Çdo gjë të udhëzon të besosh në një Zot të vetëm

 

Pyetjeve: Kush e ka krijuar këtë gjithësi me këtë rregull të madh e me këtë madhështi? Kush më ka pajisur mua me mendje e me logjikë jashta shtazëve? Kush më ka dhënë mendjen e kujtesën për të kujtuar, riprodhuar e përdorur dijet që janë fituar shumë vjet më parë? Pse jam krijuar? Çfarë misioni kam në këtë jetë unë që sundoj elefantin me mendjen time e stërvit deri luanin për interesin tim? Në rregullsinë e madhe të gjithësisë nuk ka vend për kotësira.

Çdo dukuri, çdo veprim kërkon arsyetim. P.sh. shkolla e mëson fëmijën, por një ditë ai do të provohet për ato që ka mësuar në një vit shkollor a në një kategori shkolle. Babai i jep fëmijës një sasi të hollash për të blerë gjëra në treg, por kur ai kthehet në shtëpi e pyet sa ka shpenzuar. Nëpunësi punon në zyrën e tij si do vetë, por e di se një ditë do ta kontrollojë inspektori a eprori dhe do të japë llogari para tij për kryerjen e detyrës. Feja dhe vetëm feja e mëson njeriun të dijë se Krijuesi i gjithësisë është fuqiplotë, që quhet Zot dhe se Ai e ka pajisur njeriun me ato cilësi që nuk e ka pajisur kafshën.

Ai e ka mësuar njeriun të dijë se kjo jetë është si fushë provimi. Lënda e provimit është shpallur nga disa njerëz të zgjedhur, nga më të mirët e gjinisë njerëzore, nga më të mendshmit, më të drejtët, më të ndershmit, më të njohurit në jetën e tyre qysh të vegjël, me sjellje të veçanta mbi këdo. Këta njerëz janë Profetët. Me ta ka ardhur dhe lënda e provimit. Ai njeri që merret me këtë lëndë, me besim ë zbatim fiton pëlqimin e Zotit xh.sh dhe merr dëftesën e vet me dorë të djathtë dhe është i kënaqur gjithmonë. Përtaci dhe ai që s’ka besuar është përgjegjës për mosbesimin, për mos përvetësimin e moszbatimin e lëndës së provimit, si person ka humbje të madhe, e merr dëftesën me dorë të majtë, hidhërohet e pendohet, por pa dobi, se do të jetë përherë nën gjykimin e gazepin e Zotit xh.sh.

Filozofi, Francis Bekoni në fillim të veprimtarisë së tij kishte pikëpamje ateiste. Më vonë, duke u thelluar në studimet e veta, i ndryshoi ato dhe arriti të besojë në një Zot. Për këtë ai është shprehur kështu: Në të vërtetë mendimi i drejtë e dogmat e shëndosha e obligojnë njeriun të besojë në qenien e një Zoti xh.sh. Zoti xh.sh në Kur’anin e bekuar thotë: “A menduat se Ne u krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni ju te Ne? I lartë është Allahu, Sunduesi i vërtetë, nuk ka Zot tjetër pos Tij. Zoti i Arshit bujar”. (Sureja Muminune: 118) Zoti xh. sh. përsëri në Kur’anin e bekuar thotë: “Kujt t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, ai do të thotë: “O ju, qe, lexojeni librin tim” Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time. Dhe ai atëherë është në një jetë të kënaqshme. Në një Xhennet të lartë. Pemët e tij i ka krejt afër. (E thuhet) Hani e pini shijshëm, nga se në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë. Ndërkaq, kujt i jepen librat e veta nga e majta e tij, ai thotë: “O i mjeri unë, të mos më jepej fare libri im. Dhe të mos dijsha fare se çka është llogaria ime. Ah, sikur të kishte qenë ajo (vdekja e parë) mbarim i amshueshëm për mua. Pasuria ime nuk më bëri fare dobi. U hoq prej meje çdo kompetencë imja. U thuhet zebanive: Kapeni atë, vërjani prangat! Pastaj atë shtireni në xhehenem. Mandej lidheni atë me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë. Pse ai ka qenë që nuk besoi Allahun e madhëruar”. (Sureja Hakka: 19-33). Ajnshtaini ka thënë se personi që nuk njeh Zotin e vet e të krijesave pa ndonjë shkak, d.m.th. kot, ai përveçse nuk gëzon jetën, por më tepër ai nuk meriton të jetojë.

Gjithësia e rregullt

Po të studiojë njeriu pak jetën në tokë, lidhjet ndërmjet krijesave të ndryshme, horizontin e madh e të lartë të tokës sonë, po të vështrojë që sillet rrotull vetes për çdo 24 orë e rreth diellit një herë në vit me një rregull të plotë, ai mëson se vërtetë gjithësia dhe jeta në të është aq e rregullt, saqë njeriu pak ka arritur të mësojë për të. Inxhinieri Kloden, shpikësi i rregullave (mekanizmit) të trurit elektronik në një artikull për një shoqatë shkencore tregon arsyetimet mendore që e shtynë për të besuar në Zotin xh.sh. Në materialin e tij thekson se më përpara dëshiron të përmendë një sërë argumentesh, të cilat nuk mohohen dot. Projekti im, thotë ai, më ka nxitur për studime inxhinierike e pas një pune të gjatë, duke kombinuar mekanizmin e mjeteve elektronike, mu shtua besimi se çdo projekt ose shpikje, që të realizohet, ka nevojë për udhëheqës, për drejtues. Në shkrimin e tij ai vazhdon të nënvizojë se, kur veglat elektronike kanë nevojë për rregullues, po kjo vegla me fizionomi kimike, trupi i njeriut, rregullsia e tij, të bën të besosh në një Zot, sepse natyra është më e dobët për rregullsinë e vet ose të bëjë çka ajo dëshiron vetë. Ky shkencëtar vë në dukje se vetëm ata që nuk janë të arsyeshëm e të zgjuar mohojnë qenien e Zotit, se gjoja shkenca nuk arriti ta vërtetojë atë.

Profesori i fizikës praktike, Xhorxh Harberti ka pohuar se qenia e Zotit është gjë që dihet pa qenë nevoja të mbështetemi në bazat e filozofisë e në dogmat e saj. Ai është shprehur se nuk mendon kush të vërtetojë gjëra që njihen. P.sh. nuk është nevoja të mendosh se dita është ditë, se nata është natë, sepse ata shihen. Ky shkencëtar e shtjellon më tej mendimin e vet duke thënë se këto që shohim janë pjesë e gjithësisë, e rregullit dhe e harmonisë së saj. Pra, fakti natyral, saktësia e tij na çon te pëlqimi i asaj që dëshirojmë, d.m.th. te qenia e Zotit. Nuk mund të përfytyrojë mendja se kjo rregullsi ka ardhur vetvetiu, prej asgjësë ose prej anarkisë. Si rrjedhojë njeriu e përdor mendjen të arsyetojë e të arrijë në përfundimin se pranon qenien e një Zoti xh.sh, si krijues e rregullues të kësaj bote.

Qenien e Zotit xh.sh, njeriu e pranon si diçka të natyrshme, bile si argumentin më bindës, më të saktë e më të plotë të gjithësisë. Logjika që përdorim na çon në arsyetimin se, nëse ka Zot, duhet të ketë rregullsi, atëherë mbasi rregullsia në këtë gjithësi është e përsosur, atëherë është domosdoshmëri ekzistenca e një Zoti të vetëm.

__________________
Marrë nga revista e përmuajshme “Udha Islame“, Organ i Myftinisë Shkodër, Viti VIII – Nr. 90, Gusht 2010

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme