
Imami, për të cilin flet ky tekst, është lindur në ditën e hënë pas namazit të iqindisë më 8 rexheb 511 h., në Merginan, i cili shtrihet në territorin e Ferganit. Origjina e tij lidhet deri te Ebu Bekr Es-Siddiku. Mësoi para dijetarëve të cilët në kohën e tij ishin eminentë. Ndër ta dallohen: Nexhmudin Ebu Hafs Umer En-Nesefi, autori i Akaidit të njohur, pastaj Sadrushehid Husamudin Omer ibn Abdulaziz, Dijauddin Muhamed ibn Husejn, nxënësi i autorit të veprës Tuhfah, Uthman ibn Ali, nxënësi i Shemsuleimmeti Serahsiut, si dhe Ahmed ibn Abdurreshid Buhari, babai i autorit të veprës Hulasatu-l-Fetava.
Përpara Imam Merginanit, ndër të tjerë, kanë mësuar tre djemtë e tij, pastaj Shemsuleimmeti El-Kuduri dhe Muhammed ibn Husejn, babai i autorit të veprës El-Fusul, si dhe shumë të tjerë.
Merginani i takon gjeneratës së pestë të dijetarëve në medhheb, siç e shënon këtë Muhamed Emin Ibn Abidin në veprën e tij Resmu-l-Mufti. Ka shkruar vepra të shumta, kurse numri më i madh i tyre është nga shkenca e fikhut. Ndër to janë Mexhmeu-l-Nevazil, Nesru-l-medhheb, Texhnisu-l-mezid, Menasiku-l-haxh, El-Munteka Bidajetu-l-mubtedi, Kifajetu-l-munteha, Kitabu-l-faraid dhe libri për të cilin bëhet fjalë El-Hidaje. Imam Lekneviu shënon se Imam Merginani në ahiret është shpërngulur në mbrëmjen e së martës më 14 dhulhixhxhe 593 h., dhe se është varrosur në Samarkand.
El-Hidaje për shumë çka është një vepër e vlefshme dhe e veçantë. Mund të thuhet se historia e kësaj vepre është e gjatë sa edhe historia e medhhebit hanefi dhe aktiviteti i cili do të zhvillohej përreth kësaj vepre në një masë të madhe pasqyron zhvillimin e saj. El-Hidaje gëzon famën e një libri ligjërues më të madh dhe më të gjerë në historinë e Islamit. Autorë të caktuar theksojnë se kjo vepër paraqet kthesë në mënyrën e të shkruarit të veprave fikhore, kështu që të gjitha veprat e mëvonshme do të shkruhen sipas modelit të kësaj vepre. El-Hidaje paraqet komentin e veprës së shkurtër e cila emërohet Bidajetu-l-mubtedi, të shkruar nga i njëjti autor për nevoja të mësimit përmendsh. Në bazë teksti i veprës Bidajetu-l-mubtedi paraqet lidhjen e Muhtesarit të Kuduriut dhe të veprës Xhamiu-s-Sagir të Imam Muhamed Esh-Shejbanit. Vetë imam Merginani tregon shkakun e shkrimit të kësaj vepre, e thotë: “Kam dashur të shkruaj një vepër nga lënda e fikhut me përmbajtje të pasur, e me vëllim të vogël. Kam vërejtur se Muhtesari i Kuduriut është libër gjithëpërfshirës dhe i përmbledhur në mënyrën më të bukur. Po ashtu, kam vërejtur se dijetarët e kohës sime i motivojnë të rinjtë dhe të moshuarit që Xhamiu-s-Sagirin të Imam Muhammed Esh-Shejbaniut ta mësojnë përmendsh, kështu që më lindi dëshira që t’i tubojë dhe në veprën time të mos dal nga kuadri i këtyre dy veprave, përveç se në rast nevoje. Librin tim e emërova Bidajetu-l-mubtedi (Fillimi i fillestarit) dhe në të kam zgjedhur renditjen e kapitujve sipas veprës Xhamiu-s-Sagir të Imam Muhamed Esh-Shejbanit, duke kërkuar kështu bekimin e Allahut.
Merginani fillimisht këtë vepër e komentoi në një libër vëllimor, i cili përbehej prej 80 vëllimeve dhe e emëroi Kifajetu-l-munteha, pastaj këtë vepër e shkurtoi në katër vëllime dhe e emëroi El-Hidaje. Vepra është e botuar thjesht në dy vëllime të mëdha. El-Hidaje përbëhet prej 57 kitabëve – librave, titujt e të cilave pasqyrojnë tematikën me të cilën merret e drejta islame. Teksti i Bidajetu-l-mubtedi është i interpoluar (përshtatur) në tekstin e El-Hidajes, që e bënë librin të shkruar në mënyrë të përshtatshme për dallim nga komentet të shkruara në margjina.
El-Hidaje ngërthen përbërjen e zgjedhur të shkencave tradicionale dhe ato logjike. Transmetohet se imam Merginani këtë vepër e ka shkruar përgjatë 13 viteve të plota dhe se gjithë këtë kohë e ka kaluar duke agjëruar agjërim nafile (vullnetar). U orvat që këtë askush të mos e vërej, kështu që me uratën, libri i tij u pranua gjerësisht në mesin e dijetarëve. Vargjet vijuese tregojnë qartë për famën e El-Hidajes:
“Me të vërtetë Hidaja i ngjanë Kur’anit, sepse i shfuqizoi veprat juridike të shkruara më parë.”
“Mbaji mend rregullat e saj dhe shtigjeve të saja shko, fjalimi yt do të jetë i pastër nga gabimet dhe gënjeshtrat.”
Imam Lekneviu përmend se “kur shërbëtori ia sillte ushqimin imam Merginanit ky i thoshte që ta lenë dhe të shkoj, e ky pasi shkonte imami ushqimin ia jepte ndonjërit prej nxënësve të tij, kështu që shërbëtori enën e gjente të zbrazët duke menduar se atë e ka hëngër Imami.”
Komentet që janë bërë mbi këtë libër kalojnë mbi dhjetë sosh. Shumicën prej tyre e ka përmendur Katib Çelebiu në Keshfu-dh-Dhunun, 2/ 2032-2035. Ndër më të rëndësishmet gjithsesi janë: Fet’hu-l-kadir i Imam Kemal ibn Humamit dhe El-Binaje e Imam Bedrudin Ajniut, autori i njërit ndër komentet më të mira nëse jo edhe më i miri i Sahihut të Buhariut me titullin Umdetu-l-kari. Gjithashtu ekzistojnë vepra të shumta në të cilat shënohen hadithet e shfrytëzuara në këtë vepër dhe vlerësimet e tyre, si dhe hadithet të cilat përkrahin qëndrimet e nxjerra në vepër dhe hadithet në të cilat mbështeten ata që nuk mendojnë njëjtë. Është me rëndësi të theksohet vepra e Abdulkadir Muhammed Kureshiut “El-Inaje bi ma’rifeti ehadithi-l-hidaje”, pastaj vepra “El-Kifaje fi ma’rifeti ehadithi-l-hidaje”, mirëpo më e dobishmja dhe më e mira është padyshim vepra e Hafidh Xhemaluddin Zejleiut “Nasbu-r-raj’i”, të cilën e ka shkurtuar Hafidh ibn Haxheri dhe e ka emëruar “El-Diraje fi tahrixhi ehadithi-l-hidaje”.
Imam Kasim ibn Katlubeg ka shkruar shtojcën e veprës së Zejleiut nën titullin: Munjetu-l-elmei fi ma fate ez-Zejlei. Vepra e Zejleiut “Nasbu-r-raj’i”, është e pashmangshme për të gjithë ata që dëshirojnë t’i dinë hadithet e karakterit juridik në të cilat mbështetet medhhebi hanefi, por edhe medhhebet e tjerë.
El-Hidaje i ka edhe karakteristikat e veta të caktuara të terminologjisë, kështu që fjalët: “Thotë, radijallahu anhu”, nënkuptojnë fjalët e autorit. Ebu Suudi thekson se autori qëndrimin e tij e ka dalluar me fjalët: “Thotë robi i përulur”, mirëpo nxënësit e tij këtë e kanë ndryshuar pas vdekjes së tij në “thotë radijallahu anhu”. Pastaj shprehja “Methajihuna” i nënkupton dijetarët e territorit të Ma’verae-l-Nehar (Transokcianisë).
Qëndrimi i zgjedhur i medh’hebit shënohet si mendim i fundit për ndonjë çështje të caktuar përkundër praktikës së Kadihanit i cili qëndrimin e zgjedhur e shënon si të parë në veprën Hanije. Kur përmendet Baza-Asl mendohet për veprën El-Mebsut të Imam Muhammedit, Muhtesar nënkupton veprën e Kuduriut, kurse Kitab nënkupton Xhamiu-s-Sagirin.
El-Hidaje është botuar shumë herë. Në gjuhën angleze, bashkë me komentet, u përkthye dhe u botua më 1791. Pastaj në gjuhën arabe në Bombaj më 1279 h., bashkë me veprën El-Vekija. Në Kalkut u botua më 1807, kurse në Kazan më 1888. Në Leknev u botua më 1874, ku më pas vijuan botimet e shumta në tërë botën.
Në trojet tona El-Hidaje ka shërbyer si libër shkollor në kuadër të sistemit arsimor osman. Në kursin e lartë të medresesë Gazi Husrev-beg (madje jo vetëm në këtë medrese, por edhe në të gjitha medresetë e tjera që kanë ekzistuar në kuadër të shumë dinastive, kjo vepër ka qenë bazë për mësimin e jurisprudencës dhe qëndrimeve të medh’hebit hanefi. M.A.), e ashtuquajtura Aliji El-Hidaje dhe komenti i saj Fet’hu-l-kadir, kanë shërbyer si libra shkollorë të obligueshëm.
_________________
Përktheu:
Mehas Alija
http://breziiri.com/2010/10/27/imam-merginani-dhe-vepra-e-tij-el-hidaje/