NËNË TEREZA VENDIMI FINAL

Dëshiroj që në fillim, ta bëj të qartë se unë nuk dëshiroj ta gjykoj nënë Terezën nga pikëpamja e krahut politik të majtë, sikundër shumica e personave nga ky spektër i krahut politik. Sipas shumë njerëzve nga krahu i ashpër i majtë, nënë Tereza ishte e keqe sepse ajo nuk kishte idetë e tyre politike. Druhem se nuk kam dhe aq kohë sa ta diskutoj nga kjo pikëpamje, kjo jo për shkak se unë vetë nuk kam ide politike të përcaktuara.

Në nivelin ndërkombëtar, agjenda politike e nënë Terezës ishte “e ngu­shtë” dhe kishte të bënte me ndërhyrjen në “politikën” e riprodhimit njerë­zor dhe Katolicizmit. Në Indi sidoqoftë, ajo u angazhua direkt më shumë në politikë dhe në çështje delikate.

Në çështjet për abortimet, kontraceptivët dhe katolicizmin, ajo i gjeti aleatët e saj politikë në një spektër të veçantë në arenën politike, të cilët janë më të zhurmshëm në SHBA. Në të vërtetë aleatët e saj të mëdhenj në politikë ndodheshin në këtë vend, sikurse ishin edhe mbështetësit e saj më të fuqi­shëm financiar. Jo të gjithë miqtë e saj politik ishin katolikë dhe disa prej tyre sikurse ish-presidenti amerikan Ronald Reagan janë të krishterë të fuqi­sh­ëm nga sekte të tjera të krishtera. Aktualisht, pa bërë thirrje të hapur pu­bli­kut amerikan për të votuar republikanët, ajo e bënte shumë të qartë mbë­sh­te­tjen e saj, veçanërisht duke takuar kandidatët republikanë përpara se të zhvi­lloheshin zgjedhjet. Kur kandidati republikan Bob Doll u vu në dyshim për të kandiduar për shkak të ideve të tij anti-abort, ai nxori kartën e nënë Terezës, duke thënë se ai kishte mbështetjen dhe nxitjen e nënë Terezës.

Shumë nga miqtë politik të nënë Terezës ishin antisemitë dhe racistë, megjithëse ajo vetë nuk ishte përkrahëse e asnjërës prej këtyre. Por ajo tregoi se ajo përshtatej menjëherë dhe bënte aleat, çdokënd që mbështeste kauzën e saj. Kjo ishte veçanërisht e dukshme kur bie fjala për politikën indiane në përgjithësi, gjë tek e cila do të kthehem pak më vonë.

Idetë politike ndërkombëtare për nënë Terezën vinin kryesisht të diktuara nga Vatikani. Miqësia ndërmjet nënë Terezës dhe Papës John Paul II ishte akoma më e veçantë se miqësia që ekzistonte ndërmjet Reagan dhe Thatcher. Nënë Tereza nuk u takua kurrë ballë për ballë me Papët e tjerë, të cilët ishin të gjithë duke iu shmangur çështjes së kontraceptivëve. Papa i tanishëm, duke deklaruar hapur se kontraceptivët ishin anti-jetë u bë menjëherë favoriti i saj. Ai gjithashtu ka përjashtuar mundësin se mund të ketë ndonjë diskutim për të lejuar gratë të bëhen priftëresha. Në të vërtetë kur kisha e Anglisë votoi në favor për të lejuar gratë të bëheshin priftëresha, ai dërgoi në mesnatë një telegram proteste. Nënë Tereza vetë mbeti e palëkundur kundër idesë për të lejuar gratë të bëheshin priftëresha. Duke shpjeguar se përse gratë nuk mund të bëheshin priftëresha, njëherë në vitin 1984 ajo i tregoi një gazetari indian: “Asnjë nuk mund të bëhet priftëreshë më e mirë se Shën Mëria jonë, dhe ajo gjithmonë mbeti vetëm shërbëtore e Zotit. Gazetari hindu e keqkuptoi “Our Lady” (Shën Mëria) për “our ladies” ( zonjushat tona) dhe dërgoi një mesazh në gjithë mediat botërore se nënë Tereza i aprovonte gratë të bëheshin priftëresha. Nënë Tereza nuk ishte e kënaqur, shumë mohime nga ana e saj erdhën më pas, duke përfshirë edhe njërën ku ajo theksonte se qëndronte e një mendjeje me ato çka kishte deklaruar Papa për këtë çështje.[1]

 Në vitin 1983 Shoqata Kombëtare e Grave Fetare në SHBA apo e qua­j­tur ndryshe "Shoqata e Murgeshave" u rebelua kundër Papës për çështjen e grave priftëresha. Shoqata nxori një rezolutë në mbledhjen e përvitshme të saj duke deklaruar se ato do të qëndronin të bashkuara dhe nuk do të thyhe­shin. Si e zgjidhi Papa këtë situatë? Pak fjalë të thëna në veshët e Terezës, ndërsa ajo ishte në Vatikan në atë kohë, ishte më se e mjaftueshme.

 Nënë Tereza gjithmonë deklaronte se ditët e saj më të lumtura në jetë ishin kur Ati i Shenjtë erdhi në Kalkuta. Ishte këmbëngulja e saj që e solli Papën për të vizituar këtë qytet Marksist, të pa fe dhe me një popullsi katolike që pothuajse nuk ekzistonte. Ia vlen të përmendim se dita më me fat për nënë Terezën ishte jo kur mori urdhrin Hyjnor për të lënë manastirin e saj, apo kur ajo themeloi urdhrin e saj apo shtëpinë e saj të parë, apo edhe kur kuroi të sëmurin e parë të saj, por kur ajo ia arriti të sillte udhëheqësin e një urdhri të huaj në një qytet indian.

Pas vdekjes së nënë Terezës, në rrethin e ngushtë të Papës mbetën të tjerë ultra ortodoks të vendosur si kardinali O” Connor i New York (tani i vde­kur), kardinali Sin i Filipineve dhe kardinali Ratzinger. Ratzinger, i cili gji­tha­shtu ishte i lidhur ngushtë me nënë Terezën, nuk mund t'i tolerojë besi­met e tjera fetare. Ai e ka quajtur Budizmin “auto-erotik”, ai gjithashtu ka për­jashtuar nga kisha priftin e tij, Tisa Balsuriya, krimi i vetëm i të cilit ishte se kishte portretizuar virgjëreshën Maria në një portret të fortë dhe jo orto­doks. (Tisa Balsuriya kohët e fundit është pranuar përsëri, pas një sërë prote­stash në mbarë botën nga katolikët liberal). Ratzinger gjithashtu krye­s­on kongre­gacionin për doktrinën fetare (CDF), organi trashëgimtar i zyrës së shenjtë për inkuizicion. Në gjithë këtë klub vetëm për meshkujt shovinist dhe jo miqësor për femrat, nënë Tereza ishte e mirëpritur sepse pikëpamjet e saj ishin identike me anëtarët meshkuj të tij. Ajo ishte ambasadorja e tyre më e efektshme. Në të vërtetë kjo femër e ngritur në qiell me trup të vogël dhe e veshur me sari shihej si njeriu më i nderuar nga rrethi i brendshëm i Vatikanit.

Çdo besim fetar dëshiron të ketë përfaqësitë e veta në territoret ku janë dominante fetë e tjera, por Vatikani e kishte të vështirë për të mos thënë të pamundur, për t'u futur në bllokun e vendeve socialiste dhe atyre myslimane. Të dyja, makina politike e Vatikanit dhe vetë nënë Tereza e dinin se ajo ishte i vetmi person që do të lejohej të hynte në territore armiqësore për shkak të bindjeve politike apo fetare. Çdo qeveri në botë që do të kundërshtonte atë të hynte në territorin e saj, do të kishte pasoja të rrezikshme për veten.

Regjimet, të cilat normalisht nuk do të lejonin praninë e Biblës, do të miratonin kërkesën e saj për ta lejuar atë. Ajo shkoi në Etiopi, Libi, Tunizi dhe Irak. Këto përfaqësi ishin gjoja për qëllime bamirëse (në konferencat e shkurtra për gazetarët), por në realitet ato ishin aty për të valëvitur flamurin e katolicizmit. Në Tuniz, për shembull, ajo kishte një manastir për murgeshat, por jo një shtëpi për të varfërit. Në Libi ato nuk do të lejoheshin të gjenin një shtëpi edhe nëse ato do të dëshironin.

Fidel Castro e kishte të pamundur t'i thoshte jo asaj sepse ai e dinte që do të largonte shumë nga përkrahësit e tij rreth e rrotull botës nëse ai vepro­nte kështu. Nën urdhrin e Vatikanit nënë Tereza fluturoi me një aeroplan privat në Havana nga Fort Lauderdale në Florida në 9 korrik 1986 për të takuar Castron. Castro ishte i detyruar të binte dakord për të pranuar atë të vinte në Kuba, sepse t'i thoshe "jo" nënë Terezës, do të thoshte të bëje një vetëvrasje në marrëdhëniet me publikun.

Sapo u dha leja, nënë Tereza deklaroi me sinqeritet se misioni i saj në Kuba do të përfshihej në “punë shpirtërore.”

Gjatë viteve 1980 Nëna u bë e fiksuar me idenë për të hyrë Bashkimin Sovjetik dhe i shkroi letër Gorbaçovit shumë herë për t'u lejuar të hynte në të. Të gjithë e kujtojmë fotografinë e saj të famshme ndërsa i drejtohej gazetarëve në një konferencë për shtypin në Moskë në 21 gusht 1987 nën portretin e Karl Marksit. Ideja e saj e fundit që iu bë obsesion ishte Kina. Madje edhe kur ajo ishte e sëmurë mjaft rëndë fjalët që ajo pëshpëriste ishin “Le të lutemi që të hyjmë në Kinë.” Është thënë se edhe ditën që ajo vdiq mërzitja për Kinën e shqetësonte atë.

Në një regjistrim me video, e cila është e mundshme edhe për publikun të shihet, e filmuar pas operacionit të saj në zemër në prani të doktorëve dhe infermierëve në klinikën Scripps, në Kaliforni në 14 janar 1992, ajo foli në tërësi për sukseset e saj politike në vendet e bllokut komunist:

Kujtoni kur unë shkova në Kubë. Unë u ftova për të shkuar atje. (Ajo e ftoi veten e saj për të shkuar atje) Kastro më pyeti: “Përse do që të vish në Kubë?” Sikurse ju e dini Kisha ishte krejtësisht e mbyllur atëherë. Nuk kishte as priftërinj as murgesha. Ne kemi pesë shtëpi deri tani atje. Në Rusi ne kemi dhjetë shtëpi. Ne kemi hapur shtëpi në Shqipëri. Shqipëria ishte nga ana ligjore ateiste. Lajmi më i mirë i fundit që unë do të dëshiroja është veçanërisht që ju të luteshit për Kinën. Qeveria e Kinës më ka kërkuar të hap shtëpi atje. Unë dua që ju të luteni shumë. Sapo unë të jem më mirë dhe në gjendje për të udhëtuar, unë do të shkoj atje. Kjo është mrekullia numër një, një mrekulli e vërtetë na ka ardhur nga ata, unë nuk pyeta, unë nuk do të shkoj në Kinë, në rregull, nuk po bëj shaka, Kina është e juaja, në rregull (ngre dorën e saj të djathtë lart dhe e shtyn përpara). Turqia gjithashtu na ka kërkuar të shkojmë atje. Kjo është një mrekulli nga Zoti......

Nuk është e vërtetë që qeveria kineze i ka kërkuar Nënës që të hapi shtëpi për organizatën e saj atje. Ajo i bëri kërkesa të panumërta qeverisë kineze nëpërmjet kanaleve të ndryshme dhe kreu të paktën dy udhëtime sek­rete atje. Të paktën 6 vjet pas fjalimit që mbajti deri në ditën që vdiq, asaj nuk iu lejua të hapte institucionet e saj në Kinë, gjë e cila e përgënjeshtron dekla­ratën që kishte bërë se qeveria kineze mezi po priste që ajo të hapte shtëpitë e saj atje.

Amerika Latine ishte një rast i veçantë për të dy, Papën dhe nënë Terezën. Këtu ata të dy bashkë zhvilluan strategjinë për të luftuar socializmin me katolicizmin. Të dy, Nëna dhe John Paul II ishin veçanërisht të shqe­tës­u­ar për “Liberation Theology” (“Teoria e çlirimit”), të cilën ata e konsi­de­ro­nin një deformim Marksist korruptim të mësimeve të krishtera. Nënë Tereza kishte një përbuzje të madhe për priftërinjtë që donin të bënin mirë dhe të angazhoheshin me punët e komunitetit. “Unë u them të gjithë priftërinjve. Ju nuk jeni bërë priftërinj për t'u marrë me punë sociale.”[2]

Vatikani ka veçuar Nikaraguan si një rast të veçantë për shkak të popu­lla­ritetit atje të Sandinistas, dhe nënë Tereza siç dihet shkoi atje me kryqin në dorë. Institucioni më i ri i urdhrit të saj në Nikaragua, i themeluar në vitin 1997 është një shtëpi meditimi, kur ajo që i duhet këtij vendi janë insti­tu­cio­net bamirëse.

Për shkak të shoqërimit me Papën, nënë Tereza nuk është kudo po­pu­llo­re në Amerikën e jugut. Shumë nga priftërinjtë atje e trajtojnë atë me dyshi­m dhe përbuzje.

Kur Vëllezërit që i përkisnin urdhrit të saj shkuan njëherë në Brazil, për të ngritur misionin e tyre atje, iu kërkua nga priftërinjtë vendas “t’ia mba­thnin”[3]

Priftërinjtë e Amerikës së jugut nuk ia kanë falur Papës trajtimin që ai i bëri kryepeshkopit Romeo të El Salvador, i cili u vra në vitin 1980 nga skuadrat e vdekjes vendase të sponsorizuara nga CIA, ndërsa ai ishte duke mbajtur meshën. Dhjetë muaj përpara se ai të vritej, Romero kishte udhëtuar për në Vatikan t'i tregonte Papës rreth vrasjeve të pamëshirshme të qyte­ta­rëve dhe priftërinjve katolikë, të cilët e kundërshtonin juntën ushtarake.

 I njëjti Papë, i cili po e sillte botën në gjunjë me protestat e tij kundër dhunimeve të të drejtave të njeriut në Evropën lindore, e la Romero-n të priste për rreth gjashtë javë përpara se ta takonte atë, megjithëse kryepeshkopët kanë të drejtë për ta takuar menjëherë Papën. Kur John Paul II e takoi më në fund Romero-n në një takim të shkurtër, e nisi mbrapsht me këshilla për të rregulluar mënyrat e tij të sjelljes.

Mbështetja e Vatikanit për diktaturën ushtarake të Haitit (dhe kato­li­ci­z­mit fashist) ishte po ashtu e çuditshme. Edhe këtu prapë nënë Tereza i bëri jehonë me zhurmë të madhe linjës që mbante Vatikani. Kur ushtria e Haitit përmbysi priftin e zgjedhur në mënyrë demokratike (katolik socialist), Jean-Bertrand Aristide në vitin 1991, Vatikani ishte i vetmi që e njohu zyrtarisht juntën ushtarake. Madje, kjo gjë përmendet edhe nga autori i biografive të shenjtorëve dhe i biografisë së John Paul II Tad Szulc:

Mund të duket e çuditshme, por nuk pati asnjë protestë nga Vatikani kun­dër dhunimeve masive të të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhe vrasjet e panumërta, gjatë sundimit të juntës ushtarake, dhe asnjë fjalë publike për të mbështetur rivendosjen në zyrë të Jean-Bertrand Aristide. Si pasojë, Aristide i kërkoi organeve fetare ta lejonin atë për t'u larguar nga priftëria përfundimisht .[4]

 

 Nënë Tereza, sigurisht, ishte një mikeshë e vjetër e milicisë së Haitit. Ajo dhe familja famëkeqe e Duvalier, të cilët sundonin me ndihmën e ushtri­së së tyre private Tonton Macoutes kishin një pëlqim të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Kur ajo e vizitoi Haitin si një mysafire e familjes Douvalier (shkoi për të marrë medaljen e Haitit Legion d”Honneur) i thuri lavde Madam Douva­lier, e cila jo vetëm që kishte mjelë miliona nga arka e shtetit, por gjithashtu ishte një urdhëruese e torturës.

Nëna i tha Michele Duvalier: “Madam Presidente vendi ngazëllehet nga puna jote plot gjallëri.” Ajo gjithashtu shtoi se kurrë nuk kishte parë “njerëzit e varfër kaq të afruar me kryetaren e tyre të shtetit. Ky ishte një mësim i bu­kur për mua.”

Unë e marr me mend se ata që përpiqen të shfajësojnë nënë Terezën, do të thonë se ajo thjesht po përpiqej të ishte e sjellshme me mikpritësit e saj, gjë që ishte pjesë e protokollit diplomatik. Pasi ajo ishte mësuar me qindra fjalime gjatë jetës së saj në çdo cep të botës drejtuar llojeve të ndryshëm mikpri­tësish, kam frikë se nuk mund të bie dakord me këtë lloj linje argu­me­nti­mi. Ajo vështirë se foli ndonjëherë për të lavdëruar mikpritëset e saj, madje edhe merrte dhurata nga ata, fjalimet e saj ishin zakonisht të stër­zgja­tura, duke filluar me temën e varfërisë (me të dyja, atë trupore dhe atë të men­djes) dhe pastaj duke kaluar në një fjalim të ashpër kundër abortit.

Lavdërimi që ajo i atribuoi Duvalireve ishte një certifikatë e veçantë që ajo e rezervonte për më të zgjedhurit, ku fliste mbi arritjet e jetës së tyre. Më vjen nëpër mend vetëm ish presidenti Reagan i cili pati një trajtim të tillë. Madje edhe kryebashkiaku i Romës Rutelli, i cili deklaroi se donte ta shpë­to­nte qytetin nga ciganët deri në vitin 2000[5] edhe pse ajo ishte e dhënë ndaj tij, nuk i thuri të tilla lavde.

Nuk është se nënë Tereza nuk i vinte re vrasjet pa dallim që bëheshin nga diktatorë të pamëshirshëm, por linja ideologjike që ajo ndiqte ishte se nëse ti po vepron si duhet për çështjet që kanë të bëjnë me besimin fetar dhe me abortin, atëherë çdo gjë tjetër që bën do bëj sikur nuk e vë re. Për më tepër nëse ti je bujar për të dhënë para për urdhrin tim atëherë je i larë nga gjynahet, për ato të cilat bota në tërësi i sheh si krime.

Nënë Tereza kishte një lidhje veçanërisht të ngushtë me Ronald dhe Nancy Reagan dhe ishte mysafire e nderuar në shtëpinë e bardhë më se një herë. Dashuria e saj për Reagan lindi pas përpjekjeve të tij për të bërë të paligjshëm abortin në SHBA. Ajo bënte sikur nuk e vinte re që ai ishte nga ata që nuk falte, ishte një ithtar i fushatave ushtarake gjakatare dhe iniciues i Luftës së Yjeve dhe ishte pro mbajtjes së armëve dhe pro dënimit me varje. Ai kurrë nuk dëshironte të njihej si një mik i të varfërve. Thuhet se Reagans, të cilët i dinin natyrat e tyre të ftohta dhe të pamëshirshme, i dhanë asaj para në shuma astronomike për të qetësuar ndërgjegjen e tyre. Në qershor të vitit 1981 ajo vizitoi Shtëpinë e Bardhë dhe i mbajti një predikim Reagan-it, që e la Ronald-in pa fjalë (Presidenti nuk ishte një njeri që mendonte shpejt dhe shpesh kishte mangësi në gjetjen fjalëve) dhe Nancy u shkreh në lot :

Ju keni vuajtur mundimet e Krishtit në kryq dhe jeni bekuar me mirësi. Ky është qëllimi i gjithë kësaj. Nga që ju keni vuajtur dhe keni ndjerë vetë dhimbje, ju tani do t'i kuptoni dhimbjet dhe vuajtjet e botës. Kjo gjë ju ka ndodhur juve në këtë kohë sepse vendi juaj dhe bota ka nevojë për ju.[6]

Ajo çfarë kishte parasysh ishte se vendi juaj dhe bota ka nevojë për ju që të jeni të fortë dhe të ndaloni abortin në SHBA dhe kështu të bëheni shem­bull për botën perëndimore. Me “vuajtje dhe dhimbje” ajo kishte parasysh abortin, jo vuajtjet e varfërisë apo sëmundjeve.

E vërteta është se Vatikani nuk është i interesuar në Amerikën Latine thjesht për arsye bamirësie. Nuk ka asnjë interes të merret me bamirësi atje, arsyeja e tij e vetme është të minoj lëvizjen e majtë dhe të destabilizojë Kubën. Qëllimet e vërteta të kishës katolike plotësisht dolën në dritë gjatë dramës së zgjatur Elian Gonzalez në gjysmën e parë të vitit 2000. Elian ishte 6 vjeç kur lundroi nga Kuba për në Majami në një varkë, ndërsa nëna e tij u zhduk. Babai i tij (i cili ishte divorcuar nga ajo) ishte në Kuba dhe kërkonte që ai të kthehej. Ekspertët ligjorë të fëmijëve në SHBA donin që ai të kthe­hej. Më e rëndësishmja ishte se fëmija donte të kthehej. Njerëzit e vetëm që kërkonin që ai të mbetej në Florida dhe të rritej pranë dajallarëve (katolik të devotshëm) të tij të largët (shumica e të cilëve kishin dosje për krime të rënda) ishin ata nga kisha katolike.

Kisha, e cila është kaq e dhënë pas nxjerrjes në pah të “vlerave të fam­i­l­jes” ishte tani kaq e prirur për të pikëlluar babanë për të birin. Në të vër­tetë që në kohën që president ishte Eisenhower, CIA dhe kisha katolike vendase ndërmorën operacionin Peter Pan, i cili i la jetim fëmijët kubanezë duke i larguar nga prindërit e tyre dhe duke i rritur në familje katolike në SHBA.

Roli më i dobishëm politik i nënë Terezës doli në pah në vitet para se të shka­tërrohej blloku socialist. Nuk është bërë e njohur (pranuar nga Vatikani) se Papa bashkëpunoi me CIA-n për të sjellë përmbysjen në Evropën lindore. Ai dhe nënë Tereza punuan pa u lodhur për t'u lejuar të hynin në bllokun e vendeve socialiste të Evropës lindore, vite para se muri i Berlinit të shembej. Edhe në këtë rast, qëllimi i vetëm ishte më shumë destabilizimi politik se sa qëllimi i bamirësisë. Rasti i shtëpisë së nënë Terezës në Berlinin lindor është një shembull. Ajo erdhi në Berlinin lindor në qershor 1980 dhe udhëhoqi një meshë për 20 mijë njerëz, ajo e quajti atë “meshë në shesh të hapur”. Megji­tha­të, nuk më kujtohet që ajo të ketë mbajtur një meshë në vend të hapur në ndo­një vend tjetër, ky nuk ishte stili i saj. Ajo hapi shtëpinë e saj në Berlinin lindor në vitin 1981 në kulmin e luftës së ftohtë, dy vjet pasi ajo kishte marrë çmimin Nobel; edhe autoritetet e Berlinit lindor nuk guxonin t'i thoshin asaj jo. Por brenda pak ditësh që muri i Berlinit ra, shtëpia u mbyll, kur në realitet kjo ishte koha e duhur që Berlini lindor kishte nevojë urgjente për ndihmë në problemet e tij të reja dhe të shumëfishta.

Gjatë gjithë jetës së saj nënë Tereza mbajti qindra takime të fshehta me Papë të ndryshëm me qëllim që katolicizmi të kthehej në vendin e saj të lindjes, në Shqipëri. Ajo ishte mjaft me fat që pa gjatë jetës së saj rënien e regjimit stalinist në Shqipëri. Nuk ishte koincidencë, sidoqoftë, rrëzimi nga turmat i statujës së diktatorit të mëparshëm Enver Hoxha në 21 shkurt të 1991 që Tereza të mbërrinte në Tiranë në 2 mars. Ajo ishte duke qëndruar në Romë gjatë gjithë shkurtit, duke pritur për të ardhur një moment me fat, një lëvizje politike brilante me qëllim për të ri-përforcuar mbërritjen e katolicizmit. Politika të sakta nga një grua që i kuptonte si duhej. Në të vërtetë për të mbajtur vendndodhjen e saj sekrete nga kundërshtarët, ajo udhë­toi pa e treguar emrin nga India për në Romë. Emri i saj nuk ishte në listën e pasagjerëve të linjës ajrore Air India, një fakt i bërë i njohur në bio­gra­finë e saj zyrtare.[7]

Sidoqoftë, gjoja nënë Tereza nuk përzihej në punët politike të luftës së ftohtë, madje edhe kur ndërhyrja e saj ose edhe përmendja, do të kishte qenë shumë përfituese për të arrestuarit dhe disidentët. Kur të gjithë fituesit e çmimit Nobel, të vitit 1979 vendosën t'i dërgonin një letër Brezhnev-it, duke pro­te­stuar për ndalimin që i ishte bërë një shkencëtari të ri rus, e vetmja lau­re­ate që nuk do ta nënshkruante letrën ishte nënë Tereza do të dukej shumë “politike” në sytë e botës,

Përsëri në Indi ajo sillej ndryshe. Në korrik të vitit 1997 një punëtor që merrej me ndërtimtari, i quajtur Sanjoy Ghose u rrëmbye nga guerrilasit që kër­konin ndarjen e krahinës së Assamit, nënë Tereza me gjithë reputacionin e saj bëri thirrje me anë të një faksi që nga Vatikani (ajo ishte vizita e fundit për të) duke u kërkuar terroristëve ta lironin atë. (Sanjoy Ghose më vonë u gjet i vdekur.)

Nënë Tereza ishte instrumenti që e ktheu konferencën për popullsinë në Kairo në vitin 1994 në një takim të parëndësishëm. Si një shtet sovran Vati­kani ishte ftuar të merrte pjesë në konferencë. Megjithatë më duket e çu­di­t­sh­me që një “shtet” pa gra dhe fëmijë në popullsinë e tij duhet ftuar të marrë pjesë në një konferencë të tillë në fund të fundit. Është e kotë të bëjmë lojëra fjalësh, kur dimë çfarë pushteti ka Vatikani.

Institucioni katolik luftoi me mish e shpirt për të shkatërruar konfe­re­n­cën dhe më në fund ia arriti në një masë të madhe. Ndërmjet komploteve që thuri ishte një letër e sheqerosur e nënshkruar personalisht nga nënë Tereza, adresuar për konferencën; ajo përmbante fjalët e saj të zakonshme: “Nëse një nënë vret fëmijën e saj, atëherë çfarë mund të na ndali mua dhe ty të vrasim njëri-tjetrin? Ajo ia bëri mjaft të qartë konferencës se kishte kapa­ci­te­tin të kujdesej për milionat e të gjithë fëmijëve të padëshiruar në mbarë botën: “ Në qoftë se ka një fëmijë të cilin ju nuk e doni, nuk mund ta ushq­eni apo edukoni, ma jepni mua atë fëmijë. Unë do të kujdesem për atë fë­mi­jë.” Nuk ka dyshim madje edhe shumica e delegatëve jo katolik e besonin atë, nënë Tereza nuk thoshte gënjeshtra! Pasi konferenca mbaroi, Vatikani e mbajti peng duke refuzuar ta nënshkruante deklaratën e përbashkët vetëm nëse formulimi do të ndryshonte. Papa dhe nënë Tereza refuzuan të mira­to­nin përdorimin e kontraceptivëve nga gratë për të penguar shtatzëninë e padë­shiruar, në çfarë do qoftë rrethane, duke përfshirë martesën madje edhe kur janë të përdhunuara. Në vitin 1996 Vatikani e anuloi kontributin e tij fina­nciar prej 2.500 dollarë në vit për UNICEF-in sepse ishte duke ofruar “pilulat kontraceptive për gratë e sapo përdhunuara”. Gra, të cilat ishin përdhunuar në Afrikën qendrore nëpër kampet e refugjatëve.

Pas konferencës së Kajros, në vitin 1995 erdhi konferenca e katërt "Women" në Pekin. Në këtë konferencë nënë Tereza bëri një hap më për­pa­ra. Ajo u lidh me Mercedes Wilson nga krahu i djathtë ultra ortodoks i Fo­nda­cionit Amerikan për Familjen, për të shpënë letrën e saj që ajo kishte shkruar dhe ta lexonte atë në konferencë. Letra e nënë Terezës ishte therëse dhe sulmonte konceptin e gruas së pavarur:

Asnjë lloj pune, plani, asnjë pronësi, asnjë lloj ideje për lirinë nuk mund të zërë vendin e dashurisë... Akoma do të mund ta shkatërrojmë ne këtë dhuratë për të qenë nënë, veçanërisht nga mëkati i abortit, por gjithashtu, duke menduar se gjërat si punët apo pozicionet që zëmë në shoqëri janë më të rëndësishme...

Letra zuri vendin kryesor në edicionet e lajmeve. Që konferenca mori gjithashtu një peticion të nënshkruar nga mijëra gra të varfëra të Kalkutës që mbë­shtetnin punën që bëhej për planifikimin familjar kurrë nuk u bë e njohur. (Letër e dërguar nëpërmjet Shoqatës së Planifikimit Familjar të Indisë.)

Shumë nga admirueset e nënë Terezës nga shtresat e larta të shoqërisë janë gra, dhe madje disa prej tyre mund edhe të mendojnë se karriera është shumë herë më tepër e rëndësishme se rritja dhe edukimi i një fëmije. Unë shpresoj njerëz si Joan Collins, Julia Roberts, Gina Lollobrigida, Elizabeth Taylor, Elizabeth Hurley, Penelope Cruz pa përmendur mijërat e grave që punojnë në media, në të gjithë botën, ta kuptonin se me çfarë përbuzje shiheshin ato nga heroina e tyre.

Për rastin e vetes së saj, nënë Tereza nuk mendonte se ishte një grua karriere, duke qenë se ajo ishte duke e bërë këtë për Jezusin.

Urrej ta pranoj këtë dallim, por kur bie fjala për çështje sociale edhe vetë Papa i tanishëm është më liberal se nënë Tereza. Papa në letrën e tij për konferencën në Pekin nuk përmendi rolin e “shërbëtoreve të devotshme”, tha gjithashtu se burrat dhe gratë janë të barabartë, por të ndryshëm “uni-duality”. Ai gjithashtu, në mënyrë ironike tha: “Faleminderit grave që punojnë.”

Thëniet e nënë Terezës se ajo nuk i ndiqte vetë personalisht konferencat sepse kjo do të ishte diçka tepër politike, nuk qëndron përballë një këqyrje të hollësishme sepse ajo vetë ishte një delegate zyrtare e Vatikanit në vitin 1975 në konferencën ndërkombëtare për gratë të zhvilluar nga Kombet e Bashkuara në qytetin e Meksikos. Vatikani sidoqoftë, nuk e lejoi atë të krye­so­nte delegacionin, nderi për këtë i përkiste një burri, peshkopit Ramon Torrella Cascante.

Për sa i përket abortit ishte nënë Tereza që e ndryshoi këtë nga një çë­sh­tje personale në çështje politike gjatë dekadave të fundit. Të lënë vetëm, ple­qtë në Vatikan, dikush mund të dyshojë do të kishin qenë injoruar si një tufë të venitur dhe pa iniciativë.

Ishte për t'u habitur se si media botërore raportonte me një ndryshim të madh thirrjen që nënë Tereza u bënte mijëra grave në Bangladesh, të cilat ki­sh­in mbetur shtatzënë pasi ishin përdhunuar nga ushtarët pakistanez gjatë lu­f­tës për pavarësi në vitin 1971 t'i mbanin fëmijët. Zëri i vetëm kritik kundër saj ishte i Germaine Greer, e cila ishte cilësuar si një feministe e çme­ndur nga gazetarët. Tortura barbare që iu ishte bërë këtyre grave të kapura rob ishte përshkruar nga Joyce Goldman duke shkruar për revistën American.[8]

Joyce Goldman shkroi për gratë që ishin mbajtur në baraka dhe për­do­rur si “makina cigaresh” nga ushtarët, dhe një prej tyre ishte cituar të kishte thënë: "Ne i përdornim vajzat derisa ato vdisnin.” Ajo përshkroi rastin e një vajze të vogël tetë vjeçare, e cila ishte tepër e vogël për nevojat e ushtarëve dhe ishte çarë për t'u përshtatur për ta dhe më pas përdhunuar deri sa vdiq.

Është interesante që nënë Tereza nuk shqiptoi asnjë fjalë të vetme për të dënuar veprimet e ushtarëve ose madje një fjalë të vetme simpatie, për gratë që ishin bërë viktima të tyre.

Fiksimi i saj i vetëm ishte se nëse gratë e përdhunuara ishin shtatzënë ato nuk duhej të abortonin. Ajo mund të kishte përfshirë në ndihmën e saj të gji­tha gratë e torturuara dhe të abuzuara, por në vend të kësaj ajo zgjodhi t'u ofronte ndihmë vetëm grave shtatzëna, dhe kjo ndihmë vetëm për ato gra që ishin përdhunuar dhe kishin ndërmend t'i mbanin fëmijët, deri në kohën që ato të lindnin. Ajo që nuk dihet në përgjithësi është se sa vëmendje i është ku­shtuar thirrjeve të saj të tërbuara, më pak se 50 gra i mbajtën fëmijët e tyre edhe këto për arsye të ndryshme që nuk kanë lidhje me lutjen e nënën Terezës.

Jashtë, nën kontinentit Indian nënë Tereza do të sillte vërdallë gjithë botën për të ndaluar një abort të vetëm. Në të vërtetë ajo udhëtoi nëpër botë për të ndaluar një abort, ose për çështjen e abortit. Në maj të vitit 1981 ajo dëgjoi se miku i saj kundër abortit senatori Republikan Mark Hatfield kishte votuar kundër amendamentit Hyde, i cili kërkonte të ndalonte financimin nga qeveritë federale të abortimit që kryenin gratë që ishin përdhunuar apo kishin rënë pre e incestit familjar. Ai e bëri këtë gjë për arsye teknike, por kjo nuk e ndaloi nënë Terezën të udhëtonte deri në Capitol Hill, për ta shtrydhur mikun e saj për dy orë rresht nën shoqërinë e dy militantëve kundër abortit se përse ai veproi në këtë mënyrë: “Ajo vazhdoi me një ritëm të lartë pyetjet rreth çështjes së abortit” tha ai. Lobi kundër abortit ia nxiu jetën Hatfield sa që ai u detyrua të thoshte:

Ata kanë një shpirt aq të lig, të pa kompromis dhe padashuri si ata të cilët unë i kam hasur në luftërat në Vietnam, në kanalin Panamez, ose në ndonjë çështje tjetër të diskutueshme. Ju keni dëgjuar për fuqinë e shoqatës kombëtare për mbajtjen e armëve dhe sistemin e saj të komunikacionit për të arritur Kongresin.... Më lejoni pra t'u them, ata janë çikërrima krahasuar me këtë organizatë.

 

Megjithëse nënë Tereza ishte në drejtimin e kësaj organizate “të lig, të pa kompromis dhe padashuri” Mark Hatfield e kurseu atë, duke thënë se ajo ishte një grua plakë dhe naive, e cila ishte manipuluar, ajo në çdo situatë ishte kursyer pa marrë parasysh gjërat që bënte. Më vonë ajo e takoi Mark Hatfield nën shoqërinë e presidentit Reagan (i cili ishte në favor të amenda­mentit Hyde ) dhe ia bëri shumë të qartë se mos mbajtja e krahut që duhej për çfarëdo arsye ishte diçka që ajo nuk mund ta kapërdinte lehtë. Në qoftë se kjo nuk është politikë aktive, do të dëshiroja të dija se çfarë është.

Në vitin 1981 nënë Tereza udhëtoi për në Japoni t'u adresohej mble­dhje­ve kundër abortit të financuar nga katolikët japonezë. Ajo u përpoq të sigu­ronte një dalje në televizione sa më shumë të ishte e mundur. E pakë­na­qur me rezultatin e arritur, një vit më vonë ajo shkoi përsëri atje, kësaj radhe në mënyrë të fortë duke grupuar rreth 230 deputetë në hotelin Hilton (në 24 prill 1982). Ajo pothuajse ia arriti të ndryshonte ligjin për abortim në Japoni. Gjatë të njëjtit udhëtim ajo vizitoi shtëpinë për viktimat e bombës atomike në Nagasaki. Ajo nuk tha asgjë për vuajtjet e viktimave dhe për tmerrin që shkaktonte bomba; gjithë gëzim u tha atyre që shkatërruesi më i madh i paqes në botë ishte aborti. Nënë Tereza kishte bërë fushatë aktive kundër Geraldine Ferraro (një katolik, i cili nuk ishte absolutisht kundër abortit) gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 1984. në 15 tetor kardinali i New York O'Connor bëri një sulm të hidhur publik kundër Geraldine Ferraro, në një takim në Cathedral High School, nënë Tereza papritur u shfaq pa njoftuar në podium dhe qëndroi pranë tij gjatë gjithë fjalimit. Tre ditë më vonë, Ferraros iu tha se ai nuk ishte i mirëpritur në Darkën e Takimit Politik Katolik, ku ai duhej të mbante fjalim. Dihet se nënë Tereza kishte qenë mjaft influencuese për t'i bërë organizatorët ta merrnin këtë ven­dim. Në një takim të mëvonshëm, O'Connor pati ndershmërinë të pranonte se kritikët e tij e shihnin atë të “përzihej shumë në punët politike.”[9] E tillë deklaratë kurrë nuk do të dilte nga buzët e nënë Terezës, ndershmëria nuk ishte diçka që t'i përkiste asaj.

Në shkurt të vitit 1994 nënë Tereza erdhi veçanërisht në Washington D. C duke regjistruar një amicus curiae në favor të Alexander Loce (shih gjitha­shtu kapitullin 1), i cili ishte duke ndjekur penalisht nga shteti i New Jersey-it sepse kishte vandalizuar klinikën e abortit të ish mikeshës së tij. Letra e saj për Gjykatën e Lartë ishte sipas gjendjes së saj të zakonshme shpirtërore. Shkruar, duke mbajtur frymën dhe në mënyrë të përulur, duke përshkruar të gjithë punën që ajo ishte duke bërë me të varfërit. Unë besoj se një amicus curiae mund të regjistrohet në favor të dikujt në SHBA vetëm nga një qytetar amerikan. Kështu ajo tha:

Si ky fëmijë (i pa lindur), unë mund të konsiderohem një e jashtme. Unë nuk jam një qytetare amerikane... Në shumë aspekte unë e di si është të jesh pa një atdhe. Unë gjithashtu e di si të jesh një qytetare e adoptuar e vendeve të tjera.

 

Ajo vazhdoi të lavdëronte qytetërimin e SHBA (në një mënyrë të veçantë dhe frymëzuese, Amerika ruajti besimin e saj, etj.) përpara se ajo të vinte tek kryesorja adrem, ajo tha:

Po, ka pasur një largim shkatërrimtar dhe pafundësisht tragjik nga idealet amerikane kohëve të fundit. Ishte vendimi që kjo gjykatë dha për Roe v. Wade, në vitin 1973 të përjashtonte një fëmijë të pa lindur nga familja njerëzore. Ju vendosët që një nënë, në konsultim me doktorin e saj, të ketë liri të gjerë veprimi, shkelje e garantuar në kushtetutën e SHBA-së, të ketë mundësi të zgjedhë, të shkatërrojë fëmijën e saj të pa lindur.... .Amerika nuk ka nevojë për fjalët e mia të kuptojë se si vendimi juaj në rastin e Roe v. Wade ka shëmtuar një vend të madh. Gjykata kushtetuese e Republikës Federale Gjermane kohët e fundit vendosi se “Një fëmijë i pa lindur ka të drejtat e tij të jetës në mënyrë krejt të pavarur nga nëna e tij....” Amerikanët duhet të qajnë që qeveria e tyre, në kohën e tanishme duket e verbër ndaj kësaj të vërtete.

 

Unë mendoj se njerëzit duhet të bien dakord me mua se këto nuk janë fjalët që mund të thotë çdo murgeshë tjetër në botë.

Tetë muaj më parë se të gjykohej Alexander Loce në New Jersey (Më vjen keq që nuk e di përfundimin e këtij rasti) nënë Tereza u gjet në Dublin duke i fryrë zjarrit që digjte gjithë pasion rreth një aborti që tashmë ka hyrë në historinë e Irlandës. Historia e vajzës 14 vjeçare të njohur si “X” e cila mbeti shtatzënë si rezultat i një përdhunimi nga një burrë më i madh i martuar. Në qershor të vitit 1993 nënë Tereza dha një intervistë në radion 98 FM, në Talk Show, të drejtuar nga prifti popullor Michael Cleary, ku në këtë intervistë ajo e përjashtoi abortin për “X” duke thënë “Aborti kurrë nuk mund të jetë i nevojshëm sepse është vrasje e pastër.”[10] Michael Cleary, i cili më vonë u zbulua se kishte pasur një grua për 26 vjet dhe kishte dy fëmijë të rritur dhe i cili pohonte se rasti i “X” ishte një komplot nga liberalët për të ndryshuar ligjin, e pyeti nënë Terezën nëse ajo do të pranonte abortin ndonjëherë për rastet e përdhunimit. “Jo, kurrë.” u përgjigj ajo. Siç ndodhi, “X” pati një dështim në atë kohë.

Irlanda kishte pasur një referendum për abortin në vitin 1992, i cili pavarësisht protestave pa ndalim të nënë Terezës, u dha grave të drejtën të udhëtonin në një vend tjetër për të abortuar. Në vitin 1990 ajo pati humbur një tjetër betejë maratonë lutjeje (mbështetur nga paraqitja te kryeministrja Thatcher dhe disa deputetë të ndryshëm) për të anuluar ligjin e Britanisë së Madhe për abortin. Unë shpresoj që këto rrethana që janë tepër të rëndësishme për pikëpamjen e jetës dhe të qenies së nënë Terezës, janë zhvi­llu­ar gjatë bekimeve, kur kërkoheshin mrekulli “të suksesshme”. Të tilla si për atë kur po luteshin për fonde për të blerë një pronë në Londër, dhe pa­staj thjesht duke hapur një kuletë gjenin shumën e duhur në cash!

Nënë Tereza duket se ndjente një lloj detyrimi të ndërhynte në proceset sociale dhe politike në Irlandë. Në gusht të vitit 1982, ajo fluturoi për në Dublin dhe mbajti një seri fjalimesh të zjarrta, në favor të projektligjit të kryeministrit Charles Haughey, për të ndaluar abortin me ligj absolut. Ajo ishte duke nxitur armiqësinë tashmë të helmatisur ndërmjet përkrahësve dhe kundër­shtarëve të abortit, i cili arriti deri në goditje, në disa raste të ndry­shme. Përpara referendumit të vitit 1995 mbi divorcin, ajo i shkroi një letër kombit dhe popullatës së Irlandës, duke u kërkuar të votonin kundër legalizimit të divorcit. Papa gjithashtu lëshoi një deklaratë të njëjtë. Kjo bëri që gazetari irlandez Gene Kerrigan të vinte në dukje se “njerëzit që qën­dro­jnë të heshtur kur fëmijët janë përdhunuar nga priftërinjtë, tani janë të prirur të na mbajnë fjalime.[11] Nëna ishte gjithashtu përplot me lutje, të cilat dësh­tuan përsëri, vota “PO” fitoi.

Disa njerëz kanë qenë gjithmonë më lart në sytë e Vatikanit kur ata qëndrojnë në majë të shkëlqimit në shoqëri. Prandaj nuk ishte për t'u çuditur kur nënë Tereza bëri një përjashtim kur i erdhi radha e divorcit të princeshës Diana. Duke komentuar për martesën e saj, ajo i tha një gazetari amerikan “Është gjë e mirë që mbaroi (martesa mbretërore) ... Unë e di që duhet të predikoj bashkim në familje dhe dashuri, por në rastin e tyre...”[12] Ajo sigu­ri­sht do t'u thoshte miliona grave të zakonshme të jetonin me një martesë të dhunshme dhe abuzive. Në të njëjtën mënyrë, Vatikani ka qenë tepër i kujdesshëm për të lejuar familjen mbretërore të Monakos të divo­r­co­hej, kur katolikëve të thjeshtë nuk u lejohet prishja e martesës.

Nënë Tereza u ballafaqua për sa i përket çështjes së priftërinjve pedofilë nga gazetarja irlandeze Kathy Ward. Ajo u përgjigj: “Lutu, lutu dhe bëj sakrifica për ata, të cilët po kalojnë në të tilla tundime të tmerrshme.”[13] Nuk është se ajo ishte kundër dënimit me arrest në burg per se; disa herë ajo tha që donte të hapte një burg të veçantë për doktorët të cilët kryenin abortime.[14]

Përdorimi i kontraceptivëve ishte një tjetër shesh betejë për nënë Terezën, megjithëse ajo qëndroi mjaft e qetë për këtë çështje në Indi. Në një adresë televizive për kombin Amerikan, ajo deklaroi:

Një herë që dashuria e jetës është shkatërruar nga përdorimi i kontra­ce­pti­vë­ve, aborti do të vijë më pas mjaft lehtë... Pra le të mos lejojmë ardhjen e pro­blemit më të keq nga të gjithë, i cili është; të shkatërrojmë dashurinë. Kjo është çfarë ndodh kur ne u themi njerëzve të praktikojnë përdorimin e kontra­ceptivëve dhe të abortit.[15]

Në sytë e saj përdorimi i kontraceptivëve dhe përdorimi i abortit ishin dy anë të së njëjtë monedhë. Unë do të dëshiroja që miliona të devotshëm që dëshirojnë të përdorin kontraceptivët në të gjithë botën ta kuptojnë këtë.

Nënë Tereza qëndroi e heshtur kundër përdorimit të kontraceptivëve në Indi sepse këtu kundërshtimi ndaj përdorimit të kontraceptivëve është cilësuar njësoj i ngjashëm me terrorizmin ndaj shtetit, nga qeveritë e të gjitha krahëve politike. Nënë Tereza njëherë mbeti gati e shkatërruar në Meksiko, nën akuzën e rëndë të dhunimit të principeve të kushtetutës kombëtare. Gazeta Diario del Pacificio e akuzoi atë për përbuzje të kushtetutës së vendit kur ajo kundërshtoi kontrollin e lindjeve në një konferencë në Akapulko, në gusht të vitit 1982, ajo shpejt u largua për në Honduras, duke e lënë debatin pas vetes.

Nuk është krejtësisht e vërtetë që ajo nuk tha asgjë kundër përdorimit të kontra­ceptivëve në Indi. Në pamundësi për të mbajtur një qëndrim politik për këtë çështje, ajo pjesërisht financoi një studim në për pengimin të shtatzënisë në rrugë natyrale, për të vërtetuar çështjen e saj. Rastësisht ky studim (mjaft i shtrenjtë) është i vetmi aktivitet mjekësor ose para mjekësor (ndihmës) që ajo kontribuoi ndonjëherë. Ka shanse të jashtëzakonshme për dikë që ka nivelin e saj të fondeve, për të kontribuar për kërkimin mjekësor në Kalkuta, sepse këtu ndodhet shkolla indiane për mjekësinë tropikale, një qendër e famshme për sëmundjet tropikale. Paraziti i malaries u zbulua këtu, duke i dhënë Ronald Ross-it një çmim Nobel në vitin 1902. Shkolla Tro­pi­ka­le ndërmerr kërkime origjinale për tuberkulozin, lebrën, malarien (një pro­b­lem i madh në Indi), kequshqyerja, probleme shëndetësore të veçanta për fë­mijët që punojnë, të gjitha këto supozohet të jenë projekte që nënë Tereza i ka shumë për zemër, por në asnjë prej tyre ajo nuk ndikoi në ndonjë mënyrë.

Studimi i nënë Terezës për shmangien natyrale të mbetjes shtatzënë titullohet “Simptomat e shenjave të temperaturës përballë kontrollit të pjellorisë.” U ndërmor nga gjinekologu i saj, profesori Ajay Ghosh. Ata studiuan 17.000 gra në lagjet e varfëra të Kalkutës dhe arritën të provonin shmangien natyrale të shtatzënisë, me ndihmën e një termometri, një grafik të temperaturës dhe aftësinë për të kontrolluar karakteristikën e mukozës cervikale, kjo gjë funksionoi.

Studimi është nga ana statistikore me plotë të meta, por përfundimisht u botua në Journal of Obstetrics and Gynaecology of India (1982; 32; 443-447) me të cilën profesori Ajay Ghosh ka lidhje të ngushta. Tani citohet ad nauseum nga brigada katolike kundër kontraceptivëve si një studim i vlefshëm. Unë e di në fakt se shumë prej grave që morën pjesë në studim u detyruan më pas të abortonin.

 Profesor Ajay Ghosh, i cili në të shkuarën kryente abortime me gusto tani ka hequr dorë prej tyre. Ai është ndoshta gjinekologu i vetëm në Kal­ku­ta që nuk e bën më këtë gjë. Ai është gjithashtu përfaqësuesi i vetëm i projektligjit për shmangien natyrale të shtatzënisë në Indi.

Dr. Kakoli Ghosh Dastidar, e cila ishte një bashkëpunëtore për stu­di­min, qëndroi e lidhur ngushtë me nënë Terezën deri në vdekjen e saj. Kur ajo hapi një qendër pjellorie, nënë Tereza i bëri asaj një dhuratë të ngrohtë: “çdo çift i martuar meriton të ketë një fëmijë normal. Unë i mbështes plo­të­si­sht përpjekjet e dr. Kakoli Ghosh Dastidar për të ndihmuar njerëzit....” etj. Thënia e nënën Terezës ngeli e varur për një kohë të gjatë jashtë klinikës në Rash Behari Avenue. Është interesant fakti që ka një ideologji absolute që nda­lon trajtimin e personave që kanë probleme me sistemin e tyre të pje­llo­risë nga lloji i katolicizmit që ndjek nënë Tereza. Vatikani nuk i lejon ato. Por nënë Tereza bën sikur nuk i vë re me qëllim që të kënaq dr. Ghosh Dastidar “Nëse më ndihmon unë do t’ju ndihmoj, le të harrojmë principet këtu.” Përveç kësaj dr. Kakoli Ghosh Dastidar ishte duke u bërë mjaft me rëndësi në skenën politike në atë kohë. Ajo kandidoi për të hyrë në parlament në vitin 1998 (si një aleate e partisë kombëtare Hindu) dhe për asamblenë e shtetit në vitin 2001, megjithatë të dyja herët pa sukses.

Nënën Tereza ishte e bindur se kjo metodë natyrale e shmangies së shtatzënisë duhej të përdorej si standard kudo dhe jo të lihej si mënyrë për t'u zgjedhur vetëm nëse dëshiroje. Ajo foli gjerë e gjatë rreth kësaj çështje në fjalimin që mbajti kur mori çmimin Nobel:

Dhe vetëm në Kalkuta në këto 6 vjet, flasim vetëm për Kalkutën, ne kemi pasur 61.273 foshnje më pak nga ato familje të cilat do t'i kishin lindur ato, por kjo nuk ndodhi sepse ato praktikojnë mënyrën natyrale të shmangies të ngeljes shtatzënë, por të vetëkontrollit, duke arritur gjithashtu të mos humbasin dashurinë për njëri-tjetrin. Ne u mësojmë atyre metodën e matjes së temperaturës, gjë e cila është shumë e bukur, shumë e thjeshtë dhe njerëzit tanë të varfër e kuptojnë atë. Dhe a e dini se çfarë më kanë thënë ata mua? Familja jonë është e shëndetshme, familja jonë është e bashkua, dhe ne mund të kemi një foshnjë kurdoherë që ne të dëshirojmë. Pra është mjaft e qartë se këta njerëz në rrugë, këta lypsa......

 

Po mund të jetë e bukur por shmangia natyrale e shtatzënisë mund të jetë çdo gjë, po jo e thjeshtë. Thjesht imagjinoni skenën, një grua lypëse duke qëndruar në trotuaret e Kalkutës ulur në kasollen e saj prej kartonësh apo copa pëlhure, duke u ngritur në mëngjes dhe me kamionët e mëdhenj të transportit së bashku me rimorkiot e tyre duke kaluar vrullshëm tërë zhurmë, dhe duke mbushur “dhomën” e saj me tymin e naftës që nxjerrin. Dhe pastaj tërë droje kontrollon mukusin e cervikalit të saj, nëse është kthyer në “mukus të rrëshqitshëm” pastaj duke ngritur termometrin e pjellorisë nga trotuari për të kontrolluar BBT (Temperaturën bazë të trupit të tyre) dhe pastaj si përfundim duke e regjistruar saktë dhe pastër në një grafik të bukur të ngulur me një gozhdë në muret e dhomës prej pëlhure.

Do të ishte një ekzagjerim po të thosha se disa gra të klasës së mesme do të përpiqeshin për t'i provuar teknikat e kontrollit të shmangies natyrale të shtatzënisë. Por sigurisht të varfërit e "bukur" të nënë Terezës do të bënin çdo gjë për të. Nuk ka rëndësi nëse 2% të grave lypëse të rrugës apo 25% të grave të lagjeve të varfëra nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin, por dyshoj nëse ndonjë nga ato do të ishin në gjendje të lexonin shkallët e vogla të kalibrimit të termometrave në anglisht apo t'i shënonin ato në një grafik. Nuk ka rëndësi nëse ethet, malaria janë të zakonshme në popullsi dhe do të bënin që BBT në njëfarë mënyre disi të bëhej e pamundur për t'u mbajtur.

Dhe për më tepër, kur nënë Tereza i lante shiringat në ujë të ftohtë dhe do t'i përdorte ato për të disatën herë; dhe e cila mbante vetëm një shishe për njëzet foshnja në shtëpitë e saj, i tregoi botës metodën e saj “të bukur” të shmangies së shtatzënisë, të gjithë e besuan atë. Një shenjtore nuk tregon gënjeshtra, nëse ajo thotë që ajo furnizon me mijëra termometra për pje­ll­o­ri­në gratë e lagjeve të varfëra të Kalkutës, atëherë patjetër që ajo i furnizon ata! Nga ana shkencore është krejtësisht e pamundur për të llogaritur saktësisht, sa fëmijë më pak u lindën për një numër të caktuar çiftesh të cilët praktikojnë një metodë të caktuar për kontrollin e shtatzënisë dhe jo më të sajosh një ha­me­ndësim. Në këtë kontekst, shifra që nënë Tereza dha në fjalimin që mbajti për çmimin Nobel 61.273 është veçanërisht e pasinqertë dhe u citua për të çorientuar botën qëllimisht.

Gratë që kanë mundësi të kenë gjithçka që duan për veten e tyre, të cilat janë në një marrëdhënie të barabartë, të cilat janë në gjendje t'u thonë jo partnerëve të tyre, shmangia natyrale e shtatzënisë ndoshta mund të jetë për ta. Është e çuditshme t'u propozosh një metodë të tillë grave të lagjeve të var­fëra, ky është një tjetër shembull se sa larg kontakteve me gratë indiane të lagj­eve të varfëra dhe realitetit qëndronte nënë Tereza.

Një shembull shumë i qartë është ai i një gruaje katolike irlandeze të quajtur Maire Mullarney, e cila një herë i shkroi një reviste katolike të përja­v­s­hme[16] se si ajo përfundoi me 11 fëmijë pasi kishte praktikuar gjatë gjithë kohës mënyrën natyrale të shmangies nga shtatzënia. “Dëmi më i madh u bë nga autoritetet të cilët i konsideronin njësoj si abortin dhe përdorimin e kontra­ceptivëve. Ajo implikoi edhe Papët për vuajtjet e shkaktuara grave nga përdorimi i kësaj metode. Sidoqoftë nënë Tereza kurrë nuk u përfshi në" autoritetet”, megjithëse ajo kishte qenë personi me profilin më të lartë në botë që kishte parashtruar se një lidhje e tillë midis abortit dhe përdorimit të kontraceptivëve në mënyrë të pakundërshtueshme ekzistonte. Pjesërisht kjo ishte për shkak të miratimit të saj që Vatikani mori guximin dhe doli nëpër botë dhe të fliste për mirësitë dhe vlerat që kishte planifikimi familjar me metoda natyrale.

Në vitin 1984 pasi puna “shkencore” e nënë Terezës u publikua i ndjeri Duka i 17-të i Norfolk, që vinte nga shtresa më e lartë katolike në Britani, tha në një konferencë të mësuesve katolike. “Si mundeni ju t'u tregoni një çifti të martuarish me anë të një termometri se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo? Gruaja ime dhe unë e provuam këtë gjë. Ta marrë e mira nuk vlejti për asgjë. A mos duhet vallë që të kenë të gjithë njerëzit nga tetë fëmijë si mamaja ime? ”[17] Vatikani i bëri presion Dukës ta tërhiqte deklaratën e tij, por ai nuk pranoi.

Duke parë me vëmendje shifrat e statistikës të nënë Terezës se sa foshnja më pak u lindën nga të varfërit në Kalkuta si rezultat i mënyrës naty­ra­le të shmangies së shtatëzanisë, Mark Tully korrespondenti i mëparshmi BBC në Indi, dhe një nga admiruesit e saj ka bërë të ditur se “Nuk dihet se deri në sa arriti shifra”[18] megjithatë shifra u dyfishua 18 muaj më vonë, kur nënë Tereza deklaroi në qershor të vitit 1981 në Washington D. C se “Metoda e saj e bukur” kishte arritur në 134.000 foshnje më pak në 7 vjet, në Kalkuta. [19]

Gjatë vitit 1982 gjatë një interviste në televizionin Skocez, nënë Tereza deklaroi se metoda e saj natyrale kishte prodhuar “një milion foshnje më pak në 10 vjet në Kalkuta.”[20] Një gënjeshtër e jashtëzakonshme.

 Pasi hoqi dorë nga kundërshtimi ndaj abortit dhe kontraceptivëve në Indi, në vend të kësaj nënë Tereza vendosi të përqendrohej në politikën e saj për katolicizmin. Megjithëse komenti i saj "Unë i ndihmoj hindutë të bëhen hindu më të mirë, myslimanët të bëhen myslimanë më të mirë.....” dhe për këtë gjë është lavdëruar rregullisht nga media, dihet mirë nga ata, të cilët janë të afërt me të se ajo kishte një ndjenjë mos përmbushjeje të detyrës (krejt e kuptueshme), për mungesën totale të ndikimit që katolicizmi kishte pasur gjatë periudhës së jetës së saj në Indi.

Një herë Eduard Desmond nga revista Time[21] e pyeti atë, “Miqtë thonë se ti je e zhgënjyer që puna jote nuk ka sjellë më shumë bashkëbisedime në këtë komb të madh hindu.” Përgjigja e saj nuk kishte qenë shumë bindëse. Des­mond vazhdoi të pyeste: “Dhe a duhet ata (hindutë) ta duan Jezusin gjithashtu?” pyetje të cilës ajo iu përgjigj: “Natyrisht nëse ata duan paqe, nëse ata duan gëzim, le të kërkojnë Jezusin.”

Nënë Tereza pati një interes të madh në proceset e komplikuara të jetës poli­tike indiane, ajo u bë aleate me partinë indiane, për të cilën ajo ndiente se ishte më miqësore për katolicizmin. Ajo u lidh në aleancë me partinë e kon­gresit, të dinastisë së Nehru-Gandi. Nënë Tereza kishte një miqësi personale me Indira Gandi, dhe lidhjet e saj me familjen Gandit u bënë akoma më të forta pasi djali i familjes Gandi Rajiv u martua me katoliken italiane Sonia. Madje edhe sot në të gjitha hyrjet e shtëpive të nënë Terezës në Delhi portrete të mëdha të Indira dhe Rajiv (të dy ish kryeministra) varen pranë fotografisë së asaj.

Në historinë prekëse të demokracisë indiane periudha më e errët ishte ndërmjet viteve 1975-1977. kur Indira Gandi vendosi "Gjendjen e jashtë­za­ko­ns­hme” pasi u akuzua nga sistemi gjyqësor për manipulime të rënda në zgjedhjet e zhvilluara. Periudhë e gjendjes së jashtëzakonshme në Indi është e vështirë për t’ia përshkruar një njeriu që vjen nga jashtë, nga një shoqëri e hapur dhe me një kastë politike mirëkuptuese. India gjatë një nate u bë një vend që terri i natës i trokiti në derë dhe e kaploi të tërën edhe gjatë ditës. Cen­­surë politike iu imponua dhe gazetave, televizioneve, radiove dhe madje dhe kompanive të prodhimit të filmave dhe emisioneve zbavitëse. Kur Ki­sh­ore Kumar, këngëtari më popullor i Indisë refuzoi të këndonte në një festi­val të organizuar për të mbledhur fonde për kongresin, Sanjay djali i Indira Ga­ndi iu dërgoi të gjitha kompanive muzikore (duke përfshirë HMV India) no­ta të shkurtra, duke i detyruar ato të prishnin të gjitha kontratat me të, si re­zu­ltat ai u ndalua nga të gjitha llojet e transmetimit, publike ose priv­a­te, dhe dyqanet u detyruan që të gjitha regjistrimet e tij t’i hiqnin nga raftet e tyre.

 U miratua një ligj drakonian i quajtur Akti për Kujdesin e Sigurimit të Brendshëm, nën të cilin kushdo mund të burgosej pa iu dhënë asnjë arsye dhe të mbahej nën arrest pafundësisht. Burgjet ishin në pikën e shpërthimit nga mbi mbushja me të burgosur politik, ndërmjet të cilëve ish shoqëruesi i Mahatma Gandi Jayaprakash Narayan, një udhëheqës i masave dhe i konsideruar i ndarë nga partitë politike. Më vonë u zbulua se ai ishte helmuar ngadalë në burg me arsenik duke bërë që veshkat e tij të shkatërroheshin.

Sundimtari i vërtetë i Indisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ishte i ndjeri, djali më i ri i Indira Gandi Sanjay, i cili nuk mbante ndonjë zyrë në shtet, por ishte ai që i jepte të gjitha urdhrat. Sanjay e kishte pasion kontro­llin e popullsisë dhe ai nxori “objektivin për sterilizim të përmuajshëm. Si pasojë e kësaj, banorë të lagjeve të varfëra kryesisht burra u lidhën dhe u ste­ri­lizuan me forcë, midis tyre shumë djem të rinj, të cilët nuk kishin qenë ma­r­tuar kurrë.

Sanjay gjithashtu u kujdes shumë për zbukurimin e Delhit, dhe një natë të pafat buldozerët erdhën në lagjen e varfër Turkman Gate, ku midis my­sli­ma­nëve jetonin më të varfërit e të varfërve, të cilët kishin jetuar për breza të tërë aty. Në mëngjes lagjja e Turkmenëve ishte bërë një hapësirë e pastër.

Njerëzit, të cilët ishin prurë për të mbajtur qetësinë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ishin këmishët e zeza, kriminelët e Sanjay “Youth wing” (krahu i të rinjve) të ndihmuar nga oficerët e krahut të policisë së fshehtë për Kërkime dhe Analiza. Një grup njerëzish prej rreth dhjetë vetash, po të rrinin në një cep të rrugës konsideroheshin si një grupim politik dhe arre­sto­he­shin. Zhdukjet e njerëzve filluan të bëheshin të zakonshme.

Ishte prekëse të shihje se si nënë Tereza e shihte miqësinë e saj me Indira Gandhi si një gjë mjaftë me vlerë për të mos vënë re incidentin e vogël në lagjen e varfër të Turkomenve dhe programet që bëheshin për ste­ri­li­zimin në masë. Duke lëshuar një certifikatë aprovimi për gjendjen e jashtë­za­ko­nshme ajo tha: “Njerëzit janë të lumtur. Ka më shumë punë. Nuk ka më greva.”[22]

Unë nuk mendoj se është e drejtë të thuash se nënë Tereza nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodhte gjatë gjendjes së emergjencës për shkak të censurës, institucionet katolike ishin shumë mirë të informuara për sterili­zi­met e detyruara në masë; ajo në atë kohë u kritikua nga shtypi katolik për dek­la­ratat e saj, madje edhe në SHBA, ku një lider i dashur me të në Kishën Ame­rikane Katolike e kritikoi për injorimin që bëri ndaj abuzimeve të drejtave të njeriut.

Kur Indira Gandi u përmbys dhe të gjitha detajet e tmerrshme të ndo­dhu­ra nën gjendjen e jashtëzakonshme, nënë Tereza nuk i tërhoqi deklaratat e saj. Në të vërtetë miqësia e saj me familjen Gandi sa erdhi e u përforcua më shumë. Një nga aktorët kryesorë të aktiviteteve politike të nënë Terezës në Indi, veçanërisht në marrëveshjet që lidhi me dinastinë Gandi, ishte Navin Chala, një nga tre biografët e saj zyrtarë. Navin Chala është një nëpu­nës civil i nivelit të lartë në Delhi, i cili ishte i njohur për lehtësirat që i bënte nënë Terezës për të mbaruar punë shpejt me burokracinë indiane. Gjatë gje­n­djes së jashtëzakonshme, Navin Chala ishte i lidhur ngushtë me tiranin Sanjay Gandi. Pas vdekjes së Sanjay, ai shumë shpejt e ndryshoi aleancën e tij duke u lidhur me Rajiv dhe Sonia (vëllezërit nuk kishin qenë prej miqve më të mirë.)

Tashmë dihet se nënë Tereza nuk e pëlqente Morarji Desai, i cili u bë krye­ministër i Indisë në vitin 1977, pas disfatës së Indira Gandit. Letra e saj që protestonte kundër vënies nën kontroll të disa përfitimeve që gëzonin misionaret e krishtera është valëvitur nga qarqet katolike si një shembull i kurajës së saj dhe se ishte guximtare. Ishte e drejtpërdrejtë dhe me një ton të zbutur,por letra përmbante një pjesë, e cili e tradhtonte llojin e ligësisë që ajo zakonisht nuk e kishte demonstruar. Duke iu drejtuar kryeministrit 82-vjeçar, Morarji Desai nënë Tereza i tha: “A nuk e ke frikë Zotin? Morarji Desai ti je kaq afër takimit ballë për ballë me Zotin. Unë habitem se çfarë përgjigje do t’i japësh Atij...”

Është gjerësisht e njohur se Morarji Desai u lëndua nga komentet e saj. Ai sidoqoftë vazhdoi të jetonte edhe 17 vjet të tjerë dhe vdiq në vitin 1995, në moshën 99 vjeçare.

Në vitet e fundit të jetës së saj nënë Tereza e shmangu me sukses pjesë­ma­rrjen e drejtpërdrejtë në politikën Indiane, përveçse një episodi rreth kuo­tave për të krishterët dalit. Këta janë të krishterë që janë me prejardhje nga shtre­sat e ulëta të shoqërisë hindu, që janë duke kërkuar të përfshihen në ske­mat e kuotave përkrahëse që aplikohen gjithashtu për shtresat e ulëta të shoqë­risë hindu. Këto kuota aplikohen për shtresën e ulët duke u dhënë atyre më shumë punë, vende në kolegje dhe universitete, dhe si rrjedhojë e kësaj në disa zona rreth 80% e vendeve mund të jenë rezervuar. Qeveria Indiane tha që të krishterët nuk janë të përcaktuar në ndonjë shtresë sho­që­ro­re, kështu që ajo refuzoi të pranonte kërkesat e kristianëve dalit.

Gjatë muajit nëntor të vitit 1995, të gjitha sektet e besimit kristian organizuan protesta masive në të gjithë Indinë për çështjen kristianëve dalit, duke i bërë thirrje qeverisë që ta rishqyrtojë vendimin që ajo mori mbi çështjen e “shtresave të ulëta kristiane”. Ata u entuziazmuan kur nënë Tere­za ra dakord t’u bashkohej protestave të tyre, duke qenë se prania e saj e ng­ri­­nte këtë çështje në një nivel ndërkombëtar. Në datën 18 nëntor nënë Te­re­za mori pjesë në dharna (lloj seance) dhe mbajti kreshmë (agjëroi) në Delhi duke kërkuar që këto lloj kuotash të zbatoheshin edhe për të krishterët dalit.

Atëherë krejt papritur kritikat për veprimet e saj filluan të vërshojnë, veçanërisht nga mediat indiane, të cilat normalisht janë simpatizuese të saj (për indianët është fyerje kur diskutohet për rezervimet.) Madje edhe gazeta e saj e dashur e Kalkutës Statesman, publikoi një karikaturë tallëse, duke pye­tur se përse ajo duhej të kursehej dhe të mos ndihmonte kur myslimanët qu­he­shin fshatar dhe përçarës, nëse ata kërkonin kuota për anëtarët tejet të varfër të komunitetit të tyre; natyrisht partia hindu BJP ishte tepër e ashpër. Sushma Swaraj e partisë BJP e quajti veprimin e nënë Terezës “ngjarje për të ardhur keq”, ku ajo ndoqi një seancë kreshme, duke thënë se nënë Tereza në vend ta luftonte këtë lloj praktike të të protestuari, dëshironte ta fuste këtë në fenë e saj. Veprimet e saj nuk do t’i bëjnë asnjë lloj të mire shoqërisë, vendit apo fesë së saj.

Nënë Tereza e cila e cila sillej me një mënyrë shumë të kujdesshme ndaj medias dhe opinionit publik në Indi, në këtë rast bëri një kthesë 180 gradë duke e ndryshuar komplet qëndrimin e saj. Ajo ndërmori hapin e jashtë­za­ko­n­shëm, duke thirrur një konferencë për shtyp (në datën 24 nëntor) në shtë­pinë e saj në Kalkuta dhe mohoi të kishte pasur dijeni se aty zhvillohej një seancë kreshme! Ajo tha se mendoi se ishte thjesht një seancë lutje. Mohimi që ajo i bëri ishte shumë i fortë: “Unë kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë seancë kreshme për të demonstruar apo kërkuar të drejtat për rezervime për të krishterët dalit .”[23] Një politikan profesionist nuk do të kishte mundur të vepro­nte më mirë.

Komuniteti kristian kudo nëpër Indi e akuzoi atë për “braktisje.” I pyetur për të komentuar mohimin që ajo u bëri, peshkopi Vincent Conse­ssao tha “kur ne e ftuam atë, ne i dhamë të gjithë programin tonë, por ndo­shta ky nuk iu regjistrua në mendje.”[24] Përse nënë Tereza kaq hapur dhe në mënyrë dramatike e braktisi çështjen e të krishterëve dalit, e cila është ende e hapur për hamendësime; një nga arsyet është se ajo nuk donte të vinte në pozitë të vështirë partinë e kongresit, e cila ishte në pushtet në atë kohë në Indi. Unë personalisht mendoj se nënë Tereza do të kishte shtuar reputa­ci­o­nin e saj ndërmjet të krishterëve dhe jo të krishterëve nëse ajo do të kishte shfaqur përkrahje për çështje se sa bëri një kthesë të tillë. Por në atë kohë ajo nuk ishte tërësisht e rehatuar në vendin e saj të adoptuar.

Sunanda K Datta-Ray botuesi i mëparshëm i gazetës Statesman në Kalkuta dhe këshilltar i redaksisë i gazetës Straits Times në Singapor, i cili kishte njohje dhe kishte bërë marrëveshje të ndryshme me nënë Terezën për çështje gazetareske për vite me radhë, gjithmonë e ka vënë në dyshim naivitetin dhe imazhin e pafajshëm të nënë Terezës kur vinte puna për të kurdisur intriga. Ai ka treguar[25] për një incident, kur atij iu kërkua të inte­r­vi­sto­nte nënë Terezën për një program televiziv. Në prag të intervistës ai bëri një vizitë para përgatitëse dhe i bëri nënë Terezës disa pyetje të vogla të sikle­tshme, që kishin të bënin me çështje teologjike. Ditën tjetër atij iu tha se ishte hequr si intervistues me këmbënguljen e vetë nënë Terezës, dhe Desmond Doig biografi dhe lajkatari i saj ishte vendosur në vend të tij. “Zgjidhni Desmond ose përndryshe nuk ka intervistë” Nënë Tereza i kishte thënë Doordarshan. (Televizion Indian.)

Sunanda K Datta-Ray gjithashtu, tregon për një incident të ndodhur në një fluturim nga Bangkok për në Kalkuta, ku Nëna zbriti nga klasi i parë për t’i kërkuar atij ta ndihmonte që murgeshat e saj të merrnin “pasaporta të bardha” këto janë pasaporta që u jepen zyrtarëve të klasës së mesme indiane për t’ua bërë udhëtimin më të lehtë atyre.

Një tjetër anekdotë që Sunanda K Datta-Ray, tregon se kur kryetari i British Council (Këshillit Britanik) në Kalkuta dërgoi një grua angleze me titull aristokrat për ta zëvendësuar në takimin me nënë Terezën,ku ajo e për­me­ndi titullin e saj (titull që mbajnë fisnikët) vetëm kalimthi. Gjashtë muaj më vonë nënë Tereza i telefonoi aristokrates në Londër nga Roma, duke e thirrur atë sipas titullit të saj në mënyrë të saktë dhe i kërkoi asaj nëse ajo mund ta përdorte një nga shtëpitë e saj, në zonën e tregut në Londër, për të ven­dosur disa nga murgeshat e saj.

Sunanda K Datta-Ray e përshkruan nënë Terezën si një adhuruese të publicitetit. Gjatë kohës së qëndrimit të tij si redaktor i Statesman, ajo i dërgonte atij korrierë të rregullt, zakonisht një çift murgeshash me disa shëni­me të vogla rreth programeve të saj apo disa të tjerave që ajo ishte duke filluar. Ai gjithashtu më tregoi për një incident tjetër treguar atij nga i ndjeri Subroto Basak, i cili ishte përfaqësuesi i Associated Press në Kalkuta. Një ditë, gazetarët lokal të Kalkutës shkuan për të intervistuar nënë Terezën rreth disa çështjeve, por tek dera iu tha se nuk do të kishte takim sepse nënë Tereza papritur ishte sëmurur. Kur Basak i dërgoi kartën e tij të Associated Press, ai menjëherë u shoqërua brenda.

Dikush mund të befasohet kur mëson se nënë Tereza votonte në zgjedhjet që zhvilloheshin në Indi midis viteve 1960-1970. Meqenëse kundër­shtarët kryesorë midis njeri-tjetrit në Bengalin perëndimor gjithmonë kanë qenë marksistët dhe partia e kongresit, nuk është e vështirë për të marrë me mend se për kë ajo votoi. Në të vërtetë biografi i saj zyrtar Egan, përshkruan një incident kur një marksist në Kalkuta, duke vënë re bojën e mbetur në gishtin e saj (kjo përdoret për votuesit në Indi kur votojnë për t’ua pamundësuar atyre votimin përsëri) kishte bërë të ditur se ndoshta si një shenjtore që ajo ishte, duhet të qëndronte mbi partitë politike.[26]

Më vonë ajo nuk shkoi më për të votuar, por sigurohej plotësisht që çdo një nga murgeshat e saj, vëllezërit dhe ato që ishin të reja në fe shkuan për të hedhur votën e tyre ditën e zgjedhjeve. Aty nga viti 1991, ajo i shkroi një letër kryetarit të komisionit të zgjedhjeve në Bengalin perëndimor për të protestuar për heqjen nga regjistri i zgjedhësve të disa prej murgeshave të saj.[27] Unë mbeta disi i çuditur kur pashë të përjavshmen katolike britanike The Universe[28] që kishte botuar një fotografi me titullin “Murgeshë kaq e sigurt.” dhe ilustruar me një varg të gjatë të murgeshave të nënë Terezës, duke pritur gjithë durim për të votuar para kabinës së votimit në zgjedhjet indiane të Marsit 1998 në Kalkuta.

Kjo nuk ndodh se murgeshat kishin një liri zgjedhje se për kë të votonin. Sikurse ndodh gjithmonë brenda botës së mbyllur të misionareve të bami­rë­si­së, udhëzimet u vinin që nga lart se për kë të votonin.

Unë nuk kam asnjë gjë kundër nënë Terezës, sepse ajo është një qytetare indiane dhe ka të drejtë të votojë në zgjedhjet indiane. Nuk ka asgjë të pazakontë me murgeshat që votojnë në vendet si Irlanda apo Italia, është një pamje e zakonshme të shohësh radhë të gjata murgeshash, duke pritur gjithë durim për të votuar jashtë qendrave të votimit.

Por nënë Tereza dhe mediat duhet të na kishin kursyer neve nga thëniet e tyre se ndienin bezdisje gjithmonë kur përmendej fjala politikë. Kam frikë se dëshmitë nuk para përputhen shumë me ato çfarë pretendojnë.



[1] Eileen Egan, Një vizion i tillë për rrugën, fq 406.

[2] Jose L Gonzalez-Balado, Duke dashur Jezusin nënë Tereza (Burimi, 1991), fq 46.

[3] Një vizion i tillë për rrugën, fq 345.

[4] Tad Szulc, Pope Paul II The Biography, ( Simon & Schuster, 1995), fq 479.

[5] Catholic News Service (CNS) , SHBA, 30 maj 1996.

[6] Dinesh D’Souza, Ronald Reagan ( Touchstone, 1997), fq 207.

[7] Kathryn Spink, Nënë Tereza; një biografi e autorizuar ( HarperCollins 1997), fq 238.

[8] Ms., gusht 1972, fq 84, 88.

[9] CNS, shtator 1998.

[10] & 11. Wendy Holden, Njohuritë e paligjshme jo shpirtërore; historia e vërtetë e rastit të Irlandezes X ( HarperCollins, 1994) fq 114.

[11] Sunday Independent, Dublin, 26 nëntor 1995.

[12] Ladies Home Journal, New York, 1 prill 1996.

[13] Sunday Independent, Dublin, 1 tetor 1995.

[14] United Press International, 22 tetor 1984.

[15] National Prayer Breakfast, Washington D.C., 3 shkurt 1994.

[16] The Tablet, 12 shtator 1998.

[17] The Guardian ( Obituaries), 26 qershor 2002.

[18] Mark Tully, Nëna ( ForAsia, 1992), fq 91.

[19] New York Times, 4 qershor 1981.

[20] Nënë Tereza, Scottish TV, dir. Haldane Duncan, 1982.

[21] Time, 4 dhjetor 1989.

[22] Një vizion i tillë për rrugën, fq 405.

[23] Asian Age, Londër, 25 nëntor 1995.

[24] Ibid., 2 dhjetor 1995.

[25] Intervistë me autorin, 14 dhjetor 1997. Gjithashtu artikuj të ndryshëm nga shtypi i Kalkutës.

[26] Një vizion i tillë për rrugën, fq 452.

[27] Pradashi Anandabazaar, Kalkuta, 4 tetor 1997.

[28] The Universe, 8 mars 1998.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme