Të nderuar vëllezër dhe motra!
Nesër, më 09 shtator 2010 është dita e parë e Fitër - Bajramit, ndaj me këtë rast, kam kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës të institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, t’i përgëzojë të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë islame, dhe t’ua uroj Fitër - Bajramin, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet dhe punët e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji në shenjë respekti ndaj krijuesit Fuqiplotë.
Muhamedi a.s. thotë “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do t’i falet tërë çka ka gabuar më parë “
Festa e Fitër - Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me të madhe e shprehën edhe gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Na bashkoi adhurimi ndaj Zotit, bamirësia, mirëkuptimi, zeqati e sadakaja, si dhe solidariteti dhe përkujdesja ndaj të varfërve, ndaj nesër krenarë e ballëhapur e festojmë Fitër- Bajramin.
Le të frymëzohemi edhe me këtë rast, nga këto momente më të bukura për besimtarin ngase ai sot përfundon agjërimin e muajit të Ramazanit me se kryen një obligim që i ka caktuar Zoti, dhe me të drejtë pret të shijoj begatitë që ka dhuruar i Madhi Zot për njeriun, ndaj duhet vazhduar me vepra të mira, në mënyrë që Zoti të jetë i kënaqur me veprat tona, ngase të gjithë bashkë jemi përgjegjës para Zotit për veprat tona.
Të nderuar besimtarë!
Jemi gjeneratë me fat që Zoti na zgjodhi të jemi dëshmitar të ngjarjeve të rëndësishme për popullin tonë, si rënia e komunizmit,luftën për çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj, hyrjen e Shqipërisë në NATO, fitoren tonë në GJND, dhe tani bashkërisht po ndërtojmë procesin për integrimin e vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Presim që edhe nesër në Asamblenë e OKB-së të dalim fitimtarë e Kosova përfundimisht të zërë vendin e saj në OKB.
Për këto rezultate duhet që t’u jemi mirënjohës, të gjithë atyre që në një mënyrë a në një tjetër kanë dhënë kontributin e tyre, përfshirë këtu edhe kontributin që miqtë tanë ndërkombëtar po japin në realizimin e shtetësisë së Kosovës.
Të nderuar qytetarë!- vëllezër e motra!
Kurani mbështet konceptet e moralit,dashurisë e mëshirës, përkushtimit e sakrificës,tolerancës dhe paqes,besimtari i pajisur me këto virtyte përhap dashuri, respekt, harmoni e kënaqësi te të gjithë njerëzit që janë të prirë të punojnë vepra të mira.
Islami nëpërmjet agjërimit dhe adhurimeve të tjera i ka pastruar shpirtrat e njerëzve nga urrejtja e xhelozia, i ka dëlirësuar nga egoizmi pangopësia e koprracia duke i udhëzuar ne respekt ndaj njëri tjetrit,në ngritjen e një shoqërie humane,në të cilën gjykon dashuria hyjnore,e ngritur mbi principe të fuqishme të drejtësisë, bamirësisë e mëshirës. Nisur nga këto parime unë ju porosis të gjithëve që të shtrini dorën e ndihmës ndaj skamnorëve, jetimëve dhe të gjithë atyre që janë ne nevojë.
Ashtu si ishim të bashkuar, human e të dinjitetshëm, tolerant e të disiplinuar gjatë muajit të agjërimit, ashtu duhet të jemi bashkë e unik gjithherë për të çuar përpara vendin tonë atje ku synojmë të gjithë.
Në fund më lejoni që edhe njëherë t’ua uroj nga zemra Fitër- Bajramin të gjithë vëllezërve e motrave tona, kudo që gjenden.
Me fat ju qoftë festa Fitër- Bajrami!
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava