Lajmin e organizimit të prezantimit të “Besës shqiptare” unë e lexova në shtypin e Torontos në Gusht 2010 kur edhe pashë një prezantim mbi programin që organizatorja planifikonte të bënte dhe udhëtimin e saj në Shqipëri. Gjatë prezantimit televiziv që pashë, më tërhoqi vërejtjen një fjali në të cilën Vera tregonte sesi çifutët ishin shpëtuar me urdhër të kryeministrit Mehdi Frashëri në Shqipëri. Që Mehdi Frashëri nga kuisling të dilte në krah të çifutëve, mua, mu duke e pamundshme, dhe për këtë arsye u vura në kontakt me organizatorët e prezantimit dhe mora të dhëna mbi vendin dhe datën e tij.
Në datën 7 nëntor, në 7 të darkës shkova në vendin ku do të mbahej prezantimi, i nxitur siç thashë më lartë, më shumë nga kurioziteti për të parë seç do të flitej për Besën dhe shqiptarët. Programi i cili është prezantuar edhe në media të tjera dhe në vitet e fundit ka gjetur shumë publicitet në Perëndim, nisi me prezantimin e udhëtimit që autorja kishte bërë në Shqipëri, filmimet që kishte bërë dhe ndihma që i ishte dhënë nga Sajmir Lolja, Loreta Velijaris, Ilir Lena dhe organizatorë e donatorë të ndryshëm shqiptarë dhe kanadezë.
Programi “Besa shqiptare” ishte mbushur me ilustrime xhirimesh filmike që hebrenj të ndryshëm kishin bërë në Shqipëri në këto vitet e fundit, duke takuar shqiptarë që i kishin strehuar dhe mbrojtur gjatë luftës. Kishte fotografi njerëzish që dilnin duke qeshur ndërsa mbanin dorën në zemër, plakash me shami, të Baba Reshatit Kryegjyshit të Bektashijve që dukej si një bablok interesant islamik me mjekrën dhe taxhin jeshil, e fytyrash të vrara fshatarësh që të krijonin idenë e një Shqipërie të këputur, rurale e islamike. Në program ishin ftuan edhe disa shqiptaro-kanadezë që kishin lidhje familjare me njerëz që kishin shpëtuar çifutët gjatë luftës dhe si rrjedhojë treguan historitë e tyre. Rrëfimtarët historitë e tyre i tregonin shumë ideale dhe prekëse për të qenë të vërteta. Në vazhdën e prezantimeve tubimi u përshëndet edhe nga një burrë që fliste një anglishte aq të dobët saqë edhe ky vet nuk e di në e kuptonte apo jo. Ai quhej Genc Tirana dhe megjithë anglishten që nuk e nderonte, u tregua si konsull nderi i Shqipërisë në Toronto.
Programi “Besa shqiptare” i cili më kishte tërhequr vëmendjen prej vitesh i prezantoi publikut që përbëhej më shumë nga shqiptarë, idenë se në Shqipëri çifutët ishin shpëtuar nga shqiptarët e besës. Besa dhe Kanuni tregoheshin si veti të tyre dhe në këtë mënyrë krijohej ideja se shqiptarët janë komb besnik që punon me Kanun e për Besë është i gatshëm të sakrifikojë edhe lirinë e tij. Rrëfenja që ndërtohej gjatë prezantimit ishte se Besa ishte arsyeja pse çifutët ishin shpëtuar nga dërgimi në kampet naziste. Skenari i prezantimit me Besën si veti të shqiptarëve çifut-shpëtues ishte aq imponues saqë në pothuaj të gjithë filmimet që ishin bërë në Shqipëri, siç fjala bie në rrëfim të një xhaje prej Kavaje dëgjoje togfjalësh si ky “ne i shpëtuam çifutët vallahi pse i kishim dhënë Besën e nëse shkelim Kanunin bëhet nami.” Duke dëgjuar rrëfenjat e katundarisë myslimane që betohej me vallahi por që më pas tregohej si besnike e Kanunit vëllavrasës të Lekë Dukagjinit që zbatohet nëpër viset katolike të Shqipërisë ku vetëm Besë nuk ka, të jepej të kuptosh se organizatorët ishin të obsesuar me punën e Besës aq shumë sa që nuk dinin të gjejnë arsye tjetër për të shpjeguar pse shqiptarët i shpëtuan çifutët gjatë luftës.
Gjatë prezantimit, mitin e Besës dhe mrekullisë shqiptare për të shpëtuar çifutët e përsëriti me një anglishte të dobët edhe Sajmir Lolja i cili edhe pse me zanat është kimist, gazetari Ilir Lena që mban një program shqip në televizionet lokale këtu, e tregoi si një historian që ka vite që punon për sistematizimin, përmbledhjen, zbulimin dhe analizimin e materialeve historike në lidhje me historinë e mardhënieve shqiptaro-hebraike sidomos para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fjalimin e tij emocional dhe me anglishten plot gabime duke përdorur terma gjeneralizues si “all Albanians saved the Jews”, “all Jews were safed” apo “shqiptarët kudo që ishin në Evropën Juglindore u kujdesën për ata”, shpëtimi i çifutëve ishte “i plotë, i vazhdueshëm dhe me pjesëmarrjen e të gjithë grupeve fetare të shoqërisë shqiptare përfshirë përfshirë edhe qeverinë e asaj kohe” apo se “në themel të këtij shpëtimi masiv qëndron Besa shqiptare, respekti dhe nderimi ndaj mikut pa dallim nëse ky është vendas apo i huaj” çdo njeriu serioz që ishte në atë takim e që i njihte shqiptarët dhe historinë e tyre, e kuptonte se folësi fliste ashtu “pse ashtu ishte puna.” Skenaristët e programit (mesa duket Lolja vetë) i kishin vënë vetes detyrën patriotike që ti portretizonin të gjithë shqiptarët, pa dallim feje dhe ideje, si disa lloj herojsh të heshtur në Evropën Juglindore që si duket si pasojë e ndonjë kodifikimi gjenetik që duhet të rrjedhi që nga koha e Lekë Dukagjinit, ishin të gjithë burra kanuni e bese. Ndërsa pjesëmarrësit shqiptarë në sallë zgurdullonin sytë dhe përtypnin më vështirësi faktet që Lolja na tregonte si komb besnik, vura re që në fytyrat e disa pjesëmarrësish kanadezë përshtypja ishte krijuar se ne me të vërtetë ne jemi komb i besës.
Një nga pjesët më interesante të prezantimit ishte drejt fundit të tij. Vera e cila kishte qenë në Shqipëri dhe kishte takuar çifutë e kriptoçifutë në vend, më në fund shfaqi një fotografi të madhe në projektorin e sallës të personit që u tregua si njeriu kyç i cili merret me studimin e shpëtimit të hebrejve në Shqipëri. Personi ishte Shaban Sinani, ish-sekretari i Ramiz Alisë, i cili siç u kuptua, i kishte thënë organizatores se shqiptarët kanë origjine çifute dhe kanuni ka rrënjë hebraike. Një miku im i cili u mahnit kur pa fotografinë e zeshkanit të vogël i cili ishte ngritur tashmë në piedestalet e kombit, dhe që nga zmadhimi i projektorit të sallës imponohej si një farë super-Shabani, më pyeti me habi: po ky nga doli? Unë më gjysëm zëri e me frikë se mos më dëgjonte kush i pëshpërita - brother ky paguhet nga Ahmedi Nexhati. Miku im i cili e gjeti përgjigjen time të paimagjinueshme për vendin dhe emocionet që shkaktonte ai prezantim, ndërsa kafshnote buzët e mbante të qeshurën që të mos binte në sy ndaj kamerës që kishim përballë – më tha nën buzë - çar thu mor jahu. Eh - i thashë. Ky bruni këtu boton revistën e fondacionit iranian të Tiranës. Por mos u mërzit nëse i ka thënë çifutëve se jemi çifutë, këtë gjë bën edhe me iranianët ai.
Imazhi madhështor i Shab Sinanit i cili u pasua nga dalja në skenë e organizatorëve dhe mbylljen e prezantimit, u shoqërua me duartrokitje nga salla. Prezantimi kishte patur efekte mbi disa pjesëmarrësit, shqiptarë dhe kanadezë, që si duket ishin mallëngjyer nga heroizmi i popullit tonë në kohën e luftës. Pasi organizatorët nuk kishin organizuar ndonjë koktej për të celebruar Besën shqiptare, pjesëmarrësit filluan të dalin nga salla një e nga një. Në dalje e sipër kishte nga ata që shprehnin habi për trimërinë dhe burrërinë e kombit tonë që nuk e kishim njohur deri më sot. Kishte edhe nga ata që mburreshin. Si për të përforcuar prezantimin që sapo kishim parë, një kryetare shoqate shqiptarësh në Toronto që mban në zyrën e saj fotografinë e Nënë Terezës dhe At Gjon Palit II (ajo normalisht nuk mban në zyrë foto të vëllait të Nënë Terezës që ishte fashist) na tha: “lum si ne re çuna që i kemi shpëtuar çifutët. Ne në Vllorë i donim shumë dhe i mbanim në pëllëmbë të dorës.” Një djalë që ecte pas nesh i menduar dhe që dukej pak më pragmatik se kryetarja na tha – “na bëjnë mirë këto prezantime. Ndonjë para nuk na japin e ndoshta ia fusin edhe kot, por edhe këto kanë të mirën e tyre. Përpara disa muajsh unë bëra aksident me një çifut që kishte një makinë që duhej t’ja paguaja të gjithë jetën. Kur doli nga makina dhe më kërkoi dokumentet e siguracionit dhe mësoi se jam shqiptar më tha – shko pse nuk dua asnjë lek nga ju, pse ju na keni shpëtuar.” Ndërsa një mik tjetër me të cilin fola disa ditë më pas më tha – ne dhe ambasadat tona e dimë që kjo gjë është e mbushur me të paqena, por na intereson reklama që na bëhet nëpër botë prandaj duhet të rrimë urtë.
Prezantimi mbi “Besën shqiptare” i Torontos ishte një prezantim i thatë dhe shumë thjeshtëzues. Lobi hebre në Perëndim ka nevojë të gjej miq në botën muslimane, dhe për këtë arsye i projekton shqiptarët si shpëtimtarët e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa është e vërtetë se shumica e çifutëve u shpëtuan në Shqipëri gjatë kësaj lufte, pati të tjerë që nuk u shpëtuan. Ndryshe nga çpretendon Sajmir Lolja, qeveritë kuislinge shqiptare të kohës së fashizmit dhe nazizmit nuk ishin pro-çifute por nazi-fashiste. Edhe kleri në Shqipëri nuk ka qenë proçifut. Nëse dikush lexon Hyllin e Dritës, shkrimet e Gjergj Fishtën e Anton Harapit dhe një mori shkruesish të tjerë të kësaj kohe e kupton shumë lehtë urrejtjen anti-semitike që kanë patur e ushqyer qarqe të caktuara në Shqipëri. Shqiptarët nuk janë popull i Besës dhe i Kanunit. Miti i Besës dhe Kanunit janë përralla të shpikura nga Kisha Katolike në Shqipëri në fillimin e shekullit të XX për ti treguar malësorët katolikë të veriut si njerëz me traditë dhe karakter. Por faktet si atëherë ashtu edhe sot tregojnë që në Shqipëri gjëja e fundit që ekziston, është Besa.
Arsyeja pse shumica e çifutëve u shpëtuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore lidhet me injorancën e madhe të popullit i cili pasi nuk dinte të lexonte nuk u ndikua nga idetë raciste evropjane të kohës dhe nga ato që shkruheshin në Hyllin e Dritës, nga dobësia e pushtetit në vend dhe karakteri islamik i popullsisë – e cila trashëgonte një kulturë tolerante nga Islami dhe praktika e miletit që në kohën e Perandorisë Osmane. Për më tepër shqiptarët e viteve të para të shekullit të XX ishin popull i ndryshëm nga ai që rritet sot në Shqipëri. Pas 11 shtatorit organet e SHIK-ut dhe policia sekrete kanë persekutuar, vrarë, burgosur e deportuar me dhjetra arabë dhe muslimanë të pafaj nga vendi ynë. Sikur shqiptarët të ishin popull i Besës që nuk ia dorëzon mikun të huajit, ata do ti kishin shpëtuar arabët ashtu siç thuhet se i shpëtuan edhe çifutët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por faktet e pas 11 shtatorit flasin për një realitet tjetër. Vetëm përpara tre ditësh ne lexuan në shtypin e Tiranës sesi shtetasi shqiptar Husam Ibrahim Tayeh pati të refuzuar shtetësinë e tij dhe i kërkohet të largohet nga vendi edhe pse ai jeton në Shqipëri prej 18 vitesh dhe ka grua dhe fëmijë shqiptarë. A ka pabesi më të madhe sesa kjo që po i bën shteti ynë Husames që është dhëndër i shqiptarëve? Sikur sot në Shqipëri, Perëndimi, në vend të arabëve të persekutonte çifutët, organet e sigurisë do ti persekutonin ata në të njëjtën mënyrë dhe pa pikën e mëshirës siç po bëjnë me vëllezërit e tyre semitë-arabë. Për këtë arsye, miti i Besës shqiptare që lobi çifut prezanton nëpër Perëndim për vendin tonë është i paqënë. Është një fiasko mediatike e cila ngrihet për arsye strategjike nga media të caktuara – ndoshta për ti treguar botës muslimane që shikoni nga Shqipëria që edhe pse ka muslimanë me mjekra e gra me shami i duan hebrejtë – ndërsa ju nuk i doni. Por për çdo historian dhe hulumtues serioz miti i Besës shqiptare është një shaka e dhimbshme… që normalisht për momentin na bën të ndjehemi të lumtur.