Ky është një pjesë e bilancit tragjik të vërshimeve në Pakistan. Ka edhe më shumë. Shkatërrimet dy herë më të mëdha se Cunami ndërsa tri herë më të llahtarshme se tërmeti në Haiti. Pakistani është në panik. Një e treta e vendit duket si liqe i shkapërderdhur. Qeveria nuk ka ide ç’të bëjë, ushtria në rrugë ndërsa shtëpinë e presidentit më nuk e ruajnë njësitë speciale; asaj nuk i dihet as edhe e vetmja tullë ku i ka mbetur! Nëse nuk ndërmerret diçka, Pakistani do të fundoset i tëri.
Pakistani ka 180 milion banorë dhe është i vetmi shtet islamik që ka bombën atomike. Në Gusht të vitit 1947 ndahet nga India Britanike dhe përgjatë gjashtë dekadave kremtoi Ditën e Pavarësisë por jo edhe në Gushtin e këtij viti. Vërshimet katastrofike të sivjetme Ban Ki Mun e përshkroi: “Në jetën time s’kam parë katastrofë më të madhe, kurrë s’kam dëgjuar për një shkatërrim kaq të llahtarshëm. E gjithë kjo është e paimagjinueshme”.
Në vitin 1906 në Indi themelohet Liga e Myslimanëve Indian, në vitin 1930 Muhamed Ikbali thërret për pavarësinë e myslimanëve nga India, më 1940 shpallet Rezoluta e Lahores, në vitin 1947 Pakistani Lindor dhe ai Perëndimor pavarësohen nga forcat britanike, ndërsa në vitin 1956, ky vend shpallet Republikë Islamike. Që nga viti 1971, atëherë kur përfundojnë luftërat mes dy pjesëve të Pakistanit, pjesa lindore shpallët shtet i pavarur si Republika Islamike e Bangladeshit.
Vendi me popullatë shumicë Urde ka një të kaluar dhe një strukturë kombëtare të çuditshme. Edhe pse shtet atomik, popullata jeton në një varfëri të madhe. I njohur me grushtete dhe vrasje politike, Pakistani është njëri ndër shtetet më të tensionuara në rajon. Dikur ishte bazë e shkollimit të talebanëve për të cilët ishin hapur mbi 500 medrese. Pas përfundimit të këtyre shkollave speciale, talebanët e rinj dërgoheshin në Afganistan për t’i luftuar forcat Sovjetike. Ishte “dora e djathtë” e SHBA-ve dhe aleatëve të saj. Pas përfundimit të luftës afgane, jo vetëm në Torabora, por i gjithë kufiri afgano-pakistanez ishte bërë cak i luftimeve të rrepta mes forcave aleate dhe ekstremistëve islamik e sidomos i përndjekjes së Bin Ladenit.
Pakistani ka probleme edhe me Indinë. Kashmiri, krahina kontestuese mes dy vendeve në të cilën revista “National Geografik” kishte zbuluar se vajzat e kësaj ane kanë sytë më magjeps në planetin e tokës, ende është mollë sherri mes Pakistanit dhe Indisë. Është i njohur mëndafshi dhe leshi i deleve të Kashmirit. Kemi qenë dëshmitar të një bukurie përrallore që Zoti kishte krijuar këto rrafshnalta kaq të bukura. Shumë nga peizazhet e bukura të natyrës që shiten si panorama kudo në botë, por edhe nëpër tregjet e Kosovës e në të cilat shihen pamje të mrekullueshme të liqeneve, lisave të drejtë dhe rrafshnaltave magjepsëse janë të fotografuara në Kashmir. Tri lufta të mëdha mes Indisë dhe Pakistanit janë zhvilluar pikërisht për shkak të Kashmirit.
Sot Pakistani është para dy provimeve të rënda. Nga Zoti me shi e vërshime, ndërsa nga njeriu me terrorizëm, vrasje, shpërthime bombash e lufta që s’dinë të ndalen. Bota islame është në dilemë: të mos ndihmohet Pakistani për shkak të tradhtisë dhe vrasjeve që i bëri arabëve të atjeshëm, apo të ndihmohet, sepse edhe ky shtet i takon botës islamike! Perëndimi, posaçërisht SHBA-të po kritikohen ashpër për shkak të mosinteresimit për këtë shtet një e treta e të cilit po noton mbi ujë. Vetëm një ditë para vërshimeve, por jo vetëm atë ditë, forcat aleate kishin kryer një operacion ushtarak në të cilin, sipas tyre ishin vra me qindra taliban dhe civil. Një situatë e tillë ka irrituar edhe shtetet arabe. Është një numër i konsiderueshëm i arabëve të rinj që kishin shkuar për të luftonin kundër sovjetikëve në Afganistan, e pastaj kishin kaluar në Pakistanin fqinjë dhe të cilët dëbohen dhe vriten pandërprerë.
Nëse bota në përgjithësi e Perëndimi në veçanti kanë llogaritë e veta në këtë vend, Kosova nuk ka asgjë më shumë se sa një nevojë të njihet nga Pakistani. Me vetëdije apo pa te, vendi jonë po tregohet tejet indiferent ndaj këtij shteti vota e të cilit nesër do të na nevojitej shumë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Do të ishte mirë, por edhe e nevojshme që MJ e Kosovës të kishte dërguar letër ngushëllimi dhe përkrahje për popullin e Pakistanit. Nëse këtë po e bëjnë gati të gjitha vendet e botës, përse atëherë Kosova të mos e bëjë një gjë të tillë? Pastaj, ku është Bashkësia Islame e Kosovës? Ku është humanizmi i njohur i shqiptarëve që sot përfaqësohet nga institucionet tona qeveritare dhe jo-qeveritare?! BIK-u posaçërisht do të duhej të tregohej më fleksibile, më e ndjeshme dhe më e zoja. Si mund të pranohet fakti i hidhur që kjo Bashkësi Islame ende nuk ka bërë anons nëpër xhamitë e Kosovës për mbledhjen e ndihmave nëpërmes të cilave do ti tregohej botës për ndjeshmërinë e kombit tonë, zemërgjerësinë e shqiptarëve, e tek e fundit të kryenin obligimin njerëzorë që duhet ta kenë? Do të ishte më se e nevojshme të mblidhen ndihma humanitare, të vendoseshin nëpër thasë të bardhë e në ta të shkruhej: “Republika e Kosovës”?! Pastaj, cila është më e rëndësishme: të dërgohet vetëm një letër e të kërkohet njohja nga ky shtet, apo paraprakisht të dërgohen ndihmat dhe fill pas saj të zhvillohet një vizitë miqësore ngushëlluese në këtë vend dhe të kërkohet njohja nga Pakistani? Ku janë këshilltarët e MPJ-së, të BIK-ut, të institucioneve tjera të shtetit tonë?! Ku është ai sensi humanitar që me shekuj e kishim shahdamar të kombit tonë, ku është ndjeshmëria jonë kombëtare, zemra e madhe e kombit tonë? Mos vallë jemi tërhequr në vetvete aq shumë sa nuk jemi duke parë zhvillimet dhe trendët që po zhvillohen nëpër botë? Shpresoj, se ende nuk është vonë të dërgohet së paku një ndihmë simbolike për Pakistanin.
Pakistani sot ka nevojë për ndihma humanitare, ndërsa Kosova ka nevojë për njohje të reja, në këtë rast për njohjen nga Pakistani.
ZËRI: (Shënim: Shkrimi është bërë disa ditë para kërkesës së presidentit për të ndihmuar Pakistanin)
(Shkrimi është botuar në gazetën ZËRI me datë 25 GUSHT 2010)