Si ti kuptojmë argumentet, me apo pa logjikë!?

Thirrja islame, respektivisht shpallja hyjnore i drejtohet atyre që posedojnë këtë fuqi dhe kanë mundësinë e shfrytëzimit të saj, andaj kjo thirrje në Kur’an është përsëritur në 48 ajete, që nëse e ndajmë në kohë do të thotë i mençuri, nga thirrja islame ftohen në çdo gjysmë ore.

Epiqendra e njohurive është mendja, kurse gjurmët e të menduarit reflektohen në zemrën (kalb) e cila në Kur’anin Fisnik përmendet në 128 ajete. Angazhimi i mendjes për të menduar dhe për të kuptuar sendet në Kur’an përsëritet në 22 vende

Besimi – imani që është udhëzim dhe dhuratë nga Allahu xh.sh. përmendet në 180 vende në Kur’an, e bazamenti i tij është njohja e vërtetë dhe pranimi i të vërtetës si të vërtetë e pastaj edhe të vepruarit sipas asaj të vërtete madhore. Themi kështu ngase shumë njerëz, e veçanërisht shkencëtarë të mëdhenj, përmes angazhimit të mendjes arrijnë të njohin të vërtetën si të vërtetë, por nuk e pranojnë si të tillë për shkak të mungesës së udhëzimit-hidajetit nga Allahu xh.sh.

Nuk ekziston dilemë se njohja e vërtetë e sendeve ngrihet mbi bazën e aftësisë për të kuptuar e për të arsyetuar, që në Kur’anin famëlartë shprehet me nocionin besire, por kjo aftësi e të kuptuarit kërkon bashkëveprim me mendjen, andaj nocioni Besire në Kur’an është përmendur në  54 vende, kurse pamja në 48 vende e kurse syri në 8 vende.

Gjithashtu gjejmë se në Kur’anin Famëlartë metodat e njohjes që mbështeten në shqisat e njeriut përmenden shumë herë, andaj pamja me derivatet e saja si shqisë e njeriut përmendet 285, herë, kurse të dëgjuarit 170 herë.

Nëse bëjmë krahasim numrin e shumtë të përmendjes së njohurive dhe derivateve të saja për çështjet fizike, me numrin e vogël të përmendjeve të njohurisë për çështjet metafizike, përfitojmë argumentin se Kur’ani përforcon dhe nxitë përdorimin e mendjes së shëndoshë për të arritur deri te dituria dhe njohja e së vërtetës dhe të kuptuarit e thellë të sendeve.

Andaj nocioni dituri-njohuri në Kur’anin Fisnik përmendet në 410 vende, kurse nocioni Alim si cilësi e Allahut xh.sh. në 160 vende, e shkenca El Ilmu përmendet në 160, kurse dijetarët përmenden në 20 vende, andaj mendoj se kjo nënkupton mjaft për të mençurit.

Nocioni Fikh (të kuptuarit e thellë të sendeve) përmendet në 20 vende, kurse të menduarit në 18 vende, e  nocioni urtësi- dituri (Hikmetu) në 20 vende, .nocioni Hakim (I Urtë) si cilësi e Allahut xh.sh.  përmendet në 100 vende.

Ngjashëm diçka gjejmë edhe në sunetin e Pejgamberit a.s. sepse nocioni mendje përfshirë edhe sinonimet e kësaj fjale në kuptimin e saj, e gjemë se përmendet në më shumë se 200 herë.

Pra, mendja – në Kur’anin Fisnik meqë përmendet 48 herë nënkupton se ka një pozicion thelbësor, e veçanërisht kur shumica e konstruktit të fjalive- ajeteve ku përmendet mendja janë sipas formës “A nuk po logjikoni” formë kjo e cila jo vetëm që na detyron të angazhojmë mendjen dhe të menduarit tonë, por edhe nënkupton nënçmimin e atij që nuk e përdorë mendjen dhe nuk din ta përdorë. Pastaj përmes formës “Leal-lekum ta’kilun” që ju të mendoni-logjikoni, shprehje kjo që nënkupton nxitjen për të angazhuar dhe përdorur mendjen. Pastaj vjen edhe forma “In kuntum ta’kilun”(nëse mendoni-logjikoni) pra në formën kushtimore që nënkupton se se nëse dëshironi që rezultatet tuaja të dalin të sakta, duhet të angazhohet, të kyçet mendja, sepse në të kundërtën ajo do të myket dhe nuk  shpallet e pavlefshme.

Të nderuar lexues, me këtë punim nuk desha t’ju lodhi me të dhëna shifrore në Kur’an dhe në sunet sa i përket rolit dhe pozicionit të mendjes në të kuptuarit e çdo të vërtete, e veçanërisht të vërtetës madhore që është Imani- besimi në Allahun xh.sh. Pra nëse mendja është kusht për të kuptuar të vërtetat e vogla të përditshme, atëherë si të mos ishte kusht për të kuptuar të vërtetën madhore hyjnore. Me këtë punim pata për qëllim ti japë një përgjigje të shkurtë një të vetëquajturit hoxhë, kur në vlerësimin e tij për Imam Ebu Hanifen Allahu e mëshiroftë thotë, citoj:  ai (Ebu Hanifja) shumë e ka përdorur mendjen në shpjegimin e ajeteve dhe haditheve, andaj shumë dispozita të tij janë në kundërshtim me hadithin”

Subhanall-llah, analizoni mirë në këtë fjali, e akuzon se e ka përdorur mendjen në shpjegimin e ajeteve dhe haditheve, pra sipas tij Ebu Hanifja është dashur që për ti pas vlerësimet dhe dipozitat e përfituara nga Kur’ani dhe suneti të sakta, qenka dashur ti shpjegojë pa mend, pa e angazhuar mendjen-logjikën!. Kjo nënkupton të kërkojmë dijetar pa mend, por harrojmë se atyre që nuk kanë mend nuk u thonë dijetar u thonë të çmendur.

Unë nuk dua të zgjas më shumë mund ta vlerësoni ju, por them Elhamdul-liah që ka pasur burra dhe dijetar si Ebu Hanifja dhe të tjerët të rangut të tij, që ajetet dhe sunetet i kanë kuptuar në esencë, përfshirë edhe ajetet që urdhërojnë për angazhimin  e mendjes, dhe me aftësitë e  tyre e kanë lulëzuar dhe predikuar  islamin, se po të kishte ngelur islami për ta shpjeguar këta që kërkojnë të mos përdoret mendja, ai do të perëndonte që moti. E di se Islami është garancë e Allahut e jo e njeriut, por Allahu xh.sh. e ka garantuar përmes dijetarëve që me aftësitë dhe mendjet e tyre i bllokojnë mendjet e sëmura. Allahu mos na lasht pa dijetar të mirëfilltë islam që e kanë kuptuar islamin dhe na e sqarojnë neve burimisht.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme