IDETË JANË MË TË RËNDËSISHME SE NJERËZIT

Ndonëse në këto debate u ngjitën edhe njerëz që përmes tyre duan të dalin në skenë, zakonisht duke u varur pas “të mëdhenjve”, dikush pas “gjeniut Kadare” e dikush pas “akademik Qosjes”, megjithatë le të jetë si të jetë, mirë është që këto debate po bëhen. Por, si zakonisht në debate të këtilla, pak më të nxehta, shumë shpesh po huqet tema, ato po kalojnë në personalizime, e bile-bile edhe në ofendime. Kam përshtypjen se njerëzit më shumë pëlqejnë të merren me njerëzit, me personalitetin e njerëzve, sesa me idetë e tyre.

Në botën e qytetëruar vlen një parim i amshueshëm se njerëzit e vegjël merren me njerëzit, ndërsa madhështia qëndron në debatet për idetë. Një gabim të tillë, mbase për arsye subjektive, e bën Maks Velo, i cili u paraqit para do ditësh në mediat shqipe dhe në vend që t’i shqyrtojë idetë që hidhen mbi identitetin shqiptar, më shumë është i prirë të japë cilësime personale, madje edhe ofendime në adresë të debatuesve. Ja disa shembuj: “Kadareja është një gjeni. Qosja është një farë mendimtari dhe shkrimtari kosovar..”; “...unë e pranoja edhe Qosen si një fare akademiku i dorës së dytë”; “Më nuk e kam takuar dhe nuk dua ta takoj...” (për Qosen – shënimi im); “Kadareja, për mua, është një fenomen i çuditshëm”; “...çudia është si është e mundur që ky njeri (Kadareja – shënimi im) lindi në një kontekst si ai i yni, ku ka ndër të tjera edhe akademikë si Qosja?” (pikëpyetja është pa vend – shënimi im); “Për çfarë patriotizmi mund të flasin ata që tradhtuan fenë e të parëve dhe fenë e të gjithë Ballkanit dhe Evropës, Krishterimin.”; “Shqipërinë e ka sjellë në këtë gjendje (si vendi më i prapambetur dhe më i varfër), pikërisht kjo tradhti nga një pjesë e shqiptarëve. Shqipërinë e solli në këtë gjendje Islami, që ishte një regres i pashembullt.”; “Të paktën tani pasardhësit e tradhtarëve të heshtin.”; “Qosja është një dijetar tipik islamik, tërësisht lindor. Kjo nga mënyra e të menduarit. Nga logjika e tij. Nga fshehtësia e tij. Nga pabesia e tij.”; “Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë.”...

Edhe pse pas shkrimit të z.Velos në internet hasa në gjithfarë shkrimesh që si në stilin e tij “merren me të e jo me idetë e tij”, unë nuk dëshiroj të përdor asgjë nga ato, dua thjesht të merrem me atë që ai e thotë se vërtet ka thënë gjëra shumë të mëdha, gjëra që nuk i duroj dot.



Kadareja e Qosja

Neve si lexues të debateve të tyre, që megjithatë nuk i kanë filluar ata, nuk duhet të na interesojë shumë edhe figura e tyre si personalitete, secili i ka të mirat dhe të ligat e tij: Kadareja mund të jetë keqpërdoruesi më i madh i pushteteve, lajkatar e i përkëdhelur i secilit pushtet, por kjo në këtë debat nuk ka fare rëndësi, është diçka relative ajo dhe neve nuk na intereson. Kadareja hëpërhë është shkrimtari më i madh shqiptar, një gjeni i letërsisë shqipe bashkëkohore. Ndërkaq Qosja, me të gjitha prapësitë e tij personale, si sjelljen tekanjoze e dështimet e herëpashershme në fusha të tjera, mbetet figura qendrore e kritikës letrare jo vetëm në Kosovë. Shërbimin që ia ka bërë ai letërsisë sonë kombëtare, akoma askush nuk e ka tejkaluar. Megjithatë kur flasim për identitetin shqiptar, ne nuk guxojmë t’i shpallim mite dhe të themi “mos i prekni, ata janë hyjni”. Jo, aspak. Si që nuk kemi të drejtë t’i shpallim as djaj e spiunë pse mendojnë ashtu ose kështu. Është e drejtë e tyre, ata mendojnë ashtu për këtë çështje, ndërsa ne kemi të drejtë të pajtohemi me ato mendime, të mos pajtohemi ose të kemi mendim të tretë. Edhe kjo është e drejtë e jona. Po kurrë t’i ofendojmë, t’ua hedhim poshtë të gjitha meritat pse mendojnë ashtu. Pra nuk kemi të drejtë të merremi tash me jetën e tyre, t’ua përmendim të gjitha “të zezat” pse mendojnë ndryshe nga ne. E drejta dhe detyrimi ynë është të flasim për idetë e jo për njerëzit.



Këpucët

Vërtet është tragjedi të mendohet si dhunim nëse dikush në shtëpi të tij “i detyron” njerëzit t’i heqin këpucët. Ne si mysafirë (është në traditën tonë) në cilëndo shtëpi që hyjmë duhet t’u përmbahemi rregullave të asaj shtëpie, ne praktikisht i dorëzohemi nikoqirit. Dhe, të sjellësh përfundim se nikoqiri të fyen pse kërkon ta respektosh rendin e shtëpisë së tij, vërtet është për të ardhur keq. Unë kam miq profesorë edhe në Tiranë që po ashtu kërkojnë t’i heq këpucët kur shkoj te ata, por kjo nuk më paraqet fare problem dhe madje më vjen turp që për këtë çështje të shkruaj në gazetë, janë gjëra për të cilat thjesht nuk debatohet. Ngase janë të ulëta. Këpucët dhe truri janë dy ekstreme për të cilat nuk bisedohet njësoj.



Haxhiqamilizmi

Edhe kjo puna me Haxhi Qamilin është demoduar më. Secili që dëshiron t’i fyejë myslimanët shqiptarë shkon kah shkon, na identifikon me një Don Kishot të historisë sonë, me Haxhi Qamilin që as vetë s’e ka ditur se çka bënte. Megjithatë kur vendosin të bien në këso niveli të fyerjes, ofendimit, çuditërisht e harrojnë një donkishotizëm tjetër, atë të Republikës Katolike të Mirditës. Nuk është objektive e as korrekte, është grusht në “t’hollë” kjo që sa herë që flitet për myslimanët si shpata e Demokleut të përmendet Haxhi Qamili. Tamam më, e morëm vesh, e dimë edhe Haxhi Qamilin edhe katolikët e Mirditës, kanë qenë donkishotë të historisë sonë dhe pikë. As ai e as këta tjerët nuk na shërbejnë për të mirë, madje nuk janë as dëshmi të fuqishme për të sjellë aksioma. Janë të ulëta edhe këto.



“Drejt Lindjes” – identiteti jonë

Kur po i lexoj shkrimet e Kadaresë e të Qosjes, po edhe polemikat e tjera gjithandej, po habitem pse ashtu lehtë për qëllime të panjohura për mua shtrembërohen gjërat. E kam thënë edhe më parë, por si duket duhet ta përsëris prapë.

Sipas mendimtarit turk me përmasa ndërkombëtare, Ahmet Davutogllu, janë tre faktorë kryesorë dhe disa të tjerë më pak të rëndësishëm që e përcaktojnë identitetin: qenia (vetëdija ontologjike), vetëdija historike (bagazhi historiko-kulturor) dhe vendosja hapësinore (territori, djepi fizik i një kombi). Nisur nga kjo, shqiptarët janë popull indoevropian, me gjuhë indoevropiane, me territor në Evropë (por në kufi me Lindjen, Orientin) dhe me histori në të cilën kanë marrë pjesë kontaktet shekullore me romakët, bizantinët, sllavët dhe osmanët. Ky kontakt me a pa dëshirën tonë, e dëshirojmë sot ose jo, ka lënë gjurmë te populli jonë. Andaj prirja për ta paraqitur shqiptarin si puroevropian, pa asnjë element tjetër, është më shumë orvatje raciste sesa gjendje faktike reale. Është një shtirje, një paraqitje artificiale e dhunshme që herët a vonë prapë do të na shkaktojë telashe. Unë e di se nevoja politike sot nga ne kërkon të identifikohemi vetëm me Perëndimin, si do të thoshte Maks Velo, me BE-në, por kjo nuk duhet të nënkuptojë joseriozitet ndaj historisë sonë, prerje fizike të 5 shekujve, sepse në radhë të parë nuk i dihet të ardhmes, ka mundësi ato shekuj të na duhen dikur dhe, e dyta, zhvillimi natyror i popujve nuk bëhet me prerje artificiale. Jemi ata që jemi. Edhe spanjollët kanë plot elemente orientale, por kjo nuk i pengon të jenë evropianët më të fuqishëm. Andaj kjo se ne kërkojmë t’i shpijmë shqiptarët në Lindje është një shpifje që nuk pi ujë, sepse tash edhe Lindja është drejtuar kah Perëndimi. Se a është kjo mirë ose jo, do të tregojë koha, por zhvillimet shoqërore shkojnë në këtë drejtim.

Kur të kthehemi në rrafshin tonë, kjo do të thotë se nuk guxojmë ta harrojmë Marin Barletin që shkroi latinisht për Skenderbeun si që nuk guxojmë ta harrojmë as Jahja Bej Dukagjinin që krijoi osmanisht ose nga të mëvonshmit, nuk guxojmë ta harrojmë Jeronim de Radën si që nuk guxojmë ta harrojmë Qerbelanë e Naim Frashërit e veprat në gjuhën osmane të Sami Frashërit. Ata na duhen neve. Vetëm me ata ne jemi më të fuqishëm e më të pasur. Turqit edhe ashtu janë gati ta përvetësojnë Samiun, Mehmet Akifin e të tjerët. Prandaj është detyra jonë që këta emra t’ia prezantojmë opinionit shqiptar.



“Pabesia islamike”

“Qosja është një dijetar tipik islamik, tërësisht lindor. Kjo nga mënyra e të menduarit. Nga logjika e tij. Nga fshehtësia e tij. Nga pabesia e tij.”, deklaron Maks Velo. Përkthyer me gjuhën e moralit, ky është një ofendim i madh – gjithë islamikët janë të pabesë, tinzarë, me logjikë të deformuar. Është e rëndë kjo. Nëse z.Velo nuk kërkon falje për këtë, bart ofendimin jo vetëm të Qosjes, por edhe të gjithë islamikëve (myslimanëve) të tjerë në botë. E sa është Qosja islamik, është punë e tij që neve nuk na hyn në udhë, nuk kemi të drejtë të përzihemi në të tilla relacionesh.

Edhe një gjë: të gjithë myslimanët, sipas Velos, qenkan tradhtarë, ndërsa Islami dëmi më i madh. Pra jo komunizmi, jo Enver Hoxha, jo tranzicioni pas të ‘90-tës, por Islami qenka dëmi i më madh. Kjo pikë është një simpozium i tërë, ekzistojnë një mijë e një fakte që e pohojnë të kundërtën, por ato nuk lexohen me paragjykime. Unë do ta kujtoj vetëm një: Pashko Vasa ose Vaso Pashë Shkodrani, një katolik i Shkodrës, autori i poezisë “O moj Shqypni” ka qenë vali i Libanit në kohën e osmanëve. Ndërsa z.Velo në kohën e Enverit vetëm pse nuk ka menduar “mirë” ka vuajtur burgun. Nuk kam koment për këtë.

Ndërkaq z.Velo nuk e ka problem që të gjithë myslimanët shqiptarë t’i quajë “pasardhës të tradhtarëve” që tash duhet të heshtim, që interpretuar ndryshe do të thotë totalitarizëm ndaj mendimit të lirë dhe urrejtje patologjike ndaj myslimanëve shqiptarë. Sinqerisht më vjen keq që nuk mund t’i ndihmoj më shumë për këto gjëra z.Velo.



Në fund – “JO” referendumit për bashkim

Z. Velo në tekstin e tij më akuzon mua pse kam thënë se shqiptarët e këndej kufirit po e ndërrojnë epiqendrën e tyre etnike e kulturore drejt Prishtinës dhe pastaj çuditërisht ngutet ta kundërshtojë vetveten dhe ta pohojë atë që e them unë kur shprehet se: “Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë.” Ju faleminderit z.Velo që më kurseni nga sqarimet. Megjithatë më falni, por kështu mendojnë vetëm serbët për Kosovën. Ata do të votonin kundër bashkimit me Shqipërinë. Dhe, Maks Velo. Fatkeqësisht!

Ndërkaq ofendimi se shqiptarët e Kosovës “janë akoma primitivë” është bajagi i rëndë, nuk di a ka guxim ndonjë shqiptar tjetër të pohojë këtë. Edhe pse për këso gjëra edhe kosovarët e ne shqiptarët e Maqedonisë mund t’i akuzojmë bashkëkombësit tanë andej, duke u nisur që nga ’91-shi, ’97-ta e deri te këto shitjet e fundit të eshtrave në Përmet, megjithatë akoma nuk na e zë goja që primitivë t’i quajmë bashkëkombësit tanë.

Ne, ashtu si jemi “nacional-romantikë” e “primitivë” sa herë që dëgjojmë këso klithma nga shqiptarët që na e kujtojmë kohën e egër serbe, themi si thoshte edhe Konica ynë: “Fali Zot se nuk dinë!”. Amin!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme