IBRAHIMI – MIKË I ZOTIT [1]

I.

 

IBRAHIM (Kur'ani, 69 herë; emër i përveçëm në Kur’an).

IBRAHIMI është Pejgamber i Zotit, njëri ndër shfaqjet dominante pejgamberike në Kur’an. Në Komente është i njohur me emrat: “Miku i Zotit, Miku i Allahut”, që është huazuar nga Kur’ani, sureja IV, 125: "E Allahu e ka marrë IBRAHIMIN për mik" – po ashtu i njohur edhe me sintagmën “Mik i të Gjithëmëshirshmit” (Zotit), sikur edhe me emrin “Parababa / paraardhës i Pejgamberëve të Zotit.” (M. I. Ibrahim, 26).

 

IDETË KRYESORE:

                        − IBRAHIMIT në Kur'an i thuhet se i ka pranuar disa fjalë (kelimat) prej Krijuesit të tij si sprovë dhe se këto fjalë i ka përvetësuar – (II, 124);

                        − IBRAHIMI qe i fesë dhe gjinisë së Nuhit - (XXXVII, 83);

                        − Në suren II, 125, përmendet lokaliteti MEKAMU IBRAHIM, ka të bëjë me vendin e qëndrimit / namazit të tij në oborrin e Tempullit të Mekkes.

                        − IBRAHIMI dhe i biri ISMA`ILI morën urdhrin e Zotit që (nga putat, shtatoret dhe idolet) ta pastrojnë Tempullin në Mekke për vizitë (haxhillëk) - II,125.

                        − IBRAHIMI e luti Zotin për sigurinë e Mekkes dhe për furnizimin e banorëve të saj me fruta - II,126.

                        − Themelet e Tempullit të Shenjtë, gjatë një rindërtimi, ia ndërtuan IBRAHIMI dhe i biri ISMAILI – II, 127.

                        − Në këtë, theksohen (XIV, 37) fjalët e Ibrahimit në të cilat ai, duke iu drejtuar Zotit, thotë se i ka populluar “disa pasardhës të tij në një fushëgropë në të cilën asgjë nuk mbillet, te Tempulli Yt i Shenjtë...” (Komentet e Kur'anit thonë se fjala është për vendosjen e bashkëshortes së tij Haxheres dhe Ismailit, djalit të tij, në Mekkë, Hixhaz.

                        − Feja e IBRAHIMIT, monoteizmi përmendet (II, 130) si MIL-LETU IBRAHIM.

− IBRAHIMI në suren XVI, 120, quhet UMMET, mbase edhe për atë që ai në atë kohë kja qenë i vetmi monoteist, dmth. njeri paraprijës, i përkushtuar Zotit dhe HANIF, respektivisht që në kohën e tij ka qenë njeriu më i vlefshëm. Këtë fe ai dhe JA`KUBI ia kanë porositur, secili bijve të tij (II, 132).

− Në suren II, 133, përmendet IBRAHIMI, ISMA`ILI dhe IS’HAKU si paraprijës të bijve të JA`KUBIT, të cilët thonë se do t’i robërojnë “Zotit të JA`KUBIT dhe Zotit të të parëve të tij, IBRAHIMIT, ISMA`ILIT dhe IS’HAKUT“.

− Fjala HANIF përmendet në Kur'an në rastet më të shumta krahas IBRAHIMIT (si për shembull II,135), termi shënon "njeriun e fesë së pastër monoteiste ", dmth. "nuk ka qenë nga idhujtarët, nuk ka qenë nga politeistët të cilët Zotit i përshkruajnë shokë, rivalë ..." (II, 135) - „në atë që i është shpallur duhet besuar“ (II, 136);

− Në suren II, 140, përgënjeshtrohet se IBRAHIMI, ISMA`ILI, IS’HAKU dhe JA`KUBI kanë qenë hebraikë apo kristianë, deri sa në suren II, 258, tregohet në "atë i cili me IBRAHIMIN për Krijuesin (Zotin) e tij ka diskutuar”, kurse në suren e njejtë (II, 258) ai e përshkruan Krijuesin (Zotin) e tij si “Unë ngjall (krijoj jetë) dhe vdes!”.

− Po ashtu, duke diskutuar me personin të përmendur në suren II, 258, IBRAHIMI thotë: "All-llahu njëmend bën që dielli të lind në lindje, hajde bëne ti t’ia shkrepë nga perëndimi!”

− Në suren II, 260 IBRAHIMI lutet që Zoti i tij t’i tregojë se si i ringjall të vdekurit.”

− Zoti e ka përzgjedhur, ndër të tjerë, edhe familjen e tij (III, 33).

− Në suren III, 67, thuhet sërish se IBRAHIMI "nuk ka qenë hebraik as kristian ".

− Në suren XXI, 51, fjala është për pjekurinë e IBRAHIMIT të cilën ia ka dhuruar Zoti.

− Në suren XXII, 78, flitet "për fenë e babait tuaj IBRAHIMIT", dmth. stërgjyshit të njerëzve, stërgjyshit të njerëzisë monoteiste.

− Në suren VI, 74, përmendet babai i tij, mbase megjithatë stërgjysh, AZERI “Kur IBRAHIMI i tha babait / stërgjyshit të tij Azerit ...” (krahaso shpjegimet/ hamendjet e shumta ekzegjete se a ka qenë AZERI emri i statujës të cilit i ka shërbyer babai i Ibrahimit TAREHU e të ngjashme).

− Në këtë, IBRAHIMIT Zoti ia ka treguar mbretërinë e Qiejve dhe të Tokës (VI, 75). Kjo tërësi / përshkrim i pjekurisë shpirtërore të IBRAHIMIT është: “Dhe kështu ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës që të jetë i bindur mirë. Dhe kur ra nata, ai e pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im”!, por pasi perëndoi ai tha: Nuk i dua ata që perëndojnë!”, E kur e pa hënën që po del tha: “Kjo (hëna) është Zoti im!” E pasi që edhe ajo perëndoi, ky tha: “Nëse Zoti im nuk më drejton në rrugë të drejtë, unë me siguri do të jem nga ata që kanë dështuar”. Por kur e pa diellin si po lind, ai thirri: “Ky është Zoti im, ky është më i madh”! Mirëpo, pasi edhe ai perëndoi, tha: “O populli im, unë heqë dorë nga ato që ju i bëni shokë! Unë po e drejtoj fytyrën time si besimtar i vërtetë kah Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën, dhe unë nuk jam nga politeistët”. (VI, 75-79).

− Miqtë e IBRAHIMIT janë ata të cilët ia paralajmëruan lindjes e djalit IS’HAKUT (XV, 51); 

− IBRAHIMI, djalosh monoteist, i rrënon statujat në tempull të popullit të tij (XXI, 60);

− Idhujtarët e hodhën në zjarr (XXI, 69), por Zoti i urdhëroi zjarrit që "të bëhet i ftohtë dhe shpëtim për IBRAHIMIN". Kur'ani porositë se në "IBRAHIMIN dhe në ata të cilët besojnë "ju (njerëzit) keni shembull të mirë " (USVETUN HASENEH).

− Sakrifikimi i të birit ISMA`ILIT nga IBRAHIMI përmendet në suren XXXVII,102-107;

− “Fletat e IBRAHIMIT dhe të MUSAIT ”, d.m.th. SUHUFET në të cilat fletat e Shpalljes ceken në suren LXXXVII, 19.

 

II.

 

Komentet e Kur’anit në poteza të gjera shqyrtojnë për shumë aspekte të shumta të shfaqjes së Ibrahimit a.s. në Shpallje, në fe dhe në histori. Për të lidhen shumë ide, institucione dhe rituale të cilat Kur’ani i përmend, por komentuesit e Kur’anit theksojnë edhe shumë transmetime dhe hollësi për të cilat Kur’ani hesht.

Për prejardhjen e emrit të IBRAHIMIT komentuesi El-Kurtubiu (II, 66) thotë, duke u thirrur në komentuesin e El-Maverdit, se fjala IBRAHIM është fjalë siriane dhe se në gjuhën arabe, sipas komentuesit Ibn `Atijjeh, do të thotë "babai i mëshirueshëm"... . Kurtubiu, diç më vonë, shton se shpesh kemi ngjashmëri të kuptimeve në fjalët siriane dhe arabe. Kurtubiu në të njëjtin vend thekson se Ibrahimi është quajtur kështu në gjuhën siriane për shkak të mëshirës që e shprehte ndaj fëmijëve. Kurtubiu, pastaj, për Ibrahimin a.s. e lidhë mëshirën ndaj fëmijëve duke theksuar se Ibrahimi dhe gruaja e tij Sara janë obliguar që, deri në Ditën e Gjykimit, të kujdesen për fëmijët e besimtarëve të cilët vdesin në kohën e fëmijërisë.

Kurtubiu përkujton, duke e argumentuar idenë për Ibrahimin si furnizues të mëshirshëm të fëmijëve deri në Ditën e Gjykimit, se edhe vetë El-Buhariu e thekson  traditën në të cilën Muhammedi a.s. thotë se gjatë kohës së MI’RAXHIT e ka parë Ibrahimin a.s. në KOPSHTIN E XHENNETIT “me shumë fëmijë nga njerëzit e tjerë.”

Theksimi i Sares si furnizuese e fëmijëve të vdekur është i qartë edhe me këtë sepse ajo, deri sa në moshën e shtyrë nuk e lindi të birin Is’haku, ka qenë sterile.

Xhelaluddin Es-Sujutiu (El-Itkan, IV, 60) gjithashtu e lejon këtë etimologji të fjalës IBRAHIM në të cilën theksohet ideja e mëshirës. Ai e cek gjuhëtarin El-Xhavalikun i cili thotë se fjala Ibrahim është e vjetër dhe se nuk është arabe. Arabët këtë fjalë e shqiptojnë në disa mënyra”, shqiptimi më i njohur është IBRAHIM, por e shqiptojnë edhe si IBRAHAM pastaj shkurt IBRAHaM dhe IBReHeM.

Sujutiu në vendin e njëjtë thotë se ky është “emër sirian që do të thotë babai mëshirues”. Ai në Itkan (IV, 60) cek, duke u thirrë në autoritetin e El-Kermanit, edhe etimologjinë tjetër për emrin Ibrahim, prej fjalës ELBERHEMEH që sërish do të thotë “fuqia e fuqishme e depërtimit”. Kjo mundësi etimologjike tregon në kundrimin e Ibrahimit a.s. të yjve, Hënës, Diellit dhe në perceptimin e tij të shpejtë se, në të gjitha, pas, para dhe mbi të gjitha është Zoti!

Komentuesit e Kur’anit e theksojnë GJENEALOGJINË E IBRAHIMIT, trungun gjenealogjik, dhe gjithnje e lidhin me pejgamberin e Zotit Nuhin a.s.. Ibrahimi, sipas atij trungu, i biri i Azerit i cili quhet edhe TAREH, i cili është sërish i biri i NAHORIT kurse ky është i biri i SHARUHIT i cili është i biri i RAGUIT, ky është i biri i FALEHUT, kurse ky, sërish, i biri i ABERIT, kurse ABERI i biri i SHALEHUT, kurse ai ishte i biri i ARFEHASHDIT, i cili është i biri i SAMIT, kurse Sami është i biri i Nuhit, Pejgamberit të Zotit. (Etimologjinë e këtillë e cek Es-Sujutiu, El-Itkan, IV, 60, shumë sosh e përsërisin, pak a shumë në këtë formë; në themel të kësaj shohim ndikimet e përkthimeve arabe të Biblës dhe të traditës së ISRAILIATEVE në konstituimin e gjenealogjisë së shumë pejgambereve të Zotit, (krhs. Përkthimin arab të Biblës, Cambridge, 1956, fq. 17), ku ceket trungu gjenealogjik i Samit, respektivisht SEMITE.

Ibrahimi a.s., ka pasur katër djemë (Kurtubiu, II, 67): ISMA`ILIN, IS’HAKUN, MEDJENIN dhe MEDA'ININ.

Edhe shumë të tjerë theksojnë se Ibrahimi a.s. me prejardhje është nga lajmëtari i Zotit Nuhi. Kështu M. I. Ibrahim (El-Elfadh ve’l-a`lam‘ul-Kur'anijje, 27) thotë se Ibrahimi a.s. është “lindur në Babilon para shumë mijë viteve, prejardhjen e mbanë nga i biri i Nuhit, Sami ...”.

                        M. I. Ibrahimi në të njëjtin vend thotë se populli i Babilonit i adhuronte yjet dhe idhjujt, por e adhuronin edhe sunduesin e tyre Nemrud ibn Ken’anin. Azeri, babai i Ibrahimit, ka latuar idhuj për popullin e tij dhe i ka furnizuar ata ...

                        Autori i njëjtë thotë se “Ibrahimi a.s. është rritur me besim korrekt”. Si fëmijë qe fshehur, sepse sunduesi Nemrudi, duke dëgjuar se do të lind një fëmijë mashkull i cili do ta përfundojë sundimin e tij, ka urdhëruar që atë vit të vriten të gjithë fëmijët meshkuj ... (Ibn Kethir, 11, 204).

                        Së këndejmi nëna e tij, deri sa ishte shtatzënë, ishte strehuar në shpellë jashtë qytetit dhe atje e lindi. (Këtë motiv komentuesit e Kur’anit e sjellin në lidhje me Musain a.s., lindjen dhe urdhërin e faraonit për vrasjen e fëmijëve meshkuj.)

Rritja e Ibrahimit, gjithnjë nën syrin vigjilent të nënës, qe përcjellë edhe me frymëzimin e Zotit, sepse Ibrahimi, qysh si djalosh, pasi që para shpellës ka kundruar yjet, Hënën dhe Diellin, e ka pranuar shpalljen. Ibn Kethiri (III, 246) thotë në këtë pikëpamje se “Zoti gjithnjë dërgon pejgamberët si djelmosha, por edhe kur ndonjë dijetari i dhurohet dituria i dhurohet qysh në djaloshari...”. Së këndejmi në Kur’an (XXI, 60), në vendin e njëjtë thotë Ibn Kethiri, Ibrahimi a.s. quhet “djalosh”. Në zhvillimin e rendeve fisnike (FUTUVVET) në kulturën dhe qytetërimin islam motivi i rinisë së Ibrahimit a.s. ka pasur ndikim frymëzues.

Shpërnguljes (HIXHRETIT) së Ibrahimit nga Babiloni (nga Harani apo edhe nga Uri) në vendet e Shamit dhe në Mekkë i ka paraprirë dënimi me zjarr, turrë drush! Sipas zakoneve të vjetra babilonase, njeriu që ngritej kundër idhujtarisë së atëhershme dënohej me djegie në zjarr. “Digjeni atë” – britën (gjyqtarët) – “dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!” (XXI, 68).

Ibn Kethiri (3, 247) thotë se babilonasit në turën e druve kanë grumbulluar mjaft dru, madje disa gra, të cilat ishin të sëmura atë kohë, qenë zotuar se nëse shërohen, do të sjellin dru në turrën e druve ... Ibrahimi a.s. qe hedhur në turrën e druve duke i shqiptuar gjatë kësaj fjalët: “O Zot, Ti je i vetmi në qiej, kurse unë jam i vetmi që të robërojë në Tokë!”

Xhibrili, i cili i qe dërguar në këtë kohë, e ka pyetur: “Mos të nevojitet çkadoqoftë?” Kurse Ibrahimi a.s. iu përgjigj: “Nga ti jo! Nga Zoti po!” Atëherë pasoi intervenimi i Zotit: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe bëhu shpëtim për Ibrahimin!” (Kur'an, XXI, 69).

Në këtë sikur edhe në shumë vende të tjera e vërejmë mendjemprehtësinë e fuqishme ekzegjeze të komentuesve. Vëmendja këtu përqendrohet në fjalët “i ftohtë” dhe “shpëtim (shpëtues)”! Komentuesit thonë se kjo mrekulli (MU'XHIZE) ka qenë aq intensive sa ia ka djegur vetëm “litarët” me të cilët qe i lidhur! Pra, zjarri praktikisht vetëm e ka çliruar! Me këtë rast Shevkaniu thotë (3, 415), që sikur pas ‘ftohtësisë‘ së zjarrit të mos ketë pasuar urdhri i Zotit që zjarri të bëhet ‘shpëtues’, Ibrahimi do të vdiste nga të ftohtit e tij.

Mrekullinë e shndërrimit të ngrohtësisë në ftohtësi e kanë ndier edhe kafshët dhe kanë ndihmuar që zjarri të bëhet i ftohtë. Shevkaniu (3, 415) shënon se të gjitha kafshët i kanë fryrë zjarrit nga Ibrahimi përveç hardhucës! Ajo i ka fryrë zjarrit drejt Ibrahimit!

III.

Kurtubiu shpjegon “fjalët” (KELIMAT), me të cilat Ibrahimi a.s. ka qenë i sprovuar prej Zotit, si urdhësesë mbi konstituimin e konstantave të rëndësishme kulturore. (Të përkujtojmë se komentuesit e Kur’anit thonë se Pejgamberi i Zotit IDRISI njerëzit i ka mësuar me lavërtari, mbjellje-korrje, kultivimin e bimëve dhe shtazëve.

Shpallja e tij përbëhej në atë që Ibrahimi a.s. të veprojë si person i cili e rregullon bashkësinë dhe i cili është përhapës i kulturës. Kurtubiu shpjegon se për Ibrahimin a.s., si pejgamber të Zotit, i cili vepron në pikën kthesë të njerëzisë, lidhen idetë e udhëheqjes dhe imametit, dhe ripërtëritjes së Tempullit të Shenjtë si “pikëtakim i njerëzve”.

Për vetë “fjalët” (KELIMAT) thotë se këto janë detyrime të cilat i janë vënë t’i kryejë. Çka saktë do të thonë këto fjalë? Kurtubiu (2,67) cek një varg mendimesh: se këto janë dispozitat/zotimet/ligjet islame”, se në sprovë është vënë me islamin”, “me urdhëresa dhe ndalesa”, “prerjen e birit të tij”, “komunikimin e pejgamberisë”.

Ideja e sakrificës, KURBANIT gjithashtu krahas IBRAHIMIT shqyrtohet së bashku.

Kurtubiu (2, 67) cek edhe mendime të tjera për fjalët dhe për Ibrahimin a.s. lidhë shumë ide konkrete dhe institucione të kulturës. Kështu Kurtubiu e veçon institucionin e pastrimit: “Zoti e ka sprovuar me pastrim”, “pesë pastrime ia ka caktuar për kokën kurse pesë për trupin.”

Kur është “fjala për pastrimin e kokës” ia ka përcaktuar 1) “shkurtimin e mustaqeve”; 2) “shpërlarjen e gojës”; 3) “shpërlarjen e hundës”; 4) “pastrimin e dhëmbëve me furçë / misvak; dhe 5) krehjen / ndarjen e flokëve”. (Kurtubiu, 2, 67).

KELIMATI për “pastrimin e trupit” ka të bëjë me 1) “shkurtimin e thonjve”; 2) “rruarjen e qimeve mbi dhe rreth organeve intime”; 3) “synetimin”; 4) mënjanimin / shkuljen e qimeve nën sqetulla”; 5) “pastrimin e vendit të qitjes së nevojave fiziologjike (të mëdha dhe të vogël) me ujë.”

Ideja e SYNETIMIT dhe shpërnguljes, HIXHRETIT, për shkak të fesë zënë një nga vendet kryesore në komentimin e shfaqjes pejgamberike të Ibrahimit. Kështu theksohet (Kurtubiu, 2, 68) se komentuesi El-Hasani ka thënë se Zoti pejgamberin Ibrahim a.s. e ka sprovuar me gjashtë sprova: 1) me yjë, 2) hënë, 3) diell, 4) zjarr, 5) shpërngulje / hixhret, dhe 6) syneti.

Duke e theksuar si shfaqje pejgamberike e cila themelon kulturën, Ibrahimi, sipas komentuesve të Kur’anit, shumë çka ka vepruar i pari ndër njerëzit (për shembull shih Kurtubiu, 2, 68, pastaj Taberiu, I , 524 e më tej; gjithashtu në këtë kuptim edhe Ibn Kethiri, I , 228-229, dhe Zamahsheriu, I, 184-185.). Sipas Kurtubiut, Ibrahimi është "i pari i cili është synetuar", i pari i cili “gostiti musafirin”, i pari i cili i ka “rruar leshrat”, i pari i cili i ka “prerë thonjët", i pari i cili i ka “shkurtuar mustaqet”, i pari i cili është “thinjur ", (në lidhje me këtë, Kurtubiu 2, 73) cek se Muhammedi a.s. ka ndaluar shkuljen e qimeve të thinjura; me fjalë të tjera, çdo musliman i cili thihet në Islam, qimet e thinjura në Ditën e Gjykimit do t’i bëhen dritë ...

Më tej, Ibrahimi a.s. ka qenë i pari i cili “ka goditur me shpat”, i pari i cili “e ka pastruar prapanicën me ujë”, i pari i cili “ka veshur brekë”, gjithashtu edhe është i pari “i cili ka ngrënë bukë të përvëluar (përshesh)”, “i pari i cili ka folur nga minberi / foltorja” etj.

Institucioni i synetisë (el-hitan), i cili lidhet për IBRAHIMIN, a.s., në komentimet e Kur’anit, së këndejmi, është shtruar gjerësisht. Kurtubiu (2, 08) thekson se shumica e komentuesve të Kur'anit synetinë e numërojnë në të ashtuquajturat “sunetet e forta, të theksuara, të konfirmuara” dhe diç që bënë pjesë në vetë “natyrën e Islamit”. Se në çfarë pijedestali është ky institucion shihet, thotë Kurtubiu, edhe në atë se Muhammedi a.s. ka lindur i bërë synet, për më tepër, gjithashtu (thotëindur i b[edi a.n[ihet, thot[sve t[ultivimin e bim[ Kurtubiu, 2, 69) dhe shumë të dërguar dhe pejgamberë të Zotit (ADEMI, SHITI, IDRISI, NUHI, SAMI, LUTI, JUSUFI, MUSAI, SHUAJBI, SULEJMANI, JAHJAI, ISAI, a.s.) janë lindur të bërë synet (të cirkumizuar). (Transmetimet për vetë emrat e Pejgamberëve të Zotit të cilët janë të synetuar dallojnë fare pak, varësisht nga njëri në komentuesin tjetër dhe varësisht nga njëri apo transmetimi tjetër).

IBRAHIMI e synetoi të birin ISMA’ILIN në vitin e trembëdhjetë, kurse IS”HAKUN në ditën e shtatë. Kurtubiu cek, në lidhje me këtë, shumë transmetime me të cilin dëshirohet të specifikohet koha më e përshtatshme për synetimin e fëmijëve meshkuj. Ceket se “Fatimeja (e bija e Pejgamberit Muhammedit a.s.) e ka bërë synet të birin e saj në ditën e shtatë, por që autoriteti Maliku këtë nuk e ka miratuar (duke e konsideruar se është i parakohshëm) dhe se kështu kanë vepruar hebraikët.”

Pastaj Kurtubiu (2, 69) cek se fëmija mashkull duhet të synetohet ndërmjet vitit të shtatë dhe të dhjetë, kurse pastaj e cek transmetimin nga Buhariu në të cilin theksohet se dikush e ka pyetur Ibn Abbasin se sa vjet ka pasur kur vdiq pejgamberi Muhammedi a.s., kurse ai u përgjigj se në atë kohë ka qenë i synetuar.”, (dmth. ka pasur dhjetë deri trembëdhjetë vjet). (Kjo flet  se Ibn Abbasi mban mend kur ishte synetuar dhe se, për rrethanat e sotme, synetimi i tij është kryer me vonesë).

Kurtubiu shton edhe këtë se autoritetet e hershme nuk i kanë synetuar fëmijët meshkuj deri sa nuk e arrijnë kohën e pubertetit / polucionit apo deri sa nuk i afrohen. (Sot, natyrisht, kur ekzistojnë kushtet e mira mjekësore, fëmijën mashkull duhet synetuar më herët dhe në pajtim me mendimin e mjekut).

Lidhur me këtë, ulemaja konsideron se është mirë që njeriu i moshuar i cili e pranon Islamin të synetohet, për më tepër, komentuesi i Kur’anit Ata’i thotë se për konvertitin në islam ... “islami i tij nuk është i plotë deri sa nuk bëhet synetimi, qoftë madje nëse ai i ka tetëdhjetë vjet!”

Kurtubiu së këndejmi (2, 68) cek transmetimet e ndryshme se kur është synetuar Ibrahimi a.s.; ta veçojmë transmetimin e Ebu Hurejres (nga vepra El-Muvetta' e Malikut) se Ibrahimi a.s., ka pasur njëqind e njëzet vjet kur është synetuar, dhe se pas synetimit ka jetuar edhe tetëdhjetë vjet... Ceken edhe transmetime se është synetuar kur ka pasur tetëdhjetë vjet.

Komentuesit e Kur’anit, për shkak se synetimi i Ibrahimit është shenjë e fortësisë së zotimit në të cilën është zotuar para Zotit, i lidhin institucionet e synetimit dhe TAVAFIT, dmth. Lëvizjen rreth TEMPULLIT TË SHENJTË dhe konfirmojnë që “pas këtij rasti askush nga feja e Ibrahimit nuk e ka kryer haxhin/pelegrinazhin e Tempullit të Shenjtë i pasynetuar.”

 

IV.

 

Pasardhësit e Ibrahimit, sipas Ibn Kethirit (2/208), ishin të shumtë, për më tepër të gjithë pejgamberët e Zotit që pasuan pas Ibrahimit a.s. qenë nga pasardhësit e tij. Kurse pasardhësit shpirtëror të Ibrahimit ndër monoteistët për nga numri dhe ndikimi qe njëri nga segmentet më të rëndësishme të njerëzisë në këtë pjesë të historisë për ne të njohur dhe më të zhvilluar. Kështu, përkthimi arab i Biblës sjellë lajmin për premtimin e Zotit për Ibrahimin a.s. “... unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit ...”. (Zanafilla, 22/17).

Por, ripërtëritjen e Tempullit të Shenjtë nga ana e IBRAHIMIT a.a. në Mekë komentuesit e Kur’anit e konsiderojnë një nga faktet më të rëndësishme në historinë më të re shpirtërore të njerëzisë. E para, HIXHRETI i IBRAHIMIT a.s. është në lidhje të drejtpërdrejtë me ripërtëritjen e TEMPULLIT dhe ka dy drejtime, një në vendet e SHAMIT (Palestina, Libani dhe pjesë të Sirisë), dhe i dyti në zemër të Arabisë, në vetë Mekën.

Shevkaniu (3/412) thotë:

"Është theksuar tashmë se LUTI është bir vëllai i IBRAHIMIT, dhe se  ALLAHU MADHËSHTOR  rrëfen këtu se Ai e ka shpëtuar IBRAHIMIN dhe LUTIN në "tokën të cilën e kemi bekuar për botërat”. Komentuesit thonë: "Ky është vendi i Shamit, kurse ata të dytë kanë qenë në Irak ...".

Edhe Ibn Kethiri (3/248-249) pohon se Ibrahimin a.s., Zoti e shpëtoi nga armiku dhe e udhëzoi si MUHAXHIR deri në tokat e Shamit. Ibn Kethiri thotë edhe këtë se Ibrahimi a.s., në rrugën e tij prej muhaxhiri e ka njoftuar Sarën, e cila ishte e bija e mbretit nga Harani dhe e martoi atë... Ky është një mendim për prejardhjen e saj; mendimi tjetër është se ajo është e bija e xhaxhait të tij dhe se me të është nisur nga vendi i tij si muhaxhir...

Me ardhjen në Mekë Ibrahimi dhe i biri Ismaili e rimëkëmben Tempullin. Zamahsheriu (1/187) pohon se Tempulli “edhe para Ibrahimit ka pasur themele”, me fjalë të tjera, para vetë fillimit të njerëzisë në tokë Tempulli qe lëshuar nga qielli i tëri i dekoruar me xhevahirë nga xheneti... Tempulli ka pasur dy dyer nga smaragdi, lindore dhe perëndimore. Zoti i tha Ademit a.s.: “Ta zbrita ty këtë Tempull që rrotullohen rreth tij, pikërisht sikur që rrotullohen edhe rreth Fronit Tim!” Dhe se Ademi nga India u nis drejt Tempullit këmbë, kurse melekët e kanë takuar dhe i kanë folur: “Qofsh i bekuar o pelegrin, o Adem! Ne e kemi vizituar këtë Tempull para teje dy mijë vjet!” Ademi e ka bërë haxhin dyzet herë nga India në Mekë duke ecur këmbë...

Kështu ishte deri në kohën e Përmbytjes (ET-TUFAN) kur Zoti e ngriti Tempullin në Qiellin e Katërt, kurse kjo është El-Bejtu’l-Ma`mur, e pastaj Zoti i madhërishëm i ka urdhëruar Ibrahimit ndërtimin/ripërtëritjen e Tempullit, kurse Xhibrili ia ka treguar vendin e Tempullit...

Zamahsheriu, më tej, pohon (1/187) se ka transmetime se Zoti i madhërishëm i ka dërguar hijet e tempullit dhe se Ibrahimi a.s. është ftuar: “Ndërtoje/ripërtërije Tempullin sipas hijeve të tij (dmth. Hijeve të Ka’bes), as mos e zmadho as mos e zvogëlo!” Tempulli, thotë një transmetim tjetër, është ndërtuar nga materiet e pesë maleve: të Sinait, Turzeit, Libanit, Xhudijit/Araratit, kurse vetë themelet janë nga mali Hira... (Zamahsheri, 1,187). Kurse vetë Xhibrili e solli Gurin e Zi (EL-HAXHERU’L-ESVED) nga qielli ...

Komentuesit e Kur’anit, natyrisht, insistojnë në prejardhjen qiellore të Ka’bes, vërtet nuk mund të gjendet që dikush pohon të kundërtën. Ismail Hakkiu në tefsirin e tij (1, 230) pohon se Ka’ba është me prejardhje qiellore, sepse "Zoti e ka ndërtuar tempullin në qiej, kjo është El-Bejtu’l-Ma`mur, quhet DIRAH (kështjellë/tempull në qiellin e katërt), kurse iu ka urdhëruar melekëve që në tokë ta ndërtojnë Ka’ben në drejtim të këtij pallati, me dimensione dhe pamje të njëjta...".

Sintagma “ritualet e pelegrinazhit/haxhit” (MENASIKU’L-HAXHXH) është në lidhje të drejtpërdrejtë me Ibrahimin a.s.. Shpallja kur’anore thotë se Ibrahimi a.s. ka lutur: "(O Krijuesi ynë!) Ritualet tona na tregoni!”, që drejtpërdrejt ka të bëjë me feligjet e islamit dhe ritualet e haxhit. Zamahsheriu (1, 188) jep shenjë se ka të bëjë me "të treguarit e ritualeve të haxhit apo përcaktimin / përkufizimin e tyre”.

Në lidhje mjaft të ngushtë simbolike është ripërtëritja e Ibrahimit të tempullit dhe ndërmjetësimi i Ibrahimit a.s. ndërmjet prijësave fisnor kurejshit, gjatë rindërtimit të Ka’bes, kur ai si djalosh i ndershëm, besnik dhe i nderuar, dmth. EL-EMIN vendosi Gurin e Zi në vendin e tij.

Ibn Hishami (1, 168 e tutje, kapitulli mbi restaurimin e Ka’ bes në kohën e rinisë së Pejgamberit) thotë se vëllezëritë e fisit KUREJSH nuk gjetën fjalën e përbashkët kush do ta vendosë Gurin e Zi në vendin e tij. Propozuan që ai i cili rastis i pari të ofrojë zgjidhjen e kontestit; rastisi Muhammedi a.s. dhe si djalosh i ndershëm dhe besnik vendosi si vijon: e kërkoi një çarçaf, e vendosi në të Gurin e Zi, pastaj prijësave fisnor iu tha që të gjithë t’i kapin cepat e çarçafit dhe kështu ta ngrisin Gurin e Zi. Pastaj ai me duart e tij e vendosi në vendin përkatës...

Me këtë fuqishëm vijëzohet lidhja e Ibrahimit a.s. dhe Muhammedit a.s., si ripërtëritës së Tempullit të Shjenjtë Mekkas.

Institucioni i sakrifikimit, KURBANIT ka qenë i njohur edhe para Ibrahimit a.s.. Shpallja kur’anore thekson dy djemtë e Ademit a.s. të cilët bënë sakrificë, kurse emrat e tyre emrat e tyre tefsiror janë HABILI DHE KABILI. "Dhe rrëfeju atyre rrëfimin mbi dy bijtë e Ademit, ashtu si është, kur ata të dytë bënë sakrificën, dhe nga njëri qe pranuar, kurse nga tjetri nuk qe pranuar!”

Komentuesit e Kur'anit në kontekste të ndryshme theksojnë se pikërisht Ibrahimi a.s. është ripërtëritës i ritualeve të sakrificës. Taberiu (12, 79 e tutje) diskuton, nëpërmjet dhjetëra transmetimeve, për atë kush ishte i ashtuquajturi EDH-DHEBIH, dmth., IS’HAKU apo ISMA`ILI, kush është dashur të sakrifikohet?

Të theksojmë se Taberiu, sipas transmetimeve, përcaktohet për ISMA`ILIN, duke e shfrytëzuar gjatë kësaj me qëllim argumentimi vetë tekstin kur’anor (XI, 71), i cili thotë: “E, gruaja e tij (e Ibrahimit) rrinte aty dhe qeshi, dhe Na e gëzuam atë me Is’hakun, e pos Is’ahkut, me Jakubin.”

Pra, Sarës, gruas së Ibrahimit, melekët me lajm të gëzueshëm i kumtojnë se ajo do të lind të birin Is’hakun, kurse Is’haku do ta ketë djalin Jakubin (nipin e saj). Taberiu thotë se pikëriusht kjo profeci, e dhënë Sarës, e konsteston se Is’haku ishte i biri i synuar për sakrtificë, e pastaj prej tij, Is’hakut, do ta fitojë nipin i cili quhet Jakup! E si të sakrifikohet kur, në bazë të profecisë, tashmë dihej se do ta kishte të birin Jakubin!? Taberiu, nëpërmjet transmetimit, thekson se në të vërtetë Isma’ili është ai i cili është synuar si sakrificë.

Komentet e Kur'anit theksojnë se Hixhreti i Ibrahimit ka sjellë deri te krijimi i dy popujve, hebraikëve dhe arabëve, hebraikët janë nga IS’HAKU, kurse arabët nga ISMA’ILI. Komentuesit, gjithashtu, e lidhin motivin e Hixhretit të Ibrahimit me Muhammedin a.s.

 

V.

 

Ibrahimi a.s. është temë e dashur e komentuesve mistikë të Kur’anit. Vëmendje e posaçme i është kushtuar ajetit 260 të sures 2:

“E, kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregom si i ngjallë Ti të vdekurit!” – Zoti tha: “A nuk ke besuar?” – “Unë kam besuar” – u përgjegj Ibrahimi, “por po dëshiroj të më qetësohet zemra (duke e parë mënyrën e ringjalljes)”. Perëndia i tha: “Merri katër zogj, afroi pranë veti (therri e coptoji), e shpërndaji në çdo kodër nga një copë prej tyre, e pastaj thirri! Ata do të vijnë me të shpejtë. Dije, se Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” (El-Bekareh, 260).

Ismail Hakkiu (1, 416-417) thotë se Ibrahimi a.s., pa dyshim e ka prerë palluin, gjelin, korbin dhe pëllumbin, kurse disa thonë se në vend të pëllumbit e ka prerë shqiponjën... Këta shpendë janë zgjedhur sepse janë më të afërta (sipas jetesës) me njeriun dhe tubojnë të gjitha veçoritë e kafshëve. I ka prerë ato, të gjitha në copa i ka copëtuar, dhe pastaj të gjitha (pendlat, eshtrat, gjakun, zorrët …) i ka përzier dhe në disa male i ka shkapërderdhur… pastaj shpendët sipas radhës i ka ftuar dhe ka shikuar se si secila cofëtirë në pjesëza bashkohet me kokën e shpendit së cilës edhe i përket dhe i kthenë në formën e vet. Ibrahimi ka vështruar dhe është habitur…

Por, këto katër shpendë janë gjithashtu, edhe katër cilësi (të cilat njeriu në vete duhet t’i “pretë”). Këto katër cilësi, thotë Ismail Hakkiu, kanë derivuar nga katër paraelementet të cilët e lagën deltinën nga e cila është krijuar njeriu, kurse kjo është toka, uji, zjarri dhe ajri …

Çdo element me shokun / palën e vet përbën dy cilësi …Toka për palë ka ujin, kurse cilësitë që krijohen janë lakmia dhe koprracia, kudo që gjendet një cilësi e tillë gjendet edhe cilësia tjetër…

Zjarri për palë ka ajrin, nga kjo palë krijohet urrejtja dhe pasioni, kurse këto dy cilësi ecin së bashku...

Ibrahimit i është urdhëruar t’i presë edhe këto katër cilësi … pallui i dorështrëngimit, sepse pallui e simbolizon dorështrëngimin; me fjalë të tjera, sikur pasuria mos t’i dukej e bukur koprracit sikur që i bëhet i bukur edhe pallui me ngjyrat e tij, koprraci nuk do të bëhej dorështrënguar me të ...

E ka prerë edhe korbin e lakmisë, ai nga lakmia e tij gjurmon / mbledh shumë ...

E ka prerë edhe gjelin (kënduesin) e pasionit/epshit, sepse ai është i njohur sipas epshit.

Më në fund, e preu edhe shqiponjën e urrejtjes, kurse urrejtja i përshkruhet shqiponjës për shkak të sjelljes së tij gjatë fluturimit sipër shpendëve të tjerë...

Ismail Hakkiu thotë se këta shpendë/cilësi Ibrahimi i ka prerë edhe në vete me thikën e të vërtetës.

Njerëzit të cilët në vete e shkatërrojnë koprracinë, lakminë, pasionin/ epshin dhe urrejtjen, nuk do t‘i djeg zjarri i xhehenemit. Së këndejmi, as Ibrahimin a.s., zjarri nuk e ka djegur, sepse nuk kishte kurrfarë rruge që ai t’i afrohet kur është hedhur me dhunë nga katapulti në turrë drush. Përkundrazi, zjarri i qe “i ftohtë dhe shpëtim”.[2]

Përktheu:

Nexhat Ibrahimi



[1] Teksti në origjinal është botuar në vjetarin: Takvimi i Rijasetit të BI BH, për vitin 1998, Sarajevë, 1998.

[2] (P.S.: Teksti është shkëputje nga Fjalori Enciklopedik i Kur’anit, nga autori akademik Enes Kariq. Formën e plotë të tekstit mund ta lexoni në: Enes Karic, Semantika Kur’ana, Sarajevë, 1998, fq. 513-530).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme