Festat në Islam

Misioni i tij është  për t’iu përgjigj nevojave të natyrës së njeriut si në aspektin material dhe atë shpirtëror. Andaj, qëllimi final i  të  gjitha ligjeve të tij  është  rregullimi i  marrëdhënieve në mes shpirtit dhe trupit, kësaj bote dhe botës tjetër (dynjasë dhe ahiretit). Kur’ani në mënyrë të qartë porosit myslimanët, kur thotë: ”Përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë.” ( el-Kasas: 77).

Vet fakti se ai ka lejuar manifestimin e  festave fetare, lejimin e pushimit nga preokupimet e  përditshme  të jetës, tregon për univerzalitetin e tij. Festat fetare në Islam vijnë pasi që besimtarët të kryejnë obligimet e tyre fetare. Agjëruesit gëzohen dhe festojnë me rastin e Fiter Bajramit, pas  përfundimit të agjërimit, kurse hanxhinjtë festojnë ditën e Kurban- Bajramit, pas  kryerjes së obligimi të  haxhit. Në prerjen e kurbanit, përveç hanxhinjve marrin pjesë edhe besimtarët tjerë, me qëllim të afrimit tek Allahu i madhërishëm, duke e trasuar rrugën e  pejgamberve, që nga babai i pejgamberve, Ibrahimi a.s.  e deri tek pejgamberi i fundit, Muhamedi a.s.

Qëllimi kryesor i festave fetare është futja e haresë dhe gëzimit në zemrat e myslimanëve, qofshin ata burra, gra apo fëmijë. Në anën tjetër, festat islame përveç aspektit fetar, ato përmbajnë në vete aspektin social për t’ua shtrirë dorën e ndihmës atyre që kanë nevojë për solidaritet. Pejgamberi a.s. lidhur me këtë thotë: “Bëni ata që mos ta ndiejnë skamjen në këtë ditë!”

 Ceremonia e prerjes së kurbanit, ditën e festës së Kurban Bajramit ka për qëllim futjen e gëzimit në zemrat e të varfërve. Islami nuk e obligoi kurbanin që me mishin e tij të ngopen ata që presin kurban, por në mishin e tij të marrin pjesë të gjithë. Në të duhet të takohet fuqia e të pasurit dhe dobësia e të varfrit, në  drejtësi, dashuri,  mëshirë. Ky është inspirimi i qiellit, adresa e të cilave janë: zeqati, sadaka, bamirësia dhe solidariteti në kuptimin më të gjerë të tij.

Aspekti i futjes së gëzimit dhe haresë gjatë festave fetare tek fëmijët dhe gratë, tregon shembulli i profetit a.s. atëherë kur shoku i tij, Ebu Bekri kishte hyrë në shtëpinë e bijës së tij Aishes, gruas së Pejgamberit a.s. dhe aty gjeti  dy vajza që po këndonin duke i rënë defeve. Ebu Bekri e qortoi bijën e tij për këtë gjest. Pejgamberi a.s. ishte mbuluar me qarshaf e zbuloi kokën e tij dhe ia ktheu: “Lej të lira o Ebu Bekr. Secili popull ka festat e veta dhe kjo është festa  e jonë”.

Pejgamberi a.s. i kushtoi kujdes të madh gruas në ditët e festave. Ai urdhëroi që në ditën e festës të gjitha gratë të marrin pjesë në faljen e namazit të bajrameve.

Namazet e bajrameve demonstrojnë pamje të gëzimit dhe të haresë. Aty ngritën lartë zërat e besimtarëve, në shenjë falënderimi për begatitë e shumta që Allahu ua dhuroi myslimanëve në kurorëzimin me sukses të obligimeve fetare. Allahu i madhërishëm në Kur’an thotë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë”. (el-Bekare:185).

Madhërimi i Allahut është refren i cili përsëritet në festat fetare që simbolizon njëshmërinë e Tij, se Ai është Një dhe i vetmi krijues. Tekbiri apo madhërimi i Allahut me rastin  e prerjes së kurbanit, ka për qëllim anulimin e çdo veprimi që bënin politeistët e Mekës për t’iu afruar Zotit  nëpërmes putave të tyre.

Kështu me rastin e kurban bajramit është sunet të merren tekbiret prej sabahut të ditës së Arafatit e deri në ditën  tretë të bajramit. Aty manifestohet uniteti i umetit në formën më të lartë si dhe adhurimi i Allahut në mënyrën më të përsosur, ashtu siç paraqitet në këtë ajet kur’anor: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica  njerëzve nuk e dinë”. ( Er-rum:30).

Islami kërkon nga besimtarët, që festat fetare të jenë raste të mira për forcimin  e lidhjeve familjare. Ai inkurajon  të sillemi mirë ndaj  prindërve, t’i mbajmë lidhjet me të afërmit, t’i vizitojmë miqtë dhe shokët tanë, t’i lamë anash urrejtjet, armiqësitë nga zemrat tona. Vetëm në  këtë mënyrë do të jemi  të denjë se i përkasim fesë islame dhe meritojmë të festojmë festat  islame.

Festat islame ripërtërijnë lidhjet njerëzore, aty manifestohet sjellja e mirë dhe morali i lartë. Në mes njerëzve dëgjohen urimet dhe fjalët e mira. Në mesin e myslimanëve manifestohet atributi i mëshirës, i cili është esenca  e Islamit. Myslimani kthehet në thirrje të gjallë të kësaj feje  dhe në fanar  udhëzimi për të paudhëzuarit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme