Kur’ani i madhërishëm Ibrahimit a.s. i kushton vend të rëndësishëm. Suret kur’anore El-Bekareh, El-En’am, El-Enbija, Merjem e të tjera, shpalosin jetën e tij përlot vështirësi dhe sprova, të cilat ai i kalon me fuqinë e besimit të tij të pathyeshëm. Aty ku vështirë njeriu mund të marrë mësim, jeta e Ibrahimit a.s., jeta e sfidës dhe tmerrit, e sprovës dhe dhembjes, i thyen të gjitha stereotipet njerëzore dhe ofron frymëzim të pafund për çështjen e thirrjes (da’ves) dhe thirrësve (da’ive).
Kurreshtja, rrugë njohjeje dhe besimi
Ibrahimi a.s, qysh si i ri nuk pajtohet me gjendjen ekzistuese besimore, etike, ekonomike të popullit të tij. Duke medituar e përsiatur, ai tenton ta njohë Krijuesin e mirëfilltë. Natyra e tij e pastër, intelekti i tij i pakorruptuar dhe besimi i tij i fuqishëm (që edhe para pejgamberisë së tij gjendej i strukur brenda tij) bënë që ai ta fitojë dritën e Allahut: “Dhe kështu ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës që të jetë i bindur mirë.” (El-En’am, 75).
Kureshtja e tij për të vërtetën, e provokuar me shikimin e yllit në qiell të hapur, e shtyri të thotë: “Ky është Krijuesi im!” (El-En’am, 76), dhe të heq dorë nga ky “krijues” posa ta konstatojë perëndimin e yllit, duke thënë: “Nuk i dua ata që perëndojnë.” (El-En’am, 76).
Ngjashëm ndodhi edhe me Hënën dhe Diellin. Meqë populli i tij në Haran e adhuronte Hënën e Diellin, Ibrahimi a.s. qorton: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i konsideroni rival Atij! Unë po e kthej fytyrën time, si besimtar i vërtetë, nga Ai i cili i ka krijuar qiejt dhe Tokën, dhe unë nuk jam nga idhujtarët.” (El-En'am, 78-79.)
Veprimi, sendërtim i besimit
Banorët e Babilonit i adhuronin idhujt. Ndër ata ishte edhe babai /xhaxhai/ i Ibrahimit a.s., Azeri, si e quan Kur’ani, apo Tarahu, si e quajnë judeo-kristianët por edhe disa dijetarë myslimanë.[1] I vetëdijshëm për gjendjen e babait, ai me tërë fuqinë besimore i drejtohet: “O babai im, përse e adhuron atë që as nuk dëgjon, as sheh, as që mund të të shërbejë për diç?” (Merjem, 42).
Më tej, në suren El-En’am, me dëshpërim e brengosje Ibrahimi a.s. i drejtohet babait të tij, Azerit: “... Vallë idhujt i konsideron për zota? Shoh se ti dhe populli yt vërtetë jeni në mashtrim të qartë.” (El-En’am, 74).
Edhe pse në shikim të parë Ibrahimi a.s. manifeston vrazhdësi dhe rreptësi ndaj idhujve, ai shpërthen nga dhembsuria, butësia, kujdesi ndaj të gjithëve, e sidomos ndaj babait. Edhe pse tregonte nënshtrim ndaj babait, në çështjen e besimit e këshillonte, sepse besimi kapërcen lidhjet biologjike: “O babai im, mua më ka ardhur dije që ty nuk të ka ardhë, ndaj më paso dhe unë në rrugë të drejtë do të udhëzoj.” (Merjem, 43). “O babai im, kam frikë se nga Mëshiruesi do të vijë dënimi ...” (Merjem, 45.)
Mirëpo, babai refuzon thirrjen e të birit, madje refuzimi i tij karakterizohet me urrejtje, pezmatim e kërcënim: “A i mohon ti zotat e mi o Ibrahim? Nëse nuk heq dorë sigurisht do të gurëzojë, prandaj për një kohë të gjatë hiqmu syshë.” (Merjem, 46).
Edhe pse kërcënimi ishte real, Ibrahimi a.s. nuk hoqi dorë që të kujdeset për babain e tij. Madje premtoi se do t’i lutet Zotit për të: “Selam (paqe) mbi ty. Do ta lus Krijuesin tim të të falë, sepse Ai është shumë i mirë ndaj meje.” (Merjem, 47).
Shembulli i sjelljes së Ibrahimit a.s. ndaj babait të tij mosbesimtar manifestojnë njeriun përplot besim, dhembsuri e shpresë, por edhe këmbëngulës në idealet e tij: besimin në Zotin Një dhe të Vetëm.[2]
Thyerja e idhujve – rrënimi i amullisë besimore tradicionale
Kur nuk dha rezultat as fjala e mirë, as sjellja e mirë me babain dhe vendasit e tij, ai ndërmori hapa më të fuqishëm, por edhe më të rrezikshëm, ashtu si vepron mjeku me rastin e ndonjë sëmundje e cila mjekohet vetëm me operim: përçmimin e pastaj edhe rrënimin e idhujve të popullit të tij. Së pari ai pyeti: “Ç’janë këta idhuj të cilëve u faleni?”
Kurse përgjigjja e tyre ishte manifestim i një gjendje besimi të trashëguar, shpirti letargjik dhe gjendje shpirtërore dhe intelektuale të verbuar dhe apatike. Ata kishin si kriter vlerat tradicionale, duke shpërfillur vlerat e vërteta besimore, ato racionale e të tjera: “Edhe të parët tanë i gjetëm që po i adhuronin.” (El-Enbija', 53).
Në këtë polemikë Ibrahimi a.s. vendosi kritere të reja kundrejt bindjes së verbër dhe imitimit të të parëve, e të cilat janë kritere dhe koncepte të Krijuesit, të treguara qartë në shpalljet e Tij: “Edhe juve dhe të parët tuaj jeni në humbje të qartë.” (El-Enbija', 54).
Të mësuar nga mirësjellja e deriatëhershme e Ibrahimit a.s., babai dhe bashkëvendasit të hutuar pyesin: “Me gjithë mend e ke apo vetëm po tallesh?” (El-Enbija, 55).
Mirëpo, përgjigjja e Ibrahimit a.s., plotë vendosmëri, tregon epërsinë kundrejt popullit të tij: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i tokës, ai Ai që i krijoi ato, kurse unë këtë do t’ua dëshmoj.” (El-Enbija', 56).
Mirëpo, metodat e deritashme ishin pasive; ato nuk provokuan më thellë ndërdijen e popullit të tij. Për këtë arsye, ai vendosi t’i radikalizojë veprimet, mos vallë, atëherë do të ndërgjegjësohen rreth besimit të mirëfilltë: “Për Allahun, sapo të largoheni ju, unë do t’i ndreq idhujt tuaj. Dhe i theu ata copë-copë, pos atij më të madhit, që t’i drejtohen atij.” (El-Enbija, 57-58). Diskutimi filloi, por jo në një rrafsh cilësor, por në atë të mëparshmin: “A e bëre ti këtë me zotat tonë, o Ibrahim?” (El-Enbija, 62).
Ibrahimi a.s., me mençuri e largpamësi, por edhe me një dozë ironie e rreziku, u tha atyre: “Jo, por atë e bëri më i madhi i tyre. Ju pyetni ata nëse mund të flasin!” (El-Enbija, 63). Veprimi i Ibrahimit a.s. së paku për një çast i detyroi të mendojnë ata: “Me të vërtetë ju jeni të padrejtë.” (El-Enbija, 64). Ata vazhduan në amullinë dhe terrin e vjetër, sepse drita e vogël që për një çast vezulloi, nuk mjaftojë ta zbusë indiferencën dhe letargjinë e tyre: “Po ti e di se këta, me të vërtetë, nuk flasin.” (El-Enbija, 65).
Meqë populli i tij nuk tregoi shenja meditimi serioz dhe shenja të shkëputjes nga e vjetra, Ibrahimi a.s. drejtpërdrejt e ngacmoi atë huti të tyre momentale, mos vallë do të pranojnë propozimin e tij: “Mos vallë ju adhuroni pos Allahut atë që nuk mund t’u sjellë kurrfarë dobie as dëmi? Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni, në vend të Allahut! Përse nuk po mendoni ju?!” (El-Enbija', 66-67).
Hedhja në zjarr, simbol i sprovës dhe besimit konsekuent
Mungesa e argumenteve, thonë, e bënë njeriun të dhunshëm. Kjo ndodhi edhe te populli i Ibrahimit a.s. Ata nuk posedonin përgjigje përkatëse në sfidat e Ibrahimit a.s. Ata nuk mund të largoheshin nga tradita e gjatë idhujtare edhe pse të bindur se është e pavlerë, por nuk mund ta pranojnë besimin e pastër, për shkak të injorancës dhe të inatit të injorancës. Në këtë gjendje, ata thirrën në dhunë: “Digjeni atë dhe hakmerruni (ndihmoni) për zotat tuaj, nëse dëshironi të bëni diç.” (El-Enbija, 68).
Të gjithë u përpoqën të ndihmojnë duke mbledh dru për zjarrin e madh. Përmasat e zjarrit ishin të papara deri atëherë. Pas shpërthimit të zjarrit përcëllues, banorët e vendosën Ibrahimin a.s. në katapult, me këmbë dhe duar të lidhura, ndërsa ai pëshpëriste: “Nuk ka zot tjetër pos Allahut, qofsh i lavdishëm o Krijues i botave. Ty të takon tërë falënderimi dhe pushteti dhe Ti nuk ke rival!” Në çastin e hedhjes në zjarr, Ibrahimi a.s. shprehi: Hasbij’All-llahu we ni’me’l-wekil (Allahu është i mjaftueshëm dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm).[3]
Jo vetëm Ibrahimi e Muhammedi a.s. por edhe të gjithë thirrësit në histori do të hasin në vështirësi dhe probleme të mëdha, ndaj, përgjigjja duhet të jetë në frymën dhe shembullin e pejgambereve.
Me besim të pathyeshëm drejt kapërcimit të sprovave
Kjo botë është sprovë për njeriun. Kapërcimi i sprovave, eliminimi i pengesave në jetë dhe cilësia e angazhimit tonë është parakusht për ndihmën e Allahut f.l. Besimi i çeliktë i Ibrahimit a.s., vullneti i ndërgjegjshëm dhe inteligjenca e mirëfilltë janë disa nga faktorët që e aktivizuan ndihmën e Allahut, edhe pse çdo gjë dukej e pazgjidhshme.[4]
Veprimi i Ibrahimit a.s. na mëson se ndihma nuk kërkohet nga Lindja apo Perëndimi, nga partitë politike apo forcat relevante të kohës, por përjashtimisht nga Allahu, Krijuesi i botës dhe çdo gjëje tjetër: “Ne thamë: O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (El-Enbija, 69).[5]
Shfrytëzimi largpamës i metodave besimore-praktike dhe ikja përballë asimilimit
Shqyrtimi dhe analiza e ajeteve kur’anore rezulton se faktin se Ibrahimi a.s. diturisht, urtësisht dhe shkathtësisht ka shfrytëzuar një varg metodash të da’ves: “A nuk ke dëgjuar ti për atë që u fjalos me Ibrahimin për Zotin e tij: përse Perëndia i kishte dhënë pushtet (ai, Nemrudi u bë arrogant). Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje”. Ai tha: “Unë ngjalli e mbyti”. Ibrahimi pastaj i tha: “E Perëndia e sjell Diellin prej Lindjes, andaj sille ti prej Perëndimit!” Atëherë, ai (mohuesi) mbeti gojë hapur. Se Perëndia nuk i udhëzon ata që janë këmbëngulës e kryeneq në të keq.” (El-Bekare, 258).
Ibrahimi a.s. pas shpëtimit nga zjarri dhe daljes në opinion, e zhvilloi këtë dialog të zjarrtë. Synonte ta bind mbretin e Babilonit, sepse bindja e tij eventuale në Islam do të thoshte pranimin e Islamit nga shumë banorë të Perandorisë. Mirëpo, këmbëngulësia e Nemrudit (apo e klasës sunduese në histori si çdoherë) e refuzoi ftesën, duke pretenduar madje se mund t’ua jap dhe t’ua marr shpirtrat e njerëzve.[6]
Mirëpo, metodat e shkëlqyera të Ibrahimit a.a. mbretin babilonas e lanë pa prova, e bënë konfuz dhe gojë hapur; ai kishte forcë ushtarake por para forcës së argumenteve hyjnore ai u tregua tërësisht i pasigurtë dhe dështues.
Prandaj, Ibrahimi a.s. është shembëlltyrë edhe në misionin e thirrjes. Përdori shumë mënyra, sinqerisht dhe këmbëngulësisht. Edhe sot, thirrësi do të jetë parimor në thirrjen e tij, qoftë edhe i vetmuar apo në pakicë në idenë që e ndjek: “Dhe, u lë juve dhe të gjithë ata që adhurojnë (tjerë zota), pos Perëndisë; e unë do ta adhuroj Zotin tim. Shpresoj se nuk do të jetë i papranueshëm adhurimi i Zotit tim”. (Merjem, 48.)
Nëse manifestohet minimumi i besimit, Allahu e kompenson atë me vlera shumëfish më të bollshme se që kemi pasur. Rasti i Ibrahimi a.s. është më eklatant: “E kur i la ata që adhuronin (zota të tjerë), përpos Perëndisë, Ne ia dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin, dhe që të dy i bëmë pejgamberë. Dhe, Ne ata i dhuruam nga mëshira Jonë dhe bëmë që ata, me të vërtetë, të lavdërohen me mirësi.” (Merjem, 49-50).
Ibrahimi a.s. në kërkim të vendit ku besimi do të gjejë shtrirje më të mirë e lëshoi vendlindjen, familjen dhe popullin, por Allahu i lartësuar ia kompensoi këtë sakrificë me një vend tjetër më të mirë se i pari. Pasardhësit e ri u bënë më të shumtë se ata të parët, kurse nga familja e tij Allahu bëri shumë pejgamberë (Is’haku dhe Ismaili etj.), të cilët e drejtuan botën dhe e përhapen të mirën. Allahu i solli fund të mirë Ibrahimit a.s., çfarë do të dëshironte çdokush para dhe pas tij.
Në vend të përbylljes
Jeta e Ibrahimit a.s. sikur edhe e të gjithë pejgamberëve është thesar i pashtershëm për të gjitha kohët dhe hapësirat, ndaj e kemi për detyrë që në angazhimet tona besimore dhe praktike t’i shfrytëzojmë këto metoda, për prezantimin më të lehtë e më të frytshëm të fjalës së Allahut xh. sh.
[1] Abdullah ibn Abbasi mendon se babai /xhaxhai/ i Ibrahimit a.s. quhej Tarah, deri sa Ibn Kethiri mendon se këtë emër e ka marrë në bazë të idhullit të cilin e adhuronte. Shih: http://www.iltizam.org/index.php?ime=tekstovi&tekstovi=tekst&id=2145541245.
[2] Shih: http://www.iltizam.org/index.php?ime=tekstovi&tekstovi=tekst&id=2145541245 .
[3] Këto fjalë i tha Ibrahimi a.s. me rastin e hedhjes në zjarr. Por, këto i tha edhe Muhammedi a.s. në çastin kur i qe thënë: “Armiqët po tubohen për shkak tuajin, duhet t’iu ruheni, kjo ua forcoi besimin dhe thanë: Hasbun’Allahu we ni'me’l-wekil (Neve na mjafton Allahu dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm). (Ali Imran, 173).
[4] Se'id ibn Xhubejri transmeton nga Ibn Abbasi r.a. se meleku i shiut e priste me padurim urdhërin e Allahut të lëshojë shi për ta fikur atë zjarrë të madh e përcëllues, por urtësia e Allahut ishte që Ibrahimi t’i plotësojë kushtet njerëzore dhe ta meritojë ndihmën e Allahut f.p.
[5] Ibn Abbasi r.a. thekson se sikur Allahu mos të kishte thënë “dhe shpëtim për Ibrahimin”, ai do të ngrihej nga ftohtësia.
[6] Katade dhe Ibn Is’haku thonë se Nemrudi i nxorri dy persona nga burgu, dhe njërin e mbyti e tjetrin e la në jetë. Kjo e nxiti të klithë se “Unë ngjalli e mbyti”.
Burimi: Revista ETIKA, nentor 2010.