15 vjet punë për Skënderbeun politik

Ky punim nuk është një tjetër jetëshkrim i Skënderbeut simbas modelit “jeta dhe vepra”, është një përpjekje për të hartuar një histori politike të “poetit të madh të politikës shqiptare”, sikurse Montanelli e thirri. Kur e përmendte Skënderbeun në veprën e tij klasike Edukimi britanik ose burimi i çrregullimeve në Britaninë e Madhe Thomas Sheridani (1719- 1788) e rendiste Gjergj Kastriotin ndër njerëzit e mëdhenj që do të jetojnë përgjithmonë në “ tempullin e kujtesës”. Nga Barleti (Barletius) deri te Sheridani, që shkruante ashtu, koha e kishte vërtetuar këtë; tanimë e ka vërtetuar edhe nga Sheridani në ditët tona. Në të mirë a në të keq, prej shek. XV deri sot e gjithë ditën, çdo brez arbërish/ shqiptarësh ka parë te vepra e Gjergj Kastriotit një bashkëkohës me të cilin i duhet t’i bëjë “ llogaritë”: ta dashurojë ose ta urrejë, ta ndjekë ose ta mohojë, por gjithsesi ta mbajë parasysh. Noli, që u mor me të gjatë thuajse tërë jetës, pohoi aty nga fundi i saj: “Ngandonjëherë pyes veten nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu?”

I njohur më së shumti si “Skënderbe”, Gjergj Kastrioti është imponuar tanimë në historinë e Shqipërisë si figurë “heroi kombëtar”, madje si “simbol” i identitetit të shqiptarëve arbër dhe i qëndresës dhe/ ose i luftërave të tyre, në nivelin e informacionit enciklopedik botëror. Si i tillë është vlerësuar ai veçanërisht prej një filoni të historiografisë europiane që e zë fillin te tradita humanisto- iluministe. Merret vesh vetiu që figura si e tija, në historinë e çdo kombi, vuajnë jo vetëm rrezikun e ngatërrimit të kufijve mes historisë dhe legjendës, por edhe të shpjegimit të njëanshëm të tyre; jashtë kontekstit të kohës ose pa lidhje me idetë e zhvilluara a me lëvizjet e organizuara përbrenda të cilave ata vetë kanë jetuar, vepruar, luftuar. Është edhe kjo një arsye që “historia e Skënderbeut” vijon të shtrojë pyetje para specialistëve shumëfarësh, dhe për të cilën ajo lypset rishkruar.

Prej kohës së Marin Barletit, kohë portretistësh të “burrave të mëdhenj” e të “princërve idealë”, panegjiristët e Skënderbeut, nga njëra anë, dhe detraktuesit e tij, nga tjetra, kanë ardhur duke u ndarë dy palësh. Të dyja kanë pasur për tregues të përbashkët ngulmimin e paepur në “ bindjet” e veta. Për lexuesin tonë ato kanë ndryshuar në rrafshin e njohjes: panegjiristët janë receptuar gjithnjë më fort se detraktuesit, që me gjasë e zënë fillin te Kujtesa e Muzakës, i cili nuk mundte as ta pranonte, jo më ta lavdëronte politikën e Gjergj Kastriotit për t’i shndërruar fiset arbërore në shtet. Edhe kjo situatë tendosjeje dy palësh e bën të dobishme marrjen dhe rimarrjen e “historisë së Skënderbeut”: jo vetëm duke rishikuar sa për të është shkruar, por duke verifikuar tezat dhe kundërtezat në ballafaqim me burimet, enkas për sa i përket anës politike të saj. Për një këso historie politike punime monografike si Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV i Athanas Gegajt (Louvain 1937), Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1405- 1468 i Fan S. Nolit (New York 1947), studimet skënderbegiane të Aleks Budës, deri tek ato më të fundit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra 1405- 1468 e Kristo Frashërit (Tiranë 2002), Skënderbeu (Tiranë 2005) dhe Për Skënderbeun (Tiranë 2005) të Kasem Biçokut, jo që nuk bëhen pengesa, por shërbejnë si ndihma me mjaft vlerë.

Nëse historia në përgjithësi lypset rishkruar kohë më kohë, kjo nuk ndodh thjesht e vetëm prej zbulimit të “të dhënave” të reja. Kultura e një kombi ndryshon. Bashkë me të, konceptet zotëruese në kulturë ndryshojnë edhe ato. Pikëpamje të reja shfaqen domosdo, për të përfshirë, për të vlerësuar dhe për të renduar “të dhënat”.

Bashkëkohësit e një epoke në zhvillim progresiv mbërrijnë në pikën e pamjes nga e cila mund të rishikohet dhe të rivlerësohet e kaluara në një modalitet të ri: edhe atëherë historia rishkruhet. Ndërsa shkruante pikërisht për Skënderbeun, këtë të vërtetë e dinte, fjala vjen, Aleks Buda, ndonëse e pohonte me mëveshje “marxiste”: “Çdo epokë e shtron rishtas problemin e rëndësisë dhe të funksionit historik të një heroi dhe çdo epokë i përgjigjet ndryshe këtij problemi”.

Ndër pikëpamjet që domosdo vijnë e ndryshojnë për ç’i takon historisë politike të Skënderbeut janë, për shembull, ato që kanë të bëjnë me motivimet në dukje të rendit fetar, në të vërtetë: me kuptimin e drejtpërdrejtë politik të qëndresës dhe luftërave të tij. Për autorin e këtij punimi do të ishte historikisht arbitrare t’i thjeshtoje këto motivime duke i përligjur si “mjete”, “mbetëza”, ose “çështje ritesh dhe praktikash”. Ngre peshën e vet qortimi i këtyre pikëpamjeve thjeshtuese në një histori politike, sepse edhe ndër historishkruesit e sotëm ka asish “studiues modernë” që nuk e kuptojnë - ose nuk dëshirojnë ta kuptojnë - thirrjen (vocatio) fetare. Edhe kur flasin për këtë thirrje, ata e shohin atë si element të papërfillshëm për t’i kushtuar vëmendjen e duhur. Në mos po si një “shkas të rëndomtë”. Edhe kur vetëshpallen ashikë të thekur të Barletit, fjala vjen, studiues të tillë bezdisen sa s’thuhet prej faktit që në Historinë e tij Barleti oreçast e thërret heroin e vet “ i Krishteri” me “ Ch” të madhe. Madje, duke falsifikuar edhe Barletin dhe duke i nxjerrë copëza fjalish nga konteksti, ndonjë syresh ka pasë mbërritur të shkruajë se ky vetë paskësh thënë për “shqiptarët” se ata qenkëshin “më shumë luftarakë se fetarë”, ndërsa thënia në fjalë e Barletit pohon të kundërtën pikërisht për epokën e Skënderbeut: “Kurrë ndonjëherë populli epirot, popull më shumë luftarak se fetar, nuk i është lutur më fort Perëndisë...”. Është hamenduar, edhe në rastin e Gjergj Kastriotit, që ai të ketë folur për “detyrë fetare”, të jetë përfshirë në luftë për “mbrojtjen e krishterimit”, ose drejtpërsëdrejti në projekte kryqëzatash vetëm për t’u hyrë në “ graciet e mira” papëve dhe princërve të krishterë. Ose për t’u bërë atyre “sytë e ëmbël”. D.m.th thjesht si manovrim politik. Sa të vërtetë ka në këtë hamendje?

Në historinë e Luftës feja ka qenë dendur shkas politik, jo çështje dogmash. Mirëpo në rrethanat e luftës së Gjysmëhënës kundër Kryqit dhe të Kryqit kundër Gjysmëhënës feja nuk ishte një shkas dhe vetëm kaq: ajo ishte edhe një mjet i fuqishëm me anë të të cilit prijësit shtrëngonin rreth vetes zelltarët dhe i mbushnin ata me urrejtje kundër “tjetrit”. “Luftëra opinionesh” do t’i quajë ato me ftohtësi njëri nga teoricienët themelues të artit ushtarak: Antoine- Henri Jomini në shek. XVIII. Nga pikëpamja ushtarake thuajse për të gjithë teoricienët e Luftës këto luftëra përfillen si “të tmerrshme”, mbasi ushtria pushtuese nuk ndeshet vetëm me forcat ushtarake të armikut, por edhe me masa të tëra popullsish.

Do të ishte e domosdoshme për një histori politike të Gjergj Kastriotit që, prej grafikut gjithë ulje - ngritje të marrëdhënieve tij me papët dhe me Fuqitë e krishtera të Europës, si dhe të veprimtarisë së një rrjeti të tërë funksionarësh të tij diplomatikë përgjithësisht klerikë - legatë, oratorë, përfaqësues, ambasadorë etj. - të lexohet zhvillimi i idealeve të tij politike dhe njëherësh, i të sjellit të tij në politikën europiane. Gjatë historisë së qëndresës dhe luftërave të tij antiturke Skënderbeu do të lidhte hera - herës aleanca me shtete të ndryshme: me Mbretërinë e Aragonës, me Republikën e Venedikut, në njëfarë mase me Qytetin e Raguzës, me Mbretërinë e Hungarisë etj. Por orientimi i tij politik rezulton të kishte të bënte kryepari me Shtetin papnor. Jo thjesht sepse papët e kohës së tij (Eugjeni IV, Nikolla V, Kaliksti III, Piu II, Pali II) u interesuan shtjellimisht për sipërmarrjet e tij antiturke, por sepse edhe aleancat e tjera të tij u kushtëzuan prej marrëdhënieve me kë të shtet. Fan S. Noli e, mbas tij, edhe të tjerë kanë vënë re që Gjergj Kastrioti luftonte “kryesisht nën urdhrat e drejtpërdrejtë të papëve dhe vetëm rastësisht nën urdhrat e Fuqive të tjera për sa kohë ishte i autorizuar nga papët vetë”.

*Shkëputur nga Hyrja e Skënderbeu-një histori politike. Për respekt të autorit, redaksia sqaron se e ka patur të pamundur listimin e bibliografisë që shoqëron këtë tekst.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme