
Është bërë një film për jetën e nënë Terezës, megjithatë ky nuk është filmi i parë që nënë Tereza shfaqet. Ajo është prezantuar në filma të tjerë si nga organizata fetare ashtu dhe jo fetare. Por filmi i fundit, i prodhuar nga Hollywoodi është i ndryshëm nga të tjerët. Ndoshta ky mund të jetë i pari i një serie filmash të tillë. Ky film gjithashtu, është i ndryshëm duke qenë se është një film me metrazh të gjatë dhe në të, rolin e nënë Terezës e luan një aktore mjaft e famshme. Filmi u bë kur nënë Tereza ishte gjallë, gjë e cila e vendos atë në një “klub ekskluziv” meqenëse shumë pak njerëz kanë pasur nderin të kenë një film me metrazh të gjatë për jetën e tyre ndërsa ata janë gjallë dhe aq më tepër që një aktore e famshme të luaj për ata.
Filmi është i veçantë, parë nga një tjetër këndvështrim, ai u xhirua jashtë Kalkutës, madje jashtë Indisë. Filmi u xhirua në Sri Lanka gjatë muajve prill-maj 1997, sidoqoftë pa aprovimin dhe bekimin e nënë Terezës, gjë së cilës do t’i kthehem pak më vonë. Geraldine Chaplin, e cila luan rolin kryesor nuk ka qenë kurrë në Kalkuta, madje asnjë prej të ekipit nuk ka qenë ndonjëherë në Kalkuta. Gati të gjithë personazhet flasin me një theks të fortë ceylonez.
Filmi është një sulm i turpshëm ndaj Kalkutës, në stilin tipik të Dominique Lapierre, i cili shkroi skenarin. Ky katolik i devotshëm francez do që të marr hak kundër qytetit. Nënë Tereza tregohet në film si një engjëll që ecën në rrugët e pështira dhe armiqësore të Kalkutës. Përveç lagjeve të ndyra dhe kanaleve me ujëra të zeza që ajo has gjatë rrugës së saj, njerëzit në qytet shfaqen gati si djaj që vendosin gjithmonë pengesa në rrugët ku ajo kalon. Shirita të tërë me celuloid janë harxhuar duke e treguar atë t’i lutet me duar të kryqëzuara një shefi të policisë, ajo i lutet atij të mos heqin një pirg me plehra nga lagja e pistë Moti Jhil sepse kjo do të bënte që mbledhësit e rreckave të mos kishin mundësi të fitonin bukën e gojës. Pastaj ajo shkon te roja i një spitali publik për t’iu lutur atyre të pranonin për trajtim një grua që po vdiste. Këto dy incidente janë të fabrikuara krejtësisht. Ajo gjithashtu kalon një numër të madh pengesash burokratike të vendosura nga bashkia, qeveria etj.
Pengesat burokratike janë një gjë e vërtetë për njerëzit e thjeshtë në Indi, të cilët përpiqen të bëjnë një punë të mirë, por nënë Tereza kurrë nuk u përball me to, madje as në fillimet e saj. Në të vërtetë, ajo u përball me një kundërshtim të fortë fetar kur u përpoq të hapte një mision katolik (shtëpinë e saj për të varfërit që janë duke vdekur) në një tempull Hindu. Asaj i erdhën menjëherë në ndihmë dy njerëz dhe i ofruan gjithçka duke përfshirë dhe ndihmë financiare; ata ishin ish-kryeministri i Bengalit perëndimor B. C Roy dhe ish -shefi i policisë i asaj kohe në Kalkuta. Qëllimi kryesor i filmit është t’i tregoj hindu-të e Kalkutës në një aspekt mosmirënjohës dhe të poshtër. Tereza tregohet sikur ajo shihet me mosbesim dhe keqtrajtohet në qytet, përkundër punës engjëllore që ajo po bënte. Kjo nuk është e vërtetë, ajo u trajtua me indiferencë, por kurrë nuk u keqtrajtua.
Megjithëse francezi, Lapierre i pëlqen t’i përshkruaj shpëtimtarët e tij të bardhë si amerikanë, pa dyshim ai është një zbulues ndjenjash për Hollywood-in, me qëllim për t’i angazhuar në film.
Këtu shpëtimtari është një farë Harry Harper gazetar amerikan (imagjinar), i luajtur nga William Katt. Ai i ndihmon nënë Terezës të ngrejë një klinikë të lëvizshme. Filmi mbaron krejt papritur kur asaj iu dha çmimi Nobel në vitin 1979.
Tani lind pyetja, përse producentët nuk erdhën në Kalkuta për të xhiruar filmin për nënë Terezën e Kalkutës? Jam i sigurt që njerëzit kudo në botë veçanërisht në Amerikë do të supozonin se Kalkuta nuk është vendi i përshtatshëm që një ekip xhirimi nga Hollywood të shkojë dhe të qëndrojë aty. Në fund të fundit vendi është vetëm se me lagje të varfra e të pista, madje mund të mos ketë as hotel, ujë të rrjedhshëm apo elektricitet. Askush nuk mund të pres që Geraldine Chaplin të shkojë dhe të jetojë në një kasolle. Dhe të mendosh, se xhirimi në Kalkuta mund të mos jetë i mundur, për shkak se rrugën platformës lëvizëse të kamerës e zënë një pirg me trupa njerëzish.
Prodhuesit e Mother Teresa, In The Name of God’s poor (Nënë Tereza, Në Emër të Zotit të të Varfërve) mund të mos jenë njerëzit më të informuar në botë, por ata ishin plotësisht në dijeni që realiteti në Kalkuta nuk korrespondonte me imazhin e Kalkutës. Ata ishin në dijeni të traditave kulturore të Kakutës dhe industrisë së saj të filmit, kjo është pra arsyeja pse ata vendosën ta xhironin filmin e Kalkutës në Sri Lanka.
Kalkuta, sikurse e dini ka një industri filmi aktive. Ajo është e vogël krahasuar me industrinë e madhe komerciale kinematografike të Bombeit (e ashtuquajtura Bollywood), por është një nga qendrat kryesore të botës për filmat e artit. Filmat e prodhuar në Kalkuta kanë sjellë çmime të rrallë, të tillë si The Golden Bear (Ariu i Artë) nga Berlini apo The Golden Lion (Luani i Artë) nga Venecia. Një film i xhiruar vetëm në Kalkuta nga një regjisor i Kalkutës mori ndoshta çmimin më prestigjioz të të gjithë çmimeve, çmimi Special të Jurisë në Kanë. Dhe më e mahnitshmja për Kalkutën; Satyajit Ray ka marrë çmimin e vetëm Oscar të fituar në të gjithë nën kontinentin.
Kultura e filmave të ndryshëm në Kalkutë është e pafat, në zhdukje. Producentët tani gjithmonë e më shumë nuk dëshirojnë të marrin përsipër rreziqe dhe janë gjithmonë e më tepër duke adoptuar “formulën e Bollywood” që i tërheq masat indiane. Megjithatë, qeveria e Bengalit perëndimor ngelet e përkushtuar ndaj prodhimit të filmit dhe në të vërtetë është një prej prodhuesve më të mëdhenj botërorë të filmave të veçantë, jokomercial.
Prodhuesit e Mother Teresa, In The Name of God’s poor ( Nënë Tereza, Në Emër të Zotit të të Varfërv ) ishin në dijeni të gjithë këtyre gjërave. Arsyeja se pse ata xhiruan jashtë Kalkutës është se ata donin ta shfaqnin Kalkutën ashtu si ata dëshironin dhe jo ashtu si është në të vërtetë. Ata e dinin që në Sri Lanka do të mund ta degradonin Kalkutën aq sa të dëshironin dhe pa u ndëshkuar.
Kjo nuk ishte arsyeja e vetme se përse ata e shmangën Kalkutën. Ata nuk donin të poshtëroheshin dhe të përfliteshin njësoj si kolegët e tyre gjashtë vite më parë, gjatë xhirimit të filmit City of Joy ( Qyteti i Gëzimit) kur Hollywood u përpoq të shtrembëronte të vërtetën për Kalkutën brenda në qytetin e Kalkutës.
Hollywood ia arriti të përfundonte projektin për City of Joy në vitin 1991, por vetëm duke marrë njolla dhe duke përdorur pushtetin dhe fuqinë e tij financiare për ta shpënë deri në fund. Përpara se të vinin në Kalkuta, ata prisnin të gjenin një qytet anti –njerëzor, plot me të vdekur apo krijesa që ishin duke dhënë shpirt. Hollywood mori një mësim të ashpër në Kalkuta.
Filmi City of Joy u prodhua nga një libër me të njëjtin titull të autorit Dominique Lapierre. Dominique Lapierre ka pasur një interes të madh për Indinë për disa vite. Ai gjithashtu ka shfaqur interes të jashtëzakonshëm për nënë Terezën, me të cilën ishte i lidhur ngushtë. Gjithashtu ai është i lidhur jashtëzakonisht ngushtë me vetë Papën dhe nivelet më të larta të kishës katolike.
Përpara se ai të shkruante librin e tij City of Joy ( të publikuar në 1985), Lapierre donte të shkruante dhe një film epik në celuloid për nënë Terezën. Projekti mori bekimet e vetë nënë Terezës dhe të Vatikanit. Kjo ndodhi në vitet 1970 - 1980 dhe të entuziazmuar nga suksesi i Gandhi, Hollywood ishte i vendosur të ndërmerrte një film të tillë për Nënë Terezën. Aktorët Edward Fox dhe Martin Sheen (të dy katolikë) ranë dakord për të luajtur në filmin për nënë Terezën; Meryl Streep dhe Jane Fonda u afruan për të luajtur rolet e mëdhenj. Më vonë Jane Fonda e refuzoi rolin. Richard Attenborough, drejtuesi i filmit të Gandhi ra dakord ta drejtonte filmin.
Nënë Tereza gjithmonë ka qenë “e shtrenjta” e Hollywood-it dhe ka pasur lidhje personale me shumë yje. Vetë Martin Sheen përshkruan[1] ta ketë takuar atë në Romë, në vitin 1991, kur ai ishte duke u përpjekur pa sukses të takonte Papën. Nënë Tereza i rregulloi shpejt një takim. Nuk mund të kujtoj që nënë Tereza të ketë ndihmuar ndonjë të varfër të ketë takim privat me Papën.
Përfundimisht i gjithë projekti i filmit epik në celuloid nuk u bë dhe arsyet për këtë ende nuk janë dhënë plotësisht.
Për shkak të zhgënjimit që filmi nuk mund të bëhej, Lapierre shkroi veprën e tij të madhe City of Joy, suksesi i të cilit i kaloi parashikimet e tij më optimiste.
Por Lapierre u shpartallua nga suksesi i filmit të Cecil B DeMille, pjesërisht me fakte dhe pjesërisht imagjinar për jetën e nënë Terezës. Atëherë ai bëri një propozim tjetër dhe ndaj vendosi të luante ndryshe, si fillim të merrte miratimin e vetë shenjtores, atëherë Hollywood me patjetër do të përpiqej ta bënte atë film. Manovra e tij funksionoi, ai ua tregoi skenarin nënë Terezës dhe Papës dhe të dy e aprovuan atë. Papa i mundësoi atij një takim privat për të folur mbi skenarin e filmit, ndërsa Lapierre tha se te Papa ai mori gjithë atë kurajë. Nënë Tereza, e cila njihet normalisht të jetë e ndrojtur ndaj publicitetit, i dha projektit madhështor të Hollywood bekimin e saj me gjithë zemër dhe Lapierre lëshoi këtë deklaratë nga shtëpia e tij në San Trope: “Nënë Tereza më dha mua lejen ekskluzive të shkruaj filmin mbi jetën dhe punën e saj.”[2]
Jo vetëm që doli sheshit se nënë Tereza e kishte kaluar neverinë që ajo kishte për publicitetin, por ajo personalisht i shkroi Rajiv Gandit kur ai ishte kryeministër në vitet 1984-1989, duke i kërkuar leje që filmi për jetën e saj të mund të bëhej (në Indi kërkohet leje për filmat e huaj që xhirohen në këtë vend), megjithëse asnjë kryeministri më parë nuk i ishte kërkuar një gjë e tillë. Duke pasur parasysh marrëdhëniet që nënë Tereza gëzonte me familjen mbretërore jozyrtare të Indisë, t’i jepej një përgjigje e favorshme dhe e shpejtë kërkesës së saj modeste, nuk ishte problem. Nuk është se Lapierre do të kishte refuzuar lejen sipas rregullit normal, por burokracia do e kishte zgjatur procesin në disa muaj.
Lapierre erdhi në Londër në Janari të vitit 1991 për të biseduar me Glenda Jackson rreth rolit kryesor. Glenda Jackson nuk e pëlqeu skenarin, por tha se do ta merrte parasysh ofertën për rolin kryesor nëse skenari do të rishikohej. Por më pas, i gjithë projekti i kësaj sipërmarrje të madhe të Hollywood papritur u kap në befasi.
Lapierre kurrë nuk e ka bërë publike pse projekti ra, gjë e cila është e kuptueshme, sikurse ne e dimë se qenia e tij ishte në rrezik në Kalkuta. Sipas vetë fjalëve të tij: “Një natë, konsulli i përgjithshëm francez më telefonoi dhe më tha që ta lija shpejt banesën time. Shefi i policisë sapo e kishte informuar atë se një demonstratë e madhe do të bëhej mëngjesin tjetër përpara shtëpisë sonë, dhe se “punët mund të shkonin keq.”[3]
Në shkurt të vitit 1991, City of Joy kishte nisur së xhiruari në Kalkuta, dhe sipas fjalëve të Jake Eberts, producentit të filmit: “Gjashtë vitet që u harxhuan për ta sjellë filmin deri në këtë pikë filluan të na duken si piknik, krahasuar me problemet që hasëm në Kalkuta. Ekipi i xhirimit dhe aktorët u përballën me rrëmujë, me hedhjen e shisheve të ndezura me benzinë, protestat e qeverisë, padi ligjore dhe turmat që marshonin nëpër rrugë.”[4]
Jo, banorët e Kalkutës nuk e pranuan degradimin e qytetit të tyre kokulur. Duke e kuptuar se miku i saj Lapierre ishte bërë persona non grata (njeri i padëshiruar) në Kalkuta, për shkak të filmit City of Joy, nënë Tereza menjëherë e tërhoqi pëlqimin e saj për filmin mbi jetën e saj. Arsyeja e dhënë ishte se gjoja ajo krejt papritur kishte zbuluar që filmi do të ishte “tepër komercial”. Kjo duhet të ketë qenë një prej zbulesave të papritura që shpirtrat besimtarë janë të prirur të kenë edhe pse nënë Tereza ka qenë në dijeni për skenarin e filmit disa vite më parë dhe personalisht e ka parë atë.
Nënë Tereza gjithmonë ka qenë e ndjeshme ndaj ndjenjave armiqësore në Kalkuta, dhe i ka luajtur kartat e saj sipas situatës, ajo kurrë nuk ka qenë ndjerë rehat në qytet, kjo është arsyeja pse ajo kurrë nuk ka folur hapur kundër kontraceptivëve dhe rrallë ndonjëherë kundër aborteve. Lapierre kur u pyet pse kaq papritur nënë Tereza tërhoqi pëlqimin e saj për filmin u përgjigj: “Arsyen e vërtetë nuk e di, thjesht është e vështirë për ta kuptuar.”[5]
Asnjë rrëfim për nënë Terezën, për Kalkutën, apo poshtërimet e perëndimit ndaj qytetit, baladën që ka ngritur filmi dhe libri The City of Joy. Për agoninë e qytetit dhe pamundësinë e tij për t’u përballur me makinerinë e fuqishme të propagandës perëndimore dhe të Vatikanit.
Libri do të diskutohet këtu në disa detaje, duke qenë se ai zë një vend kryesor në kultin e gënjeshtrave që është bërë boshti i propagandës të mitit të nënë Terezës.
Lapierre e ka thurur tregimin e tij rreth disa karaktereve reale dhe disa joreale duke dhënë versionin e tij imagjinar të realitetit. Aty ka njerëz real, të tillë si nënë Tereza, e cila shfaqet shpesh por shkurt. Aty shfaqen murgeshat e saj, disa prej të cilave përmenden me emrat e tyre të vërtetë. Dhe aty ka disa pika referimi të rrugëve dhe të shesheve të Kalkutës. Vetëm lagjja e varfër (e cila është qyteti në The City of Joy) shfaqet nën një emër imagjinar, megjithëse Lapierre thotë që është bazuar sipas emrit të lagjes së varfër Pilkhana të Howrah. Megjithëse Lapierre përpiqet ta mbulojë kur thotë se The City of Joy është vetëm “një sektor i Kalkutës , në vetë librin e tij ai e bën të qartë se përshkrimi i tij për mëkatin (shthurjen në tërësi) aplikohet për gjithë Kalkutën. Duke punuar me mjeshtëri ndërmjet realitetit dhe imagjinatës, ai ka qenë mjaft i suksesshëm në dhënien e shpërfytyrimit të panatyrshëm të pamjes së realitetit. Ai e ka bindur botën se ai ka portretizuar Kalkutën e vërtetë.
Heroi i tij është njëfarë Stephan Kovalski, një prift katolik polak, të cilin ai e përshkruan si “një apostull të bardhë që kishte ardhur nga perëndimi për të jetuar midis shtresës më të varfër të njerëzve në botë.”[6] Karakteri i Kovalskit nuk është i bazuar te dikush që ka jetuar afër me vetë nënë Terezën, megjithëse më është thënë nga disa katolikë se një prift katolik me këtë emër ka ekzistuar në të vërtetë, por jo domosdoshmërish në Kalkuta.
Asnjë lloj degradimi që i është bërë qytetit të Kalkutës nuk është i mjaftueshëm tek filmi The City of Joy ku, “kufomat e qenve, minjve, akrepat që i ke kudo dhe krimbat që pluskojnë në ujërat e ndenjur në mes të rrugëve. Njerëzit panë madje disa dhi dhe një buall që ecnin mes përmes rrugëve me barqet e fryrë si balona.”[7] Lapierre me sukses ka krijuar imazhin e një qyteti të pashembullt me mjerimin dhe poshtërsinë e tij, një kombinim i ferrit, Sodoma dhe Gomorra. Ai përshkruan një skenë ku një prej karaktereve kryesorë të tij, kirurg i i ri ideal Max Loeb, pret krahun e një të sëmuri me lebër, asistuar me përgjegjësi nga një motër e nënë Terezës: “As Kovalski as motër Gabrielle nuk kishin kohë ta kapnin krahun përpara se ai të binte në tokë. Kjo ngjarje që ai u bë dëshmitar do e ndiqte pas gjithë jetën: “një qen i zgjebosur që mbante në gojën e tij, krahun e një qenie njerëzore.”[8]
Në Tregimin e Lapierre të gjithë të mirët ishin të bardhë ndërsa të këqijtë janë të gjithë Kalkutas. Sigurisht që ka dhe të mirë ndërmjet indianëve, të tillë si “Bandona e bukur” nga Assam, dhe të tjerë njerëz të varfër që jetonin në qytetin e gëzuar (city of joy), më i shquari ndërmjet tyre Hasari Pal, njeriu që tërheq karrocën, heroi tjetër i librit. Është interesant fakti që të gjithë indianët që janë të mirë i adresohen Stephan Kovalskit si “Stephan Big Brother” (Vëllai i Madh Stefan). Priftërinjtë e krishterë indianë (të kishës anglikane dhe jo asaj katolike), të cilët nuk janë të përgatitur të jenë të respektueshëm ndaj Kovalski-it janë portretizuar si barkmëdhenj, njerëz pa shpirt dhe zemërgurë.
Pronarët e tokave në Kalkuta në mënyrë të përsëritur janë quajtur si “Pronarët e dhjamosur Bengalez të tokave”. I vetmi bengalez i cili është i mirë ka një punë si “instruktor në një nga qendrat e trajnimit për fëmijët handikapë të nënë Terezës”[9] megjithatë do të kisha dëshirë të dija se ku është një qendër e tillë trajnimi e nënë Terezës. Njerëzit e Kalkutës janë kaq të këqij saqë madje ata e pyesin nënë Terezën rreth llogarive të saj bankare, kjo gjë ndodhte në ditët e hershme të vitit 1950 kur nënë Tereza merrte një grand nga qeveria për shtëpinë e saj të të varfëve që po vdisnin dhe për jetimoren.” Një takim u mbajt në ndërtesën e qeverisë. Një duzinë burokratësh veshur me dhotis ( veshje tipike e bengalezëve)
Shqyrtonin librat e llogarive bankare të nënë Terezës. Ata bënin pyetje, merreshin me lojëra fjalësh mbi detajet dhe kritikonin.”[10] Duke vënë në dukje çfarë rekomandonte qeveria, se ajo ishte duke shpenzuar një shumë parash më të madhe për të varfërit se sa ajo tregonte në të vërtetë. Nëna ishte e inatosur: “Ju mendoni të më kërkoni mua të shpenzoj 33 rupi për fëmijët që ju sponsorizoni” thotë ajo me zemërim “Kur unë mundem të shpenzoj vetëm 17 rupi për fëmijët tanë, të cilët janë më të shumtë, faleminderit gentlemen, por unë do t’ia dalë dhe pa paratë tuaja.” Dhe ajo e braktis dhomën.
Lapierre tregon historinë e një gruaje imagjinare me lebër të quajtur Meeta, e cila “u mor nga një bengalez që e shiti atë në një shtëpi publike afër Kalkutës. Kur pronari zbuloi që punëtorja e tij e re ishte me lebër, e rrahu për vdekje dhe e hodhi jashtë në rrugë. Ajo u shpëtua nga disa rrecka-mbledhës të cilët e shpunë në shtëpinë e nënë Terezës për pacientët tamam në kohë.[11] Nuk jam i çuditur që në botën e Lapierre, shpëtimtari duhet të jetë nënë Tereza por ajo që më duket shqetësuese është që krimineli mund të jetë vetëm një bengalez.
Në libër Kalkuta është quajtur rëndom “qyteti çnjerëzor” ose “qyteti i mallkuar” dhe njëherë madje “gjiganti që ha njerëz”. Vetë nënë Tereza është cituar të ketë thënë në libër “Në këtë qytet edhe qentë janë trajtuar madje edhe më mirë se njerëzit”[12] As Lapierre dhe as heroina e tij nuk e shpjegon pse Kalkuta duhet cilësuar kështu, veçmas nga qytetet e tjera në këtë stil. Ata duhet të kenë parasysh se nga të gjitha qytetet indiane Kalkuta veçanërisht (deri dhe pak kohë më parë) ka qenë më mikpritësi ndaj banorëve të varfër nga çdo pjesë e vendit, në të vërtetë të gjithë banorët e varfër në këtë libër janë imigrant.
Max Loeb është një kirurg në Florida, duke jetuar në një parajsë si Miami[13]; lexon rreth punës fisnike të Kovalski-t në Kalkuta dhe vendos të shkojë atje për një kapriço. Ai është paralajmëruar mjaft nga babai i tij multi-milioner, antipatia e të cilit për Indinë u kthye menjëherë në krahun tjetër kur ra fjala për Kalkutën, një qytet sinonim me mjerimin, lypësit dhe njerëzit që vdesin në trotuaret e qytetit.[14]
Megjithatë doktor Loeb arrin në Kalkuta strehohet në një barakë në qytetin e gëzimit dhe bëhet “doktori i madh i bardhë”[15] shpejt gjendet duke trajtuar kancerin, gjendjet e rënda të sëmurëve me zemër, njerëzit e verbër, memecët, të paralizuarit dhe të deformuarit të mos përmendim ushtritë e lebrosëve. Që ai ishte veçse një specialist kirurg shumë i mirë i kraharorit në Miami është veçse një detaj i vogël. Apo sëmundjet e njerëzve të thjeshtë janë elementare për t’u kuruar.
Është e parashikueshme që në librin e Lapierre The City of Joy, lagjja e të varfërve ka koloninë e saj të sëmurëve me lebër, megjithatë lagjia e të varfërve Pilkhana nuk e ka një koloni të tillë. Kolonia e Lapierre ishte një koloni me të sëmurë lebros të një lloji tejet të neveritshëm. Kovalski pyeste veten ndërsa shikonte të sëmurët me lebër, “Këto skelete të konsumuara nga gangrena, sytë e mbyllur të të cilëve ishin mbuluar nga kërpudhat, a ishin vërtetë qenie njerëzore?
Këta trupa që merrnin frymë nga lëkura e plasaritur e të cilëve rridhte një lëng i verdhë! Madje edhe kështu kjo pamje nuk ishte asgjë në krahasim me erën që ata kutërbonin.[16]
Lapierre ashtu sikurse edhe nënë Tereza është i obsesionuar me fetuset sikurse dhe me lebrën, Kalkuta, si vend i prishur dhe pa Zot që është, ka një tregti në lulëzim të fetuseve njerëzor.
Lapierre na tregon se në Kalkuta gratë e varfra paguhen për të bërë aborte kështu që embrionet dhe fetuset mund të përdoren ose për punë shkencore ose për prodhimin e produkteve rinuese për një klientelë njerëzish të privilegjuar në klinikat e specializuara në Evropë dhe Amerikë. Ai na informon që fetuset e lënë Kalkutën për në Evropë ose USA nëpërmjet Moskës nga linja sovjetike, me linjat e rregullta të Aeroflotit.[17]
Ky është një gabim sepse ky bie ndesh me deklaratën e famshme të nënë Terezës: “Ndërmjet grave të varfra të Kalkutës unë nuk njoh edhe sikur vetëm një, e cila të ketë bërë abort.”
Lapierre përshkruan një skenë që të copëton shpirtin ku një grua që është shtatë muajsh shtatzënë, vendos të shes fetusin e saj për dy mijë rupi, dhe vdes gjatë procesit të heqjes së fetusit. Personi që rregullon shitblerjen, është një grua myslimane me moshë mesatare dhe (një kalkutase) tregohet në film duke i rrëmbyer paratë nga gishtërinjtë pasi ajo vdes.
Unë nuk po deklaroj që bota e krimit në Kalkuta rri larg tregtisë me fetuse, por thjesht kjo gjë nuk ndodh. Të gjithë ne që kemi lexuar dhe i kemi njohur myslimanët e dimë që një grua myslimane do të preferonte më mirë të vdiste për të ngrënë se të dilte për të shitur një fetus shtatë muajsh. Teknikisht nuk është e mundur që t’i vendosësh fetuset në një vazo xhami dhe ti dërgosh ato si ngarkesa normale nëpërmjet Moskës me Aeroflotin, dhe të kenë vlerë më pas, të përdoren kur të mbërrijnë në destinacion.
Ka një kapitull të tërë në libër që i kushtohet nënë Terezës, ku miku i saj i ngushtë Kovalski e takon atë personalisht. Ajo portretizohet sikur jeton në një botë të lartë dhe krejt të ndryshme. Këtu Lapierre padashur ka zbuluar një të vërtetë, sepse ajo qëndroi e veçuar nga vuajtjet në Kalkuta. Autori thotë gënjeshtra të mëdha për shtëpinë e saj, për ata që janë duke vdekur e tillë si “Nuk ka asnjë derë në sallonin e gdhendur madhështorë, çdokush mund të hyjë atje në çdo kohë.”[18]; atje nuk ka asnjë sallon, të gdhendur ose jo, dhe dera e vogël është gjithmonë e mbyllur fortë. Ai që ruante portën Antoni, rrinte te dera gjatë gjithë kohës dhe zakonisht i rrihte me shkop banorët e varfër që lypnin te dera.
Lapiere nuk e ekzagjeron shumë numrin e pacientëve në shtëpinë e nënë Terezës ai jep shifrën 110. Nënë Tereza përshkruhet sikur shpërndante komando të motrave indiane në qytet, misioni i tyre ishte të hapnin shtatë dispanseri më shumë. Një prej grupeve u vendos në një lagje të varfër ku nënë Tereza më parë ishte kujdesur për të vobektit. Të sëmurët me lebër u mblodhën aty me turma rreth dispanserisë[19]. Duke shpjeguar pse dispanseria nuk ekziston më aty, Lapier e shpjegon ashtu si i intereson atij, ai fajëson kalkutasit që nuk janë të dashur me ata që vuajnë, ishin ata të cilët e detyruan nënë Terezën ta mbyllte qendrën. Në çdo kohë dhe rast nënë Tereza nuk ka pasur kurrë shtatë dispanseri në Kalkuta. Pasi shumica e dispanserive u mbyllën, nënë Tereza vendosi, sipas Lapiere që; “disa kamionë të vegjël të bardhë të cilët mbanin simbolet e misionareve të bamirësisë do të patrullonin qytetin e madh për t’u ofruar trajtim mjekësor zonave më të lëna pas dore”. Qëllime fisnike padyshim, por ajo ditë nuk erdhi kurrë. Më duhet ta pranoj gjithashtu, se një nga lagjet e varfra ku misionaret e bamirësisë janë përkujdesur për të varfërit është Pilkhana – lagjja e varfër e librit të Lapierre City of Joy. Nëpër të gjithë librin Lapierre tallet me komunitetin kryesor të biznesit të Kalkutës, Marwaris, të cilët gjithashtu ndodh që të jenë ortodoks hindu. Hasari Pal, njeriu që punon duke tërhequr karrocën kështu: “ Ai ishte një Marwari, meqë mungonte kamxhiku ai bombardoi brinjët e mia me shkelma të cilat ishin shumë të dhimbshme pasi mbante këpucë me majë”[20] Të qëllosh dikë me shkelma ndërsa ai është duke tërhequr një karrocë që lëviz dhe ti qëndron i ulur në të është një akt fizikisht i pamundshëm.
Lapierre i zemëruar dhe plot mllef, zbraz përbuzje mbi manjatin më të madh të Indisë G. D. Birla një Marwari: “... Aq i dhjamosur sa dhe G. D. Birla një multimilioner i gëzuar”[21] E vlerësoj faktin që katolikët e konsiderojnë pasurinë e familjes G. D. Birla-s të neveritshme, por a mund të më thonë ata pse ikona e tyre më e madhe Nënë Tereza, ka qenë vazhdimisht mirënjohëse ndaj familjes Birla? Instituti i zemrës “Birla” jo vetëm që ka shpëtuar jetën e saj më shumë se njëherë por e ka bërë këtë gjë pa pagesë. Instituti madje as nuk i faturoi asaj testet e analizave dhe kontrollet që ajo bënte rregullisht, kostoja e së cilës prej tyre do të falimentonte një fshat të tërë me tërheqës karrocash. Vetë Birlat janë një familje ortodokse hindu dhe ata përpiqen të shfaqen në opinion larg ndarjeve fetare, kjo padyshim për shkak të statusit të tyre shoqëror. Ata gjithmonë e kanë shfaqur bujarinë ndaj nënë Terezës në mënyra të ndryshme, udhëtimi i saj i parë jashtë shtetit nënë Terezës iu mundësua pikërisht nga Birlat. G. D. Birla ishte financuesi më i madh i Gandhi-t në lëvizjen e tij për liri. Ai gjithashtu ndihmoi Tagoren të themelonte universitetin e tij.
Lapierre ka qesëndisur luksin e klinikës “Belle Vue”, e cila është pronë e Birlas në Kalkutë. Ajo që ai nuk na e tregon është se sa skanerë falas ka bërë nënë Tereza në “Belle Vue”. Ajo nuk qëndroi në “Belle Vue”gjatë sëmundjes së saj, sepse ajo preferoi stilin kolonial të klinikës “Woodlands”, përsëri falas. Një nga fotot e saj më të paharruara nga viti 1996 ishte kur ajo po transportohej me maskën e oksigjenit nga “Woodlands” për të kryer një skaner të specializuar në “Belle Vue”. Kjo ndodhi në atë periudhë kohe ku thuhej se ajo ishte e pushtuar nga djalli dhe duhej përzënë shpirti i keq.
Në librin e tij, Lapierre, ka një skenar të gjatë ku “vëllai i madh Stefan” infektohet nga kolera dhe ndërsa miqtë e tij i luten të shkojë në “Belle Vue”, Konsulli francez i ofron me dëshirën e tij pagesën për qëndrimin e tij atje. Por ai refuzon duke zgjedhur të shkojë tek një spital publik. Fatmirësisht mishi dhe gjaku i nënë Terezës ishin më të ndjeshëm sesa shpëtimtarët tanë imagjinarë. Temat për lulëzimin dhe modernizimin e Kalutës janë një satirë e vjetër e përdorur nga nënë Tereza dhe miqtë e saj. Ata duan që Kalkuta të mbetet një qytet biblik primitiv, ku të ketë tema të thjeshta të tilla si e mira dhe e keqja, dhe mbi të gjitha vuajtja dhe bamirësia. Të varfërit tregohen në mjerim të skajshëm por të shenjtë: “ Ata mund të mos kenë asgjë për të ngrënë por ata kanë arritur të sigurojnë bukën dhe verën e Eukaristit. Ai (vëlla Stefani) mendonte për të krishterët e parë të Romës që hidheshin në katakombe.”[22] Vera, nuk flasim për çështje shpirtërore në këtë rast, është një gjë krejt e panjohur në lagjet e varfra indiane, madje edhe midis të krishterëve.
Një temë tjetër kryesore në librin e Lapierrit është dhe poshtërsia dhe e keqja e Kalkutës, një pjesë e librit flet për një familje të fuqishme mafioze vendase e cila ka dalë nga shtresa e devotshme hindu. I vetmi rregull që tregohet se ekziston në Kalkutë është rregulli i mafies, të cilët e shfytyrojnë fytyrën e një vajze duke e prerë nga një vesh në tjetrin sepse kundërshtoi kryetarin e bandës, skenë e cila është realizuar në mënyrë shumë prekëse. Këtu Lapierre ka rënë në kundërshtim me ato që ka thënë më parë: “Frika është një ndjenjë e panjohur dhe e largët në rrugët e Kalkutës. Një vajzë e re mund të eci e vetme nëpër rrugët kryesore të lagjeve të varfra, në mes të natës, pa pasur asnjë fije frike se mos sulmohet.”[23] Më vjen keq të them se ky është një skenar i bukur, por jo i vërtetë.
Në rast se perëndimorët që shkonin në Kalkuta do të pyesnin ndonjëherë veten se përse përkundër publiciteti nënë Tereza ishte kaq profil i ulët në qytet, Lapierre jep një shpjegim të thjeshtë, kjo vjen nga poshtërsia e lindur e qytetarëve, të cilët nuk e linin atë të lulëzonte. Ai tregon një incident ku shumë vite më parë nënë Tereza u përzu nga disa njerëz kur dëshironte të hapte një shtëpi të vogël për të varfërit në mes të një zone të banuar. Nuk jam shumë i sigurt për kohën dhe vendin sepse ato nuk janë qartësuar nga biografët e saj, përveçse kjo ndodhi “në një qytet në verilindje të Kalkutës”[24] Ku pati dhunë: “një mur u ngrit për të bllokuar nënë Terezën dhe motrat e saj, kur përkrahësit e nënë Terezës u përpoqën të hiqnin pengesën aty pati të rrahura. Nënë Tereza ishte shumë e mërzitur, ajo tha: “Më vjen keq për ju o njerëz. Më vonë ju do të pendoheni.” Çdokush do ta vizatonte në mendje atë, duke shkundur pluhurin e këtij vendi nga sandalet e saj.
Lapierre sigurisht që e ka zhvendosur incidentin në një lagje të varfër të Kalkutës, ku një përleshje e madhe shpërtheu ndërmjet mafies së Kalkutës dhe banorëve të varfër, të cilët kërkonin një klinikë për lebrosët: “(Kovalski) vet shkoi në agim tek shtëpia e nënë Terezës tre motrat të cilat duhet të kujdeseshin për të sëmurët me lebër. Në mes të kësaj beteje të shenjtë dhe të përgjakshme motrat e nënë Terezës në anën e Kovalskit filluan të këndojnë së bashku me zë të lartë” Skenat janë përshkruar ku një “fëmije katër-pesë vjeç, i këputet dora nga një shpërthim, dhe ku një djalë 18-vjeçar ia ngul thikën në stomak një gruaje.[25] Nuk është e nevojshme të themi se asnjë betejë nuk ka ndodhur ndonjëherë në Kalkuta, duke pasur si shkak themelimin e një klinike për të sëmurët më lebër dhe të ketë përfshirë motrat e nënë Terezës apo të tjerë. I pashpresë që klinika për koloninë e lebrosëve nuk mund të ngrihej, Kovalski i shprehu nënë Terezës mendimin për vënien në dispozicion të një autobusi për lebrosët, gjë për të cilën ajo ra menjëherë dakord, duke organizuar një autobus për të shkuar çdo të mërkurë bashkë me tri motrat e saj në City of Joy.[26] Është për të ardhur keq të thuash se në jetën reale asnjë linjë sado e rregullt autobusi nuk vjen në Pilkhana apo në ndonjë lagje tjetër të Kalkutës.
Ka shembuj të tjerë në libër për indianët, të cilët ndalojnë perëndimorët bujarë të ndryshojnë jetët e tyre të mjerueshme, si në rastin kur vjen babai i Max Loeb nga Miami, duke dashur të blejë lagjen e varfër të City of Joy dhe ta kthejë atë në një lagje me shtëpi moderne. Max konkludon që në Indi mjerisht të huajt nuk lejohen të bëjnë të tilla vepra fisnike. Duhet nxjerrë në pah që nënë Tereza ishte një qytetare indiane, megjithëse ajo mbante një pasaportë të Vatikanit (jo nderi) megjithëse dyshtetësia nuk lejohet në Indi.
Sipas Lapierre poshtërsia e Kalkutasve nuk njeh kufij, sepse ky është një qytet sipas njohësve të të tilla çështjeve, që praktikonin një llojshmëri mashtrimesh me një shkallë të tillë arti dhe imagjinate që do e kthenin Napolin, Marsejën, ose New York jeshil nga zilia.[27] Prandaj nuk është për t’u çuditur që organizata më e madhe bamirëse e Kalkutës misioni i Ramakrishna është një mashtrim. Si pasojë e një cikloni masiv që ai e përshkruan në libër, murgjit nga ky mision arrijnë në zonat e goditura. Prindërit ua besojnë fëmijët e tyre murgjve për t’i marrë dhe për t’u kujdesur; ata kurrë nuk i panë më fëmijët e tyre, duke nënkuptuar që këta murgj ishin trafikantë të prostitucionit.[28]
Me një lojë të zgjuar fjalësh këtu, Lapierre i ka humbur gjurmët e tij këtu duke thënë: Njerëzit në fjalë mbanin veshur rroba ngjyrë okër të cilat i përkasin murgjve të misionit të Ramakrishna, shenjtit të Bengali,t i cili shekullin e kaluar predikoi dashuri dhe ndihmesë ndërmjet hinduve dhe komuniteteve të tjera.
Mbrojta e tij ishte se ai nënkuptonte se këta njerëz kishin veshur rrobat e murgjve thjesht për t’u maskuar. Deri kaq poshtë do të binin njerëzit e nënë Terezës, me qëllim për të thënë çdo gjë të poshtër rreth Kalkutës.
Unë nuk po deklaroj se murgjit hindu janë të papërzier me shitblerjen e fëmijëve për t’u trafikuar për prostitucion, por nuk ka as prova e as thënie të familjarëve se murgjit e Ramakrishna kanë qenë ndonjëherë në të tillë skandal. Përgojimi i maskuar që iu bë misionit të Ramakrishna u bë me miratimin e Vatikanit.
Misioni Ramaakrishna protestoi për këtë gjë dhe Lapierre iu dërgoi një letër me dy faqe, ku u puthte dorën dhe u kërkonte falje, duke thënë lojërat e zakonshme të fjalëve. Ai u tha se personalisht, e vlerësonte shumë punën e tyre dhe respektonte jashtëzakonisht Ramakrishna dhe Vivekananda. Ai gjithashtu pati guximin t’u postonte një çek me 100 mijë rupi, të cilin ia kthyen mbrapsht.
Puna e misionit Ramamkrishna dhe e misionit tjetër bamirës Bharat Sevashram Sangha veçanërisht gjatë fatkeqësive gjithmonë e ka bezdisur nënë Terezën dhe miqtë e saj, sidomos në raste krizash humanitare, ku misionaret e bamirësisë rrallë shihen në Kalkuta. Është interesant fakti që gjatë përshkrimeve të operacioneve gjigante të ndihmës për fatkeqit pas ciklonit shkatërrues që përshkruhet në libër misionaret e bamirësisë nuk përmenden fare,
Shpresoj që Lapierre dhe nënë Tereza ta dinë se kur bie fjala për abuzimin seksual të fëmijëve, është kisha katolike që udhëheq në Indi me gjithë përmasat e saj të vogla fare. E marr me mend që ata e dinë se çfarë bëri Freddie Peat, prifti katolik, i cili mbante një “fermë pornografike” në Goa, ku 2500 fëmijë janë abuzuar vazhdimisht dhe regjistruar me video, disa vetëm një vjeç.
The City of Joy është shitur në shtatë milion kopje. I shkruar me elokuencë ai ka prekur dhe influencuar jetët e mijëra njerëzve. Njerëzit kudo nëpër botë me breza të tërë do të vazhdojnë të mësojnë për Kalkutën nëpërmjet këtij libri. Guida rrëfyese e udhëtimit e Lonely Planet (Planeti i Vetmuar) e rekomandon atë që duhet lexuar përpara se të udhëtosh për në Kalkuta. Libri e klasifikon veten si fiction (trillim) por vë në dukje që është duke treguar fakte nën një perde të hollë imagjinare, thurur me zgjuarsi nga Lapierre dhe duke përdorur mjeshtëri artistike.
Libri dhe filmi pas tij i kanë dhënë një goditje vdekjeprurëse reputacionit të Kalkutës. I rrezikshëm dhe përçarës, ata kanë fyer çdo gjë që Kalkuta dhe Bengali perëndimor përfaqësojnë.
Ky libër u krijua në nivelet më të larta të kishës katolike, menjëherë pasi Papa i tanishëm erdhi në pushtet. Titulli i librit është marrë sigurisht prej librit të St. Augustine Ciy of God (Qyteti i Zotit) dhe libri është përkthyer nga origjinali frëngjisht në anglisht nga Kathryn Spink, e cila e përshkruan nënë Terezën si “mikeshën dhe këshilltaren e saj për vite me radhë”, duke komunikuar personalisht dhe ka shkruar tre biografi për të. Biografia e fundit e autorizuar të botohej vetëm pas vdekjes së saj.
Me miratimin më të lartë, Lapierre e ka përshkruar Hinduizmin në librin e tij më të çuditshëm se sa ai është në realitet “............. tradita e kërkonte që shumë trupa duhet të hidheshin në lumë më mirë se sa të digjeshin.”[29]
Në vitet 1980 kisha katolike filloi të shqetësohej se librat për nënë Terezën dhe aktivitetet e kishës në Kalkuta kurrë nuk u shitën në sasinë e duhur, përveç librit të Muggeridge dhe më të fundit dhe më të suksesshmit libri i Lucinda Vardey, librat e tjerë gati nuk kanë pasur asnjë farë shitje në publik. Prandaj një mjeshtër shpikës historish u thirr të thurte një histori.
Lapierre është me të vërtetë një njeri veçantë meqë libri i tij u lavdërua me një shpallje nga Papa vetë. A mund të imagjinojmë udhëheqësin kryesor të një urdhri fetar, të tillë si Aytollah Khomenei apo Dalai Lama të lavdëronin me një shpallje një libër imagjinar? Papa e quajti The City of Joy “Një mësim shprese dhe besimi për botën.” Por kjo nuk është e gjitha vetë nënë Tereza pavarësisht se libri përmban një pjesë ku doktori i mirë “Vëllai i Madh Max” kishte rënë në mëkat duke bërë imoralitet e quajti librin një “Homazh Madhështor”[30] Libri tjetër që ajo e ka vlerësuar publikisht është Letters to Gabriel (Letra për Gabrielin) shkruar nga Karen Santorum gruaja e senatorit republikan Rick Santorum një mbështetës i ashpër kundër abortit dhe pro mbajtjes së armëve.
Madje edhe kur ishte e sëmurë rëndë në 1996 ajo shkroi parathënien e këtij libri anti-abort. Modestia dhe përulja e saj e publikuar mjaft mirë nuk u cenuan nga pasazhi në vazhdim rreth saj në The City of Joy .
“E bekuar je ti Kalkuta sepse me mjerimin tënd, ti ke lindur shenjtorë.” Mendimet e Kovalskit pas një takimi me nënë Terezën.[31]
Është një koment i trishtueshëm për Kalkutasit dhe për nderin e qytetit të tyre. Vetë kryetari i bashkisë së Kalkutës në atë kohë Kamal Basu nuk e kishte lexuar librin deri në vitin 1990, pesë vjet pasi ai u publikua.
Është fatkeqësi më e pakta që mund të themi se libri i cili ishte (dhe akoma është) një polemikë e zjarrtë ndërkombëtare akoma nuk është lexuar nga pjesa më e madhe e banorëve të qytetit. Basu më tregoi mua se ai kishte menduar që titulli ishte një kompliment dhe homazh për qytetin, është pak të themi se shumica e banorëve mendojnë akoma këtë! Ai më tregoi se Lapierre zakonisht përpiqej ta ndiqte atë dhe gruan e tij. Ai i ishte ulur pranë në shtëpinë e Guvernatorit dhe i kishte ofruar një ftesë nga konsulli francez duke i bërë lajka. Basu kujton[32] se njëherë Lapierre i bëri presion që përfaqësuesi i atëhershëm i bashkisë R. K. Prassanna t’i bënte në bashki një pritje zyrtare. Më në fund Basu ishte alarmuar nga natyra poshtëruese e librit “ nga disa miq të mitë” dhe ai ia arriti të lexonte më së fundi “ fragmente ndërsa ai ishte rrugës për në Washington.”
Në film xhirimi i të cilit është gdhendur përgjithmonë në historitë e Kalkutës dhe të Hollywood, personazhi i Kovalskit u ndryshua në një grua (Pauline Collins) dhe Max Loeb u luajt nga Patrick Swayze. Kur Swayze dhe regjisori Roland Joffe së bashku me aktorët pjesëmarrës dhe ekipin xhirues mbërritën në Kalkuta në Shkurt të vitit 1991, ata prisnin të shihnin një qytet si ai i përshkruar në libër, primitiv dhe vajtues dhe të plogësht e me mosbesim saqë dhe zotat kishin zbritur nga qiejt. Por ata morën një goditje të ashpër. The Sunday Times (London ) njofton nën kryeradhën” Filmi e kthen Kalkutën në qytet të urrejtjes.” Shkruante... kur Hollywood-i erdhi pak kohë më parë në Kalkuta për të filluar xhirimin në lagjet e varfra, producentët prisnin një mirëseardhje me tapetë të kuq. Në vend të kësaj ata janë duke u përballur me një betejë që ia vlen të bësh një dramë në celuloid, gazeta shkruante gjithashtu: “...Kalkuta është një fanar i paraqitur ndryshe nga media perëndimore e pushtuar nga obsesioni për nënë Terezën..”[33]
Pjesë të mëdha të popullsisë u ngritën në protestë kundër përshkrimit që i bëhej qytetit të tyre, xhirimi ndalohej çdo ditë për shkak të gardhimit të njerëzve përpara tyre, barrikadave dhe hedhjeve të tullave mbi pajisjet një aktor kalkutas Biplab Chatterjee (s’kam lidhje me të), i cili duhej të luante në një nga rolet kryesore dha dorëheqjen për shkak të përshkrimit që i bëhej qytetit të tij.
Producentët punësuan një ushtri me rekrut të fortë nga radhët e mafies që Lapierre në librin e tij e përshkruan kaq dukshëm. Gjërat u bënë serioze kur një gazetare e re Saumitra Ghosh vdiq, gjoja pasi u rrah. Roalnd Joffe i cili besoj se është britanik kërkoi ndërhyrje diplomatike nga përfaqësues i lartë Britanik Anthony Abbott. Qeveria e Bengalit perëndimor, e cila në princip është kundër filmit, por e cila nuk do ta ndalonte për arsye të fjalës së lirë, e gjeti veten në një situatë të vështirë.
Qyteti i Kalkutës shpejt u nda në linja politike. Krahu i majtë që e kundërshtonte xhirimin dhe kongresi (partia e Rajiv Gandi) që e mbështeste atë. Producentët gjithashtu shpërndanë cash (para të thata në dorë) dhe e përçanë inteligjencën e Kalkutës. Sunil Canguly një shkrimtar mjaft i njohur bengalez dhe një intelektual, u emërua nga Joffe si këshilltar me pagesë.
Xhirimi vazhdoi me një sigurim të fortë rreth e rrotull dhe brenda një kohe të shkurtër. Kalkutasit ia arritën t’i detyronin producentët të prisnin 25 skena, dhe prandaj filmi nuk mundi të shkonte aq thellë me fyerjen e tij sa dhe libri. Por asnjë prej lagjeve të varfëra të Kalkutës nuk ishte aq e varfër dhe e ndyrë sa duhej për filmin; Hollywood-i ndërtoi një lagje të veçantë me një qëllim të neveritshëm për të xhiruar filmin. Nick Allder, i famshëm për tri filmat e tij Aliens dhe Star Wars u soll për të prodhuar efektet speciale të tmerrit dhe mjerimit. Muzika u regjistrua në Romë.
Ndërsa xhirimi vazhdonte ndërmjet protestave dhe përçarjeve, në një gjest fyerje të paimagjinueshëm, Joffe shkoi të takonte Satyajit Ray, i cili ishte ikona kryesore kulturore e asaj kohe, me qëllim për të marrë bekimin e tij; në thelb për ta blerë atë me parat cash të Hollywood-it. Takimi i parehatshëm është regjistruar nga Joffe me shënime përçmuese të mbuluara hollë për Satyajit Ray:
Unë po qëndroja ulur në një karrige shumë më të ulët në të majtë të tij, duke parë lart nga ai....(Ray sapo ka bërë të ditur se vetëm një kalkutas ose të paktën një indian mund të bëjë një film për Kalkutën.) Më tutje ai thotë se është krejt e pamundur për një fermer të klasës së ulët të krijojë ndonjë lloj marrëdhënie miqësore me një evropian... por përfundimet e mia ishin të ndryshme nga ato të Satyajit Ray. Tamam atë mëngjes unë kisha intervistuar një vullnetar të Dr. Jack, i cili kishte krijuar një lloj të veçantë miqësie me një pacient, dhe i cili kishte dëgjuar histori të tilla nga vullnetarë të tjerë. Unë ia tregova këtë Satyajit Ray, i cili tund kokën në mënyrë mohuese dhe thotë: (Gjithashtu filmi juaj flet për të sëmurët me lebër. Unë nuk shoh ndonjë të sëmurë me lebër në rrugët e qytetit.) Ky është një njeri pak i shushatur... Pak më vonë pasi komplimentet tona ishin shkëmbyer, Satyajit Ray thotë në mënyrë kërcënuese: “Ju nuk do të mund të xhironi në rrugët e Kalkutës, këtë gjë e dini. Kjo nuk mund të bëhet. Madje edhe unë kamë vështirësi të jashtëzakonshme”. Ndërsa unë kërkoja me duar rrugën poshtë nëpër shkallët e errëta, m’u duk mjaft qartë se Ray nuk dëshironte që filmi të bëhej. Pyetja është; përse jo?[34]
Pse jo me të vërtetë! Si guxon një njeri me lëkurë kafe dhe një kalkutas për t’u zënë me shkelma, të jetë mbrojtës i vendlindjes së tij? Dhe si guxon ai të refuzojë sukseset e një zotnie nga Hollywood-i.
Joffe në mënyrë të dukshme pretendoi se e njihte Kalkutën për një javë që qëndroi atje, më shumë se njerëzit, të cilët kishin lindur dhe jetuar atje, meqenëse ai ishte kaq i habitur nga komentet e Satyajit Ray rreth të sëmurëve me lebros. Ka rreth një duzinë imigrantësh të sëmurë me lebër në qendër të qytetit, të cilët grumbullohen dhe lypin rreth portave të hoteleve ku vendosen vullnetarët e nënë Terezës. Këto pak fytyra të njohura shihen afër muzeut Sudder Street ku zvarriten pas të huajve. Por libri i Lapierre dhe filmi i Joffe e përshkruajnë qytetin; në çdo përshkrim që ata i bëjnë si të mbushur plot e përplot me të sëmurë me lebër, një skenar Biblik. (Rastësisht Joffe është një kampion i grupit të fuqishëm kristian.)
E konstatoj pasazhin e Joffe-s rreth Satyajit Ray-it thellësisht fyes. Me kërcënimin që ai nënkupton se Satyajit Ray i bën, ai do të mërziste gjithkënd që kishte njohuri rreth tij. Ai ishte një njeri me kulturë të madhe, durimi dhe gjakftohtësia e të cilit ishin legjendare; kurrë nuk ishte parë të ngrinte zërin e tij.
Nuk ishte se ai nuk dëshironte të shfaqte varfërinë. Në të vërtetë ai ishte kritikuar, madje dhe në parlamentin Indian nga kryeministri dhe nga ylli i mëparshëm i Bollywood-it, Nargis Dutt sepse e shfaqte shumë varfërinë dhe nuk tregonte shumë nga progresi i vendit, të tilla si digat e hidrocentraleve! Në filmin e tij “Sadgati”, Satyajit Ray bëri një sulm të fuqishëm ndaj sistemit të shtresave të shoqërisë Hindu. Sidoqoftë, ai ishte emocionalisht dhe me pasion i dhënë pas Kalkutës, diçka për të cilën Lapierre dhe Joffe nuk do ta falnin atë.
Një rrëfim i gjallë i luftës së kotë të Kalkutës ndaj fuqisë së Hollywood-it dhe të Vatikanit, gjatë xhirimit të filmit The City of Joy mund të shihen në dokumentarin me metrazh të gjatë të quajtur Phantom of Joy (Fantazma e Gëzimit) The City of Joy, i cili u prodhua me autorizim nga Channel 4 (Kanali 4). Mendoj se filmi u shfaq në televizionin Britanik në fund të vitit 1991.
Kalkuta e humbi betejën e The City of Joy, njësoj sikurse ka humbur betejat ndaj të gjitha shpifjeve që i janë dashur të durojë gjatë gjithë gjysmës së fundit të shekullit të kaluar. Pjesërisht përgjegjës për poshtërimin është mungesa e vetë vlerësimit dhe e besimit në vetvete e indianëve. Ka gjithashtu një ngurrim të lindur për t’u ngritur kundër njeriut të bardhë. Me qëllim për të arritur më të mirën nga një punë e keqe, reklamuesit në Kalkuta kanë abuzuar me qytetin e tyre dhe shpesh e thërrasin atë The City of Joy; Welcome to the City of Joy (Mirëse vini në qytetin e gëzimit) reklamon një tabelë e vendosur në një vend të dukshëm në rrugën që vjen nga aeroporti.
Si rezultat i turbullirave që ndoqën The City of Joy-in, Hollywood-i nuk do të vijë në Kalkuta për një kohë të gjatë; një film qindra miliona dollarë për nënë Terezën menjëherë pas vdekjes së saj ka ngelur në vend. Ende nuk ka plane për të bërë ndonjë film për nënë Terezën të stilit Gandi. Por disa regjisorë indianë janë duke u përpjekur për të bërë para, nga përdorimi në film i emrit të nënë Terezës. Rajiv Nath një regjisor i ri modest dhe i suksesshëm, deklaroi për shtypin në qershor 2001 se ai i kishte përfunduar planet për një film epik për murgeshën e vdekur dhe se Kate Winslet kishte rënë dakord të luante rolin kryesor. Agjentët e Winslet menjëherë e mohuan raportin.
Madje dhe menjëherë pas traumës nga xhirimet e filmit The City of Joy, Lapierre, për pak kohë, vazhdoi të luante me idenë e filmit për nënë Terezën, me ose pa mbështetjen e saj publike. Ai ishte në dijeni për shpërblimet financiare për një film të tillë. Vatikani ishte gjithashtu duke nxitur atë, ai thoshte kështu: “Nëse Vatikani thotë se kjo është diçka, e cila duhet të bëhet atëherë, pse jo?”[35] Vatikani vazhdonte ta miratonte atë për projektin duke thënë “Ne e njohim Dominique Lapierre shumë mirë. Ai është një mik i madh i Vatikanit...” Fatkeqësisht miku i madh i Vatikanit, megjithëse edhe me shenjtoren e gjallë pas tij, nuk ishte në gjendje të gjente mjaft kurajë, të sillte qindrat e milionave dollarë prapë në Kalkuta.
Mother Teresa In the Name of God’s Poor ( Nënë Tereza në Emër të Zotit të të Varfërve) ishte një kompromis me buxhet të vogël.
Nuk e mbaj mend se sa herë i kam shkruar Dominique Lapierre për t’i kërkuar të bënte një intervistë me mua. Do të dëshiroja ta pyesja atë për gënjeshtrat dhe shpifjet në librat e tij dhe gjithashtu për paratë që i dërgoheshin nga lexuesit e The City of Joy te fondacioni “Aksioni i ndihmës për fëmijët me lebër të Kalkutës”. Lapierre dhe gruaja e tij e formuan këtë organizatë dhe i kërkojnë çdo lexuesi të librit të tij të dërgojnë para në një adresë në Avenue Kleber, në Paris.
Lapierre premton që donacionet shkojnë për të ndihmuar një shtëpi me 250 fëmijë të sëmurë me lebër në Kalkuta. Ai gjithashtu deklaron se e dhuron gjysmën e fitimit të tij prej librit, për The City of Joy (Lagjen e varfër, Pilkhana).
Unë shkrova një numër letrash në këtë adresë në Paris, por nuk mora asnjë përgjigje megjithëse dërgova zarfe me pulla franceze. Isha kureshtar të dija për paratë që dërgoheshin në këtë zyrë. Njëherë dërgova dhjetë dollarë në këtë adresë dhe gjithashtu, kërkova për një faturë-marrje në dorëzim; paratë nuk u kthyen pas më, po ashtu as fatura. Duket qartë se paratë shkonin diku, por a shkonin paratë për të varfërit në Kalkuta?
Pas letrës së gjashtë apo të shtatë që shkrova për Lapierre, hoqa dorë dhe i shkrova përkthyeses së librit të tij nga anglishtja, Kathryn Spink, e cila gëzon dallimin e rrallë e të qenit autore e tre biografive për nënë Terezën. Ajo u përgjigj se ia kishte dërguar letrën time atij dhe se ajo ishte “e sigurt që ti tani do të marrësh një përgjigje për pyetjet tuaja.....”[36] Unë ende jam duke pritur.
Në kohën kur nënë Tereza vdiq, Lapierre ishte në Kalkuta, për disa arsye të papublikuara. Disa thonë që ai ishte duke bërë një dokumentar apo një emision.
Ai sidoqoftë, ishte duke qëndruar i fshehur dhe stafit i ishin dhënë udhëzime të rrepta të mos nxirrnin informacion rreth atij. Sidoqoftë Alakananda Bandopadhyhay një gazetare nga revista “Anadalok” priti jashtë për dy ditë me radhë, jashtë hotelit dhe më në fund arriti ta kapë atë. Ajo i kërkoi prova rreth thënieve të tij se kishte jetuar në lagjen e varfër Pilkhana për rreth dy muaj para se të shkruante librin e tij dhe i tha se për këtë gjë kishte dyshime. Ajo e pyeti nëse e kishte mbledhur këtë informacion nga dokumentarët dhe librat, për të cilat ai u përgjigj: “Ka mundësi.” Ajo gjithashtu e pyeti atë përse heroi i tij, amerikani Max ishte i pavëmendshëm rreth shfrytëzimit të njerëzve në vendin e tij dhe përse duhet të ishte ai në Kalkuta shpëtimtari i fundit i njeriut me ngjyrë të zezë; përgjigja e tij ishte e gënjeshtërt, ndoshta dhe e qëllimtë.[37]
Duhet thënë për Dominique Lapierre se ai nuk bën asnjë lloj shfajësimi për portretizimin e katolikut të bardhë si grupi superior, i cili ka të drejtën hyjnore të përcaktojë jetën dhe vlerat e të gjithë të tjerëve. Faktet mund mos merren fare parasysh, me qëllim për të ushtruar këtë të drejtë.
Lapierre, njëherë e një kohë djali i preferuar, thuhet se tani është persona non grata (i padëshiruar) për misionaret e bamirësisë. Në të vërtetë, pak kohë para se ajo të vdiste ai ishte gjembi më i madh në mishin e nënë Terezës. Kjo ishte për shkak të filmit “Mother Teresa: In The Name of God’s Poor”. Nënë Tereza, më parë mezi priste që të realizohej një film, tani dëshironte që filmi të pezullohej (vitet 1996-1997). Lapierre refuzoi, duke thënë se ajo nuk mund të anulonte një leje të dhënë nga ajo vetë kohë më parë. Nënë Tereza kishte nënshkruar një kontratë me të në vitin 1982, duke i dhënë atij të drejtën ekskluzive për të bërë një film mbi jetën e saj. Në vitin 1984, miqtë e saj thonë që ajo u tërhoq nga kontrata (ndoshta jo ligjërisht) duke qenë se ajo nuk e pëlqente pikën ku jepej ekskluziviteti. (Për disa arsye ajo dëshironte shumë njerëz të bënin filma rreth jetës së saj.) Në vitin 1988 Lapierre i tregoi nënë Terezës një skenar, të cilin miqtë e saj thonë se nuk e aprovoi. Sidoqoftë ai ka një letër të shkruar me shkrim dore nga ajo vetë datuar më 13 tetor 1988, e cila në të vërtetë i jepte atij leje. Por nuk kishte asnjë kontratë ligjore sikurse misionaret e bamirësisë këmbëngulin.
Ishte i paqartë shkaku i grindjes, por ka mundësi të kenë qenë shkak privilegjet e pas botimit dhe ndarja e parave. Deklarata zyrtare e nënë Terezës (të cilën e gjithë media botërore e mori me gjithë zemër), thoshte se ajo ishte shumë e mërzitur që vlerat e saj në varfëri dhe përulësi etj, nuk ishin treguar si duhet. Ajo gjithashtu, i kërkoi përfaqësuesit të saj ligjor në Florida që të zgjidhte çështjen. Letrat u shkëmbyen dhe një betejë në gjykatë u shmang në minutën e fundit. Me gjithçka që u tha dhe u bë dukej se nënë Tereza nuk dëshironte fare që të bëhej filmi i Lapierre-it për jetën e saj. Ajo shpresonte se si një mik i vjetër që ishte dhe si një njeri i brendshëm i Vatikanit, Lapierre do të bënte gjënë e duhur dhe do ta linte projektin. Por Lapierre nuk është nga ata që mbeten modest dhe me moral të pastër kur bëhet fjalë për publicitet dhe para. Filmi i prodhuar nga Hallmark Entertainment, u shfaq premierë në një televizionin amerikan menjëherë pak kohë pas vdekjes së nënë Terezës.
Disa skeptikë në Kalkuta pohojnë se ndarja midis nënë Terezës dhe Lapierre ishte një shfaqje për të kënaqur kalkutasit, të cilët ishin të zemëruar me denigrimin e ripërsëritur që ai i kishte bërë qytetit, duke e distancuar veten e saj publikisht nga ai. Nënë Tereza donte të mbetej në librat e disa autorëve me influencë të Kalkutës. Skeptikët thonë se ata të dy mbetën miq të ngushtë deri në fund dhe nëna i ishte gjithmonë mirënjohëse Lapierre-it për publicitetin e jashtëzakonshëm që kishte gjeneruar për të dhe kishën e saj. Në të vërtetë Lapierre i tha shtypit pas vdekjes së saj se ai kishte “humbur nënën e tij.”
Në libër dhe njëkohësisht edhe në filmin The City of Joy, karakteri kryesor indian është Hasari Pal, një tërheqës karroce. Kalkuta ka dallimin e keq të të qenit i vetmi qytet në botë që mban karrocat, të cilat tërhiqen nga njerëzit; mjet, të cilin britanikët e sollën nëpërmjet Kinës në vitet 1930.
Në 15 korrik 1996, ministri i Bengalit perëndimor për transportin Subhash Chakraborty lajmëroi në një takim të organizuar nga shoqata e automobilave se që nga 1 janari 1997 karrocat e tërhequra me dorë, do të ndaloheshin në qytet dhe se punëtorëve do t’u kërkohej të ktheheshin në Bihar, shteti nga i cili vinin. Ai tha se vendimi nuk kishte të bënte fare me etikën apo me ndërgjegjen, por ishte një përpjekje e rreptë për të shtuar shpejtësinë e trafikut që ishte për faqe të zezë.
Komentet e Chakraborty shkaktuan një trazirë të vogël, por domethënëse në median ndërkombëtare. Të njëjtët gazetarë që ishin vazhdimisht duke e qortuar Kalkutën, sundimtarët dhe qytetarët e saj për përdorimin e neveritshëm të karrocave që tërhiqeshin nga njerëz dhe që i fajësonin ata për këtë gjë, ishin tani duke qarë me gjithë zemër, duke vajtuar për fatin e atyre që tërhiqnin karrocat. Kalkuta thjesht nuk mund të fitojë.
Nuk ka dyshim se nëse karrocat do të ndaloheshin, Perëndimi do të humbiste një shans më shumë për të mundur qytetin dhe për ta trajtuar atë si të dojë. Gazetarët perëndimorë papritur shfaqën interesin më të thellë për mënyrën e jetesës të 75 mijë njerëzve nga Bihari që kishin në përdorim 25 mijë karroca. Një duzinë investiguesish që mbërritën në fund të vitit 1996 nga e gjithë bota u përpoqën me mish e me shpirt të transmetonin historitë e karrocierëve.
Karrocierët vetë kishin momentet e tyre të arta, meqenëse shumë prej tyre u intervistuan në median botërore. Kam këtu dy rrëfime nga të dy anët e Atlantikut, të cilat portretizojnë pesimizmin dhe fatalizmin e këtyre njerëzve të pafat.
John Thor Dahlburg shkroi në Los Angeles Times:
Çdo ditë mesatarisht 12 orë. Ayodhya, një banor i një lagjeje të varfër të Kalkutës kthehet në një kafshë që mban ngarkesa për të ushqyer veten, gruan dhe tre fëmijët e tij. Në një ditë me fitim të mirë imigranti ekonomik nga Bihari, shteti më i varfër indian, fiton rreth 2 dollarë amerikan. Qeveria e Bengalit perëndimor është e dëshpëruar të thith më shumë investime të huaja, për të përmirësuar imazhin tmerrues të Kalkutës dhe për ta bërë një vend më të përshtatshëm për të bërë biznes. Është ironi se ligji për të hequr qafe është një dekret i përgatitur nga partia Komuniste-Marksiste e Indisë, e cila qeveris në emër të klasës punëtore. Duke qenë se shumica e atyre që tërheqin karrocat si Ayodhya vijnë nga shteti fqinj i Biharit, udhëheqësit e Bengalit perëndimor nuk i marrin parasysh problemet e tyre.
Në një takim publik në korrik, Subhash Chakraborty, ministri i transportit sugjeroi që të gjithë tërheqësit thjeshtë të kthehen pas në shtëpi “Zot na ndihmo” thotë Ayodhya tepër i mërzitur.[38]
Sunday Telegraph i Britanisë dërgoi reporterin e saj Julian West në Kalkuta.
Ajo shkroi:
“Nëse unë do të shkoj në shtëpi tani si do të fitoj para atëherë? Pyet Mohammed Izraul 49 vjeç, i cili si shumica e atyre që tërheqin karrocat, fiton vetëm 3 paund në ditë për të ushqyer familjen e tij prej nëntë fëmijësh që ka lënë në Bihar. Një skemë po realizohet për të rehabilituar tërheqësit e karrocave të larguar nga planet e shpejta të reja për modernizim. Por nga ky do të përfitojnë vetëm 5000 tërheqës karrocash të liçensuar përpara se policia të ndalonte dhënien e lejeve në vitin 1935. “Në qoftë se qeveria i ndalon karrocat ne do të jemi pa punë.” Thotë Mohammed Izraul “Edhe në këtë gjendje jemi shumë të varfër. Tani, ndoshta disa prej nesh do të vdesin urie,”[39]
Në mes të gjithë kësaj zallamahie që po ndodhte nënë Tereza, që për të ndaluar një abortim të vetëm do të udhëtonte milje të tëra, qëndroi e heshtur. Gazetarët perëndimorë nuk bënë kurrë vërejtje për anomalinë ku njerëzit e dëshpëruar e të varfër, bashkë me fëmijët e tyre u shtynë drejt vdekjes nga uria në qytetin që i dha famë nënë Terezës dhe ajo kurrë nuk u përmend për se pse nuk e ofroi ndihmën e saj.
Gjithashtu, për t’u çuditur ishte dhe heshtja e mikut të saj Lapierre sepse ai është një njeri, i cili në mënyrë të përsëritur e ka turpëruar Kalkutën, dhe për këtë se ka gabim, për përdorimin e njerëzve që të tërheqin karrocat. Ai ka pozuar për vite si kampioni më i madh i tërheqësve të karrocës dhe gjatë zhvillimeve të çështjeve të tyre ai grumbulloi një pasuri të konsiderueshme nga përshkrimi i tyre në libër dhe në film. Njëherë ai tha që ishte kaq i mallëngjyer nga mjerimi i tyre, saqë gjithmonë i mbante në kujtesën e tij ngado shkonte, zilen prej tunxhi të tërheqësve të karrocës në Kalkuta. Në librin e tij i nxit pothuajse të gjithë tërheqësit e karrocave të ngrihen kundër kalkutasve, në një revolucion të përgjakshëm dhe me dëshirë përshkruan një episod imagjinar kur ata zhvillojnë një betejë të dhunshme kundër autoriteteve ku një njeri i quajtur Scarface i vuri zjarrin vetes dhe një policit ia shpuan syrin me gozhdë.
Por kur erdhi koha që tërheqësve të karrocave iu kanosej rrezik, ai nuk afroi asnjë ndihmë, financiare. Lavdi Zotit, ai nuk ngriti kurrë ndonjë fond në ndihmë të tyre në Avenue Kleber.
[1] Catholic Life, Manchester, Nëntor-dhjetor. 1999.
[2] Sunday Express, Londër, 27 janar 1991.
[3] Roland Joffe, Mark Medoff, Jake Eberts, City of Joy, histori e ilustruar e filmit, Newmarket Press, 1992, fq 155
[4] Ibid., fq 20.
[5] Sunday Express, Londër, 27 janar 1991.
[6] Dominique Lapierre, përktheu Kathryn Spink, The City of Joy ( Warner Books, 1985), fq 272.
[7] Ibid., fq 322.
[8] Ibid., fq 388.
[9] Ibid., fq 164.
[10] & 11. Ibid., fq 253.
[11] Ibid., fq 284.
[12] Ibid., fq 250.
[13] Ibid., fq 417.
[14] Ibid., fq 269.
[15] Ibid., fq 344.
[16] Ibid., fq 243.
[17] Ibid., fq 187.
[18] Ibid.,fq 248.
[19] & 21. Ibid.,fq 254.
[20] Ibid.,fq 159.
[21] Ibid.,fq 163.
[22] Ibid.,fq 91.
[23] Ibid.,fq 267
[24] & 27. Eileen Egan, Kathleen Egan, Koha e lutjeve me nënë Terezën, Një aventurë e re në lutje (Image Books, 185), fq 88.
[25] The City of Joy, fq 304-8.
[26] Ibid.,fq 385.
[27] Ibid.,fq 58.
[28] & 32. Ibid.,fq 498.
[29] Ibid.,fq 431.
[30] Ibid., Promotional Material In US (Warner Books) botimi ( Nuk shfaqet në botimet e British-Arrow Books).
[31] Ibid.,fq 256.
[32] Intervistë e 30 nëntorit 2000 në shtëpinë e Basu
[33] The Sunday Times, Londër 24 shkurt 1991.
[34] City of Joy, histori e ilustruar e filmit, fq 11.
[35] & 40. Sunday Express, Londër, 27 janar 1991.
[36] Personal Communication të datës 2 nëntor 1996.
[37] Anandalok, Kalkuta, 29 nëntor 1997.
[38] Los Angeles Times, 7 shtator 1996
[39] The Sunday Telegraph, Londër, 1 shtator 1996.