Albert Kamy, për dallim nga skeptikët tjerë dyshon deri aty ku ndjenë se megjithatë ka fuqinë e revoltit. Ai thoshte se "ekziston" vetëm atëherë kur ka fuqinë për të revoltuar. Për gjatë gjithë kohës, mendimtarët e mirëfilltë u brengosën për vendin dhe pozitën e njeriut në ekzistencë. Ata u përpoqën të gjejnë një vend në të cilin meritohet të vendoset kjo qenie kaq fisnike dhe kaq shumë bukpërmbysëse në të njëjtën kohë!
Ademi a.s. është i pari njeri të cilit i shpallen obligime nga Zoti. Atij iu besua misioni i njerëzishmërisë, për te u përkulën engjëjt. Zoti e shpalli zëvendës të Tij në tokë, dhe prapë Ademi ishte i pari që përjetoi katrahurat ndoshta më të rënda; mosmarrëveshjet dhe krimet në familjen e tij. Edhe profetët tjerë lanë gjurmë të thella në fushëbetejat e kacafytjeve me probleme sociale. Të gjithë këta harxhuan veten që njeriut t'i dhurojnë një jetë të mirë me sa më pak brenga. Por, edhe këta u sprovuan me të gjitha ithtësirat e jetës.
Edhe sot ka njerëz që po derdhin mundin për një ditë më të qetë dhe më të mirë dhe prapë edhe këta të gjithë do t'i nënshtrohen ekzaminimeve të ndryshme të kësaj jete. Pyesim: Përse ndodhë një gjë a tillë? Përse njerëzit, prej kohës së profetëve, dijetarë, filozofë, mendimtarë e njerëz të rëndomtë ndjenë nevojën për revolta dhe përse po kemi ka kaq shumë probleme? Përgjigjja më e mirë duhet të ishte kjo: Nevoja për besimin në Zotin, në atë Fuqi ku do mbështetej njeriu e nga andej nevoja për të baraspeshuar elementet përbërëse të qenies sonë, dhe në fund kur për arsye të ndryshme njeriu humbi rrugën, tek ai prapë u ngjall nevoja, por kësaj radhe edhe më shumë, për të gjetur një Zot, një fuqi e cila do t'i dilte në krah nevojave dhe aspiratave të tij. Humbja e harmonisë mes asaj që quhet shpirtërore dhe materiales si dhe dhënia e prioritetit kësaj të dytës, njeriun e hodhi në një shkretëtirë jete ku ai, edhe më tutje po kërkon "zemzemin" e shpirtit, mbase materialja ka shtrënguar njeriun deri në ngulfatje. Revolti i të gjithë këtyre pra, është pasojë e mos njohjes dhe mos gjetjes Zotin e vërtetë. Revolti është thirrja e fundit, ndoshta e shterur për një jetë ku shpirti jonë nuk guxon të shkelet ndërsa ajo që e ndajmë me shtazët, materialja pra, të futet nën kontrollin e arsyes.
Në Islam, agjërimi ka këtë rol; sendërtimin e jetës mbi principin e të mesmes së virtytshme. Islami është fe e paqes, ndërsa paqja e vërtetë arrihet kur ajo sendërtohet në brendësinë tonë dhe që andej në familje, me rrethin dhe me shoqërinë në përgjithësi. Detyrohemi të pranojmë faktin se kjo jetë është jetë brengash dhe sakrificash. Në çdo pore të saj hasim në vështirësi të ndryshme. Betejat mes të mirës dhe të ligës janë fakte të pashmangshme të ekzistencës tonë. Jeta, në kuptimin e saj fenomenal njeriut i prezanton edhe harmonitë edhe disharmonitë e saj. Shumë herë ndjejmë mungesën e harmonisë mes sendeve, kemi nevojë, por nuk e posedojmë jetesën melodike me natyrën, Zoti na duhet, por shumë njerëz nuk po gjejnë dot rrugën që qon kah Ai. Përditshmëritë tona i fillojmë me frikë, ndërsa netët e tëra i zbardhim duke vajtuar të kaluarën dhe duke u frikësuar prej të ardhmes. Agjërimi, në kuptimin e tij final është lufta morale që të kapërcehen këto disharmoni dhe të afrohemi sa më shumë ideales. Kërkesa për jetë të qetë si kërkesë legjitime e jona shpie kah nevoja për agjërimin i cili doemos duhet të kuptohet si nevojë e zotërimit të mjeteve të nevojshme për të triumfuar mbi të ligat që na rrethojnë.
Agjërimi më së paku është ikje nga begatitë materiale. Ai nuk guxon të kuptohet as si tërheqje kah "këndi i mistikëve" ku nga andej të shikohet në botën si diçka që s'mund të ndryshohet. Agjëruesi në asnjë moment nuk guxon të humb hapin me dinamikën e jetës. Në historinë islame, betejat më të suksesshme janë arritur në kohët e agjërimit. Agjërimi i cili nuk posedon këto afinitete ai nuk është i vërtetë, ai është më pak se agjërim i kërkueshëm.
Dihet mirëfilli, instinktet dhe emocionet janë lënda e parë e jetës së njeriut. Ato asnjëherë nuk duhet të identifikohen si të liga. Njeriu është i lindur me predispozitën e vullnetit të lirë. Mirëpo vullneti i lirë shndërrohet në mëkat dhe ligësi atëherë kur ndonjëri nga instinktet tona bëhen egoiste dhe agresive. Agresivitetet janë shkelje apo tejkalime të kufijve të arsyes. Ato janë akte distinktive të njeriut. Agresiviteti është rezultat subordinar i instinktit njerëzor. Nga ana tjetër, agjërimi duhet të jetë arsyeja dhe zëri i Zotit në ne. Nënshtrimi i instinkteve arsyes dhe rregullave morale është thirrja që vjen agjërimi. Njeriu, jeta e të cilit udhëhiqet nga virtytet, është ai i cili jeton në paqe me ligjet e natyrës. Nënshtrimi shpirtit tonë si pjesë e Zotit në ne, në realitet është nënshtrim energjisë së brendshme e cila është më e lart se vet trupi material dhe e cila në një masë të madhe mund të filtrohet nëpërmes këtij rituali. Agjërimi ka kuptimin e një jetese të akordueshme me ligjet e natyrës dhe caktimit të Zotit. S'duhet të harrojmë se çdo sjellje e mirë është gjithashtu akt adhurimi. Të qenurit i drejtë dhe produktiv ndaj vetvetes, ndaj familjes, fqinjëve e ndaj rrethit, në realitet është thirrje e agjërimit, të cilit Islami i dha një rëndësi të posaçme.
Agjërimi është fuqia e revoltit kundër të ligës, kundër dhunës dhe padrejtësive. Ai është vetëmohimi dhe sakrifica për të tjerët.
(Ky shkrim është botuar në gazetën ZËRI me datë 23 Gusht 2010)