SHQIPTARËT MUSLIMANË DHE POLITIKA: PËRDORUES APO TË PËRDORUR

Politika - çështje shumë serioze për tu lënë në dorë të politikanëve

 

Kur Sharl de Goli i madh në një rast pati thënë “Kam ardhur në përfundim se politika është një çështje shumë serioze për tu lënë në dorë të politikanëve” ai ishte shumë i bindur në rëndësinë thelbësore që ka politika në çdo pore të jetës së përditshme të qytetarëve dhe e dinte mjaft mirë faktin se injorimi apo nënvlerësimi i ndikimit të saj sjell po aq pasoja të këqija në jetën e shoqërisë. Ai kishte shumë të drejtë! Duke qenë se politika dirigjon edhe hapin më të vogël në jetën e individit dhe shoqërisë është marrëzi dhe mallkim për gjeneratat e ardhshme shkujdesja e cila e karakterizon sot trupin e myslimanëve shqiptarë në të gjitha shtetet ku ata jetojnë.

Gjatë gati njëzet viteve të demokracive të tipit perëndimor në të cilat jetojnë shqiptarët, e vetmja veçori që e karakterizon veprimtarinë e myslimanëve në këto sisteme është apatia e thellë dhe pa ndonjë shenjë përmirësimi. Edhe pse myslimanët në Shqipëri e përbëjnë shumicën fetare në vend ata në vazhdimësi janë përballur me ndalesa për ndërtim të xhamive apo të kthimit të pronave në kohën kur dy komuniteteve të tjera pakicë e bile edhe bashkësive të reja fetare me numër të parëndësishëm të ithtarëve u janë bërë favore marramendëse në këtë drejtim. Absurdi i reagimit të trupit votues mysliman  në këtë vend ka parë hopet më banale që mund të jenë imagjinuar ndonjëherë duke shërbyer kështu si anekdota të trishta të realitetit të hidhur që shkojnë edhe deri në atë masë që një myfti të kandidohet për një parti me orientim pro-kristian dhe aspak simpatik për myslimanët vendas.

Në rastin e Kosovës shqiptarët myslimanët jo vetëm që e kanë humbur përjetësisht shansin që të ushtrojnë ndikim në ngjarjet politike dhe sociale në vend në kohën e rënies së komunizmit në fillim të viteve të nëntëdhjeta por edhe janë treguar babaxhanë kronikë gjatë tërë periudhës në vazhdim duke lejuar që edhe ato kontribute që i kanë bërë jashtë sistemit tu harrohen dhe tu zhvleftësohen në mënyrë të paskrupullt. Të mos harrohet fakti se konsolidimi i zërit të myslimanëve boshnjakë në Bosnje është arritur nëpërmjet përdorimit të mençur të shanseve që nuk kanë qenë aspak më të favorshme se ato ekzistueset për myslimanët shqiptarë gjithandej shteteve të ish Jugosllavisë. Edhe ata pak intelektualë myslimanë që kanë vepruar në parti të caktuara qoftë para ose pas luftës në Kosovë, pak nga pak janë larguar tërësisht nga politika në vend që të bënim qoftë edhe përpjekjen më të vogël për të ushtruar ndikimin e tyre brenda partive ekzistuese në të mirë të shoqërisë kosovare në tërësi dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve myslimanë në veçanti. Në një mjedis të tillë me shqiptarët myslimanë është luajtur si mos më keq. Juridikisht Bashkësia Islame e Kosovës është vënë në rang të njëjtë me kulte si Hare Krishna apo Kisha e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që në Kosovë numërojnë nga dy tre besimtarë, pa asnjë të drejtë të asistencës financiare apo ligjore nga shoqëria për ti kënaqur të drejtat fetare të popullatës shumicë në vend. Mësim-besimit fetar në shkollat publike, që është i pranishëm në të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë, i është vënë nga partitë politike ekzistuese në Kosovë një barrierë e madhe përpara dhe në këtë mënyrë është asistuar dhe përshpejtuar politika e deislamizimit të shqiptarëve. Të drejtat elementare të kodit të veshjes janë dhunuar në vazhdimësi gjatë viteve për nxënëset dhe punëtoret myslimanë në vend. Jo vetëm që është keqpërdorur edukimi kombëtar në dëm të vetëdijes myslimane dhe në favor të kristianizimit të shqiptarëve duke rrënuar shkolla për të ndërtuar katedrale politike pa besimtarë, por myslimanëve në kryeqendër nuk u është lejuar as të ndërtojnë një xhami qendrore në kohën kur besimtarët falen në borë e në shi jashtë xhamive në mungesë të hapësirës. Madje me besimtarët myslimanë shqiptarë është luajtur në mënyrën më të poshtër duke ua marrë lejen e ndërtimit të qendrës kulturore Islame në periferi të Prishtinës në kohën kur ajo është dhënë dhe gjithçka ka qenë ligjërisht në rregull dhe gati për të filluar. Pa përmendur këtu fushatën e sinkronizuar dhe të planifikuar kundër Islamit të shqiptarëve nëpër media, institucione arsimore dhe segmente të caktuara sociale.

Dhe si ka qenë reagimi i shqiptarëve myslimanë në të gjitha këto raste? Në fakt nuk ka pasur as edhe një reagim të vetëm të organizuar përveç vajtimit të larë me lot krokodili dhe të përzier me retorikë bombastike boshe nga udhëheqësit fetarë dhe intelektualët myslimanë.

 

 

“Zyrtarët e këqij zgjidhen nga qytetarët e mirë që nuk votojnë” (G. J. Nathan)

 

Të drejtat e shkelura të myslimanëve shqiptarë nga politika nuk janë anësorë që mund të presin zgjedhjen e statusit ose kohëra më të mira por janë elementare, thelbësore dhe imediate nëse duam vazhdimin e pranisë së identitetit fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në këto troje. Është koha e fundit që këto të drejta të artikulohen nga vetë myslimanët dhe me to të luhet në kartën e politikës në vend që ato t’ua lëmë për tu zbavitur me to politikanëve të cilët të njëjtat i përdorin si xhokerë fitimi sa herë dhe kurdoherë që të kenë nevojë për to. Është e kotë që të vajtojmë për shpërfilljen e identitetit islam të shqiptarëve nëpërmjet shtypjes së veçorive që e krijuan dhe e mbajtën gjallë kombin përderisa vetë i kemi votuar politikanët që po i dhunojnë ato ose në rastin më pak të keq vetë u kemi dhënë shans të mbijnë politikave të tilla duke mos votuar apo duke e injoruar sistemin.

Në anën tjetër është shumë i qartë ndikimi që mund të ketë trupi votues i myslimanëve shqiptarë, sidomos në Kosovë, dhe kjo po shihet më së miri gjatë fushatës së zgjedhjeve të këtij viti në vend. Partitë e caktuara kanë deleguar anëtarë të rangut të lartë për të marrë pjesë në faljen e namazit të Bajramit bie fjala, ose kanë angazhuar kandidatë për zgjedhje nga radhët e parisë fetare dhe intelektualëve myslimanë në mënyrë që të tërhiqen segmente të caktuara të shqiptarëve myslimanë drejt partive të tyre. Më shumë se kurdoherë politika kosovare e ka parë fuqinë potenciale të trupit votues mysliman shqiptar por si duket edhe kësaj radhe këtë fuqi kanë dështuar ta shohin vetë udhëheqësit dhe intelektualët e këtij trupi. Naiviteti në planifikimin afatgjatë të politikave vepruese i ka parcializuar skajshmërisht shqiptarët myslimanë duke e zbehur ndikimin që mund të kenë ata nëse votojnë në mënyrë kompakte e edhe duke i shtypur kështu kërkesat legjitime për avancim të të drejtave të shkelura në dobi të interesave personale dhe partiake.

Ideja gjerësisht e pranishme midis një numri të madh të shqiptarëve myslimanë se abstenimi nga politika është zgjedhje më e mirë karshi votimit të politikanëve të këqij është vetëm sipërfaqësisht e drejtë ndërsa në thelb është strumbullari i krejt problemit. Nëpërmjet kësaj edhe e kemi nënvlerësuar potencialin vetjak e edhe i kemi dhënë shans vazhdimit të politikave diskriminuese. Udhëheqësit fetarë të myslimanëve shqiptarë nuk duhet të kenë frikë nga preferencat publike politike sepse kjo nuk është për interesa thjeshtë politike për është kartë e fuqishme e ndëshkim/shpërblimit për politikanët që dhunojnë/favorizojnë kërkesat legjitime të popullatës shumicë.

Meqenëse në horizont nuk ka shenja të duket një trasim i tillë i rrugës nga të parët tanë atëherë edhe kësaj radhe shqiptarit mysliman si individ i ngelet barra që personalisht para se të dalë para kutisë së votimit dhe para se të fajësojë të tjerët për ngulfatjen e identitetit të tij t’ia bëjë vetes paraprakisht këto pyetje:

  • Cila parti ka lobuar me vite e dekada të tëra kundër identitetit fetar të myslimanit shqiptar?
  • Cila parti haptas e ka privuar shqiptarin mysliman nga të drejtat themelore siç janë veshja modeste dhe ndërtimi i xhamive me pretekstin se të tillat e pengojnë përparimin kombëtar kur dihet qartë se mu të tillat gjatë historisë i kanë dhënë formë shqiptarizmit në mënyrën më direkte?
  • Cila parti ka propaganduar haptas kthim në ‘rrënjët kristiane’ në dëm të qenësisë myslimane të shqiptarit?
  • Cila parti qoftë formalisht ka treguar gatishmëri për të respektuar myslimanin shqiptar si të tillë pa falsifikime të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhme?

Ne e dimë të gjithë, siç pati thënë në një rast Nikita Hrushqov, se politikanët janë të aftë të premtojnë ndërtim urash edhe kur nuk ka lumenj gjëkundi, mirëpo është rasti i fundi që shqiptari mysliman të vetëdijesohet dhe ta dijë se kur ekzistojnë lumenjtë dhe detet duhet të jetë vetë ai arkitekt i urave dhe rrugëve mbi të cilat ai do të shkelë. U bëftë kështu!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme