Allahu i Gjithëfuqishëm thotë:
“Edhe Medjenit (i dërguam) vëllain e tyre Shuajbin që ju tha: “O popull im, adhurojeni All-llahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, mos matni as mos peshoni mangut, unë po shoh se jeni në gjendje të mirë jetësore, pra unë po frikësohem për ju nga dënimi që do t’ju përfshijë një ditë! O populli im, veproni drejt gjatë matjes dhe peshimit, e mos i dëmtoni njerëzit në asgjë dhe mos shkaktoni rrëmujë në tokë! Atë pjesë që ua lejoi All-llahu është shumë më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë, e unë nuk jamë roje juaj!” Ata thanë: “O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që e adhuruan prindërit tanë, ose (po të urdhëron) për të punuar në pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë? Vërtet, ti qenke i butë e i mençur”. (Kjo ishte tallje e tyre). O populli im, më thuani pra nëse unë kam argumente të sigurta nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?) Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!” (Hud, 84-88)
I Dërguari i Allahut, Shuajbi a.s., ishte dërguar tek populli i Medjenit në kohën e të dërguarit, Musait, a.s. Shuajbi ishte i dërguar tek një popull i cili ishte shumë aktiv në punë. Ishin shumë krenar për suksesin dhe dijet e tyre të punës, mirëpo ishin të padrejtë. I Dërguari u tha që tu përmbahen parimeve etike në punë. Por njerëzit u hidhëruan me të dhe i thanë: “Mos e përziej punën me fenë.” Kurse Allahu xh.sh., na tregon se dënimi u erdhi këtyre njerëzve, ndërsa Shuajbi dhe ithtarët e tij shpëtuan.
Me të vërtet duhet kuptuar seriozisht që secili duhet tu përmbahet standardeve në punë. Puna dhe etika nuk janë të ndara, por janë të lidhura ndërmjet veti. Allahu në Kur’an thotë:
“Ju në të dërguarin e Allahut keni shembullin më të mirë…” (El-Ahzab, 21)
I Dërguari i Allahu, Muahammedi, a.s, ishte krijesë njerëzore ideale e denjë për çdo respekt. Ishte mësuesi më i mirë, ishte vaiz, lider, pushtetari më i mirë, ligjvënës, gjykatës, diplomat, negociatorë dhe komandant ushtarak, familjari më i mirë, bashkëshortë i mirë, baba dhe gjysh i mëshirshëm, fqinjë i mirë, mik i popullit të tij. Gjithashtu ishte shume i drejtë dhe punëtorë i suksesshëm.
Muhammedi, a.s., është zgjedhur nga Allahu, xh.sh., të jetë i dërguari i fundit kur i kishte 40 vjet. Para kësaj ishte shumë aktiv në punë. Lindi në Mekë, e cila atëherë ishte e njohur si qytet tregtar. Karvanët nga veriu (Siria) dhe nga jugu ( Jemeni) kalonin përmes Mekës. Muhammedi, a.s., shpesh u bashkëngjitej. Transmetohet se ka udhëtuar në Siri, Jemen, Bahrejn, dhe në shumë vende në Arabi. Disa historian na sugjerojnë se ka udhëtuar edhe në Irak dhe Etiopi.
Qysh prej rinisë së tij kishte hyrë në tregti. Kishte reputacion të mirë si i zellshëm, i drejtë, i sinqertë, dhe punëtor shumë i suksesshëm. Duke marrë parasysh këtë reputacion, Hatixheja që në Mekë atëherë konsiderohej si grua shumë e pasur dhe punëtore, e punësoi atë. Shuam njerëz e kërkonin dorën e saj për martesë dhe shumë njerëz punonin për të, por ajo shpesh nuk ishte e kënaqur me ta sepse të gjithë mashtronin apo nuk e kryenin punën e tyre. Më në fund kishte dëgjuar për Muhammedin, a.s., i cili atëherë ende nuk ishte pejgamber, dhe e punësoi atë. E dërgonte me karvanët të bëj tregti për të, kurse rezultati i tij ishte më shumë se i suksesshëm. Ishte e impresionuar me punën por edhe me karakterin e tij. Më vonë ata u martuan.
Pas martesës me Hatixhen, Muhammedi, a.s, vazhdoi me punën dhe shkoi në shumë udhëtime për tregti në disa pjesë të Arabisë. Në atë kohë Arabia kishte panaire tregtare gati në të gjitha kryeqytetet e regjionit, dhe Muhammedi a.s sigurisht se i ka vizituar. Pasi që i erdhi shpallja ( u bë pejgamber) më pak merrej me tregti, edhe pse përkohësisht merrte pjesë në ndonjë marrëveshje tregtare. Përvoja e fituar në tregti i ndihmoi shumë që me kujdes të madh të sillet me njerëzit gjatë jetës. Shpesh përmendte popujt dhe fiset që i kishte njoftuar gjatë udhëtimeve të tij, kurse njerëzit shpesh hutoheshin me dijen e tij.
I Dërguari, a.s., thoshte se drejtësia dhe marrëdhëniet miqësore me klientët janë fshehtësia e suksesit në punë. Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga i Dërguari, a.s., këtë hadith: “Tregtari i besueshëm dhe i sinqertë do të jetë në shoqëri me të Dërguarit dhe sheihdët e sinqertë!” (Tirmidhiu)
Xhabir ibn Abdullahu, r.a., transmeton se Muhammedi ,a.s., ka thënë: “Allahu, xh.sh., e ka mëshiruar njeriun i cili është zemërgjerë kur shet, kur blenë dhe kur kërkon borxhin e tij.” I Dërguari, a.s., çështjet ekonomike dhe tregtare i ka shpjeguar gjerësisht , dhe ka mbuluar gati të gjitha aspektet e punës dhe ekonomisë.
Ja disa parime kryesore të punës ferr sipas islamit
1. Nuk ka mashtrime as gënjeshtra: Është shënuar se i Dërguari i Allahut, a.s., ka thënë: “Kur të shitni diçka thoni: ‘Nuk ka mashtrim.’” (Buhariu), pra duhet të tregojmë të metat e mallit nëse ekzistojnë, në të kundërtën kjo do të thotë mashtrim i blerësit.
2. Shitësit duhet të largohen nga betimi i shpeshtë gjatë shitjes. Ebu Hurejre, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Keni kujdes me betimet në Zotin gjatë tregtisë, sepse edhe pse kjo ndihmon në fitim (përkohësisht) në fund ajo merr të mirat e asaj që është fituar.” (Mutefekun alejh)
3. Në tregti është e nevojshme pajtimi mes veti. Kjo bazohet në hadithin e të Dërguarit, a.s., të cilin e transmeton Abdullah ibn Omeri, r.a.: “Shitësi dhe blerësi lirisht mund të tërhiqen derisa nuk pajtohen apo derisa shitja nuk është vërtetuar!” (Buhari)
4. Ji i saktë gjatë matjes dhe vlerësimit. Muhamedi, a.s., ka thënë: Kur populli mashtron gjatë matjes dhe vlerësimit, caktimi i tyre gjymtohet.” (Hadithi shënohet në El-Muvetta të imam Malikut)
5. Muhammedi, a.s., ka ndaluar monopolin. “Kush monopolizon është mëkatar” (Ebu Davudi). Këtu mendohet në grumbullimin e ushqimit dhe mallrave të tjerë që në kohë krize të shiten më shtrenjtë.
6. Gjatë tregtisë së lirë, çmimet e mallit nuk duhet të jenë fikse, veç se nëse është në pyetje situatë krize, apo domosdoshmëri.
7. Mbajtja e përkohshme e mallit për arsyeje të rritjes së çmimit është e ndaluar.
8. Transaksioni i mallit që është haram (p.sh. gjithçka që deh) është haram.
Këshilla e përgjithshme e të Dërguarit, a.s., për të gjithë njerëzit: Ebu Abdullah En-Numan ibn Beshir transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, a.s., të ketë thënë: “Vërtet e lejuara (hallalli) është e qartë, por edhe e ndaluara (harami) është e qartë. Ndërmjet tyre janë gjërat e dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Kush mbrohet nga gjërat dyshimta është i siguruar nga pikëpamje e besimit dhe nderit, ndërsa, ndërsa kush bie në gjërat dyshimta ka rënë në të ndaluarën, si bariu që ruan kopenë rreth vendit (kullotës) të ndaluar; kopeja mund t’i ikë dhe të kullosë në të. Çdo pronar e bën vendin (kullotën e vet) të ndaluar për të tjerët, ndërsa vend i ndaluar nga All-lahu janë ndalesat (haramet) e Tij. A nuk është në trup një organ, që kur është i shëndoshë, i tërë trupi është i shëndoshë dhe kur ai prishet, prishet tërë trupi. Ajo është zemra! (Buhariu dhe Muslimi).
Roli i etikës së punës sot
Duhet ti përkujtojmë afaristët dhe korporatat e tyre për përgjegjësinë të cilën e mbajnë. Në pyetjet në vazhdim duhet të kemi kujdes:
1. Globalizimi duhet të kuptohet ashtu që të gjithë njerëzit janë të mbledhur në një familje, bashkësi. Të gjithë krijesat njerëzore duhet të kenë respekt të njëjtë dhe të drejtë. Shfrytëzimi i një grupi të njerëzve nga një grup tjetër duhet të ndalet. Nuk duhet të ketë asnjë përçarje mes njerëzve për arsye të racës, ngjyrës së lëkurës, nacionalizmit, gjinisë së tyre, etj.
2. Resurset e tokës nuk janë vetëm për ne, këtë biosferë e ndajmë edhe me të tjerët dhe duhet të kemi kujdes të mos i dëmtojmë apo t’i shfarosim.
3. Resurset tokësore duhet ti shfrytëzojmë me kujdes të madh dhe nuk duhet të harrojmë se kemi obligim që këtë botë ta lëmë në një gjendje të mirë për gjeneratat e reja që do të vijnë pas nesh.
4. Të gjithë njerëzit janë një familje, edhe pse kanë dallime. Dallimi është natyrore dhe është i bukur. Duhet të kemi mirëkuptim për fetë dhe kulturat e të tjerëve, dhe duhet të jemi të kujdesshëm ndaj emocioneve të tyre.
5. Rregulli i artë universal thotë: “Dëshiroja të tjerëve atë që e dëshiron për vete.” (hadith). Duhet të mundohemi t’i forcojmë të tjerët dhe të punojmë në çrrënjosjen e varfërisë, urisë, analfabetizmit, sëmundjeve dhe kushteve johigjienike të jetesës që njerëzit në botë të jetojnë të qetë dhe të kënaqur.
6. Të gjitha kompanitë duhet të promovojnë sjelljen etike në punët e tyre, si dhe në botë në përgjithësi. Njerëzit që janë të angazhuar me punë duhet që gjithmonë të jenë të drejt, të sinqertë dhe të përmbushin obligimet dhe premtimet e dhëna. Patjetër duhet ta eliminojmë mashtrimin, abuzimin dhe rrethin e ngushtë të konkurrencës.
7. Duhet që sa më shumë të promovojmë lirinë politike dhe debatet e hapura.
8. Duhet të forcojmë dhe përkrahim sistemin arsimorë, sistem i cili promovon çiltërsinë. Fëmijët tanë duhet që të aftësohen me perspektiva të shumta në mënyrë që njëra të jetë e hapur ndaj anës së tjetër të pikëpamjes.
____________________
Autor:
Dr. Muzemmil Siddiki
(Kryetar i Këshillit të Fik’hut në Amerikën e Veriut)
shqipëroi: A. D. breziiri.com