
Titulli: Anamorfoza e mesazhit të madh – E vërteta mbi Islamin, idiosynkrazia e zonjës “O”, dhe mendimi i elitës intelektuale gjithëkohore. Etj., etj., jashtë teme...
Autori: Bardhyl Rauf FICO
Botues: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC)
Faqe: 278
Në përgjithësi prej kohësh, librat me një kontekst polemizues pothuajse kanë munguar për publikun e gjërë e dashamirës të librit shqiptar. Në këtë rrafsh Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) së fundmi, me rikthimin e kësaj tradite ka nxjerrë në dritë botimin e librit të autorit Bardhyl Fico, me titull “Anamorfoza e Mesazhit të Madh – E vërteta mbi Islamin, idiosynkrazia e zonjës ‘O’, dhe mendimi i elitës intelektuale gjithëkohore. Etj., etj., jashtë teme...”. Libri përmban tone polemizuese, por autori nuk çapitet që të gjejë fajtorin ose të ndreq fajin. Ai synon që të vendos linja të qarta mbi akuzat e para do kohshme ndërmjet shkrimtares së mirënjohur me origjinë italiane Oriana Falaci dhe botës islame.
Bardhyl Fico rrjedh prej një familje të njohur e me tradita atdhetare. Ai lindi më 13 nëntor të vitit 1932, është pinjoll i familjes së njohur nga Gjirokastra, prej së cilës dolën shumë personalitete. Më i njohur prej tyre është Rauf Fico, ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Stamboll, Berlin, Beograd dhe shumë kryeqytete të tjerë, për të cilin Faik Konica pat thënë se, Raufi ishte shqiptar atëherë kur të tjerët nuk ishin. Prej kësaj familje rrjedh edhe Bardhyl Fico i cili studioi për matematikë, fizikë e inxhinieri, më pas punoi si gazetar dhe gjatë viteve 1992-1997, mbajti postin e Sekretarit të shtetit për marrëdhëniet me fenë.
“Anamorfoza e mesazhit të madh...” e z. Bardhyl Fico përbën një risi këto vitet e fundit për mënyrën sesi mund të zhvillohet një debat i zotëruar nga mllefet dhe urrejtjet, por prej të cilit mund edhe të mësohet diçka, e në mos kështu, të paktën të mësohet sesi mund të zhvillohet një debat social-kulturor në distancë. Në librin e z. Fico flet urtësia e përvojës diturake të njerëzimit. Teksti i librit është dhënë me një presim e thukje të jashtëzakonshme, që ngërthen një logjikë aforistike. Lakonizmi i fjalëve, referencat e dëndura verbale nga kultura e Lindjes dhe Perëndimit janë sfondi sintetik i librit, mes të cilit idetë dhe akuzat e zonjës nervoze – siç e quan autori, – janë i vetmi absurditet...
Në brendinë e këtij libri lexuesi do të gjejë dramën e urtësisë në përplasje me shkulmet e çmendura; do të gjejë arsyen e dashurisë dhe etjen për iluminim mendor e shpirtëror. Autori merret me rrënjët e dukurisë së asaj metamorfoze, apo më saktë neuroze, që ka përfshirë konstruktin moral të dijeve intelektuale të Perëndimit. Në krahun tjetër Metamorfoza e zonjës Falaçi është një sindromë neurotike e alibisë së njeriut të zeherosur, e cila penën e saj e ngjyen në vrer e jo në dhimbjen njerëzore. Stili dhe virtytet e shkrimit të saj bëhen befas mjete të yshtjes së xhindosur, që shkakton konfrontimin e hapur të kulturave, traditave dhe feve, duke i vendosur ato në një antagonizëm përjashtues me njëra-tjetrën. Kështu Oriana Falaçi bën mëkatin më të madh e më të pafalshëm: mosdurimin. Bardhyl Fico në këtë libër, duke shpjeguar thelbin hyjnor të fesë paqësore e ndriçuese të Islamit dhe duke bërë distancimet nga aventurierët kokëkrisur terroristë, i heq bazën “mllefit” të Oriana Falaçit, duke i njehësuar terroristët e çdo feje me terrorologjikën intelektuale të vetë znj. Falaçi.
Në faqet e librit shpërthen erudicioni pikant, përthyerja dhe jehona e veprës së profetit Muhamed (a.s.), si dhe lavdia e dijetarëve muslimanë, që përbënë një trashëgimi të fortë të artit, shkencës, kulturës dhe filozofisë botërore, të cilat janë në gjenezë edhe të qytetërimit Perëndimor.
Libri është shkruar nga një zotëri, që siç thotë ai, është modest dhe jo një zanatçi librash, që nuk ka hallin e shtimit të ndonjë cv-je në listën e gjatë të botimeve që mbushin raftet. Brdhyl Fico është një intelektual i ushqyer me kulturën shqiptare, patriotizmin e kombit të vet por edhe me kulturën Perëndimore e trashëgiminë e pasur të Lindjes, është një njeri i purifikuar nga urtësia e librave që mëtojnë dashurinë, paqen dhe dinjitetin njerëzor.