MOSHATARËVE TË MI

Afrim ef. TAHIRI





MOSHATARËVE TË MI

(Këto materiale autori i ka të shkruara gjatë vitit 1992-94,

pra në moshën e tij 22-24 vjeçare)

H Y R J E

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!



Hamdi i qoftë Allahut, Zotit të botërave, Krijuesit, Ligjëdhënësit, i cili thotë:

“Kjo është rruga ime e drejtë, shkoni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (El En’am: 153)

Salavatet qofshin mbi vulën e të dërguarve, Muhamedin a.s. për të cilin Allahu xh.sh. thotë:

“Vërtet ti je me moral të lartë. ” ( El Kalem:4)

Shpeshherë nga moshatarët e mi dëgjoj fjalët: “Jam i lirë si zogu”. Gëzohem me të madhe. Janë të lirë! Ndalem. Mendoj. Pyes veten: ku është liria e tyre? Dal për ta kërkuar. Eci, eci, por jo, nuk e shoh. S’e gjej dot. Pikëllohem pa masë. Të “lirëve” mund t’u ndodhë çmos. Ajrit të helmuar, mjegullave të zjarrit, lirshëm fluturojnë e të ndalur nuk kanë. E zogu ! Vallë fluturon gjithkah !?

Si t’i kuptoj fjalët “Jam i lirë si zogu”?

Për ç’liri bëhet fjalë?

Rrugët janë të hapura, të ndriçuara me errësirë, mahnitëse besa po, ofrojnë lirinë për t’iu nënshtruar hamendjeve, epsheve, për t’iu dorëzuar djallit, armikut të përbetuar.

Rinia është stoli. Petk i dëshiruar dhe i kërkuar nga të gjithë. Nëse nuk mbahet dot, shkyhet, coptohet, digjet, shkrihet. Nga rrugët e ndriçuara me zjarr, djalli e armiku, mos prit për mëshirë.

Sejid Kutb, njeriun e quan grimcë. Mirpo, kjo grimcë e çuditshme me sy të mëdhenj e me tru të vogël, vazhdimisht parapëlqen të mbingarkohet. Në mënyrë të pavarur mundohet të shpikë rrugët e tij. Mësimet e të Përsosurit, Krijuesit të Gjithësisë, nuk dëgjon. Sheh e vepron gabimisht. Po, të mbingarkuarit mund t’i ndodh çmos. Mund që në emër të së vërtetës të luftojë të vërtetën, në emër të lirisë të vetërobërohet. E ai, siç thotë Tolstoi, është i lirë vetëm atëherë kur është në shërbim të së vërtetës.

Moshatarë të mi, i nxitur nga dukuri të shumta të cilat gjithnjë e më tepër po gjejnë hapësirë në mesin tonë, me ndihmën e Ndihmësit përgatita këtë doracak me shpresë që sado pak të ndihmohet në luftën kundër tyre, luftë kjo e obligueshme për të gjithë ata që pretendojnë të jenë të lirë.

Zoti na ndihmoftë !

Shkup, 1994




Kapitulli i parë

RRUGA E ERRËT


ALKOOLIZMI

Moshatarë të mi, koha në të cilën jetojmë gjithnjë e më tepër kërkon përgatitje, angazhim, përqëndrueshmëri e koncentrim më të lartë. Por fatkeqësisht, një pjesë e të rinjve po kanë guxim edhe për ta humbur vetëdijën, për t’u trullosur, për të shkatërruar shëndetin psikofizik e për t’i ngatërruar edhe të tjerët…, problem ky i imponuar ta njohim sa më mirë.



Ç’është alkoolizmi?



OShB-ja (Organizata Shëndetësore Botërore) në Kopenhagë më 1951 dha këtë definicion:

“Alkoolistë janë individët që konsumojnë rregullisht jashtë mase pije alkoolike, duke u bërë kështu shkallë - shkallë të varur nga alkooli, duke shfaqur çrregullime eksplicite shoqërore ose manifestime ç’rregulluese ndaj shëndetit të tyre fizik, psikik dhe në marrëdhëniet e tyre me individët tjerë si dhe në sjelljen e tyre të mirë socialo - ekonomike. Alkoolistë duhet konsideruar edhe ata të cilët shfaqin simptome fillestare të çrregullimeve të sipërme.” 1

Sipas definicionit alkoolistë janë ata që kanë rënë në varësi, kurse nën termin alkoolizëm nënkuptohet sëmundja e varësisë nga alkooli. Andaj nëse thuhet se të gjithë konsumatorët janë alkoolistë, se kanë rënë në varësi, është pohim i gabuar. Një konstatim të këtillë dr. Rizo Kapetanoviq e quan gabim edhe profesional edhe njerëzor.2

Mirëpo, faktet thonë se me këso definicionesh nuk po arrihen rezultate. Madje, definicionet rrallëkush ka rastin t’i dëgjojë, kurse në anën tjetër, gjithnjë e më tepër shtohen reklamat mbi alkoolin.3 Sëkëndejmi, nuk është aspak e arsyeshme që të pritet rezultate.



Pse fillohet me alkool?

Të dihet përgjigjja e kësaj pyetje është me rëndësi të madhe. Të dhënat mbi këtë janë të llojllojshme, si zakonisht thuhet:

-për të larguar mërzinë - brengën,

-për argëtim sa më të mirë,

-kur janë në disponim etj.

Diç të këtillë me të madhe mund të gjejmë edhe në vargje të poetëve të shumtë, ndër to:

“Pija i etshëm verëzën e ëmbël

Për ta zhdukur brengën e trishtimit.” (Gëte)

“Argëtohu, argëtohu: Mbushe gotën gjerë në buzë;

Shkrihu digju përvëlohu.

Përreth kupës porsi shpuzë!” (Pushkini)

Nga kjo që u tha qartë shihet se me alkool nuk fillohet nga shkaku fiziologjik, e kjo s’don të thotë se është kërkesë psikologjike. Kërkesën e këtillë e shohin ata të cilët nuk ia arrijnë të përmbahen në situata të ndryshme, pra qofshin ato të pavolitshme ose të volitshme. D.m.th. kërkesë psikologjike paraqet për ata që nuk arrijnë të çlirohen në mënyrë të duhur dhe kështu zgjedhin rrugën me të cilën nuk ia arrijnë qëllimit, pra rrugën e cila çon në varësi psikike e më pas edhe në atë fizike.

Në pyetjen tonë ndodh që konsumatorët të përgjigjen edhe me fjalët: e kemi traditë, etj. Andaj në vende ku alkooli konsumohet me të madhe, nëse dikush thotë se nuk konsumon, mund t’i bëhet pyetja: “as birrën”!?

Pavarësisht se për ç’shkaqe fillohet me alkool, ato assesi nuk mund të merren si arsyetime, themi kështu, ngaqë për të gjitha shkaqet e përmendura e që mund të përmenden, ekzistojnë norma - mënyra se si duhet t’u përgjigjemi.



Pasojat e alkoolit

“Kur pija është futur në kokën e njeriut, mendja është futur në shishe.” (Thënie arabe)

Nuk është e vërtetë se alkooli shkakton pasoja vetëm tek individët që e teprojnë, ai shkakton pasoja edhe në ata që pijnë më pak e më rrallë. Siç nuk është e vërtetë se pasojat e alkoolit fillojnë pas konsumimit, pasojat e çdo të lige fillojnë që nga momenti kur individi mendon të shërbehet me të, prej kur individi fillon dhe vendos të humbë kohë me të, të dëmton veten, familjen e t’i sjellë telashe edhe shoqërisë. E sa i përket mbarimit të dëmeve, din vetëm i Gjithëdijshmi, pra bëhet fjalë për pasoja të shumta, të llojllojshme e të rrezikshme.

Pasojat e alkoolit kryesisht ndahen në: shëndetësore dhe sociale.

Në shëndetin e njeriut kryesisht dëmtojnë:

1. Organet e trupit (mëlqinë, lukthin, enët e gjakut..)

2. Sistemin nervor dhe

3. Shëndetin psikik të njeriut.4

Ç’është e vërteta, nuk mbetet gjë pa u dëmtuar, në lidhje me këtë dr. Rizo Kapetanoviq thotë: “Mendoj se nuk ekziston asnjë organ i organizmit që alkooli nuk e dëmton.”5

Meqë alkooli dëmton shëndetin, d.m.th. organizmi i njeriut nuk është i përgatitur të ushqehet me të, nuk e kërkon dhe nuk ka nevojë, pra konsumatori në fillim dhunon organizmin e vet, futet në lojën që për një kohë të shkurtër e bën të jet i dhunuar nga alkooli - bie në varësi. Kurse, në anën tjetër, ai shkakton pasoja në personalitetin e individit, në moral, intelegjencë dhe gjithashtu konsumatorin e pajis me cilësi të shumta negative.

Pavarësisht nga kjo, kush me vullnet e kush pa të, kësaj rruge të rrezikshe e cila vazhdimisht rëndë ndëshkon, është duke u ecur me të madhe; rrugë kjo të cilën nëse nuk mund ta mbyllim, duhet bërë çmos që së paku ta ngushtojmë.


Alkooli dhe familja



Fillimisht më duhet të them se assesi nuk duhet menduar se alkooli paraqet problem vetëm për familjet që në radhët e tyre kanë alkoolistë, problem kanë edhe familjet që në radhët e tyre kanë ndonjë konsumator që nuk ka rënë në varësi, por kuptohet në masë më të vogël. Nisur nga kjo u përcaktova për këtë nëntitull e nuk iu binda nëntitullit : Alkoolisti dhe familja.

Në lidhje me këtë nuk do ta zgjasim shumë, por, duke marrë parasysh pasojat e alkoolit (disa nga to i përmendëm), po i parashtrojmë disa pyetje për të cilat s’do të ket nevojë të përgjigjemi:

- Sa mund të mendohet se janë të kënaqur prindërit e një të riu që bie në varësi nga alkooli?

- Sa është e mundur që një alkoolist i martuar, t’i kryej të gjitha obligimet e tij ndaj bashkëshortes, fëmijëve..?

- Ç’ndikim ka alkooli në pasardhësit e alkoolistit?

- Ç’shembull paraqet alkoolisti për fëmijët e tij?

Të gjitha këto pyetje paraqesin probleme në vete dhe meritojnë enkas të studjohen, por këtu ne do të mjaftojmë vetëm së përmenduri disa gjëra të cilat nuk guxojmë t’i lëmë në harresë.

Alkooli me ndikimin e tij negativ në jetën seksuale, duke shtuar vetëm dëshirën e duke zvogëluar potencialin,6 bën që alkoolistët të bëhen xhelozë, karakteristikë kjo e cila shkakton probleme të shumta, si: fyerje, rrahje, shkurorëzime etj.

dr. Riçard Frolih thotë se alkooli jo vetëm që dëmton konsumatorin, por ai bart ndikimin e vet shkatërrues poashtu edhe te pasardhësit.7 Kurse dr. Ivan Hercog thotë: “Për shkak të degjenerimit shpirtëror, alkoolisti shkatërron familjen e tij, bëhet punëtor i keq, pra në çdo aspekt person antisocial.”8

Alkooli pra ka ndikimin e tij shkatërrues në tërë atë pa të cilat nuk mund të ket familje të shëndoshë, stabile. Nëse rastet e këtilla na janë të shumta, atëherë duhet ditur se jemi anëtarë të një shoqërie që shkon drejt rrënimit.

Sëkëndejmi, askush nuk ka të drejtë të hidhërohet me ata që e luftojnë këtë të ligë, me ata që dëshirojnë të jenë pjesë e një shoqërie të shëndoshë.



Humbja e efikasitetit në punë



Është afër mendjes që një individ i cili ballafaqohet me probleme të shumta psikofizike, humb efikasitetin në punë. Të kthjelltët me të trullosurit nuk mund të krahasohen.

dr.Ipoly Hasz thotë se alkooli zvoglon aftësinë në punë, kualitetin e punës, çon deri në mungesë të shpeshtë nga puna, lëndime dhe invaliditet të hershëm.9 Pra alkooli jo vetëm që ndikon në humbjen e efikasitetit në punë, por krahas kësaj, konsumatorit i ofron rreziqe të shumta.

Shumëkush mendon se me marrjen e një sasie të vogël alkool mund të ndikon pozitivisht në trupin e njeriut, përkundrazi dr. Franjo Aç thotë se për shkak të ndikimit të tij në sistemin nervor, shpejtësia e punës bie, sasia e punës zvogëlohet e kualiteti i punës keqësohet. Punohet më pak dhe më keq.10 Një gjë të këtillë e argumenton edhe medicina e sportit në bazë të provave të bëra me sportistët që rezultuan se nëse merret vetëm pak alkool, sportisti në fillim mund të jet më efikas, kurse vetëm pas pak humb efikasitetin.11

Ajo që neve na intereson këtu është: Ç’pasoja mund ta godasin një nxënës - student që merret me këtë të ligë? Mos vallë mund të mendohet se edhe pasi të rrezikoj shëndetin e tij psikofizik, pasi që ta humbë kohën në trullosje etj. të jet i barabartë me të tjerët?

Përgjigjja është e qartë, të mos hutohemi, ky është roli i alkoolit.




Kur’ani për alkoolin



“Dhe nga frutat e hurmës dhe rrushit merrni pije dhe ushqim të mirë. Vërtetë në këtë ka argumente për popullin që mendojnë.”(En Nahl:67)

Kur’ani famëlartë mëson se ç’është e mirë e ç’është e keqe, ç’është e dobishme e ç’është e dëmshme, ç’është sevap e ç’është mëkat. E ndër të ligat që bëjnë pjesë ndër mëkatet më të mëdha është edhe konsumimi i alkoolit. Muhamedi a.s. në një rast tha:

“Alkooli është nëna e të ligave.”

E ligë kjo e cila në fillim konsumohej me të madhe në mesin e besimtarëve, e ligë që Ligjëdhënësi e ndaloi në mënyrë graduale.

Në Kur’an thuhet:

“Të pyesin për verën dhe bixhozin. Thuaj: në të dyja ka mëkate të madha, e ka dhe ca dobi për njerëz, po mëkati i tyre është më i madh se dobia e tyre…” (El Bekare:219)

Edhe ata që nuk njohin Zotin e kanë të qartë se alkooli sjell telashe të shumta, e çfar për besimtarët nga të cilët Allahu xh.sh. kërkon punë, çfar pra për ata që dëshirojnë t’i kryejnë obligimet, të këtillët më së lehti mund të kuptojnë se të konsumuarit alkool u paraqet pengesë. Nisur nga këtu, siç përmend Elvahidiu, Omer Ibn Hatabi, Muadh Ibn Xhebeli e disa besimtarë të tjerë, nga i Dërguari i Allahut xh.sh. kërkonin, rrugëdalje.12

Me fjalët në ajet:

“…ka dhe ca dobi për njerëzit…” të cilat vijnë pas fjalëve: “ …në të dyja ka mëkat të madh…” nuk mund të mendohet se nga alkooli mund të ketë ndonjë dobi tjetër pos asaj materiales, pra nga tregtia me të, kurse nga bixhozi, ndonjë fitim eventual. 13

Pas shpalljes së këtij ajeti disa besimtarë thanë se do ta pinë për dobinë e saj, por disa prej tyre thanë se nuk ka dobi në atë që ka mëkat. 14

Ky ajet ishte fillimi i procesit të ndalimit, kurse ajeti nga surja En Nisa shkon më larg, u ndalon besimtarëve kur janë të dehur t’i afrohen namazit, këtu pra, kemi një ndalim. Ligjdhënësi thotë:

“O ju që besuat, mos iu afroni namazit kur jeni të dehur derisa ta dini se çka thoni…” (En Nisa:43)

Në lidhje me këtë, Sejid Kutb thotë: “Namazi është në pesë kohë, shumica janë të afërt, në mes tyre nuk mjafton të ketë kohë për dehje e për ta kthyer vetëdijën.”15

Andaj për ta kuptuar më mirë urtësinë e këtij ajeti, të kthehemi pak në pasojat e alkoolit, pamë se shkaktohet varësia, e në këtë rast ky ajet drejtpërsëdrejti pengon në orarin e organizmit të alkoolistit. P.sh. nëse organizmi i një individi të varur kërkon alkool para dreke apo pas dreke, para mbrëmjes ose në mbrëmje.. ai s’do të ketë kohë t’i përgjigjet organizmit të tij, pra shkaku se kohët e namazeve janë të afërta, kështu që me thyerjen e këtij orari individi edukon organizmin e tij. Në anën tjetër, namazi drejtpërsëdrejti ndikon që alkoolisti të çlirohet edhe nga varësia psikike.

Transmetohet se edhe pas këtij ajeti disa besimtarë thonin se do të pijmë e do të rrimë në shtëpitë tona, kurse ca të tjerë thonin se nuk ka dobi në diçka që ndryshon mes nesh dhe mes namazit me muslimanët.16

Nisur nga kjo, ajeti në fjalë len të kupton se ishte për t’i përgatitur besimtarët dhe për t’i sinjalizuar ata në ndalimin definitiv të alkoolit.

Ajeti me të cilin definitivisht ndalohet alkooli është:

“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, pos se ndërmjet verës dhe bixhozit të fusë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund.” (El Maide:90,91)

Pas shpalljes së këtij ajeti besimtarët iu larguan këtij vesi të djallit përmes së cilit ai dëshironte të shkatërrojë harmoninë mes tyre. Kështu, ata derdhën depotë e tyre të mbushura me këtë lloj helmi e nuk pat nevojë të formohen shoqata, lidhje e klube kundër alkoolit. Mirëpo, ky ajet i thirrri dhe thërret besimtarët, e besimtari i përgjigjet thirrjes së Zotit, jo nga frika e dëmtimit të shëndetit, por siç u tha edhe më lart, ngaqë nuk dëshirojnë të largohen nga adhurimi ndaj Zotit, nuk dëshirojnë të ndahen mes vete, ngase është haram. Kështu ata i dhanë fund si në pije, ashtu edhe në përgatitje e tregti.

dr. Rizo Kapetanoviq thotë se: “Prohibicion total ende askush nuk pati rezultat të sjellë. Gjatë historisë, tentime të këtilla janë të njohura prej sulltanëve të turqëve e deri te prijësit ushtarak të romakëve, kurse në kohën më të re edhe Amerika tentoi, por pa rezultat.”17

Pohimi në fjalë është i gabuar, ajo që ndodhi në kohën e Muhamedit a.s. gjithkund është e njohur dhe paraqet shembull i madhërishëm. Kur dr. Rizo Kapetanoviqi ka pasur njohuri për orvatjet e përmendura, me siguri se ka pasur edhe për atë se ç’ndodhi në kohën e Muhamedit a.s. por nuk përmendi asgjë, e ndoshta po të dështohej, do të kishte thënë diçka.

Nga kjo që u tha mund të konkludohet se besimtarët e vërtetë nuk konsumojnë alkoolin, dobia e pakt e përmendur në ajet nuk u takon, me fitimin nga alkooli nuk ushqehen dhe se të këtillët janë ata të cilët vazhdimisht duhet të angazhohen në luftë kundër tij.




Ç’nënkuptohet me fjalën “hamer ”?



Në ajetet e sureve El Bekare dhe El Maide në lidhje me temën gjejmë vetëm fjalën el hamr - verë, bëhet pyetja; Ç’far me pijet e tjera alkoolike?

Përgjigjen e kësaj e kemi në ajetin e sures En Nisa: “…mos iu afroni namazit kur jeni të dehur…”, por dhe në ajetin: “Dhe nga frutat e hurmës dhe rrushit merrni pije dhe ushqim të mirë. Vërtetë në këtë ka argumente për popullin që mendojnë.”(En Nahl:67) Në ajetin e parë nuk përmendet vera por dehja, kurse në të dytin, sipas shumicës së dijetarëve, me fjalën “pije-sukeren” qëllimi është në verën, kurse me fjalët “dhe ushqim të mirë” qëllimi është në të gjitha pijet e ushqimet e lejuara - hallall nga rrushi e hurma, ky është edhe mendimi i Ibni Abasit.18 Ndonëse këtë mendim (në lidhje me ajetin e dytë) nuk e përkrahin disa dijetarë, vlen të theksohet se megjithkëtë shohin se përmes ajetit në fjalë u sinjalizohet të zotëve të mendjes që të nxjerrin mësime. Andaj del se edhe pse në ajetet në fjalë përmendet vetëm vera, përfshihen edhe llojet e tjera dehëse.

Transmetohet nga Ajsha r.a. se i dërguari i Zotit xh.sh. ka thënë: “Çdo gjë dehëse është e ndaluar.”

Kurse nga Umu Seleme transmetohen se ka thënë: “ I dërguari i Zotit ndaloi çdo gjë dehëse dhe gjumëndjellëse (trullosëse).”

Pra, islami nuk bën dallim mes pijeve alkoolike, çdo lloj pije që ka ekzistuar, ekziston e që në të ardhmen mund të paraqitet, është i ndaluar, siç nuk bën dallim edhe për nga sasia. Muhamedi a.s. thotë: “Ç’të dehë në shumicë, është e ndaluar edhe në pakicë.”

Andaj, duhet ditur se si ai që pi shumë, e si ai që pi pak, kanë një gjë të përbashkët, shkelin normën islame.




Edhe bibla nuk lejon alkoolin



“Vera të bën mburravec, ndërsa birra poteremadh, kush dehet është i paarsyeshëm.” (Dhjata e Vjetër, Fjalë të urta, 20:1)

“Mos u mashtro nga vera.” (Dhjata e Vjetër, Fjalë të urta, 23:31)

Janë të shumtë ata që mendojnë se qëndrimi i Biblës në lidhje me alkoolin është krejt ndryshe nga ai i Kur’anit. Opinioni i këtillë lirisht mund të thuhet se është rezultat i tolerimit të atyre që thirren në Biblën. ?shtë për tu habitur se si tolerohet që gjatë reklamimit të ndonjë pije alkoolike, reklama në prapavijë të ketë ndonjë kishë, gabim ky tepër i madh, them kështu meqë është në kundërshti të plotë me atë që thuhet në Bibël.

Sipas asaj që në lidhje me këtë kam arritur të mësoj nga të krishterët, mbështeten në atë se Isai a.s. në dasmën që u bë në Kanë të Galilesë, të pranishmit i qerasi me verë. Para se të themi diç në lidhje me këtë, të shohim se ç’thuhet në Dhjatën e Re:

“Të tretën ditë po bëhej dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë qe thirrur edhe Jezusi dhe nxënësit e tij. Kur u mbarua vera, e ëma i tha Jezusit: Nuk kanë verë! Jezusi iu përgjigj: Ç’na duhet mua e ty, moj fisnike? Ende nuk ka ardhur koha ime! Nëna e tij u tha shërbyesve: Bëni gjithçka që do t’ju thotë! Ishin aty gjashtë enë guri, të vëna për ritin e pastrimit të hebrenjve, që zinte secila dy-tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: Mbushni enët me ujë! Ata i mbushën plot. Atëherë u tha: Merrni tani e çojani kryetarit të tryezës. Ata ia çuan. Kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë - ai nuk dinte nga vinte, shërbyesit që e kishin mbushur ujin e dinin - kujdestari i tryezës e thirri dhëndrrin dhe i tha: Gjithkush vë së pari në tryezë verën e mirë, e kur të dehen, atëherë nxjerr verën e keqe. Ti paske ruajtur verën e mirë deri tani! Kjo qe mrrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë, e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.” (Ivan, 2:1-11)

Bëhet pyetja: Ç’verë u dha Jezusi të pranishmëve?

Janko Poljak thotë se fjala “ verë ” është e përkthyer nga fjala greke oinos që mund të ketë kuptim edhe verën alkoolike por edhe atë joalkoolike.19 Gjithashtu ai radhit dhjetë shkaqe me të cilat qartë argumenton se vera e ofruar të pranishmëve nga Jezusi ishte verë joalkoolike. Pos tjerash thotë: “Meqë para se të përfundojë ceremonia e dasmës mungoi vera, d.m.th. se mysafirët kanë pirë më tepër se sa ka pritur nikoqiri. Në bazë të kësaj, ekzistojnë përkthime të qarta “kur mysafirët pinë mjaftueshëm”. Për këtë, teksti “kur të dehen”, i nxjerrun nga tërësia mund të kuptohet gabimisht, sikur të flet për njerëzit që veç më janë mjaft të dehur apo të alkoolizuar.”20

Pastaj shpjegon se si nuk është e arsyeshme që të dehurve t’u jepet pije edhe më e fortë alkoolike dhe gjithashtu t’u tregohet ndonjë mrrekulli e kështu me radhë gjer tek e fundit ku thotë:”Pijet alkoolike në Bibël gjithnjë krahasohen me mallkimin, e kjo atëherë d.m.th. se Jezusi dhëndrrin, mysafirët dhe nikoqirin në Kanë të Galilesë, i nderoi (qerasi) me gotën e mallkimit në vend të gotës së bekimit. Me këtë askush nuk mund të pajtohet.”21

Elen Vhaite në lidhje me këtë thotë: “ Vera që Krishti dha në dasmë si simbol i gjakut të vet, ishte lëng i pastër joalkoolik. Në kësi vere ka menduar profeti Izaja kur ka thënë për rrushin: Mos e prish se bekimi është në të!”22

Ç’është e vërteta, ata që e njohin Biblën këtë e kanë të qartë, por ua ka ënda, kurse ata që nuk e dinë, nëse kanë dëshirë, shpejt mund ta mësojnë. Apo të themi siç thotë një ndër personalitetet më të shquara të botës krishtere dr. Johan Skot: “S’gjejmë ngase s’kërkojmë, s’kërkojmë se s’duam të gjejmë, e dimë se mënyra më e sigurt për të mos gjetur është që të mos fillojmë të kërkojmë.”23




Konsumatori i alkoolit duhet dënuar



Moshatarë të dashur, pas gjithë asaj që u tha mësuam se alkooli është armik i njeriut. Njeriu me logjikën e tij duhet të jetë i zoti të kuptojë se ç’është në të mirën e tij. Pos kësaj, Allahu xh.sh. përmes shpalljes atë e mësoi, i tërhoqi vërejtjen. E nëse tregohet mospërfillës, në të vërtetë, nëse ai dënon veten, pra, në këtë rast pikësëpari duke i shkaktuar dëme mendjes (pra përkundër asaj që njeriu duhet ta falënderojë Allahun xh.sh. për këtë dhunti) e kështu me radhë, me siguri se një njeriu të këtillë i takon dënimi.

Sipas dispozitave islame konsumuesi i alkoolit dënohet me 40 të rëna me kamxhik, dënim ky i cili dyfishohet duke mbështetur në atë se të dehurit çon në shpifje të ndryshme dhe kështu mund të ndodh të shpifet nderi i gruas, e sipas dispozitave islame, shpifësi dënohet me 80 të rëna me kamxhik.24

Nëse dënimi në fjalë është harruar, duhet theksuar se nga besimtarët është humbur frika ndaj Zotit, është humbur frika ndaj dënimit të rrept në botën e amshuar. Kurse ata që arrijnë t’i largohen kësaj të lige dhe që kërkojnë falje nga Falësi, duhet ditur se i janë drejtuart Mëshirëplotit i cili falë ata që sinqerisht pendohen.




NARKOMANIA


Droga në vendin tonë paraqet arma më moderne e djallit të mallkuar.



Nuk është besuar se në mjediset tona do të paraqitet nevoja të flitet për drogën dhe se ajo do të arrijë të na preokupojë, të na sjell bela të shumta, si: sëmundje, vjedhje, sulme, ngatërresa, vdekje e çka jo.

Përderisa, lirshëm bëhet ecja gjurmëve të djallit, s'kemi se ç'të befasohemi. Mjerisht, kjo edhe nëse nga nxënësit e shkollave fillore mund të dëgjohet se si në shenjë lavdi njëri - tjetrit i thonë: "a jam narkoman a s'jam'' . . ., por sguxojmë të mos dijmë faktin se në edukimin e tyre shumë pak veprohet. Gjeneratat e reja duhet të edukohen para se të "edukohen'' nga djalli, s'duhet lënë të bëhen tamam siç thotë Llengston Hjuz në poezinë. "Robi i ri'':

" Më lehtë gjenë drogë

se që gjen punë ''



Ç'është narkomania?

OShB-ja më 1964 dha këtë definicion:

"Narkomania është gjendje e varësisë periodike ose kronike, e dëmshme për individin ose shoqërinë, e paraqitur me përsëritjen e marrjes së drogës, qoftë natyrore ose sintetike.''25

Poashtu i dhanë edhe karakteristikat e saja:

1.Në mënyrë të pamasë ose të detyruar të merret drogë në çfarëdo mënyre qoftë.

2.Intencë që të rritet doza.

3.Varësi psikike dhe fizike dhe

4.Ndikim shkatërrues ndaj individit dhe shoqërisë.26

Nga definicioni dhe karakteristikat e dhëna kuptojmë se narkomanë konsiderohen vetëm ata që bëhen të varur, kurse ata që marrin me masë - ata që helmohen me masë, ata që nuk kanë intencë që ta rrisin dozën - ata që janë të kujdesshëm, ata tek të cilët (ende) nuk ka ndikim shkatërrues, nuk janë narkomanë. Kurse narkofilët - ata që herë pas herë konsumojnë, nuk konsiderohen si të atillë. Zaten, një konstatim i tillë s'është human, por, kjo s'don të thotë se nuk janë të rrezikuar.

Në lidhje me definicionin e dhënë, Vlladimir Hudolin thotë se edhe në rrethin e ekspertëve të OShB-së shihet se ky definicion nuk kënaq dhe se bëhen konsultime si të gjejnë definicion më të mirë.27

Ne mund të themi edhe atë se narkomania në shumë vende paraqet problem shumë më të vjetër se te ne, por me këso definicionesh askund nuk u arrit sukses. Po edhe sikur definicionet të ishin më të sakta, apo sikur të përpilohet diçka thuaja se e përsosur, s'duhet menduar se vetvetiu ai nënkupton se rezultatet do të arrihen.

Moshatarë të mi, shpresoj se këtu vetëm pasi të lexoni diç në mënyrë të përciptë për pasojat narkotike, në të vërtetë, vetëm duke përmendur ca prej tyre, do të mësoni se ajo është lëndë - armë e të mallkuarit dhe në asnjëmënyrë nuk guxohet të lejohet se si ajo është duke u përhapur në shoqërinë tonë.





Pasojat narkotike



Pasojat narkotike janë të shumta dhe të lloj-llojshme. Këtu do të mundohem të cek disa pasoja në shëndetin psikofizik dhe njëherit t’i cekim disa karakteristika që narkotikët i dhurojnë konsumatorit, nga të cilat sado pak do të na bëhet e qartë se ç'rrezik paraqesin edhe për shoqërinë.




Pasojat fizike



Fatkeqësisht, narkotikëve nuk u duhet shumë kohë që konsumatorët, t’i bëjnë blerës të rregullt - të dhunshëm, pra, shpejt bien në varësi.28

Ndonëse narkotikët kanë ndikim shkatërrues në të gjitha organet,29 këtu do të përmendim: rritjen e shtypjes së gjakut, temperaturën e lartë, dridhjen e duarve, këmbëve, rrjedhjen e hundëve, lotimin e syve, të zgjeruarit e bebzës së syrit, të vjellurit, gërçet në muskulaturë, humbjen në peshë… e të tjera nga të cilat individi bëhet i përfikur, anemik i tmerrshëm dhe kuptohet i papërshtatshëm për shoqërinë.30


Pasojat psikike



Nëse thuhet se droga është lëndë më e shpejtë e shkatërrimit të mirëqenies psikike të individit, fare nuk gabohet. Ajo rrënon gjithçka që është me vlerë, si: karakterin, moralin, vullnetin etj.

Nisur nga fakti se ç'personalitet bëhet narkomani, lehtë mund të konkludohet se me ndikimin e drogës në shëndetin psikik, shkurt e shqip, individi bie në skllavëri.


Disa karakteristika të narkomanëve



Në literaturën e konsultuar, kur është fjala për karakteristikat e narkomanëve, zakonisht thuhet:

-nuk kujdesen për pastërti,

-mbajnë flokë e mjekrra të gjata dhe të parregulluara,

-shtrijnë dorën për para,

-ndahen nga familja,

-humbin lidhjet me shoqërinë e vjetër, etj.

Kurse këtu te ne, marrë në përgjithësi, nuk mund të thuhet se edhe narkomanët e këtushëm posedojnë po këto karakteristika. Kjo ngase tek ne narkomanët janë më të kujdesshëm, më të fshehur dhe më elegant, pra ia arrijnë sadokudo t’i fshehin goditjet e marruna nga drogat.

Megjithkëtë, ky realitet asesi nuk len të nënkupton se janë shumë më të mirë, themi kështu, ngaqë për të siguruar para për drogë janë në gjendje të vjedhin edhe shtëpitë e tyre, të kërkojnë hua rrejshëm - në emër të prindërve etj.

Bëhet pyetja: ç’faktor bën që narkomanët të dallohen në karakteristika? Sdomend se në këtë rol të madh duhet pasur qëndrimi i autoriteteve dhe tradita, mirpo me sa duket, këtu te ne më shumë ka të bëjë me atë që narkomania paraqet problem të ri. Fatkeqësisht, kjo len të kupton se specifikat në fjalë dalngadalë i humbin dhe njashtu edhe shoqërisë do fillojë t'u duken normale.





Rehabilitimi është i mundshëm



"Puna është ilaçi më i mirë dhe qenësor i natyrës për lumturinë njerëzore.'' (Hipo-krati)

Rehabilitimi i narkomanëve është i mundshëm, por kuptohet nuk është i lehtë. Ç’është e vërteta, mjekimi fizik nuk paraqet aq problem, por duhet theksuar se vetëm me shërimin fizik gjërat nuk përfundojnë. Shërimin në fjalë lirisht mund ta quajmë recidiv e të përkohshëm. Në këtë kontekst dr.Nikolla Rot thotë: "Ndonëse janë bërë përpjekje të mëdha për t'u gjetur mënyrat e suksesshme të mjekimit, të terapisë së sëmundjeve shpirtërore, në mjekimin e tyre nuk kemi procedura dhe mjete aq të sigurta ashtu siç ekzistojnë për mjekimin e sëmundjeve trupore.''31

Sa janë bërë përpjekje, shihet edhe nga metodat e shumta të psikoterapisë, si: psikoanalitike, indirekte, grupore etj. Metoda të cilat në shumë sëmundje kanë dhënë rezultat. Gjithashtu duhet pasur parasysh se në rehabilitimin e individit që vuan nga sëmundjet në fjalë, rol të rëndësishëm luan faktori social.32 Imam El-Gazali për mënyrën me të cilën njeriu arrin të njohë të metat e veta, përmend katër gjëra:

- Uljen para hoxhës me njohuri për të meta të nefsit – shpirtit,

- shoqërimin me shokë të drejtë,

- të përfitojë nga fjalët e armiqve dhe

- përzierja me njerëz.33

Kur bëmë fjalë për alkoolin, në të vërtetë në lidhje me atë se si e ndaloi Allahu xh.sh., jo rastësisht kam përmendur reagimet e besimtarëve dhe pamë se disa prej tyre thonin se do të pijmë dhe do të rrimë në shtëpitë tona, kurse të tjerët urtësisht këshillonin dhe ia arritën qëllimit. Pra, ata që këshillonin ishin terapeutë të vërtetë, këshillonin grupin tjetër, a nuk paraqet kjo metodë nga metodat moderne të psikoterapisë!?

Në fillim të kësaj teme thamë se me këtë goditen ata që ndjekin gjurmët e djallit, prandaj nëse individi dëshiron të çlirohet nga robërimi, patjetër duhet t'i kthehet Zotit, të kërkojë ndihmën e Tij në mënyrë që të gjejë qetësinë shpirtërore.

Në Kur'an thuhet:

"Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen, pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.'' (Er Ra'd:28)

Andaj edhe pse kemi të bëjmë me një sëmundje shumë të rëndë, nëse individit i jepet ndihma e duhur psiko – fizike, sociale dhe sa më tepër mundohet të bëjë adhurim, është mëkat të mos shpresohet.



Qëndrimi Islam ndaj narkotikëve



"Të pyesin çka u është lejuar? Thuaj: U janë të lejuara të gjitha ushqimet e mira...''(El Maide:4)

Në Kur'anin Famëlartë nuk ka ndonjë ajet ku përmendet droga, mirpo kjo nuk do të thotë se është e lejuar. Kur të merret parasysh ajo që u tha më parë, jam i bindur se edhe ai që së paku ka dëgjuar diç për fenë Islame do të dijë se ç'qëndrim mund të ketë Islami. dr. Muhammed Bekër Ismail thotë:

"Nuk është e mundur i mençuri të konkludon në lejimin e saj. '' 34

Kur bëmë fjalë për alkoolin, mësuam se Allahu xh.sh. ndaloi këtë të ligë përmes së cilës djalli dëshiron të fusë urrejtje mes besimtarëve, t'i largojë nga adhurimi ndaj Zotit dhe t'i dobësojë në çdo pikëpamje. Të gjitha këto arrihen edhe nga narkotikët, madje edhe më shpejtë e më rëndë, andaj, në bazë të analogjisë, arrihet deri te përfundimi se droga në fenë islame është rreptësisht e ndaluar.

Në një ajet thuhet:

"Dhe jepni për në rrugë të Allahut e mos hidhni veten në shkatërrim dhe bëni mirë, se vërtet Allahu i do bëmirësit.'' (El Bekare:195)

Parashtrohet pyetja: ku e gjejnë veten narkomanët?

Kuptohet askund, ata nuk japin për në rrugë të Allahut, veten fusin në rreziqe të ndryshme të mëdha, i bëjnë keq vetes, familjes, shoqërisë dhe krejtësisht e qartë, nuk janë të dashurit e Allahut xh.sh.

Këtu futen edhe ata që merren me distribuimin e saj, ata pra të cilët mundohen për t'ua kullotur mendjen të tjerëve, për të shkatërruar të tjerët me qëllim të arritjes së ndonjëfarë pasurie.

Në Kur'an thuhet:

"Mjerë për secilin që ofendon dhe përqesh (njerëzit). Që grumbullon pasuri dhe që e ruan të mos i pakësohet...'' (El Humeze:1,2)

Sure-kaptinë kjo e cila fillon me fjalën " Mjerë '', që vë në dukje se bëhet fjalë për diçka tepër të urrejtur nga Allahu xh.sh. e ajo është të ofenduarit, të përqeshurit, të tubuarit pasuri duke menduar se ajo të bën të përjetshëm. E kur thuhet " Mjerë '' për këtillët, çka mund të thuhet për ata që pasurinë e kanë fituar përmes distribuimit të këtij helmi vdekjeprurës?

Ska nevojë për pëgjigje, lehtë mund të konkludohet se i ka mbuluar hidhërimi i të Lartëmadhërishmit dhe se vetes nuk i sigurojnë asnjëfarë të mire, andaj s'duhet të gëzohen; s'duhet të mendojnë se pasuria e fituar do t'i bëjë të përjetshëm, s'duhet harruar se atë që fitojnë e tubojnë, u janë mëkatet, e me to vërtetë sigurojnë një përjetshmëri, por një përjetshmëri të gabuar, të rëndë, zjarrin që djeg fort e që nuk falë vdekje.




IMORALITETI



Djalli nuk dorëzohet, i mirëstërvitur e me përvojë që nga babai i njerëzimit, në luftën e vet shfrytëzon të gjitha armët e mundshme. I vetëdishëm se dikush nuk mashtrohet që tek ai të depërtohet përmes alkoolit, drogës apo përmes nxitjes që të fitohet pasuri në mënyrë të ndaluar - me haram, asesi nuk humb kohë që të këtillët t'i luftojë me to.35 Ai posedon armë shumë të rrezikshme, e ndër to është edhe zinaja, për të cilën, kur është në pyetje mosha jonë, nuk do të kishim gabuar nëse themi se është pikërisht ajo më e rrezikshmja.

Fuqiploti krijoi njeriun, i dha logjikën me të cilën e dalloi nga krijesat e tjera dhe i dha rolin më të rëndësishëm në tokë. Në lidhje me këtë në Kur’an thuhet:

“Kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë po përcaktoj në tokë një zëvendës!, Ata thanë:A do të vëshë në të atë që bën turbullira dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë. Ai tha: Unë di atë që ju nuk dini!” (El Bekare:30)

“Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit): u mundësuam udhëtimin hipur në tokë e në det, i begatuam me shumë ushqime të mira, i vlerësuam ata - i lartësuam ndaj shumicës së krijesave që ne i krijuam.” (El Isra:70)

Megjithatë, ai është vetëm një grimcë e cila ka nevojë për ndihmën e Krijuesit të tij, ndihmë kjo e ofruar përmes të dërguarve dhe librave të shpallura nga Allahu xh.sh. vula e të cilëve ishte Muhamedi a.s. e Kur'ani vula e mesazheve, sqarim e udhërrëfyes për mbarë njerëzimin. Libër që mëson e urdhëron të mirën, të dobishmen e që ndalon të ligën, të dëmshmen.

Vullneti i të Lartësuarit ishte që njeriu t’i takon dy natyrave, natyrës të së mirës dhe të së keqes, e zgjedhja, siç thotë Sha’raviu, lindë varësisht nga zgjedhja e jonë. Nëse bëjmë një vështrim në fillimin e jetës së njeriut vërejmë se Allahu xh.sh. ia tërhoqi vëmendjen njerëzve për lirinë e tyre prej njeriut të parë, Ademit a.s. Ai ia tërhoqi vërejtjen Ademit a.s., bijve të tij, e kështu me radhë. Me zbritjen e Ademit a.s. në tokë, zbritën edhe ligjet e Allahut xh.sh. me të cilat duhet të jetojë njeriu.36

Ata që nuk marrin parasysh vërejtjen, që ndjekin paragjykime, bëjnë gabimin më të madh kur mendojnë se pa ndihmën e Dhuruesit të logjikës së tyre mund të posedojnë - krijojnë ndonjë ligj të përsosur. Në Kur’an thuhet:

“…ata nuk ndjekin tjetër pos paragjykimeve, ndërsa paragjykimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës. Andaj ti largohu atij që ia ka kthyer shpinën Kur’anit dhe që nuk do tjetër pos jetës së kësaj bote! Ajo është e tërë dituria që kanë arritur ata, e Zoti yt është Ai që di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për atë që është në rrugën e drejtë.” (En Nexhm:28-30)

Njeriu vërtet është grimcë, por nëse është vepërmirë, vepra e tij është e madhe, kështu meqë atë e shpërblen Shpërblyesi me shumë të mira, e nëse vepron të ndaluarën, gjithashtu janë të mëdha, ngaqë sa e sa të duket e vogël, për të jepet llogari.

Në Kur'an thuhet:

"Kush punoi një të mirë që peshon sa grimca, do ta sheh atë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe që peshon sa grimca, do ta sheh atë.'' (Ez Zilzal:7,8)



Si të jemi larg të shëmtuarës?



a) Martesa si nevojë



"Dhe nga argumentet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vet lloji juaj palën, ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.'' (Er Rum:21)

"..ato janë prehje-mbulojë për ju dhe ju jeni prehje-mbulojë për ato..'' ( El Bekare:187 )

Krijesa njeri gjithashtu dallohet edhe me dashuri, mirpo për të qenë kështu, për të mos rënë në shtazëri, ai duhet t'i dijë kufijt e saj. Ne Kur'an thuhet:

"Thuaj: Nëse etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, janë më të dashura për ju se Allahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu ta sjellë vendimin e Tij! Allahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur!'' (Et Tevbe:24)

Ai gjithashtu na mëson se si duhet ta organizojmë jetën, mënyrën si t'ia arrijmë të jemi larg çdo të lige, e kjo siç thotë në ajetin 21 të sures Er Rum: "për të mirën tuaj''. Ai urdhëron për martesë, urdhëron në atë që jep fryt dhe ndalon nga imoraliteti, madje ndalon edhe ti afrohemi atij. Në Kur'an thuhet:

"Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ajo është vepër e shëmtuar dhe është rrugë shumë e ligë.'' (El Isra:32)

Ka shumë prej tyre që lidhjet jashta kurorës i quajnë dashuri, kështu të udhëhequr nga djalli - epshi, mendojnë se secilës punë ia dinë rendin dhe futen asaj për të cilën Zoti thotë "mos iu afroni''.

Kur hidhërimi i Allahut është në ata që etërit, vëllezërit, bashkëshortet... i duan më tepër se Atë, atëherë ç'është përfundimi i atyre që futen në atë ku është i ndaluar edhe afrimi?! Dashuria nuk është aty ku Zoti thotë: "mos iu afroni'', se Ai nuk largon nga dashuria, dashuria është aty për ku Ai thërret, urdhëron:

"Dhe martoni të pamartuarat..'' (En Nur:32)

Martesa – formimi i familjes jo vetëm që largon nga ajo që është e shëmtuar, por luan rol shumë të rëndësishëm në shoqëri. Ahmed Hurshid në lidhje me këtë thotë se ajo është bërthama e ekzistencës së shoqërisë, ajo paraqet njësi themelore në shoqëri dhe është e organizuar ashtu që vepron si një mini bashkësi.''37

Ahmed Hurshid gjithashtu flet edhe për detyrën e familjes nga e cila më së miri kuptohet roli i saj, këtu vetëm po i përmendim pikat:

1.Mbajtja dhe vazhdimi i llojit njerëzor

2.Mbrojtja e moralit

3.Stabiliteti psiko - emocional, dashuri dhe dashamirësi, mirësellje

4.Shoqërueshmëri dhe orientim të vlefshëm

5.Sigurim ekonomik e shoqëror

6.Zgjerimin e horizontit familjar dhe kontribut kohezionit shoqëror në bashkësi.

7.Motiv për orvatje dhe sakrificë.38

Me sa duket, shumica e atyre që i ikin martesës e dijnë se sadokudo kërkohet angazhim, s'duan të jenë të zënë me punë, andaj thonë: "Dua të jem i lirë '', e shuarjen e epsheve e bëjnë atje ku është e ndaluar, atje ku shpërblehen me shumë të liga, kësisoji me lirinë e tyre futen rrugës së gabuar, asaj për të cilën në Dhjatën e vjetër thuhet: "..ka shkaktuar rënien e shumë njerëzve, dhe për hirë të saj disa kanë paguar me jetën e tyre. Shtëpia e saj është hyrje për në botë e të vdekurve. Kush hyn tek ajo, ndjek rrugën më të shkurtër për në varr.” (Fjalë të urta, 7:26,27)



b) Ulja e shikimit, ruajtja e trupit nga lakuriqësia



Allahu xh.sh.thotë:

"O ju që besuat, mos ndiqni gjurmët e djallit, se ai urdhëron për të shëmtuara, e sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij askush nuk do të pastrohej kurrë (nga mëkatet) por Allahu pastron atë që do Ai. Allahu është Dëgjuesi, i Dijshmi.” (En Nur: 21)

"Thuaju besimtarëve t'i ulin shikimet dhe t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit, sepse kjo është më e pastër për ta. Allahu është hollësisht i njoftuar për atë se ç'bëjnë. Thuaju edhe besimtarëve t'i ulin shikimet, t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit, të mos i ekspozojnë stolitë, përveç atyre që janë të dukshme; le të vënë shamitë mbi krahëror dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt pos burrave të vet, babajve të vet, ose babajve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbetorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femra, ose fëmijëve që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos rrapëllojnë me këmbët e tyre për ta shfaqur fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.'' (En Nur: 30,31)

Këto ajete filluan me thirrje besimtarëve e besimtareve për të ulur shikimin, për të pasur kujdes ndaj trupit që të mos shfaqin atë që është e ndaluar, atë që në rast se njerëzimi do të kishin pasur kujdes më të madh, me siguri se nuk do të ballafaqoheshin me probleme të shumta shoqërore e morale.



c) Larg propaganës degjeneruese, e më afër ibadetit – adhurimit



Si asnjëherë më parë propagandës degjeneruese po i jepet hapësirë e madhe. Fatkeqësisht, propaganda në fjalë gjithnjë e më tepër është në kontakt edhe me fëmijët. Kjo është një dukuri para së cilës sguxohet të heshtet, por mjerisht, heshtet e kampanja fuqimisht është duke vazhduar. Sëkëndejmi, këtu më duhet vetëm të themi se nuk duhet lejuar të biejmë pre e saj e të lejojmë kontakt me të. Kontaktet tona duhet sa më tepër t’i kemi me Krijuesin, ta përkujtojmë Atë e të Dërguarin e Tij, të bëjmë ibadet - të kryejmë namazin. Allahu xh.sh. thotë:

"..fal namazin, vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja..” (El Ankebut:45)

Gjithashtu s’duhet harruar edhe agjërimin që ka porositur i Dërguari i Allahut xh.sh. për ata të cilët nuk kanë mundësi që të martohen.




Zoti ndëshkon



Ndëshkimi nga i Lrtmadhërishmi vjen përmes:

a)pasojave psikofizike,

b)pasojave shoqërore, gjegjësisht përmes sanksioneve të ndryshme që i ndërrmerr njeriu kundër njeriut (ngatërresa, rrahje, shkurorëzime, vrasje..)

c)përmes sanksioneve që parashihen sipas normave islame (aty ku ato praktikohen) dhe ndëshkimet që parashihen në botën e amshueshme.

Në lidhje me pasojat fizike që shkaktohen nga imoraliteti dr.Xhon Betson thotë: "Sëmundjet më të mëdha trupore janë rezultat i lidhjeve jashtëbashkëshortore.''39

Kurse Muhammed Muteveli Sha’ravi në lidhje me këtë thotë:

"Disa shtete filluan të japin kurajo e të thërrasin në lirinë njerëzore. Ata lirinë njerëzore e panë në bashkimin e gjinive, në prostitucion. Përkundrazi ata hynë në një labirinth nga i cili është vështirë të dilet. Si rezultat i daljes nga ky labirinth dhe i kësaj lirie, siç e quanin ata, ishte sëmundja e rëndë " Sida ''- sëmundje vdekjepruese kundër së cilës deri tani nuk u gjet ilaç. Ata që thirrën në këtë liri dhe e quanin liri të plotë tashmë ngritën zërin e tyre të largojnë nga kjo liri.''40

Kjo që thotë Sha'raviu është e vërtet, por duhet theksuar edhe atë se orvatjet e atyre që thirren të dalin nga labirinthi filluan shumë më herët, por pa rezultat. Në lidhje me këtë në mënyrë shumë interesante njohtohemi nga Vilhelm Reich i cili përmend orvatje të tilla, e ne këtu do të sjellim një shembull nga ajo që përmend qëndrimet kryesore të "Lidhjes për mbrojtjen e nënës dhe reformës gjinore'' nga Helen Stocker e cila mes tjerash thotë:

"Detyra jonë është të përhapim njohuritë mbi neveritë, rastet shoqërore dhe konceptet etike të cilat durojnë dhe përkrahin prostitucionin dhe sëmundjet gjinore, mjekimin gjinor dhe të përmbajturit e detyruar. Rrëmuja e sodit e moralitetit vlerësuar, vuajtje të veçanta dhe të ligat sociale që dalin nga kjo thërrasin në ndihmë, por ajo ndihmë nuk nënkupton largimin e simptomeve, por së eliminuari shkaqet e vërteta.''41

Në drejtim të eliminimit të dukurisë në fjalë, rezultatet mungojnë, së pari ngaqë nuk luftohen të gjitha shkaqet e as që konsiderohen për shkaqe, dhe së dyti ngaqë orvatjet vazhdojnë aty këtu të arrijnë vetëm deri në letër, e në anën tjetër, siç thamë edhe më parë, kampanja degjeneruese ka marrë hov shumë të madh, e atë ndoshta e mbron ligji.

Honore De Balzak romanin e tij "Pjereta” e përfundon me fjalët: "Duhet të pranojmë se ligji do të mbronte të gjitha poshtërsitë shoqërore po të mos kishte drejtësi hyjnore.”

Sanksionet që parashihen nga Allahu xh.sh. parasëgjithash kanë për qëllim pengimin e imoralitetit, mbrojtjen e shoqërisë nga telashet që lindin si rrjedhojë e saj, e të cilat në të shumtën e rasteve janë shumë më të mëdha - rënda se sanksionet e normave islame.

Allahu xh.sh. thotë:

"Laviren dhe lavirin, secilin prej tyre t'i rrihni me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse i besoni Allahut dhe botës tjetër, e gjatë zbatimit të ndëshkimit të tyre le të jenë të pranishëm një grup besimtarësh.''(En Nur:2)

Ky dënim është për të pamartuarit, kurse për të martuarit është rexhmi, dënim ky që ekzekutohet me të goditur me gurë deri në vdekje.42

Kështu pra kërkohet të dënohen laviri dhe lavirja, dënim që duhet të ekzekutohet para publikut dhe pa treguar zemërbutësi ndaj tyre.

Kurse ata të cilët mendojnë se janë të lirë nga dënimi i Allahut në këtë botë, le të mos gëzohen, vetes i sigurojnë dënim në botën tjetër. Allahu është Ai që di fshehtësitë dhe rreptë ndëshkon. Ndëshkon edhe ata që përkrahin një gjë të këtillë. Ai thotë:

"Ata të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti i pret dënim i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di e ju nuk dini !''(En Nur: 19)




Kapitulli i dytë

RRUGA E HUAJ



HUMBJA E IMUNITETIT




Kur djalli udhëheq!



Rrugës së errët gjenë veten të udhëhequr nga djalli, nga ai pajisesh me dhurata njëra pas tjetrës, zhveshes nga ajo që është e jotja-njerëzore, futesh thellë në të huajën, madje thërret e flijon për të.

Jo s’duhet të hutohemi, ndodh që në shërbim të së huajës të kemi edhe shumë të tjerë duke mos pasur në dije. Kështu, ngase kanë zemra të sëmura, sëmundje kjo siç thotë Imam El Gazali, është nga ato që nuk din pronari i saj.43

Të rinjtë janë të dëshiruar nga të gjitha rrugët - punët, e rinia e shëndoshë është ajo që nuk i përgjigjet secilës, që është e vetëdijshme për vlerat e veta fetare e kombëtare; kurse atyre që nuk tregohen të kujdesshëm në k&

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme