
Përkundrazi, Islami tradicional duke u bazuar në mësimet e qarta kuranore dhe në parimet udhëzuese të jetës së ndritur të Profetit, paqja qoftë mbi të, e ka shtjelluar doktrinën e marrëdhënieve mes femrës dhe mashkullit dhe ka caktuar norma që u mundësojnë të dyja gjinive të jetojnë dhe bashkëpunojnë për një rend sa më të mirë shoqëror. Në një kohë ku risi nga më të ndryshmet kanë deformuar tek shumë njerëz bashkëkohorë, përfshirë këtu madje dhe vet muslimanët, mësimet jetëgjata islame përsa u përket marëdhënieve mashkull-femër, që nga aspektet metafizike dhe shpirtërore e gjer tek ato më të jashtmet, është më se e nevojshme të riqartësohet kënvështrimi tradicional islam, duke filluar me parimet metafizike që orientojnë natyrën njerëzore dhe me marëdhëniet plotësuese mes mashkullit dhe femrës, ngritur këto në nivelin më të lartë.
Të flasësh për krijim dhe manifestim, do të thotë të flasësh për larmi e shumëllojshmëri, ku hapi i parë është polarizimi i kahershëm i dy parimeve kundërvënëse dhe plotësuese. Në lidhje me Njëshmërinë Hyjnore, gjithë kjo shumëllojësi është një mbulesë, ndërsa nga këndvështrimi i Thelbit Hyjnor, çdo gjë tjetër është një rastësi që përmbledh të gjitha jehonat e të Vetmit në pasqyrën e të shumtave që ne e quajmë botë; apo thënë më drejtë, të shumë botëve që njëherësh fshehin dhe manifestojnë të Vetmin. Por, nisur nga prizmi i rendit të krijuar, polariteti apo dualiteti i shfaqur nëpërmjet diferencimit të mikrokozmosit në burrë dhe grua, kurrsesi nuk mund të jetë rastësi. Ai përbën tiparin më të rrënjësishëm që ndërton natyrën njerëzore.
Kjo është dhe arsyeja se përse në ajetin kuranor të sipërpërmendur dhe në shumë ajete të tjera, Zoti i referohet krijimit të njerëzimit në çift, në dy forma të ndryshme si burrë dhe grua. Vet Zoti i Madhëruar është Krijuesi si i burrit ashtu dhe i gruas dhe çdo gjë që rjedh nga dallimi mes sekseve ka të bëjë me Urtësinë dhe Caktimin e Tij. Ndryshueshmëria mes sekseve nuk është ndonjë rastësi apo shtim i vonë, por është thelbësore për kuptimin e pozitës njerëzore, mungesa e së cilës sidoqëftë e çfarëdoqoftë, do të shkatërronte domethënien e realitetit endrogjenik (i identifikuar me njeriun perfekt apo universal; el-insan el-kemil) të cilin burri dhe gruaja e mbartin në thellësi të qënies së tyre.(1) Përderisa Zoti njerëzimin e ka krijuar çift, logjikisht dhe metafizikisht duhet të ekzistojnë disa tipare dhe elementë të veçantë që e dallojnë njërën pjesë të palës nga tjetra, sepse përndryshe nëse të dy do të ishin të njëjtë, atëherë do të kishim të bëjmë me një qënie identike. Kështuqë, dallueshmeria mes sekseve është e nevojshme. Ata nuk janë të njëjtë, së paku nëse marrim në konsideratë gjendjen e tërësishme të secilës gjini, dhe pse mund të jenë të njejtë në disa kahe apo drejtime të tjera.
Nisur nga këndvështrimi islam, në të vërtetë barazia e tyre së pari dhe mbi të gjitha përfshin entelehinë e gjendjes njerëzore si të tillë, në të cilën si burrat ashtu edhe gratë marrin pjesë në sajë të përkatësisë në gjininë njerëzore. Që të dy, burri dhe gruaja, u krijuan për përjetësi e çlirim shpirtëror. Megjithatë, poshtë këtij niveli ekzistojnë dallime mes dy gjinive, një realitet që nuk mund të mohohet në emër të çfarëdolloj barazimtarie. Për më tepër, ndryshimet mes gjinive nuk mund të jenë thjesht biologjike dhe fizike, sepse nisur nga prizmi tradicional, niveli trupor i ekzistencës i ka rrënjët tek gjendja e panjohur, e panjohura apo e fshehta tek shpirtërorja dhe shpirtërorja në Vet Qënien Hyjnore. Dallimi mes sekseve nuk mund të përshkallëzohet thjesht në anatomi dhe ecuri biologjike.ت Po ashtu, ka dhe ndryshime psikologjike dhe dallime në temperament, ndryshime llojesh shpirtërore apo dhe parimesh brenda Natyrës Hyjnore, që janë burime në divinitete dualiteti, prezantuar në nivel mikrokozmik si mashkull dhe femër. Zoti është Absolut dhe i Pafundëm. Absolutshmëria - dhe Madhështia, që është e pandashme prej saj- manifestohen më drejtëpërdrejtë në natyrën mashkullore; Pafundësia dhe Bukuria në atë femërore. Vet trupi i mashkullit tregon madhështi, fuqi e pushtet; ndërsa trupi i femrës pasqyron bukuri, hijeshi e pafundësi. Por, tërë këto parime, pasqyrohen po ashtu në të gjitha botët e ndërmjetme të ekzistencës të cilat tek çdo lloj mikrokozmosi, mashkull apo femër, ndasojnë gjendjen trupore nga Prania Hyjnorë.ت Përderisa Zoti është Një i Vetëm dhe njeriu, pra qënia njerëzore pavarësisht se cilës gjini i përket, mund të jetë një qënie teomorfike që pasqyron Emrat dhe Cilësitë e Zotit(2); si dhe mund të jetë një qënie që reflekton të Vetmin dhe që kërkon të kthehet tek i Vetmi.
Kësisoj, mes gjinive ekziston njëherësh plotësueshmëria dhe rivaliteti; kemi bashkim dhe polaritet në të njëjtën kohë. Femra është njëherësh Mari që simbolizon Mëshirën Hyjnore në traditat abrahamike dhe hijeshinë që buron nga kjo mëshirë, dhe Evë, e cila josh, mashtron dhe materializon shpirtin e burrit, duke çuar në degjenerimin e tij, dhe pse në Islam Eva nuk është shkaku i zbritjes nga kopshti Edenik. Femra është njëherësh burim i dëshirave seksuale dhe teatri ku soditet dhe kundrohet Hyjniteti dhe aspekti i Tij i pakrijuar. Ngjashmërisht, burri është njëherësh simbol i Zotit dhe Krijuesit, dhe një qënie e cila duke harruar mvartësinë ontologjike tek Zoti, do të kërkonte si pushtues të luante rolin e Zotit dhe Krijuesit, ndërkohë që prapë se prapë mbetet një qënie e vdekshme dhe që zhduket. Perdja e manifestimit kozmik, hixhabi i metafizikës Islame, e bën lidhjen mes gjinive një marëdhënie dyvalente. Por, lidhja e thellë metafizike ndërmjet dy sekseve, është e atillë saqë dëshira për tu bashkuar me pjesëtarin e seksit të kundërt është e menjëhershme, që nënkupton përfundimisht nevojën për të rifituar ndërgjegjësimin e bashkimit të hirshëm i gjindur tek paraardhësi endrogjenik i njerëzimit në pozitën parajsore dhe rivalitetin mes sekseve duke qenë se çdo qënie njerëzore mbetet ngaherë një imazh i tërësishëm i insanit të kahershëm. Ndërkohë që fe të tjera kanë vënë theksin më shumë në anët negative të seksualitetit, Islami bazohet në anët e tij positive, që madje shihet si një mundësi për përsosmërinë e natyrës njerëzore, në nivelin më të lartë të mundshëm, një simbol i bashkimit me Zotin, pa dyshim atëherë kur marëdhëniet seksuale orientohen dhe kanalizohen sipas Ligjit Hyjnor.
Duke iu drejtuar njeriut në natyrën e tij të kahershme, شnjeriut si i tillëص,(3) Islami e parasheh dashurinë ndaj burritتapo gruas si të pandashme nga dashuria ndaj Zotit, dhe që të afron fare pranë Tij.(4) Si rezultat i këtij تkëndvështrimi, në spiritualitetin Islam ekziston një hierarki për dashurinë që shtrihet nga e ashtuquajtura 'dashuri metaforike' (el-ishk el-mezhezi), në 'dashurinë e vëtetë' që është dashuria për Zotin.(5) Hadithi i mirënjohur por eliptik i Profetit a.s se nga gjërat që kishte më përzemër në këtë botë ishin gratë dhe parfumi, ndërsa në namaz gjente qetësinë, cek aspektin pozitiv të seksualitetit në Islam si dhe lidhjen që ekziston mes natyrës shpirtërore të grarisë dhe namazit, që është mënyra më e drejtëpërdrejtë për t'iu afruar Zotit si qënie njerëzore, dhe gjithashtu prek përvojën ndjesore më të ndjeshme që ka të bëjë me aftësitë nuhatëse(6). Për më tepër, Kurani në mënyrë të veçantë shpreh lidhjen simbolike mes parfumit dhe bashkimit seksual. ثshtë pikërisht për shkak të këtij roli pozitiv që seksualiteti gëzon në këndvështrimin Islam që tema e dashurisë, si realizim gnostik mbizotëron shpirtëroren e saj, që Zoti shfaqet si i Shtrenjti dhe femra si një qënie e çmuar që simbolizon brendësi dhe parajsën e brendshme që për njeriun qëndron e fshehtë si pasojë e humbjes së 'syrit të zemrës' dhe fuqisë për t'i perceptuar gjerat ne divinitete(7).
Zbritja e njeriut në nivelin e ndasisë dhe harresës, solli një zbulim dhe përmbysje në atë soditje të bukurisë femërore që mund ta ndihmojë njeriun t'i rikthehet sërish Qendrës dhe që sjell me vete hijeshinë, në ndjekje të së cilës ai harxhon aq shumë energji me apo pa vetëdije. Kjo forcë ka pushuar së vepruari tek shumë qënie njerëzore, përjashtuar ndonjë formë të mundshme. Megjithatë, jehona e saj dëgjohet akoma; madje kënaqësia fizike e bashkimit seksual pasqyron diçka nga kryelloji i saj parajsor dhe vet ajo është dëshmia e bashkimit të shenjtë i cili është prototipi qiellor i çdo bashkimi toksor mes gjinive dhe që i përçon aktit biologjik, pavarësisht nga mungesa ontologjike mes kryellojit dhe pasqyrimit tokësor si dhe e elementit të inversionit që është gjithashtu i pranishëm mes simbolit dhe të simbolizuarit, diçka prej përjetimit të së Pafundmes dhe Absolutes. Ibn Arabi qëllon në shenjë kur e përshkruan soditjen e Zotit tek gruaja si forma më e lartë e mundshme e soditjes. Për këtë shkruan: "Kur burri sodit Zotin tek gruaja, kundrimi i tij qëndron në atë që është pasive; nëse e sodit atë tek vetja, duke parë që gruaja vjen prej burrit, ai e kundron Atë në atë që është aktive; dhe kur e sodit Atë vetëm, pa praninë e çdo lloj forme te krijuar prej Tij, soditja e tij korrespondon me një gjendje pasiviteti në lidhje me Zotin, pa ndërmjetësi. Kësisoj, soditja e tij për Zotin tek gruaja, është më e përsosura, ngase është Zoti, Ai që është njëherësh aktiv dhe pasiv që ai sodit, ndërkohë që në soditjen e pastër të brendshme, ai e kundron Atë vetëm në një formë pasive. Prandaj dhe Profeti, paqja qoftë mbi të, i donte gratë për shkak të soditjes së përsosur të Zotit në to. Njeriu kurrën e kurrës nuk do të ishte i aftë për të parë Zotin drejt për së drejti në mungesë të çfarëdolloj ndihme (ndjesore apo shpirtërore), sepse Zoti në Thelbin e Tij Absolut, është i pavarur nga të gjitha botërat. Por, duke qenë se e Vërteta Hyjnore është e paarritshme përsa i përket (Esencës) dhe ka dëshmi (shehadet) vetëm nëpërmjet një lënde, soditja e Zotit tek gratë është më e madhja dhe më e përsosura; dhe bashkimi më i zjarrtë (bazuar në një rend të logjikshëm dhe që shërben si mbështetje për këtë soditje) është ai bashkëshortor."(8)
Duke qenë se feja ka për qëllim përfundimin e njeriut dhe përsosjen e tij, Islami ka vënë dhe ligjëruar parime shpirtërore dhe etike, që në përputhje me perspektivën e tij, shohin dobinë e këtij aspekti kaq të rëndësishëm të qënies njerëzore, nën emrin seksualitet, për të ndihmuar në rrugën drejt përsosurisë të qënies njerëzore dhe për ta lehtësuar atë si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër. Kjo është mëse e vërtetë përderisa Islami është një rend shoqëror, po aq sa është një rrugë shpirtërore, një Sheriat po aq sa një Tarikat.(9) Poashtu, siç e kemi përmendur tashmë, Islami parashikon rrugën drejt Zotit, që është dhe qëllimi përfundimtar i qënies njerëzore, ngritur mbi bazat e ekuilibrit shoqëror dhe personal. Shpirtërorja në Islam ngrihet përherë mbi themelet e një ekuilibri që është i pandashëm nga emri el-islam; paqe: një ekuilibër që manifestohet në një mënyrë që të zë sytë, në të gjitha manifestimet autentike të Islamit, në artin e shenjtë në veçanti.(10) Për të ndërtuar këtë ekuilibër dhe për ta bërë jetën shpirtërore bazuar mbi të të mundshme, Islami ka parashikuar një rend njerëzor ku gjinitë nuk shihen si palë armike ndërluftuese, por përkundrazi si palë që plotësojnë njëra-tjetrën. Në planin shoqëror dhe familiar ka vënë një rend social në të cilin duhet të ketë një maksimum stabiliteti, ka vënë theksin në bashkimin sa më të mirë të mundshëm të mashkullit dhe femrës në një strukturë familiare si dhe thërret fuqishëm për martesë e cila është detyrë fetare. Megjithatë, martesa nuk shihet si një sakrament, përderisa nga këndvështrimi alkimik si dhe ai metafizik- që është pikëpamje islame- akti seksual tashmë ëshë një akt i shenjtë që duhet kanalizuar sipas Ligjit të Shenjtë për të drejtudhëzuar pasionet dhe dëshirat njerëzore dhe që nuk i nevojitet një sakrament tjetër që të shenjtërohet. Pa dyshim që legjislatura islame dhe struktura shoqërore e ngritur mbi të, nuk garantojnë një rend ku gjithëkush kënaqet me çfarëdolloj forme, sepse të flasësh për manifestim dhe larmitet do të thotë të flasësh për shkëputje nga burimi unik i së mirës dhe kësisoj të jesh pjesë e botës së papërsosmërisë. Ajo çka rendi shoqëror islam ka kërkuar gjithmonë të arrijë është krijimi i maksimumit të ekuilibrit, mbi të cilën njerëzit mund të ndërtojnë jetën e tyre të rrethpërqendruar dhe që ka për synim entelehinë dhe fundin e njeriut. Për ndryshe nuk ka se si të shpjegohet që disa njerëz kanë qenë të palumtur në një situatë familiare poligamike, ashtu siç ka patur të tjerë që nuk kanë qenë të lumtur në një monogamike- apo madje si njerëz krejtësisht 'të lirë' që jetojnë si qënie të automatizuara që janë pjesë e një shoqërie të automatizuar ku çdo subjekt është, apo të paktën duket se është, i lirë të bëjë ç'të dojë apo të lëvizë sipas dëshirës.
Shqetësimi i Islamit nuk është se si ta bëjë këdo të lumtur, përderisa lumturia është diçka që nuk është e mundur në këtë botë. Në të vërtetë bota nuk do të ishte botë (dunja me gjuhën e Kuranit), nëse ajo do të mundësohej që këtu. Përkundrazi çështja ka qenë se si të krijohej një gjendje në të cilën mund të arrihej njësia maksimale e harmonisë dhe ekuilibrit dhe që do të ishte më udhëzuesja për jetën e njeriut si zëvendës i Zotit në tokë dhe më dijeninë e Vullnetit të Tij gjatë këtij udhëtimi të shkurtër të ashtuquajtur jetë. Përderisa seksualiteti, larg nga të qënit thjesht një aksident biologjik, mbart në domethënie të thellë metafizike(11), për Islamin ka qenë e mundur që të fokusohet në aspektin pozitiv dhe jo në atë negativ të kësaj force të fuqishme e të thekshme brenda jetës së njeriut.(12) Megjithëse si burri ashtu dhe gruaja janë insan, pra të dy janë imazhi i Zotit dhe mbartin në thellësi të qënies së tyre realitetin endrogjenik, ata nuk mund ta arrijnë këtë realitet të brendshëm dhe superior nëpërmjet mbajtjes së një lloji më së pakti dominues mes dy gjinive. Pa dyshim, që të dyja gjinitë në vete mbartin parime si të mashkullit ashtu dhe të femrës, jini dhe jangu sipas traditave të lindjes së largët; vetëm se tek mashkulli parimet mashkullore dhe tek femra parimet femërore janë më mbizotëruese. Për ta mbajtur këtë lloj gjendjeje duhet lëvizur në kahun tjetër. Shpirtërorja në Islam në të vërtetë tenton drejt sqarimit dhe dalluëshmërisë së plotë tek të dyja palët. Modelet shoqërore dhe arti i të veshurit, ndër të tjera ndihmojnë në krijimin e llojeve mashkullore që janë shumë mashkullore dhe në krijimin e llojeve femërore që janë shumë femërore.
Nëse bashkimi seksual simbolizon tërësinë endrogjenike të cilën të dya gjinitë e kërkojnë në mënyrë të ndërgjegjshme apo dhe të pandërgjegjshme, vet ky bashkim kërkon dallimin dhe ndasinë mes gjinive, që në të vërtetë mund të jetë pjesë e aktit të shenjtë pikërisht për shkak të këtij dallimi. Për më tepër çdo gjini pozitivisht simbolizon një aspekt Hyjnor. Sëkëndejmi, divijimi dhe perversiteti seksual jo vetëm që qëndrojnë larg përsosjes shpirtërore dhe bëhen pengesë madhore për të, por janë dhe zhveshje prej maskulinitetit dhe fimininitetit dhe në të njëjtën kohë një lëvizje psikologjike dhe emocionale drejt llojit të përbashkët neutral gjë që sipas këndvështrimit islam sinjalizon një humbje të pakorigjueshme dhe largim të mëtejshëm nga përsosja e insanit të kahershëm, që ishte mashkull e femër bashkë. Njeriu 'neutral' është në të vërtetë një parodi e qënies njerëzore të kahershme që ishte Adam dhe Evë bashkë. Mësimet islame mëse e kanë qartësuar këtë çështje. Ka në fakt hadithe që u drejtohen meshkujve që vishen dhe veprojnë si femra dhe anasjelltas, si shenja që sinjalizojnë fundin e botës. Në Islam si mashkulli ashtu edhe femra shihen si dy krijesa të Zotit, secila duke pasqyruar disa aspekte të Cilësive dhe Emrave të Tij dhe që me bashkim arrijnë ekuilibrin dhe përsosmërinë që Zoti ka caktuar për ta dhe që e ka bërë qëllim të ekzistencës së tyre. Doktrinat islame bazuar mbi pastërtinë seksuale, ndarjen mes gjinive në shumë aspekte të jashtme të jetës, mbulimi i bukurisë femërore ndaj të huajve, ndarja e përgjegjësive familiare dhe shoqërore, të gjitha burojnë nga parimet e sipërpërmendura. Zbatimet e tyre të veçanta varen nga kulturat dhe mjediset e ndryshme shoqërore ku Islami është ngritur dhe ka qenë shumë i larmishëm. Për shembull, mënyra se si një femër malajziane e fsheh bukurinë e saj, ndryshon nga mënyra se si një siriane, pakistaneze apo senegalase e bën një gjë të tillë; madje dhe brenda një shteti të vetëm, ajo që është quajtur mbulesë (hixhab), asnjëherë nuk ka qenë e njëjtë mes nomadëve, fshatarëve dhe qytetarëve. Dhe roli plotësues i dy gjinive nuk e ka penguar gruan muslimane të marrë pjesë në të gjitha sferat e jetës duke filluar që nga udhëheqja e vendit e zotërimi i bizneseve të mëdha gjer në sipërmarrjen e thertoreve. Madje botës muslimane nuk i kanë munguar as gra të famshme dhe figura të shquara si Fatimja, bija e Profetit a.s, që ishte mishërim i devotshmërisë; Aishja, gruaja e Profetit a.s prej së cilës janë transmetuar aq shumë hadithe të sakta; Zejnebja, mbesa e profetit a.s, që mbajti një ndër fjalimet më elokuentë në historinë islame para Jezidit pas vdekjes së vëllait të saj, imam Husejnit, në Qerbela; Rabiah, një ndër muslimanet më të përkushtuara; apo Sajid Nasifah që ishte me zë përsa i përket diturisë në Ligjin Islam.
Ekzistenca e tyre dhe e shumë personaliteteve të tjera, që nga antikiteti gjer në ditët tona, shfaq para syve tanë të vërtetën e pamohueshme se të nxënit si dhe sfera tregtare, agrikulturore etj, ishin të hapura për ato gra që zgjodhën apo iu hap rruga në ndjekje të këtyre fushave. Por, parimi i plotësueshmërisë mbizotëroi mbi uniformitetin dhe konkurrencën. Kjo plotësueshmëri ishte rrënjosur më shumë në barazi sesa në barazimtari dhe kërkoi të bazohej në atë që u shërbente më së miri interesave të shoqërisë si një trup i shenjtë, me burra dhe gra si qënie të pavdekshme. Megjithëse shpirtërisht ky këndvështrim e pa gruan si simbol i Pafundësisë së Zotit dhe aspekt të Hyjnitetit mbi krijim gjer në atë pikë sa Xhelaludin Rumiu i referohet gruas si 'e pakrijuar', në nivelin kozmik dhe njerëzor njohu rolin e mashkullit si shtyllë e qëndrueshme rreth të cilit u ndërtua familja dhe në duart e të cilit ra përgjegjësia për mbarëvajtjen e gruas dhe fëmijëve si dhe detyra për mbrojtjen e ligjit të Zotit dhe rendit shoqëror. Në Kuran, burrit i është dhënë përparësi mbi gruan, por kjo përgjegjësi nuk i është lënë si t'i hidhet një kafshe me dy këmbë. Përkundrazi, atij i është besuar kjo detyrë si imam dhe zëvendës i Zotit në tokë, me shpirt dorëzuar vetëm tek Ai. Në një farë kuptimi, shpirti i burrit duhet të jetë shqëruesi i Shpirtit, në mënyrë që ai të jetë i aftë ta luajë siç duhet rolin e burrit për gruan dhe atë të babait për fëmijët e tij. Rebelimi femëror ndaj mashkullit, nuk ndodhi vetëm se kur ky e fundit ngriti krye kundër Qiellit. Por dhe epërsia relative që i është dhënë funksionit mashkullor, që nuk përbën privilegj por përkundrazi përgjegjësi, assesi nuk ka ndërhyrë në këndvështrimin islam se mashkulli dhe femra u krijuan që të dy për pafundësi, se ritet fetare janë të detyrueshme për secilin dhe se shpërblimi është për secilën palë njëlloj. Ritet sheriatike në Islam janë për të dya gjinitë dhe Kurani e përmend mjaft qartë këtë gjë: "Nuk ka dyshim, se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertët dhe të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh."(13)Madje dhe në ato raste kur rite të caktuara janë vetëm për meshkujt, siç është namazi i xhenazes, kjo nuk përbën ndonjë privilegj të veçantë, ngase, dhe pse Zoti nuk u ka ngarkuar grave përgjegjësi të tilla, Ai ende kërkon prej tyre që të jenë ngulmuese në arritjen e gradave më të larta shpirtërore që janë dhe raison d'etre të këtyre riteve. Përsa u përket praktikave shpirtërore, të gjindura në sufizm, kanë qenë përherë të zbatueshme dhe për gratë, dhe ka pasur gjithmonë plot gra pasuese në regulla të ndryshme sufiste, disa prej të cilave janë bërë evlija dhe janë bërë udhëheqëse shpirtërore. Në të vërtetë, në Sufizëm ka një dimension femëror që zotëron një parfum të posaçëm të vetin.(14)
Si përfundim duhet të kujtojmë sërish Origjnën, e cila në thelb qëndron mbi sekset dhe dualitetet e tjera, por që në Madhështinë dhe Bukurinë e saj, mbart rrënjët e asaj çka në planin e ekzistencës kozmike shfaqet si parimet femërore dhe mashkullore e ndërkohë në planin njerëzor si mashkull dhe femër. Njerëzit lindin si meshkuj apo femra jo rastësisht, por sipas përcaktimit për ta. Ata mund ta përmbushin rolin e tyre në jetë, të arrijnë përsosmërinë që e vetme mund të sjellë lumturi madje dhe të transhendentojë të gjitha gjurmët e ekzistencës ndasore dhe të kthehen tek i Vetmi, vetëm duke pranuar fatin e tyre dhe duke transhendentuar nga lart formën me të cilën lindën dhe jo duke ngritur krye ndaj saj. Në emrin e Shenjtë të Zotit, nuk ka as mashkull e as femër, dhe askush nuk mund të depërtojë brenda shenjtërisë së atij Emri pa integruar plotësisht në vetvete elementët pozitivë të gjinisë me të cilët ai erdhi në këtë botë. Njeriu Universal është brendësisht një qënie endrogjenike që zotëron përsosmërinë e të dyja gjinive, por se ai dhe ajo nuk mund ta arrijë atë përsosmëri vetëm se duke u qëndruar besnik normave apo kushteve që gjinia e tij apo e saj dëften. Ndërkryemja e sekseve ndaj ekuilibrit që vjen vetëm me plotësueshmërinë dhe bashkimin e të dyja palëve, është njëherësh rezultat dhe një bashkëshoqërues i rëvoltës së njeriut modern kundrejt Qiellit. Njeriu nuk mund të arrijë paqen dhe harmoninë të cilat janë një parashijim parajsor që gjithësecili i mbart në thellësi të vetvetes, pa vënë në jetë dhe realizuar plotësisht mundësitë e linduara tek çdo qënie njerëzore, mashkull qoftë apo femër. Të mohosh tiparet e përveçme dhe dalluese të gjinive dhe Legjislaturën e Shenjtë bazuar në këtë relaitet kozmik objektiv, i thonë të jetosh poshtë nivelit njerëzor; thënë me qartë, të jesh rastësish njeri. Kësaj i thonë të sakrifikosh dhe të ndërrosh jetën e pafundme për një të ashtuquajtur drejtësi tokësore bazuar në një uniformitet, që përfundimisht dështon madje dhe në nivele tokësore, përderisa nuk merr në konsideratë atë realitet që përbën natyrën njerëzore në aspektet femërore dhe mashkullore bashkë.
Fusnota
1. Eshtë e mahnitshme të përmendësh këtu se termi që Kurani përdor për njeriun është 'insan', që i referohet natyrës njerëzore si e tillë dhe asnjërës nga gjinitë. Termi i gjuhës arabe i afrohet më shumë atij latin homo dhe atij gjerman menschsesa atij të gjuhës angleze man.
2. Përdorur me kuptimin e njeriut si qënie teomorfike, një doktrinë që nuk nënkupton çdo lloj antropomorfizmi. Shih F. Schuon, Understanding Islam, faq. 13ff.
3. Schuon e nis kështu veprën e tij të famshme, Understanding Islam, “Islami është takimi mes Zotit si i tillë dhe njeriut si i tillë: që do të thotë njeriu i parë jo si një bashkëqënie që i nevojitet një mrekulli për ta shpëtuar, por si njeri, si një qënie teomorfike e begatuar me inteligjencë, e aftë për të sendërtuar Absoluten dhe me vullnetin për të zgjedhur atë që të shpie drejt Absolutes."
4. "Duke dashur njëri-tjetrin, Adami dhe Eva deshën Zotin; ata as mund të donin e as që mund të njihnin jasht Zotit. Pas ardhjes në tokë, ata e deshën njëri-tjetrin jasht Zotit dhe për veten e tyre, dhe e njihnin njëri-tjetrin si fenomen të ndarë dhe jo teofani; ky lloj i ri dashurie ishte një dashuri seksuale dhe ky lloj i ri njohjeje ishte profanitet." Schuon, Islam and the Perennial Philosophy, faq. 191.
5. Kjo temë është veçanërisht e shtjelluar nga disa Sufistë që me vend janë quajtur, fedeli d'amore të Islamit. Shih H. Corbin, En Islam Iranien, vëll. III, Paris 1972, (me nëntitull Les Fideles d'amor), cekur sidomos në faq. 9-146, rreth Ruzbahan Baklit, pronari shenjtor i Shirazit.
6. Ibn Arabi i ka kushtuar shumë faqe në kapitujt e fundit të librit të tij 'Fusus el-hikam'shfaqes së domethënies metafizike të këtij hadithi të Profetit a.s dhe pse gratë, parfumi dhe namazi janë përmendur pikërisht me këtë lloj rendi.
7. Bukuria e gruas për një burrë të përkushtuar shpirtërisht, është një zbulim i bukurisë parajsore që ai mbart në zemër të qënies së tij dhe të cilën e cek dhe Kurani kur flet për hyritë e Xhennetit. Po ashtu, mirësia e burrit, për gruan është konfirmim dhe mbështetje e mirësisë së saj të brendshme. Sipas një proverbe arabe, tek gratë mirësia është e brendshme dhe bukuria e jashtme, ndërsa tek burrat mirësia e jashtme dhe bukuria e brendshme. Mes gjinive nuk ka thjesht plotësueshmëri, por dhe inversion marëdhëniesh. Nisur nga një këndvështrim i caktuar, burri simbolizon pamje të jashtme, ndërsa gruaja brendësi. Ajo është teofani e ekzoterizmit, dhe në vija të caktuara spiritualiteti, Urtësia Hyjnore (që si al-hikmah, në arabisht është femërore), shfaq veten tek gnostikja si një grua e bukur.
8. Shih Muhij al-Din ibn Arabi, Urtësia e Profetit, e përkthyer nga arabishtja në frengjisht nga A. Culme-Seymour, Gloucestershire, 1975, faq. 120.
9. Shih S.H. Nasr, Ideals and Realities of Islam, kapitulli i parë, i katërt dhe i pestë.
10. T. Burckhardt është marrë me këtë çështje në shumë nga studimet e tij të imtësishme rreth artit islam. Shih sidomos veprën e tij Arti Islam.
11. Për parimet metafizike lidhur me seksualitetin dhe karakterin e tij, siç paraqitet në shumë burime të nxjerra në përgjithësi nga traditat perëndimore, shih G. Evola, Metafisica del sesso, Romë 1958.
12. Përderisa seksualiteti është një shpatë me dy prerëse, këndvështrimi tjetër që bazohet në idealin murgjëror, ka poashtu bazat e tij metafizike dhe iu desh të manifestohej në shumë fe si Budizmi dhe Krishterimi. Dhe në Islam, qëndrimi pozitiv ndaj monoasketizmit si ndarje nga bota realizohet brenda, përderisa në të monoasketizmi si institucion nuk njihet. Dhe megjithë theksin që Islami vë mbi martesën e me gjithë rolin pozitiv të seksualitetit në spiritualitetin islam, ka patur shumë burra dhe gra që kanë praktikuar frenimin seksual. Në fakt, nuk do të ishte e mundur të përjetohej bashkimi seksual i kryellojit parajsor pa fazën e parë të asketizmit, që i mundëson shpirtit t'i përjetojë fenomenet si simbole e jo si fakte. Kjo është dhe arsyeja se përse përjetimi i aspektit shpirtëror të seksualitetit nuk mund të arrihet jashtë traditës dhe ligjeve të shenjta që kanalizojnë të gjitha marëdhëniet njerëzore, përfshirë këtu dhe seksualitetin.
13. Kuran (XXXII: 35) përkthimi i Pickhall-it. Lidhur me këtë këndvështrim shih Aishe Lemu, 'Gratë në Islam', në botimin e A. Gauhar, The Challange of Islam, Londër, 1978, faq. 249-267. Në Kuran gjithashtu thuhet: "Kushdo që bën mirë, burrë apo grua qoftë dhe është besimtar, atij vertët do t'i japim një jetë të mirë, dhe do ta shpërblejmë më së miri për atë që punoi." (XVI: 97)Pikëpamjet islame lidhur me gratë dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, nga një këndvështrim fetar si dhe shoqëror e antropologjik, shin veprën e Muhamed Abdu-Raufit 'Këndvështrimi islam për gratë dhe familjen', Nju Jork 1977; E. W Fernenë dhe P.K Bezirgan 'Gratë e Lindjes së Mesme flasin', Austin 1977; dhe D.H Dwyer, 'Imazhet dhe vet-imazhet: Meshkujt dhe femrat në Marok. Nju Jork, 1978. Nuk ia vlen të përmendim këtu gjithë atë literaturë që është shkruar për këtë çështje në lidhje me paragjykimet në perëndim, si dhe literatura nga këndvështrimi profan përsa i përket gjendjes dhe natyrës njerëzore. Gjithashtu ka shumë pak që nëpërmjet përkthimit, do të përbënin shkrime të vlefshme autentike nga gra muslimane për tema fetare dhe shoqërore.
14. Një mjeshtër i madh si ibn Arabi kishte drejtuese shpirtërore (shejkah në arabisht) në kohën kur ishte në Andaluzi. Për elementin femëror në Sufizëm shih A.M Schimmel, 'Dimensionet mistike të Islamit', Chapel Hill 1975, 'Elementi femëror në Sufizëm', faq. 426ff: dhe L. Bakhtir, Arti sufist dhe imagjinata' Londër 1976; gjithashtu shih, Gratë sufiste, Nju Jork, 1983.
Përktheu: Ermira Dani