Kjo panoramë e cila ka shoqëruar të gjitha qeveritë në cdo prag ndërrimi pushtetesh, duke mbushur përditë faqet e shtypit të shkruar dhe ekranet e televizioneve me emra politikanësh e qeveritarësh të lartë të akuzuar për korrupsion, nuk ndryshon aspak nga ajo e 84 viteve të shkuara, kur Kryeministri Fan Noli u detyrua të largohej nga froni kryeministror me gjithë kabinetin e tij, për t‘ia lënë vendin Ahmet Zogut, të cilin e kishin përzënë me forcën e armëve dhe kryengritjen e armatosur të qershorit 1924. I vetmi ndryshim "i vogël" qëndron në faktin se, ndërsa në ato vite publikoheshin të gjithë emrat e të akuzuarve për korrupsion dhe shumat e parave të përfituara padrejtësisht nga arka e shtetit, duke filluar nga Kryeministri e deri te nëpunësi më i thjeshtë, sot ajo gjë duket se ka mbetur vetëm te disa funksionarë të rangjeve të ulëta të pushtetit të shkuar. Lista e emrave të qeveritarëve dhe funksionarëve të lartë të qeverisë së Fan Nolit, të cilët akuzoheshin se kishin grabitur apo përfituar nga arka e shtetit shuma të mëdha me para, është publikuar nga "Gazeta e Korcës", e datës 16 janar të vitit 1925, të cilën po e japim të plotë, duke e përmbledhur në tabelën e mëposhtme.
Njoftimi u shpall nga zyra e shtypit e Kryeministrit Ahmet Zogu
Qeveritarët e akuzuar: nga Kryeministri Fan Noli, deri te shoferi i tij
Në njoftimin e bërë nga zyra e shtypit e Kryeministrit Ahmet Zogu, i cili është publikuar në "Gazeta e Korcës", e datës 16 janar 1925, jepet një listë prej 53 qeveritarësh dhe funksionarësh të lartë të administratës shtetërore, të akuzuar për shpërdorime dhe përfitime të paligjshme në shuma të mëdha parash nga arka e shtetit. Në krye të asaj liste qëndron vetë Kryeministri Fan Noli, i cili akuzohet se ka përfituar një shumë prej 300 frangash ari nga shpenzimet e makinës së tij si Kryeministër. Pas Fan Nolit, në atë listë figurojnë edhe disa nga anëtarët e kabinetit të tij, si ministri i Brendshëm, Xhemal Bushati; ministri i Jashtëm, Sulejman Delvina; ministri i Botores, Qazim Koculi e Stavro Vinjahu, që akuzohen se kanë përfituar shuma të mëdha nga buxheti i shtetit. Pas anëtarëve të
kabinetit të Nolit, lista vijon me të tjerë qeveritarë dhe funksionarë të rangjeve më të ulëta si: prefektët Qazim Mulleti, Riza Dani, Kolë Tromara e Fiqëri Rusi, nënprefektët Hysen Prishtina, drejtor i Kontabilitetit në Ministrinë e Financave, Angjelin Suma etj. Në atë listë emrash nuk mungojnë edhe disa nga ushtarakët e
lartë të asaj kohe, si nënkolonel Ismail Haki Tatzati, major Rexhep Brati e major Ibrahim Jakova, ku shuma për të cilën ata akuzohen arrin në 60000 franga ari.
Në listën e të akuzuarve për përfitime të paligjshme bëjnë pjesë edhe disa policë bashkie, apo shoferi i Kryeministrit Fan Noli. Pjesa më e madhe e qeveritarëve të akuzuar për grabitje të arkës së shtetit, duke filluar nga Kryeministri Fan Noli, u larguan nga Shqipëria në 24 dhjetorin e vitit 1925 dhe nga emigracioni politik ku ata qëndruan deri në prillin e vitit 1939 akuzonin qeverinë e Zogut po me të njëjtën monedhë.
Emëri Funksioni Shuma Franga Ar
1. Angjelin Suma, Drejtor Kontabiliteti në Ministrinë e Financave 580
2. Mustafa Kallamishi 326.10
3. Mehmet Bilali Kapiten i varkës 434.75
4. Ismail Haki Tatzati Nënkolonel
5. Rexhep Brati major
6. Ibrahim Jakova major 60.000
7. Aleks Pëllumbi toger 9.221
8. Xhemal Bushati Ministër i Punëve të Brendëshme 5.000
9. Llazar Fundo Kryetar i Komisjonit të Bashkimit 2.608.70
10. Fan Noli Kryeministër (shpenzime automobili) 300
11. Qazim Koculi Ministër i Punëve Botore 375
12. Sulejman Delvina Ministër i Punëve të Jashtëme 240
13. Stavro Vinjahu për Bahri Omarin 1.000
14. Sulo Bogdo e Ibrahim Dedja
15. Petro Pekmezi Nëpunës i M. Punëve Botore 171
16. Vangjel Papa Sekretar gjyqi ushtarak 400
17. (……………) Shoferi i Kryeministrit 152
18. Mustafa Banka Protokollist Ministria e Arsimit 380
19. Zyber Bakiu Sekretar Ministria e Drejtësisë 475
20. Bilal Rustemi Polic i Kryeministrit 266
21. Mihal Libohova Avokat, ndihmës antar i gjyqit politik 350
22. Shefqet Kulleci Protokollist Ministria e Brendëshme 342
23. Ali Sulejmani (shpenzime komunikimi) 300
24. Brahim Sula (për transportin e ushtrisë) 326.10
25. Kostandin Kote Nëpunës parlamenti 285
26. Serafin … Drejtor Parlamenti 380
Shuma e tërë Franga Ar 92.300.15
Arka e Financës së Tiranës
27. Beqir Rusi Nënprefekt 684
28. Mustafa … 304
29. Eftim Bolena polic 266
30. Bexhet Neimi polic 266
31. Masar Sopoti Sekretar gjyqit fillimit 266
Shuma fr. Ar 1.786
Arka e Drejtorisë së Financave të Durrësit
32. Riza Dani Prefekt 1326
33. Musa Maci Nënprefekt i Shijakut 937.60
34. Ali Festuzi Kryesekretar i Prefekturës 237.50
35. Luigj Zaja Protokollist Prefekture 413.25
36. Muharrem Geco Komisar i Policisë Durrës 1000
37. Kasem Durrësi Nëpunës Kadastre 351
38. Shaban Belegu Mësues në Shijak 342
39. Rexhep Dizdari Drejtor i Shkollës së Shijakut 190
40. Ali Tartari Sekretar gjyqit 190
Shuma fr. ar 5277
Financa e Shkodrës
41. Riza Dani (për Drejtorin e Financave të Shkodrës) 40.000
Financa e Dibrës
42. Qazim Mulleti 966
Financa e Elbasanit
43. Kol Tromara Prefekt 1.306.25
44. Hysen Prishtina Nënprefekt 812.23
45. Demir Kodhelli Drejtor i Shkollës Peqin 418
46. Ahmet Barburja Mësues Elbasan 551
47. Mahmut Cela Mësues Elbasan 445
Shuma fr. ar. 3.543.40
Financa e Gjinokastrës
48. Hil Mosi Prefekt 133. 35
49. Sezai Como Doktor për bursë 293.45
Shuma fr. ar. 1156.80
Financa e Përmetit
50. Koco Cipi 812.80
Financa e Kavajës
51. Qazim Mulleti Nënprefekt 410.95
Financa e Lushnjes 52. Naum Prifti Mësues 114
Shuma e përgjithshme: fr. ar. 140.376.20
(Zyra e Shtypit)
Historiografia dhe propaganda e regjimit komunist, akuza ndaj Mbretit
A i vodhi Zogu florinjtë e shqiptarëve?
Një ndër akuzat e shumta që propaganda zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës bënte në drejtim të ish-mbretit Zog, ishte dhe ajo ku thuhej se "satrapi Ahmet Zogolli, zhvlerësoi floririn dhe rriti në mënyrë artificiale vlerën e kartëmonedhave letër, me qëllim që të mblidhte më pas arin, të cilin e mori me vete kur u largua nga Shqipëria në 7 prillin e vitit 1939". Brezi i vjetër i shqiptarëve që e ka jetuar pothuaj të gjithë periudhën e viteve të regjimit komunist të para viteve ‘90-të, e mbajnë mend fare mirë këtë akuzë që i atribuohej Mbretit Zog, gjë e cila përsëritej jo rrallë në bisedat e tyre, kur binte fjala për periudhën e monarkisë dhe vetë Mbretin e shqiptarëve. Por edhe pse kjo akuzë ishte ngulitur e rrënjosur thellë në memorien historike të një brezi të tërë shqiptarësh, ajo nuk u shkrua kurrë zyrtarisht në tekstet e ndryshme shkollore, apo ato të Akademisë së Shkencave dhe institucionet e ndryshme arsimore dhe shkencore të Shqipërisë së asaj kohe. Pra, me një fjalë, akuza se "Mbreti Zog, zhvlerësoi floririn dhe rriti vlerën e kartëmonedhës letër, për të mbledhur më pas floririn e shqiptarëve", mbeti thjesht një akuzë propagandistike e atij regjimi për konsum publik. Po si qëndron e vërteta rreth kësaj akuze? A e mblodhi vërtet Mbreti Zog floririn e shqiptarëve në këmbim të kartëmonedhës letër, duke ia ngritur disa fish vlerën asaj në mënyrë artificiale? Përse kjo akuzë ndaj tij, ndryshe nga akuzat e tjera që i atribuoheshin atij si: satrap, gjakatar, kriminel, shiti Shën-Naumin, vrasës i kundërshtarëve të tij politikë etj., etj., nuk u shkrua kurrë në historiografinë zyrtare të regjimit komunist të Enver Hoxhës? Pse akuza e "zhvlerësimit të floririt", që i është bërë Mbretit Zog, ka zënë vend me kujtesën popullore të shqiptarëve për afro gjysmë shekulli me radhë, dhe asnjë nga specialistët e Financave, ekonomistë të njohur apo dhe studiues e historianë të asaj periudhe nuk e pohojnë si të vërtetë atë gjë? Si rezultat, ajo mbeti thjesht një akuzë propagandistike nga ato që regjimi komunist i para viteve ‘90 bënte për efekt të politikës së tij.
Nomenklatura e lartë e regjimit komunist shpërdoroi miliona nga arka e shtetit
Qeveria "Meksi" nxori para gjyqit ish-bllokmenët
Me shembjen e regjimit komunist në fillimin e viteve ‘90-të, opozita e asaj kohe, e kryesuar nga Partia Demokratike, ngriti me të madhe në Parlament problemin e abuzimeve dhe shpërdorimeve të mëdha financiare që kishin bërë me paratë e arkës së shtetit ish-funksionarët e lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, akuzë e cila rëndonte kryesisht ndaj familjeve të anëtarëve të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullore, Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera të larta të shtetit të para viteve ‘90-të. Për të kontrolluar, zbardhur dhe denoncuar të gjitha abuzimet e bëra nga familjet e nomenklaturës së lartë të regjimit komunist, me vendim të Parlamentit të asaj kohe u ngrit një komision hetimor parlamentar, i cili kishte si detyrë kryesore për të zbardhur dhe hedhur dritë mbi akuzat e denoncimet e bëra nga opozita. Në përfundim të hetimeve, me të cilat u mor edhe organi i prokurorisë, u konstatuan shkelje të rënda, abuzime, përvetësime dhe shpërdorime të mëdha parash nga arka e shtetit, të cilat familjet e ish-nomenklaturës së lartë i kishin kryer gjatë kohës së qeverisjes së tyre, madje deri në muajt e fundit të lëshimit të pushtetit. Ajo gjë u bë e ditur edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili u lexua në Parlament nga kreu i saj, Blerim Cela. Ato shpërdorime, përfitime, abuzime, vjedhje etj., ku pjesa më e madhe rëndonte mbi Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, konstatonin kryesisht në: abuzimet me fondet për pritjet e delegacioneve dhe miqve të huaj, udhëtimet dhe vizitat mjekësore jashtë shtetit, fondet për dhurata, ndërtime dhe shtesa vilash në rezidencat qeveritare verore dhe dimërore ku ata kishin banuar, blerje të ndryshme etj., etj. Pas konstatimeve të kryera, organi i akuzës lëshoi urdhër-arrestet dhe cështjen ia kaloi gjykatës për gjykim. Si rezultat, në atë kohë përfunduan prapa hekurave të qelive një pjesë e madhe e krerëve kryesorë të ish-nomenklaturës së lartë të regjimit komunist, duke filluar nga ish-presidenti Ramiz Alia, ish-kryeministri Adil Carcani, Nexhmije Hoxha, Hekuran Isai, Simon Stefani, Foto Cami, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Rita Marko, Pali Miska, Manysh Myftiu etj. Gjyqi ndaj tyre zgjati disa muaj me radhë dhe në përfundim ata u shpallën fajtorë, duke u dënuar me disa vjet heqje lirie, si dhe iu kërkua të kthenin në arkën e shtetit shumat e parave të shpërdoruara. Ish-funksionarët e lartë, të dënuar për abuzime me arkën e shtetit, qëndruan në burg deri në marsin e vitit 1997, dhe si rezultat i trazirave të ndodhura në atë kohë, mundën që të fitonin lirinë. Pas ardhjes së të majtës në pushtet, në vitin 1997, ata u shpallën të pafajshëm dhe jo vetëm që nuk u kthyen më në qelitë e burgut si një pjesë e madhe e "kolegëve" të tyre, por përfituan edhe dëmshpërblime për ato pak vite që qëndruan prapa hekurave të qelive.
Opozita e asaj kohe e akuzoi për abuzime me firmën "Levante-Co"
Ish-kryeministri Fatos Nano bëri disa vite burg për vjedhje
Fan Noli, apo dhe Ahmet Zogu, nuk janë të vetmit ish-kryeministra të Shqipërisë që janë akuzuar nga pasardhësit e tyre për abuzime dhe vjedhje të arkës së shtetit. Pas viteve ‘90-të kjo gjë ka ndodhur edhe me disa pasardhës të tyre, si Vilson Ahmeti apo Fatos Nano, të cilët përfunduan edhe prapa hekurave të qelive. Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, grupi i saj parlamentar ngriti me të madhe problemin e abuzimeve që kishin bërë disa ish-ministra të qeverisë teknike të kryesuar nga Kryeministri Vilson Ahmeti, të cilët përfaqësonin Partinë Socialiste. Pas kësaj ata u nxorën para gjyqit dhe u dënuan me burgime për shpërdorimet për të cilat akuzoheshin. Po kështu, në atë kohë Partia Demokratike dhe qeveria e saj hodhi akuza dhe denoncoi edhe ish-kryeministrin Fatos Nano, duke e bërë atë fajtor për shpërdorime në miliona dollarë, të cilat kishin të bënin me ndihmat që kishte përfituar qeveria shqiptare nga donatorët e huaj në kuadrin e mallrave të shportës. Si rezultat i këtyre akuzave, ish-kryeministri Nano u arrestua më 30 korrik të vitit 1933, pas një flete-arresti të prerë nga prokurori i Tiranës, Arben Qeleshi. Pas disa muaj hetuesie, Fatos Nano doli para gjyqit, i cili e dënoi me 12 vjet burgim dhe kthimin e një sasie të madhe parash në arkën e shtetit. Nano e vuajti dënimin në burg deri në trazirat e marsit 1997, dhe në atë kohë, si shumë të tjerë dhe ai u largua nga vendi i dënimit. Me ardhjen e të majtëve në pushtet, në vitin 1997, ai jo vetëm që nuk u kthye më në burg, por ashtu si pjesa më e madhe e ish-zyrtarëve të lartë të dënuar për shpërdorime dhe vjedhjeve të parave të shtetit, mori pafajësinë, duke përfituar edhe 70 milionë lekët (të vjetra) si dëmshpërblim për vitet e burgut të bëra me të padrejtë.
http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=27408
23/09/2007