SHKAQET E PRAPAMBETURISË SË MUSLIMANËVE -1

Mirëpo, shikuar nga një këndvështrim tjetër, mund të thuhet se populli është i paarsimuar dhe e ka kapluar letargjia shpirtërore. Historia s’është shkencë ekzakte, siç janë shkencat natyrore, ajo ka ligjshmëritë e saja, por jo të atilla që me siguri të mundet të parashikojë rrjedhën e ngjarjeve, apo të shpjegojë me saktësi atë që ka ndodhur. Historia është rrëfim mbi jetën, ndërsa jeta i shpreh manifestimet e lirisë, spontanitetit, paparashikueshmërisë. Pra, jeta mbetet fshehtësi. Nuk mund të ketë përgjigje të sigurtë dhe të plotë pse një popull është i prapambetur.Mund të diskutohet për dekadencën e muslimanëve në kohëra më të hershme vetëm nga këndvështrimi i brendshëm islamik, duke marrë parasysh autenticite-tin hyjnor të mësimeve islame, të cilat kërkojnë sjellje dinamike të pasuesve të tyre,  ndërsa në krahasim me popujt e tjerë muslimanët do të mbeten prapa kah shekulli XVII.

Në këtë libër një pjesë ua kemi kushtuar dukurive dekadente që e kanë përfshirë gjithë botën islame dhe kanë të bëjnë me të kuptuarit e Kur’anit, Sunnetit dhe mënyrën e interpretimit të tyre në shekujt e mëvonshëm.

Pastaj i kemi bërë një vështrim të shkurtër edhe historisë sonë kombëtare, posaçërisht asaj prej depër-timit osman në trojet tona e deri në ditët e sotme duke u munduar që t’i zbulojmë dhe shpjegojmë momentet më të rëndësishme që kanë luajtur rol dekadent, stag-nues e antiislam për popullin tonë. Ka momente dhe situata që kanë qenë të imponuara nga të tjerët, por ka të atilla që edhe ne si subjekt vetë i kemi stimuluar.

Pastaj kemi numëruar disa dukuri joislame te shqiptarët që për ne janë edhe dekadente, që kanë mbetur nga e kaluara, ose që janë si rezultat i mënyrës së të jetuarit sipas normave evropiane.

Nëse popullata muslimane është e prapambetur dhe nuk e ndjek Islamin, nuk mund të themi se Islami është fajtor për prapambetjen e saj. Madje nëse e humbim rrugën s’mund ta fajsojmë udhëheqësin të cilin nuk e kemi ndjekur.

Mësimet e pastra të Islamit gjithnjë nxitën në përparim të gjithëmbarshëm, gjë që e vërteton historia e hershme e tij. Pra me largimin nga mësimet e mirëfillta të Islamit paraqitet dekadenca ndër muslimanët. Këtu do të bëhet fjalë për dekadencën e muslimanëve dhe mënyrën si të dilet prej saj.

Që ky libër të shohë dritën e botimit, më kanë dhënë kurajo shumë shokë, disa prej të cilëve më kanë ndihmuar dhe më kanë dhënë sugjerime që libri të jetë sa më tërheqës për lexuesin. Të gjithëve u jam mirënjohës dhe e lus All-llahun xh.sh. që t’i shpërblejë me të mira. 

Autori

PËRPARIMI I MUSLIMANËVE TË PARË

Faktorët që i çuan në përparim të gjithmbarshëm gjeneratat e muslimanëve të parë, nuk duhet kërkuar askund tjetër përveç Islamit. Kjo dëshmohet me faktin se arabët para Islamit nuk bënin ndonjë hap përpara në ndonjë sferë të jetës, përveç oratorisë. Kishin besim politeist të shoqëruar me shumë bestytni. Imoraliteti ishte në kulm. Ishin të raskapitur nga luftërat ndërfisnore. Vazhdimisht ishin vazalë të ndonjërës perandori fqinje.

Me pranimin e Fesë Islame, e cila iu shpall njerëzimit nga All-llahu xh.sh. me anë të pejgamberit të fundit, Muhammedit alejhisselam, në një periudhë 23 vjeçare (ndërmjet viteve 610-632), arabët fillojnë një jetë të re. Pranojnë besimin e pastër në Zotin e vetëm, All-llahun xh.sh. Kur’ani, si libër i shpallur, i vuri bazat e ligjislacionit dhe moralit. Ndërsa vëllazëria islame e ndërpreu luftën vëllavrasëse në mesin e arabëve. Ajeti (citati) kur’anor: “Me të vërtetë muslimanët janë vëllezër” (Huxhurat, 10), iu dha atyre forcë që pas disa dekadave të bëhen faktorë me rëndësi në skenën botërore. Gati secili popull që ka pranuar Islamin ka përjetuar mirësitë e këtij parimi islam në ruajtjen e unitetit të brendshëm kombëtar dhe në përballimin e tendencave asimiluese nga jashtë. (Kjo sidomos vlen për shqiptarët. Më gjerësisht për këtë do të bëhet fjalë në kapitullin: “Shqiptarët pranojnë Islamin”).

Ndërkaq, për çështjet e kësaj bote dhe të gjithësisë, Kur’ani nxitë që të shfrytëzohen eksperimentet dhe përvojat historike të popujve të mëparshëm.

“A nuk i shikojnë devet se si janë krijuar? Edhe qiellin se si është ngritur lart! Edhe kodrat se si janë venduar! Edhe tokën se si është shtruar!” (El-Gashije, 17-20).

“O turmë e xhineve dhe e njerëzve nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiellit e të tokës, depërtoni pra, por nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë” (Rrahman, 33).

“A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shihnin se si ishte përfundimi i atyre që ishin më parë” (Jusuf, 109).

Duke u bazuar në këto ajete kur’anore, e të ngjashme me këto, muslimanët njëqind vjet pas shpalljes, në Lindje kishin arritur deri në Kinë, kurse në Perëndim arritën para dyerve të Parisit. Ata u dhanë pas studimit të shkencave të ndryshme. Kështu në vitin 850 në Shtetin Islam ke mundur t’i numërosh 34 spitale. Pranë halifëve abasidë ishin tubuar shkencëtarë të profileve të ndryshme. Në vitin 891 Bagdadi ka pasur më se njëqind biblioteka por edhe nëpër qytetet e tjera numri i tyre ka qenë tejet impozant. Biblioteka e Azizit në Kajro ka numëruar 600 mijë vëllime, 6.500 nga matematika dhe 1.800 nga filozofia. Në vitin 974 themelohet Universiteti i Az’harit në Kajro i cili gjatë gjithë kohës është zgjeruar dhe sot luan rol të rëndësishëm në arsimimin e botës islame. Në vitin 1065 themelohet në Bagdad Universiteti “Nidhamije” ku ligjëroheshin në mënyrë të barabartë shkencat fetare dhe ato filozofike.[1]

Hartëing Hirschfeldi thotë: “Nuk ka pse të habitemi kur thuhet se Kur’ani është burim i shkencave. E gjithë ajo për të cilën foli Kur’ani, për tokën, jetën njerëzore, tregtinë dhe zejet, ka qenë temë studimi e dijetarëve dhe komentatorëve (mufesirëve). Ata i bënë vështrim atij në veprat e tyre. Kjo hapi shtigje të reja për hulumtimin dhe studimin e tij. Prej rrugës së tij u përgatitën rrugët e përparimit të muslimanëve në fusha të ndryshme të jetës”.[2]

Në mënyrë të veçantë duhet theksuar përparimin e muslimanëve, sidomos prej fillimit të shpalljes e deri në shekullin XII, por kjo nuk do të thotë se edhe pas kësaj periudhe nuk ka pasur momente të ndrishme dhe dijetarë që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar.

PËRPARIMI NË JURISPRUDENCË

Muhamedi alejhisselam kur u shpërngul prej Mekës në Medinë, në vitin 622 miladi, bëri marrëveshje me shkrim midis muhaxhirëve dhe ensarëve. Më vonë kjo marrëveshje u plotësua me nene të reja për hebrenjtë dhe fiset e tjera. Mendohet se kjo kushtetutë e “qytet-shtetit” të Medinës është kushtetuta e parë e shkruar në botë.[3]

Muhamed Shejbani (vdiq 189/ 804) nxënës i Ebu Hanifes, ka shkruar librin “Es-Sijer” ku midis tjerash shqyrton edhe problemet e të drejtës ndërkombëtare. Ky është libri i parë i cili trajton një çështje të këtillë dhe i cili ua tejkalon për disa shekuj librave të këtij lloji në Perëndim.[4]

PËRPARIMI NË LETËRSI

Njëri ndër tregimet e bukura është edhe “Haj bin Jakdhan” - “I gjalli i biri i të zgjuarit”, i shkruar në Spanjën islame nga autori i njohur, Ibën Tufejli (v. 1185 m.). Ky është një tregim simbolik dhe trajton pajtimin ndërmjet fesë dhe fillozofisë. Spanjoli Gracian shkruan një tregim duke u bazuar në librin e Ibën Tufejlit. Prej këtij libri më vonë janë frymëzuar filozofët gjermanë Lesingu (v. 1781) dhe Hegeli (v. 1831).[5]

Tregimet "1001 netë" kanë frymëzuar shumë shkrimtarë evropianë, gjë që edhe sot e kësaj dite janë tregime atraktive.[6]

Israja dhe Mi’raxhi, që janë trajtuar shumë në shkrimet e mistikëve muslimanë, janë frymëzim për veprën e njohur nga renesansa “Komedia Hyjnore”. Orientalisti Miguel Asin Palacios për Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit thotë: “Dante konceptin e tij të Komedisë Hyjnore e ka marrë nga burimet islame, nga tregimi për udhëtimin e Muhammedit (a.s.) prej Kabes (në Mekë) për në Mesxhidi Aksa (në Jerusalem), dhe pastaj është ngritur lartë në qiell ku janë parajsa dhe ferri dhe që më vonë është përcjellë me legjenda islame.[7] 

PËRPARIMI NË FILOZOFI DHE PSIKOLOGJI

Filozofi musliman, Ibën Sina (Avicena) ka dhënë kontribut të dukshëm në zhvillimin e metodës ekspe-rimentale. Roxher Bekoni, duke ndjekur metodën e tij dhe të filozofëve tjerë muslimanë, e ka studiuar natyrën dhe dukuritë e saj dhe i ka vënë themelet e metodës eksperimentale. Kështu që vepra e tij “Opus majus” nuk është kurrgjë tjetër përveçse imitim i veprës së Ibën Sinasë, “Esh-Shifa”, të cilën ai shumë mirë e ka njohur dhe e cila karakterizohet me llojllojshmërinë e studimit të natyrës dhe me studimin e problemeve matematikore si dhe me studimin e problemeve filozofike dhe teologjike.[8]

Ibni Ruzhdi i ka studiuar veprat e Aristotelit dhe i ka zgjeruar duke i komentuar ato, posaçërisht ka punuar në teorinë e kauzalitetit. Aristoteli, të cilin sot e njeh Evropa, është pikërisht ai që e ka komentuar Ibni Ruzhdi. Fahrudin Raziu, i cili është një ndër komentatorët më të mëdhenj të Kur’anit, ka dhënë kontribut të vlefshëm edhe në fushën e mjekësisë. Librat e tij një kohë të gjatë janë përdorur nëpër universitetet e Evropës. Ai sidomos dallohet në psikologji. Një musliman i cili ka specializuar psikologjinë në Amerikë, kur është kthyer në tokat islame dhe pasi ka lexuar një libër të Fahrudin Raziut ka thënë: “Habitem, e tërë ajo që e kam mësuar në universitetet amerikane është e mangët, bile edhe termat janë të frikshëm. A është e vërtetë se ky libër daton prej vitit 606 hixhrij (shek. XIII). A është e mundur që ky libër të jetë shkruar disa shekuj para se të lind Frojdi dhe themeluesit e shkollave të ndryshme psikologjike”.[9]

PËRPARIMI NË SHKENCAT NATYRORE

Edhe në këtë fushë kontributi i muslimanëve është i madh. Matematikani i famshëm, Ibni Ahmedi, ka bërë revolucion në shkencën e matematikës me zbulimin e numrit zero, përdorimin e së cilës e propozon në veprën e tij “Çelësat e shkencës”. Nocionet: sinusi, kosinusi, tangjensi dhe kontangjensi, binomi, trigonometria sferike, i kanë futur në përdorim arabët muslimanë.[10]

Biruni, me shumë precizitet, e ka caktuar peshën specifike të 18 metaleve deri në decimalin e katërt e që nuk dallohet aspak nga llogaritë më të reja të kohës sonë ku përdoren instrumentet më të përsosura.[11]

Shumë historianë, Ibën Hajthemin e numërojnë ndër fizikantët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, e posaçërisht në fushën e optikës. Evropa e njeh me emrin Al-Hazin. Ai e ka praktikuar metodën eksperimentale dhe induktive dhe njihet si anticipues i Bekonit dhe shkencëtarëve tjerë evropianë. Ai para evropianëve ka zbuluar barometrin dhe ndikimin e shtypjes atmosferike. Po ashtu ka dhënë kontribut në fushën e gravitacionit.[12]

Në fushën e detarisë muslimanët shumë kohë para evropianëve kanë ditur të orientohen në det të hapur gjatë natës me ndihmën e yjeve. Po ashtu i kanë ditur karakteristikat e Oqeanit Indian. Posaçërisht shquhet detari Shihabuddin Ahmed ibën Maxhid. Vasko de Gama, i cili ishte nisur për në Indi, mezi e kaloi Kepin e Shpresës së Mirë në jug të Afrikës dhe kur arriti në brigjet e Kenisë së sotshme u ndal disa javë dhe hamendej për të vazhduar lundrimin më tej, sepse nuk kishte njohuri për Oqeanin Indian. Pikërisht ky detar musliman që posedonte njohuri për Oqeanin Indian dhe kishte hartë detare me sistem të koordinatave dhe astrolab prej metali e udhëhoqi marinarin e shquar portugez për në Indi.[13]

PËRPARIMI NË KULTURË DHE CIVILIZIM

Në Ballkan traditën e përdorimit të ujit për qëllime higjienike e kanë sjellë turqit. Sarajeva e fitoi ujësjellësin 378 vjet para Vjenës dhe 148 vjet para Londrës.[14]

Fjalët çeshëm, peshkir, dyshek, jorgan, jastuk, që shprehin kulturën elementare, në gjuhët e popujve ballkanikë kanë ardhur nga orienti islam. Muslimanët para katërmbëdhjetë shekujve ritual fetar kanë patur së paku një herë në javë të pastrojnë tërë trupin (gu-sël) dhe disa herë në ditë t’i pastrojnë pjesët e trupit që më tepër kanë kontakt me ndytësitë (abdest). Kjo ka nxitur që muslimanët të ndërtojnë ujësjellës, shadërvane, çeshma publike, hamame, etj. Përderisa evropianët deri në shekullin XIX nuk posedonin njohuri për gjëra të këtilla, mbreti francez Henriku IV më tepër është dalluar në këtë drejtim. Po ashtu muslimanët ritual fetar e kanë pasur pastrimin e dhëmbëve dhe të gojës, ndërsa kjo për evropianët ishte gjë e çuditshme. Këtu do të shërbehemi me një anekdotë, kur turqit e rrethuan Vjenën ata me çudi i kanë shikuar ushtarët turq duke i pastruar dhëmbët me misfaq, dhe mendonin se ushtarët turq i mprehnin dhëmbët që ta hanë e ta shkyejnë ushtrinë vjeneze.[15]

Kjo është periudha kur muslimanët të nxitur nga mësimet kur’anore për kërkimin e diturisë dhe studimin e fenomeneve të ndryshme dhanë kontribut të çmuar në shumë lëmi shkencore. Për këtë qëllim ata i shfrytëzuan edhe të arriturat e popujve të tjerë, duke i përkthyer veprat e tyre nga lëmi të ndryshme shkencore, duke i përpunuar dhe zhvilluar edhe më tej. Këtyre shkencave u dhanë ngjyrë islame dhe i shfry-tëzuan për përkrahjen e idealeve të tyre të Islamit.

Pas kalimit të kësaj periudhe, në periudhën e prapambeturisë së muslimanëve, jomuslimanët e rrëmbyen trashëgiminë e shkencëtarëve dhe të dijetarëve muslimanë, e integruan atë në botëkuptimet e veta, i zhvilluan disciplinat e ndryshme shkencore, u shtuan atyre disa ndihmesa të rëndësishme dhe i shfrytëzuan dituritë e reja për dobitë e veta.[16]

Kjo periudhë e artë islame (prej shek.VI deri në shek. XII) është para kohës kur shqipëtarët e kanë pranuar masovikisht Fenë Islame.


[1] L.S.B “Pse muslimanët janë të prapambetur" Takvim, Prishtinë.[2] Cituar sipas Ebul-Hasan Ali en-Nedevij, në librin “Islami”, f. 82, Shkup 1998.[3] Nijaz Shukriq, Povijest Islamske Kulture i Civilizacije, f. 163, Sarajevë 1989.[4] Mr. Fikret Karçiq, Istorija šeriatskog prava, f. 52, Sarajevë 1987.[5] Grup autorësh, Arabsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, f. 81, Sarajevë 1987.[6] Po aty, f. 84.[7] Po aty, f. 88.[8] Po aty, f. 120.[9] Dr. Taha Xhabir Ulvani, Kriza e mendimit bashkëkohor, f. 54, Shkup 1997.[10] L.S.B. Pse muslimanët janë të prapambetrur, Takvim, Prishtinë, f. 120.[11] Grup autorësh, Arapsko islamski uticaj na evropsku renesansu, f. 157, Sarajevë 1987.[12] Po aty, f. 169.[13] Po aty, f. 211.[14] L.S.B., Pse muslimanët janë të prapambetrur, f. 115, Takvim, Prishtinë.[15] Abdullah Dervisheviq, Ruajtja e shëndetit dhe higjiena personale në hadithët e Muhamedit a.s, Takvim, f.122, Prishtinë 1982.[16] Dr. Ismail R. Faruki, Islamizimi i diturisë, f. 32, Shkup 1992.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme