
Suksesi i garantuar
(Këshillë për të rinjtë)
Zëri Ynë
Prishtinë, 2006
Biblioteka Thirrja,
Redaktor Muhamed Jusufi - Kajolli,
Redaktore gjuhësore Mimoza Sinani
PARATHËNIE
Synim i çdo njeriu është që të ketë sukses në jetë. Prandaj, secili njeri bën përpjekje, që të arrijë sukses: në shkollë, në punë, në dashuri, në sport, në studim, në familje, në jetë përgjithësisht. Por, nuk mjafton të kemi dëshira dhe të bëjmë përpjekje. Dëshirat dhe përpjekjet tona duhet të jenë të harmonizuara me qëllimin e mirë. Qëllimi i mirë është nëse ato dëshira dhe ato përpjekje bëhen duke pasur para sysh udhëzimet dhe obligimet që ka caktuar Zoti për njerëzit. Në atë rast dëshirat dhe përpjekjet do të jenë në pajtim edhe me mundësitë reale, dhe do të shprehen brenda rregullave të caktuara, të cilat e kanë para sysh përgjegjësinë që kemi para Zotit, si dhe në shoqëri dhe në jetë. Pra, për të arritur sukses në cilëndo fushë të jetës, duhet që atë sukses ta manifestojmë si adhurim ndaj Zotit, dhe vetëm prej Tij të kërkojmë mbrojtje dhe përmbushjen e synimeve tona. Natyrisht, që punën tonë duhet ta vëmë në shërbim të familjes, të shoqërisë e të njerëzimit, ashtu që të kenë dobi prej saj. Nëse veprojmë kështu, suksesi do të jetë vërtet i garantuar.
Kur kam qenë në moshë të re, në vitet shtatëdhjetë, nuk ka pasur literaturë adekuate, e cila do të më ndihmonte për të kuptuarit e këtyre gjërave. Prandaj, edhe më ka ndodhur, si edhe shumicës së moshatarëve të mi, që dëshirat t’i shpreh shpesh herë edhe në aso mënyre që ato kanë prodhuar edhe zhgënjim në vend të suksesit. Po ashtu përpjekjet për të realizuar një dëshirë, kanë qenë shumë herë joreale dhe kanë prodhuar probleme të reja. Vetëm kur e kam përqafuar Islamin si botë-vështrimin tim dhe si kuptimin e vetëm të drejtë për veten e për botën, kam arritur suksesin e plotë: njohjen e mirë të vetvetes, qetësimin e ndërgjegjes dhe stabilitetin emocional e intelektual.
Prandaj, edhe dëshiroj që me këtë tekst të transmetoj mesazhin e kësaj përvoje te të rinjtë, të cilët gjenden tash në fazën e dilemave, të shqetësimeve dhe të vështirësive, të cilat unë i kam përjetuar para më shumë se tridhjetë vjetëve. Mirëpo, gjendja sot është shumë më alarmante se sa atëherë, sepse tash as familja më nuk është ajo streha e sigurt që ka qenë dikur. Edhe familja i është ekspozuar ndryshimit të marrëdhënieve dhe krizave të ndryshme sociale e morale. Ndërsa, shoqëria jonë po kalon nëpër një ndryshim të vështirë, i cili nuk e ka ende preokupim fatin e individit, e veçmas të të rinjve, të cilët kanë nevojë për më shumë mirëkuptim e për më shumë përkrahje. Pra, jemi në situatën kur secili i ri duhet të marrë përgjegjësi për veten, shumë më herët se sa ndodhte kjo në të kaluarën, kur familja dhe shoqëria ishin më stabile, më tradicionale dhe më imune ndaj dukurive negative, sikundër janë narkomania, alkoolizmi, prostitucioni, kumari, trafikimi i krijesave njerëzore dhe krimi i organizuar.
Ky doracak ka për qëllim t’u shërbejë si këshillë të rinjve, që të njohin veten e vet, detyrat që i presin në jetë e në shoqëri dhe që të bëhen të dobishëm për veten, për shoqërinë tonë dhe për njerëzimin në përgjithësi. Në atë mënyrë ata do të përmbushin kuptimin e jetës së vet dhe do të kënaqin edhe Allahun, i cili prej nesh kërkon që deri sa të jemi në këtë botë, të jemi të mirë, të drejtë, të dashur, të durueshëm dhe të devotshëm.
Lus Allahun Fuqiplotë që të na udhëzojë dhe të na ndihmojë që të bëhemi të tillë!
Autori
Në Prishtinë,
9 gusht 2006
NJOHJA NGA TË TJERËT
Secili njeri bëhet i njohur për rrethin ku jeton, me pamjen e vet të veçantë dhe me personalitetin vet po ashtu të veçantë. Prindërit, motrat e vëllezërit, shokët e shoqet, arsimtarët, fqinjët dhe i gjithë farefisi na njohin qartë, madje edhe pas një kohe të gjatë që mund të mos na kenë takuar. Kjo është e mundshme ngase pamja dhe identiteti janë të vulosura tek ne. Fakti që asnjë njeri nuk është krejtësisht i ngjashëm me një njeri tjetër, tregon se secili është i vulosur me një pamje dhe me një identitet të vetin. Edhe vëllezërit a motrat binjake, sado që ngjajnë mes vete, kanë disa dallime në pamje dhe kanë identitete të veçanta, ndonjë herë edhe mjaft të dukshme. Rrjedhimisht, nevoja për ta kumtuar identitetin para dikujt, shfaqet vetëm kur takohemi me të panjohur.
Mirëpo, sapo të jemi njoftuar njëherë, e fitojmë statusin e të njohurve dhe marrëdhëniet i ndërtojmë mbi atë bazë, sepse secili prej nesh është i vulosur me një pamje dhe me një identitet të dallueshëm qartë. Madje edhe në mesin e një turme me qindra a mijëra njerëz, mund të na dallojë e të na përshëndet personi që e kemi njohur vetëm një ditë më parë. Pra, lehtësia me të cilin na njohin njerëzit, është evidente. Pamja dhe personaliteti ynë mundësojnë njohjen me aq lehtësi.
NJOHJA E VETVETES
Por, njohja kaq e lehtë nga të tjerët, nuk na e lehtëson njohjen e vetvetes. Nganjëherë mund të ndodh që në mesin e të gjithë njerëzve që ne njohim, ne nuk e njohim mirë vetveten. Ndihemi në siklet, kemi njëfarë frike, kemi ndonjë shqetësim, ose thjesht nuk kemi durim që të rrimë në atë vend, ose që të dëgjojnë bisedën që zhvillohet aty. Prej nga e ka burimin ai siklet dhe ajo frikë brenda nesh, e cila nuk është e shkaktuar nga faktorë të jashtëm? Mund të thuhet me siguri të madhe se burimi i saj është te mosnjohja mirë e vetvetes. Kur nuk e njohim mirë vetveten, nuk e kemi qetësinë dhe sigurinë e duhur askund, as kur jemi vetëm, as kur jemi në shoqëri. Prandaj, na duket se jemi vazhdimisht të rrezikuar nga shikimet, nga gjestet dhe nga fjalët e të tjerëve, edhe kur ato nuk na drejtohen fare ne, ose nuk na drejtohen në mënyrë keqdashëse. Kjo ndjeshmëri e pasigurisë, ose frikë joracionale, nganjëherë mund të bëhet dramatike. Bile në ndonjë rast edhe pamjet e njerëzve të njohur fillojnë e bëhen disi më të ngatërruara, aq sa duhet ta pyesin veten se a është ky filani? Edhe në këtë rast, nuk është problemi te njohja e personave të tjerë, por problemi është te njohja e pamjaftueshme e vetvetes. Në të vërtetë, kjo edhe është njohja më e vështirë për secilin njeri.
Për ta njohur si duhet vetveten duhen bërë, që nga fëmijëria, një varg veprimesh të cilat e mundësojnë atë njohje. Fjala është për ballafaqimin me të vërtetën: me të kuptuarit e arsyes së ardhjes në këtë botë, të obligimeve që ka secila krijesë njerëzore dhe të fatit që e pret secilën krijesë njerëzore në botën e përjetshme. Sa më herët që të mësojë njeriu këto të vërteta, aq më mirë ai do të arrijë ta njohë vetveten, dhe aq më lehtë do t’i përballojë problemet që i dalin në realitetin jetësor.
Mirëpo, ka shumë fëmijë dhe të rinj që e kalojnë fëmijërinë dhe rininë në një ambient ku ata janë të përkëdhelur. Atyre u plotësohen dëshirat që kanë, nganjëherë edhe dëshirat tekanjoze. Në atë mënyrë, ata bëhen të njohur për rrethin si fëmijë të rinj të llastuar, simpatikë, ose edhe sherrxhinj. Por, askush nuk fillon t’ua mësojë në atë moshë të vërtetat për obligimet që ka secili njeri në këtë botë dhe për përgjegjësinë që ka secili njeri për veten e vet. Prandaj, ata e kalojnë fëmijërinë dhe rininë, ose një pjesë të rinisë, duke mos u njoftuar drejt për veten e tyre. Rrjedhimisht, ata vazhdojnë të identifikohen me nënën e me babën, me pjesëtarët e tjerë të familjes, pa e kuptuar se personaliteti i tij është krejt i veçantë prej të gjithë të tjerëve dhe se duhet ta njohin e ta kultivojnë vetë atë personalitet.
Ndërsa, familjarët dhe rrethi bëjnë gabim të rëndë, sepse vazhdojnë t’ua plotësojnë dëshirat dhe tekat, duke pamundësuar ballafaqimin e tyre me realitetin dhe me vetveten e tyre.
KUSH JAM UNË?
Për rrjedhojë, ata fëmijë ose edhe të rinj, edhe përkundër dëshirave që u plotësohen, ndiejnë një boshllëk të madh në vetvete. Dhe ankohen vazhdimisht. Dëshirat e tyre dhe tekat e tyre rriten vazhdimisht dhe bile mund të anojnë drejt çoroditjes. Prej nga vjen kjo? Vërtet, kjo vjen për arsye se ata nuk kanë filluar ta njohin vetveten si duhet. Dëshirat dhe ambiciet e veta i kanë përmbushur duke u bazuar në shërbimet e të tjerëve. Ndërsa, për ta njohur vetveten, duhet shumë angazhim, shumë vullnet dhe shumë durim. Për ta njohur veten mirë, aq sa pastaj të jemi të sigurt në vetvete, duhet të bëjmë disa hetime themelore.
Pyetja e parë që do përgjigje për ta njohur veten, është pyetja: “Kush jam unë?” Pra, meqë jam ndryshe nga të tjerët, nga pamja dhe personaliteti, kush jam unë? Kush ka vendosur që unë të ekzistoj në këtë botë dhe të jem i tillë? Në këtë aspekt, shpejt na bëhet e qartë se prindërit tanë, të cilët na duan dhe ne i duam e i respektojmë, nuk kanë vendosur për ne. Ata nuk kanë vendosur për pamjen tonë, as për gjininë tonë, as për shkallën e inteligjencës sonë. Po ta kishin prindërit në dorë këtë punë, mund të besohet se do të kishte çrregullim të raportit ndërmjet dy gjinive. Fjala vjen, më shumë do të lindnin djem se sa vajza, sepse dëshirat e prindërve mund të jenë të tilla. Por, rregullat e krijimit i ka caktuar Allahu, e jo njerëzit:
“...e asnjë femër nuk mbetet shtatëzënë e as nuk lind, pa dijen e Tij (All-llahut). (Gjithashtu) asnjë nuk jeton më shumë se sa ka jetuar, dhe askujt nuk i shkurtohet jeta. (do të jetohet) vetëm aq sa është shkruar në Libër, e kjo për All-llahun është e lehtë.”
... e asnjë femër nuk bart e as nuk lind ndryshe, vetëm se me dijen e Tij, dhe jepet ndokujt të jetojë gjatë ose t’i shkurtohet jeta e tij, vetëm se ajo është e shënuar në Libër (Levhi Mahfudh), e kjo për Allahun është e lehtë. (Fatir:11)
Pra, asnjë fëmijë nuk lind pa dijen e Allahut, sikundër që edhe jetëgjatësia e secilit njeri është e shënuar në Libër.
Zoti na e sqaron se Ai është Krijuesi ynë dhe i farës me të cilin ngjizen njerëzit:
Ne u kemi krijuar juve, e përse nuk pranoni (ringjalljen)? A më tregoni për farën që e derdhni, a ju e krijoni atë, apo Ne jemi që e krijojmë? (El Vakia:57-59)
Po ta kishin prindërit mundësinë e krijimit, duke përfshirë edhe caktimin e pamjeve të fëmijëve të vet, do të mund të kishte çrregullime dhe kaos të paparë. Do të mund të kishte imitime të pamjeve të artistëve, të këngëtarëve, ose thjesht të njerëzve të pashëm, ndaj të cilëve ata mund të kenë simpati. Vetëm kujtojeni këtu faktin se si ua ngjisin emrat fëmijëve, duke i përsëritur nganjëherë deri në përmasa absurde emrat e aktorëve, të sportistëve, ose të figurave kombëtare. Emra si Elvis, Tina, Elizabet, Edmond, Robert, Xhenifer, janë mjaft të shpeshtë edhe ndër shqiptarë. Ndërsa, emrat si: Agron, Teutë, Gent, Plator, Skënder, Arianit, Enver, etj., në disa periudha kohore janë shumë të përsëritur. Pra, atë gjë që e kanë në dorë prindërit dhe familja, dhënien e emrave fëmijëve, e përsërisin pa kriter, sa ndodh që edhe brenda të njëjtës familje disa persona të kenë të njëjtin emër. Ndërsa, gjinia, jetëgjatësia, pamja dhe risku ose fati, meqë nuk po u përcaktuan nga prindërit dhe familja, janë të veçanta, origjinale, të papërsëritshme. E atëherë është krejt e qartë se kush na e cakton pamjen, gjininë, riskun ose fatin dhe jetëgjatësinë, kur dihet se nuk ia caktojmë vetvetes, nuk na e caktuakan prindërit, as familja e madje as shoqëria në të cilën jetojmë.
Fshehtësinë e plotë të krijimit të njeriut, të secilit njeri më vete, e di vetëm Krijuesi, pra, Ai që e ka nisur krijimin me vullnetin, me diturinë dhe me fuqinë e Vet. Nga dituria e Tij e plotë, Ai i ka kumtuar njeriut aq sa i duhet që ta njohë veten si krijesë me mision të veçantë në këtë botë. Prandaj në pyetjen “kush jam unë?”, përgjigja gjithsesi është e qartë: jam krijesë njerëzore, e veçantë nga të gjitha të tjerat, falë vullnetit të Zotit tim, i Cili më ka krijuar që ta adhuroj Atë, duke bërë vepra të mira në këtë botë, me çka e fitoj mbrojtjen dhe mëshirën e Zotit tim në këtë botë dhe shpërblimin me parajsë (xhenet), në botën tjetër. Meqë jam krijesë njerëzore, unë jam shpërblyer me dhunti të madhe nga Zoti, sepse Ai e ka lartësuar më së shumti njeriun në mesin e të gjitha krijesave, e ka lartësuar edhe mbi engjëjt, të cilët i ka urdhëruar që ta nderojnë krijesën njerëzore, duke rënë në sexhde para Tij. Si krijesë kaq e zgjedhur, pra, jam me mision të veçantë në këtë botë dhe atë mision duhet ta përmbush me shumë vullnet dhe me shumë përkushtim. Prej besimit tim dhe angazhimit tim varet se sa e madhe do të jetë mëshira e Zotit ndaj meje dhe sa i madh do të jetë shpërblimi i Tij ndaj meje. Por, është e sigurt që nëse unë u përmbahem udhëzimeve që ka dërguar Zoti për njerëzit, do të jem në rrugën e drejtë, do të jem nën mbrojtjen e Tij dhe do të kem sukses të garantuar në këtë botë dhe në botën tjetër.
Meqë e di kush jam, atëherë, më mbetet që të jetoj e të punoj ashtu që Zoti të jetë i kënaqur me mua. Nuk kam pse ta imitoj askënd, nuk kam pse lakmoj askënd, as për pasuri, as për pamje, as për ndonjë gjë tjetër. Zoti secilit i ka dhënë aq sa vetë Zoti ka dëshiruar, prandaj nuk mund ta marrësh atë që i takon tjetrit. Por as ty nuk mund të ta marrë askush atë që ta ka caktuar Zoti, sepse kjo është shpallur qartë në Kur’anin famëlartë:
Atë mëshirë që u dhuroi All-llahu njerëzve, askush nuk do ta parapengojë, ndërsa atë që ua ka ndaluar, askush nuk do t’ua lirojë, përveq (asaj që vie prej) Tij. Ai është i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëdishëm”
“Atë që Allahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë, e atë që Ai e ndal, nuk ka kush që mund ta lirojë pos Tij. Ai është ngadhënjyesi, i gjithëdijshmi”. (Fatir: 2)
Prandaj, më së miri është të jesh vetvetja, të jetosh e të veprosh ashtu si Zoti kërkon nga secili njeri veç e veç. Përgjegjësia para Zotit tonë është individuale. Pra, askush nuk përgjigjet për tjetrin, as prindi për fëmijën, as fëmija për prindin. Nëse e njohim vetveten në këtë kuadër, pra në kuadër të raportit të caktuar me Zotin, atëherë rezulton se e kemi njohur mirë veten dhe kemi krijuar themelet për një jetë të vërtetë, me sukses të garantuar. Pse mund të thuhet se suksesi është i garantuar? Sepse Zoti ka shpallur qartë:
Kush bën mirë, bën për veten e tij, e kush bën keq, bën në dëm të vetvetes, ndërsa Zoti yt nuk është i padrejtë ndaj robërve”
“Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve”. (Fussilet:46)
Pra, veprimi i mirë shpërblehet, sikundër që veprimi i keq shkon të dëm të atij që e bën atë veprim, ndërsa Allahu nuk i bën padrejtësi askujt. Prandaj, mund të themi me siguri të plotë se kush bën vepra të mira, e ka suksesin të garantuar.
Ndërsa në një ajettjetër Zoti na e tërheqë edhe kështu vërejtjen:
E mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten. Të tillët janë ata të prishurit. (El Hashir: 19)
Prej kësaj rezulton se harrimi i vetvetes, ose monsjohja e vetvetes, ndodh kur nuk e besojmë Allahun, kur e harrojmë Atë, sepse në atë rast bëhemi njerëz të prishur, ndërsa për të prishurit Allahu ka bërë ligj që ata ta harrojnë vetveten, pra të jenë të humbur në këtë botë, po edhe në botën tjetër.
PSE JAM NË KËTË BOTË?
Pyetja e dytë që kërkon përgjigje të qartë është pyetja: pse jam unë në këtë botë? Hapi i duhur i njeriut për ta kuptuar pse? – në, në këtë kontekst, është të kuptuarit se ai është vërtet krijesë e krijuar nga Zoti, dhe se detyra që i është ngarkuar është adhurimi ndaj Krijuesit të vet. Shpallja e Zotit të Botëve në këtë aspekt është e qartë dhe vlen për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohët:
Dhe Unë nuk i Krijova Xhin-ët dhe njerëzit për gjë tjetër, përve[se të më adhurojnë”
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër vetëm se të më adhurojnë (Edh Dharijat:56)
Pra, detyra parësore e secilit njeri është adhurimi i Krijuesit të vet, i Cili njeriun besimtar e veçoi nga të gjitha krijesat e veta dhe i dha pozitën më të lartë, duke e shpallur zëvendësues të Vetin në Tokë. Përderisa secili njeri e falënderon dikë që i ka bërë një të mirë sado të vogël në jetë (dhënie parash hua, dhënien e lapsit për të shkruar në klasë, vizitë pa radhë në ambulancë, etj.,) është krejt e arsyeshme që ta falënderojë dhe ta adhurojë Atë që ia ka dhënë të gjitha, (jetën, mendjen, shëndetin, familjen, shoqërinë, dashurinë, fatin). Pra, kjo kërkesë është krejt e arsyeshme dhe në të vërtetë vetëm realizimi i saj na mundëson që ta njohim vetveten, ashtu që krahas përgjigjes së qartë se kush jemi, ta dimë edhe pse kemi ardhur në këtë botë.
ÇKA DUHET TË BËJ?
Pyetja tjetër e rëndësishme është se çka duhet të bëjmë deri sa jemi në këtë botë? Kur e kuptojmë se obligimi ynë parësor është adhurimi ndaj Zotit, e jo ndaj njerëzve, ne e kuptojmë drejt çka duhet të bëjmë në këtë botë. Prandaj, edhe i ndërtojmë raportet me njerëz sipas rregullave të qarta. E kuptojmë se fatet tona nuk varen prej njerëzve, gjë që na bën më të sigurt në vetvete. Ne vazhdojmë t’i duam e t’i respektojmë njerëzit, por bindemi se fati ynë nuk varet prej tyre, që do të thotë se nuk varemi as nga bamirësia, e as nga tekat e tyre. Në momentin që lirohemi nga ideja se fati ynë varet nga tekat e njerëzve, (prindërit, shokët, arsimtarët, punëdhënësit, etj.), ne arrijmë një njohje më të plotë të vetvetes. E dimë vërtet se çka jemi dhe çka duhet të bëjmë. E dimë se jemi krijesë e krijuar nga Vullneti i Zotit, se kemi detyra të larta në këtë botë dhe se duhet të veprojmë sipas udhëzimeve, sepse do të japim përgjegjësi para Krijuesit tonë.
Njohja e vetes dhe planifikimi i veprimeve në këtë kontekst, duke pasur në plan të parë shprehjen e adhurimit ndaj Allahut, është racionale, logjike. Adhurimin ndaj Krijuesit tonë e realizojmë sipas rregullave që janë të përcaktuara qartë dhe të cilat nuk janë aspak të vështira.
Cilat janë këto rregulla? E para, është dëshmia e të pranuarit se ekziston një Zot i Vetëm, të cilën e pranojmë me zemër dhe e themi me fjalë:
Dëshmoj se nuk ka hyjni tjetër përveç Allahut.
Menjëherë pas saj, vjen të dëshmuarit se pejgamberi i fundit, Muhammedi, (paqja e Zotit qoftë mbi të), është i dërguar i Allahut:
Dëshmoj se Muhammedi është i dërguar i Allahut.
Me këtë dëshmi, vendoset lidhja e njeriut me Krijuesin e vet dhe që nga ai çast secili njeri besimtar, e njeh vetveten më mirë se kurrë më parë dhe e di se çka duhet të veprojë më tutje. Bota e tij shpirtërore transformohet me besimin në një Zot të vetëm dhe me besimin që ai është i mbështetur në fenë e drejtë, të cilën Krijuesi e ka pëlqyer që të jetë fe e pranuar te Ai. Kur vendoset lidhja e vërtetë me Krijuesin, ndodh procesi i qetësimit të ndërgjegjes së besimtarit. Ndjenja e pasigurisë, ndjenja e frikës dhe mungesa e shpresës, zëvendësohen nga një siguri më e madhe, e cila e ka burimin te mëshira e Zotit ndaj besimtarëve, për të cilët e ka bërë shërues Kur’anin:
Dhe, nga Kur’ani reveluam atë që është shërues dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa mizorëve nuk u shton gjë përve[ humbjes”
“Ne të shpallim Kur’anin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk shton tjetër përpos dëshpërim”. (El Isra: 82)
Me një fjalë, Kur’ani ka efekte të sigurta shëruese për besimtarët. Me besimin në Zot dhe me praktikumin e sinqertë të besimit, ata e gjejnë shërimin. Madje, edhe çdo parandjenjë, apo mendim i keq, që i shfaqet njeriut në mendje, mund të eliminohet më lehtë me përkujtimin e Allahut, me lutje për ndihmë drejtuar Atij. Zoti ka shpallur se është pranë lutësit kur ai i lutet.
Në çastet kur ia përshkon mendimin një ide e keqe, e frikshme, njeriu besimtar përsërit disa herë në vete:
Eudhu bil- lahi minesh shejtanir rraxhim (Me ndihmën e Allahut mbrohem prej dëmit të djallit të mallkuar), dhe ideja e keqe, provokimi që vjen nga djalli i mallkuar, fillon e shpërbëhet nga ndihma e Zotit, i Cili e ndihmon besimtarin e Vet. Në këtë aspekt, pra, njohja e vetvetes dhe e detyrave që ka njeriu besimtar, është më e qartë dhe më e plotë, sepse kështu e njohim veten në raport me Krijuesin, njohim obligimet që kemi ndaj Tij dhe ndaj jetës sonë, si krijesë me mision të veçantë në këtë botë.
Në të vërtetë, obligimet e adhurimit ndaj Zotit, e lehtësojnë jetën e njeriut, sepse ai e kupton se prej tij nuk kërkohet më shumë se sa janë mundësitë e tij dhe se ka shumë gjëra në këtë botë, të cilat nuk varen prej tij. Kjo ia lehtëson gjendjen dhe ia qetëson ndërgjegjen. Frikë-respekti ndaj Krijuesit, krahas qetësimit të ndërgjegjes, bën edhe kontrollimin e veprimeve, maturinë dhe kujdesin e përhershëm. Besimtari e di se Zoti e sheh çdo veprim, prandaj ai ruhet nga hidhërimi i Zotit, e jo nga policët, jo nga gjykatësit, ose nga kujdestarët e ndryshëm. Kësisoj, ai bëhet i vetëdijshëm për vetveten edhe më shumë, e di se çka është, dhe e di se kur është besimtar e ka mbrojtjen e Zotit dhe do të fitojë shpërblimin e Tij:
(Përkujtoni) shpalljen e Zotit tuaj: nëse do të jeni falenderues do t’ua shtoj ato, e nëse do të mohoni, padyshim se dënimi Im do të jetë shumë i rreptë”
Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë”. (Ibrahim:7)
Krahas shpërblimit të sigurt, besimtari, pra, e di se ekziston edhe rreziku i ndëshkimit të vështirë nga Zoti, e kjo e bën të kujdesshëm, të matur dhe të devotshëm, sepse ka frikë nga ndëshkimi. Me këtë besim dhe me këtë drojë, njeriu besimtar, bëhet i durueshëm edhe ndaj vështirësive të jetës, të cilat janë prezente dhe e godasin secilin njeri, por ato i përballojnë vetëm ata që janë të durueshëm. Besimtarët e durueshëm, edhe në vështirësi, e falënderojnë Zotin dhe e lusin për mëshirë e për mbrojtje. Ndërsa ata që nuk kanë besim të drejtë e të plotë, ata dorëzohen para vështirësive.
SI NDODH DEVIJIMI?
Ka raste kur të rinj të gjendur para ndonjë vështirësie, (ndonjë mosmarrëveshje në familje, ndonjë dashuri e pasuksesshme, suksesi i pamjaftueshëm në shkollë, mosmarrëveshjet me shokë ose shoqe,) nuk kanë durim që të kërkojnë zgjidhjet e duhura. Për shkak të mungesës së besimit në Zot, ata e ngarkojnë veten dhe e fajësojnë veten për problemet, ose për mossuksesin në një çështje. Kanë ndjenjën se kanë dështuar përfundimisht, sepse nuk e kanë fituar besimin në vetvete. Kanë ndjenjën se bota po tallet me ta, sepse u mungon siguria në vetvete. Niveli i tyre intelektual, edhe për shkak të moshës së re e mungesës së përvojës jetësore, nuk u mundëson që të gjejnë përgjigje të drejta për problemet që kanë. U krijohet ideja se ato probleme i kanë vetëm ata dhe se fatkeqësia e tyre nuk ka zgjidhje as shtegdalje racionale. Kur arrijnë në atë krizë të thellë të mosnjohjes së vetvetes, përkatësisht të rolit që kanë në këtë botë, ata dorëzohen para ndonjë aventure të rrezikshme, e cila gjoja i bën ata ta ‘harrojnë problemin’. Disa fillojnë e marrin drogë. Ka të tjerë që fillojë të pinë alkool, edhe ata për të ‘harruar problemet’. Shumë sish e fillojnë edhe duhanin, gjoja për t’i qetësuar nervat. Ndërsa, ndokush i përkushtohet kumarit. Të tjerë i futen trafikut të krijesave njerëzore e prostitucionit, vjedhjeve ose veprimtarive të tjera kriminale. Të gjitha këto janë rrugë të humbjes së sigurt. Këto rrugë nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për ndonjë problem jetësor. Këto vetëm sa e shkëputin edhe më shumë personin nga vetvetja dhe i pamundësojnë atij edhe më tutje që ta njohë e ta kontrollojë vetveten.
QYSH TEJKALOHET KRIZA?
E vetmja mënyrë për të shmangur rrezikun dhe krizën, është mbështetja te Zoti dhe respektimi i obligimeve fetare, duke përfshirë edhe durimin si një kërkesë thelbësore që Zoti ka ndaj njerëzve:
“Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë ( i lavdishëm). (Esh Shura: 43)
Mbajeni mend fjalën e Zotit! Durimi dhe falja përbëjnë virtytin më të lartë të njeriut. Nëse e ka njeriu këtë virtyt, pra, nëse bën durim dhe fal, ai nuk bie në grackën e aventurave dhe të humbjes. Ndërsa, ata që nuk kanë durim dhe nuk falin, mbushen me pasione dhe me inate të forta, e ngarkojnë shumë ndërgjegjen e vet dhe ajo pastaj nuk e përballon peshën e rëndë. Si pasojë, personi niset drejt ndonjë aventure, e cila gjoja “e ndihmon” të harrojë problemet, ndërsa në të vërtetë e përplas drejt humnerës dhe humbjes.
Dalja nga humnera e punëve të mbrapshta, sikundër janë ato të narkomanisë, të alkoolizmit, të prostitucionit, të duhanit, të kumarit, të kontrabandës, është mjaft e vështirë. Ajo kërkon energji shumëfish më të madhe, se sa që i është kërkuar secilit person në fillim, kur është ballafaquar me ndonjë problem dhe nuk ka arritur ta zgjidhë, veçse i është dorëzuar ndonjë vesi të rrezikshëm shkatërrimtar. Prandaj, më mirë është që të aftësohemi e të ballafaqohemi me problemet duke u mbështetur në besimin në Zot, duke kërkuar ndihmën e Tij, duke bërë durim e duke falur. Në këtë mënyrë evitojmë rrezikun që e keqja të trashet e të bëhet dominuese. Por, asgjë nuk është e mundshme pa besimin e drejtë që thërret në besimin në një Zot të vetëm, pa besimin në fenë e vetme të pranueshme te Allahu, fenë Islame, e cila na mundëson ta njohim vetveten dhe ta kuptojmë drejt rolin që kemi në këtë botë dhe fatin që na pret në botën tjetër, në Ahiret.
Për ta mbrojtur veten nga rreziqet dhe nga gjërat e këqija, besimtari e zbaton obligimin e tij për të falur namazin. Namazi është lidhje e drejtpërdrejtë e besimtarit me Krijuesin e vet. Në këtë lidhje nuk ka ndërmjetës, pra, besimtari arrin shkallën më të lartë të vetë-realizimit, sepse i drejtohet Zotit të vet në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e adhuruar, dhe duke e falënderuar për të mirat që ia ka dhuruar. Pastaj, në fund të namazit, pasojnë lutjet e besimtarit drejtuar Zotit: ai mund t’i kërkojë Zotit të mira të tjera, plotësim dëshirash, mund t’i lutet që ta mbrojë nga punët e këqija dhe nga dëmi i djallit të mallkuar, mund t’i lutet edhe për të afërmit e vet dhe për njerëzit në përgjithësi. Kjo formë e të drejtuarit ndaj Zotit të Botëve, është një lehtësim që i është dhënë njeriut, që të lehtësohet, që të rritë shpresën dhe që të gjejë zgjidhje të mira për problemet jetësore. Cilindo besimtar që ta pyesësh se si ndihet pas namazit, merr të njëjtën përgjigje: të gjithë ata që falin namaz, pas faljes ndihen të lehtësuar, me disponim më të mirë, me shpresa më të mëdha dhe me ndërgjegje të qetë. Për aq sa zgjat falja e namazit ata ndihen plotësisht të lumtur, sepse janë të pastër e të sinqertë para Allahut. Ata janë të bindur, pas lutjeve që kanë bërë, se Allahu i ka pastruar nga mëkatet dhe do t’ua plotësojë kërkesat, prandaj ata ndihen të kënaqur me veten e tyre. E dinë se janë në rrugë të drejtë, sepse ata janë të bindur në vërtetësinë e fjalëve të Zotit:
“Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve), Allahu e di ç’punoni ju. ( El Ankebut: 45)
Pra, tejkalimi i krizave momentale, i problemeve të ndryshme dhe përgjithësisht largimi nga gjërat e shëmtuara dhe të irrituara, është i mundshëm me namaz. Kur namazi është i bashkuar edhe me vepra të mira në jetën e përditshme, si bamirësi, sjellje të mira ndaj prindërve, studim me përkushtim për hir të Allahut, dashuri të sinqertë, e jo me qëllim të shfrytëzimit të partnerit/partneres vetëm për argëtim, e kështu me radhë, atëherë bëhet fjalë për një besimtar të devotshëm, i cili e ka kuptuar kush është, pse është në këtë botë, çka duhet të bëjë dhe si t’i tejkalojë problemet.
JETA ËSHTË E BUKUR – JETOJE SI DUHET !
Filmi tronditës i Beninit me titull “Jeta është e bukur”, është metaforë e besimit në suksesin e njeriut, edhe kur gjërat janë të përmbysura. Jeta vërtet është e bukur, por është e bukur vetëm nëse i japim përmbajtjen dhe kuptimin e duhur. Jeta e përditshme e besimtarit mysliman, duke u zhvilluar në kontakt të vazhdueshëm me Krijuesin, me anën e adhurimeve, me anën e lutjeve dhe me veprime të matura, gjithsesi bëhet më e lehtë, më kuptimplotë dhe më e bukur. Është jetë e pastër, larg aventurave të rrezikshme, larg dhunës, larg urrejtjes, larg punëve të liga. Zemra dhe ndërgjegjja e besimtarit, nuk kanë nevojë aspak për “stimulues të jashtëm”, (drogë, alkool, duhan, kumar), që të pastrohen ose të qetësohen, sepse ato janë të pastra e të qeta nga lidhja që kanë me Krijuesin e vet.
Sa më shumë që të forcohet besimi, aq më shumë rritet pastërtia e zemrës dhe qetësia e ndërgjegjes së besimtarit. Dhe në këtë mënyrë njeriu besimtar lëviz drejt njohjes sa më të plotë të vetvetes dhe të botës në të cilën jeton, drejt realizimit sa më të plotë të obligimit që ka në këtë botë si krijesë e zgjedhur, dhe drejt fitores finale – fitimit të statusit të banorit të përhershëm të parajsës (xhenetit). Dhe nuk ka fitore më të madhe se sa kjo për njeriun. Pra, gjithsesi, ky është ai suksesi i garantuar i njeriut, sepse atë ia ka premtuar vetë Allahu Fuqiplotë, i Cili nuk e thyen kurrë premtimin e Vet.
Prishtinë, gusht 2006
-----------------------------------------------------------------------
Zemra dhe ndërgjegjja e besimtarit, nuk kanë nevojë aspak për “stimulues të jashtëm”, (drogë, alkool, duhan, kumar), që të pastrohen ose të qetësohen, sepse ato janë të pastra e të qeta nga lidhja që kanë me Krijuesin e vet.
Sa më shumë që të forcohet besimi, aq më shumë rritet pastërtia e zemrës dhe qetësia e ndërgjegjes së besimtarit. Dhe në këtë mënyrë njeriu besimtar lëviz drejt njohjes sa më të plotë të vetvetes dhe të botës në të cilën jeton, drejt realizimit sa më të plotë të obligimit që ka në këtë botë si krijesë e zgjedhur, dhe drejt fitores finale – fitimit të statusit të banorit të përhershëm të parajsës (xhenetit). Dhe nuk ka fitore më të madhe se sa kjo për njeriun. Pra, gjithsesi, ky është ai suksesi i garantuar i njeriut, sepse atë ia ka premtuar vetë Allahu Fuqiplotë, i Cili nuk e thyen kurrë premtimin e Vet.