TOLERANCA OSMANE DHE TË KRISHTERËT

      Kjo politikë e ka zanafillën e saj që kur sulltan Mehmeti i II-të sapo çliroi Konstantinopojën, i njohu Patrikanës Ortodokse pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të riteve fetare. Pas rënies së Konstantinopojës, nga vendet për rreth erdhën shumë të deleguar për të përgëzuar Mehmetin e II-të për fitoren. Në këtë kohë erdhi edhe patriku grek i Jeruzalemit, Atanasjas, me priftërinjtë për t’i kërkuar liritë e tyre.

     Për këto arsye Mehmeti i II-të nxorri një ferman me anë të të cilit ndalonte çdo njeri që të përzihej në ritet, kishat dhe vendet e tyre të pelegrinazhit. Megjithëse, në këtë kohë Jeruzalemi ishte nën sundimin e “ Memlukëve “ ngaqë Patrikana e tij mvarej nga ajo e Konstantinopojës, ata i kërkuan ndihmë sulltanit. Mehmeti I II-të e që mbajti në këmbë këtë Patrikanë duke vendosur për patrik Georges Sekolarios ( Genadios ) në vend të Gregorios Mammit të III-të, i cili ishte arratisur që në 1450, para marrjes së Konstantinopojës. [1]

     Mehmeti i II-të nuk u mjaftua me kaq, në vitin 1461 solli nga Bursa në Stamboll, peshkopin armen Havokim dhe e shpall atë patrikun e kishës Armene dhe Patrikanës Armene i njihen të gjitha të drejtat që i ishin njohur Patrikanës Ortodokse. 12

Në arkivin osman të Stambollit gjenden regjistra të kishës që tregojnë për institucione jo- muslimane dhe për veprimtaritë e tyre fetare e bamirëse që nga viti 1453, viti i marrjes së Konstantinopojës nga Fatihu. Osmanët njihnin tre milete kryesore, përjashtim atë mysliman i cili ishte kryesori. Në fund të shekullit të XV-të mileti më i madh i perandorisë ishte ai krishterë ortodoksë që përfshinte subjektet sllave së bashku me ato Greke dhe Rumune.

     Krishterët ortodoksë ishin ndarë në një numër patrikanash të pavarura që përpara pushtimit Osman. Patrikana bullgare ishte përqendruar në Ohër dhe Tërnovë, ajo Serbe në Pejë dhe ajo greko-ortodokse qëndronte në Konstantinopojë. Por ritet dhe doktrina e tyre ishte pak a shumë e njëjtë me përjashtim të gjuhës. Për këtë arsye Mehmeti II ishte i aftë ti bashkonte ato nën udhëheqjen e patriarkut tëheqjen e patriarkut të Konstantinopojës menjëherë pas invadimit, duke fituar si pasojë mbështetjen e të fundmëve për pushtetin Osman. Patriarku për t’u emëruar si i tillë kishte nevojë për konfirmimin e sulltanit dhe të instalohej në post me rituale të plota bizantine, pa praninë e perandorit. Atij i jepej rangu i pashës Osman me tre bishta dhe kishte të drejtën e implementimit të ligjit ortodoks ndaj ndjekësve të tij në çështjet religjioze dhe ato fetare bashkë që nga qendra e tij në lagjen e Zemerit në Stamboll. 13

     Azia e vogël kishte popullsi muslimane, por edhe popullsi të krishterë. Në Anadollin lindor, me përjashtim të Bursës, popullsia jomuslimane ishte greke ose armene. Në Provincat e Saruhanit, Ajdinit, Menteshes, Germijanit, dhe Kengerisë popullsia jomuslimane ishte e paktë. Në vitet 1488-1489 popullsia e krishterë e Ajdinit përbëhej vetëm nga 576 familje, ajo e Monteskes nga 219 familje dhe ajo e Germijanit nga 199 familje. Edhe më në lindje, në Hamit ishte e njëjta situate demografike. 14

     Në pjesën tjetër të bregdetit të mesdheut të krishterët ishin me pakicë. Edhe në sanxhakun e Ankarasë ishte e njëjta gjë, sepse regjistrimi i 1488-1489 shënon aty vetëm 824 vatra familjare në Sinop e Kastamonu, ku regjistrimi përmend vetëm 2332 vatra.

     Ndërkaq në perandorinë e lashtë të Trabzonit të krishterë përbënin shumicën. Në fund të shekullit XV-të Trabzoni dhe Rize kishin 2713 vatra familjare. Qyteti i Trabzonit kishte 186 familje armene, 957 greke, 49 gjenoveze e venedikase dhe 258 muslimane .

Ka të ngjarë që në fshatra të kishte edhe familje “ laze ” ( Gjeorgjiane).

     Në krahinën e Kajserit popullsia e krishterë ishte me prejardhje armene dhe greke. Në Tokat dhe Sivas kishte një popullsi të madhe të krishterë, por prejardhja etnike e disa komuniteteve nuk është fort e qartë. Regjistrimi i kryer në kohën e Mehmetit II ka shënuar nëpër qytete disa lagje që quhen “ Rum ” ose “ Ermeni ”. 15

     Por Onomastika e banorëve është e çuditshme, sepse disa vetë kanë një mbiemër, etimologjia e të cilës është turke. Atëherë shtrohet pyetja: a ka të ngjarë që termi “rum” të mos tregojë një popullsi greke dhe termi “ ermeni” të mos tregojë një popullsi armene.

     Në rastin e parë “rum” është quajtur një popullsi turke e krishterë ortodokse, ose një përzierje turko-greke ortodokse, ndërsa në rastin e dytë është një përzierje armeneo-turke gregoriane. Në fillim të shekullit XVl-të provinca e Mardinit kishte 5782 vatra familjare muslimane, 2427 të krishtera dhe 92 hebraike. Në pjesë e popullsisë së krishterë ishte armene. Në të njejtën kohë provinca e Bajburtit kishte 9977 vatra muslimane dhe 3775 vatra të krishtera, nga të cilat 352 gëzonin lehtësira tatimore.

     Edhe këtu një pjesë e popullsisë së krishterë ishte armene. Regjistrimet osmane të shek. XV-të tregojnë se në provincën e Karamanit, si dhe në atë të Tokatit dhe të Sivasit, kishte edhe turq të krishterë, sedentarë dhe endacakë. Por popullsia turke e krishterë nuk ishte karakteristikë vetëm për krahinat që përmendëm. Në një numër të madh provincash të Azisë së vogël, jetonin turq të krishterë, onomastika e të cilëve me shumicën e rasteve është me prejardhje turke dhe jo-arabe ose persiane. Po shtojmë me këtë rast një burim bizantin i shek. XIII-të që përmban të dhëna mjaft interesante mbi popullsinë turke të krishterë të Ala Shehirit ( Filadelfia ). 16

     Por grekët, armenët dhe turqit e krishterë nuk ishin të vetmit jo-muslimanë të Azisë së vogël. Në provincën e Trapzonit, onomastika nuk ishte gjithnjë greke. Disa banorë duket se janë armenë, të tjerë janë lazë ( gjeorgjianë ).

 

 

Përgatiti : ARBËR BERISHA/ Autori vijon Studimet Postdiplomike Master Histori Koha e Re Universiteti Prishtinës/

___________________________________________________________ 

Shkrimi e gjeni  në Numrin 245 të revistes  Dituria Islame  faqe 26 

[1] Grup autorësh, “ Nga Perandoria Osmane në Shqipëri e shkruam historinë me tolerancë “, Dr. Nezir Bata, “ U. i Tiranës “, “ Fermanet sulltanore, dëshmi të tolerancës ndër-fetare në shtetin Osman “, Tiranë 2005, fq. 66. 

12 Mehmet Şeker, “ Anadolu'da Bir Arada Yaşama Tecrübesi “, Ankara 2000, fq. 153. 

13 Stanford J. Shaw “ Historia e Perandorisë Osmane dhe e Turqisë moderne “, V.I, SH.b.  Jehona Study  Center , Tiranë 2007 fq. 188. 

14 Ibid. fq. 189. 

15 Robert Mantrani “ Historia e Perandorisë Osmane “, Sh.B. “ Dituria “, Tiranë 2004, fq. 134. 

16 Ibid. fq. 135.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme