Kështu, që vetë kultura e debatit mund të konsiderohet si një metodë formale e interakcionit dhe argumentit të përfaqësimit, ajo gjithashtu ka të bëjë me shkëmbimin e mendimeve të ndryshme apo ideve të ndryshme. Andaj, për të arritur vlerën, estetikën apo nivelin e kënaqshëm të diskutimit, debatit, vetë debati në fjalë na paraqitet si një produkt social i cili mundëson arritjen e një pragamtizmi drejt disa elementeve si:
-
Pluralizmi i mendimeve krijon bashkim, e bashkimi fuqi,
-
Panelistët që marrin pjesë në debat kanë një lloj interakcioni ndërmjet veti, andaj edhe përfitojnë njohuri, zgjerojnë diapazonin e diturisë, dhe kanë një “hartë kognitive” të qartë,
-
Kultura debatit promovon vlerat intelektuale/akademike dhe shkencore,
-
Promovon vlerat e grupit,
-
Promovon vlerat e shoqërisë etj.
Pra, me fjalë të tjera, kultura e debatit përveç stimulimit psikologjik dhe social që bën, ajo ka për qëllim edhe integrimin e pjesëmarrësve në të, përfitimin me njohuri të reja, respektimin e kodeve mbi kulturën e debatit, si dhe elemente tjera që padyshim nuk do të mjaftonin që t’i thurim me pak fjalë.
A kemi kulturë të debatit?
Duhet thënë se pavarësisht niveleve akademike/shkencore dhe intelektuale të shumë panelistëve, debatuesve, etj, niveli i kulturës së debatit në shoqërinë kosovare është i ulët. Ky nivel mund të themi se është në fazën e formimit, sepse në debatet tona jemi dëshmitarë të asaj që nuk ka ndonjë artikulim adekuatë të debatit. Në këtë kontekst ekzistojnë disa kode, ose norma që lidhen drejtpërdrejtë apo tërthorazi me kulturën e debatit, e që shpesh tek ne këto norma apo kode mungojnë:
-
Njohuri adekuate mbi temën e paraparë në debat,
-
Njohje të kodeve dhe normave demokratike,
-
Etika e të shprehurit,
-
Përvoja mbi debatet,
-
Mbajtja e ekuilibrit gjatë debatit, etj.
Këto janë disa nga pikat ose normat kulturore që debatuesitë duhet t’i kenë parasysh në mënyrë që të krijojnë dhe promovojnë ate që njihet si “kulturë debati”. Megjithatë, në bazë të analizave sociologjike, përkatësisht metodës së komparacionit shohim se niveli i debatit në Kosovë, krahasuar me vendet tjera është i ulët, ka shumë mangësi, sepse shpesh debatuesit bien nga vetë ndikimi i debatit, gjuha si element i rëndësishëm nuk është e artikuluar aq sa duhet, ka probleme të shumta lidhur me terminologjinë, madje disa mundohen që të krijojnë tendenca suprematike mbi të tjerët duke përdorur terma të pakuptueshëm, e që kjo merrë konotacion negativ tek qytetari i thjesht, sepsi ai nuk e kupton dhe në rast se debati nuk kuptohet kjo do të ishte e barabartë me zero. Një element tjetër që mungon tek ne gjatë debateve, është fakti se shpesh në tryezat tona shohim që të ftuarit, pra debatuesit janë euforik, temperament, ngritje tonit të zërit, frustrim, e të tjera, gjë që nuk mund të quhet kulturë debati. Sepse për të figuruar kultura e debatit, duhet të plotësohen disa nga kriterët apo kodet që më lartë i potencuam, e që fatkeqësisht tek ne mungojnë. Prandaj, përveç këtyre elementeve, shpesh tek ne shohim që flitet për një temë, e në fakt fillohet të personalizohet ajo temë. Madje, disa hulumtime tregojnë se pikërisht kritikat e shpeshta dhe mos koncentrimi në temën e paraparë e ulin vlerën e debatit.
Tipologjia e mënyrës së debatit në Kosovë?
Edhe pse në dioptrinë empirike – sociologjike ka forma të ndryshme të kulturës së debatit në Kosovë, dhe varësisht nga konteksti kulturor dhe shoqëror ato mund të shpërfaqen, ne jemi munduar që t’i specifikojmë disa forma të kësaj tipologjie:
1. Tipologjia e mënyrës së parë ka të bëjë kur njerëzitë, në fakt debatuesit njihen ndërmjet veti, kanë një relacion miqësor, kanë thjeshtë miqësi dhe interesa të përbashkëta, andaj edhe konformohen shumë lehtë. Madje, kjo tipologji e mënyrës së debatimit, njihet edhe si tipologjia e “konformizmit”, sepse panelistët, debatuesit, për shkak të miqësisë dhe interesave të ndryshme personale konformohen, ose kanë frikë mos i denon shumica, andaj edhe nuk krijojnë ndonjë nivel diskutimi. Në këtë kontekst debatit i humb vlera dhe pesha e tij, sepse nuk ka ndonjë ngjallje të kurreshtjes nga qytetari, nuk ka interesim për këtë lloj debati, kështu që i tërë debati shkon duke u shndërruar në një monotoni, dhe normalisht që opinioni i gjerë nuk ka interesim.
2. Tipologjia e mënyrës së dytë ka të bëjë, kur debatuesit zakonisht gjatë fushatave paraelektorale demonstrojnë një euforizëm të tepruar, gjuhë dhe tonë të ashpër në raport më kolegët panelistë, humbje të kontrollit të vetvetes, përgjithësime, paragjykime, etiketime të ndryshme. Gjë që e tëra kjo jep një konotacion negativë atij debati, me faktin se ikën nga tema dhe gjërat gjatë diskutimit bëhen të ndjeshme si dhe personalizohen, andaj edhe kultura e debatit merrë një kahe tjetër.
3. Dhe tipologjia e mënyrës së tretë, që ne kemi identifikuar ka të bëjë me shumë me ate që njihet si “debat racional”, pra debat i arsyeshëm, i cili ka një kahe tjetër për dallim nga dy mënyrat e lartëpërmendur, ky lloj debati është më praktik, më pragmatik, është më i arsyeshëm dhe ka një motiv psikologjik, social dhe kulturor për të debatuar lidhur me një problem apo fenomen social, në atë mënyrë që në të artikulohen mendimet, idetë, vizionet, drejt debatimit të atij fenomeni apo asaj teme.
Andaj, si përfundim mund të themi se pavarësisht faktit që kemi përmenduar vetëm tri tipologji të mënyrës së debatimit në Kosovë, në fakt kulturës debatike në shoqërinë kosovare, aktualisht niveli i debatit në shoqërinë kosovare është i ulët, dhe nëse krahasojmë me vendet tjera p.sh. me Shqipërinë shohim se gjërat atje janë më ndryshe se këtu, ndoshta jo në një nivel si në vendet perëndimore, por më mirë qëndron Shqipëria me kulturën debatike qoftë ajo mediatike, politike, etj. Kështu, që mund të themi se kultura e debatit në shoqërinë kosovare vetëm sa ka filluar të formohet, aktualisht ajo është në “inkubator”, pra në formimin e saj. Andaj, për të zhvilluar një kulturë debati të mirëfilltë si në vendet perëndimore, normalisht kërkohet kohë, mund, dhe mbi të gjitha një qasje konstruktive në raport me tjerët sidomos gjatë debatit.