”DARKA E LAMËS” - BEKIM APO MALLKIM?

      Në mbrëmjen e së dielës, me 23 tetor 2005, me 19 Ramazan 1426, në hotelin “Grand” të Prishtinës, ish-kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për qindra  mysafirë të ftuar, vendas e ndërkombëtarë,  ka shtruar “Darkën e Lamës”, për herën e tretë, ku, ndër të tjera, tha: “ Darka e Lamës është një festë tradicionale e Kosovës që njihet që nga kohët antike ilire-shqiptare të shekullit të V-të para Krishtit, para 2500 vjetëve…”

 

              Besimi tek iliro-shqiptarët

 

     Në kohët antike, ilirët, të parët tanë, kishin kulturën, artin, zakonet dhe besimin e vet. Por, cili ishte besimi i ilirëve? Besimi i ilirëve ishte paganizmi, ishte politeizmi.

     Ilirët adhuronin diellin, hënën, rrufenë, bubullimën, ujin, zjarrin….

Përveç këtyre, ilirët adhuronin edhe hyjni të tjera të ndryshme, siç ishin: Pani, hyu i pyellit dhe i grigjeve, Medauri, hyu i luftës, Bindi ishte hyu i detit dhe i lundrimit etj.

     Ilirët, të parët tanë, me të cilët ne mburremi, adhuronin hyjni e hyjnesha të tjera, siç ishin: Latra, Andini, të cilëve iu dihen emrat por jo edhe funksionet e tyre! Po, çfarë funksione t’hamamit mund të kishin, përveç  mashtrimit të vetvetes?!

     Pra, të parët tanë, ilirët, me të cilët krenohemi, ishin paganë, ishin politeistë, nuk e njihnin Zotin, Krijuesin, ata jetonin larg nga jeta e Hyut… Sot, a ka kuptim, pas 2500 vjetëve të jetojmë e të festojmë, siç jetonin dhe siç festonin ilirët paganë, politeistë…?

     Në letrën dërguar Efesianëve, Shën Pali, ndër të tjera, shkruan,:

         “Pra them këtë dhe përbej në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët-me mendje të errësuar, larg nga jeta e Hyut, për shkak të paditurisë që është ndër ta për arsye të trashamanisë së zemrës së tyre. Vetveten e kanë bërë të pandjeshëm, u dhanë mbas shfrenisë, në mënyrë që të shtyrë prej lakmimit, të bëjnë çdo poshtërsi.”    (Bibla, Efesianëve, 4:17-20)

 

 

               Fjala e kryetarit

 

     Në vijim të fjalës së tij, ish-kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova tha:

“Sonte jemi këtu së bashku, për t’iu lutur Zotit që në vitin tjetër të na falë më shumë të mira.. ”Darka e Lamës” sivjet bëhet më madhështore, sepse bie në vitin e shënimit të 600- vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit-Skëderbeut.”

     Në fjalën dhe në lutjen e tij, kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, dy herë e përmendi Zotin! Por, në Ungjillin sipas Mateut, Krishti, (Hazreti Isai, a.s.) thotë:

         ”Jo secili që thotë: O Zot, o Zot! do të hyjë në Mbretërinë e Qiellit, por vetëm ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.”

     Me lutje Zotit, për një festë pagane, me traditë 2500 vjeçare, qoftë edhe në 600- vjetorin e lindjes  së Skënderbeut, a kryhet vullneti i Zotit?

     Ilirët-Shqiptarët, para  afër 2000 vjetëve e braktisën paganizmin, politeizmin, sikurse e braktisën me vonë edhe Krishterimin, shumica e

shqiptarëve dhe e përqafuen Fenë Islame. Sot, në fund të vitit 2005, në muajin e bekuar të Ramazanit, të shënohet “Festa Tradicionale e Ditës së Falënderimeve- Darka e Lamës” në hotelin “Grand” të Prishtinës, një festë pagane, politeiste, është bekim apo mallkim?  Kjo festë, edhe në bazë të argumenteve biblike po kuptohet se është pagane, antike…

Çka dëshmon kjo? Kjo dëshmon papjekurinë fetare…

     Papjekuria fetare, siç thoshte Kanti (1724-1804), është jo vetëm më e dëmshmja, por edhe më e pandershmja nga të gjitha…

     Krenohemi që jemi shqiptarë, por ku ku për ne kush është kryetar!!!

 

 

                   ”DARKA  E  LAMËS”-

 

    Kryetari i ndjerë i Kosovës e pati shpallur 23 tetorin edhe zyrtarisht si dita kur ne i falënderohemi Zotit për të mirat e vitit, që na ka dhuruar. "Këtë darkë tradicionale, me emrin autentik Darka e Lamës, presidenti Rugova e shpjegonte si ditë falënderimi për Zotin, që na ka dhuruar të mirat e vitit.... ”

Mikpritja shqiptare, në sofrën tradicionale, hajgare....

    Vitin e kaluar, me 25 tetor 2009, për herë të fundit isht kryetari i Kosovës dr. Fatmir Sejdiu ka shtruar “Darka e Lamës” si shenjë falënderimi për të mirat që na i ka dhuruar Zoti. Me këtë rast, kryetari Sejdiu është shprehur se kjo festë është një festë shumë e vjetër tradicionale, si dhe me këtë rikujtojmë nderimin që i takon presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili edhe e shpalli festë shtetërore.

  “Në Kosovën moderne si akt i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore, ‘Darka e Lamës’ e rikujtojmë nderimin që i takon në vitin 2002, kur presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpalli festë shtetërore. Që atëherë nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës, si shenjë falënderimi për të mirat që na i ka dhuruar zoti brenda një viti, përkatësisht si lutje sublime për të mirat që do të na dhurojë në motet e ardhshme organizohet ky manifestim, i cili na bashkon e na ofron përreth sofrës së begatshme me drithërat dhe frutat e shëndetshme që i prodhon toka e bereqetshme e Kosovës”, ka thënë Sejdiu.

Ndërsa, ka shtuar se sivjet këtë festë po e festojmë me të arriturat të rëndësishme të shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, ku progresi i Kosovës vlerësohet lart edhe nga miqtë e Kosovës në të katër anët e globit, duke theksuar se 62 vende të botës që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës si dhe vendet e tjera që pritet të njohin në vijim, janë përkushtuar që të përkrahin pa kursim.

    Në këtë darkë, përveç kryetarit të Kosovës, dr.Fatmir  Sejdiu, morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadorë, gjenerali i KFOR-it, Marcus Bentler, përfaqësues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, kryetari i akademisë së shkencave, Besim Bokshi dhe anëtarë të tjerë të akademisë, familje të dëshmorëve, deputetë, ministra, përfaqësues të FSK-së, përfaqësues të policisë, pushtetit lokal dhe partive politike, përfaqësues të bashkësive fetare të Kosovës, përfaqësues të Biznesit e të tjerë, ndërsa munguan kryetaret e partive opozitare, Begjet Pacolli i AKR-së, Nexhat Daci i LDD-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.

    Por, kjo ditë, Dita e Falënderimeve për Zotin është  një festë pagane amerikane...

 

   Prejardhja e Ditës së Falënderimeve

 

    Dita e Falënderimeve e ka prejardhjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ato ende nuk ishin Shtete të Bashkuara. Për herë të parë kjo ditë u kremtue në vitin 1621, në Playmouth të shtetit Massachusetts, mbas një dimri të ashpër, që me vështirësi mbijetuan, mbas një vere të  bereqetëshme, që u begatuan dhe për këtë Zotin e falënderuan...

    Me 3 Tetor 1789, George Washington, Kryetari i parë i Shteteve të Bashkuara, me një vendim, të shkruar me dorën e tij, në New York, e caktoi për herë të parë Ditën e Falënderimeve si festë shtetërore e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

    Qysh në vitin 1863, Dita e Falënderimeve kremtohet në Amerikë të enjten e katërt të muajit Nëntor. Dikur kjo festë kremtohej me frymë fetare, si një Ditë Falënderimi ndaj Zotit, por në kohën moderne, prej një feste fetare, ku i  luteshin Zotit, e falënderonin, n’emër të Tij agjëronin,  u shdërruar në një feste tregëtare, shekullare...

     Siç transmeton “Zëri i Amerikës”, e enjte 27 Nëntor 2008,

amerikanët festojnë të enjten e fundit të nëntorit ditën e falenderimeve. Zakonisht kjo ditë festohet me një darkë të pasur për familjen dhe miqtë që fillon me një lutje. Tradita e festës së falenderimeve e ka origjinën nga festimet e të korrave dhe është festuar për herë të parë në Masaçusets.

Është historia e një dite të ftohtë në fund të vjeshtës në vitin 1621, kur rreth 50 kolonë anglezë të quajtur pelegrinë, që mezi i kishin shpëtuar dimrit të parë në Botën e Re ndërsa 50 të tjerë gjetën vdekjen, ftuan në darkën e tyre të të korrave indianët fqinjë. Kjo histori e bukur, e përpunuar gjatë brezave, sjellë ndjenja të ngrohta në një festë familjave të dashur. 

Por sipas kuratorëve në Plantacionin Plimoth, muzeu i ngritur në të njëjtin vend ku pelegrinët dhe indianët festuan të korrat më shumë se 300 vjetë më parë – historia e ditës së falenderimeve është e veshur me mite dhe ekzagjerime. Përshembull, ngjarja ka të ngjarë të ketë ndodhur në tetor kur është koha e të korrave të misrit. 

Kathleen Curtin,  historiane në Plantacionin Plimuth thotë se 90 indianë të Amerikë, nuk ka asnjë shifër për gra në mes tyre – festuan me pelegrinët për tre ditë. Pelegrinët ishin përfaqësues separatistë fetarë, të dalë nga sekti strikt i quajtur Puritanë, që portretizohen si të ftohtë, besimtarë, dhe jo të dhënë pas festimeve.

Ata ishin njerëz fetarë në një kohë shumë besimtarë. Megjithatë ata vinin gjithashtu nga Anglia kështu që pija dhe festimet ishin pjesë e jetës së tyre. Nuk ishin pa gëzim dhe lumturi në jetën e tyre. Në Plantacionin Plimuth, Linda Coombs është nëndrejtoreshë e muzeut. Ajo thotë se indianët shkuan për gjueti dhe vranë pesë drerë që i sollën për festimet. Por ndryshe nga legjenda ata nuk sollën kokoshka një lloj misri që nuk ka ekzistuar atëherë në Masaçusets.  

"I gjithë miti është se indianët mirëpritën anglezët në tokën e tyre, hëngrën gjel deti dhe jetuan të lumtur përgjithmonë dhe se ky ishte festimi i parë i ditës së falenderimeve që u pasua deri në ditët tonë. I gjithë koncepti që shtrohet pas kësaj historie është se indianët vendas e pranuan me kënaqësi kolonizimin. Dhe kjo nuk është e vërteta. Nuk ka qënë kështu atëherë dhe as tani."

Aleanca mes pelegrinëve dhe indianëve zgjati për 50 vjet para se të prishej e të fillonin luftimet…

     Muaji tetor 2010 kaloj dhe në „Kosovën moderne si akt i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore, ‘Darka e Lamës’, që  presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpalli festë shtetërore, që në vitin 2002, nuk u kremtua, as edhe si  „shenjë falënderimi për të mirat që na i ka dhuruar Zoti brenda një viti, përkatësisht si lutje sublime për të mirat që do të na dhurojë në motet e ardhshme...“

    Pra, në tetor të vitit 2010, “Darka e Lamës“ nuk u shtrue, nuk u kremtue, u harrue „Darka e Lamës“...!

   U harrue „Darka e Lamës“ nga ata që e bën Kosovën lamë...

Ata që e bën Kosovën lamë le të mendojnë, mos të harrojnë se “Darka e Lamës“  çfarë është: Bekim apo mallkim?

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme