Në emrin tënd O Allah, i Gjithëfuqishëm, plot-mëshirim.
I kam ngritur duart lartë dhe po t’lutem me përkushtim.
Kur të thërras, Ti m’përgjigjesh, ke mundësi dhe më ndihmon.
Ti je i vetmi largë që s‘dukesh, por dhe afër që vështron.
Ti je Lavdi i pakufishëm dhe levizës i gjithësisë.
Je i Vetmi dhe i drejti, Gjykatës i Ditës së Llogarisë.
T’kam besuar, T’jam mbështetur, Vetëm Ty të jam dorëzuar
Vetëm Ti je, përveç Teje, s’ka asnjë për t’u adhuruar.
Të madhëroj se Je i Lartësuar, me Madhështinë që posedon,
Më drejto mos m’lë të humbur, se s’ka kush që më udhëzon
Unë nuk di ashtu si duhet, për meritë të jap lavdërim.
Veç dëshmoj se asnjë tjeter, s’asht i denjë për adhurim.
O Zot, Unë jam këtu në pelegrinazh, urdhërin tënd për të plotësuar
Të lutem, të më shkruash mua në radhën e atyre që u është pranuar
Ma prano pelegrinazhin dhe më mbro nga sprova dhe dënimi i zjarrit,
Më streho nga të këqiat e kësaj bote dhe nga dënimet e varrit.
Pastroje zemrën time prej mëkateve dhe më streho prej përtacisë.
Nga sherri i sprovës së pasurisë dhe sherri i sprovës së varfërisë.
I kam ngritur duart dhe i përgjëruar të lutem, se shpresa më mban.
Namazi im... kurbani im... jeta dhe vdekja ime për Ty janë.
Ti je Zot për qiej e tokë, Zot për Arsh’ e për çdo send,
Çarës i farës dhe i bërthamës, Zbritës udhëzimi për ç’do kend.
O Zot, të lutem ma zbut zemren, ma shëndrro t’merrin në hare
Më trimëro kur t’më kaplojë frika, më mbulo me Dritën Tënde
O Zot, më mundëso të falënderoj për të mirën që ma dhurove
Ti je Ai që s’shkel premtimin, Ti je Ai që më udhëzove,
Qetëson zemrat e t’frikësuarit dhe i falë ata që gabojnë,
U përgjigjesh klithmave të vuajturve dhe nevojave që kërkojnë,
Lavdi të përket Ty, të pa ortak, të pa kufi e të pa anë,
Mi zbut sytë me lotin e besimit, ma zbut zemrën me Iman
O Zot, mos lejo të prekem me arrogancë, sukses kur të kam,
Mos lejo të prekem me pesimizëm, kur i dështuar të jam,
Më mëso se toleranca është niveli më i lartë i mirësisë,
Kurse dëshira për hakmarrje – aspekti i parë i dobësisë!
Lavdia të takon Ty për butësinë, na jep dije, na jep shpresë
Je i pari e i fundit, je i Gjalli dhe i vetmi që nuk vdes.
O Zot, në më bëfsh të pasur, ma le lumturinë,
T’mos ma marish mendjen, po ma dhe fuqinë!
Nëse më zhvesh nga suksesi ma lë durimin kundër dështimit.
E nëse më zhvesh nga shëndeti, ma lë dhuntinë e besimit!
Të falënderoj, të falem e të kërkoj nga t’mirat e tua,
O Zot, nëse unë të harroj Ty, mos më harro Ti mua!
Nëntor 2010