EJA EDHE NJË HERË!

Eja!
Eja dhe pastaj ik prapë e me më ler ta shijoj dhimbjen e ndarjes
E ëmbël është vuajtja që shkaktohet nga mungesa jote
Sepse mungesa jote gjithmonë ma kujton praninë tënde
Eja edhe një herë dhe më godit mu në zemër
Që të bindem se ende kam fuqi të përballem  me dhimbjet!
 
Kur unë të jem dënuar nga harresa
Eja dhe më bëj të vuaj edhe një herë
Eja se dua ta kem plagën e freskët
Që edhe kujtimet për ty të jenë të freskëta
Eja edhe një herë dhe më çmëso
Se më kanë mësuar aq shumë sa desh m’u zbraz zemra nga ndjenjat
Eja të bashkohemi edhe një herë që ta kuptoj sa të fortë më ka bërë ndarja!
 
Kur unë të jem harruar pothuajse nga krejt bota
Eja ti me vesën e të gjitha mëngjeseve të jetës
Dhe m’i kujto lulet që u thanë pa ua ndier aromën
M’i kujto gjynahet e mia që kanë arritur majat e maleve
Kështu s’do ta harroj se nuk ka mal pa majë
Dhe do ta kujtoj sot e përmot që edhe pse majat e maleve janë më afër diellit
Prapë se prapë ato jetojnë me borën.
 
Kur shpirti im të jetë nisur drejt Qiellit
Eja ti me lotët e krejt syve të të dashuruarve të Tokës dhe laje trupin tim
Që ta ndjej edhe një herë se në botë lashë njerëz më të dashuruar se vetja
Që shpirti im t’i thotë gjithë botës se nuk ka ndarje që s’na e kujton takimin,
Nuk ka pendim që s’na e kujton gabimin,
Nuk ka ikje që s’na e kujton kthimin.
 
Nëse s’jam i denjë të vish derisa unë të jem këtu
Ti eja kur të kem shkuar unë atje
Dhe thuaja gjithë botës Të Vërtetën për të cilën u lavdërova e u shava
Thuaju që unë edhe pse u largova, nuk u ndava
Edhe pse nuk derdha lotë, prapë qava
Se që kur u ndanë Ademi e Hava
Edhe rrugët e njerëzve u ndanë në dy:
E para: “Kam nevojë për ty se të dua”,
E dyta: “Të dua se kam nevojë për ty”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme