
Prandaj, nuk i lejohet një myslimani të kryejë Haxhin, derisa të shlyejë borxhin personit që ia ka marrë. Nëse borxh dhënësit janë tolerantë dhe i thonë:”Ne të lejojmë të shkosh në Haxh, edhe pse nuk na e ke shlyer borxhin.” Kjo do të thotë se ata kanë hequr dorë nga e drejta e tyre për një farë kohe. Në rastin tonë, borxhdhënësit i kanë thënë:”Nëse shkon në Haxh dhe nëse vdes atje, ta kemi falur borxhin.” Gjë e cila tregon për zemërgjerësinë e tyre dhe Zoti ua shpërbleftë me të mira. Por nëse nuk e lejojnë të shkojë në Haxh pa shlyer borxhin, nuk i lejohet.
Bazuar mbi çfarë thamë, nëse një njeri ka marrë borxhe dhe ka dëshirë të flaktë të shkojë në Haxh, e ka detyrim të marrë lejen dhe miratimin e borxh dhënësve. Nëse ata e lejojnë, i lejohet të shkojë në Haxh, me kusht që të ketë siguri se është në gjendje që t’ua shlyejë borxhin. Por nëse është i bindur se po të kryejë Haxhin, nuk ua shlyen dot borxhin, nuk i lejohet Haxhi në këtë rast. Kjo, sepse shlyerja e borxhit gëzon prioritet, edhe nëse borxhi është me afat të gjatë.
Nëse afati i shlyerjes së borxhit është i largët, siç ndodh me borxhet e marra nga shteti ku njerëzve u ofrohen borxhe afatgjata - për blerjen e një shtëpie, trualli apo çfarëdo qoftë për një periudhë 20-30 vjeçare dhe shlyerja kryehet në formë këstesh mujore të cilat u merren nga rroga – lejohet të kryhet Haxhi. E ndaluar është vetëm nëse borxhi duhet shlyer brenda një periudhë të shkurtër, dy apo tre vjetore, sepse shpenzimet e Haxhit mund ta detyrojnë të vonojë shlyerjen e borxhit në kohën e duhur. Në këtë rast, ai nuk e ka obligim Haxhin, madje nuk i lejohet të shkojë në Haxh. Vetëm nëse merr pëlqimin e borxh dhënësve dhe lejen e tyre dhe është i bindur se e shlyen borxhin në afatin e caktuar, me gjithë shpenzimet e Haxhit.
Zoti e di më së miri