
Shugurimi i dytë që do të mbahet në patriarkanën e Pejës, ku do të marrin pjesë prijës të lartë fetarë nga kishat simotra ortodokse nga rajoni dhe bota si dhe e tërë qeveria e Beogradit. Ky akt ka më tepër qëllim propagandistik se sa fetar, për të treguar para opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm për rëndësinë që Kosova ka për popullin serb dhe kishën ortodokse serbe. Vlen të përmendim deklaratën e patrikut të ri, Irinej me rastin e shugurimit tij të parë në Beograd, ku çështjen e Kosovës e ka pas vendosur në krye të prioriteteve të tij. "Ne duhet të shkojmë në Pejë, në tokën tonë të shenjtë të Kosovës sepse atje është vendi ku duhet përfunduar shugurimi. Çështja është, a do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë," pat deklaruar patriarku Irinej pas ceremonisë së shugurimit.
Ai në atë kohë kishte potencuar poashtu se një nga detyrat më të rëndësishme të Kishës Ortodokse Serbe është të ndihmojë në sigurimin që Kosova mbetet pjesë e Serbisë, për të shtuar: "Kosova është toka jonë e shenjtë, Jerusalemi ynë. Serbia pa Kosovën nuk është Serbi. Serbia pa Kosovën ka mbetur pa shpirtin e saj," pat deklaruar patriarku.
Ai shtoi se ishte i ndërgjegjshëm për peshën e nderit dhënë atij, një nder, që siç pat thënë, kërkon gjithashtu sakrificë. "Unë i bëj thirrje gjithkujt të bashkojë forcat dhe të mbajmë bashkë kryqin,", duke shtuar se ai nuk kishte program të posaçëm për të kryer ndërsa qe në krye të kishës përkundrazi programi i tij do të jetë Libri i Lutjeve.
Që nga koha e ardhjes së patrikut Irinej në fronin e KOS-it, në dioqezën Rashkë- Prizren kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Nga kreu i Dioqezës është larguar ipeshkvi Artemie, i cili ka qenë pengesë e çfarëdo komunikimi ndërfetar në Kosovë që nga ngjarjet e njohura të 17-18 marsit 2004. Në krye të Dioqezës për një kohë ka qenë ipeshkvi në pension Atanasije Jevtiq, kurse pas tij në këtë detyrë është mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije Radoviq. Përpjekjet e organizatave ndërkombëtare për fillimin e dialogut ndërfetar në Kosovë nuk ka kanë pasur sukses, për shkak se Kisha Ortodokse Serbe nuk ka tregua gatishmëri dhe vullnet në këtë aspekt, pas pavarësimit të Kosovës. Kjo të jep të kuptosh se edhe në të kaluarën, pengesa nuk ka qenë vetëm te peshkopi Artemie, por nuk ka ekzistuar gatishmëria te kreu i KOS-it. Kjo po manifestohet edhe me rastin e ceremonisë së shugurimit të patrikut Irinej në patriarkanën e Pejës, ku në mesin e të ftuarve janë përjashtuar personalitetet më të larta shtetërore të Kosovës.
Në prononcimin e kryetarit të Këshillit Organizativ, mitropolitit Amfillohije thuhet qartë; “Është qëndrim i Sinodit që me rastin e shugurimit solemn të patrikut Irinej të ftohen vetëm zyrtarët e qeverisë së Serbisë, prijësit fetarë si dhe përfaqësues të shteteve të rajonit dhe më gjerë të vendeve ortodokse”. Këtë deklaratë e përcjell Tanjugu, duke kërkuar sqarim për një informatë jo zyrtare ku thuhej se qeveritarët e Kosovës dy herë kishin kërkuar që me rastin e shugurimit ftesa t’u dërgohen edhe përfaqësuesve të institucioneve më të larta të Kosovës.
Mitropoliti Amfillohije kishte potencuar se në ceremoninë e shugurimit do të marrin pjesë përfaqësues të gjitha kishave ortodokse si dhe kishave tjera. Ndërkohë, që kryeministri serb Mirko Cvetkoviq, pohon se e tërë çështja e organizative është në kompetencë të Kishës Ortodokse Serbe, duke larguar përgjegjësinë e qeverisë para institucioneve ndërkombëtare.
Ky qëndrim i Kishës Ortodokse Serbe ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj nuk është i panjohur për opinionin shqiptar. Mirëpo, na vjen keq që prijësit fetarë brenda KOS-it nuk po i kuptojnë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në hapësirat tona pas agresionit që Serbia shkaktoi në dekadën e fundit të shekullit që lamë pas. Është pritur që Kisha Ortodokse Serbe, në pajtim me misionin e saj të ndjek një politikë paqësore, të kërkim faljes dhe të afrimit të popujve të kombeve dhe besimeve të ndryshme. Në veçanti kur dihet se politika agresive e ish- presidentit serb, Sllobodan Millosheviq ishte shkaktare e të gjitha tragjedive që ndodhën në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Kosovarët, sikur edhe deri më tani, duhe të tregohen të kujdesshëm kur është në pyetje çështja serbe. Ne duhet të manifestojmë mirësjelljen tonë tradicionale ndaj të gjithë atyre që ia mësyjnë Kosovës. Në veçanti kur në pyetje është një manifestim fetar, në të cilin priten të marrin pjesë një numër i madh i njerëzve i strukturave dhe vendeve të ndryshme.