Katedralja: simbol i bashkimit apo i përçarjes ?
“Njerëz të pabesë! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyun? Kushdo, prandaj, do të jetë mik me botën, shndërrohet në armik me Zotin” ( Bibla, Letra e Jakobit, 4)
Fillimi i katedrales
Të premtën, në mesditë, me 26 gusht 2005, në zemër të Prishtinës, në hapësirën e Gjimnazit “Xhevdet Doda”, u vu gurthemeli i Katedrales katolike. Gurthemelit të Katedrales i mungonte leja e ndërtimit. Përmes një komunikate për shtyp, lëshuar me 26 gusht 2005, zyrtarët komunal të Prishtinës vënien e gurthemelit të Katedrales e kanë cilësuar të nxituar, sepse nuk janë plotësuar procedurat administrative dhe nuk janë përmbushur obligimet…”
Me gjithë këtë, vënien e gurthemelit të Katedrales katolike e ka bërë ish kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova,
i cili, ndër të tjera, tha:
“Ne jemi të bindur se ndërtimi i Katedrales “Nëna Tereze” do të jetë simbol i bashkimit, i tolerancës dhe i
mirëkuptimit…”
A qëndron kjo? Jo! Po, çka tregon kjo? Kjo tregon,përveç të tjerave, papjekurinë fetare. Papjekuria fetare,
siç thoshte Kanti (1724-1804), është jo vetëm më e dëmshmja, por edhe më e pandershmja nga të gjitha.
Ç’është katedralja?
Në një fjalor amerikan për katedralen shkruan:
“Kishë zyrtare e një peshkopi, çdo kishë e madhe, e rëndësishme” (New Webster’s Dictionery of the English Lnguage, faqe:81, botuar në New York – Chicago, 1975.)
Kurse në Fjalorin e Shqipes së Sotme shkruan:
“Kisha kryesore në një qytet, ku ushtron veprimtarinë e vet një peshkop.”
(Fjalor i Shqipes së Sotme, faqe: 556, botuar në Tiranë, 2002.)
Pra, sipas këtyre fjalorëve, katedrale do të thotë:
“Kishë kryesore, zyrtare, ku ushtron veprimtarinë e vet një peshkop.”
Ç’është kisha?
Fjala kishë vjen nga fjala greke “eklesia” që domethënë:
Tubimi, asambleja, kuvendi, mbledhja e popullit” Sipas Fjalorit Biblik të I. Nikë Prelës, faqe: 122, botuar në Ferzaj, 1994.)
Këto shpjegime për katedralen dhe kishën janë fjalë të nxjerra nga fjalorët që janë libra njerëzorë, të cilat mund të kuptohen dhe të peshohen. Por, siç thoshte dijetarja besimtare Madleine Delbrel, fjalët e librave njerëzorë mund të kuptohen dhe të peshohen; por është Fjala e Zotit ajo që na peshon ne. Në mes të Fjalës së Zotit, Fjalës Hyjnore, dhe vullnetit tonë duhet të ndërtohet një ujdi jetësore.
Vënia e gurthemelit të Katedrales pa leje, pa ujdi njerëzore, pa vullnetin e shumicës së popullsisë, mendoj, kjo tregon se kryetari Rugova nuk niset nga motivet e pastra fetare, por u bë për qëllime të tjera, vetëm për t’iu përshtatur botës perëndimore e kurrsesi nga besimi i mbrendshëm fetar, apo kombëtar.
Në letrën dërguar romakëve, Shën Pali shkruan:
“Po ju përbej me mëshirën e Zotit, o vëllezër. Mos iu përshtatni parimeve të botës, por shndërrojeni e
ripërtërini mendjën tuaj, në mënyrë që të dalloni vullnetin e Zotit: ç’është e mirë, çfarë i pëlqen Atij…! (Bibla, Romakëve, 12:1-2.)
Themeli i fesë
Dashuria ndaj Zotit, me zemër, me shpirt, me mendje; dashuria ndaj njëri-tjetrit, porsi ndaj vetvetes, janë themeli i fesë.
Feja është faktor pëcaktues për jetë a vdekje, qoftë si individ apo si shoqëri dhe në gjirin e saj ajo përfshin
gjërat më themelore: rregullin, kuptimin apo domethënien e jetës.
A është e rregullt vënia e gurthemelit të Katedrales nga ana e ish kryetarit Rugova, pa leje ndërtimi ? A mund të jetë Katedralja simbol i bashkimit, ku nuk muarr pjesë asnjë përfaqësues i bashkësive tjera fetare? Nuk muarr pjesë asnjë përfaqësues, mandje, as i kishës orthodokse, të cilën Don Lush Gjergji e quan kishë motër! Nuk muarr pjesë asnjë përfaqësues i partive politike të opozitës…Pra, aty ku nuk marrin pjesë as vëllezërit as motrat, a mund të jetë Katedralja simbol i bashkimit…?
Katedralja jo vetëm që është e nxituar, por ajo është e nxitur jo nga ndjenjat e pastra fetare, por vetëm për t’iu
përshtatur botës, kinse për t’u miqësuar me të, kundër të vërtetës, në dëm të vetvetës…!
Në Bibël shkruan:
“Njerëz të pabesë!
A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyun? Kushdo, prandaj, do të jetë mik me botën, shndërrohet në armik me Zotin.” (Bibla, Letra e Jakobit,4.)
Kosova jonë e dashur a nevojë për Zotin, jo të armiqësohet me Te…
Përurimi e katedrales
Me gjithë këtë, në Prishtinë, me 5 shtator, 2010, dita e 26 e muajit të bekuar Ramazan, në prag të Natës së Madhe të Kadrit, u përurua katedralja me emrin Nënë Terezës. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të klerit katolik, të Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe të institucioneve vendase e ndërkombëtare.
Përurimi katedralës u bë në kuadër të veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. I dërguari i Papa Benediktit të XVI, arqipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi, i cili udhëhoqi meshën e shenjtë, tha:
"Në këtë tokë të Kosovës, ku para shumë dekadash Hyu i ka folur shpirtit të Nënë Terezës, sot ngritet kjo Katedrale kushtuar Nënë Terezës. Në këtë Katedrale do të kumbojë fjala e ungjillit, pa të cilën nuk është e mundur ta mendojmë Nënë Terezën", tha arqipeshkvi Zef Gashi.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës Katedralen në Prishtinë e kanë quajtur si një tempull nacional, fetar, kulturor e shpirtëror.
Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, i cili mori pjesë në hapjen zyrtare të katedrales, ndër të tjera tha se ndërtimi i Katedrales në qendër të Prishtinës tregon se ky popull është i orientuar kah toleranca fetare, paqja dhe dinjiteti.
Ai kërkoi nga institucionet dhe politikanët e Kosovës që të jenë më racional karshi kërkesave shpirtërore të popullit, ndërsa bëri thirrje për ndërtimin e një xhamie të përmasave të njëjta me të katedrales m’u përballë saj. Ai iu kujtoi udhëheqësve institucional shembullin e mbështetjes së presidentit amerikan, Barak Obama, për ndërtimin e xhamisë në qendër të Nju Jorkut.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ndër të tjara tha:
“Kjo Katedrale, që qëndron madhështore në zemër të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, është simbol i fesë katolike, i bashkëjetesës, i humanizimit dhe i tolerancës fetare që e karakterizon kombin tonë që nga lindja e tij”.
Që katedralja qëndron madhështore në zemër të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, kjo po duket, por që katedralja të jetë simbol i bashkëjetesës, i humanizmit dhe i tolerancës fetare që karakterizon kombin tonë, atëherë le të ndërtohet përball katedrales edhe një xhami,
që besimtarët mos të falen rrugëve nëpër borë e shi…
Vetëm atëherë kjo tolerancë dëshmohet, vërtetohet…
Përndryshe, vetvetiu shtrohet pyetja: Katedralja në zemër të Prishtinës a është Katedrale katolike apo politike?