Bota e xhindeve, fakte dhe iluzione

Gazetari:"Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:"Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë." (Dharijat, 56)

"Ne u kishim caktuar atyre shokë të këqinj, të cilët ua zbukuronin të tashmen dhe të shkuarën e tyre e për ta u përmbush Fjala, ashtu si për popujt që kanë qenë para tyre prej xhindesh dhe njerëzish. Ata kanë qenë vërtet të humbur." (Dharijat, 25)

 

Bazuar në këto ajete, duam të dimë realitetin e botës së xhindeve, sa e vërtetë është që xhindet hyjnë në trupin e njeriut? Sa e vërtetë është mundësia e martesës me xhindeve dhe njerëzve? A gëzojnë xhindet aftësi për ta mbajtur nën kontroll njeriun?  Përse këto ide ekzistojnë vetëm tek myslimanët sot? A është e mundur që shkenca të kontribuojë në ndërgjegjësimin e njeriut në këtë drejtim?

 

Bota e xhindeve, fakte dhe iluzione, është subjekti që do të trajtojmë në programin tonë të përjavshëm "Sheriati dhe feja" në kanalin Alxhazira. I ftuari ynë është figura e shquar islame, doktor Jusuf Kardavi.

Doktor dhe shejh i nderuar:"Shumë ajete të Kuranit dhe të sunetit të Profetit a.s, theksojnë faktin se xhindet ekzistojnë dhe se janë të obliguar si njerëzit, sa e vërtetë është kjo dhe çfarë kuptojmë me xhinde?"

Dr. Jusuf Kardavi:"Filloj me emrin e Zotit, që është shumë i dashur dhe i dhembshur me krijesat e Tij. Falënderimet ia dedikojmë vetëm Atij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi Profetin tonë, të dërguar si mëshirë për mbarë botët.

Përderisa në lutjet tona themi "Falënderimi qoftë për Zotin e botëve" kjo do të thotë se nuk ekziston vetëm një botë, ajo e njerëzve, por ekzistojnë shumë botë, ajo e gjallesave të ndryshme mbi tokë dhe në det, bota e bimëve, bota e sendeve të ngurta, bota e kozmosit, të cilat hyjnë në mbretërinë dhe sundimin e Zotit të lartësuar. Ndër këto botë, është dhe bota e xhindeve. Vetë fjala xhind, në arabisht shpreh fshehjen dhe zhdukjen e diçkaje. Xhindet kanë marrë këtë emër, për vetë faktin se nuk shihen dhe nuk kapen nga sytë tanë. Thotë Zoti në Kuran:" Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata." (Araf, 27)

Xhindet bëjnë pjesë tek bota dhe krijesat e padukshme. Botët dhe gjithçka që ekziston, janë dy pjesë; Bota e të dukshmeve dhe bota e të padukshmeve. Tek bota e dukshme, hyn gjithçka që e shohim, ,e prekim dhe mund ta eksperimentojmë në laborator. Sakaq, lidhur me botën e padukshme nuk kemi informacion, përveç atij të cekur në Kuranin fisnik.

Zoti betohet në Kuran në botën e padukshme. "Betohem për gjithçka që ju shihni dhe për gjithçka që nuk e shihni,"(Hakka, 38-39)

Gjërat që nuk i shohim, janë më të shumta se ato që shohim dhe kjo vlen dhe për botën e dukshme. Natyralistët, astronomët dhe shkencëtarët e tjerë pohojnë se ato që shohim nga materia është vetëm 3 %, sakaq 97 % e universit material nuk e shohim dot. Ata e quajnë këtë pjesë "thellësitë e zeza".

Xhindet janë krijesa si njeriu dhe përderisa janë të obliguar, kanë mendje e logjikë. Kurse kafshët e tjera, edhe pse të gjalla nuk janë obliguar dhe nuk janë të përgjegjshme, pasi nuk kanë mendje dhe logjikë. Xhindet dhe njerëzit renditen tek krijesat racionale. Vetë Zoti në Kuran e vërteton këtë, ku thotë:"Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më  adhurojnë." (Dharijat, 56)

Atyre u janë dërguar profetë siç janë dërguar tek njerëzit. Vetë profeti Muhamed a.s u dërgua si për njerëzit ashtu dhe për xhindet. Në Kuran, ceket rasti kur xhindet dëgjuan Profetin a.s duke cituar ajete të Kuranit. Ata u kthyen menjëherë tek populli i tyre dhe u rrëfyen gjithçka kishin dëgjuar. Dijetarët myslimanë kanë mospajtime lidhur me faktin nëse Zoti ka dërguar profetë xhinde për racën e tyre. Imami Ibnu Hazm, pohon se Zoti ka dërguar profetë nga mesi i tyre dhe për këtë mbështetet tek ajeti që thotë:“O tog i xhindeve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj, për t’ju treguar shpalljet Tona dhe për t’ju paralajmëruar takimin me këtë ditë?” Ata do të thonë: “Ne dëshmojmë kundër vetes sonë”. (Maide, 130)

Pra, duket që edhe nga mesi i xhindeve ka pasur të dërguar dhe profetë, për popullin e tyre.

"I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët;" (Furkan, 1)

Gazetari:"Dijetarët nuk kanë mospajtime lidhur me ekzistencën e xhindeve, sepse tekstet fetare e konfirmojnë një gjë të tillë. Mospajtimet e dijetarëve janë lidhur me domethënien dhe përmbajtjen e fjalës xhind. Kështu, disa prej dijetarëve të cilët mendojnë se xhindet nuk janë gjë tjetër përveçse cytjet dhe tundimet drejt të ligës. Disa të tjerë, mendojnë se xhindet janë mikrobet dhe viruset, kurse të tjerë, si dr. Muhamed Mehdij mendojnë se xhindet janë vetë melekët. Pyetja që shtrohet është: A pranon debat çështja e xhindeve?

Njerëzit janë bijtë e Ademit a.s, të cilët jemi ne. Xhindet kanë mendje dhe logjikë, janë të përgjegjshëm, prej tyre ka të mirë dhe të këqij, besimtarë dhe jobesimtarë. Kurse melekët janë të prirur vetëm për mirë."

Dr. Kardavi:"Kushdo që e lexon Kuranin dhe e studion atë, e kupton që xhindet janë krijesa racionale dhe të përgjegjshme. Ata nuk mund të jenë baktere dhe as mikrobe. Ajo që cekët ju, është thënë për murtajën që ka përfshirë armiqtë tuaj nga xhindet. Thotë shejh Reshid Rida dhe disa dijetarë të tjerë, në interpretimin e këtij hadithi:"Xhindet këtu janë viruset që nuk shihen me sy. Ato quhen xhinde, për shkak se nuk shihen dhe depërtojnë në trupin e njeriut pa e ndjerë ky i fundit."

Që herët, arabët e konsideronin sëmundjen e murtajës si shigjetë të xhindeve. Pra, ajo që dua të theksoj është se xhindet si krijesa të Zotit, nuk janë mikrobet dhe viruset e ndryshme.

Ata që mendojnë se xhindet janë cytjet dhe tundimet drejt të ligës, mendoj se janë gabim, ashtu siç gabojnë ata që mendojnë se melekët janë thjesht prirja jonë drejt të mirës, kurse shejtanët janë nxitësit për keq të njeriut. Në fakt, ky është një pretendim krejt bosh, pasi vetë Kurani e kundërshton. Thotë Zoti lidhur me melekët:"Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar." (Bekare, 34)

"ndonëse mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë), shënues të nderuar, që dinë gjithçka që bëni." (Infitar, 10-12)

"Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”. (Sexhde, 11)

Pra, është krejtësisht e qartë nga Kurani, që melekët janë një botë tjetër krejt e ndryshme nga ajo e xhindeve. Krijesat racionale janë tre kategori; njerëzit, të cilët rrjedhin nga Ademi a.s, xhindet dhe melekët të cilët janë të prirur vetëm për mirë dhe bindje ndaj Zotit. Melekët respektojnë të gjithë urdhrat e Zotit dhe nuk mund të imagjinohet që të shkelin ndonjë nga urdhrat dhe dispozitat e Tij. Sakaq, xhindet janë si njerëzit, ka prej tyre të mirë që i binden Zotit dhe ka të tjerë gjynahqarë, ka besimtarë dhe jobesimtarë. Thotë Zoti në Kuran:

"E midis nesh ka të mirë, por ka edhe që nuk janë të mirë; jemi ndarë në grupime të ndryshme." (Xhin, 11)

"Ka prej nesh që janë myslimanë, por ka edhe të atillë që janë jobesimtarë. Kush ka përqafuar Islamin, ka zgjedhur rrugën e drejtë, kurse jobesimtarët do të jenë lëndë djegëse të Xhehenemit." (Xhin, 14-15)

Është e paimagjinueshme që të ketë melekë në zjarr të xhehenemit, apo të jetë lëndë e tij. Prandaj pretendimi se melekët janë xhinde është i pasaktë. Po, mund të thuhet se u ngjanë melekëve pasi bëjnë pjesë në botën e padukshme, të cilën nuk e njohim veçse përveç shpalljeve hyjnore."

Gazetari:"A mund të na flisni mbi disa cilësi dhe tipare të botës së xhindëve, në kufinjtë që i lejohet një myslimani të besojë dhe nën dritën e teksteve të sakta fetare."

Dr. Kardavi:"Bota e xhindeve ka cilësi e tipare të përbashkëta me njerëzit, pasi edhe ata hanë, pinë…"

Gazetari:"dhe martohen…"

Dr. Kardavi:"Flenë, vdesin, martohen e shtohen. Vetë Kurani e cek faktin e riprodhimit të tyre, kur flet për Iblisin:"

"Atëherë, a do t’a merrnit atë dhe pasardhësit e tij për mbrojtës në vendin Tim, edhe pse ata janë armiqtë tuaj." (Kehf, 50)

Nga ky ajet e kuptojmë se xhindet kanë pasardhës, riprodhohen, martohen dhe lindin fëmijë. Ashtu siç kanë ushqimet e tyre, për të cilin Profeti a.s thotë:"Mos i përdorni kockat për t'u fshirë (pasi të keni kryer nevojat personale) pasi ato janë ushqimi i vëllezërve tuaj xhinde."

Ashtu siç mund të ushqehen me ushqimin e njerëzve, nëse këta të fundit nuk thonë bismilah. Sa herë që njeriu bën bismilah kur ulet të ushqehet, xhindet dhe shejtanët largohen.

Gazetari:"Në Kuranin fisnik, lexojmë shumë ajete rreth shejtanit si dhe rreth "shoqëruesit" që shoqëron çdo njërin prej nesh. A mund të jetë ky "shoqërues" prej xhindeve?"

Dr. Kardavi:"Thotë Zoti në Kuran:"E, shoku i tij (djall) do të thotë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe”. (Kaf, 27)

"E shoqëruesi i tij (engjëll) do të thotë: “Këtu është (shënimi i veprave të tij) që kam gati”. (Do t’u thuhet:) “Hidhni në zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç," (Ka, 23-24)

Çdo njeri e ka një shoqërues, gjë të cilën e pohon vetë i dërguari i Zotit a.s, ku thotë:"Çdo njeri e ka një shejtan që e shoqëron." Të pranishmit e pyetën me habi:"Edhe ti o i dërguar i Allahut?!" Profeti a.s u përgjigj:"Po, por mua më ndihmoi Zoti dhe i imi është bërë mysliman dhe nuk nxit veçse për hair." Shejtan mysliman, do të thotë besimtar në këtë rast."

Gazetari:"Po sikur një nga myslimanët ta mohojë ekzistencën e xhindeve? A hyn besimi tek xhindet tek shtyllat e besimit islam?"

Dr. Kardavi:"Besimi në xhinde nuk hyn tek shtyllat e besimit islam, siç është besimi tek melekët. Kur profeti Muhamed a.s u pyet nga Xhibrili a.s se kush ishte besimi, u përgjigj:"Të besosh në Zotin, melekët e Tij, të dërguarit, ditën e fundit dhe kaderin." Thotë Zoti në Kuran:"O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë." (Nisa, 136)

Kurse besimi tek xhindet nuk hyn tek shtyllat e besimit islam. Megjithatë, ne besojmë në ekzistencën e xhindeve pasi i besojmë vetë Kuranit fisnik që i përmend. Në shumë ajete të Kuranit, flitet për ekzistencën e këtyre krijesave. Madje, një nga suret e Kuranit ka marrë emrin Xhin, për shkak se përmendet një ndodhi e tyre.

"Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa prej xhindeve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: ‘Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm,  i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!" (Xhin, 1-2)

"Kur Ne dërguam te ty një grup xhindesh për të dëgjuar Kuranin, ata, kur erdhën, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni!” Dhe kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i tyre si këshillues. Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon nga e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë. O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij! Ai do t’jua falë gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë prej dënimit të dhembshëm." (Ahkaf, 29-31)

Atëherë, si mund të mohohen këto ajete të qarta të cilat flasin mbi ekzistencën e xhindeve?!"

Gazetari:"Ndoshta këto tekste nuk kanë informacion të mjaftueshëm për këto krijesa, me qëllim që të jenë gjërat e qarta për të gjithë njerëzit dhe të shmangen keqkuptimet dhe konceptimet e gabuara. Le të dëgjojmë disa nga opinionet dhe besimet e njerëzve rreth xhindeve, opinione të cilat janë marrë në Amman."

I intervistuari 1:"Unë nuk besoj se xhindet mund të hyjnë brenda njeriut dhe ta kontrollojnë jetën dhe aktivitetin e tij. Besoj se njerëz që pretendojnë se u ka hyrë xhindi, janë njerëz të sëmurë, por që u vjen zor të shkojnë tek psikiatri."

I intervistuari 2:"Mendoj se xhindet mund të hyjnë në trupin e njeriut, nëse ky i fundit është i papastër, përjeton çaste frike etj… Në raste të tilla, kur xhindi hyn në trupin e njeriut mund ta çojë në rrugë të ligë ose ta drejtojë në udhën e mbarë."

I intervistuari 3:"Çështja e xhindeve ceket në Kuranin fisnik, por gjatë aktivitetit tonë të përditshëm nuk i shohim. Shumë gjëra ne i besojmë si fetarë që jemi, por nuk i shohim."

I intervistuari 4:"Unë besoj në ekzistencën e xhindeve dhe që ata hyjnë në trupin e njeriut. Por kohët e fundit janë shtuar magjistarët dhe mashtruesit që pretendojnë se e nxjerrin xhindin."

I intervistuari 5:"Ka njerëz të cilët komunikojnë me xhindet dhe i detyrojnë që disa njerëz t'i pushtojnë dhe t'i orientojnë sjelljet e tyre sipas dëshirës. Dihet që shejtani lëviz në trupin e njeriut bashkë me qarkullimin e gjakut."

I intervistuari6:"Nuk mendoj se ka xhinde që pushtojnë njeriun, por janë thjesht iluzione të njeriut. Gjithçka që u ndodh disa njerëzve, janë presionet e jetës të cilat duke u akumuluar, e lodhin psikologjikisht dhe fillon e sillet në mënyrë jonormale. Kështu, njerëz të tillë mendojnë se e kanë pushtuar xhindet dhe shpirtrat e këqij."

Gazetari:"Siç e patë dhe vetë, mendimet dhe opinionet e njerëzve mbi botën e xhindeve janë të shumta dhe të ndryshme. Nën dritën e teksteve të shenjta, a mund të na thoni diçka lidhur me natyrën e raporteve mes këtyre dy botëve, asaj të njerëzve dhe të xhindeve?"

Dr. Kardavi:"Në fakt, të vërtetat e mëdha shpesh herë gjenden mes dy ekstremeve. Ka njerëz të cilët nuk merren me gjë tjetër përveç xhindeve, sakaq ka të tjerë që e mohojnë ekzistencën e tyre kategorikisht duke thënë se përderisa nuk i shohin nuk i besojnë. Këta, nuk besojnë veçse në ato gjëra që i sheh syri, i prek dora, i dëgjon veshi dhe i nuhat hunda. Kurse të tjerët sikur nuk shohin gjë tjetër përveç xhindeve dhe shpirtrave të këqij. Kështu humbet e vërteta dhe thelbi i çështjes. Kurani dhe suneti i Profetit a.s i kanë përmendur xhindet dhe kaq.

Por a është e mundur që xhindi të pushtojë njeriun, të hyjë në trupin e tij, të kontrollojë jetën e vullnetin e njeriut dhe të flasë me gojën e të sëmurit ? Unë personalisht nuk i besoj një teorie të tillë, edhe pse ka dijetarë të shquar si Ibnu Tejmije dhe të tjerë bashkëkohorë, që e besojnë. Unë mendoj se Zoti i lartësuar nuk u ka dhënë xhindeve superioritet mbi njeriun, saqë ta kontrollojnë atë dhe jetën e tij, gjë e cila bie ndesh me ajetet:" Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit." (Isra, 70) “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, (Bekare, 30)

Zoti e ka sjellë njeriun në tokë si mëkëmbës, duke i nënshtruar gjithçka në qiej dhe në tokë. Nëse është kështu, si mund të pranojmë se njeriu iu nënshtroka xhindeve?! Në fakt, realiteti vërteton të kundërtën, që njeriu i nënshtron xhindet."

Gazetari:"I nënshtron në shërbim të tij?!"

Dr. Kardavi:"Po. Profetit Sulejman a.s, Zoti ia kishte nënshtruar xhindet të cilët i shërbenin pa pushim.

"Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai. (Gjithashtu ia nënshtruam) edhe djajtë, ndërmjet të cilëve kishte ndërtues dhe zhytës në ujë, si dhe të tjerë të lidhur në pranga." (Sad, 36-38)

Madje, Sulejmani a.s kishte fuqi t'i ndëshkojë, ti burgosë dhe ti lidhë me pranga.

"dhe xhinde që i bëmë të punonin para syve të tij, me urdhrin e Zotit të tij. Këdo prej tyre që largohet nga urdhri ynë, do ta bëjmë që të shijojë dënimin e Zjarrit." (Sebe, 12)

Në suren Neml, gjejmë që njeriu mund të jetë më i fuqishëm se xhindet. Kjo, kur Sulejmani a.s u kërkoi të pranishmëve që fronin e mbretëreshës Belkis, t'ia sjellin para se ajo vetë të mbërrijë.

"Pastaj ai tha: “O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?” Njëri nga xhindet - Ifriti, tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; unë për këtë jam i fuqishëm dhe i sigurt”. – para se të përfundosh mbledhjen, për dy tre orë, fronin e mbretëreshës do e kesh para syve - Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”. (Neml, 38-40)

Gazetari:"Mos kërkon të thuash se ai ishte njeri?"

Dr. Kardavi:"Po, ai ishte njeri. Disa thonë se ishte melek, por melekët s'kishin të bëjnë me Sulejmanin, s'kishin përse të qëndrojnë në mbledhjet e tij. Sulejmani a.s u kërkonte njerëzve dhe oborrtarëve të tij që t'ia sjellin fronin e mbretëreshës Belkis. Personi që ishte i pajisur me dijet e Librit, ishte njeri. Vetëm me dije bëhesh më i fuqishëm se xhindet. A nuk na shohin sytë sesi njeriu ka arritur ta nënshtrojë natyrën në shërbim të tij?! A nuk i ka nënshtruar njeriu detrat, dritën, zërin dhe shumë fenomene natyrore në shërbim të njerëzimit, vetëm me dije dhe shkencë?!

Revolucionet shkencore, elektronike, teknologjike, biologjike, zhvillimin e mjeteve të telekomunikacionit, udhëtimi në kozmos etj… janë arritur me dijet dhe shkencën e njeriut. E gjitha kjo vërteton se njeriu është më i fuqishëm se xhindet dhe shpirtrat e këqij.

Pretendimi se xhindet pushtojnë njeriun, hyjnë në trupin e tij dhe e orientojnë nga të duan, është i pasaktë. Ne kemi fakte dhe argumente të qarta dhe të prera se këto nuk janë gjë tjetër veçse iluzione të disa njerëzve."

Gazetari:"Dikush mund të thotë se vetë Kurani e cek në mënyrë indirekte pushtimin e trupit të njeriut nga xhindet. Thotë Zoti në Kuran:"Ata që marrin fajde, do të ringjallen si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet" (Bekare, 275)

A vlen ky ajet si fakt dhe argument për të vërtetuar pushtimin e njeriut nga xhindet?"

Dr. Kardavi:"Kuptimi i prekjes këtu, është i njëjti me atë që ceket në rastin e profetit Ejub a.s, i cili iu lut Zotit:" Kujtoje robin Tonë Ejubin, kur iu lut Zotit të vet:Me të vërtetë, më ka prekur djalli me mundim dhe vuajtje!” (Sad, 41)

Sëmundja e gjatë e lodhi dhe mundoi shumë Ejubin a.s. Shejtani filloi ti bëjë vesvese duke i thënë se Zoti ishte zemëruar me të, e kishte braktisur dhe se do e kalonte gjithë jetën i sëmurë. Këto vesvese dhe cytje e lodhën shpirtërisht Ejubin a.s.

"(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka prekur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija, 83)

Arabët ia atribuonin shejtanit prekjen, në kuptimin e vesveseve dhe cytjeve dhe jo në kuptimin se mund t'i pushtojë, të hyjë në trupat e tyre, ti kontrollojë, të flasë me gojën e tyre; unë jam filan xhindi, kam ardhur nga filan vend, kam rënë në dashuri me këtë burrë etj....

Gazetari:"Por ndonjëherë, siç thuhet, personi i sëmurë flet me zë krejt tjetër, p.sh një grua flet me zë burri."

Dr. Kardavi:"Vetë shejtani pohon në Kuran se nuk gëzon asnjë pushtet tjetër mbi njeriun, përveç vesveseve, cytjeve dhe tundimit. "Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju." (Ibrahim, 22)

Pra, pushteti i vetëm i shejtanit mbi  njeriun është që ti bëjë vesvese, ta nxisë për vepra të shëmtuara, ti çojë drejt gjynaheve.

Gazetari:"Pra, çështja e pushtimit të xhindeve është thjesht një iluzion."

Dr. Kardavi:"Ky është mendimi im. Sëmundjet që ua atribuojnë xhindeve, zakonisht janë sëmundje psikike. Është për të ardhur keq, por edhe vetë psikologët nuk është se na kanë dhënë ndonjë përgjigje bindëse lidhur me këto çështje. Gjatë periudhës që jepja mësim në fakultetin e Sheriatit në Katar, diskutoja me kolegët e mi që jepnin psikologji, lidhur me sëmundje të tilla. Unë orvatesha të kuptoj diçka prej tyre, por mesa duket edhe vetë shkenca nuk ka arritur në një konkluzion të qartë dhe bindës. Ajo që na jep një përgjigje bindëse dhe përfundimtare lidhur me këtë çështje, është libri i Zotit ose suneti i profetit Muhamed a.s. Këtë e them bazuar në ajetin:"Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë." (Nahl, 44)

Tekstet tona të shenjta nuk flasin për çështje të tilla, pasi i përkasin botës së padukshme (gajbit) të cilat nuk u nënshtrohen eksperimenteve laboratorike apo shqisave ndijimore. Ajo që e ndan përfundimisht këtë është shpallja hyjnore, e cila në këtë rast nuk thotë gjë. Sakaq, njerëzit pretendojnë se janë pushtuar nga xhindet dhe shpirtrat e këqij. Unë mendoj se këto janë simptomat e skizofrenisë, e cila është disa llojesh. Një ndër këto lloje, vetë i sëmuri flet me zëra të tjerë."

Gazetari:"Unë u ftoj që tani të ndjekim një fragment të shkurtër, ku kemi filmuar disa persona të sëmurë dhe që pretendojnë se i shohin dhe i ndjejnë xhindet që i kanë pushtuar. Këta persona, besojnë tek mrekullitë e kuruesit të tyre, i cili ka mbi njëqind klientë në ditë."

Ahmed Zelmati, kurues:"Nëse më ndjek teksa kuroj të sëmurin, do të vëresh se unë nuk merrem me vetë viktimën, por me xhindin që e ka pushtuar dhe që gjendet brenda tij. Ka njerëz të cilët e besojnë këtë dhe ka të tjerë që e mohojnë, por realiteti e vërteton. Ju mund ta ndiqni vetë kur të flas me xhindin që e ka pushtuar këtë grua: Esselamu alejkum!

Gruaja e sëmurë:"We alejkum selam."

Kuruesi:"Si të quajnë?"

Gruaja e sëmurë:"Aishe."

Kuruesi:"Nga vjen ti, nga deti apo nga greminat?"

Gruaja e sëmurë:"Jo unë vij nga lufta."

Kuruesi:"Sa vite ke që banon tek kjo grua?"

Gruaja e sëmurë:"Dymbëdhjetë ose trembëdhjetë vite."

Kuruesi:"Po si ke hyrë, natën apo ditën?"

Gruaja:"Kur hyra, ajo ishte shumë e frikësuar."

Kuruesi:"Rastet kur xhindi e ka të kollajtë ta pushtojë njeriun, janë frika e madhe, zemërimi, trishtimi dhe ngazëllimi i madh."

Ikbal Ilhami:"Kjo grua mendon se është pushtuar nga gjashtëdhjetë xhinde, të cilët nuk i shqiten as natën dhe as ditën, si dhe kryejnë marrëdhënie seksuale me të."

Ahmed Hamdavi, psikiatër:"Çështja e skizofrenisë së shkaktuar nga xhindet është e refuzuar në gjuhën e shkencës."

Mustafa Gadban, studiues i shpirtrave të këqinj:"E keqja ekziston dhe përmenden edhe në Kuran, në suren Felek, ku kërkohet mbrojtje nga sherri në përgjithësi, sherri i natës, sherri i magjistarëve që fryjnë nyjet dhe sherri i ziliqarit. Njeriut nuk i ndahet e keqja dhe sherri. Shejtani bën vesvese dhe secili prej nesh e kemi një shoqërues shejtan. Nëse ky shoqërues zemërohet me mua, hap portat për të depërtuar brenda meje shejtanët e magjive që të më torturojnë dhe keqtrajtojnë."

Gazetari:"Cili është komenti juaj për gjithçka u transmetua?"

Dr. Kardavi:"Besëtytni të tilla ekzistojnë në të gjithë vendet, veçanërisht tek gratë. Disa burra shfrytëzojnë dobësinë dhe brishtësinë e grave dhe i bëjnë të besojnë se me të vërtetë janë pushtuar nga xhindet dhe shpirtrat e këqij. Në Egjipt, mashtrues të tillë organizojnë ceremoni gjoja për hir të shpirtit të keq që ka pushtuar njeriun dhe me anë të disa lëvizjeve të çuditshme, del xhindi.

Unë mendoj se sëmundjet si skizofrenia janë sëmundje të natyrshme, gjë të cilën e hasim dhe në kohën e profetit Muhamed a.s. Një grua e sëmurë nga skizofrenia shkon te Profeti a.s dhe i kërkon të lutet që ta shërojë Zoti. Pra këtë e kërkonte t'i ndodhë me një mrekulli hyjnore. Profeti a.s ia kthen:"Nëse dëshiron, e lus Zotin dhe të shëron, por nëse duron do të fitosh xhenetin." Gruaja iu përgjigj:"Do të duroj dhe të fitoj xhenetin, por kur më kap sëmundja zbulohem, prandaj lute Zotin që të paktën të mos zbulohem." Profeti a.s e luti Zotin dhe ajo nuk zbulohej më kur e kapte sëmundja. Nëse kjo grua do të ishte pushtuar nga xhindet, është e palogjikshme që i dërguari i Zotit ta lërë në vuajë prej tyre duke mos bërë asgjë.

Në një hadith tjetër, thuhet se një grua i solli Profetit a.s djalin e saj të sëmurë. Profeti a.s e mori djalin dhe i thoshte:"Dil o armik i Zotit!" Në fakt, ky hadith është i dobët. Sakaq, hadithi i mësipërm është i saktë dhe e pranoi skizofreninë si sëmundje të natyrshme."

Gazetari:"Shejh Gazzali rrëfen se një burrë i madh dhe i shëndoshë i tha:"O shejhu ynë! Mua më ka pushtuar një xhind." Shejh Gazzali, duke buzëqeshur ia ktheu:"Përse nuk e ke pushtuar ti, pasi qenke dhe i madh?!"

Dr. Kardavi:"Besimi i njeriut dhe bindja e tij se është viktimë dhe pre e xhindeve, është shkaku i rezistencës së dobët. Asgjë nuk e gjen njeriun nëse beson fuqishëm se xhindet s'kanë ç'ti bëjnë."

Gazetari:"Megjithatë, duket qartë që njeriu ndonjëherë zgjidh problemin e strehimit të xhindeve, ku gjashtëdhjetë prej tyre banokan tek një grua, siç e ndoqëm dhe në raportin e mësipërm (me shaka).

Në fillim të emisionit, thatë se xhindet martohen me njëri-tjetrin dhe riprodhohen. Por, a është e mundur që martesa të ndodhë mes xhindeve dhe njerëzve dhe kjo nën dritën e teksteve të shenjta?"

Dr. Kardavi:"Ka njerëz që besojnë në mundësinë e martesës së njeriut me xhinde dhe ka dijetarë që e kanë lejuar. Megjithatë, shumica e dijetarëve e ndalojnë edhe nëse është e mundur, pasi martesa lidhet ngushtë me racën njerëzore. Thotë Zoti në Kuran:"Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë." (Rum, 21)

(prej jush) do të thotë prej llojit dhe species tuaj dhe kjo me qëllim që të realizohet qetësia, dashuria dhe mëshira e ndërsjellët. Si është e mundur që një burrë të qetësohet përkrah një gruaje xhinde dhe një grua të qetësohet përkrah një burri xhind?! Si mund të formohet një familje myslimane nga një martesë e tillë? Si do të publikohet kjo martesë, pasi Profeti a.s thotë:"Publikojeni martesën…"

Si do e publikojë martesën e saj një grua që do të martohet me një xhind, apo një burrë që do të martohet me xhinde?! Veç kësaj, lidhja martesore kërkon dhe dëshmitarë, kush do të jenë dëshmitarët e xhindit/xhindes? Prandaj, them që një lidhje e tillë, edhe nëse është e mundur, bie ndesh me objektivat e martesës, jetës bashkëshortore dhe krijimit të një familjeje besimtare dhe shtëpie myslimane.

Gazetari:"Ju thatë pak më lart, se disa dijetarë e lejojnë një martesë të tillë. Po a është e mundur që kjo të ndodhë, që një njeri të martohet me një xhind?"

Dr. Kardavi:"Sipas thashethemeve të njerëzve, diçka e tillë është e mundur. Sipas tyre, ashtu siç është e mundur që xhindi ta pushtojë njeriun, është e mundur dhe martesa mes tyre. Ka ndodhur me njerëz me personalitet të dobët, të cilët janë mënjanuar dhe vetëmbyllur për një farë kohe, pastaj janë shfaqur sërish me pretendimin se janë martuar me një xhind/e. Por ne nuk posedojmë asnjë mjet që ta vërtetojë një pretendim të tillë.

Disa njerëz që e besojnë martesën mes njeriut dhe xhindit, sjellin si argument ajetin:"Atje do të ketë virgjëresha sy ulur, të cilat para tyre nuk i kanë prekur as njerëz, as xhinde." (Rahman, 56)

Por këtu nuk u referohet marrëdhënieve seksuale. Disa të tjerë sjellin si argument ajetin:"Ditën kur Ai do t’i tubojë të gjithë, do të thotë: “O tog i xhindeve! Ju keni mashtruar shumë njerëz!” - Ithtarët e tyre midis njerëzve do të thonë: “O Zoti ynë! Ne u kënaqëm me njëri - tjetrin dhe arritëm në afatin tonë, të cilin na e pate caktuar Ti”. (En'am, 128)

Kënaqësia e cekur në këtë ajet, nuk ka të bëjë me kënaqësinë seksuale, por me kënaqësinë e shejtanëve kur vesveset dhe cytjet e tyre kanë rezultat tek njerëzit. Këtu, shejtanët u kënaqën kur shohin njerëzit duke iu bindur urdhrave të tyre. Kurse njerëzit u kënaqën duke ndjekur epshet dhe pasionet e tyre."

Gazetari:"Ata që besojnë në mundësinë e martesës mes njeriut dhe xhindit, sjellin pikërisht këto dy ajete si argument. A mund të merren këto dy ajete si bazë për mundësinë e martesës me xhindeve dhe njerëzve?"

Dr. Kardavi:"Jo, aspak.."

Gazetari:"Disa njerëz pohojnë se kanë aftësi të kontaktojnë dhe komunikojnë me xhindet dhe se mund t'i nxjerrin ata nga trupi i të sëmurëve me skizofreni. A është kjo e mundur dhe a ekzistojnë thënie profetike që mund të përmbajnë diçka të tillë?"

Dr. Kardavi:"Nuk kam hasur asnjë hadith të saktë që të vërtetojë nxjerrjen e xhindit nga njeriu dhe aftësinë e njeriut për të komunikuar me xhindet. Ka shumë njerëz që pretendojnë se komunikojnë me xhindet dhe se i përdorin ata për të kryer nevojat e tyre. Kam dëgjuar se dikush, në prezencën e të tjerëve, godiste me pëllëmbë kofshën e tij dhe në çast, paraqitej xhindi i tij. Burri e urdhëronte që ti sjellë ëmbëlsira dhe sende të tjera dhe të pranishmit i shihnin sendet e kërkuara ti vinin në çast.

Fakti që njeriu e vë në shërbimin e tij xhindin, është diçka e kundërt nga ajo që diskutuam më lart, mbi pushtimin e njeriut nga xhindet.

Gazetari:"Po. Zoti ka veçuar vetëm profetin Sulejman a.s, të cilit ia nënshtroi xhindet për ti shërbyer. A mund të kuptojmë nga kjo, se njerëz të tjerë mund ti nënshtrojnë xhindet në shërbim të tij?"

Dr. Kardavi:"Njerëz të tillë ta demonstrojnë diçka të tillë dhe jo vetëm pretendojnë. Ata thërrasin emrat e xhindeve dhe u kërkojnë sende të ndryshme."

Gazetari:"Fenomene të tilla, a tregojnë vakumin fetar dhe shpirtëror të shoqërive ku janë përhapur?"

Dr. Kardavi:"Kjo është e vërtetë. Myslimanët e parë, dmth shokët e Profetit a.s nuk janë marrë aspak me gjëra të tillë të pavlera, madje as që i kanë bërë objekt bisedash. Jeta e tyre ishte e mbushur plot aktivitet, përpjekje të pandara, luftë mes tyre dhe armiqve, sakrifica të shumta etj… Numri i betejave që u zhvilluan gjatë jetës së Profetit a.s ishte njëzet e shtatë, mbi pesëdhjetë njësi ushtarake u dërguan në të katër anët. Këta njerëz nuk kishin kohë të lirë për tu marrë me xhinde dhe shpirtra të këqij. Sot, janë shndërruar njerëzit në xhinde, sipas kuptimit të disave, pasi kanë nënshtruar gjithçka në shërbim të njerëzimit ose të shkatërrimit të tij. Ne sot shohim kombe të zhvilluara që pushtojnë kombet dhe popujt e varfër dhe të pazhvilluar, ashtu siç pretendohet se xhindet pushtojnë njerëzit. Përse ne myslimanët nuk hapim sytë të zhvillohemi si popujt e Gjermanisë, Japonisë, Amerikës etj… por merremi me xhinde dhe shpirtra të këqij?!"

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme