Pas shkapërderdhjes së ish-Bashkimit Sovjetik, në kohën e ish-presidentit turk, Turgut Uzal lindi ideja e bashkimit të këtyre vendeve nën ombrellën e të ashtuquajturës Euro-Azisë. Vlen të theksohet se ky asociacion me këtë emër, që nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit që lamë pas, vepron në kuadër të Bashkësive fetare islame të vendeve të Azisë dhe Ballkanit, nën udhëheqjen e Dijanetit të Turqisë.
Mirëpo, konkurrenca e fuqishme rajonale dhe ndërkombëtare në atë pjesë strategjike të botës, si dhe politikat gabuara të disa qeverive turke, bënë që Ankara këtë prioritet të saj ta lë për ditë më të mira. Atëherë kur do të bëjë përpjekje për bashkimin e republikave turke, të cilat sot përbëjnë një sipërfaqe prej 11 milion km2, një popullatë prej 250 milionë banorëve dhe pasuri të madhe, e cila mund të llogariten me miliarda dollarë.
Takimi i nivelit më të lartë që në fillim të këtij muaji u mbajt në Stamboll, ku morën pjesë, përveç Turqisë si nikoqire edhe 4 shtete tjera të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik, munguan Uzbekistani dhe Taxhikistani, është vazhdimësi nëntë takimeve të nivelit më të lartë që janë mbajtur gjatë viteve 1992-2010, në shumicën prej të cilave Turqia ishte nikoqire. Të gjitha këto takime mbahen në kuadër të shprehjes së vullnetit të miliona turqve që jetojnë në mes Azisë së Mesme, Kaukazit dhe Ballkanit nën moton: “ëndrra për stabilitet, paqe dhe mirëqenie nëpërmjet gjuhës për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve”, ashtu siç pohoi edhe presidenti turk në fjalën hyrëse të tij.
Në të njëjtën kohë kjo është një përpjekje për pengimin e depërtimit të fuqive të mëdha, siç është SHBA-ja dhe Kina si dhe fuqive rajonale, siç janë: Irani dhe Izraeli. Me këtë dëshirohet të bashkohet bota turke nën moton: “Strategjia intensive”, projekt i kahershëm i Ahmet Davud Oglus, për të cilin bënë fjalë në detaje në librin e tij me të njëjtin titull.
Takimi i nivelit më të lartë në Stamboll, vendosi themelet e Këshillit për Bashkëpunim të vendeve që flasin turqisht, formoi Sekretariatin e Përgjithshëm të nivelit më të lartë si dhe ndau rolet e të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Konferenca vendosi që data 3 tetor për çdo vit të shpallet “ditë e gjuhës turke”, si dhe shpalli projektin për formimin e alfabetit të përbashkët turk, fjalorëve të përbashkët si dhe zgjerimin bashkëpunimit kulturor e shkencor të Republikave turke, të cilat dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit njëzet.
Pas konferencës së nivelit më të lartë të Stambollit, pyetjet që mund të shtrohen janë këto: A është kjo një nismë e re për formimin e një konfederate të Republikave të Azisë së Mesme nën udhëheqjen e Turqisë? Apo ky mund të jetë një projekt i përbashkët ekonomik? A po mund të jetë vetëm një projekt bashkëpunimi gjuhësor- kulturor me qëllim të shpëtimit të gjuhës turke? Apo mund të jetë hap i parë në drejtim të idesë së bashkimit të katër deteve, shteteve dhe popujve të tyre që të jetë përgjigje rajonale në projektin e Lindja e Madhe e Mesme, të lansuar nga ish-presidenti amerikan Bushi i riu?
Presidenti turk, Abdulla Gul, në takimin e nivelit më të lartë të Stambollit tha: “Ne jemi 6 shtete, por ne jemi një popull”. A do të bëhet realitet kjo ëndërr e qeverisë së Tajib Rexhep Erdoganit mbetet të shihet në vitet që do të pasojnë?!
Në të njëjtën kohë shembulli i përpjekjeve të Turqisë duhet të jetë një mësim edhe për ne shqiptarët, që bashkimi i ynë kombëtar nuk ka alternativë.