigje?” [14]
Afërsisht dy muaj më vonë, Nënë Tereza po merrte çmimin Nobel për paqe në Oslo, e cituar gjithandej nga masmedia si një “shenjtore e rrugëve”, e cila mbledh endacakët nga rrugët e Kalkutës, e pa ndihmuar nga askush tjetër.
Në Indi, fatkeqësitë natyrore apo jo natyrore janë aq të shumta, sa edhe perënditë hindu. Unë kam përmendur vetëm më kryesoret prej tyre. Për të varfërit në Indi, ekzistenca e përditshme ndërpritet nga ngjarje të pafata, të cilat janë aq të parashikueshme saqë zor se mund të quhen fatkeqësi. Këto incidente “të vogla” (sipas shkallës indiane), zakonisht, nuk pasqyrohen në median e vendit. Për shembull në 20 prill të vitit 1996, pesëqind banorë të një lagjeje të varfër në Kalkuta, mbetën të pastrehë, kur një zjarr rrafshoi kasollet e tyre nga faqja e dheut brenda një ore. Ata gjithashtu humbën të gjitha pasuritë e tyre modeste. Duke mos pasur një sistem të sigurimeve shoqërore, të varfërit indianë janë bekuar me një shkathtësi të çuditshme; pas shkatërrimit nga zjarri njerëzit filluan të rindërtojnë kasollet e tyre. Disa organizata vullnetare dhanë ndihmën e tyre, por jo ato më të famshmet në Kalkuta dhe në botë.
Në fakt, Nënë Tereza harxhonte një pjesë të madhe të çdo viti jashtë Indisë, e si pasojë, duke qenë jo shumë e gjendur për të ndihmuar në problemet dhe fatkeqësitë e këtij vendi. Nga viti 1978 e deri më sot, duke përfshirë edhe vitin e vdekjes së saj, 1997, ajo e kalonte çdo verë dhe çdo sezon musonik nëpër Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Praktika e saj ishte të nisej në qershor dhe të kthehej në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, (shumica e problemeve dhe sëmundjeve epidemike të kontinentit ndodhin në verë dhe në periudhën e musoneve). Gjithashtu, në vitin 1994, ajo shkoi në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndjekur një numër të madh takimesh të politizuara kundër abortit, por në mënyrë të pazakontë ajo e kaloi verën e atij viti në Kalkuta. Në vitin 1996, pritej që ajo të udhëtonte dy herë, pranverë dhe verë. Udhëtimi i saj i dytë (në verë) u anulua sepse ajo ndihej shumë e sëmurë. Në qoftë se kishte ndonjë emergjencë në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo do të udhëtonte më herët sesa qershori i zakonshëm. Emergjencë për të nuk ishin të varfërit apo të dëshpëruarit në nevojë. Një situatë emergjente lindi në Spanjë në vitin 1983, duke e shtyrë atë që të arrinte në Madrid në mes të muajit maj. Në atë kohë parlamenti spanjoll po debatonte një faturë jetike aborti. Kush do të arrinte të bënte lobbing për deputetët spanjollë, përveç shenjtores së gjallë?
Në vitet 1981 dhe 1982, ajo largohet nga Kalkuta duke shkuar në lindje të Japonisë, pasi ajo shqetësohej se japonezët po jepeshin shumë pas abortit. Një grup përkrahësish katolik të pasur kundër abortit në Japoni financonin udhëtimet e saj. Në prill të vitit 1982, ajo u takua me 230 anëtarë të parlamentit japonez (Dieta) dhe pothuajse ishte e suksesshme në bërjen e ligjit kundër abortit – por vetëm një revoltë popullore ndaloi ndryshimin e ligjit që ajo donte.
Për të dhënë një ide sesa pak kohë qëndronte “shenjtorja e Kalkutës” në këtë qytet, po citoj dy pjesëza nga këshilltari i saj shpirtëror, At Edward Le Joly:
[MT]- Po shkoj në Nju Jork, At.
[ELJ]- Çfarë Nënë, përsëri në Shtetet e Bashkuara? Ti veç pak javë më parë ishe atje.
[MT]- Po, por më duhet të shkoj përsëri. Dy priftërinjtë e misionarëve të familjes së bamirësisë kanë për të bërë betimin e tyre të parë. Kryepeshkopi ka pranuar që të kujdeset për ta.
[ELJ]- Kështu familja juaj po zgjerohet përsëri dhe Shtetet e Bashkuara po ju tregojnë drejtimin.[15]
Në të njëjtin libër në një vend tjetër Le Joly shkruan:
Tetor 1986
[ELJ]- Motër, a është Nëna brenda vendit?
[M]- Jo At, ajo ndodhet jashtë vendit. Ka shkuar në Romë.
[ELJ]- Çfarë, përsëri në Romë. Ajo s`ka pak ditë që ishte atje!
[M]- Po, ajo vazhdimisht ndodhet jashtë vendit.[16]
Dihet se Princesha Dajana, donte ta takonte Nënë Terezën në Kalkuta. Nëntë herë zyra e princeshës u përpoq që të mundësonte takimin e tyre në Kalkutë, por të nëntat herë kjo gjë dështoi sepse murgesha zor se gjendej atje. Më në fund, kur Dajana erdhi në Kalkuta në shkurt të vitit 1992, ato nuk u takuan dot sepse Nënë Tereza qëndroi në Romë. Ato të dyja u takuan dy herë; një herë në Romë dhe njëherë në Nju Jork, vende këto, të cilat ishin shtëpitë e vërteta të Nënë Terezës ku ajo ndihej më se rehat.
Gjatë qëndrimeve të saj të gjata nëpër Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo nuk humbi asnjë shans që t`i tregonte njerëzve se urrente çdo sekondë të kohës që shpenzonte jashtë “rrugëve të Kalkutës”, siç e citonte vetë. Peter Dalgish, punonjës bamirësie kanadez gjeti adresën e saj te “Vipat dhe Të Ndritshmit” në Nju Jork: “Ata shpresonin se ajo do ta përfundonte predikimin me një buzëqeshje, por Nëna ishte e zymtë gjatë gjithë qëndrimit të saj në Nju Jork dhe thoshte se atë e kishte marrë malli të kthehej në Kalkutë”.[17] Në fakt, ajo u kthye në Romë.
Unë mund të vazhdoj pambarimisht, duke mbushur faqe pas faqe me shembujt e shumta të fatkeqësive dhe krizave, ku Nënë Tereza nuk u përfshi në asnjë mënyrë. Mua, një kalkutasi të lindur dhe rritur në Kalkutë, nuk më vjen çudi sepse e di se urdhri i saj nuk ka infrastrukturë; në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë qëllimi i saj të krijojë një infrastrukturë për një punë të tillë, siç thoshte dhe vetë ajo “Unë nuk jam një punonjëse sociale.” Por, ajo që më bezdis disi është se ajo mbeti jo aktive kur fëmijët plagoseshin, vriteshin, ose ishin në rrezik të mbeteshin jetimë si në rastin e Shahidës, e cila iu paraqit personalisht asaj. Mirëpo kjo nuk përshtatej me filozofinë e saj “fëmija në radhë të parë”. Pasi kam lexuar qindra fjalime të saj, kam pyetur veten: Meqenëse preokupohej kaq shumë për fëmijën e pa lindur, a i bëhej vonë vallë, për atë të lindurin?
Shumë njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, Afrikës që vdesin urie, e kështu me radhë. Shumë njerëz janë gjithashtu të shqetësuar për dhunën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto shqetësime janë shumë të reale, por shpesh, po të njëjtët njerëz janë ata, të cilët nuk shqetësohen për miliona të tjerë që vriten, si rezultat i vendimit të paramenduar të nënave të tyre. Ky është shkatërrimi më i madh i paqes sot në botë; aborti që i sjell njerëzve një verbim të tillë.[18]
Dikush mund të nxjerri si përfundim se Nëna nuk vepronte gjatë krizave në Kalkutë dhe Indi, se kishte dalë në pension shumë vite para vdekjes së saj, dhe ishte tërhequr nga puna e përditshme. A ishte e vërtet apo jo, kjo duhet parë me vëmendje, por kur vinte puna për çështje të rëndësishme, asnjë detaj i vogël nuk i shpëtonte vëmendjes së saj. Kur zv. Presidenti i Indisë erdhi në Kalkuta për një vizitë dy ditore, në korrik të vitit 1996, Nënë Tereza i dërgoi një letër. Kjo ishte në shenjë proteste, kundër shkatërrimit të murit të kishës në Bandel (një qytezë afër Kalkutës) dhe për të detyruar qeverinë të rindërtonte murin.
[1] Shiko në: http://president.al/shqip/rubrika.asp?r=Dekorime
[2] Shiko: Bujar Leskaj, Nënë Tereza - shpirt i kombit, Shekulli 21. 03. 2006
[3] Shiko: Deklaratë kundër vendosjes së bustit të Nënë Terezës në Shkodër, Shkodër më, 19/03/2006
[4] Kalantar, Kalkuta, 12 tetor 1995.
[5] The Boston Globe, 16 qershor 1995.
[6] Komunikata e Dioqezës Katolike të Preoria ( dhjetor 1995), Peoria, SHBA.
[7] The Statesman, Kalkuta, 15 gusht 1996.
[8] Lucinda Vardey, Nënë Tereza, një rrugë e thjeshtë ( Ridder, 1995), fq 118.
[9] Për historinë e Shahidas, kontrollo në gazeta të ndryshme të Kalkutës, 15 korrik deri në 30 tetor 1995.
[10] Eileen Egan, Një vizion të tillë për rrugën (Sidgwick & Jackson, 1985), fq 452.
[11] David Porter, Vitet e hershme të nënë Terezës (SPCK,1986).
[12] Krishterimi sot. 4 prill 1994, v 38, numër 4, fq 75.
[13] National Catholik Reporter, SHBA, 17 mars 1994.
[14] Amrita Bazaar Patrika, Kalkuta, Misioni mëshirës, 12 tetor 1979.
[15] Edward le Joly, Vitet e lavdishme të nënë Terezës (Saint Paul Publications,1992), fq 127.
[16] Ibid, fq 59.
[17] Peter Daldlish, Guximi i fëmijëve (HarperCollins, 1998), fq 298.
[18] National Prayer Breakfast, Washington DC, 3 shkurt 1994.