Shqiptimi i nijetit në namaz

Ibn Abidini thotë: “Nijeti është vepër e zemrës me të cilin njeriu, pa menduar, e di se në cilin namaz është nëse do të pyetet për këtë. Nëse njeriu do të mendojë, nijetin nuk e ka korrekt. Shqiptimi i nijetit është i lavdueshëm dhe ky është mendim i zgjedhur kurse ndodh në të kaluarën dhe të tashmen. (Sikurse thotë: E kam bërë nijet apo E bëjë nijet). Disa thonë se ky është sunet, ndrëkaq kjo nuk do të thotë se Pejgamberi a.s. këtë e ka bërë por do të thotë se ky është sunet i Selefi salihit, i cili shqiptimin e nijetit me fjalë e ka konsideruar të lavdëruar. Në El-Muhit thuhet: “Do të thotë: Allahumme inni uridu en usal-lije salate… (dhe e përmend namazin të cilin dëshiron ta falë) fe jessirha li ve tekabbelha minni. Thuhet në El-Mebsut, Hidaje dhe El-Kafije se kjo është e mirë kur njeriu dëshiron ta forcojë qëllimin e tij.” (Hashija Ibn Abidin, 2/ 92, Dar’ul-alem’il-Kutub, Rijad, 2003). 

Imam Kemal ibn Humam thotë, pasi i përmendi fjalët nga El-Hidaje: “Shqiptimi i nijetit është i mirë për shkak të konfirmimit të nijetit (synimit).” (Fet`h’ul-Kadir, 1/ 128). 

Ed-Dusuki El-Maliki thotë: “Është e lëvdueshme për atë që nuk mund të përqendrohet ta shqiptojë nijetin...”. (Hashijjetu ‘ala sherh’il-Kebir, Ed-Dusuki) .

En-Nevevi Esh-Shafi’i thotë: “Nuk është obligim të shqiptohet nijeti, sepse ai është vepër e zemrës, por nëse i bashkon këto dy gjera do të bëhet edhe më mirë, për të cilën gjë u pajtuan të gjithë.” (El-Mexhmu’, En-Nevevi).

El-Behuti El-Hanbeliu thotë: “Shumë dijetarë të mëvonshëm e konsiderojnë shqiptimin e nijetit të lavdueshme që të unifikohen veprat e zemrës dhe gjuhës.” (Keshaf’ul-Kina’, Mensur ibn Junus El-Behuti El-Hanbeli, 1/87, Dar’ul-Fikr, 1982). 

Imam Vehbi Sulejman Gavoçi El-Albani thotë: ”Ibn Kajjim El-Xhevzijje thotë: “Nuk është konfirmuar se Pejgamberi e ka shqiptuar nijetin te tekbiri i pare, as me transmetim autentik as të dobët. Ndërkaq, disa nga dijetarët e mëvonshëm i lejojnë fjalët e nijetit, sepse me këtë ringjallet zemra dhe ndërpritet dyshimi. Ata dijetarët e parë, të cilët thonë se shqiptimi i nijetit është sunet nuk mendojnë në sunetin e Pejgamberit të Zotit, por në praktikën e disa dijetarëve për shkak të ndryshimit dhe preokupimit të zemrës me problemet e kësaj bote pas tabi’inëve.” Këtë e transmeton Shurunbulali në veprën Merak’il-felah. Tahtavi në Hashijen e tij thotë se në veprën El-Bahr qëndron se nga tërë kjo mund të përfundohet se kjo është risi e mirë kur njeriu dëshiron ta forcojë vendimin e tij. (Multeka’l-Ebhur, Ibrahim El-Halebi, fq. 88).

Mund të përfundojmë nga citatet e cekura se shqiptimi i nijetit, edhe pse nuk është e konfirmuar me sunet, është çështje e konfirmuar, e mirë dhe e rekomanduar dhe assesi nuk mund të jetë haram. Shqiptimi i nijetit është risi e mirë të cilën duhet pasuar të gjithë muslimanët të cilët e kanë dëgjuar hadithin të cilin e transmeton Xherir ibn Abdullah El-Bexhliu r.a. se Pejgamberi i Zotit ka thënë: “Kush e fut në islam një risi të mirë, për të do të shpërblehet dhe do ta ketë shpërblimin e çdonjërit që do ta veprojë pas tij, me atë që nga shpërblimi i tij nuk do të merret asgjë, ndërsa kush në Islam e fut një risi të shëmtuar, për atë do të ndëshkohet dhe do ta bartë mëkatin e të gjithë atyre që do ta veprojnë pas tij, kurse nga mëkatet e tyre nuk do të merret asgjë.” (Muslimi, hadithi nr. 1017; Tirmidhiu, hadithi nr. 2675; Ahmedi, 4/ 357; Nesaiu, 5/ 75, Ibn Maxhe, hadithi nr. 203).

Përktheu: N. Ibrahimi

 

Burimi: http://www.facebook.com/notes/imam-ebu-hanifehanefijska-pravna-skolamezheb/izgovaranje-nijjeta-za-namaz/148353311872518

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme