Amerika "vretë" Amerikën!

Numri i tyre në këtë kohë mund të jetë rreth 100 apo disa qindra sosh. Veprimet e tyre aktualisht janë në epiqendër të top-listës botërore të shoqatave për të drejtat e njeriut, duke theksuar se qeveria amerikane në vazhdimësi shkel Konventën e Gjenevës për të drejtat e njeriut dhe konventat tjera. Qeveria gjithnjë mbrohet me gjuhën e më të fortit, më të fuqishmit, duke mos iu lejuar të burgosurve as mbrojtës ligjor, as kontakt me familje, as gjykim publik, as kufizim të paraburgimit, as …, as …, as…. Kështu vepron shteti që pretendon se paraqet avangardën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë.

Mesjeta në fillim të shekullit 21 !

Deri para disa vitesh ka qenë e pabesueshme, madje e pa imagjinueshme të mendohet se në fillim të shekullit 21 mund të ndodh diç që i ngjason Mesjetës së errët, Mesjetës së Kryqëzatave dhe Inkuizicionit, vrasjes së njerëzve pse mendojnë ndryshe, pse besojnë ndryshe, pse veshen e ushqehen ndryshe. Është fjala për burgun Guatanamo në Kubë, të formuar special nga amerikanët për të burgosurit muslimanë nga Afganistani. Fluturimi i aeroplanit dhe aterimi i tij në Guatanamo zbuloi se të burgosurit janë me sy dhe gojë të mbyllur, me duar dhe këmbë të prangosura, të vendosur nëpër kafazë me gjemba sikurse bishat e egra në qiell të hapur, pa kujdes përkatës mjekësor, pa komunikim me familje, pa mbrojtje ligjore para palës akuzuese etj. etj. Cinizmi edhe më i madh bëhet kur të gjitha këto arsyetohen me pohime asnjëherë të argumentuara se këta janë njerëz tejet të rrezikshëm, të stërvitur për të vrarë amerikanë dhe për të ushtruar dhunë ndër perëndimorët. Këto masa janë, sipas qeverisë amerikane, për të mbrojtur edhe civilët por edhe ushtarët amerikanë që i mbrojnë ata.

Më e keqja ndër këto të këqia ishte se të burgosurve muslimanë nuk u pranohet tretmani i “robërve të luftës”, se ata trajtohen si terroristë edhe pse ende nuk janë gjykuar, duke injoruar Konventën e Gjenevës mbi robërit e luftës. Me pretekstin e luftës kundër terrorizimit, Amerika shkelë ligjet dhe arsyeton të gjitha mjetet. Ari Fleischer, portparoli i Shtëpisë së Bardhë, duke arsyetuar qëndrimet amerikane pohon se të burgosurit në Guatanamo nuk janë luftëtarë të rregullt: “Në Kubë gjenden njerëz nga më shumë se 30 vende, ashtu që ata, në të vërtetë, nuk i përkasin kurrfarë armate apo shteti të organizuar, por kanë shkuar në Afganistan për t’u aftësuar për terroristë.” Shefi gjerman i diplomacisë Joschka Fischer ka qortuar Amerikën që “në luftë kundër terrorizmit mbrojmë edhe vlerat tona” dhe se të burgosurit duhet të konsiderohen robër lufte të cilët kanë të drejtat e veta. Përgjegjsja e KB-a për të drejtat e njeriut Mary Robinson dhe përgjegjësi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Havier Solana gjithashtu kanë qortuar qeverinë amerikane se duhet të respektojë Konventën e Gjenevës. Edhe shumë personalitete zyrtare evropiane gjykojnë veprimet amerikane në Kubë, por gjykimet e tyre nuk sollën përmirësimin e statusit të të burgosurve. Edhe pse Colin Pauel, ish-sekretari i shtetit amerikan ka deklaruar se si duhet njohur statusin e të burgosurve të luftës, por ky rregull nuk duhet të vlejë për të gjithë të burgosurit.

Vallë, kështu mbrohet demokracia?

Amerika është shtet i fuqishëm ekonomik, ushtarak dhe politik, dhe është vështirë që dikush t’i bëjë vërejtje, ta qortojë apo t’i kundërvihet në çfarëdo aspekti. Sikur ndonjë shtet arabo-musliman të kishte vepruar me qytetarët amerikanë, britanezë apo francezë, siç veprojnë amerikanët me ushtarët e vendeve arabo-muslimane, pa dyshim se do të kishte reaksion ushtarak me pasoja të paparashikueshme.

Me trajtimin ç’njerëzor që u bëhet të burgosurve muslimanë nuk mbrohet qytetërimi perëndimor. Këtë e di edhe Bush, edhe Bleer, edhe Dick Chayni. Si do të ndiejnë qytetarët e vendeve muslimane kur shohim fotografi tmerruese nga Guatanamo apo nga burgu Ebu Gurejb në Irak, apo edhe vetë janë viktimë e veprimeve të tilla. Disa shtete kanë kërkuar të dihet gjendja e të burgosurve. Arabia saudite ka kërkuar që qytetarëve të vendit të tij të zënë robër t’u gjykohet sipas ligjeve saudite. Mirëpo, nuk është i vetmi burg ky në Guatanamo. Ka edhe burgje tjera, publike dhe të fshehta, dhe me të drejtë shoqatat për të drejtat e njeriut kërkojnë që gjendja të verifikohet edhe në burgjet tjera.

Hebraiku Leonard Rubenshtein, drejtori ekzekutiv i shoqatës "Fizikanët për të drejtat e njeriut", thotë se rreth 3500 ushtarë talibanë, shumica afganistanezë dhe pakistanezë, gjenden në kushte të dëshpërueshme jetësore në burgun Shebargan në veri të Afganistanit.

Ku po shkon Amerika?

Me veprimet jashtëligjore, me veprimet kryesisht nëpër caqe civile, me deklaratat antiislame të Bush e të tjerëve, Amerika e Bushit nuk ka përkrahje jo vetëm në shtetet arabo-islame, por edhe në vetë Amerikë. Zgjedhjet e fundit për Kongresin dhe Senatin amerikan janë treguesi dhe dëshmia më e mirë se Amerika e Bushit nuk ka të drejtë. Abuzimet e rënda nëpër burgjet e Irakut e Afganistanit, dëmtimi i qëllimshëm i popullsisë civile dhe infrastruktures civile, imponimi i rregullave të veta kudo në botë, Amerikën dhe botën e ka bë aq të pasigurtë sa është vështirë të imagjinohet ndonjë periudhë e ngjashme.

Askush nuk mblodhi forcë t’i kundërvihet fuqisë së parë botërore. Ajo vazhdon t’i vendosë ligjet sipas dëshirës së saj. Por, Amerika harron ligjet e pashmangshme se perandoritë e tilla, si ajo romake, bizantine etj. kanë përfunduar në vetëshkatërrim.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme