‘Islami është zgjidhje’

Sipas fjalëve të kryetarit të Komisionit zgjedhor, Abdul Aziz Omer,  në këto  zgjedhje do të  marrin pjesë 18 parti politike, partia Nacional Demokratike në pushte do të marrë pjesë me 763 kandidatë, partia opozitare “al-Vafd” me 168 kandidatë, partia e Unionistëve me 66, partia Liberale me 22 si dhe disa parti tjera më të vogla.

Edhepse partia më e madhe opozitare në Egjipt. “Vëllezërit Myslimanë“, e cila në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 1995, kishte fituar 20% të votave dhe në Kuvendin Popullor kishte  80 deputetë, ajo nuk mundi të marrë pjesë si parti politike, por kandidatët e saj u detyruan të kandidohen si të pavarur. Kushtetuta egjiptiane nuk lejon formimin e partive në baza fetare, andaj edhe shumë kandidatë të këtij grupimi politik vetëm dy ditë para se të përfundojë fushata zgjedhore u dënuan me nga dy vjet burgim për shkak të përdorimit të parullës “Islami është zgjidhje”, ndërkohë që njëzet kandidatë të tjerë në njëzet njësi zgjedhore u hoqën nga lista zgjedhore.

Grupimi politik “Vëllezërit Myslimanë” është themeluar në vitin 1928 në qytetin e Ismailisë nga Imam Hasan el-Bena, i cili ishte në opozitë edhe me sistemin mbretëror gjatë sundimit të mbretit Faruk, për çka edhe u vra. Me ardhjen në pushtet të Naserit, ata ishin të ndjekur dhe të persekutuar vazhdimisht, deri  me ardhjen në pushtet të Muhamed Enver  Es-Sadatit, i cili në luftën  e tij të pakompromis që i kishte shpallur simaptiazuesve të vijës politike të Naserit kishte afruar këtë grupim politik panislamik. Vizita e tij që i  bëri Izraelit më 1977 i kushtoi shtrenjtë, të cilën ai e pagoi me jetë,  në atentatin që një grup ekstrem islamik e kishte organizuar kundër tij, në vitin 1981.

Parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 28 nëntorit, sipas shumë analistëve të ngjarjeve politike në Egjipt askush mund ta prognozoj. Në veçanti kur dihet se do të mungojnë vëzhguesit ndërkombëtar në këto zgjedhje. Qeveria egjiptiane  nuk pranoi prezencën e  vëzhguesve ndërkombëtar në këto zgjedhje,  duke e konsideruar një akt të këtillë  ndërhyje në punët e brendshme të saj. Për një veprim të këtillë u prononcuan shumë vende perëndimore, duke e përfshirë edhe   Departamentin e Shtetit amerikan.

 

Përgjigjen  për  qëndrimet e  vendeve perëndimore ua dërgoi kryetari i Kuvendit që ka marrë fund mandati i tij, Fat-hi Surur, i cili para mediave deklaroi se ‘presionet amerikane për futjen e reformave në Egjipt, mund të çojnë drejt formimit të shtetit fetar në këtë vend’.

Ai kishte deklaruar për agjencinë franceze të lajmeve  se ‘çdo presion amerikan mund të  çojë në ndërrimin  e një sistemi që ndan fenë nga shteti me  një sistem të një shteti fetar’, si shenjë për mundësinë e ardhjes në pushtet të    ‘Vëllezërve Myslimanë’.

Në këtë mënyrë pra,Partia Nacional Demokratike, në pushtet e presidentit  Hysni Mubarek, pa kurrfarë veshtërsie do ti kurdis rezultatet  e zgjedhjeve ashtu që ajo të këtë shumicën dërrmuese në parlamentin  egjiptian edhe  për 5 vitet e ardhshme. Por, ku po mbetet premtimi i Perëndimit për reformat e sistemeve të korruptuara në Lindjen e Mesme. A mund të jetë ky një shkak shtesë për humbjen e besimit në vlerat perëndimore të shumicës dërrmuese të popujve të asaj pjese të botës, e cila shpesh herë po kalon edhe në urrejtje.    

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme