Nëpërmjet rrjedhës së qytetërimeve njerëzore, ne zbulojmë faktorët që kanë ndikuar në lindjen, zhvillimin dhe lulëzimin e këtyre qytetërimeve dhe ata faktorë që kanë ndikuar në rënien apo dështimin e tyre.
Pra, si janë zhvilluar dhe si ka rënë ato qytetërime? Si ka mundësi që nuk kanë mbetur vetëm disa gjurmë nga pjesa më e madhe e tyre?
Shkrimtari i njohur musliman, Prof. Sejid Kutub ka shënuar në librin e tij “Islami dhe problemet e qytetërimit” shumë ngjarje konkrete që kanë ndodhur gjatë rrjedhës së historisë duke nxjerrë prej tyre dhe mësimet përkatëse. Po ashtu, Kurani famëlartë na tërheq vëmendjen në formën e urdhërit hyjnor, kur thuhet: “Ne dërguam në çdo popull profet që t’u thonë: Adhuroni vetëm Allahun e largohuni prej adhurimit të djajve! Por, pati nga ata që Allahu i udhëzoi dhe nga ata që ishin gjykuar me ndëshkim. Pra, udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ka qenë fundi i gënjeshtarëve!” (Kuran: 16 - 36).
Gjurmët e këtyre ligjeve praktike pasqyrohen në dy aspekte të ndryshme.
I pari, ka të bëjë me themelimin dhe ndërtimin e qytetërimeve dhe faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin dhe lulëzimin e tyre.
Këta faktorë janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Zoti i madhëruar ka thënë: “Ai ndihmon ata, të cilët, kur u mundësohet vendosja në tokë, falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë për punë të mira dhe largohen prej të këqijave”. (Kuran: 22 - 41).
Në lidhje me këtë, Zoti thotë: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe këshilluan të tjerët të jenë të durueshëm”. (Kuran: 103 - 1,2,3).
Aspekti i dytë i ligjeve universale përmbledh faktorët që kanë ndikuar në rënien e qytetërimeve dhe në zhdukjen e tyre. Allahu i lartësuar thotë: “E sa fshatra zullumqarë kemi shkatërruar që kanë mbetur të rrënuara mbi kulmet e tyre dhe sa vendburime e pallate të larta kanë mbetur shkretë?!” (Kuran: 22 - 45).
E për ta bërë sa më të qartë këtë, Allahu thotë sërish në një varg tjetër kuranor: “A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë e të shohin se si përfunduan ata që ishin më parë?! Ata ishin edhe më të fortë dhe kishin më tepër ndikim në tokë, por të gjitha këto nuk u bënë dobi. Kur të dërguarit e Zotit shkuan tek ata me argumente të qarta, ata iu gëzuan dijenisë së vet dhe atëherë i përfshiu dënimi për çka talleshin. E kur e panë dënimin tonë, thanë: Ne i kemi besuar vetëm Allahut dhe i kemi mohuar ata që ia shoqëronim Atij në adhurim. Por, kur panë dënimin tonë, besimi i tyre nuk u bëri dobi. Ky është ligj i hershëm i Allahut me robërit e Tij dhe jobesimtarët gjithmonë janë të humbur”.
(Kuran 40 - 82,85).
Fakte të tilla janë përmendur shpesh në Kuran veçanërisht në pjesën që u zbrit në Mekë, ku sqarohen arsyet e ngritjes së qytetërimeve tek popujt paraardhës. Këto shembuj shprehin qartë se nëse ekzistojnë disa kushte, ngrihen dhe zhvillohen qytetërimet duke arritur majat e tyre, duke dhënë frytet e duhura dhe duke lënë gjurmë në histori. Faktori më i rëndësishëm për të cilin na ka lajmëruar Krijuesi ynë për një qytetërim të suksesshëm është besimi dhe veprat që pasqyrohen nëpërmjet tij si sjelljet e hijshme, morali i lartë etj. Këto ndikojnë në përmirësimin e individit dhe po ashtu edhe në marrëdhëniet e tij me shoqërinë dhe ambientin që e rrethon. Në të vërtetë, besimi ka qenë shkak kryesor për zhvillimin e të gjitha qytetërimeve të cilat kanë lënë gjurmë në rrjedhën historike. Kjo vërtetohet edhe nëpërmjet vëzhgimit mbi popujt e sotëm dhe qytetërimeve aktuale. Asnjë prej këtyre popujve dhe qytetërimeve nuk është i zbrazur nga ndjenja e besimit dhe e ideologjive të ndryshme. Ata e shfaqin këtë përmes motove të ndryshme apo bestytnive në të cilat gjejnë qetësi shpirtërore apo ndjejnë njëfarë mbështetjeje hyjnore.
Nuk ekziston asnjë popull që të mos ketë objekte kulti të ndryshme apo vende të shenjta, të cilat konsiderohen prej atyre njerëzve si burim i besimit dhe mbi bazën e të cilave ngrihen dhe marrëdhëniet shoqërore ndërmjet tyre. Objektet e kultit të këtyre njerëzve shërbejnë si frymëzues i ideologjisë së tyre, pavarësisht nëse këto ideologji pranohen nga logjika mendore apo jo dhe pavarësisht nëse këto ideologji ngrihen mbi bazën e parimeve hyjnore apo janë pjellë e regjimeve të atyre vendeve apo e pseudoshenjtorëve të ndryshëm. Kjo çështje u është imponuar në mënyrë instiktive edhe qytetërimeve të ndryshme aktuale. Prandaj, kjo duhet pasur parasysh mirë nga ana e prindërve dhe edukuesve të njerëzimit për të vënë në jetë strategjitë, planet dhe programet edukative të duhura për një zhvillim sa më efikas të individit dhe shoqërisë.
Nëse e kemi të qartë se besimi është faktori më me influencë në themelimin e qytetërimeve dhe në zhvillimin e tyre, nga ana tjetër mungesa e besimit dhe lufta kundër tij është gjithashtu faktori më i rëndësishëm në rënien dhe në zhdukjen e këtyre qytetërimeve.
Në të vërtetë, dituria është dhuratë hyjnore që Zoti ia ka falur njeriut ta përdorë atë si një mjet për të ndërtuar qytetërimet dhe për t’i zhvilluar ato sa më tej. Fatkeqësisht, dituria e shumë njerëzve të pasur dhe të fuqishëm ka ndikuar në rënien e qytetërimeve, pjesë e të cilave ata kanë qenë apo në zhdukjen totale të tyre. Dituria duhet shfrytëzuar në dobi të njerëzimit dhe duhet të jetë e lidhur ngushtë me dritën e besimit. Duke u nisur pikërisht nga ky fakt, ka ardhur edhe urdhëri hyjnor në vargun e parë kuranor që ka zbritur nga qielli: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë!” (Kuran: 96 - 1).
Pra, studimi i universit dhe mistereve të tij duhet të jenë të lidhura ngushtë me besimin në një Zot të vetëm që është Krijuesi i gjithçkaje. Nëse njeriu besimtar e njeh mirë gjithësinë, ai i vë në shërbim të vëllait të tij njeri të gjitha njohuritë dhe zbulimet shkencore rreth saj. Në këtë mënyrë, dituria është burim sigurie dhe lumturie dhe jo burim i frikës dhe dëshpërimit për njerëzimin. Prej këtej lind nevoja e njerëzimit për një qytetërim me besim, një qytetërim të sigurt, një qytetërim me baza të shëndosha, lind nevoja për qytetërimin islam. Është pikërisht ky qytetërim që i shmang të gjitha vuajtjet që lindin si pasojë e ndikimit shtypës të shteteve të mëdha e të fuqishme mbi ato të dobëta e të vobekta. Është pikërisht Islami me logjikën e tij të drejtë dhe të shëndoshë që i jep kuptimin më domethënës ecurisë së mbarë njerëzimit dhe e përdor shkencën në dobi të vlerave njerëzore. Është pikërisht Islami ai që nxit për të punuar dhe për ta ndërtuar sa më bukur jetën në këtë tokë dhe për të mos qenë shkatërrimtarë. Përkitazi me këtë, Allahu i madhëruar thotë: “Ai fillimisht ju krijoi nga toka dhe ju bëri banorë të saj, prandaj kërkoni falje prej Tij dhe pendohuni tek Ai!” (Kuran: 11- 61).
Zoti i ka urdhëruar njerëzit të punojnë në tokë dhe të ndërtojnë në të sipas ligjeve hyjnore që Ai ka vendosur në këtë gjithësi. Që të gjithë ne jemi dëshmitarë se në shekullim e ri dhe në atë që sapo ka kaluar popujt muslimanë kanë qenë popujt më të dobët dhe më të pafuqishëm nga gjithë të tjerët në politikë, arsim, kulturë etj. Këtu duhet të ndalen në mënyrë të veçantë dijetarët, politikanët, ata që pretendojnë se kanë diçka në dorë dhe ata që kanë në të vërtetë. Le ta pyesin veten sinqerisht: “Çfarë kemi bërë ne për popujt tanë? Përse e kemi lënë veten të arrijmë deri këtu?” Gjithashtu është detyrë dhe e popujve të botës islame t’u drejtohen dijetarëve dhe udhëheqësve të tyre me këto pyetje: “Çfarë po bëni me ne? Çfarë po bëni për ne? Çfarë po bëni për të ardhmen tonë? Cili është pozicioni juaj për çka po ndodh...?”
Duhet patjetër të ndalemi në mënyrë të sinqertë pa pasur asnjë qëllim përfitimi vetjak dhe të bëjmë diçka në dobinë tonë të përgjithshme.
Nëpërmjet pyetjeve që parashtruam, ne zbulojmë anët e neglizhencës dhe dobësisë sonë. S’ka dyshim se shkaku kryesor i kësaj dobësie dhe i këtij dështimi është pesha e mëkatit që bie mbi dy grupe kryesore të shoqërisë në botën islame.
Në grupin e parë hyjnë një pjesë e konsiderueshme e dijetarëve tanë, të cilët u mjaftuan me dijen që kanë për të rendur pas posteve dhe famës e në këtë mënyrë ata e humbën veten dhe po ashtu i çorientuan dhe të tjerët. Roli i dijetarëve është që ata ta shfrytëzonin diturinë e marrë në dobi të shoqërisë, por ata nuk e bënë këtë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dijetarët e lëmive fetare, por për të gjithë shkencëtarët e fushave të ndryshme të cilët e kanë për detyrë ta vënë diturinë e tyre në shërbim dhe në dobi të mbarë njerëzimit.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë shumica e udhëheqësve të vendeve muslimane. Ata janë munduar t’u “grabisin” dijetarëve dhe njerëzve të ndershëm autoritetin dhe pozitën që ata gëzojnë në shoqëri. Kështu, ata janë përpjekur për të pasur sa më shumë ndikim tek masat e gjera, megjithëse kanë dështuar në këtë drejtim dhe është fakt se sot në pjesën më të madhe të atyre vendeve ata nuk gëzojnë as dinjitet dhe as respektin e njerëzve. Fatkeqësisht, njerëzit e kanë humbur besimin tek të parët e tyre, ata i shohin me dyshim dhe nuk u zënë fort besë fjalimeve dhe slloganeve të tyre. Këto dy grupe të shoqërisë janë dy shtyllat kryesore që kanë mundësinë për të përmirësuar çdo lloj shoqërie ose për ta shkatërruar atë. Në rast se ata janë në rrugë të drejtë, po ashtu janë edhe njerëzit dhe nëse ata janë të shthurur, e tillë është dhe shoqëria në të cilën jetojnë. Shkaqet e zhvillimit dhe ato të prapambetjes së qytetërimeve janë të lidhura ngushtë me ndikimin kulturoro-politik që është dhe roli primar i dy grupeve të përmendura.
Më poshtë po parashtroj disa çështje që kanë të bëjnë me temën që po flasim.
I: Kuptimi i ligjeve hyjnore në univers.
II: Mbizotërimi i arsyetimit dhe logjikës mendore për çështjet e jetës shoqërore, kulturore dhe politike. Rivendosja e dijetarëve në ballë të shoqërisë duke mos i lënë ata t’i tërheqin dhe t’i përvetësojnë vendet perëndimore apo ato lindore.
III: Uniteti i muslimanëve të përçarë nën një moto të vetme.
IV: Shfrytëzimi në mënyrën e duhur i pasurive natyrore të cilat ua ka dhuruar Allahu zonave gjeografike të vendeve islame.
V: Hapja dhe komunikimit me të tjerët. Përfitimi nga përvoja e tjetrit dhe largimi nga shpërbërja dhe shkatërrimi.
VI: Vendosja e një transparence të plotë ndërmjet institucioneve qeveritare arabe dhe islame.
I - Kuptimi i ligjeve hyjnore në univers
Njeriut i del për detyrë të njohë se Zoti ka vendosur disa ligje të cilat janë rregullatori më i mirë për individin, shoqërinë dhe për mbarë rrjedhën e jetës. Duke u nisur pikërisht nga këto parime hyjnore, shoqëritë tona duhet të jenë në ballë të prosperitetit dhe në këtë mënyrë ato karakterizohen nga morali i lartë islam, besimi tek Krijuesi dhe virtyti. Në qoftë se këto parime mbështeten në besim dhe ideologji të saktë, atëherë ato do të jenë më jetëgjata e më të frytshme. Të tilla kanë qenë parimet islame në themelimin e qytetërimit islam dhe në ndërtimin e shoqërisë.
Çështja e ekzistencës së parimeve hyjnore është tepër e domosdoshme dhe ndikon fuqishëm në ndërtimin e shoqërisë, në të kundërtën shoqëria është më e prirur për të shkuar drejt shkatërrimit apo rrënimit të saj. Kurani na ka tërhequr vëmendjen se ekziston një lidhje e fortë ndërmjet mbizotërimit të logjikës së besimit dhe ndërtimit të shoqërive. Zoti ka thënë “O ju që keni besuar! Kush largohet nga feja e vet s’ka dyshim se Allahu do të sjellë një popull tjetër që Ai e do atë dhe ata e duan Zotin e tyre”. (Kuran 5 - 54).
Kur qytetërimi islam u përhap në Evropë ata e zhveshën atë nga logjika e besimit dhe e vunë diturinë në funksion të logjikës djallëzore, për të dominuar mbi popujt dhe shoqëritë. Në këtë mënyrë, qytetërimi i tyre lindi i zbrazur nga shpirti i besimit dhe nga virtytet njerëzore. Pra, ai lloj qytetërimi u largua nga drita hyjnore dhe diturinë që kishin ata e përdorën sipas interesave të tyre personale dhe kështu ndodhi një shkatërrim total i vlerave dhe ato shoqëri rendën drejt shthurjes dhe shkatërrimit, në vend që të përparonin dhe të lulëzonin. Kjo shpjegohet për faktin se nuk ka se si të interpretohen ndryshe fondet prej miliarda dollarësh që akordojnë vendet industriale për prodhimin e raketave, bombave dhe armëve të shkatërrimit në masë. Si ta kuptojmë faktin që caktohen shuma marramendëse për kërkimet në hapësirë, ndërkohë që shumë popuj vuajnë për kafshatën e gojës?!
Ç’është ky garim i tërbuar në luftën drejt hapësirës, kur banorët e tokës gdhihen përjashta?!
II - Dituria dhe dijetarët
S’ka dyshim se dituria është çelësi i suksesit për zhvillimin shoqëror, politik, ekonomik, kulturor dhe në të gjitha fushat e tjera. Këtu, njeriu duhet t’i parashtrojë vetes një pyetje të domosdoshme: Cila është pozita e shkencës dhe shkencëtarëve në botën perëndimore dhe ç’vend zënë ata në shoqëritë tona islame?
Në këtë kontekst duhet të kuptojmë mirë e në formë të përgjithshme si shkencat fetare, bashkarisht edhe ato universale, sepse ndarja dhe diferencimi i këtyre shkencave nuk do të kishte aspak kuptim sipas këndvështrimit islam. Dijetari musliman nuk është vetëm ai fetar që ka një diapazon të kufizuar, por ai e gjen shumë mirë veten si mjek, inxhinier, arkitekt, sportist e kështu me radhë. Në të gjitha këto edhe roli i femrës është i barabartë me atë të burrit, ku secili prej tyre mbart përgjegjësinë që i takon.
Të tillë kanë qenë dijetarët e parë dhe pushtetarët muslimanë. Ata kanë qenë elita e shoqërisë dhe shembull i mirë për të gjithë të tjerët. Ata kanë pasur pozitë të lartë në shoqëri, dinjitet të madh dhe kanë gëzuar respekt të plotë nga ana e bashkëkohësve të tyre.
III - Uniteti i muslimanëve
Islami erdhi për t’i bashkuar arabët dhe mbarë njerëzimin pasi ishin përçarë si mos më keq. Ai i bashkoi ata rreth besimit në një Zot të vetëm dhe u mësoi atyre të ishin të rregullt dhe për të ndërtuar një sistem universal për jetën. Islami u mësoi atyre të largoheshin prej kaosit, anarkisë dhe përçarjes për të qenë një trup i vetëm. Zoti i madhëruar i nxit njerëzit që të jenë të bashkuar, jo vetëm kur flitet për marrëdhëniet shoqërore, por edhe nëpërmjet praktikës së adhurimit dhe riteve fetare. Ai e thotë këtë qartë nëpërmjet një urdhëri hyjnor: “Kapuni që të gjithë pas fesë së Zotit e mos u përçani! Përkujtoni mirësinë e Zotit ndaj jush, se para se ta pranonit fenë islame ju ishit të armiqësuar e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe u bëtë vëllezër...” (Kuran 3 - 103).
Po ashtu, edhe i dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. i mësoi njerëzit që t’i kushtonin një rëndësi tepër të veçantë unitetit të tyre. Ai është mësuesi më i mirë që ftoi për unitet dhe dha shembullin më konkret në historinë e njerëzimit, kur vëllazëroi banorët e Mekës me ata të Medinës. Fakti se si i pritën dhe i trajtuan banorët e Medinës vëllezërit e tyre në fe nga Meka, është shumë domethënës. Ata menjëherë u hapën krahët, dyert dhe zemrat, ndonëse më parë nuk i njihnin fare.
Në të vërtetë, shumë kombe dhe popuj janë bashkuar me gjithë faktin se kanë qenë të përçarë dhe nuk kanë pasur shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin. Fatkeqësisht muslimanët, megjithëse i bashkon një fe e vetme, një kulturë e vetme, shpesh edhe një gjuhë e vetme, po i vret përçarja dhe mosmarrëveshjet. Dobësia e tyre ka arritur deri atje sa nuk po dinë se si dhe ku të bashkohen, ndërkohë që ata bashkohen gjatë pesë kohëve të faljes, në faljen e së premtes, në faljet e namazeve të bajrameve dhe në takimin e përvitshëm ndërkombëtar që zhvillohet në Qabe, ku të gjithë i drejtohen me lutje Zotit të tyre, duke qenë se udhëhiqen nga të njëjtat parime.
Pra, pas gjithë këtyre, a ia vlen dhe a është e lejueshme që muslimanët ta mohojnë njëri–tjetrin dhe të shfaqin mosvarrëveshjet dhe kundërshtitë e tyre përpara dashakeqësve?! Në këtë mënyrë ata largohen nga rruga e drejtë dhe nuk kanë se si të ecin përpara të përçarë e të copëzuar, kur dihet mirë se shtetet e vogla dhe të dobëta nuk kanë kurrfarë pozite.
IV - Kush i shfrytëzon pasuritë natyrore të muslimanëve?
Aktualisht, bota islame arrrin shifrat në 1 miliard e 250 milionë banorë, pra sa 1/5 e rruzullit tokësor. Muslimanët zotërojnë pasuri natyrore që do të mjaftonin për mirëqenien ekonomike të mbarë botës. Nafta, ari dhe mineralet e tjera që gjenden në territoret e botës islame do të mjaftonin që ta shndërronin botën islame në një superfuqi ekonomike dhe ky nuk është një fakt i panjohur. Kjo vërtetohet edhe nëpërmjet luftërave të fundit që janë zhvilluar dhe vazhdojnë ende në Gjirin Persik së bashku me misteret dhe hamendjet që kanë pas tyre. Të gjitha këto fakte flasin për rëndësinë e madhe në planin ndërkombëtar që kanë vendet arabe dhe u bëjnë të qartë muslimanëve se si bota thur lloj-lloj intrigash për të shfrytëzuar në kulm pasuritë e tyre. Kjo çështje ka nevojë të shqyrtohet nga organet kompetente për t’i shfletuar edhe një herë konventat dhe marrëveshjet që kanë bërë me të tjerët. Ata duhet ta kenë mirë parasysh thënien e Allahut të Madhëruar: “Hebrenjtë dhe të krishterët nuk do të jenë kurrë të kënaqur me ty, derisa të pasosh fenë e tyre. Thuaj: Udhëzimi i Allahut është udhëzimi më i drejtë. Nëse shkon pas mendimeve të tyre, pasi e njeh të vërtetën, nuk ka kush të ndihmojë e as të të mbrojë...” (Kuran: 2 - 120).
Nga ajeti i mësipërm ne nuk duhet të kuptojmë se duhet t’i ndërpresim marrëdhëniet me shtetet e besimeve të tjera, mirëpo marrëdhëniet duhen ndërtuar mbi bazën e interesave reciproke. Ne nuk duhet t’i lëmë pasuritë tona natyrore në dorë të të tjerëve që ata të forcohen nëpërmjet tyre dhe më pas të prodhojnë armë shkatërruese që me to të sundojnë popujt e botës dhe vetë arabët dhe muslimanët.
Shfrytëzimi i pasurive natyrore të botës islame ka nevojë të rishihet me kujdes. Duhet patjetër që të vendosen disa kushte për kompanitë dhe vendet që shfrytëzojnë këto pasuri, duke u nisur nga parime të drejta dhe nga interesat e vetë muslimanëve si zotërues të këtyre pasurive. Në këtë mënyrë, muslimanët bëhen një fuqi ekonomike me peshë në botë.
V - Hapja dhe komunikimi me të tjerët
Në ditët e sotme është e paperceptueshme izolimi dhe mbyllja në vetvete duke neglizhuar atë çfarë ndodh jashtë vendeve të botës islame. Është e pamundur të nënvleftësohen zhvillimet dhe përparimet e vrullshme që po ndodhin dita-ditës. Nga ana tjetër, ne muslimanët nuk duhet të turremi pas çdo gjëje që na ofron shkenca, pa i analizuar mirë anët pozitive dhe negative të tyre. Në lidhje me zbulimet e reja, shkencën moderne dhe prodhimtarinë duhet ta pranojmë se aktualisht jemi ndër vendet e fundit dhe për fat të keq mbetemi vetëm konsumatorë të produkteve të të tjerëve. Për këtë na del si detyrë që të hapim dyert për ta fituar dijen nga kushdo që e zotëron atë dhe ta vëmë atë në përdorim. Kjo është një detyrë e domosdoshme nëse pretendojmë se vërtetë duhet të ecim përpara dhe të jemi në ballë të shkencës, zhvillimit dhe përparimit.
VI - Interesi i popujve mbi të gjitha
Nëse pranojmë se udhëheqësit e vendeve islame janë përgjegjës për popujt e tyre, rrjedhimisht ata duhet të punojnë dhe sakrifikojnë në interes të tyre, që qëllimi final i marrëdhënieve ndërkombëtare të jenë interesat e popujve të tyre dhe jo parimet apo ideologjitë politike, ekonomike apo kulturore.
Marrëdhëniet jo të mira dhe interesat personale të klaneve të caktuara ndërmjet institucioneve qeveritare të vendeve islame nuk duhet të bëhen shkak për përkeqësimin e marrëdhënieve të këtyre popujve, por ato duhet të mënjanohen në interes të përgjithshëm të muslimanëve. Në të vërtetë, ky fenomen kaq i përhapur në botën islame duhet të eleminohet plotësisht për të harmonizuar dëshirën e udhëheqësve të atyre vendeve me dëshirën dhe interesin e popujve të tyre.
Qytetërimi islam është sistem universal i jetës dhe përshtatet për çdo kohë, çdo vend dhe çdo njeri. Ai karakterizohet nga morali dhe sjelljet e natyrshme njerëzore dhe nuk bie në kundërshtim me natyrën e njeriut duke e plotësuar dhe përsosur më tej atë. Qytetërimi islam nuk përplaset me logjikën dhe shkencën, por ai nxit që ato të jenë në dobi të mbarë njerëzimit.
Përktheu: Gentjan Fejzullaj