Mbi jetën e Sejid Kutubit

Edukimi i hershëm i Sejidit ka qenë në një mjedis të thjeshtë dhe të kufizuar të fshatit të tij. Ai e mësoi Kuranin përmendësh kur ishte ende fëmijë. Asokohe mësimi përmendësh  Kuranit ishte një dukuri e zakonshme në mësimin e fëmijëve që rridhnin nga familjet fetare egjiptiane, posaçërisht në ato familje që dëshironin t’i dërgonin fëmijët e tyre në El-Ez`her. Prindërit e Seidit, duke e kuptuar talentin e fëmijës së tyre, ishin të interesuar për shkollimin e tij, dhe për këtë shkak u shpërngulën në Halvan, rrethinë e Kairos, dhe Sejidi u regjistrua në Texhhize Darul-‘Ulum, shkollë  përgatitore për regjistrimin në Universitetin Daru’l-Ulum, në Kairo (tani Universiteti i Kajros) për studime të përparuara  në shkencat dhe artet bashkëkohore. Në vitin 1929 u regjistrua në Daru’l-Ulum dhe u diplomua në vitin 1933. Menjëherë pas diplomimit ai emërohet pedagog në këtë universitet. Vite më vonë ai emërohet inspektor i Shkollave në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë Egjiptiane. Gjatë shërbimit të vet, Ministria e dërgoi në SHBA për specializim në lëmin e arsimit. Në Amerikë qëndroi dy vjet duke lëvizur ndërmjet Kolegjit Pedagogjik të Uilsonit në Uashington, Kolegjit Grilij në Kolorado dhe Universitetit të Stanfordit në Kaliforni. Ai vizitoi edhe shumë qytete në SHBA, pastaj kaloi disa javë në Angli, Zvicër dhe Itali. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë iu hapën sytë për fuqinë shkatërruese të materializmit ateist që kishte në jetën shpirtërore, shoqërore dhe ekonomike të njerëzve, dhe kur u kthye ai ishte shumë më i bindur se më parë që vetëm Islami mund ta shpëtonte njerëzimin nga humnera e asgjësimit në drejtim të së cilës është drejtuar me një shpejtësi të tmerrshme, i shtyrë nga lakmia e pangopur për përfitime materiale.

Pas kthimit në Egjipt, ai iu bashkua Lëvizjes Islamike të Egjiptit, Ihuan’ul-muslimun (Vëllezërit muslimanë). Pas mbarimit të luftës, kjo lëvizje ishte në ballë të atyre që kërkonin pavarësinë e menjëhershme të Egjiptit nga pushteti britanik. Kjo kërkesë solli mbi ta zemërimin e imperializmit britanik, por lëvizja shumë shpejt fitoi vrull dhe brenda dy vjetësh numri i anëtarëve të saj u shtua në dy milionë e gjysëm anëtarë.[1] Më 12 shkurt 1949, udhëheqësi i Ihuan’ul-muslimun, Hasan El-Benna, u vra, kurse organizata u ndalua. Ajo është periudhë provash e përndjekjesh që përfundoi me revolucionin ushtarak të vitit 1952; por një periudhë tjetër më e vështirë pritej të fillojë së shpejti.

Tre veta u paraqitën si udhëheqës të Ihuanit: Hasan El-Hudeibi që më vonë u bë udhëheqësi i organizatës; Abdulkadir Audeh që u bë sekretari i përgjithshëm[2] dhe Sejjid Kutubi, eksponenti kryesor dhe autor i ideve dhe koncepteve të Ihuanit. Kur u hoq ndalimi në vitin 1952, Ihuani u riorganizua dhe filloi një program të ri të edukimit masiv dhe me reforma shoqërore. Sejjid Kutubi u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe u ngarkua me detyrë në seksionin për Thirrje në Islam (Da’ua). Gjatë vitit 1953 ai mori pjesë në disa konferenca në Siri dhe Jordani dhe mbajti një sërë ligjëratash mbi nevojën e përgatitjes morale si parakusht për ringjalljen shoqërore. Në qershor të vitit 1954 ai bëhet kryeredaktor i gazetës Ihuan’ul- Muslimun, por brenda dy muajsh kjo gazetë u ndalua me urdhërin e kolonel Xhemal Abdulnaserit, kryetar i Egjiptit, meqë kjo gazetë kishte kritikuar paktin Anglo-Egjiptian të datës 7 Korrik 1954.

Që nga ajo kohë Abdulnaseri mori gjithnjë e më tepër qëndrim armiqësor ndaj Ihuanit. Me akuzën se kanë bërë komplot kundër pushtetit, organizata u ndalua, udhëheqësit e saj u arrestuan dhe gjashtë prej tyre u dënuan me vdekje, duke përfshirë edhe Abdulkadir Auden. Redaktori i së përditshmes El-Misri, Ahmed Abdulfettahu, vlerëson se pesëdhjetë mijë anëtarë u burgosën pa gjykim, pasuria e tyre u konfiskua kurse familjet e tyre nuk u lanë të qetë. Sejjid Kutubi ishte njëri prej tyre. Në kohën kur u arrestua, ai vuante nga ethet. Ai u mor në burg ku iu sulën duke e rrahur në mënyrë të pamëshirshme. Pastaj i ndërsejnë një qen, i cili e tërheq zvarrë nëpër qeli; ai iu nënshtrua torturave të llojllojshme për afro shtatë orë. Por ky mishërim i fesë dhe i burrërisë e mbajti veten fort, duke thënë si Bilali: “All-llahu është i madh dhe tërë lavdërimi i takon vetëm All-llahut”. Ky lloj trajtimi zgjati deri më 5 maj 1955, kur u transferua në një spital ushtarak për të mjekuar sëmundjet e shumta të shkaktuara nga torturat e egra.

Më 13 korrik 1955, Gjyqi i Popullit e dënoi me pesëmbëdhjetë vjet burg dhe me punë të rënda. Pa kaluar një vit erdhi lajmi nga Abdulnaseri që i ofron atij liri dhe një post të lartë në Ministrinë e Arsimit nëse ai kërkon falje. Përgjigjjen që i ktheu Sejjidi do të mbetet gjithmonë e skalitur në historinë e Islamit. Ai tha: “Jam i befasuar me njerëzit që kërkojnë nga i shtypuri të kërkojë falje dhe mëshirë nga shtypësi. Në qoftë se ca fjalë shfajësimi mund të më shpëtojnë nga trekëmbëshi, nuk do ta bëj një gjë të tillë, do të shkoj para Zotit tim me kusht që unë të jem i kënaqur me Të dhe Ai me mua”. Ky propozim i është përsëritur disa herë me intervale dhe përgjigjja e tij e pandryshueshme ishte: “Në qoftë se jam i burgosur drejtësisht, atëherë unë e pranoj dënimin tim të merituar dhe të drejtë, por në qoftë se jam i burgosur padrejtësisht, atëherë unë nuk mund të përkulem për të kërkuar mëshirë para padrejtësisë dhe gabimit”.

Sejjid Kutubi qëndroi në burgje të ndryshme të Egjiptit deri në mesin e vitit 1964. Tri vitet e para të burgimit të tij kanë qenë plot me tortura dhe shqetësime, por më vonë ato u pakësuan. Të afërmit e tij kishin leje që ta vizitojnë atë, kurse atij ia bëjnë të mundshëm vazhdimin e aktivitetit të tij, të lexojë dhe të shkruajë. Ai i kaloi këto vite duke shkruar komentin e Kuranit të titulluar Fi dhilal’il-Kur’an (Në Hijen e Kuranit). Në vitin 1964 u lirua me lutjen e Abdusselam Arifit, më vonë kryetar i Irakut, i cili erdhi në Egjipt në një vizitë të vullnetit të mirë. Megjithatë brenda një viti të lirimit të tij nga burgu, ai u burgos sërish, së bashku me vëllanë e tij Muhammedin dhe dy motrat e tij, Hamiden dhe Aminen. Këtë herë i akuzonin me pretekstin se propagandonin përmbysjen e pushtetit me forcë. Përveç këtyre edhe afro njëzetmijë të tjerë u arrestuan, prej tyre shtatëqind gra[3]. Kjo fazë e përndjekjes filloi menjëherë pas kthimit të Abdulnaserit nga Moska, ku kishte deklaruar se Ihuan’ul-Muslimun kishte hartuar një komplot për vrasjen e tij dhe se ai do t’u jepte atyre një goditje shkatërruese. Një vit më parë, një ligj egjiptian (nr. 911, 1966) i kishte dhënë kryetarit fuqi absolute për arrestimin pa proces gjyqësor të çdo personi për të cilin ai mendonte se duhej arrestuar apo konfiskimin e pasurisë dhe masa të tjera.

Në fillim ishte shpallur se procesi gjyqësor do të transmetohej përmes televizionit, por kur dëshmitarët filluan të përshkruanin tmerret e burgut dhe torturat çnjerëzore, opinioni u largua nga procesi. Ish-kryetari i Odës së Avokatëve të Francës, Uiliam Thorp, avokati i njohur zviceran, A. J. M. Vandal dhe shumë avokatë nga Maroku dhe Sudani kërkuan leje për t’i mbrojtur të akuzuarit, por atyre iu mohua kjo. Organizata e njohur me emrin Amnesti Internejshënëll dërgoi në Egjipt anëtarin e Parlamentit Britanik, Piter Arçer, i cili raportoi se të akuzuarit ishin torturuar dhe se e tërë procedura e gjyqit ushtarak të Egjiptit ishte në kundërshtim me të gjitha parimet e drejtësisë.

Në gusht të vitit 1966 Sejjid Kutubi dhe dy shokët e tij u dënuan me vdekje, dhe u ekzekutuan në mëngjesin e ditës së hënë të datës 29 gusht 1966, përkundër protestave të mëdha nga të katër anët e botës islame.

“Kurrsesi mos i konsideroni të vdekur ata, që janë vrarë në rrugën e Perëndisë. Jo, (ata) janë të gjallë dhe të ushqyer (shpirtërisht) te Zoti”. (El-Kuran, Ali Imran,  169).

Sejjid Kutubi shkroi më tepër se njëzet libra, disa në bashkëpunim me të tjerët. Ai e filloi karrierën e vet letrare me një libër për fëmijë, me rrëfime mbi Pejgamberët dhe rrëfime nga historia islame. Më vonë interesimi i tij u zgjerua dhe filloi të shkruajë tregime të shkurtëra, poezi, kritikë letrare dhe artikuj për revista. Por ai asnjëherë nuk iu largua Kuranit dhe gjatë këtyre viteve të hershme të karrierës së tij letrare ai shkroi dy libra, Et-Tasuir’ul-fenni fi’l-Kur’an (Ilustrimi artistik në Kur’an) dhe Mushahid’ul-kijameti fil-Kur’an, duke fokusuar stilin e mrekullueshëm dhe bukuritë artistike dhe letrare të Kuranit. Megjithatë para shkuarjes së tij në SHBA, nuk ka qenë i angazhuar me Lëvizjen Islamike në Egjipt. Qëndrimi në Amerikë pati ndikim të thellë tek ai dhe u kthye i bindur se qytetërimit materialist perëndimor i mungojnë vlerat themelore njerëzore dhe se kjo është duke e shpënë njerëzimin drejt shkatërrimit shpirtëror, shoqëror madje edhe fizik. Njëkohësisht ai filloi ta çmojë kuptimin më të thellë të mësimeve islame. Ai thellohet në studimin e Kuranit, tani jo më për të bërë vlerësime letrare, por për ta kuptuar mesazhin e tij, duke i kaluar tetë deri dhjetë orë në ditë me studimin e librave mbi Islamin. Në vitin 1948 ai boton kryeveprën e tij të parë, El-Adalet’ul-ixhtimaijjeti fi’l-Islam (Drejtësia shoqërore në Islam). Pas këtij libri filloi shumë shpejt komentin e Kuranit, Fi dhilal’il-Kur’an (Në hijen e Kuranit), të cilin e kreu gjatë vuajtjes së dënimit me burg. Ky nuk është koment në kuptimin teknik, e më së paku në kuptimin që iu ngulitën në mendjen e autorit duke lexuar një ajet apo një grup ajetesh. Përmes kësaj teknike ai arriti jashtëzakonisht mirë të përcjelli mesazhin e gjallë të Kuranit. Një shembull i komentit të tij është kapitulli i fundit Kthesa që përpunon implikimin e thellë të sures Al Buruxh.

 



[1] Muhammed Shewki Zeki, El-Ihwan’ul-Muslimun we’l-Muxhtemi’ El-Misri (Ihwan’ul-Muslimunët dhe shoqëria egjiptiane), fq. 21.
[2] Në botim të SHB “Zëri Islam”, në Prizren, u botua libri i tij “Islami ndërmjet injorancës së pasardhësve dhe pafuqisë së dijetarëve”, Prizren, 1990 (NI).
[3] Dejli Telegrafi i Londrës, 11 tetor 1965.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme