NËNË TEREZA VENDIMI FINAL - 3

Sa më shumë Nënë Tereza shtyhej në moshë, e vërteta bëhej gjithmonë e më shumë diçka e çuditshme për të. Ajo i frynte operacionet dhe aktivitetet e saj shumëfish gjatë fjalimeve që mbante me gazetarë dhe mbështetës të saj. Shpesh pohimet e saj nuk do të kishin fare lidhje me realitetin në asnjë rrethanë. Shumë herë, ajo është shfaqur në televizion, duke treguar rrëfenja të gjata rreth punës së saj. Ajo dredhoi madje edhe në fjalimin e marrjes së çmimit Nobel.

            Gazetarët nuk guxonin ti vinin në pikëpyetje gjërat që thoshte ajo. Ndoshta edhe ajo vetë arrinte të besonte atë që thoshte. Në qoftë se rrethohesh nga njerëz, që në mënyrë të vazhdueshme të mësojnë të thuash që toka është e sheshtë, atëherë sensi yt i perceptimit do të çorientohej. Kjo i ndodhi Nënës, plus që ajo me vetëdije, përpiqej të mbishiste veten në mënyrë që të propagandonte përhapjen e fesë së  saj dhe projektet e shfuqizimit të abortit dhe përdorimit të  kontraceptivit artificial në botë.

            Ajo tregonte shumë nga ato që disa njerëz i quajnë “gënjeshtra të bardha”. Këto janë gënjeshtra të padëmshme, por që nuk i shkonin asaj për shtat dhe as nuk e nderonin. Tracey Leonard, infermierja katolike, e cila ndërmerrte sezone të gjata si vullnetare në Kalkuta, përshkruan një incident në librin e saj, ku Nënë Tereza takoi nënën e saj (të Tracey Leonard) në Australi, përpara se të kishte pasur rastin ta takonte vetë murgeshën në Kalkuta (pa dyshim që s’mund ta takonte sepse Nëna zor se gjendej në qytetin e saj të dashur): 

Ajo (nëna ime) e takoi Nënë Terezën dhe i tha asaj që unë po punoja në Kalkuta. Nëna miratoi me kokë dhe tha, “Po e njoh atë.” Sigurisht kjo përgjigje e bëri nënën time të ndihej më mirë, edhe pse kjo gjë nuk ishte e vërtetë. Edhe shenjtoret e gjalla thonë gënjeshtra të bardha me raste!1 

            Ky mund të ishte një pohim i një politikani të parëndësishëm, i etur për të lënë përshtypje. Nënë Tereza ishte gjithmonë e mprehtë, e papërtueshme në mënyrë që t`i bënte përshtypje gazetarëve dhe mbështetësve të saj. Ajo nuk e vriste shumë mendjen për të varfërit, sidomos për ata të Indisë.

            John Unger, një herë e një kohë, president i Këshillit Ndërkombëtar të Zhvillimit të Tregtisë, në Virgjinian Perëndimore, punoi si vullnetar në Kalkuta në vitin 1990. Një ditë Ungeri e shoqëroi  Nënë Terezën në një vend, ku iu paraqit një grua me beben e saj dhe i tha murgeshës: “Nënë, në fshatin tim kanë rënë sëmundje vdekjeprurëse. A mund të na ndihmosh? Nënë Tereza ia largoi krahët dhe i tha se ajo nuk mund ta ndihmonte; ajo ishte një person i vetëm. Misionaret e bamirësisë, këtë gjë u thonë në mënyrë të vazhdueshme njerëzve, të cilët u paraqiten atyre, por për shkak se kjo u tha në prezencën e një perëndimori me influencë, Nëna duhet të ishte stresuar shumë. Është e qartë se sjellja e saj nuk përputhej me imazhin që ajo kishte ndërtuar. Kështu që ajo, më vonë, i tha Ungerit se u lut për këtë incident tërë natën dhe ai u impresionua shumë .2

            Kush e di, a u lut apo jo Nëna në natën e lagësht të Kalkutës. Edhe në qoftë se po, ajo ndoshta mund ta kishte përdorur më mirë kohën, në qoftë se në të vërtetë, i binte ndër mend për ta, por ajo ishte më shumë e shqetësuar në ruajtjen e personalitetit të saj.

            Nëna tregonte për veten shumë rrëfenja të tipit biblik, gjatë gjithë jetës së saj. Këto tregoheshin kohë pas kohe, me qindra herë, në mos me mijëra. E njëjta histori do t’i ritregohej një audience të re, sikur kishte ndodhur “pak ditë më parë” ose “pak javë më parë”. Veçanërisht, shumë e prekshme ishte historia e një gruaje, e cila u gjend në kanal me krimba që hanin mishin e saj gjithandej përveç fytyrës. Nëna dhe motrat e saj duhet t`i hiqnin me duart e tyre krimbat një nga një. Gruaja vdiq me këto fjalë në gojën e saj “kam jetuar si kafshë, por po vdes si engjëll.” Ka mundësi që historia të jetë e sajuar, pasi engjëjt nuk njihen si qenie hyjnore nga gratë hindu. Pastaj kemi tregimin e Nënës, që tejet e dëshpëruar kërkon fonde për një shtëpi në Londër dhe papritmas kur hap portofolin gjen shumën ekzakte!

Në fjalimin e marrjes së çmimit Nobel, ajo tregoi historinë e “14 profesorëve nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara”, të cilët e vizituan atë në Kalkuta ku një nga ata e pyeti “A jeni e martuar?” A nuk duket e çuditshme, që një profesor amerikan t`i bënte një pyetje të tillë, murgeshës më të famshme në botë. Synimi i citimit të kësaj historie (e vërtetë apo jo qoftë) ishte  që  të jepte një ide të shenjtërisë së saj, e më pas ta mbyllte me një thirrje ndaj Norvegjisë që të shfuqizonte abortin.

Vetëm një histori është kundërshtuar edhe nga vetë Nëna. Ja si shkruan Navin Chawla, një nga biografët e saj të autorizuar:

Njëherë, duke kujtuar jetën e saj, më erdhi ndër mend një histori që kam lexuar për rastin e saj të parë, të ndërhyrjes kirurgjikale në një rrugë të Kalkutës. Sipas historisë, ajo gjeti një burrë, i cili e kishte gishtin e madh të dorës me gangrenë dhe që kishte nevojë për një prerje të shpejtë. Pastaj ajo u lut, mori një palë gërshërë dhe ia preu gishtin. Pacientit menjëherë i ra të fikët, duke u rrëzuar në një anë, ndërsa Nënë Tereza u rrëzua në anën tjetër. Nënë Tereza u përkul  në dysh nga të qeshurit. “Një histori e sajuar” tha ajo, por  sidoqoftë u kënaq plotësisht nga shakaja .3

            Ajo nuk do ta kishte kundërshtuar këtë histori, nëse nuk do e kishte portretizuar si është në realitet larg heroikes.

            Megjithatë këto janë relativisht gënjeshtra të pafajshme dhe të padëmshme, të treguara qoftë nga ajo, qoftë për të.

            Ajo vetë, ishte burimi i keqinformimit serioz dhe të vazhdueshëm. Pa dyshim media e ekzagjeroi dhe shpesh shpiku përralla rreth saj, por shumë shpesh ato buronin nga vetë ajo. Le të marrim, për shembull, komentin e saj që “në katin përdhes të Shishu Bhavan (Jetimorja e saj në Kalkuta) ka pajisje dhe lehtësira gatimi për afërsisht, një mijë njerëz në ditë.”4 Aq janë, por a kanë si qëllim ato gatimin e supës së kuzhinës për të gjithë? Jo. Pavarësisht, nga pohimi i saj, njerëzit normalisht mendojnë se ajo i shërbente publikut një mijë vakte në ditë, në Shishu Bhavan.

            Unë kam harxhuar ditë pa fund, duke filmuar me një kamera, përballë Shishu Bhavanit dhe e di se çfarë ndodhte aty. Supa e kuzhinës, në Shishu Bhavan, ushqente rreth shtatëdhjetë njerëz në ditë dhe gjithashtu, pesë ditë në javë. Totali në ditë është rreth pesëdhjetë vetë në drekë dhe njëzet vetë në darkë, por sistemi bamirës nuk është i lehtë për të varfërit; ato duhet të zotëronin “kartën e ushqimit” si të vetmen mënyrë për të marrë qullin e tyre. Megjithatë duhet pranuar se gjella e natës nuk është për shumë veta dhe unë e di nga shembujt, kur madje edhe për drekë është vënë re mungesa e kartave të gjellës. Supa e kazanit të Nënës serviret nën një regjim shumë strikt, në Prem Daan, në shtëpinë tjetër të saj në Kalkuta. Prodhimi i kartave të ushqimit është i detyruar këtu, sepse Prem Daani ndodhet në mes të lagjes së varfër Dnarapara dhe të gjithë do e synonin atë. Këtu, numri i përfituesve është rreth pesëdhjetë vetë në ditë, pesë ditë në javë, por vetëm një vakt shërbehet në ditë. Unë kam fotografimin e një karte ushqimi, datat e saj, kutitë që i korrespondojnë, të cilat priten nga murgeshat.

            Po tani, si pajiset dikush kartën e ushqimit? Procesi i saj është misterioz, ashtu siç janë edhe shumica e funksioneve të misionareve të bamirësisë. Për ca kohë nuk u lëshuan karta të reja. Në kohën e lëshimit, procedura ishte në përmirësim e sipër dhe na kanë thënë se ato jepeshin vetëm për “më të varfërit”; ka një element të vërtetë në këtë gjë. Megjithatë, pak familje katolike në Dnarapara, të cilat në asnjë mënyrë të mundshme nuk mund të quhen “shumë të varfëra”, kanë marrë karta ushqimi. Shpesh, ato nuk i përdorin këto karta.

            Është në interes të Nënë Terezës së Kalkutës, që gjellët e saj të kuzhinës të ushqejnë trefishin e njerëzve në Nju Jork sesa në Kalkuta. Nënë Tereza nuk ka qenë gjithmonë aq mendjemprehtë dhe dredharake me pretendimet e saj, në lidhje me përfituesit e supës së kuzhinës.

Gjatë viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980, ajo e kishte zakon të pretendonte në mënyrë të çiltër për numrin e të varfërve që ajo ushqente në ditë në Kalkuta; kam frikë se nuk e kam informacionin mbi numrin e të varfërve që ajo ushqente në atë kohë. Prandaj unë u përpoqa ta pyesja atë, por shumë shpejt u bëra konfuz sepse ajo nganjëherë do të ishte duke ushqyer “9000 vetë”, një minutë më vonë “4000 vetë” dhe pastaj përsëri do ta ndryshonte në “7000 vetë”. Kronologjikisht, këto shifra nuk përputhen me njëra tjetrën, sepse të tre shifrat u dhanë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës. Gjithashtu ia vlen të përmendim se pretendimi i saj më modest ishte ai i “lehtësirave të gatimit, për njëmijë vetë në ditë”; ishte ai më i fundit, i bërë në mes të viteve 1990, kur aktivitetet e saj filluan të poshtëroheshin gjithmonë e më tepër.

            Pak pas marrjes së çmimit Nobel, ajo i tregoi mikut dhe biografit të saj, Kathryn: “Vetëm në Kalkuta, ne gatuajmë për shtatë mijë vetë në ditë dhe në qoftë se nuk gatuajmë një ditë të vetme, ata nuk kanë çfarë të hanë.”5 Ky ishte një pretendim grykës, në një kohë që kuzhinat e misionareve të bamirësisë gatuanin për maksimumi, pesëqind vetë në ditë dhe në këtë shifër përfshiheshin edhe armata e panumërt e murgeshave, fillestareve dhe vëllezërve, shumica e të cilëve nuk kanë ndonjë funksion bamirës. Historia e “shtatë mijë vetëve” ishte pjesë e një tregimi relativisht të gjatë, i njëjtë me atë të historisë së “bukës dhe peshkut” të Jezusit. Nëna e ritregoi atë shumë herë, kudo nëpër botë, por asnjëherë në Kalkuta. Ka mundësi që rrëfenja të jetë thirrur si një “mrekulli” gjatë procesit të lumturimit. Një version i kësaj historie në fjalët e vetë asaj, do të ishte si më poshtë: 

Ne dëshmojmë përkujdesjen e butë të Zotit për ne, në njëmijë mënyra të ndryshme. Vetëm në Kalkuta ne gatuajmë për shtatë mijë vetë në ditë. Në qoftë se ne nuk gatuajmë, ata nuk hanë. Një të premte në mëngjes, motra që kujdeset për kuzhinën erdhi tek unë dhe më tha, “Nënë, nuk ka ushqim për të premten dhe të shtunën. Ne duhet tu themi njerëzve se nuk kemi asgjë për t’u dhënë, as sot, as nesër.” Unë u shtanga. Nuk dija çfarë t`i thosha asaj, por në orën nëntë të mëngjesit, qeveria indiane, për arsye të panjohura, mbylli shkollat publike. Atëherë, e gjithë buka e fëmijëve të shkollës na u dërgua ne. Fëmijët tanë, ashtu si edhe shtatë mijë nevojtarët hëngrën bukë, madje edhe më tepër, për dy ditë radhazi. Ata nuk kishin ngrënë kurrë në jetën e tyre kaq shumë bukë. Askush në Kalkuta nuk mundi të gjejë arsyen se pse shkollat u mbyllën, ndërsa unë po. Ishte kujdesi i butë i Zotit. E dija se ishte kujdesi i tij i dashur dhe i butë.”6 

            Gjatë një dekade, përafërsisht ndërmjet viteve 1975-1985, më shumë se një herë Nënë Tereza e ritregoi historinë e qeverisë, që si një mrekulli, i dërgoi asaj bukë me rastin e mbylljes së shkollave; vazhdimi i historisë mbeti i njëjtë, por hyrja do ndryshonte; “Në Kalkuta ne ushqejmë 7 000 vetë në ditë”, ndonjëherë do të ndryshojë në “4 000 vetë”, pastaj përsëri në “7 000 vetë”. Ja sesi në një rast ajo e tregoi përrallën me shifrën “4 000”: “Ne ushqenim 4 000 vetë në ditë dhe këta njerëz nuk do të kishin mundësi të ushqeheshin, po të mos ishin motrat. Mirëpo ne nuk kishim asgjë. Atëherë, në orën nëntë të mëngjesit, të premten.....” etj, vazhdimi do të vijonte me shkollat e qeverisë që u mbyllën papritmas dhe bukën që i erdhi mrekullisht misionareve të bamirësisë. 7

            Në një program të titulluar “Takim me Nënë Terezën”, i regjistruar në vitin 1982 për televizionin skocez, videoja u shpërnda në mbarë qarqet katolike; ajo i tha Ian Gall “Ne furnizojmë me ushqim 7 000 vetë çdo ditë dhe kurrë nuk na është dashur t`i themi jo atyre.......”

            Në një rast “numri i njerëzve të cilët nuk do të ushqeheshin pa ndihmën tonë arriti 9 000 vetë”: “Ju duhet ta dini, se vetëm në Kalkuta ne ushqejmë 9 000 vetë çdo ditë.”8 Ky pretendim shkaktoi momente vështirësie edhe tek vetë Jose Luis Gonzales-Balado, i cili menjëherë shtoi, “Nënë Tereza është nga ato që shumë pak shqetësohen për statistikat. Ajo në mënyrë të përsëritur është shprehur se, e rëndësishme është jo sa shumë është arritur me vepra, por sa shumë dashuri i kushtohet punës”9

            Gjithashtu çështja nuk përfundon këtu, disa vite më vonë i njëjti Gonzales-Balado redaktoi një libër të thënieve të Nënë Terezës, ku ai përmend me fjalët e saj mrekullinë e bukës dhe shkollave si vijon: “Vetëm në Kalkuta ne ushqejmë rreth 10 000 vetë në ditë. Kjo do të thotë se në qoftë se një ditë ne nuk gatuajmë, 1000 vetë nuk do të mund të hanë. Një ditë motra në ngarkim erdhi dhe më tha........ etj.

            Edhe pse ky paragraf është cituar nën emrin e Nënë Terezës dhe libri vetë quhet “Nënë Tereza, me fjalët e mia”, unë gjithsesi, i jap Nënës një përfitim në këtë rast, duke dyshuar se “10 000” ka mundësi të jetë një stisje e Gonzales-Balado pasi Nënë Tereza nuk e pati ritreguar rrëfenjën për një kohë të gjatë. Gjithsesi nuk do kishte fare dyshim se Nënë Tereza do t`i kishte aprovuar këto toleranca me shifrat, sepse e gjitha bëhej për hir të Jezusit. Është interesant fakti që Gonzales-Balado, i cili më parë u zu ngushtë për pretendimin e “9 000 vetëve”, na u trimërua me kalimin e kohës, duke bërë një hap më përpara. Tani e kuptoj pse kulti terezian, pranon si të vërteta biblike çdo lloj çudie që thuhet për Nënë Terezën në nuanca pozitive dhe çdo lloj gjëje të çuditshme që thonë për Kalkutën në nuanca negative. Justifikimi i tyre kryesor “ndaj vetes” në vazhdimin e kësaj loje mashtrimi është se ata nuk e bëjnë këtë për përfitim personal, por për propagandimin e fesë së tyre. Ata gjithashtu besojnë se nëse ti e përsërit me mijëra herë këtë gënjeshtër, ajo do të bëhet e vërtetë ; ata kanë qenë shumë të suksesshëm në arritjen e këtij synimi.

            E kuptoj përse Nënë Tereza dhe makina e saj publicitare ishin të dhënë pas shifrave me “mijëra” kur flitej për të ushqyerin e njerëzve, përveç biznesit të zakonshëm dhe të dukshëm të ekzagjerimit të shifrave, i cili u bë aksioni i tyre në treg; një shifër 200 apo 300 nuk do të ishte dhe aq biblike. Historitë e Nënës janë pothuajse kopje karboni (cc) të historive të Biblës. Tek John 6:9-13, Jezusi ushqehu 5 000 njerëz me bukë dhe peshk. Lluka 9:13-17 na tregon të njëjtën rrëfenjë me Jezusin që ushqehu 5 000 njerëz me pesë bukë dhe dy peshq. Marku (8:9) na tregon një histori të ngjashme, por paksa ndryshe, duke na dhënë një shifër me 4 000 vetë.

            Ndryshimi në shifra, siç paraqitet në Bibël, vjen për shkak se historia tregohet nga apostuj ose dishepuj të ndryshëm; rrjedhimisht pritet një farë variacioni. Gjithashtu, i njëjti incident nuk përshkruhet gjithmonë, mesa jam në dijeni. Mund të supozohet se Nënë Tereza, me vetëdije imitonte Jezusin dhe rrjedhimisht stiste shifrat biblike. Ato nuk ka mundësi që të shpikeshin njëherazi rastësisht.

            Unë nuk mendoj se Jezusi do ishte aq jo modest sa të tregonte histori madhëruese për veten e tij. Mirëpo, ndryshimi më i madh ndërmjet rrëfenjave të Nënë Terezës dhe atyre të dishepujve është se, ato të sajat janë puro fantazi (në qoftë se supozojmë, për hir të lexuesve që besojnë në kuptimin e drejtpërdrejtë të Biblës, se ndodhitë e saj ishin të vërteta). Gjatë viteve 1970-1980, kuzhinat e supës të Nënë Terezës në Kalkuta ushqenin jo më tepër se 150 vetë në ditë (6 ditë në javë); në të vërtetë numri total i njerëzve të ushqyer çdo ditë nga kuzhinat e misionareve të bamirësisë në atë periudhë ishte jo më tepër se 500 vetë. Kjo shifër përfshin edhe murgeshat, fillestaret dhe vëllezërit e panumërt, shumica e të cilëve nuk kanë funksion bamirësie.

            Shifra “5 000” e josh në mënyrë të veçantë Nënë Terezën, pa dyshim për shkak të konotacionit të saj biblik. Një herë ajo tha, “Sot ndodhet një shkollë moderne (në lagjen e varfër Motijheel) me mbi 5 000 fëmijë në të10. Kjo thënie është publikuar në një libër, në vitin 1986. Më parë, në vitet 1969-1970, ajo i pat treguar Malcolm Muggeridges “...... në qoftë se ne nuk do i kishim shkollat tona në lagje të varfëra, ne do të ishim pa gjë, ato janë veçse disa shkolla të vogla fillore ku ne i mësojmë fëmijëve ta duan shkollën dhe të jenë të pastër, etj; në qoftë se ne nuk do i kishim këto shkolla të vogla, ata fëmijë, ata mijëra fëmijë do të mbeteshin në rrugë11.

            Në vitet 1969-1970, shkollat fillore të Nënë Terezës ofronin ushqim për jo më shumë se për 200 vetë (një rrumbullakim shumë zemërgjerë në Kalkuta). Shifra nuk është shtuar as në ditët e sotme. Gjithsesi unë jam i përgatitur të anashkaloj ata “mijëra fëmijë” si një shifër fjalimesh – shenjtorët gjithashtu gabojnë ashtu sikurse të gjithë. Mirëpo, “5000 fëmijët” ishte një gënjeshtër e llogaritur, sidomos sepse shkolla në Motijheel ka më pak se 100 nxënës. Nuk mendoj se ka ndonjë shkollë në botë që ofron ushqim për 5 000 fëmijë nga një vendndodhje e vetme; Kalkuta sigurisht është jashtë kësaj bote.

            Shkolla më e madhe në Indi “Calcuta`s South Point”, shkolla që kam studiuar edhe vetë, e cila me 11 000 studentë (kuota pagues), njëkohësisht ishte shkolla më e madhe në botë, por ajo ka 6 vendndodhje. Më e madhja në kopshtet Mandeville është shtatë kate dhe ofron ushqim për 3 000 nxënës;  po të flasim në shifra, hapësirat e saj janë të pakrahasueshme me ato të shkollës më të madhe në Kalkuta.

            Konotacioni biblik ose jo, unë nuk mendoj se ajo u bë një shenjtore e gjallë, që të kthejë shifrën “100” në “mbi 5 000”.

            Gjatë dy javëve të para, pas vdekjes së Nënës, turma gazetarësh vendas dhe të huaj i binin kryq e tërthor lagjes së varfër të Motijheelit për histori dhe kujtime, pasi në fund të fundit, kjo ishte lagjja e varfër me e famshme në botë; ajo që krijoi mitin e  Nënë Terezës së Kalkutës. Dy gazetarë nga Ananda Bazaar Patrika, folën me Paltan Royn, një rezident prej kohësh në Matijheel. Royi ishte i mërzitur për vdekjen e Nënës por tha, “Po të kthehemi prapa, në vitet 1950, për disa kohë  këtu kanë qenë dy shkolla, por njëra nga ato u mbyll shpejt. Unë kam dëgjuar se Nënë Tereza ka bërë kaq shumë për gjithë botën, por shkolla jonë këtu, ka mbetur ekzaktësisht njësoj; e njëjta strukturë njëkatëshe. A nuk mundej Nënë Tereza t`i shtonte një kat më tepër? 12

            Nënë Tereza shpesh thoshte se murgeshat e saj, “i merrnin” njerëzit nga rrugët në Kalkuta. Nëse ajo e thoshte një herë, më pas e përsëriste 1000 herë. Ajo e tha këtë në fjalimin e marrjes së çmimit Nobel; “Ne kemi një shtëpi për të varfërit që janë duke vdekur, në Kalkuta, ku ne kemi marrë nga rruga më shumë se 36 000 vetë dhe kjo vetëm në Kalkuta. Nga kjo shifër e madhe, më shumë se 18 000 vetë kanë shijuar një vdekje të bukur. Ata thjesht kanë shkuar në shtëpinë e Zotit”. “Numri i madh” i Nënës ishte gabim, por për më tepër “marrja” e njerëzve nga rruga është totalisht e sajuar. Në qoftë se e kërkonte situata, Nëna e bënte akoma më pikante: “Mbase, nëse unë nuk do ta kisha marrë pikërisht atë person nga rruga, nuk do të kisha marrë as mijëra të tjerë. Ne duhet të mendojmë për secilin. Unë mendoj për njërin, për tjetrin....13. Në një rast tjetër ajo tha, “Ato (vullnetaret nga Perëndimi) mbledhin të gjithë llojet e njerëzve për ne, ato e bëjnë këtë gjë me shumë dashuri.”14 Mbase burimi kryesor i zhgënjimit të vullnetarëve kur ata arrinin të punonin me misionaret e bamirësisë së Kalkutës, madje që përpara se të fillonin punë – është kur kuptonin se nuk do të ishin pjesë e një skuadre engjëllore, e cila do të pastronte rrugët e Kalkutës, duke mbledhur me kujdes turmat e njerëzve që hasnin duke ecur. Unë di shembuj kur vullnetarë shumë të rinj, duke shpërfillur njoftimin zyrtar, kanë paguar taksi dhe kanë ecur përgjatë rrugëve duke kërkuar njerëz për t`i sjellë në shtëpitë e Nënë Terezës.

            E vërteta e hidhur është se organizata e Nënë Terezës, nuk grumbullon njerëz nga rrugët e Kalkutës; as lypsarët, as lebrosët, as nevojtarët, as të varfërit e më të varfërve, të cilët ajo i donte aq shumë; madje ato as nuk denjojnë të marrin bebet dhe fëmijët e këtyre njerëzve. Ato zotërojnë burime për t`i larguar nevojtarët nga rruga, por nuk i përdorin ato.

            Unë e kuptoj që kjo gjë e godet drejt e në zemër të imazhit botëror të misionareve të bamirësisë sepse imazhi i përhershëm i organizatës është ai i murgeshave të thjeshta që ndalojnë të marrin të dëshpëruarit nga rrugët e Kalkutës.

            Nuk është e vërtetë që ato nuk ofrojnë fare shërbim “ndihme” për nevojtarët e rrugëve të Kalkutës; ato e bëjnë këtë gjë në Romë, kur mbrëmjeve disa murgesha të hipura në mikrobusë dalin rrugëve të Romës për të mbledhur nevojtarët dhe prostitutat. Në fillim, ato i bëjnë miq ata dhe fitojnë besimin e tyre, përpara se t`i ftojnë për të ngrënë dhe për të fjetur; zakonisht një ditë më pas. Në fakt, është një akt shumë fisnik, por një gjë e tillë nuk ndodh në Kalkuta. Një herë kur isha duke pritur përballë shtëpisë më të madhe të Nënë Terezës në sheshin “San Gregorio al Celio” të Romës, një ambulancë erdhi duke sjellë një burrë nga spitali. Ai nuk kishte vend tjetër ku të shkonte pasi trajtimi i tij mjekësor përfundoi, kështu që ai qëndroi në shtëpinë e Nënë Terezës; kjo gjë nuk ndodh në Kalkuta, sepse, ndryshe nga Roma, nuk ekziston një organizim i tillë midis misionareve të bamirësisë dhe spitaleve në Kalkuta.

            Edhe pse lajkat e romanëve për Nënë Terezën ishin disi në shkallën sipërore, nuk mund t`i fajësojë ata kur thonë se, përderisa Nëna bënte kaq shumë punë në Romë, imagjinoni sa shumë më tepër punë duhej të bënte ajo në Kalkuta.

            Misionaret e bamirësisë në Kalkuta zotërojnë një njësi të vogël “ambulancash”, shumica e të cilave të dhuruara nga bizneset dhe individët. Këto automjete, janë lyer si ambulanca dhe janë pajisur me sinjal ndriçues të kuq; ato janë të përjashtuara nga rregullat e trafikut. Mirëpo, funksioni i tyre kryesor ose i vetëm është shërbimi si taksi për murgeshat. Në kohën time, unë nuk kam parë kurrë një “ambulancë: të transportojë një pacient apo një nevojtar. Në të vërtetë, shumica e tyre nuk mund të mbanin një barelë sepse shinat e tyre ishin hequr nga vendi. Ndenjëset anash ambulancës janë zëvendësuar me kanape, të porositura enkas për t'u ulur murgeshat. Në 21 gusht të vitit 1996, unë pashë diçka të jashtëzakonshme, megjithëse sipas standardeve të misionareve të bamirësisë, ajo ishte një ambulancë e dhuruar nga Federal Express (Indi). Ambulanca ishte e mbushur me pula, të cilat po dërgoheshin në shtëpinë e Nënë Terezës për murgeshat me rastin e gostisë vjetore që do të shtrohej të nesërmen! Unë kam një foto të këtij spektakli të çuditshëm. Vegjetarianët, prej lexuesve të këtij libri do të gëzohen kur të mësojnë që pulave u ishte zgjatur jeta sepse gostia u anulua, për shkak të një sëmundje serioze të Nënë Terezës.

            Unë jam i ndërgjegjshëm, që shumë lexues nuk do të binden plotësisht se murgeshat e Nënë Terezës nuk i merrnin njerëzit nga rrugët e Kalkutës për t`i ndihmuar; të thuash se ato nuk e kryenin këtë funksion vital, që është në qendër të imazhit të tyre është sikur të thuash se Papa (ose Nënë Tereza) nuk është katolik.

            Megjithatë, unë kam regjistruar shumë biseda telefonike me misionaret e bamirësisë, në shtëpinë e tyre me famë botërore, në lidhje me të vdekurit në Kalighat të Kalkutës. Këto bisedime u regjistruan të gjitha gjatë viteve 1995-1996. Këtu më poshtë do të gjeni një bisedë tipike: 

Unë (duke pretenduar se jam një qytetar i shqetësuar): A është shtëpia e Nënë Terezës (në bengalisht)? 

Murgesha: Të lutem fol në anglisht... ose në gjuhën indiane. 

Unë: Është një burrë (disa herë e bëja atë grua), i cili është shtrirë përpara kolegjit Ashutosh; ai është shumë i sëmurë. Gati është duke vdekur. (Kolegji Ashutosh gjendet shumë afër me shtëpinë e Nënë Terezës; në fakt disa hapa larg).

Murgesha: Po, ne kemi krevat, telefonojini ambulancës së shërbimit të bashkisë. Ata do ta sjellin atë tek ne. 

Unë: Po, ... por linja është e zënë. Kam kohë që po i telefonoj. 

Murgesha: Ata janë gjithmonë të zënë. Ju duhet t`i telefononi vazhdimisht në numrin 102. 

Unë: A nuk mund të dërgoni ju një ambulancë? Ai nuk është shumë larg nga ju.       

Murgesha: Ne nuk dërgojmë ambulanca. Ne përdorim ambulancat e shërbimit të bashkisë 

Unë: A nuk mund ta ndihmosh atë këtë herë? 

Murgesha: Shiko, të kam thënë. NE NUK KEMI AMBULANCA. (toni i zërit ngrihet ndërsa humori dalëngadalë bie. Në këtë pikë, murgesha do ta mbyllte telefonin).

            Midis lexuesve, ka nga ata që kanë vizituar shtëpinë e Nënë Terezës për të varfërit që janë duke vdekur në Kalkuta, të cilët do të kujtojnë “ambulancën” që qëndron gati, përballë derës. Pamja e saj i ngjan një automjeti të mirëfilltë emergjence, e cila shkon për të shoqëruar të sëmurin dhe të vdekurin. Ajo sidoqoftë qëndron pa punë tërë ditën deri në 03:45 pas dreke, kohë në të cilën vjen në jetë për pak kohë; e lë shtëpinë e Nënë Terezës me një turmë murgeshash; kthehet pas pak orësh me një grumbull të ri murgeshash. Puna e saj ditore përfundon këtu. Një nga fansat më të mëdhenj të Nënë Terezës, ish guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, ishte një pasagjer i rregullt i ambulancave të Nënë Terezës. Gjatë qëndrimit të tij të kufizuar tek shtëpia e Nënës, për të varfërit që janë duke vdekur: “Çdo ditë në orën gjashtë të pasdrekes (më parë ambulanca nisej më herët) unë do të hipja në ambulancë bashkë me një gjysmë duzinë murgeshash e disa vullnetare dhe do të ktheheshim tek shtëpia e Nënës, për lutjen gjysëm orëshe dhe thëniet pas saj. Nënë Tereza ishte gjithmonë atje (në shtëpinë e Nënës). 15

            Lexuesit e interesuar mund të dëshirojnë të sigurojnë një kopje të gazetës “The Telegraph”, një nga të përditshmet angleze e publikuar në Kalkuta, e cila jep një listë të shërbimeve të ambulancave në qytet, si ato pa pagesë, ashtu edhe ato me pagesë. Misionaret e bamirësisë nuk figurojnë në këtë listë. Murgeshat më të vjetra aty nuk e marrin mundimin të udhëtojnë me murgeshat e tjera me ambulancën mini-bus; ato marrin një taksi. Unë kam fotografi të panumërta të murgeshave në taksi. Një udhëtim i shkurtër me taksi në Kalkuta kushton Rs 50- aq sa për të blerë 10 kile oriz gruri të papërpunuar.

            Dikush mund të mendojë se unë po merrem me detaje të vogla, duke folur për udhëtimet e murgeshave; a ka vërtet rëndësi nëse ato udhëtojnë me taksi? Në fund të fundit ato i kanë disa lukse të çmuara në jetë. Pamja e murgeshave në taksi nuk do të më kishte mërzitur mua aspak, po të mos kisha lexuar e rilexuar për mjetet e tyre “të varfëra dhe modeste” të udhëtimit. Autorët kanë prodhuar një imazh biblik si ai i Jezusit dhe dishepujve të tij duke u çapitur në tokën e shenjtë. Linja zyrtare e mënyrës së transportit jepet nga Chawla në biografinë e autorizuar të Nënës: “Motrat udhëtojnë siç udhëtojnë edhe të varfërit. Ato zakonisht ecin, ose në qoftë se distanca është e largët, përdorin transportin publik.16

            Keqpërdorimi i ambulancave është natyrisht, një çështje më vete sepse ato mund të përdoreshin për të përmirësuar shërbimet publike dhe shëndetësore në krizë të qytetit. Në vend që t`i kërkonte shërbimit bashkiak të Kalkutës t`i pajiste me ambulanca, Nënë Tereza do t`i vinte burimet e saj në ndihmë të qytetarëve, të cilëve nuk ju mungonin paratë. Gjithashtu, më shqetëson fakti që makinat e dhuruara nga individë dhe biznese të keqpërdoren në këtë mënyrë. Pyes veten, në qoftë se Dr.Sinha, një doktor Kalkutas, i cili i dhuroi një ambulancë Nënë Terezës në kujtim të prindërve të tij, është në dijeni të faktit se makina rrallë është përdorur për funksionin që ai kishte si synim.

            Imazhi i rreptësisë ekstreme dhe “modestisë” të murgeshave siç përshkruhej nga Nënë Tereza dhe biografët e saj nuk është aspak i vërtetë. Thuhej që murgeshat as nuk ia kishin idenë sesi ngjanin dyqanet nga brenda, kaq të palidhura me këtë botë janë ato. Murgeshat e Nënës, janë parë shpesh herë duke bërë shoping në “New Market” të Kalkutës; një konglomerat dyqanesh të shekullit të 19 me një sipërfaqe 2 km x 2 në qendër të qytetit. Unë kam fotografi të murgeshave, duke blerë kozmetikët bazë në New Market. Në 27 dhjetor të vitit 1997, unë fotografova disa murgesha që blinin shalle kashmiri të shtrenjtë, në një dyqan (nr. G56) i quajtur “këndi i Kashmirit”. Gjatë viteve të fundit murgeshat janë parë në zonën shumë popullore të shopingut në Garihat, në jug të Kalkutës; zonë e qytetit, ku ato më përpara nuk kishin guxuar kurrë të shkonin.

            Unë kam trokitur shumë herë në derën e shtëpisë së Nënë Terezës për të varfërit që janë duke vdekur në Kalkutë dhe shumë shpesh, ashpërsisht, më është thënë nga murgeshat në anën tjetër të flas vetëm anglisht, pasi gjithmonë flisja në gjuhën bengali dhe indiane. Në një bashkëbisedim, në 7 tetor të vitit 1996, unë fillova të flisja në gjuhën bengali por shumë shpejt e kuptova që në anën tjetër ishte një boshllëk total, kështu që thashë një fjalë në gjuhën indiane dhe si përgjigje e saj, m'u tha ashpërsisht “fol në anglisht”.

            Është një fakt i njohur, se shumica e murgeshave të Nënë Terezës së Kalkutës, nuk mund të flasin dhe të kuptojnë as bazat e gjuhës bengali, gjuhës së Kalkutës; disa prej tyre, duke qenë nga Bihari, flasin gjuhën e Indisë veriore që flitet nga shumica e indianëve. Kjo ndodh sepse pjesa dërrmuese e murgeshave (rreth 70 % e tyre) janë punësuar nga India jugore, e cila ka një popullsi të madhe kristiane dhe të cilët flasin anglishten si një gjuhë kombëtare, paralelisht me gjuhët e tyre amtare si kannada, tamil, teluga ose malayalam. Unë nuk kam takuar kurrë ndonjë “të varfër të më të varfërve” në Kalkuta, që të dijë qoftë një apo dy fjalë në anglisht. Në Indinë e madhe, jam i sigurt se ka pak njerëz të krishterë në atë kategori, të cilët flasin anglisht; ndoshta në Indinë jugore ose në Goa; por ata duhet të jenë shumë të rrallë në të vërtetë. Kjo ndodh sepse komunitetet krisitiane relativisht kompakte të Indisë, kanë burime të mjaftueshme për të përkrahur anëtarët e tyre më të dobët.

            Kjo ngre pyetjen – Si komunikonin murgeshat e Nënë Terezës me të varfërit në Kalkuta?

- Ato nuk komunikonin. Ato nuk kishin nevojë, pasi nuk dilnin në rrugë apo në lagjet e varfëra, që të pyesnin për nevojat e të varfërve. Problemet mbeteshin brenda shtëpive ku nevojat e banorëve duhet të zgjidheshin. Këtu puna bëhej në anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, finlandisht, etj. nga njëra anë dhe gjeste nga ana tjetër. Puna në shtëpinë e Nënë Terezës në Kalkuta bëhet e tëra nga vullnetarët që vinin nga e gjithë bota. Ata japin maksimumin e tyre dhe disa vetë e bëjnë në të vërtetë këtë gjë, por shumë nga ata më kanë treguar se sa pengesë e madhe krijonte për ta mosdija e gjuhës së vendasve; sigurisht janë disa që flasin nga dy fjalë në bengali dhe hindi dhe pretendojnë se flasin rrjedhshëm gjuhën “indiane”.

            Nuk kërkohet nga murgeshat e misionareve të bamirësisë të mësojnë gjuhën vendase, pasi gjuha e tyre zyrtare është anglishtja dhe njohuria e anglishtes që lejon të kuptuarit konkret të Biblës konsiderohet e mjaftueshme; ato gjithashtu, lëvizin shumë nga një cep i botës, në tjetrin dhe kështu të mësuarit e një gjuhe vendase nuk do ia vlente. Sidoqoftë, a nuk është e arsyeshme që të presësh prej murgeshave të Kalkutës të kenë njohuri fillestare të bengalishtes? Nuk është e arsyeshme që ta bësh këtë një kërkesë të organizatës sepse ato që punojnë në Kalkuta, e mësojnë pak a shumë bengalishten e përditshme; fundja ishte Kalkuta që i solli atë lavdi Nënë Terezës dhe kishës së saj. Duke u kthyer mbrapsht në vitin 1969, Nëna ka vënë si rregull se gratë dhe burrat që “kishin dëshirë t`i bashkoheshin (urdhrit të saj) duhet të mësonin –sidomos gjuhën e njerëzve të cilëve do t'u shërbenin.” Mirëpo ato ishin kohëra kur Nënë Tereza ishte një murgeshë e sinqertë dhe jo popullore duke bërë më të mirën e saj me burime të kufizuara, përpara se t`i lejonte vetes që të thithej nga sulmi i publicitetit.  Me kalimin e viteve nuk pati ndonjë përpjekje për t`i bërë murgeshat të mësojnë gjuhën e njerëzve që supozohet t'u shërbejnë, të paktën jo në Afrikë dhe në Indi.

            Nënë Tereza vetë nuk e fliste rrjedhshëm bengalishten! Kjo mund të duket diçka shumë e çuditshme pas 70 vitesh në Kalkuta, por për mua nuk është surprizë. Ajo ishte e rrethuar nga europianë, anglo-indianë dhe kristianë të Indisë jugore, kishte një theks të shquar ballkanas dhe bengalishtja e saj ishte shumë fillestare, por pompoze. Gjithmonë mbante gjendje fraza si “Unë do të lutem për ty”, “vuajtjet ju afrojnë me Jezu Krishtin” etj. Ajo mundej, në qoftë se dëshironte, t`ja hidhte me bengalishten e saj të strukturuar dhe gramatikisht korrekte, por rrallë përpiqej.

            Po pretendimi i biografëve të saj sipas të cilëve, ajo u kishte mësuar alfabetin e bengalishtes, fëmijëve të lagjes së varfër Motijheel, të Kalkutës në vitet 1940, kur ajo kishte nisur jetën e saj si një shpëtimtare e të varfërve? Kjo përrallë është treguar me mijëra herë. Unë po ju jap një ilustrim tipik të Franka Zamboninit,  një gazetare dhe mike e ngushtë e Nënë Terezës:

            Projekti i parë i saj ishte një shkollë,  dhe jo rastësisht, ajo kishte qenë mësuese për rreth 20 vjet. Ajo shkoi në Motijheel, lagjia e njerëzve të varfër, përbri murit të shkollës. Ajo mblodhi disa fëmijë së bashku në një vend bosh, të rrethuar nga kashta e kasolleve të të varfërve. Atje nuk kishte  tavolina, tabela shënimi dhe shkumësa. Më ndihmën e një njeriu që rrinte kot aty afër, ajo pastroi tokën nga barërat dhe duke përdorur një shkop shkroi gërmat e alfabetit të bengalishtes në tokë. Ajo e përfundoi mësimin e saj duke recituar një poezi dhe duke u lutur. Ditën tjetër, dikush i solli asaj një tavolinë dhe një stol......17.

               Ky tregim, si tregimet e Musait, i cili merrte urdhrat e gdhendur në gur, nuk ka baza për shumë arsye, pjesërisht sepse banorët e lagjes së varfër Motijheel, janë kryesisht myslimanë Bihari dhe nuk flasin bengalisht; gjuha e tyre është urdishtja ose hinduishtja. Sot, ekziston një shkollë fillore në Motijheel, që administrohet nga shteti dhe gjuha e mësimit është urdishtja. Edhe sikur, për hatër të argumentit, ne pranojmë se Nënë Tereza e Kalkutës i mësoi në të vërtetë fëmijët në bengalisht,  më e habitshmja është se ajo kurrë nuk shkroi diçka në këtë gjuhë gjatë 45 viteve të jetës së saj.  Ajo shkroi një numër të madh letrash dhe mesazhe në anglisht, kryesisht të shkruar me dorë, me shkarravitje, shumica e të cilave ishin vënë në kornizë nga admiruesit  e saj (duke përfshirë edhe ata në Kalkuta) dhe shumë të tjera të riprodhuara në libra të shkruar për të. Por asnjë letër apo mesazh nuk është shkruar në bengalisht.

            Pas disa vitesh,  në një ankand në Nottingham, një letër  e shkruar nga Nënë Tereza me pak fjalë, u shit për 120 sterlina. 18 Unë jam gati  të paguaj shumë më tepër për një letër  të tillë të shkruar në bengalisht.

            “Numri i madh” i Nënës, i cili është numri i njerëzve që ajo ka referuar në fjalimin e saj gjatë marrjes së çmimit Nobel për njerëzit e “mbledhur” nga rrugët e Kalkutës, nuk është i saktë,  nëse bëhet një shqyrtim i hollësishëm. Më poshtë  gjendet  një listë e kohës dhe e vendit të referimeve të ndryshme, dhe numri për çdo rast që ajo ka referuar për njerëzit “e  mbledhur” nga rruga.

 Koha dhe vendi            Numri i personave që pretendohet “të jenë marrë nga rruga”

 Dhjetor 1979, Oslo.                                                                 36,000

(fjalimi i marrjes së çmimit Nobel)

Shtator 1978, Katedralja Freiburg                                            36,000 19

Breisgau, Gjermani.

(Mbajtje fjalimi si e ftuar speciale në

konferencën e peshkopëve katolikë gjermanë)

Shkurt 1973, Sidnei.                                                                 36,000 20

(Konferenca Popullimi dhe Ekologjia)

 Shkurt 1973, Melburn                                                  27,000 21

Nëse unë pyes se cili është numri i njerëzve që ajo ka marrë nga rrugët e Kalkutës, kam frikë se më duhet të dal me një hamendje. Sigurisht numri është i parëndësishëm sepse ajo zor se “mblodhi nga rruga” ndonjë njeri. Duke lënë mënjanë këtë detaj të vogël, nëse unë pyetem për të dhënë një shifër sesa pranime të reja ka bërë urdhri i saj në shtëpinë për njerëzit që janë duke vdekur në Kalkuta çdo vit, unë do të dal me një shifër rreth  500 -700 vetë.

            Pavarësisht nga miti i “marrjes” rregullisht të njerëzve nga rruga, keqinformimi tjetër serioz, që ajo përhapi në fjalimin gjatë marrjes së çmimit Nobel ishte rreth numrit të bebeve të lindura, si pasojë e programit të saj të kontraceptimit natyral. Ajo pretendoi se kanë lindur 61273 fëmijë më pak se gjatë viteve e mëparshme në Kalkuta, për shkak të kontraceptimit natyral që ajo kishte promovuar tek të varfërit. Kjo shifër ishte një shpikje e qartë. Ajo gjithashtu tha se po shpërndante termometra fertiliteti dhe temperature për të varfërit. Një gënjeshtër e qartë, por edhe sikur të mos ishte, asnjë nga mijëra gazetarë që ishin të pranishëm nuk kishin kurajë të pyesnin se sa banorë të lagjeve të varfëra mund të lexojnë në anglisht. Ajo gjithashtu tha se “ditën tjetër” një nga të varfërit erdhi për ta falënderuar atë për mësimin e dëlirësisë dhe “vetëkontrollit nga dashuria për njëri tjetrin.” – E pamundur!

            Numri 61273 u bë 134000 22 në qershor të vitit 1981, në Washington D.C. Në vitin 1982, gjatë intervistës me Ian Gall për televizionin skocez, kur Z.Gall e mbërtheu atë me pyetje në lidhje me pikëpamjet e saj mbi ndalimin artificial të mbetjes shtatzënë dhe kundërshtimin e saj absolut të abortit, ajo doli me një gënjeshtër monstruoze: “Në 10 vitet e fundit, ne kishim 1 milion bebe më pak në Kalkuta (për shkak të metodës time).” Gënjeshtra e la pa fjalë z. Gall si për kënaqësinë e saj.

            Nënë Tereza nuk kishte kurajën gandiane të të përmbajturit ndaj mosbesimit popullor. Ajo mund edhe të kishte thënë -OK, ju mund të mos pëlqeni ose të mos besoni kontraceptimin natyral, por ju më lejoni ta them këtë gjë. Mirëpo ajo duhet të gënjente për ta bërë veten popullore dhe të pranueshme.

            Nënë Tereza ka thënë shpesh se braktisja e familjes është varfëria më e madhe – “varfëria e dashurisë”. Në fjalimin e saj gjatë marrjes së çmimit Nobel, ajo foli rreth saj gjatë: “Ajo varfëri vjen drejt e në shtëpinë tonë, si neglizhim për dashuri. Mbase në familjen tonë ne kemi dikë, i cili ndihet i vetmuar, i sëmurë, i mërzitur dhe këto janë ditë të vështira për secilin. A jemi ne atje? A jemi ne atje për t`i pritur ata?”

            Si rrjedhim, duket e çuditshme që ajo mori një pozicion ndëshkues kundër këtyre njerëzve të varfër, të cilët kërkonin ndihmën e saj, por që kishin familjet e tyre, sado të largët apo të varfër që ishin. Në vlerësimin e misionareve të bamirësisë, këto njerëz, të cilët mund të jenë veçanërisht të varfër dhe në nevojë, nuk janë edhe “aq të këputur”.

            Unë kam këtu përmbledhjen e tre bashkëbisedimeve telefonike me shtëpinë e të varfërve që janë duke vdekur, të cilat janë regjistruar në 16 qershor 1995 dhe 3 tetor 1996. 

Unë: Unë kam një grua me vete afër Kinema Purno, e cila është duke vdekur (kjo ndodhet pranë shtëpisë së Nënës për të varfërit që janë duke vdekur). A mund të dërgoni një ambulancë?

Murgesha: Ne nuk dërgojmë ambulancë. Kontaktoni shërbimin e bashkisë së Kalkutës. Ku ndodhet gruaja?

Unë: Ajo është në shtëpinë time. 

Murgesha: Përse ndodhet ajo në shtëpinë tuaj? 

Unë: Por.... ajo është nga një fis i largët. 

Murgesha: MË VJEN KEQ. NE NUK MARRIM RASTET FAMILJARE. AJO NUK MUND TË VIJË KËTU (zëri bëhet i rëndë dhe i irrituar). 

Unë: Por ajo nuk ka shtëpi dhe është e varfër. Unë vetë nuk kam burime për t'u kujdesur për të. 

Murgesha: Nuk ka rëndësi. Ky është rregulli ynë, ne NUK marrim raste familjare. 

Unë: Por... nuk do ta konsideronit? 

Murgesha: Unë po ju them, ne NUK marrim raste familjare edhe nëse ajo është e varfër apo jo. 

Unë: Por, nëse unë bëj një pagesë të vogël? 

Murgesha: Ne nuk kemi atë sistem. Ne nuk mund t`ju ndihmojmë. (Në këtë moment, ajo zakonisht e mbyll telefonin). 

   Sistemi i të mos pasurit të bësh asgjë me dikë që është duke vdekur ose duke vuajtur, por që ka një njeri të familjes është një nga principet themelore të misionareve të bamirësisë. Ky rregull është formuluar nga vetë Nënë Tereza shumë vite më parë. Admiruesit e Nënë Terezës do të më tregonin mua sesi kjo gjë pajtohet me deklaratën e saj..., “Në shtëpinë tuaj ju keni një Krisht të uritur, të zhveshur dhe të pastrehë. A jeni të aftë ju ta njihni atë në shtëpitë tuaja? A e kuptoni nëse ai është mirë mes jush?” Edhe sikur ndonjë nga ne, më pak të vdekshmit, do të arrinte ta njihte Krishtin e përvuajtur në shtëpinë e tij dhe të përpiqej ta sillte atë nën kujdesin e Nënë Terezës, e cila është mikesha e tij e fundit, vuajtjet e tij do të vinin vetëm nga mospranimi. Qysh nga vdekja e Nënës, rregulli i “rasteve familjare” është zbutur disi në Kalkuta.

            Shumë herë, kur unë i kam telefonuar shtëpisë për njerëzit që janë duke vdekur në Kalkuta, pyetja e parë që më bëhej ishte se nëse po interesohesha për ndonjë të afërm. Nëse murgesha në anën tjetër nuk kënaqej, ajo nuk do ta vazhdonte bashkëbisedimin. Në Romë, nga ana tjetër, të varfërit nuk pyeteshin nëse ata janë një “rast familjar”; ata duhet të ishin të padëshiruar dhe vetëm ajo do të mjaftonte për ta.

            Nënë Tereza ka qenë zakonisht ekonomike me besimin e saj, në gjysmën e shekullit kur flitej për aktivitetet e saj. Gazetarët dhe autorët me ose pa interes, kanë marrë shpesh sugjerime nga ajo, kur krijonin përralla fantastike bamirësie. Mirëpo unë mendoj se kur bëhet fjalë për gjëra të paqena, ishte Nënë Tereza ajo që i drejtonte ata. Trillimet e lavdisë, të prodhuara në emër të Nënës kanë pasur bekimet e saj.  “Gazetarët mund  të bëjnë punën e Zotit” ishte një nga thëniet e saj të preferuara.

            Libri i Audrey Constant mbi jetën e saj, i shkruar për fëmijë, është një nga dorëshkrimet që ajo personalisht e ka korrigjuar dhe e ka pajisur me shënime. Vetë autori e ka thënë këtë gjë në komunikimin personal: “I trishtuar, unë akoma nuk e kam takuar atë (Nënë Terezën). Kur e shkrova historinë (të cilën e bëra me ndihmën e motrave të bamirësisë) vetë Nënë Tereza bëri ndryshime me dorëshkrim, duke shkruar në një kopje të librit dhe ma dërgoi. Unë do ta ruaj atë gjithmonë.” 23

            Ky libër ka disa pretendime të çuditshme, rreth funksioneve bamirëse të misionareve duke përfshirë atë që ato kanë “122 klinikat e lebrosëve”. Në Kalkuta ata kanë një klinikë për lebrosët, jashtë në natyrë dhe që hapet një herë në javë – pjesëmarrja mesatare është rreth 60 vetë. Libri gjithashtu, e përshkruan Kalkutën si një qytet të mbipopulluar nga lebrosët dhe se duhet ndërtuar një kishë e veçantë për ta: “Ata kanë kishën e tyre.” 25 Në fakt  një kishë e tillë nuk ekziston.

            Në vitin 1979, Nënë Tereza i shkroi një letër të famshme Morarji Desait, kur ai ishte (për pak kohë) kryeministër i Indisë.  Në letrën e saj, Nëna e qortoi rreptë Z. Desai që nuk kishte shfuqizuar abortin dhe vazhdoi duke thënë “Vetëm në Kalkuta ne kemi 102 qendra ku familjeve u është mësuar vetë-kontrolli nga dashuria.”26;  që do të thotë, qendra të planifikimit familjar natyral.

            Çfarë mund të ketë dashur ajo të thotë me “102 qendrat”. Unë jam menduar shumë gjatë dhe shumë thellë, por nuk e kam kuptuar thelbin e kësaj thënie, veçanërisht duke pasur parasysh që urdhri i saj nuk ka as edhe një qendër të tillë. A mund të ketë dashur të thotë se ajo ka pasur këshillues të tillë..., por qendra?

            Përmbajtja e këtij pretendimi të habit – pasi ajo po i shkruante kryeministrit, edhe pse është i pranueshëm fakti, që ai ishte shumë herë më pak i famshëm se ajo.

            Nuk më vjen si surprizë kur miku i Nënë Terezës, prifti i Kalkutës Eduard Le Joly, pas 13 vjetësh, jep shumën totale të qendrave të saj të planifikimit familjar në shifrën  “69”.27 Asnjëra prej tyre nuk përmendet që të jetë në Kalkuta.

            Unë kam mbetur i habitur nga shifra e Nënë Terezës prej “102” qendrat e planifikimit familjar, por jam i shqetësuar nga ajo që ka thënë në një mbledhje të “bashkëpunëtorëve” (njerëz të fuqishëm nga e gjithë bota që mbledhin fonde) në Londër, në 13 korrik të vitit 1977. Ajo tha “Ne shpenzojmë 20.000 Rs në një javë vetëm për ushqim për 59 qendrat që kemi në Kalkuta.”28 Kjo nuk ishte thjesht një rrëshqitje gjuhe, pasi “59” qendrat përsëriten në këtë mënyrë: “Ato (motrat) lëvizin në të gjithë qytetin (vetëm në Kalkuta ne kemi 59 qendra, shtëpia për të varfërit që janë duke vdekur është vetëm një prej tyre).

            Në vitin 1977, Nënë Tereza kishte 4 qendra në Kalkuta, ndërsa aktualisht urdhri i saj ka 8 qendra, pa numëruar 3 manastiret e grave në qytet. Kështu që çfarë të themi për “59 qendrat” e saj? Një mëkatari si unë, i duhet  një masë e madhe liçense shenjtërore. Në mënyrë alternative, kjo mund të përshkruhet edhe si simptoma e psikozës, ose “Pseudologica Fantastika”, nëse do të përdorim një term të shekullit të XIX për ta përshkuar rrëfimin e përrallave fantastike. Pa dyshim, disa do ta përmblidhnin si një britmë të qartë.

            Siç e di e gjithë bota, Nënë Tereza ishte mbrojtësja e fundit e të varfërve, veçanërisht në Kalkuta. Ajo deklaronte në emër të të varfërve të Kalkutës si për shembull: “Ne merremi me mijëra e mijëra të varfër në Kalkuta. Siç mund ta dini, në këtë qytet jetojnë mbi 10 milion njerëz, por deri tani nuk jam në dijeni të ndonjë gruaje midis të varfërve që të ketë abortuar.”30 Ajo e ka thënë këtë gjë mjaft shpesh gjatë jetës së saj. Me fjalë të tjera,  Nëna po kthehej përsëri në temën e saj të vjetër, ‘Ne kemi gjithmonë vend për një fëmijë tjetër. M'i sillni mua të gjithë fëmijët që ju nuk dëshironi.”

            Unë jam i habitur nga deklarata e Nënë Terezës se asnjë grua beqare, midis “shumë të varfërve” në Kalkuta, nuk ka abortuar. Në Kalkuta, një milion e gjysmë njerëz jetojnë nën nivelin e varfërisë. Edhe nëse e marrim këtë në konsideratë, do kishim një raport të ulët femër-mashkull, për shkak të natyrës migruese të popullsisë. Do ishin rreth gjysmë milioni gra “shumë të varfëra” dhe shumica e tyre do të ishin në një moshë që lindin. A dëshironte Nënë Tereza që të besonim se ajo furnizonte me ushqim 400.000 shtatzëna ose gra shtatzëna potenciale si edhe fëmijët e tyre në Kalkuta, kur urdhri i saj nuk ka asnjë shtëpi materniteti apo njësi për nënat dhe fëmijët e tyre? Mua më kanë thënë se shumë vite më parë, ajo mbante një ambient të vogël për nënat dhe bebet e tyre, por është e sigurt se aktualisht, ai ambient nuk ekziston më.

            Një numër i vogël grash në Kalkuta, të cilat kanë ndërmend të abortojnë janë bindur nga misionaret e bamirësisë për të mos abortuar dhe për të vazhduar shtatzëninë e tyre. Këto gra janë vizituar më pas, disa herë si paciente, nga shoqata e grave mjeke në spitalin e Indisë (AMWI), një maternitet shtetëror, i cili ka gjasa të ketë lidhje të afërta me Nënë Terezën. Historikisht, administrimi i spitalit dhe misionaret e bamirësisë kanë pasur një lidhje të ngushtë. Spitali ka 30 shtretër dhe shumë prej tyre janë të zënë nga “gratë e Nënë Terezës”. Këto gra janë marrë nën përkujdesje, derisa të dalin nga spitali dhe fëmijët e tyre, që i kanë lindur merren gjithashtu, nën përkujdesje nga misionaret e bamirësisë; të gjithë ata fëmijë janë birësuar. Pra, siç edhe duket, misionaret e bamirësisë nuk bëjnë ndonjë gjë të madhe për mbajtjen e “grave të Nënë Terezës”, edhe pse dihet që ato i çojnë atyre ushqim herë pas here.

Kur Nënë Tereza tha se ajo nuk ishte në dijeni të “qoftë edhe një gruaje midis më të varfërave në Kalkuta, e cila ka abortuar”, a ishte ajo e çorientuar me qëllim, apo ishte e keqinformuar në të vërtetë? Cili mund ta thotë që ajo e ka cituar popullsinë e Kalkutës saktësisht, gjë e cila është e habitshme, meqenëse dihej se ajo nuk e kishte idenë rreth këtyre çështjeve. Kështu që unë mund të supozoj se ajo kishte disa ide rreth sjelljes së grave “më të varfëra” indiane ndaj shtatzënive të padëshiruara.

Ka mundësi që ajo e ka bërë me vetëdije deklaratën çorientuese; mbase ajo ishte vënë në pozitë shumë të vështirë, për të thënë të vërtetën se gratë në Kalkuta, duke përfshirë edhe gratë “më të varfëra” të qytetit, të cilat nga bota mbarë shiheshin si spektatore të saj, ishin veçanërisht indiferente ndaj abortit. Duke mundësuar heqjen dorë nga aborti, të mijëra grave në të gjithë botën, mbase ajo e konsideronte si një dështim personal mossuksesin e saj në Kalkuta; a është kjo rruga për t’u marrë me dështimet e perceptuara?

            Gjatë vitit të punës si një zyrtar i ri në Spitalet Universitare të Kalkutës,  unë kam asistuar personalisht, në shumë aborte dhe një numër i madh i tyre kryheshin nga “gratë më të varfëra”. Në qoftë se unë nga një pjesë e caktuar e lexuesve, shihem si ndonjë lloj djalli i pazakontë në qytetin e Nënë Terezës, më lini të vë në dukje se secili nga ne e ka bërë këtë, përfshirë edhe myslimanët; përveç vajzës së vetme katolike-romane.

            Thënia e saj “Më sillni të gjithë fëmijët që nuk i dëshironi” është një nga citimet e panumërta të Nënës në lidhje me aktivitetet e saj në Kalkuta, gjë e cila ka një të vërtetë të vogël brenda saj. Megjithatë, fëmijët duhet të jenë plotësisht të padëshiruar. Për të ilustruar këtë gjë, unë do t`ju tregoj eksperiencën time të fundit në jetimoren e Nënës në Kalkuta, të quajtur Shishu Bhavan. E gjithë ngjarja është regjistruar në video.

            Në 30 gusht të vitit 1996, rreth orës 5 mbas dite, unë gjeta një rrëmujë të vogël përballë hyrjes së Shishu Bhavan, ku një grua “shumë e varfër”, Noor Xhihan (emri i ndryshuar me kërkesën e saj) po qante me dënesë. Ajo kishte me vete dy fëmijët e saj, të dyja vajza, e vogla ishte 10 muajshe ndërsa e madhja ishte rreth 2 vjeç. Vajza e vogël 10 muajshe vuante nga diarreja dhe ishe e sëmurë; vajza 2 vjeçare ishte e ushqyer keq dhe ishte shtrirë në rrugë duke bërtitur.

            Unë e pyeta Noor Xhihanin sesi e kishte hallin. Ajo më tha se ishte nxjerrë jashtë nga shtëpia e saj (ajo kishte jetuar në një lagje të varfër afër Kalkutës) nga i shoqi dhunues një natë më parë dhe kishte ardhur në Shishu Bhavan rreth orën 10 pasdite duke shpresuar se do të gjente pak ndihmë për fëmijët e saj. Portieri e kishte lënë të hynte dhe ajo ishte lejuar të flinte në oborr; ata i kishin dhënë madje, një çarçaf për fëmijët e saj. Megjithatë në orën 5 paradite, ajo ishte nxjerrë jashtë në rrugë me një filxhan çaj në dorë. Që atëherë, ajo po kërkonte të hynte, në mënyrë që fëmijët e saj të hanin diçka dhe të flinin diku.

            Lutjet me ngulm për ndihmë të Noor Xhihanit nuk u mirëpritën nga murgeshat; dhe dera qëndroi e mbyllur para fytyrës së saj. Të qarat e fëmijës së uritur ishin shpërfillur. Shitësit lokal patën mëshirë për atë grua dhe i dhanë çaj dhe bukë; dikush i solli pak qumësht për fëmijët. Që nga koha që unë arrita në orën 5 mbas dite, një grumbull i vogël njerëzish ishin mbledhur dhe ishin revoltuar ndaj murgeshave. Mbas shumë goditjeve të zhurmshme, një murgeshë u duk në derë. Unë e pyeta atë se përse ato nuk dëshironin t`i jepnin gruas dhe fëmijëve të saj pak ushqim dhe strehim për atë natë vetëm. Murgesha tha se ato mund ta bënin atë gjë, por vetëm mbasi kjo grua t`i autorizonte misionareve të bamirësisë të drejtat e plota ndaj fëmijës së saj. Me fjalë të tjera, duhej firmosur “formulari i heqjes dorë” ose në këtë rast, të vulosej me gishtin e majtë të Noor Xhihanit. Më pas, fëmijët do të birësoheshin, në kohën e duhur, nga një familje e mirë katolike në Perëndim (kjo e fundit është supozimi im; murgesha nuk e tha atë gjë).

            Noor Xhihani u bë histerike kur ju përmend “firmosja” për fëmijët e saj dhe i tha murgeshës se çfarë mendonte për të, gjë e cila ishte e pashpjegueshme dhe e papërshtatshme. Rreth orës 7 mbas dite, Noor Xhihani largohet nga Shishu Bhavan duke u zhdukur në errësirën e pasigurt të Kalkutës për t’u kthyer, ka mundësi, tek i shoqi i saj dhunues. 

            Ajo u largua jo shumë e hidhëruar; pasi si një grua e varfër në Indi, asaj i kishin përplasur derën në fytyrë edhe më parë. Ajo e dinte se i pasuri dhe i fuqishmi e ka refuzuar gjithmonë të varfërin. Ajo e dinte që ekzistenca e fëmijëve të saj ishte marrë në duar të tjetër kujt. Megjithatë, ajo nuk e kuptonte dot sesi bota e përmendte çdo herë Nënë Terezën kur thoshte: “Ka gjithmonë një dhomë për një fëmijë tjetër në shtëpinë time.”

            Kur Noor Xhihani dhe shitësit, po thërrisnin me të madhe murgeshat pranë derës së mbyllur të jetimores, një grua perëndimore, e cila dukej si vullnetare, po hecte në trotuar dhe trokiti në derë që ta hapnin atë. Unë e vura në pozitë të vështirë dhe e pyeta: “Duke marrë parasysh imazhin dhe financat e Nënë Terezës, a ishte i pranueshëm ky lloj trajtimi i një gruaje të varfër me fëmijë dhe se a duhej t`i kërkohej një gruaje pa ndihmë të hiqte dorë nga të drejtat e fëmijëve të saj?” Unë i kërkova asaj ta linin atë grua të hynte dhe të ushqente fëmijët e saj. Këtu ajo u irritua dhe më tha se unë po e fyeja, kur në fakt duhet t`i isha mirënjohës që ajo grua ishte në vendin tim për të ndihmuar të varfërit. Unë i thashë se i isha mirënjohës, por po vija në dyshim mizorinë e qartë të Nënë Terezës dhe e krahasoja atë me pohimet e saj. Ajo u irritua më tepër dhe menjëherë u largua nga ne. Unë e luta të mos kthehej përsëri në Indi për të ndihmuar “popullin tim”. Mbas dy vjetësh unë e kuptova se gruaja në fjalë ishte Ana Ganza, një kanadeze-kroate, e cila më vonë do të shkruante një gjysëm biografi të autorizuar të Nënë Terezës, të quajtur “Udhëtimi i shpresës”. Pas botimit të librit të saj, unë i shkrova Ganzës duke e kujtuar për incidentin (e regjistruar) të ndodhur jashtë Shishu Bhavan dhe duke i kërkuar mendimet dhe komentet e saj për këtë ngjarje. Ajo nuk më ktheu kurrë një përgjigje.

            Shtrembërime të qarta të fakteve në fjalimet apo deklaratat e Nënë Terezës ishin evidente gjatë dekadës 1975-1985. Pas mesit të viteve 1980, ajo bëhet më dinake në metodat e saj, ndërkohë që media bënte pjesën më të madhe të punës së saj.

            Për shembull, kur ajo erdhi në Londër në prill të vitit 1988, gazetarët iu ngjitën nga pas. Për dy net rresht, ajo i mori ata për shëtitje përgjatë “qytetit të karton-të të Londrës” sidomos nën urën e Waterlusë. Duke e bërë median të dridhet nga devotshmëria e saj ajo deklaroi:

            “Ka shumë më tepër vuajtje tani, besoj, shumë më tepër vetmi, vetmia e dhimbshme e njerëzve të refuzuar nga shoqëria, të cilët nuk kanë askënd që të përkujdeset për ta. Më lëndoi aq shumë fakti tek shikoja njerëzit tanë në të ftohtin e tmerrshëm, të rrethuar vetëm me kartonë. Unë nuk dija çfarë të thosha, sytë e mi ishin mbushur me lot. Ja tek ishte ky njeri shtrirë atje duke e mbrojtur veten nga të ftohtët, i pastrehë dhe i pashpresë. Ai shikoi lart dhe tha: “Që prej shumë kohësh nuk kisha ndjerë ngrohtësinë e një dore humane.”31

            Performanca e saj ishte e pagabueshme dhe çdokush u prek, madje edhe publiku britanik, i cili normalisht është skeptik. Mirëpo, Nënë Tereza asnjëherë nuk e bëri të qartë në media se cili ishte qëllimi i saj i veçantë i këtij udhëtimi në Londër – ai ishte për të bërë presion mbi kryeministren Thatcher dhe për të mbështetur faturën e David Altonit në mënyrë që të pakësohej kufiri kohor i abortit nga 24 deri në 18 javë (braktisja plotësisht e abortit nuk ishte në agjendë). Media me siguri nuk e dinte se udhëtimi i saj u sponsorizua dhe u mbështet nga lobi kundra abortit.

            Takimi i saj me Margeret Thatcher dhe nisja nga Westminster me një makinë, të cilës i jepte Z. Alton (MP i vetëm kundra abortit në Britani), nuk mund të mbahej sekret normalisht, por përsëri ajo i tha gazetarëve se i kishte thënë Thatcher, “Më jep një shtëpi ose unë do t`i sjell të gjithë ata (të pastrehët) në hollin e madh”32, duke ju referuar hollit të madh të Westminsterit. Kjo ishte gjithçka që ajo tha për mediat, pasi doli nga takimi, përveç përkufizimit si një takim “i mrekullueshëm”, duke devijuar nga termi i saj i zakonshëm “i bukur”.

            Z. Alton, nga ana tjetër, foli në mënyrë krejt kategorike për axhendën specifike kundër abortit në takim, duke thënë: “Ne e dimë se përfshirja e saj në një nivel shumë personal në këtë moment kritik do të jetë një faktor shumë deçiziv”33 (nuk ishte ashtu).

            Atëherë, pse Nënë Tereza shkoi deri në këtë pikë për të kamufluar qëllimin e vërtetë të udhëtimit të saj? Sepse ajo e dinte se aborti nuk ishte një çështje pikante në shoqërinë britanike dhe gjëja më e rëndësishme është se pjesa më e madhe e popullsisë britanike gjithmonë nuk e ka favorizuar abortin. Ajo ndoshta do e kishte larguar publikun britanik, nëse do të vazhdonte të fliste me fjalët e mëdha të helmëta kundër abortit. Tema e të pastrehëve ishte një litar emocional më i sigurt për t’u tërhequr, veçanërisht pasi “qyteti i kartonët” ishte atë kohë një çështje sociale gjithmonë e më e diskutueshme.

            Nënë Tereza mesa duket jo gjithmonë ishte kaq e ndrojtur për qëndrimin e saj kundër abortit; vetëm gjashtë vjet më parë, në gusht të vitit 1983, ajo pati shkuar në Irlandë për t’u bashkuar me kryeministrin irlandez të asaj kohe, Charles Haughey, në zhvillimin e fushatës kundër abortit. Kësaj here nuk kishte shëtitje në mesnatë midis të pastrehëve të Dublinit, mes të cilëve nuk kishte mungesë ushqimi; ajo e dinte se nuk kishte nevojë për to, pasi popullsia irlandeze në atë kohë ishte tërësisht kundër abortit.

            Për sa më përket mua, mendoj se një grua fetare si Nënë Tereza, duhet të ketë më shumë forca bindëse. Është për të ardhur keq që një person kaq i dashur, i ndershëm dhe i besueshëm nga bota do të përdorte mjete të tilla loje.

            Nënë Tereza shpesh është cituar të ketë thënë se “Ne varemi vetëm nga Zoti. Ne nuk pranojmë financime qeveritare, ne nuk pranojmë donacione të kishës....”34. Në intervistën e saj me televizionin skocez, ajo bëri të njëjtin pretendim.

            Në fakt, kjo ishte një deklaratë shumë e pabesueshme. 95% apo më tepër e ndërtesave të misionareve të bamirësisë janë dhuruar ose nga qeveri ose nga kisha katolike. Tashmë është bërë pjesë e folklorit, mënyra sesi ajo mori shtëpinë e parë të saj dhe më të famshme nga Korporata e Kalkutës, e cituar shumë herë në biografi të ndryshme:

            “Të njëjtën ditë, unë shkova në bashki dhe kërkova një shtëpi. I thashë se doja vetëm një vend ku t`i sillja këta njerëz dhe çdo gjë tjetër e bëja vetë. Zyrtari i korporatës së Kalkutës më solli në këtë vend, pjesë e tempullit Kali dhe tha: “Ky është vendi i vetëm që mund të të jap”. Unë i thashë se ky ishte vendi ideal.”

            Për sa jam në dijeni, në vitet e para, korporata e Kalkutës jepte edhe një sasi të vogël parash për çdo banor të trajtuar në shtëpi. Prandaj, shtëpia quhej “KORPORATA E KALKUTËS: NIRMAL HRIDAY” dhe një këshill i vogël drejtues me të njëjtin emër (të shkruar në të dy gjuhët, anglisht dhe bengalisht) dhe të varur përpara derës, besoj deri në fillim të viteve 1970. Këshilli drejtues shfaqet në filmin e Muggeridges dhe gjithashtu në fotografitë e shtëpisë, të cilat janë ribotuar në shumë libra mbi Nënë Terezën, si për shembull në librin e Gorée dhe Barbierit, të botuar fillimisht në vitin 1971 (dhe akoma botohet).

            Në të vërtetë, këshilli drejtues ekziston akoma; ai ndodhet aty poshtë në një vend të futur të vogël, pikërisht brenda derës kryesore në anë të majtë. Ai tani është padyshim një njësi koleksionuese.

                                    Kathryn Spink pranon në librin e saj: “Ata (korporata) i dhuruan asaj, përkohësisht, një shumë të hollash mujore dhe përdorimin e konvikteve të pelegrinëve, bashkangjitur tempullit Kali.”35

            Shtëpia e Nënë Terezës në Dum Dum, afër aeroportit të Kalkutës është ndërtuar gjithashtu në një tokë të dhuruar nga qeveria e Bengalit Perëndimor; vendi ka qenë një kamp refugjatësh (misionaret e bamirësisë administronin një nga kampet e vogla në atë kohë), gjatë luftës me Bangladeshin në vitin 1971. Mbas përfundimit të luftës, qeveria e lejoi Nënë Terezën të mbante tokën; ndërtesa ishte dhuruar nga një fondacion katolik, e cila tregohet edhe në një pllakë mermeri brenda në shtëpi. Nëna gjithashtu, kontribuoi me disa lekë që mori nga çmimi “John Kennedy”, duke e emërtuar: “Qendra Nirmala Kennedy”. 

            Megjithatë, një nga shtëpitë e reja të Nënë Terezës, në Kalkuta, në Tangra, nuk ndodhet në një tokë të dhuruar nga qeveria, ajo e ka marrë me qira atë tokë nga qeveria. Sipas Le Joly: “.....qeveria i ka dhënë asaj një pronë shumë të madhe me qira, në shumën 1 rupi (gjysmë cent) në vit. Tani ajo e ka me qira, por do ta bëjë të vetën. Sipas fjalëve të saj, “Është më mirë që pronësia e tokës të qëndrojë me të zotët e saj” ka thënë Nëna, gjithmonë me sens praktik, “sepse në qoftë se rrugët kanë nevojë për riparim, këtë gjë duhet ta bëjnë të zotët e tyre, meqenëse është prona e tyre.”36 Të gjitha shumë të mira, por ndërtesa më e madhe në këtë pronë nuk ka funksione bamirësie, por është qendër rezidence për vëllezërit trajnues. Ky është një shembull tjetër sesi shteti i Bengalit Perëndimor ose qyteti i Kalkutës është duke subvencionuar misionaret e bamirësisë dhe aktivitetet e tyre fetare.

            Shtëpia më e re e urdhrit në Kalkuta, në rrugën Nimtala Ghat, ndodhet në një ndërtesë të dhuruar nga familja lokale Sanganeria. Megjithëse ndërtesa ishte dhuruar në vitin 1988, shtëpia u bë e banueshme në vitin 1998,  pas vdekjes së Nënës.

            Kur ka gënjeshtra, ka edhe gabime, siç ndodhi në librin e Muggeridge “Diçka e bukur për Zotin”,  në faqen 32, Muggeridge thotë, “... ajo kurrë nuk ka pranuar ndonjë dhuratë nga qeveria në lidhje me punën e saj sociale”, vetëm për të cituar atë, në faqen 103, “Ne po përpiqemi të ndërtojmë një qytezë paqeje në tokën, të cilën qeveria na e dha disa vite më parë, një tokë prej 34 akra.”

            Në fakt, Nënë Tereza vetë e bëri një gabim të ngjashëm. Në janar të vitit 1992, në një fjalim të filmuar me kamera (që është shpërndarë gjerësisht) drejtuar stafit në klinikën Scripps në Kaliforni, ajo tha; “Ne nuk pranojmë dhurata nga qeveria, ne nuk i kërkojmë kishës për mirëmbajtje, ne varemi komplet nga Zoti.” Mirëpo, gjatë të njëjtit fjalim për rreth 20 minuta më vonë, ajo thotë, “Me ndihmën e qeverisë, ne jemi duke krijuar qendra rehabilitimi për ata (lebrosët). Qeveria më ka dhënë mua tokë, ndërsa unë blej materiale ndërtimi dhe i paguaj ata që të ndërtojnë shtëpitë e tyre....” Unë nuk besoj se Nënë Tereza t`i ketë dhënë lekë ndonjë të varfëri apo nevojtari, kjo gjë bie ndesh me principet e saj. Mirëpo, deklarata e saj shkoi mirë me audiencën.

            Në qershor të vitit 1997, Nënë Tereza i kërkoi kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Giulianit, t`i japë asaj një ndërtesë, kështu që ajo të kishte mundësi të zgjeronte shtëpinë e saj kundër Sidës (pa dyshim një kërkesë e merituar), dhe, ajo kërkoi leje për parking falas për murgeshat e saj, gjë e cila ju dha menjëherë.

            Nëse unë parashtroj një listë të të gjitha ndërtesave të misionareve të bamirësisë që janë dhuruar nga qeveritë dhe kisha, del se ekziston një traktat në marrjen e tyre. Ndërtesa e parë e tyre, ku Nënë Tereza ndodhet tani, është blerë me fonde të dhuruara nga kryepeshkopi i Kalkutës; ajo u ble me një çmim të mirë në vitin 1951 sepse pronari i saj mysliman po largohej me nxitim nga India mbas ndarjes së nën-kontinentit: “Shifra më e madhe që ai (kryepeshkopi) mund të propozonte ishte më pak sesa vlera e tokës, në të cilën ishte ndërtuar shtëpia; por për fat, oferta ishte pranuar.”37

            Dy nga ndërtesat e tjera të saj në Kalkuta, njëra pranë stacionit hekurudhor Sealdah dhe tjetra në rrugën e shtrenjtë Park, janë dhuruar nga kisha. Asnjë nga këto ndërtesa nuk ka funksion bamirës. Në pjesë të ndryshme të Indisë, si në Agra, shtëpitë e Nënës ndodhen brenda kompleksit të kishave katolike. Në Shtetet e Bashkuara, kisha i ka dhënë asaj prona. Shtëpia e saj për pacientët me Sida, në fshatin Greenwich të Nju Jorkut (rruga 657 Washington), është në selinë e dikurshme administrative të kishës presbiteriane. Në Itali, pothuajse të gjitha aktivitetet e saj zhvillohen në shtëpitë e kishave dhe shumë prej tyre nuk kishin funksione bamirëse. Manastiri i saj i murgeshave, në Kaliari të Sardenjës është pranë një kishe dhe kur unë e vizitova atë në dhjetor të vitit 1996, e gjeta strukturën e saj të rinovuar nga qeveria, e cila vështronte mbas ndërtesave historike. Akoma njerëzit do të vazhdojnë të besojnë në citimin e saj “Ne nuk pranojmë dhurata nga qeveria, ne nuk pranojmë dhurata nga kisha...” sepse kjo gjë është thënë nga njeriu më i shenjtë i kohërave tona. Ajo ishte një temë e rëndësishme në disa prej nekrologjive të saj.

            Ajo tha në kishën Carmelite në Dublin në vitin 1979, « Motrat dalin jashtë natën për të punuar, për të mbledhur njerëzit nga rrugët…. »38. Por ato nuk e bëjnë një gjë të tillë. Deklarata të tilla janë shumë të pavërteta dhe gjithashtu një humbje që i adresohet atyre. Motrat largohen nga puna herët, rreth orës 8 të darkës, edhe një tërmet i madh nuk do t`i tundte ato për të lëvizur – të paktën jo në Kalkuta. Unë kam shumë biseda telefonike të regjistruara kur po përpiqesha që dikush të pranohej në shtëpinë e të varfërve që janë duke vdekur në Kalkuta, në mes të natës, dhe motrat insistonin që unë ta sillja atë person në orën 9 të mëngjesit të nesërmen. (Unë nuk po them se, nëse do të paraqitesha në derë me personin, ai do të kthehej mbrapsht.) Në fakt, deri disa vite më parë, shtëpia për njerëzit që janë duke vdekur nuk kishte madje asnjë murgeshë që të qëndronte natën – ndërtesa lihej në mëshirën e pastruesve. Vetëm mbas shqetësimit të madh të disa vullnetarëve, Nëna ra dakord për të siguruar dy murgesha që të qëndronin natën.

            Unë nuk mund të them se Nënë Tereza ishte vazhdimisht zemërgur dhe kishte keqpërfaqësuar aktivitetet e saj bamirëse; kohë pas kohe ajo shqetësohej jashtëzakonisht, veçanërisht me njerëz që ishin afër saj, në mënyrë që të mund të përfaqësohej me një vepër të jashtëzakonshme bamirësie. Kur, për shembull, Eduard Le Joly, dëshironte të ishte i pari që të shkruante një libër për Nënën, ajo shpërtheu : 

“Bëje atë, bëje atë. Ne jemi keqkuptuar, ne jemi keq përfaqësuar, ne jemi keq referuar. Ne nuk jemi murgesha, ne nuk jemi doktorë, ne jemi mësuese, ne nuk jemi punonjëse sociale. Ne jemi fetare, ne jemi fetare, ne jemi fetare.” 34 

            Kjo nuk  është hera e parë që ajo bën një deklaratë të tillë. Ajo çfarë ka thënë, ishte një e vërtetë fjalë për fjalë, rreth funksioneve dhe pikëpamjeve të saj, por fatkeqësisht e tillë ishte hija e saj dhe bota vendosi që ajo ta ketë thënë atë, mbasi ajo ishte e përulur dhe zemërmirë. Në mënyrë të parashikueshme, në librin e At Joly`t, mesazhi i saj nuk është i rastësishëm, ai me elokuencë flet rreth funksioneve bamirëse te saj.

            Unë kam harruar sesa herë u kam shkruar misionareve të bamirësisë (shumë shpesh me postë rekomande) duke i kërkuar një intervistë, qoftë me vetë Nënën, qoftë me një nga murgeshat e saj të gradës së lartë, për t`i paraqitur disa shtrembërime të qarta të së vërtetës, të cilat burojnë nga ajo vetë ose nga ndihmëset e saj. Unë nuk e kam marrë kurrë një përgjigje prej saj.

            Në 22 prill të vitit 1996, unë u përpoqa të gjeja biografin e saj të autorizuar, Navin Chawla, në qendrën Nehru në Londër, duke i kërkuar një takim publik, të drejtuar nga Nicholas Wapshot, redaktori i seksionit për revistat të The Times. Unë i bëra disa pyetje Z. Chawla, mbi fryrjen e fakteve dhe shifrave midis realitetit dhe trillimit. Z. Chawla tha se statistikat nuk ishin shumë të rëndësishme, etj. Unë e pyeta se përse numrat dhe shifrat ishin cituar rregullisht nga Nëna, kur statistikat nuk ishin të rëndësishme për të. Ai nuk dha një përgjigje bindëse. Takimi u mbyll disi me nxitim.

            Vetë, Nënë Tereza ishte përgjegjësja kryesore për keqpërfaqësimin e aktiviteteve të saj. Kishte periudha që ajo e pranonte fajin dhe ndiente keqardhje për atë se ajo duhet të ishte në të vërtetë një figure bamirësie, por shumë shpejt, ajo do të zhytej në gjendjen e saj të zakonshme “në qoftë se në Hënë ka të varfër, ne atje do të shkojmë për t`i marrë ata” etj. Në fund të fundit ajo ishte njeri. Unë mendoj se ajo ishte politikania më e suksesshme e historisë, por shërbimi për partinë e saj politike, Vatikanin, ishte vetëmohues.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme