A do të ketë paqë në Lindje të Mesme

 info@mustfabajrami.com

Në kohën kur ra tërmeti në Haiti, bota morri turr të ndihmoi viktimat. Nëpër gazeta u shkrua se ky ishull po fundoset i tëri. Dhe vërtetë, atje ishin rrënuar edhe ndërtesat më vitale të shtetit e lerë më shtëpitë e një vendi nga më të varfrit në botë. Komshiu i Amerikës thuajse po zhdukej nga harta e gjeografisë.

Ende kujtojmë interesimin e shteteve të botës për të ndihmuar Haitin. U premtuan miliarda dollarë. Nuk dijë nëse Kosova kishte dërguar ndonjë leckë, sa për të treguar se është dhe se mund ta ndihmojë dikë. Kujtojmë ende gjithashtu se në kohën kur Haitianët po përballeshin me katastrofën e tyre, veriun e Shqipërisë e mori uji. Thuhej se Shkodra po fundoset ndërsa fshatrat përreth saj notonin mbi ujë. S’kishte “turk i gjallë” që mund ti mbyllte digat e liqeneve të Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët në botë ndanë dhembjen me vëllezërit e tyre. Opozita e Edi Ramës akuzonte Qeverinë se ajo qëllimisht po fundoste vendin, sepse, sipas saj, ajo po grumbullonte sa më shumë ujë, të prodhonte sa më shumë energji dhe sa më shumë të fitonte para nga shitja e saj.

Ndër ata që më së shumti bënë zhurmë por edhe më së shumti ndihmuan Haitin ishin izraelitët. Izraeli dërgoi edhe spitale të improvizuara. Ndihmat e këtij vendi për Haitin duhet të çmohen patjetër. Lajmet rreth këtyre ndihmave mbushnin faqet e para të gazetave nëpër botë. Izraeli dukej si avangardë e humanizmit. Megjithatë, kur ky shtet po ndihmonte fëmijët e Haitit, fëmijët e Rripit të Gazës vdisnin dhe ende po vdesin për shkak të mungesës së barërave si rezultat i izolimit total të Gazës. Viktimat e katastrofës që erdhi nga Zoti po i ndihmonte Izraeli dhe Izraeli në të njëjtën kohë kishte bllokuar rrugët e shpëtimit të fëmijëve që po i viktimizonte njeriu.

Kolumnisti politik i gazetës së njohur të Izraelit Haaretz Akiva Eldar, në një nga numrat e saj shkroi: “Keqardhja izraelite për fëmijët e Haitit, nuk mund të fsheh fytyrën e shëmtuar të politikës sonë ndaj fëmijve të Gazës”. New York Times shkroi se Haiti është një rast i mirë për politikën Izraelite të “mbulojë” tmerrin që po i shkakton fëmijëve të Gazës. Larry Derfner në The Jerusalem Post shkroi: “Ana e Haitit të Izraelit është ajo që e bënë anën e Gazës edhe më tragjike sikur që ana e Gazës Izraelite e bënë anën e Haitit të pa dukshme dhe si të tillë të pa vlerë për Izraelin”!

Sot, ndihmat izraelite të dërguara në Haiti nuk janë më ata titujt kontrovers që laramonin gazetat e mëdha të botës. Në gazeta shkruhej se shtetet e pasura arabe fare pak interesoheshin për dërgimin e ndihmave. Këto lajme përvetësonin stereotipa të arabëve si makutër dhe të pandjeshëm! Kjo ishte e ngjashme me ngjarjet e Cunamit të vitit 2004. Në atë kohë, karikaturisti Pat Oliphant pat vizatuar një karikaturë në San Francisko Chronicle sikur sheikët arab makutër, në tendat e tyre ngrënin mish dhe ushqime të shtrejta, ndërsa njerëzit e viktimizuar nga Cunami vdisnin nga uria për një kafshatë goje. Në realitet, Emiratet e Bashkuara Arabe ishte shteti i parë i cili dërgoi aeroplanët me ndihma për në Sumatra të Indonezisë dhe ndër të parët që tani po merret me Pakistanin.

E gjithë kjo që u tha më lart, në fakt ka të bëjë me anën (jo)humane të këtyre dy popujve. Se kush i ka dhënë njerëzimit më shumë e kush më pak, në realitet është çështje e historisë. Ajo është dëshmitarja më e mirë për rolin e shoqërive të ndryshme në botë. Këtu, nuk jemi të thirrur në vlerësimin e izraelitëve apo arabëve. Në fakt, këtu do të parashtrojmë një pyetje tjetër: A është e mundur dhe nëse po, si do të krijojnë paqen këta dy popuj? A ka ardhur koha që Lindja e Mesme të qetësohet? A do të jetë i mundur krijimi i shtetit palestinez, apo mos vallë është e shkruar në histori që aty duhet të jetë vetëm një; ose Izraeli ose Palestina? A do të jetë në gjendje Natanjahu të shtrijë edhe ai dorën e pajtimit kah dora e arabëve e cila veç është e zgjatur për paqe? Si do t’i përgjigjet qeveria Izraelite thirrjes së presidentit Egjiptas Husni Mubarak i cili në pres konferencën e para disa ditëve që u mbajt në Shtëpinë e Bardhë pas takimit të liderëve të Lindjes së Mesme me Barak Obamën tha: “Dora e arabëve është shtrirë për paqe, izraelitet mos ta refuzojnë atë, të ndalin ndërtimet e kolonive të reja dhe të fillohet një jetë e re”. Çfarë do të jetë përgjigjja e shoqërisë izraelite në fjalën e Sekretares amerikane të Shtetit Hillari Klinton e cila ka kërkuar nga palestinezët dhe izraelitët që të tejkalojnë pengesat për paqe dhe se bisedimet e sapofilluara “mund të jenë shansi i fundit për një marrëveshje të qëndrueshme”, në kohën kur Irani ditë e më shumë po forcon pozitën e vet në rajon, pikërisht nëpërmes mbështetjes që po i jep Hamasit dhe Hizbullahut? Ajo, në Zyrën Ovale po iu thoshte dy liderëve se “Vetëm ju mund të merrni vendimin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje dhe të siguroni një të ardhme paqësore për popullin izraelit dhe palestinez”.

Bota po pret që Lindja e Mesme të qetësohet. Shumica nga ne di se qetësimi i botës fillon pikërisht në Lindje të Mesme. Aty është bërthama e problemeve të botës, aty lindën civilizimet dhe aty u shpallën tri fenat qiellore. Kosova duhet të njeh më mirë Lindjen e Mesme dhe kur të njeh më mirë, më mirë do t’i kuptoj  shkaqet se përse shtetet e këtij rajoni ende se kanë njohur pavarësinë e Kosovës. 

(Ky shkrim është botuar në gazetën ZËRI me datë 06 Shtator 2010)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme