Ky besim shtrihet mbi dëshmi të pakontestueshme mendore për ekzistimin e All-llahut xh.sh. dhe cilësitë e Tij të përsosura, siç janë: Krijimi, vullneti, gjithëdija etj. Pastaj të besuarit e pakontestueshëm në pejgamberinë e Muhammedit alejhisselam dhe se Kur’ani është fjalë e All-llahut xh.sh.
Ky besim si të jetë i skalitur fortë në zemër do të jetë orientues i sjelljeve dhe rrënjësisht do ta ndryshojë gjendjen e popullit drejt fuqisë shpirtërore, aktivitetit të gjithëmbarshëm dhe zellshmërisë. Por, nëse besimi do të jetë formal, ai popull do të jetojë në apati dhe pasivitet.
Të ruajmë vlerat morale të Islamit
Në rrugën që duhet kërkuar për të dalë nga dekadenca duhet bërë të pamundshmen që mos i humbim vlerat morale të Islamit, sepse rënia e vlerave morale është shkaktar i shkatërrimit të popujve të cilën gjë ua cakton All-llahu xh.sh. dhe i informon: “Zoti yt për shkak të mëkateve nuk e shkatërron një vend, e ba-norët e tij të jenë të painformuar” (El-En’am, 131).
Të ruajsh minimumin e vlerave morale është shansi që mos vijë dënimi nga ana e Zotit. “Zoti yt asnjëherë nuk i ka zhdukur fshatrat dhe qytetet nëse banorët e tyre janë bëmirës” (Hud, 117).
Ndodh që idetë dhe besimet të përjetojnë ndryshime dhe nëpërkëmbje, praktikim të gjymtuar, ose përzihen me më shumë besime të ndryshme bile edhe kundërthënëse. Në këto rrethana do të fitojnë ato ide bartësit e të cilëve janë më dinamikë, më aktivë, më parimorë, por edhe më të moralshëm.[1]
Morali i bazuar në fe njeriun e nxit në mirëpërdorimin e lirisë njerëzore dhe e largon prej punëve të këqija. Bindjet morale fetare janë më të nevojshme se ligjet dhe rregullat për harmoninë dhe ruajtjen e rendit publik të një shoqërie. Njeriu që beson se vazhdimisht është nën mbikqyrjen e Zotit do të jetë i vetdisciplinuar edhe sheshazi dhe fshehurazi edhe kur e din se nuk mund ta mbërijnë sanksionet ligjore. Ai gjithnjë do ta mposhtë narcisoizmin dhe instinktin shtazarak dhe do të largohet prej të këqijave.[2] Mungesa e kësaj vetdiscipline fetare ishte njëri ndër shkaqet e ngjarjeve të pranverës së vitit 1997 në Shqipëri.
Kjo ndodh kështu edhe me pasuesit e feve tjera. Në periudhën mesjetare që konsiderohet më e errëta në historinë e Evropës, edhe kisha katolike ishte mbushur plot me shkatërrime dhe qëndrime negative dhe radhitej me despotizmin dhe monarkët më të prishur. Kulminacioni i kësaj periudhe të errët ishte krijimi i inkuizicionit i cili përndoqi dhe torrturoi njerëzit me dituri dhe ide të reja. Dijetarët dhe shkencëtarët u dogjën të gjallë, injoranca dhe agresioni iu imponuan shoqërisë në emër të krishterizmit.[3]
Ndërsa renesansës, e cila nxiti zhvillimin e gjithanshëm në Evropë, i parapriu zgjimi fetar me paraqitjen e protestantizmit i cili ktheu vlerat e mirëfillta morale të krishterizmit të hershëm. Kjo lëvizje i nxiti masat që edhe në sjelljet e tyre individuale, në çështjet e kësaj bote të jenë të disciplinuar dhe të moralshëm. Kjo posaçërisht vlen për Gjermaninë e cila udhëheq në Evropë me të arriturat e saj në fushën e shkencës dhe teknologjisë.[4]
Mënyra e gabuar e daljes nga dekadenca
Morali është mbi arsimimin në formimin e popujve. Një dijetar thotë: “Popullin e mban vetëm morali, derisa ekziston, kur humbet morali, humbet (asimilohet) edhe populli”.[5] Shembulli i Turqisë, e cila pranoi reformën me çdo kusht dhe anuloi të kaluarën e vet shpirtërore dhe kulturën nacionale dhe shembulli i Japonisë, e cila bëri reforma rrënjësore duke mos i prekur vlerat shpirtërore dhe traditat e vjetra nacionale, mbetet shembull klasik në historinë bashkëkohore.
Kah fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i këtij shekulli këto dy vende kanë ofruar fotografinë e vendeve mjaft të ngjashme. Të dyjat kanë qenë mbretëri të vjetra, me fizionomi vetanake dhe me vend të rëndësishëm në histori. Të dyjat janë gjetur afërsisht në shkallën e njëjtë të zhvillimit dhe me të kaluar të lavdishme. Ata për ardhmërinë kanë patur pothuaj gjasa të ngjashme. Pastaj dy vendet kanë pasur reformat e njohura. Që të vazhdojë të jetojë jetën e vet e jo të huajën, Japonia ka tentuar t’i njësojë traditat dhe progresin. Për Turqinë, modernistët e saj kanë zgjedhur rrugën e kundërt. Turqia është vendi i dorës së tretë, ndërsa Japonia ka hipur në kulmin e popujve të botës.
Turqia e ndërroi alfabetin arab i cili për shkak të thjeshtësisë së tij dhe vetëm me 28 shkronja bën pjesë në alfabetet më të përkryera dhe më të zgjeruara në botë. Ajo me këtë hap gjithë popullin brenda natës e bëri analfabet, e humbi lidhjen me thesarin kulturor të shkruar me shekuj.[6] Ajo ndërpreu halifatin që deri më 1924 simbolizonte udhëheqësinë shpirtërore të të gjithë muslimanëve, kurse këtë privilegj e gëzonte Turqia. Turqia me këtë fitoi që mos e ketë rolin udhëheqës në botën islame, bile edhe ndoshta të jetë iferiore. Partitë e saj politike të kenë shikimin nga Moska dhe Vashingtoni dhe pas më se 70 vjetësh imitimi të Evropës, të refuzohet në mënyrë cinike pranimi i saj në BE, e në anën tjetër ka tendenca të pranohet një shtet që formalisht figuron në hartë (Qiproja).
Japonia refuzoi tendencën që në përdorim ta fusë alfabetin latin. Ajo e mbajti alfabetin e vet të komplikuar i cili pas reformës, përveç 46 shenjave përmbanë edhe 880 ideograme kineze.[7] Mbretërinë nuk e kanë shkatërruar dhe vazhdon traditën e saj shekullore, madje kurorëzimi i mbretit përcillet me një spektakël madhështor. Ritualet e veta shpirtërore i kultivojnë me një xhelozi të madhe, ndërsa disa prej tyre në formë të sportit ia kanë imponuar edhe botës (karate, kung-fu etj.). Që fëmijët e tyre mos e harrojnë mënyrën tradicionale të të ushqyerit me dy shkopinj organizojnë kurse të ndryshme. Pikërisht japonezët e kanë thyer shabllonin e imponuar nga Perëndimi se nuk mund të ketë përparim në teknologji nëse nuk pranohet botëkuptimi i krishterë perëndimor në kombinim me filozofinë antike greke, duke u bërë një ndër shtetet më të zhvilluara në botë.[8]
Kthim i tërësishëm Islamit
Islami duhet të jetë prezent në të gjitha sferat e jetës dhe të jetë bazament i tyre. Assesi nuk tolerohet që muslimani të shitet si musliman duke i kryer ibadetet pjesërisht dhe në anën tjetër çka është edhe më e keqja edukimi, arsimi, kultura dhe informimi të bëhet sipas botëkuptimeve të huaja. Mësimi islam është i tërësishme dhe pranimi i një pjese duke përjashtuar tjetrën, do të pengojë që edhe ajo pjesë që i përmbahemi mos japë rezultate dhe ndër njerëzit të fusë konfuzion.
Vetëm nëse me vendosmëri dhe angazhim maksimal në të gjitha fushat e jetës i kthehemi Islamit do të arrijmë që të jemi faktor i rëndësishëm në arenën botërore. Është e domosdoshme që Islamin ta marrim komplet si e ka shpallur All-llahu dhe ka thirrur Pejgamberi dhe ata që e kanë ndjekur sinqerisht. Në atë mënyrë me të vërtetë do t’i shfrytëzojmë frytet e tij të bekuara në jetën tonë shpirtërore, materiale, individuale dhe kolektive.
Besimi islam (akideja) ndikon që ibadeti të japë efekte pozitive, besimi dhe ibadeti ndikojnë në formi-min e etikës (ahlakut), etika ndikon në ruajtjen e ligjësisë, ligjet kanë ndikim në ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit, ndërsa roli i shtetit është që ta ruajë besimin, ibadetet, etikën dhe ligjet. Pra të gjitha këto janë të ndërlidhura, prandaj nuk mundet që disa t’i mënjanoj-më e me disa të kënaqemi, por duhet të gjitha t’i mbrojmë nëse duam të vendosim jetë të plotë, të përsosur dhe të ekuilibruar. Prandaj Kur’ani ua tërheq vërejtjen hebrenjve (dhe neve): “A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Çka mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjyki-mit ata hidhen në dënimin më të ashpër. All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju” (Bekare, 85).[9]
Disa lëvizje nacionaliste, në fillim të këtij shekulli, në botën islame përkrahin idenë e ndarjes së fesë nga shteti të cilën e kanë huazuar nga mendimi politik evropian. Kjo është e arsyeshme për botën e krishterë, sepse krishterizmi i hershëm ka vepruar si rend monakësh, të cilët në çështjet e kësaj bote i janë nënshtruar në tërësi Romës. Ndërsa Islami prej fillimit përveç çështjeve shpirtërore është marrë direkt edhe me organizimin e jetës shoqërore, politike dhe ekono-mike. Prandaj ky dualizëm është i huaj për Islamin dhe s’mund të ketë perspektivë në shoqëritë musli-mane.[10]
Islami është fe dhe shtet, besim dhe ligj, adhurim dhe udhëheqje, mësim dhe shpatë, ibadet dhe xhihad, pa kurrfarë pjestimi dhe ndarje. Ky është Islami i cili nuk pranon assesi një ndarje të këtillë mes asaj që e quajmë fe dhe asaj që e quajmë shtet dhe se e tërë kjo, në aspektin islam është fe e ligj. Jeta është si një lumë, prej të cilit nuk mund të ndahet diç nga diçka tjetër.
Kështu, për shembull, politika është e lidhur me ekonominë dhe të dyja së bashku janë të lidhura me edukatën, arsimin, sistemin informativ, të menduarit, kulturën etj. Ndërsa, në anën tjetër, jeta shoqërore është e lidhur me ate ekonomike dhe të dyja së bashku janë të lidhura me jetën politike.
Jeta është e tillë ashtu siç e ka krijuar Zoti i Plotëfuqishëm dhe ashtu siç e jetojnë njerëzit. Mu për këtë shkak, ideologjitë e mëdha nuk pranojnë ndarjen e jetës. Kështu, për shembull, komunizmi dhe sistemet tjera, nuk pranojnë që të ndahet jeta, por dëshirojnë që jeta të trajtohet si tërësi, dhe se nuk mundet që arsimi të thërret në diçka, kurse kultura dhe mendimi të thërrasin në diç tjetër. Ata dëshirojnë që jetën ta përfshijnë si të plotë prej A-së e deri në ZH.[11]
Kështu është edhe me Islamin, sepse Zoti në Kur’anin Famëlartë thotë: “O ju që besuat, hyni në Islam tërësisht, e mos e ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armiku i juaj i hapët” (Bekare, 208).
Të mos jemi inferiorë ndaj Perëndimit
Kusht i mirëqenies dhe përparimit është që të ru-ajmë fenë dhe kombin dhe të lirohemi nga kompleksi i inferioritetit ndaj kulturës, civilizimit dhe botëkupti-meve perëndimore. Duhet t’i përkujtojmë vetes se Evropa nuk është çdo gjë dhe nuk shkëlqen vetëm ajo në botë. Historia e Evropës nuk është edhe historia e botës, civilizimi perëndimor nuk është civilizimi më ideal. Perëndimi ka civilizimin, thesarin, principet dhe vlerat e veta, edhe muslimanët kanë civilizimin, thesarin, principet dhe vlerat e veta të cilat burojnë nga botëkuptimet islame. Prandaj nuk jemi të obliguar që të shkojmë hap pas hapi pas Perëndimit dhe të hyjmë në birën e miut nëse ata hyjnë.[12]
Mënyra e jetesës së shfrenuar të Perëndimit e cila është joshëse për gjithë botën është si refleks i pjellës së një egoizmi dhe egocentrizmi kulturor, i cili nuk mund të ketë aftësi për t’i ndryshuar kahet pozitive në shpirtin e njeriut dhe në vete ngërthen potencimin e kaosit moral dhe etik të njeriut. [13] Si produkt i këtij botëkuptimi janë: ateizmi, devijimi moral, moda, klubet e natës etj. Këto assesi nuk duhet t’i marrim nga Perëndimi. Edhe mendimtarët e lirë objektivë nga Perëndimi kanë filluar t’i shpalojnë dhe kritikojnë të metat e këtij civilizimi dhe bëjnë thirrje që nëse nuk evitohen këto të meta mund të shkatërrohet i tërë qytetërimi perëndimor.[14] Nëse duhet të marrim diçka nga Perëndimi le të jenë gjërat pozitive siç janë: tradita e punës, dituria, saktësia, drejtësia etj.
Është evidente se në trojet mbarëshqiptare edhe pas rënies së komunizmit në fushën sociale, kulturore e politike, feja aspak s’është prezente duke menduar se kështu veprojnë si shtetet evropiane, ndërsa realiteti është se në Evropën e sotshme në këto fusha feja nuk është e ndarë nga shteti dhe jeta politike, por është e ndarë vetëm kisha si institucion.[15]
Ata me rendin e ri botëror na servojnë në mënyrë perfide pikërisht fenë e tyre. Këtë më së shumti e bëjnë me organizatatat e tyre humanitare joqeveritare, të cilat në fakt janë organizata të krishtera misionare që punojnë në koordinim me qeveritë e veta. Më se tetëdhjetë organizata të tilla veprojnë në Shqipëri[16] dhe askush s’i pengon. Nëse do të vehej re praktikimi i Islamit në Shqipëri nga popullata shtatëdhjetë përqindshe, menjëherë do të paditeshin për funda-mentalizëm.
T’i kushtohemi mësimit dhe studimit
Ardhmëria e muslimanëve nuk do të jetë e suksesshme pa iu kushtuar maksimalisht arsimit të mirëfilltë fetar dhe arsimit dhe hulumtimit të mirëfilltë në sferat e tjera të jetës.
Një numër tejet i madh i muslimanëve nuk ka botëkuptim të qartë për Islamin, ata e kuptojnë fenë në mënyrë të gabuar, nuk e dallojnë formalen dhe thelbësoren as parësoren dhe sekundaren. Ata i zotëron stihia, adetet dhe bestytnitë.[17] Deri te kjo gjendje e mjeruar na ka sjellë edhe mënyra se si është zhvilluar dhe zhvillohet mësim-besimi fetar nëpër mektebe. Aty qëllimi ka qenë që fëmijëve tu mësohet vetëm leximi formal i Kur’anit, ose mësimi përmendsh i pjesëve të tij si dhe mësimi përmendsh dhe në mënyrë mekanike i kushteve të fesë (sharteve). Duhet të ndryshohet mënyra e zhvillimit të mësim-besimit nëpër mektebe, krahas mësimit përmendsh nga Kur’ani, duhet edhe t’u shpjegohet përmbajtja e tij, të folet për çështjet e përditshme jetësore dhe të ndër-lidhet mësimi fetar me realitetin jetësor.
Muslimani kudo që të jetojë dhe me çfardo profesioni të merret është i obliguar që t’i ketë këto njohuri për Islamin: t’i mësojë bazat e besimit islam (akaidin), mënyrën si ta adhurojë All-llahun (ibadat) dhe etikën islame (ahlakun).[18]
Në studimin e shkencave natyrore dhe teknologjike t’i shfrytëzojmë të arriturat e popujve tjerë, sepse ato nuk ndryshojnë sipas dallimeve fetare, nacionale e kulturore, por krahas studimit këto shkenca duhet edhe t’i fisnikërojmë që të jenë në shërbim të mirëqenies së njeriut siç urdhëron Zoti, e jo të bëhet keqpërdorimi i tyre për shkatërrimin e njerëzimit dhe ambientit të tij, siç ndodh sot në botë.
Sa i përket studimit të shkencave humane e shoqërore mbështetje duhet të kërkojmë në Kur’an dhe Sunnet dhe t’i përshtatim sipas këtyre rregullave, sepse tematika e tyre ka të bëjë me njeriun si subjekt individual, shoqëror, kulturor, psikik dhe intelektual. Për shembull, muslimani rrënqethet kur do të mësojë rreth arteve perëndimore të cilat mbështeten në lakuriqësinë dhe të cilat konsiderojnë se vlera estetike është e lidhur me njeriun lakuriq, me femrën lakuriqe dhe me statujat lakuriqe që janë të shpërndara nëpër qendra të ndryshme. Rrënqethet nga e gjithë kjo sepse është musliman dhe pjesëtar i qytetërimit që njeh mbulesën.[19]
Këto shkenca duhet të jenë të bazuara mbi hulumtimin sistematik dhe objektiv të aspekteve shoqërore të jetës njerëzore[20] dhe nuk duhet të praktikohen metodat e vjetra të cilat janë praktikuar në kohën e dekadencës së muslimanëve dhe janë konsideruar të përkryera për të gjitha kohërat. Edhe tekstet burimore islame duhet të zbërthehen në pajtim me nevojat e momentit aktual, sepse secila gjeneratë ka nevojat dhe specifikat e veta.[21]
“Ai ishte një popull që shkoi, të cilit i takoi ajo që e fitoi, e juve u takon ajo që e fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që ata vepruan” (Bekare, 141).
Të kemi udhëheqës fetarë dhe
ta forcojmë vëllazërimin islam
Masat muslimane duhet që në pozitat udhëheqëse t’i avancojnë ata njerëz që përveç përgatitjes profesionale janë besimtarë të sinqertë, praktikues të Islamit, dhe që s’janë të korruptuar dhe që ruhen nga mëkatet dhe që nuk bëjnë jetë të shfrenuar. Këtë e mundëson edhe mënyra e pushtetit demokratik nëpërmjet votimeve të lira, që praktikohet në shumë shtete islame dhe në shtetet ku muslimanët janë pakicë. Është vërtetuar se edhe sistemet më ideale dhe ligjet më të drejta, nëse i realizojnë njerëzit që kanë zemra të zbrazëta dhe ndergjegje të prishur, do t’i shndërrojnë në mjete (instrumente) të keqbërjes, pas të cilave do të fshihen korrupcioni dhe dobësitë.[22]
Vëllazërinë dhe solidaritetin ndërislam duhet t’i forcojmë, sepse muslimanët kanë vuajtur shumë nga pasojat e përçarjeve të brendshme. Tash duhet të vetëdijësohemi dhe interesat parciale dhe ndarjet e medhhebeve e të ngjashme mos jenë mbi vëllazërimin islam, sepse ky është imperativ kur’anor, ndërsa Pejgamberi alejhisselam konkretisht ka marrë masa për ruajtjen e unitetit. Ruajtja e unitetit është ndër obligimet më të mëdha, ndërsa nxitja e përçarjes është ndër ndalesat më të rrepta në Islam.[23]
Për të qenë zëvendës të denjë të Zotit në Tokë dhe të marrim rolin udhëheqës në botë muslimanët i kanë edhe këto përparësi ndaj popujve tjerë: jetojnë në hapësirën më të rëndësishme gjeostrategjike në sipërfaqen e tokës; posedojnë pasuritë më të mëdha natyrore në botë dhe përbëjnë një të katërtën e popullsisë në botë e cila është edhe më vitale.[24]
“All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues. (Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë pushtet në tokë, e falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. All-llahut i takon përfundimi i çështjeve” (Haxhxh, 40-41).
[1] Nijaz Shukriq, Islamska Kultura i civilizacija, f. 109, Sarajevo.
[2] Hafiz Ali Kraja, A duhet feja, f. 53, Shkup 1997.
[3] Jusuf Kardavi, Rizgjimi islam, f. 87.
[4] Mihailo Gjuriq, Sociologija Maksa Vebera, f. 125, Zagreb 1987.
[5] Shekib Arsllan, Zašto su muslimani zaostali a drugi su napredovali, f. 36, Zagreb 1995.
[6] Alija Izetbegoviq, Islami sot dhe nesër, f. 14, Prizren 1990.
[7] Po aty.
[8] Shekib Arsllan, Zašto su muslimani zaostali a drugi su napredovali, f. 36, Zagreb 1995.
[9] Dr. Jusuf Kardavi, Islamsko pravo, f. 141, Sarajevo 1989.
[10] Muhamed Ikbal, Obnova religiozne misli u Islamu, f. 115, Sarajevo 1979.
[11] Dr. Jusuf Kardavi, Pse Islami, f. 24, Shkup 1998.
[12] Dr. Jusuf Kardavi, Islamsko pravo, f. 149, Sarajevo 1989.
[13] Mozaiku fetar dhe çështja kombëtare, dr. Musa Gashi, Aktualiteti islam në trevat shqiptare, f. 36, Shkup 1997.
[14] Dr. Jusuf Kardavi, Islamsko pravo, f. 151, Sarajevo 1989.
[15] Ali Bulaç, Islam i demokracija, f. 109, Sarajevo-Ljubljana 1995.
[16] Dr. Musa Gashi, Mënyra e kuptimit të vlerave shpirtërore-fetare te shqiptarët muslimanë, Zaman 15 dhjetor 1997, f. 9.
[17] Dr. Mustafa Abdulvahid, Besimi në All-llahun xh.sh., f. 31, Takvim, Prishtinë 1988.
[18] Mr. Nijaz Shukriq, Osnovi početnog islamskog obrazovanja, Zbornik radova ITF, br 3, Sarajevo 1990.
[19] Dr. Taha Xhabir Ulvani, Kriza e mendimit bashkëkohor, f. 52, Shkup 1997.
[20] Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt një teorie islame për marrëdhëniet ndërkombëtare, f. 100, Shkup 1998.
[21] Mozaiku fetar dhe çështja kombëtare: Shaqir Fetahu, Islami dhe koha në të cilën jetojmë, f. 12, Shkup 1997.
[22] Dr. Jusuf Kardavi, Islamsko pravo, f. 152, Sarajevo 1989.
[23] Taha Xhabir Ulvani, Etika neslaganja u Islamu, f. 136, Sarajevo 1996.
[24] Fudajl Ebu Nasër, Bashkimi islamik dhe rendi i ri botëror, Takvim f. 87, Prishtinë 1996.