Bakshishet e Erdoganit!

Kronik ditore:

Për herë të parë vizitoi Kosovën një Kryeministër i Turqisë, vargu që ishin bërë gati ta prisnin atë ishte tepër i madh. Në ballë të tij, ishte vendosur Zv/Kryeministri në ikje Hajredin Kuçi, ndërsa një pritje madhështore i ishte organizuar në Prishtinë, pritje të cilën siç komentonin mediet ditore, se kishte as znj. Hillary Clinton e cila kohë më parë vizitoi Kosovën. Pritja në Prishtinë ishte edhe më madhështore sepse Kryeministri në ikje Hashim Thaçi kishte dal ta pres me krejt pjesën e mbetur të kabinetit të tij qeveritar. Edhe togu ceremonial i FSK- së ishte në pritje, madje kësaj radhe edhe me armë, si asnjëherë më parë.

Erdoganit vërtet iu bë një pritje madhështore! Në Prizren iu dha titulli “Qytetar Nderi” dhe iu dhurua edhe çelësi i qytetit. Në Prishtinë zt. Hashim Thaçi e quajti “vëlla”, Universiteti i Prishtinë i dha titullin “Doctor Honoris Causa” në shenjë mirënjohje për meritat e veçanta në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe lobimin për njohjen e Kosovës nga shtete tjera të botës. Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës Dr. Jakup Krasniqi e dekoroi me “Medaljen e Artë” të Pavarësisë së Kosovës... Sa shumë bakshishe! Rrallë kush do t’i ketë marr të gjitha këto për dy ditë në Kosovë, mendoj për miqtë e Kosovës, madje as ish presidenti i Amerikës Bill Clinton i cili konsiderohet hero i Kosovës? Pse gjitha këto bakshishe për Erdoganin?

 

 

A i meritoi të gjitha këto bakshishe Kryeministri Erdogan???

 

Retrospektivë

 

Arsyet:

  1. 1.      Njohja e shtetësisë së Kosovës

Fjalët e tij të para që nuk mund të jenë të panjohura për të gjithë ne, Erdogani i tha qysh në arritjen e tij në Prishtinë. Pasi tregoi faktin se si vet ai kishte biseduar një ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës me homologun e tij nga Kosova Hashim Thaçin. Njohja e parë e shtetësisë së Kosovës nga Turqia jo vetëm se ishte një sihariq i madh për të gjithë shqiptarët, por ishte një rrugë që dha shembull për të tjerët. Këtë nijet të pastër të Turqisë, vet Kryeministri Erdogan e bëri publik edhe njëherë në Prishtinë: “Njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës nga Turqia është sinjal që ne u kemi dhënë të gjithë shteteve për rrugën që duhet të ndjekin”. Pyesim, A ishin të mjaftueshme bakshishet për të?

 

  1. 2.      Interesi për Konferencën Islamike

Diplomacia kosovare veproi shumë mirë në muajin gusht 2008 kur organizoi në Prishtinë një tubim shqiptaro – arab për të shkëmbyer mendime për një kuptim më të mirë të çështjes së Kosovës në botën arabe dhe për të kapërcyer ftohtësinë politike të krijuar midis popujsh. Megjithëse, natyrisht ishte një potez shumë i vonuar. Sada Cumber, ishte shprehur me keqardhje se: “që nga viti 1990 liderët kosovar nuk kanë qenë të interesuar të krijojnë takime me vendet me popullsi myslimane, përveç disa vizitave në Turqi”. Ja tani, do të shfrytëzojmë momentin e duhur thanë  kosovarët. Sekretari i përgjithshëm i  Konferencës Islamike Ekmeludin Ihsanoglu pasi bëri një deklaratë personale më 18 shkurt 2008 për të përshëndet dhe mbështet popullin e Kosovës në pavarësinë e tyre, këshilloi kosovarët që në të ardhmen të ketë një politikë më aktive ndaj vendeve islamike dhe arabe në mënyrë që t’i shpjegoj arsyet konkrete se pse Kosova është e veçantë dhe pse meriton pavarësinë e saj? A ishin të mjaftueshme bakshishet për të?

 

  1. 3.      Çështjet ekonomike:

Gjatë vizitës në Kosovë të ish ministrit të jashtëm të Turqisë Ali Babacan, aktualisht Zv/Kryeministër përgjegjës për ekonomi, për dallim nga shumë ministra e burrështetas të tjerë që vizitojnë Kosovën, ai solli me vete 140 biznesmen turq. Që nga viti 1990 në Kosovë manovrojnë 250 kompani turke që në forma të ndryshme zhvillojnë veprimtari afariste. Deri tani kjo veprimtari ka qenë e shtrirë kryesisht në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve. Gjithashtu është investuar edhe në sektorin bankar dhe sektorë të tjera. Ka një interesim në rritje nga firmat e ndërtimit dhe ato të energjisë dhe minierave. Kreu i Qeverisë turke në epiqendër të bisedës së tij nga vizita në Kosovë përmendi edhe bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik që kanë këto dy vende. Ai përmendi edhe dy kompanitë turke “Behtel and Enka” si dhe “Lihmak” të cilat janë të angazhuara për ndërtimin e autostradës dhe në projektin për modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, pa harruar të cek edhe interesimin për sektorin e telefonisë. Përmes agjencisë turke për Rindërtim dhe Zhvillim “TIKA”, Turqia bën edhe rikonstruimin e një varg objektesh kulturore dhe historike. Gjatë kësaj vizite të Kryeministrit Erdogan në Kosovë, u bë hapja e një spitali turk si dhe inaugurimi i fabrikës së miellit në Fushë Kosovë...

 

  1. 4.      Shengeni Turqi:

Që nga 6 qershori i viti të kaluar, qytetarët e Kosovës të cilët janë të pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës, do të mund ta vizitojnë Turqinë pa viza. Ky “shengen turk” qytetarëve të Kosovës i dha mundësi që pas shumë kohësh të kalojnë kufirin turk pa vizë. Sigurisht, ishte një sihariq i mirë për të gjithë ne... A ishin të mjaftueshme bakshishet për të?

 

 

Si e kemi parë ne Turqinë deri sot?

 

Fjalët dhe simbolet turke që dikur kanë qenë faktor të kohezionit dhe pjesë e identitetit shqiptar, edhe tani nga disa persona që ende frymojnë në komunizëm janë simbole e shenja irituese dhe të padëshiruara.

Sa për ilustrim të ngjarjes, karizma e liderit turk nuk e la pa prekur edhe Kryeministrin në largim H. Thaçi. Për Erdoganin, në ditën e përurimit pas restaurimit të xhamisë “Sulltan Mehmet – Fatih”, Thaçit i shkoi për dore të bëj diçka që nuk ka arritur ta bëj ndokush para tij në pozitën e tij. Jo kot thuhet, për disa njerëz, posti është provë karakteri. Thaçi së bashku me homologun turk Erdogan ngritën duart  (ngritja e duarve për lutje, “simbol turk” dhe jo i këndshëm për shumë politkanë) për t’iu bashkangjitur në lutje Myftiut Naim Tërnava me rastin e këtij përurimi. Mediet ditore e panë si shumë të madhe këtë gjest të H. Thaçit, madje ngritja e duarve gjatë kësaj lutje ishte shumë naive për shumëkënd. Lideri ynë kohë më parë kishte bërë vetëm urime për këto festa, ndërsa nuk kishte marr pjesë vet në ndonjë lutje... shtrohet pyetja, pse demokracia nuk i nënshtrohet fesë, por kërkon që ajo ta nënshtroj fenë?

“Vëllai Erdogan”. Interesant! Shih edhe çfarë gafe bën Kryeministri në ikje Hashim Thaçi, e quan vëlla homologun Erdogan! Pse e bëri këtë? Për të joshur nacionalitetin turk në Kosovë që t’i japin votën edhe kësaj radhe dhe për t’i krekosur edhe më ata që kundërshtuan stemën e Lidhjes së Prizrenit pas kaç vitesh, për të treguar se njeh turqishten ngapak, apo për t’i hyrë në hatër Erdoganit? Po si komentohet vëllazërimi mes nesh dhe Turqisë, si e kuptojmë ne miqësinë me Turqinë, mos “gafa” e Thaçit është vetëm për interes dhe jo për miqësi???! Më kujtohet një frazë e prof. Hajredin Kuçit: “Politikës i lejohet me abuzu me realitetin, por nuk e mohon atë” duhet ta ketë përgatitur Thaçin prof. Kuçi edhe kësaj radhe. Po sa mund të jetë e qëlluar për këtë shkrim edhe thënia e francezit Charles De Gaull: “Mes popujve nuk mund të ketë miqësi, ka vetëm interesa”! llogarisë se është shumë e drejtë. “Qeveria e Kosovës nuk diti të shes as patate” (shih; “Zëri” e mërkurë, 3 nëntor 2010) e lërë më të mbijetoj pa miqtë e saj...

Kosova dhe qytetarët e saj, ende e kanë të mjegulluar identitetin e tyre fetar si pasoj e historive deformuese të mësuar vite e vite me radhë. Një grusht të fort për këtë histori të deformuar kanë dhënë edhe studiuesit si Aurel Plasari e Noel Malcolm. Sipas Plasarit, në analizën me titull “Barleti – përrallëtar, gënjeshtar apo i vërtetë...!?” E vështruar, me mundësitë që i jep perspektiva historike gati pesë shekullore, “Historia” e Barletit, u është dukur shumë autorëve mbasardhës, por sidomos atyre modern, si vepër, panegjirike, e mbushur me zmadhime, me ngjyrime mitike, madje me fiksione letrare, me anakronizma dhe, sidomos, me pasaktësi jo të pakta. Pothuajse, bashkëkohësi i tij, Pal Jovi (Paulus Jovius) e akuzoi i pari Barletin që, për shkak të “atdhetarisë” dhe të “urrejtjes ndaj barbarëve”, i kishte fryrë fort punët në librin e tij...” Për rrjedhojë, as Noel Malcolm studiuesi më objektiv i historisë së vjetër të Shqiptarëve nuk e analizon më ndryshe situatën e “pushtimit” të Perandorisë Osmane. Gjithnjë sipas tij “Faktikisht, asnjë komb tjetër në Evropë nuk ka pasur përjetimin e gjenocidit, shpërnguljes, tkurrjes edhe aparteidit që kanë pasur shqiptarët, duke pasur parasysh përmasat demografike dhe territoriale. Kur u shpall pavarësia prej Perandorisë Osmane, shqiptarët jetonin në rreth 75 mijë kilometra katror dhe sot, pothuajse një shekull më pas shqipja flitet vetëm në rreth 45 mijë kilometra katror”

Turqia është një mik i shtrenjtë i yni, duhet të mësohemi ta respektojmë fqinjësinë e mirë sa nuk është vonë, përndryshe “Jeta e ka mënyrën e vet për t’i dënuar ata që vonohen” (Gorbaçov). Sërish pyes; A i meritoi Kryeministri Erdogan Bakshishet?

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme