
A. Origjina e financave islame
Para ardhjes së Pejgamberit a.s. shoqëria arabe ka qenë e ndarë në fise dhe secili fis është qeverisur dhe kontrolluar nga traditat e tyre fisnore. Me ardhjen e Islamit, ato fise janë unifikuar, ku arabët dhe jo-arabët janë bashkuar dhe qeverisur nga një qeveri dhe të gjithë kanë ndjekur një ligj - ligjin Islam. Unifikimi i ri i cili ka ndodhur e dërgoi atë shoqëri në transformim në dy aspekte:
a. aspekti i parë.- transformimi nga vlerat fisnore dhe nomade ne vlera universale (vlera islame) dhe
b. aspekti i dytë.- transformimi në vlera socio-ekonomike.
Këto fise u bashkuan dhe u vendosen në një vend pa bërë plane në një jetë nomade, atëherë kjo shtyu për zhvillimin e agrikulturës, industrisë dhe prodhimit pasi kërkesa për to filloi kur shoqëria filloi të urbanizohet. Me zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi filloi të zhvillohet edhe aspekti financiar, ku u paraqit nevoja për transaksione financiare.
Kur diskutohet për ‘bankimin Islam’ mund të mendohet për një sistem bankar i cili përmban të gjitha produktet moderne të bankimit dhe shërbimeve. Ky është një koncept i ri i bankimit dhe është një produkt i shoqërisë moderne, në krahasim me konceptin e vjetër, i cili është përdorur në ditët e hershme të Islamit. Prandaj, një model i hershëm i financave islame pat filluar në ditët e hershme të Islamit.
Gjatë jetës së Pejgamberit a.s. ka pasur bankiera dhe aktivitete bankare në funksion para se të ekzistojnë bankat islame. Shpallja e vërseteve Kur’anore që kanë folur rreth aktiviteteve ekonomike në përgjithësi dhe ndalimit të kamatës i kanë dhënë formën sferës ekonomike duke i përfshirë edhe aspektet e sistemit financiar. I
Pejgamberi a.s. ka qenë i njohur si një tregtar shumë i aftë, sepse ai ka pasur tregtinë si profesion qysh nga fëmijëria. Ai vet ka marr pjesë në ekspedita të karvanëve në udhëtime të gjata. Kur ka qenë vetëm 12 vjeç, xhaxhai i tij e kishte marrë me vete në Sham (takimi me priftin Behira), më vonë ai udhëtoi edhe në vende tjera me karvane të ndryshme për arsye tregtie. II. I Dërguari i Zotit ka kryer edhe një shërbim tjetër me karakter ekonomik për njerëzit. Shtëpia e tij ka shërbyer edhe si vend për ruajtjen e kursimeve të njerëzve tjerë deri në kohën kur ka emigruar prej Mekës në Medine. Pas emigrimit, personi i cili e ka zëvendësuar Pejgamberin a.s. në veprimin e kursimit ka qen Zubeir bin Al-Avam. Tregohet se në një kohë të caktuar, kursimet e të tjerëve te ai kanë arritur shumën në 2,200,000 dirhem. Kjo gjë tregon për besueshmërinë që ka ekzistuar ndërmjet njerëzve dhe për traditën ekonomike të asaj shoqërie, por edhe nevojën e një sistemi ku njerëzit mund të kursejnë dhe mund të investojnë, sepse ato kursime janë investuar në projekte të ndryshme ashtu siç do të diskutohet në vijim.
Pas shpërnguljes së Muhamedit a.s. nga Meka në Medine, një nga ngjarjet e rëndësishme të cilat kanë ndodhur ka qenë edhe themelimi i institucioneve ekonomike dhe financiare. Pejgamberi a.s. si një person i respektueshëm, i besueshëm dhe tregtar me përvojë, i cili pat vizituar vende të ndryshme për qëllime tregtie para pejgamberisë, dhe i cili i pat vuajtur efektet e embargos ekonomike të vendosur kundër tij nga paganët e Mekes, ka qenë shumë i vëmendshëm për rëndësinë e realitetit të pavarësisë socio-ekonomike, e cila shpie në pavarësi politike. III.
Në aspektin financiar, e themeloi Bejtul mal-in (shtëpinë e thesarit). Financimi i shtetit në atë kohë, në nivel qendror dhe atë lokal është bërë përmes Bejtul mal-it, duke pasur një të tillë në nivel qëndror, të vendosur në kryeqendër dhe ngjashëm me të edhe në degët tjera, në provinca të ndryshme për nivelin lokal. Ky vend thesari është mbikëqyrur dhe drejtuar nga një zyrtar, i cili është quajtur hazin al-mal, ndërsa ata të cilët ishin në nivel lokal janë quajtur hazin apo Amin. Ky person përveç aftësisë menaxhuese është dashur të jetë i njohur edhe për besnikëri. Këta persona kanë qenë të pavarur nga udhëheqësi i vendit dhe janë konsideruar nga mesi i elitës së popullit. IV.
Prej burimeve të Bejtul mal-it ishin Zekati, Sadakaja (lëmosha), Xhizja (taksa për kokë banori për jomyslimanët të cilët kanë jetuar në shtetin islam), haraxh (taksa për tokë), hums (një e pesta në prenë e luftës) dhe Fejj (të ardhurat nga tokat e shtetit).V. Këto fonde janë shpenzuar në dy kategori të shpenzimeve:
1. janë shpenzuar për çka është konsideruar përgjegjësi e shtetit p.sh. shpenzimet e ushtrisë dhe pagat e zyrtareve shtetëror.
2. ka përfshi financimet e aktiviteteve për të mirën e përgjithshme, siç janë: rregullimi i infrastrukturës rrugore, ujë sjellësi, dhe të ngjashme. VI.
Bajtul mal-i si një institucion shumë i rëndësishëm në aspektin financiar dhe përkrahës për popullatën në aspektin humanitar nuk është konsideruar vetëm pasuri e myslimanëve por edhe e jo-myslimanëve. Nga fondet e Bejtul mal-it qeveria ka qenë e obliguar për tu ndihmuar dhe përkrahur edhe dhimmijet (jo myslimanët brenda shtetit mysliman). Marrëveshja në mes Halid bin Velidit dhe popullit të Hiras ka qenë që të vjetrit nga dhimmijet do të lirohen nga pagesa e xhizjes dhe gjithashtu atyre do t’u ipet ndihmë financiare përderisa ata jetojnë në shtetin mysliman. VII
Një institucion tjetër me rëndësi të madhe që është themeluar në kohën e Pejgamberit a.s. menjëherë pas shpërnguljes, dhe i cili është shumë i njohur në civilizimin islam është institucioni i vakëfit. Ky institucion shumë i rëndësishëm është themeluar për të përkrahur mirëqenien shoqërore dhe ekziston në çdo vend mysliman edhe sot, por në disa vende nuk është funksional ashtu si duhet. Organizimi i fondeve te vakëfit dallon prej atyre të bejtul mal-it. Kur shokët e Pejgamberit a.s. kanë ofruar fonde në mënyrë vullnetare për mirëqenien e popullatës, Pejgamberi a.s. këto fonde i ka pranuar dhe i ka futur nën emrin e vakëfit. VIII Burimet e vakëfit kanë qenë kryesisht donacionet e jo detyrimet, siç ishte rasti me bejtul mal. Ky institucion është zhvilluar edhe më shumë në kohët e mëvonshme dhe sot në shtetet islame ky institucion kontrollon një shumë të madhe të fondeve dhe luan një rol shumë të rëndësishëm për përkrahjen e aktiviteteve dhe zhvillimit të komuniteteve myslimane.
Institucioni i parë zyrtar financiar në shoqërinë Islame është themeluar nga Omeri r.a. 10 vite pas vdekjes së Pejgamberit a.s. Ky institucion është quajtur ‘Divan’, është adaptuar nga Persianet. Pas zgjerimit të kufijve të shtetit Islam, posaçërisht pas fitores kundër dy perandorive të mëdha, bizantine dhe persiane, është bërë një përkrahje financiare për të gjithë të nevojshmit që kanë jetuar në shtetin islam. Me themelimin e këtij institucioni është bërë regjistrimi i gjithë popullsisë dhe gjendja e tyre materiale. Të gjithë ata që kanë pasur nevojë për ndihmë janë selektuar përmes këtij institucioni dhe disave iu është dhënë një pension i përhershëm dhe disave iu është dhënë ndihmë sipas nevojës.
Institucionet e Kreditit – Kreditimit në ditët e hershme të Islamit
Fjala kredit e ka burimin nga fjala latine ‘Credo’, që do të thotë besim në aftësinë e personit apo institucionit për të paguar. Instrumentet e kreditit-kreditimit janë çeqet, premtimet qeveritare, fletë transferet dhe të ngjashme. Instrumentet bazuar në konceptin e financimit në kredit kanë ekzistuar edhe në ditët e hershme të Islamit por me terminologji të ndryshme.
Praktika e këmbimit të valutave të ndryshme ka ekzistuar edhe në kohën e Pejgamberit a.s., termi i cili i referohet këtij transaksioni në gjuhën e Sheriatit quhet sarf. Fjala sarf rrjedhë nga fjala sajrafah, e cila daton që nga koha e babilonasve. Në ditët e hershme të Islamit filloi të ndihet nevoja për këmbim të dinarëve (prodhuar nga ari) në dirhem (prodhuar nga argjendi) dhe anasjelltas për ta ndihmuar tregtinë ndërkombëtare që vinte nga vendet e ndryshme. Pejgamberi a.s. i mësoi tregtarët e asaj kohe se është e lejuar të praktikojnë këtë lloj biznesi, por pagesa e njërës dhe tjetrës valutë duhet të bëhet menjëherë në dorë për të dy valutat, nuk lejohet që njëra të merret menjëherë e tjetra pas një kohe. Vlera e valutave mund të ndryshoj në çdo moment dhe si rezultat njëra prej palëve do të jetë në humbje. Humbja apo fitimi i njërës palë e bënë transaksionin në gjendje të pasigurisë, e cila kategorizohet në mejsir (bixhoz), dhe në anën tjetër përfshin riba (kamatë), të dyja të ndaluara sipas normave islame.
Në civilizimin islam në shekullin e parë hixhri ka qenë e njohur tregtia me përdorimin e letrave komerciale. Ata u jepnin ushtarëve dhe zyrtarëve qeveritar kupona, si zëvendësim për pagesë të cilat quheshin sakk. Termi ‘cheque’ (çek), i cili përdoret në bankimin e sotshëm e ka origjinën nga kjo fjalë arabe (sakk sh. sukuk) dhe konceptit të fjalës persiane suftaxhah që në origjinë ka kuptimin ‘para letre’ apo ‘letër krediti’.
Një tjetër term i cili ka përdorim të përafërt me suftaxha është termi hawalah, i cili rrjedh nga gjuha arabe (al-tahawwul apo al-tahwil), që do të thotë “transferim” apo “ndërrim i lokacionit” nga një person në tjetrin apo nga një institucion në tjetrin. Është një marrëveshje me të cilën borxhliu lirohet nga borxhi duke marrë përsipër dikush tjetër borxhin e tij. Gjithashtu i mundëson një personi të bëjë pagesa në një vend tjetër përmes agjentit. Kontrata e hawalah nuk ka qenë e njohur para ardhjes së Muhamedit a.s. Kjo iu ka ndihmuar tregtarëve të transferojnë paratë nga një vend në tjetrin pa i lëvizur paratë e gatshme. Për shkak të vështirësive kur ata udhëtonin me anë të detit apo shkretëtirës, dhe duke ditur edhe rrezikun e udhëtimit me para të gatshme me vete, ata iniciuan përdorimin e asaj që sot njihet si çek (cheque) në transferet e tyre dhe mënyrat tjera të pagesës. Personi që ka lëshuar çekun e parë ka qenë Sayf Davlah al-Hamdani që ka arritur vlerën 42 mijë dinar dhe kjo ka ndodhë në vitin 970. VIII.
Një institucion tjetër i rëndësishëm i kësaj natyre është edhe përdorimi i xhahbadh, i cili si terminologji është marre nga fjala persiane kahbadh që kishte kuptimin, këmbimore parash (Money-changer), bankier, apo mbledhës taksash. Kjo ka filluar të përdoret që nga koha e emevitëve në kohën e Muavijes. Më vonë në kohën e abasidëve është zhvilluar edhe më shumë dhe aktivitet brenda këtij instituti janë intensifikuar dhe kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm si mbledhës taksash dhe llogaritje në disa provinca. Obligim i këtij institucioni ka qenë të dijë edhe vlerën e valutave të ndryshme dhe të bëj ndërrimin e tyre në mënyre sa më efikase.
Tregtia ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik te perandoritë e ndryshme myslimane që nga fillimi i zhvillimit të shtetit mysliman. Me kalimin e kohës dhe me zgjerimin e kufijve të shtetit mysliman tregtia dhe mjetet e tregtisë gjithmonë kanë qenë në zhvillim në mënyrë që t’i përgjigjen nevojës së kohës. Kanë ekzistuar grupe dhe kategori të ndryshme të tregtarëve, janë ndarë në grupe dhe nivele të ndryshme, grupe të cilat janë marrë vetëm me tregti ndërkombëtare, import – eksport, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë. Krahas këtyre grupeve tregtare në treg ka pasur edhe agjentë të ndryshëm, të cilët janë marrë me ndërmjetësime. Në vazhdimësi janë formuar grupe tjera, të cilat kanë formuar shoqëri aksionare për të ndërmarrë projekte kolosale si në tregti ashtu edhe në investime të ndryshme. Këto kompani më vonë janë zgjeruar duke hapur degë në tërë territorin dhe i kanë ngjarë shoqërive aksionare të përbashkëta dhe të kufizuara.
*Ky artikull do të pasohet me një tjetër, i cili ka të bëjë me historikun dhe zhvillimin e bankimit islam në kohën moderne.
---------------------------------------------
I. Abraham L. Udovitch, “Bankers Without Banks: Commerce Banking, and Society in the Islamic World of the Middle Ages”, Program in Near Eastern Studies No. 30, Princeton: Princeton University. Faqe 255-257.
II Joseph De Somogyi, “Trade in the Qur’an and Hadith”, The Muslim World, Vol. 52, No. 2, faqe 110
III Cengiz Kallek, “Socio-Politico-Economic Sovereignity and the Market of Medina”. The Muslim World, Vol.52, No.2, 1995. faqe 110.
IV. S.M. Imam-ud-din, A Historical background of Modern Islamic Banking: The World of Islam Today, (New Delhi: Indian Institute of Applied Political Research, 1990) faqe 249-249.
V. Ugi Suharto, Kitab al-Amwal: Abu Ubayd’s Concept of Public Finance, (Kuala Lumpur: ISTAC, 2005) faqe 75-80.
VI. Sudin Haron and Bala Shanmugam, Islamic Banking System – Concepts and Applications, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1997) faqe 2-3.
VII. Imam-ud-din (1990), faqe 249.
VIII. Sami H. Hamoud, “Concept and Operation of Islamic Banks” Brenda librit, Islamic Financial Institutions, edituar nga Fahim Khan, (Jeddah: IRTI, 1995) faqe 36-37