Turqia, si në kohet e perandorisë

Sot, është fantastike të jesh Turqia. Ekonomia, pothuajse e paprekur nga recesioni global, u rrit me 11.7% në tremujorin e parë të këtij viti dhe 10.3 përqind në të dytin. Si një perandori osmane e rilindur, Turqia ka mbështetur krijimin e një zone pa viza me Sirinë, Jordaninë dhe Libanin, dhe po shkon drejt krijimit të një zone të tregtisë së lirë. Dhe Turqia është një forcë jo vetëm në fqinjësinë e vet, por edhe në botë.

Është presidentja e radhës e Këshillit të Europës, një vëzhguese e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe një mike e re e ASEAN dhe Mercosur. Dhe e gjithë bota po troket në derën e saj: Kur isha në Ankara këtë javë, aty ndodhej ministri i Jashtëm sudanez; francezët, austriakët dhe polakët sapo e kishin vizituar.

Politikanë të lartë irakenë po bënin pelegrinazhë të rregullt. Turqia është shndërruar në një eksportues të shërbimeve diplomatikë. "Për herë të parë", thotë Selim Yenel, nënsekretari i marrëdhënieve me jashtë dhe përgjegjës për marrëdhëniet me Uashingtonin, "ata po kërkojnë këshillën tonë".

Ashtu si fuqitë e tjera Brazili dhe Afrika e Jugut, Turqia ka qenë dikur një shtet i krahut të djathtë që Perëndimi mund ta fuste lehtë në xhep gjatë Luftës së Ftohtë. Dhe ashtu si këto vende, turqit kanë tashmë vetëbesimin për të ndjerë se nuk kanë më nevojë t'i përkasin dikujt.

Shtete të tillë janë tashmë një forcë në vetvete, siç e demonstruan Turqia dhe Brazili kur firmosën një marrëveshje me Iranin në maj për të siguruar që Teherani nuk do të prodhonte lëndë të parë bërthamore në gjendje për të prodhuar armë. Është intrigues fakti që Turqia, Brazili dhe Nigeria kanë aktualisht një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe Afrika e Jugut si dhe India do ta kenë vitin tjetër - një ide kjo e një bote policentrike, post hegjemonike.

Turqia, si në kohet e perandorisë

Por diplomatikisht, Turqia ka më shumë rëndësi se të tjerët. Mes tyre, vetëm Turqia është në shumicë myslimane dhe me vendndodhje në Lindjen e Mesme, me një distancë të vogël nga pothuajse çdo zonë krize e planetit. Dhe si rrjedhim, ka më shumë rëndësi fakti se çfarë lloj force do të jetë Turqia.

Diplomatët turq, të vetëdijshëm se sytë e gjithë botës janë mbi ta, nxitojnë të japin garanci se janë një ndikim liberal, laik dhe mbi të gjitha i përgjegjshëm në fqinjësinë e vet dhe përtej.

Pikëpyetja ngrihet, sigurisht, për shkak të ngjarjeve të pranverës që kaloi, kur Turqia ofroi dhuratën e padëshiruar të marrëveshjes me Iranin dhe votoi kundër një rezolute të OKB të iniciuar nga SHBA për të vendosur sanksione kundër Iranit - dhe më pas shpërtheu në zemërim kur komando izraelite, të vendosur për të ndalur një anije që udhëtonte nga Turqia për në Gaza, vranë tetë nënshtetas turq gjatë një operacioni që shkoi si mos më keq. Pikërisht aksidenti i kohës krijoi përshtypjen toksike se Turqia e shihte Iranin si mik dhe Izraelin si armik.

Politika turke e "zero probleme me fqinjët" dukej sikur nënkuptonte që ishte e përgatitur të armiqësonte miqtë e dikurshëm në perëndim, me qëllim që të zbuste shtetet pranë vetes, duke përfshirë edhe ata më të këqinjtë mes tyre. Thomas Friedman i "The New York Times", shkruante se Turqia duket se ka qëllim të bashkohet "me frontin Hamas-Hezbollah-Iran kundër Izraelit".

Mendoj se është e tepruar. Për Izraelin, pothuajse të gjithë ata me të cilët kam folur këtu, përfshirë edhe kritikët e partisë në pushtet, më thanë se opinioni publik ishte kaq shumë i zemëruar nga ngjarja, saqë asnjë qeveri nuk do të kish qenë në gjendje të ruante legjitimitetin e vet në popull pa kërkuar një falje. Turqia po pret ende për atë kërkesë falje.

Sa për Iranin, është e qartë se ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu dhe ekipi i tij besonin vërtetë se Perëndimi do të mirëpriste marrëveshjen që arritën, sipas të cilës Irani do të pranonte të transferonte 1200 kg uranium jashtë vendit, për t'u pasuruar për qëllime civile.

Megjithatë, zyrtarë turq pranojnë se kanë vënë në rrezik identitetin e tyre të ri dhe kanë goxha punë riparuese për të bërë. "Duhet të gjejmë diçka të re", më tha Yenel. Ndoshta Turqia mund të bindë Hamasin që të lirojë Gilad Shalit, ushtarin e rrëmbyer izraelit.

Është karikaturë të thuash se Turqia ka zgjedhur Lindjen e Mesme, apo Islamin, përpara Perëndimit. Aspirata e Turqisë për anëtarësim të plotë në klubin e Perëndimit, përfshirë edhe BE, është ende një forcë shtytëse. Por, Turqia aspiron shumë gjëra dhe disa prej tyre bien ndesh me njëra-tjetrën.

Vendi dëshiron të jetë fuqi rajonale në një rajon thellësisht dyshues ndaj Perëndimit, Izraelit dhe SHBA; një fuqi sunite që shërben si interlokutor për sunitët në Liban, Irak etj; një anëtar themelues i grupit të ri të fuqive në rritje përreth botës; dhe një aleat i Perëndimit. Kur Turqia detyrohet të zgjedhë mes këtyre roleve, prirja është që të fitojë fqinjësia dhe pikërisht kjo është koha kur votohet kundër sanksiponeve ndaj Iranit.

Në samitin e kësaj jave të NATO në Bruksel, Davutoglu ka shprehur skepticizëm për sistemin e mbrojtjes raketore, për arsye se një sistem i tillë do të shënjestronte vende si Irani apo Siria, që Turqia refuzon t'i kategorizojë si rreziqe.

Zyrtarët turq këmbëngulin se mbështesin vlerat universale që nxisin diskutimet publikë, në mos politikën e nevojshme në perëndim. Por ata duket se u japin vëllezërve myslimanë një goxha tolerancë për të drejtat e njeriut. Eshtë e famshme deklarata shfajësuese e Erdoganit për presidentin sudanez al-Bashir kur tha se, "një mysliman nuk mund të kryejë asnjëherë genocid".

Erdogan përgëzoi gjithashtu publikisht presidentin iranian Mahmoud Ahmadinexhad për fitoren e tij në zgjedhjet e 2009, që nga shumë të tjerë u dënuan si të manipuluara. Diplomatët turq thonë se privatisht përdorin gjuhë të ashpër.

Që nga koha e Ataturkut, Turqia është përkushtuar për vokacionin e saj europian. Por Ataturku ishte një modernizues, jo një liberal; një prej sloganëve të tij ishte: "Për popullin, pavarësisht popullit". Dhe nëse Laicizmi Qemalist nuk ishte një formulë për një individualizëm liberal të llojit europian, s'është aspak e qartë nëse restaurimi islamik i orientuar nga tregu është e tillë. Demookracia turke nuk është ende e konsoliduar, siç thonë politologët.

Turqia është një histori suksesi që Perëndimi ka çdo arsye ta mirëpresë. Imazhi i moderimit dhe kozmopolitanizmit tolerant që u ofron audiencave të Lindjes së Mesme kontribuon jo vetëm për forcën e vetë Turqisë, por edhe për paqen dhe sigurinë globale.

Por Turqia nuk është e kënaqur me të qenit thjeshtë ylli më i shndritshëm në fqinjësinë e saj; ajo do një rol në skenën botërore. Dhe kjo ambicie mund ta detyrojë Turqinë të gjejë një ekuilibër të ri mes identiteteve të saj konkurrues.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme