
Kam nisur të bie dhe unë në dashuri me internetin. Përmes tij tani unë kam shumë miq në gjithë globin, ku i ka shpërndarë fati bijtë e shqipes që e ka zemrën të këputur për ta. Personalisht, unë nuk kam aq shpirt, sa kanë heronjtë e kombit tonë – shqiptarët që kanë lënë atdheun për punë dhe ndihmojnë e ndihmojnë pa pushim familjet e tyre në Shqipëri. Unë jam nga ajo kategori që nuk kam shpirt dot ta ndërroj varfërinë time me jetën e dhimbshme të emigrantit. Ama, me emigrantë shqiptar kam miqësi shumë, më duan dhe i dua shumë, pavarësisht nëse i kam parë a po jo. Ndërkohë - pra, s’e besoj të ma marrë njeri për keq - ndërsa ndjek korrespondencën virtuale apo shkrimet e hedhura atje, kam vënë re, krahas përpjekjeve të mrekullueshme për organizim, për të krijuar një “etni” tjetër shqiptare, një parajsë shplodhjeje jashtë atdheut, një parajsë shpirtërore që vjen si dhuratë nga bota e internetit, kam vënë re edhe një tjetër dukuri. Kjo është e tmerrshme. Le ta themi një herë e mirë. Në pragun e shkërmoqjes së shtetit shqiptar, ngado valëvitej thënia që paskësh thënë Faik Konica (sigurisht në ndonjë rast dëshpërimi prej hakmarrjes së injorancës ndaj diturisë, gjë që përbën thase një ligjësi), sipas së cilës “Armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët”. Nga ana tjetër, askush nuk e ka përmendur ndonjëherë strategjinë e stërditur të qarqeve të caktuara serbe apo greke për të armiqësuar sa më shumë shqiptarët me njëri-tjetrin. Disa vëllezër dhe motra të gjakut tonë, përmes internetit, tërë vrerin që kanë në shpirt nga jeta e mbyllur jashtë atdheut dhe dozat e caktuara të padiskutueshme të poshtërimit atje, i zbrazin duke fyer dhe sharë, shpifur e kërcënuar bashkatdhetarët e tyre. Kaq helm dhe vrer kishte një email, që më erdh këta ditë, sa të dridheshin leqet e këmbëve. More gjithë artin poetik të autorit apo autores anonime (thuajse të gjithë emigrantët botojnë libra, me ata kursimet e tyre, dhe kjo ka një shpjegim aspak gazmor), e kish derdhur për të mbytur e shtënë shtatë pash nën tokë disa shqiptarë. Kur i ktheva përgjigje atij apo asaj anonimes se si mund të shkruhet kështu kundër një qenieje njerëzore, për më tepër, duke qenë bashkëgjakas, reagimi erdh pas disa minutash. Një pendesë e pafund për çfarë kishte shkruar, “harroje këtë ç’kam shkruar…harroje, fshije dhe atë email”…shkruante anonimi, por…Tanimë plumbi ishte shtënë ishte shtënë në tabelat e ndonjë njëzet tabelave - adresave të internetit, mes të cilave edhe te unë. Para do kohësh, ndërsa po më dhembte shpirti për Shkodrën time që e dua më shumë se askënd në botë, por e kam lënë që 18 vjeç duke shkuar te ajo vetëm si mysafir, shkrova diçka. Se ku e kish lexuar një vëlla nga Kosova, kish marrë një lente …Pa le ka qenë edhe në shtëpinë ime disa herë. Nga disa vëllezër të tjerë kosovarë më erdhën emaila ngushëllimi. Iu isha dhimbsur edhe atyre nga vreri i derdhur ndaj meje. Në një çast dëshpërimi njërit, që më shkruante se XX është ngatërrestar i njohur, se s’ka lënë gjë pa sharë edhe….i ktheva këtë përgjigje:” Përçarja dhe sundimi i shqiptarëve është një strategji e njohur serbe. Mos ka firmosur diku ai fakir, se ka bërë kaq vjet burg serb, ka dalë gjallë që andej dhe vetëm shanë e përçanë njerëz?” Kështu shkrova unë në ata çaste xhindosjeje, megjithëse jam shumë i qetë dhe i qeshur. E bëra, pra, edhe unë atë gabim. Ama, nervat prej piloti të mbrojtjes kombëtare shqiptare më mbajtën që të mos këmbëngulja e të nxirrja nga goja ime ndyrësira për në internet për t’ia adresuar sulmuesit tim të rrethanave që iu përshkrova. Me këtë rast, të shtrenjtët e mi, duke u uruar të gjithëve sa më shumë trëndafila, muzikë dhe hare në shpirt - se kështu jetohet njëqind vjet - më lejoni t’ju citoj një poezi nga XH. Rumiu, që sivjet mbush 800 ditëlindje. HOXHA QË KREKOSET Kapadaiu / Me një heshtë në dorë / Kur nis të gjuajë mëkate te të tjerët / Tek s’e sheh njeri / Me dhëmbët e bardhë / Qesh me një zmalt të ardhur nga skëterra / Kështu , siç them unë / Mbrohet feja ime!” - thotë ai i krekosur / Dhe s’e ndjen më shpirtin / Që po i zhytet / Në një llum të pasosur”. / Jeni të mirëpritur në shpirtin tim dhe në adresën time të emailit, vëllezër dhe motra të mijat anembanë botës ku ju ka shpënë kjo jetë. Me dashuri të pakufishme për të gjithë dhe me dëshirën që ta duam sa më shumë njëri-tjetrin se sa të derdhim vrer, Rizai. Me këtë rast, le të kujtojmë së bashku një, mos gaboj, thënie e profetit të myslimanëve, Muhametit, që thotë: ”Të heqësh një tullë në një xhami është mëkat. Të shkatërrosh xhaminë krejt, mëkati rritet. Të heqësh një tullë në xhaminë e Mekës, gjynahu është shumë më i madh. Të shkatërrosh krejt xhaminë e Mekës, gjynahu s’ka kufi. Por ekziston dhe një gjynah edhe më i madh. Kur i prish zemrën dikujt”. Riza Lahi, Tiranë