FIKSIONI I NACIONALIZMIT

Madje, rrëfimi për shqiptarin është kryekëput rreshtim sëmundjesh foshnjore: një rrëfim i pambaruar për rrahje, grabitje, shtyrje e zbime andej-këndej, të kryera kundër jetimit shqiptar, prej njerkave e thjeshtërve të ligj fqinj. E prapë, shqiptari në memoaret e veta shfaqet si specie e dëshirueshme, trime dhe e fortë, që i mishëron cilësitë epërore të njeriut. Ajo që harron të na spjegojë nacionalizmi është, natyrisht, se si na qenkan krijuar këto cilësi te shqiptari i traumatizuar që në lindje, e i keqtrajtuar paprerë nga i madh e i vogël.

Por ndoshta një cen i tillë nacionalizmit shqiptar i falet, meqë është i ri. Më sakt, kombi shqiptar dhe vetdija e tij, nacionalizmi shqiptar, u formuan më së voni prej të gjithëve në Ballkan, në mbarim të shek. XIX. Arsyeja është e thjeshtë. Deri atëhere, paraardhësit e shqiptarëve s'kishin nevojë të jenë shqiptarë, e, rrjedhimisht, as nacionalistë shqiptarë. Ata kishin bërë jetë paqësisht e të çliruar prej kërcënimeve ekzistenciale për 500 vjet, si shtetas të perandorisë osmane. Ashtu paqësisht jetonin edhe paraardhësit e serbëve e grekëve, sikur edhe të persëve, të arabëve, të hazarave, të kurdëve, e të dhjetëra-qindra kombeve tjera që u pollën a u polli, kujt me qejf e kujt me zor, pas rrëzimit të perandorisë. Ajo që ndofta i dallonte ca prej fqinjve ballkanas paraardhësit e shqiptarëve ishte se këta ishin paksa të privilegjuar, pra argatë a aleatë (zgjedhni cilën të doni) të natyrshëm, të zellshëm, e relativisht çmimlirë, të osmanëve.

Ky është një ndër sekretet publike e tragjikomike të historiografisë shqiptare. Ai njihet nga pleqtë tanë, nga popujt fqinj, nga çdo kucë e macë në tërë botë, dhe kjo është pjesa publike e komike; por, e kjo është tragjikja, ai s'njihet - jo, po luftohet me kryeneçësi! - nga aradhat e historianëve të epokës enveriste. Sepse ata, të fantaksur nga mësimet ideologjike të enverizmit, kanë shpikur historinë e "rezistencës 500-vjeçare antiturke". Apo s'kemi luftuar ne, proletarët e Ballkanit, oburra kundër imperializmit në të gjitha kohërat - e shqiptarët më fort se gjithë tjerët, meqë jemi proletarët më të mirë?

Në të vërtetë, s'kishte as rezistencë, as 500-vjeçare, e më së paku antiturke! Sepse, sërish, 500 vjetë e tëhu më parë s'kishte shqiptarë. Ashtu sikur nuk kishte as turq, serbë, e grekër, apo francezë, anglezë, gjermanë a italianë, e pakta jo në kuptimin modern, nacionalist të fjalës. Dinastia teokratike e Osmanëve s'u besonte turqve, andaj gjatë tërë historisë osmane kryeministrat e ministrat ishin gjithnjë joturq etnikë, mes tyre 42 shqiptarë. Në fakt, kryengritja e mbramë që arriti ta shtyp perandoria osmane para se të shpërbëhet, ishte pikërisht një kryengritje e turkofonëve, pra e paraardhësve të turqve të sotëm!

Perandori Dushan, sot ikonë e nacionalizmit serb, mbiquhej "mbret i serbëve, shqiptarëve, grekëve e bullgarëve", e nëna e tij ishte joserbe. As ne shqiptarët s'jemi tëlyen i shkrirë. Gjon Kastrioti i falte manastirit serb Hilandar fshatra "për shpirt"; Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti kish nënë një Vojisava, vëlla një Stanisha e një Reposh, e motër një Marica, e kështu me radhë.

Të merremi vesh, ne ballkanasit s'jemi të vetmit që trillojmë gjepura nacionaliste. Riçard Zemërluani i britanikëve e kishte frëngjishten gjuhë amtare, njësoj si Frederiku i gjermanëve, ndërsa Karl i francezëve fliste gjermanisht. Ec e merre vesh!

E pra, nëse shkencëtarët anglezë, gjermanë, francezë e italianë hamenden sot se a janë a jo kombet e tyre, në kuptimin nacionalist të fjalës, 100 a 200 vjet të vjetra, ç'kemi ne ballkanasit që i mëshojmë si kau pelës me nga 400-500 vjet!?

T'i aplikosh paradigmat e sotme nacionaliste në banorët e asaj kohe, është njësoj inteligjente si të mundohesh ta trusësh cilindrin në një vrimë kubike. Historianët munden, tjerët heqin dorë.

Doemos, rrënjët e kombit shqiptar janë të vjetra, ndoshta edhe më të vjetra se sa që dijmë sot. Por etnitetet shqipfolëse s'do ngatërruar me fenomenin komb shqiptar, që është relativisht i ri. Nëse jemi të saktë, pra, shqiptarë s'gjejmë dot para prishjes së perandorisë osmane. Diferencimi nisi diku kah fundi i shek XIX, kur fqinjëve tanë u fryu dreqi në vesh se mund të fitonin përfitime të ndjeshme nëse quhen diçka tjetër e jo shtetas perandorakë. Më së voni këtë e kuptuan shqipfolësit, ndofta meqë atyre iu desh të arrinin vet deri te kjo ide.

Shumëkush thotë se rilindasit e krijuan nacionalizmin shqiptar. Mua për vete të gjithë rilindasit s'ma mbushin syrin. Apo ç'donin ata syresh që kërkonin shtete të përbashkëta me serbët, me grekërit, me italianët, e me dreqin e të birin?

Mat e çmat, mua shqiptari i parë i mirëfilltë në histori, edhe bukvalisht, më del Hasan Prishtina. Shoqi s'u fut llugave idealiste, po kur e pa që perandoria mbaroi, ai vendosi të mendojë si shqiptar pragmatist, të shkuajë si shqiptar pragmatist, e diku kah mbarimi edhe të veprojë si shqiptar pragmatist. Sidomos kjo e fundit i jep bukur shumë poena te unë. Pos bindjeve të mia që mund të jenë subjektive, pak signifikancë mund të ketë edhe fakti se ai qe i pari që i organizoi shqiptarët si forcë luftarake me agjendë të veten. Gjë që, me sa thonë, pati një efekt bukur pragmatist: një Shqipëri fringo të re me 28.000 kilometra katrorë. Sot mund të na duket pak, por një herë e një mot mjaftonte e tepronte.

Ndoshta ishte nacionalist edhe Ismail Qemali, meqë u bind disi t'i binte trup nga Stambolli via Vjenës deri në Vlorë pa asnjë dëshmi të dashamirësisë së shqiptarëve, për t'u ngritur atyre një flamur të harruar prej kohësh? Apo Faik Konica, që me gëzim nevrik e shkundi pluhurin nga ai flamur?

S'e di. Dtth, unë e di fort mirë se ç'thonë historianët, por për vete s'kam vendosur ende. As Qemali e as Konica, sikur as edhe Theofan Stelian Noli, s'pranuan të rrijnë te pjella e vet, po parapëlqyen mjedise më të mbara. Ndoshta diku në zemër u trishtuan, kur panë se ç'kishin mbarsur?

Them prapë, s'e di. Por e di se sikur tërë shqiptarët të kishin mundur të bëjnë si ata, them mundur se dëshirën s'e vë në dyshim, sot s'do të kishte shqiptarë në Ballkan.

Kurse sot për sot, nacionalizmi shqiptar më ngjan si ata alabakët e Shqipërisë, që e kishin mësyrë Evropën me veshje, frizura, e mendësi demode. Nacionalizmi shqiptar është, thjesht, i vonuar tej mase. Që prej LDB e këtej, po kërkove bashkim nën një komb, një shtet e një prijës, i bën vetes PR bukur të mbrapsht, meqë bota ta ngjesin etiketën naziste. E pikërisht kjo është kërkesa nr 1 e nacionalizmit shqiptar, pa asnjë ndryshim prej 1912-s e deri sot e kësaj dite, thuase s'ka ndërruar fare bota rreth e rrotull.

Nacionalizmi shqiptar ka mbetur ende në fazën fillore "gjak e tokë", sikur të mos kishte forma tjera për ta shprehur dinjitetin kombëtar. Me sa kuptoj, ky pikëvështrim është trashëguar pa ndryshime të mëdha nga definimi i Faik Konicës, i mbiquajtur shpesh "I Madhi" për arsye të panjohura prej meje, se kush është shqiptar, pra "ai [Konica urrente femrat] që është i rrëzës, i gjakut e i gjuhës shqiptar".

Por gjaku është kategori e devalvuar, ai qysh në kohën e Konicës përdorej më tepër si punë tradite irracionale. Sot s'ka shqiptar të mençur që s'do të pranonte gjak prej kujtdo në rast nevoje. E mirë do të bënte, meqë gjaku si ind fizik i trupit të njeriut s'ka të bëjë gjë fare me kombin: ndryshe, atje tek qoftë, do ta mbushnim Ballkanin me shqiptarë të vdekur.

As imperativi i "rrëzës", pra i themelit (ndhimë turqisht për atë që s'kupton shqip) s'përmbush farë kriteri shkencor. Me se ta masim këtë farë "rrëze", si ta definojmë atë? Gjenetikisht e biologjikisht nuk shkon, atëhere si? Si kulturë? Po çobani i shkretë, që s'i ka dy ditë shkollë e s'e ka lexuar Naimin, nuk është shqiptar? Biles, në mos e paça krejt gabim, edhe gjyshja ime bënte në këtë kategori. Apo ç'të quajmë kulturë tani?

Ajo e fundit, dimenzioni gjuhësor-hapësinor, është edhe më interesant. "Gjuhësor-hapësinor" shkruhet bashkë, meqë argumentet që e përbëjnë s'e bartin dot veç e veç kungullin e nacionalizmit. Argumenti gjuhësor s'ofron dot legjitimtet, se s'duam t'i pranojmë si shqiptarë as minoritarët tanë që mësojnë shqip, e lëre më studentët nga Afrika etj. Kurse ai hapësinor është edhe më i koklavitur, meqë është krejtësisht i paedukatë e i pasjellshëm. E ç'të bëjnë francezët, ta okupojnë Belgjikën frankofone tani? Dhe si mendojnë nacionalistët tanë, se anglezët duhet ta ripushtojnë Amerikën, apo anasjelltas? Dhe, meqë ra fjala, pse qenkan shqiptarët atëhere kundër bashkimit të serbëve të Bosnjes me Serbinë!?

Thuase tërë shqiptarët paskemi qenë të bashkuar ndonjëherë, apo se qenka shkruar diku se u dashka patjetër të bashkohemi dikur!

http://www.pasqyra.com/arkivi/2002/01112002/faqe/fiksioniinacionalizmit.htm

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme