
Parakusht për kuptimin e drejt të Sunnetit është tubimi i të gjithë haditheve të besueshëm lidhur me një temë në mënyrë që ata më pak të qartë (muteshabih) prej tyre të jenë më të kuptueshëm në dritën e atyre të pamohueshmëve (muhkem), ndërsa ata të pakusht (mutlak) dhe të përgjithshmit ('amm) të komentohen në dritën e atyre të kushtezuar (mukajedd) dhe atyre specifik (hass). Në këtë mënyrë do të arrijmë te domethenia e drejte dhe t'i ikim situates qe nje transmetim te demantoje te tjeret.
Nëse eshte e ditur se Sunneti e komenton Kur'anin dhe e sqaron ashtu që analizon rrefimet e thurrur (muxhmel), sqaron vende të paqarta (Mubhem), specifikon rrëfime gjenerale dhe në mënyrë më precize përcakton shprehjet e përgjithësuara (mutlak), atëherë aq më parë ky proces dhe kjo procedurë të aplikohet në vetë hadithët reciprokisht.
Të marrim për shembull hadithët mbi lëshimin e pantollonave apo pjesës së poshtme të veshjes së meshkujve mbi zoktha të këmbës dhe kanosja që ka ardhur për këtë. Në këto hadithe ftohen të rinjët e nxituar dhe me ta arsyetohet qëndrimi i tyre ndaj atyre që nuk i shkurtojnë pantollonat deri mbi zoktha. Në këtë është shkuar aq larg sa shkurtimi i pantollonave është bërë, thuaja, simbol i islamit dhe përcaktim themelor i tij. Kur shikojnë ndonjë dijetar apo dai që nuk i shkurton pantollonat siç bëjnë ata, sakaq mendojnë, e nganjëherë e akuzojnë për iman të dobët. Mirëpo, sikur të lexonin të gjithë hadithet lidhur me këtë çështje, dhe të provonin t'i kuptonin në tërësi dhe në kontekste të inteces së Islamit në obligimet që i parasheh në gjërat e përditshme, do ta kuptonin qëllimin e vërtetë të këtyre dhe do të zbutnin qëndrimin e tyre, dhe nuk do të ishin aq të ngurtë, as s'do tua ngushtonin njerëzve zgjedhjen e lejuar nga Allahu.
Shiko hadithin të cilin e shënon Muslimi nga Ebu Dherri r.a., në të cilin thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka deklaruar: "Tre njerëzve Allahu nuk do t'u drejtohet në Ditën e gjykimit; atij që jep lëmoshë dhe qorton, atij që betohet rrejshëm për ta shitur ndonjë mall dhe njeriut i cili i lëshon pantollonat mbi zoktha."[18]
Në një transmetim tjetër nga Ebu Dherri thuhet: "Tre njerëzve Allahu nuk do t'u drejtohet në Ditën e gjykimit, as do t'i shikojë, as do t'i pastrojë, ata i pret vuajtje e dhembshme." Pasi që pejgamberi s.a.v.s., përsëriti tri herë këto fjalë, Ebu Dherri e pyeti: "Janë të humbur dhe të shkatërruar, o Pejgamber i Allahut! Cilët janë ata?" Ai u përgjegj: "Ai që bartë veshjen deri nën zoktha dhe cili qorton dhe ai i cili qorton kur jep lëmoshë dhe ai që betohet rrejshëm për ta shitur ndonjë mall."[19]
Për kë bëjnë fjalë hadithet e sipërshënuar? A thua për secilin që bartë pantollona deri nën zoktha edhe nëse kjo është traditë e një popullit të tij përkundër faktit se ky zakon nuk është nxitur nga mburrja dhe mendjemadhësia?
Këtij mendimi mbase i shkon për shtati hadithi i Ebu Hurejre-s të cilin e shënon El-Buhariu: "Gjithçka prej pantollonave që është deri nën zoktha është në zjarr". [20] Edhe Nesaiu e shënon me fjalë të ngjashme. [21]
Këta hadithe nënkuptojnë që pjesët e këmbës së atij që e lëshon veshjen e tij deri nën zoktha do të jenë në zjarr, e që do t'i jetë dënim për atë veprim. Në hadith në vend të trupit në mënyrë metaforike thuhet se kjo do të jetë veshja.[22]
Mirëpo, kush i shqyrton të gjithë hadithët lidhur me këtë temë i është e qartë se është i drejtë mendimi të cilin e kanë zgjedhur En-Neveviu dhe Ibën Haxheri e disa të tjerë dhe i cili thotë se kjo kanosje absolute duhet kuptuar në dritën e hadithit i cili përmbushjen e kanosjes e kushtëzon me mburrje, ndërsa të gjithë pajtohen se për këtë ka ardhur kanosja më e ashpër.
Të përqëndrohemi pakëz në hadithet lidhur me këtë temë.
El-Buhariu në kaptinën "Ai që lejon që veshja t'i tërhiqet nëpër tokë pa mburrje..." nga Abdullah ibën 'Umeri shënon se Pejgamberi s.a.v.s. ka deklaruar: "Cili prej mendjemadhësisë e lëshon veshjen që t'i tërhiqet zvarrë, Allahu nuk do ta shikojë në ditën e Gjykimit." Atëherë Ebu Bekri e pyeti: "Një pjesë e veshjes sime është zgjatur (pas larjes) dhe zvarritet nëpër tokë nëse nuk kam kujdes." Pejgamberi s.a.v.s. u përgjegj: "Ti nuk je prej atyre që e bën këtë nga mendjemadhësia"[24]
Në kaptinën e njejtë el-Buhariu nga Ebu Bekri shënon këtë hadith: "U zu dielli derisa ishim në shtëpinë e Pejgamberit s.a.v.s. dhe ai u ngrit duke tërhequr veshjen e tij derisa arriti në xhami." [25]
Ndërsa në kaptinën "Kush lejon që veshja t'i zvarritet nëpër tokë nga mendjemadhësia" (Men xherre thevbehu mine-l-hajela) nga Ebu Hurejre shënon që Pejgamberi s.a.v.s. të ketë thënë: "Allahu nuk e shikon njeriun i cili tërheq zvarrë veshjen e tij nga mendjemadhësia" [26]
Nga Ebu Hurejre shënon të ketë thënë: "Ka thënë Pejgamberi (apo: ka thënë Ebu-l-Kasimi) s.a.v.s.: "Derisa njeriu ecte me rroba, me mburrje, me flokë të krehur, Allahu bëri që të rrëzohet në tokë dhe do të rrëzohet kështu deri ditën e Gjykimit."[27]
Nga Abdullah ibën 'Umeri kurse në një formë të ngjashme edhe nga Ebu Hurejre, shënohet që Pejgamberi s.a.v.s. të ketë thënë: "Derisa njeriu tërhiqte veshjen e tij nëpër tokë, Allahu bëri që të humbet në tokë, dhe do të bjerë kështu deri në ditën e Gjykimit."[28]
Edhe Muslimi transmeton dy hadithet e fundit nga Ebu Hurejre. Kurse Hadithin e Abdullah ibën Umerit e transmeton në shumë variante; në njërën thuhet: "E kam dëgjuar Pejgamberin e Allahut s.a.v.s. me këto veshë duke thënë: "Kush e tërheq veshjen e tij nëpër tokë, duke mos pasur qëllim tjetër pos të mburret, Allahu nuk do ta shikojë në ditën e Gjykimit." [29] Në këtë hadith thuhet qartë dhe në mënyre eksplicite që kanosja ka të bëjë vetëm me mendjemadhësinë ("pa dashur me këtë asgjë tjetër pos të tregojë mburrjen e vet") që nuk lë aspak hapësirë për ndonjë komentm tjetër.
Imam en-Nevevi, i cili asesi nuk mund të akuzohet për fleksibilitet, dhe anon nga largimi prej lehtësimeve dhe qëndrimt pas asaj që është e sigurt, siç e dijnë dijetarët, në komentimin e këtyre haditheve thotë:[30]
Fjalët e Pejgamberit s.a.v.s. "ai që lëshon veshjen nën zokth" ka të bëjë me atë që e lëshon veshjen dhe e zvarritë nëpër tokë nga mburrja siç është sqaruar në hadithin "Allahu nuk do ta shikojë njeriun i cili nga mburrja e tërheq veshjen e tij nëpër tokë." Ky kusht i 'tërheqjes nga mburrja' specifikon rrëfimet gjenerale mbi atë që lëshon veshjen e tij nën zoktha dhe bën me dije se kanosja ka të bëjë në tërheqjen e veshjes nga mburrja. Pejgamberi s.a.v.s. këtë ia ka lejuar Ebu Bekr es-Sidikut r.a., duke i thënë: "Ti nuk je prej atyre", ngase këtë nuk e ka bërë nga mburrja.
Ndërsa hafizi Ibën Haxheri, duke komentuar Hadithët të cilët i ka shënuar El-Buhariu në temën e kanosjes ndaj atyre që e lëshojnë veshjen nën zoktha dhe e tërhqein nëpër tokë, thotë:
Nga këto hadithe mund të konludohet se lëshimi i veshjes nën zoktha është mëkat i madh. Sa i përket lëshimit pa mburrje, hadithet në shikim të parë edhe këtë e ndalojnë. Mirëpo, thuhet se hadithet të cilët aplikimin e dënimit e kushtëzojnë me mburrje indikojnë se ndalimi gjeneral mbi lëshimin e veshjes deri nën zoktha nuk është e ndaluar nëse nuk është e bërë nga mburrja.
Juristi (fekihu) i shquar dhe Muhadithi, hafiz Ibën Abdil-l-Berri thotë: "Nga hadithi mund të kuptohet se kanosja dhe ndalimi nuk kanë të bëjnë me lëshimin e veshjes pa ndonjë qëllim mburrjeje, me kusht që tërheqja e veshjes sidoqoftë është e ndaluar. [31]
Këtë komentim të kushtëzuar të kanosjes për lëshimin e veshjes deri nën zoktha e forcon edhe fakti se kanosja është përmendur në hadith është tejet e ashpër, ashtu ai që e kryen këtë kundërvajtje llogaritet në ata që Allahu nuk do t'i shikojë në ditën e Gjykimit, as do t'u drejtohet me fjalë, as do t'i pastrojë dhe ata i pret dënimi i dhembshëm. Pejgamberi këtë kanosje e ka përsëritur tri herë anda Ebu Dherri për këtë dënim të rreptë dhe të përsëritur kishte bërtitur: "Janë të shkatërruar dhe të humbur! Cilët janë këta, o Pejgamberi i Allahut?"
Krejt kjo mëson se veprimet e tyre janë nga grupi i mëkateve të mëdha që çojnë në humnerë, e në këtë grup bëjnë pjesë vetëm ato mëkate që cenojnë vlerat supreme që i ka vendosur dhe i mbron ligji i Allahut, e ato janë: feja, jeta, mendja, nderi, pasardhësit dhe prona. Këto janë njëkohëisht edhe intencat themelore të ligjit fetar islam.
Mirëpo, mendojmë se shkurtimi i veshjes bën pjesë në kategorinë e gjërave plotësuese të pëlqyeshme (tahsinat) që kanë të bëjnë me dispozita plotësuese dhe rregulla të mirësjelljes të cilat e bëjnë jetën të bukur, stërhollojnë shijen dhe lartësojnë shoqërinë në nivel më të lartë të etikës dhe bontonit. Vetëm të lëshuarit e veshjes, nëse nuk është e qortuar me qëllim të keq, më parë do të kishte vend në shportën e gjërave më pak të qortuara apo atyre që qortohen nga maturia (merkuh tenzihen).
Ajo që e intereson fenë këtu dhe cilës i kushton vëmendje është qëllimi dhe motivet e brendshëm që e nxiten sjelljen e jashtme.
Feja këtu i kundërvihet kapardisjes, mendjemadhësisë, egoizmit, arogancës, mbufatjes, shrenimit dhe sëmurjeve tjera të zemrës dhe shpirtit, ngase në xhenet nuk do të mund të hyjë askush në zemrën e të cilit do të ketë madje edhe një thërmi e këtyre cilësive të papëlqyeshme. Gjithë kjo gjithësesi shkon në favor të mendimit se kanosja në hadith ka të bëjë vetëm me mburrjen, siç precizohet në hadithët tjerë.
Të shtojmë këtu edhe një vërejtje. Dihet mirë se mënyra e veshjes dhe lloji i rrobave varen shumë nga tradita dhe praktika e njerëzve, të cilët dallojnë varësisht nga kushtet klimatike, mundësitë materiale, gjendja ekonomike, lloji i punës, standardi dhe faktorë të tjerë. Ligjdhënësi (Allahu) këtu minimizon kufizmimet dhe nuk intervenon pos në masë të kufizuar, për ta penguar fenomenin e teprimit dhe shkapërderdhjes në sjelljen e jashtme si dhe zhvillimin e shfrenimit dhe mburrjes në zemër apo ç'është e ngjashme me të, e që e kemi sqaruar detajisht në studimet tjera.
Nga kjo arsye Buhariu librin mbi veshjen në Sahihun[3] e tij e kishte filluar me këto fjalë të Allahut: Thuaj: "Kush i ndaloi ndaloi bukuritet dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robërit e tij? (El-A'raf, 32). Këtu ai citon hadithin vijues: "Pejgamberi i Zotit ka thënë: "Hani, pini, veshuni dhe jepni lëmoshë pa teprim dhe kapardisje"[34]
Ndërsa Ibën Abasi lidhur me këtë thotë: "Ha ç'të duash dhe veshu si të duash përderisa i largohesh shkapërderdhjes dhe kapërdisjes"
Ibën Haxheri nga Shejhu i tij, hafiz El-Iraku, nga komenti Suneni-t-tirmidhija transmeton të ketë thënë: "Ajo që ka të bëjë me veshjen nga kapardisja pa dyshim është haram... Nëse thuhet se është haram gjithëçka që është larg nga e vërteta. Mirëpo, njerëzit kanë zakon të veshin rroba të gjata dhe çdo grup njerëzish ka lloj të veçantë të veshjes sipas cilës dallohet; gjithëçka që është e qepur apo bartet nga kapërdisja, nuk ka dyshim, është haram, e çka bartet nga tradita nuk është e ndaluar përderisa nuk e kalon kufirin e ndalimit të lëshuarjes së rrobave të shkojnë zvarrë pas njeriut.
Ndërsa el Kadi 'Iljadi transmeton nga dijetarët se është e qortuar (mekruh) gjithcka që nuk është shumë e zakonshme dhe dhe veshja e cila është tepër e gjatë dhe e gjërë. Tradita dhe praktika prandaj e marrin në konsideratë, sic thotë el Iraku: 'Prishja e praktikës së zakonshme, zakonisht konsiderohet manifestim i egoizmit që është i qortuar në Islam. Ndërsa mirësia është në maturi'.
Kufizimi vetëm në kuptimin e jashtëm të një hadithi pa konsultimin e haditheve të tjerë dhe teksteve tjerë në lidhje me temën, shpesh shpie në përfundim të gabuar dhe pamundëson kuptimin e drejtë të hadithit dhe shkakut të paraqitjes së tij.
Autorë: Jusuf el-Karadavi
[18] Sahih Muslim. Kitabu-l-iman
[19] Sahih Muslim. Kitabu-l-iman
[20] El-Buhariu: Kitabul-libas, Bab ma esfele min ba'bejni fe huve fi-n-nar, hadithi nr. 5785
[21] En-Nesai: Bitabu-l-zine, Babu ma tahte-l-ka'bejni minel-izar, 8/207
[22] Fet'hul-Bari: Botimi i Daru-l-Fikr, 10/257.
[23] Njesoj
[24] Njesoj, 254, hadithi nr. 5784
[25] Njesoj, Hadithi nr. 5785
[26] Njesoj, Hadithi nr. 5788
[27] Njesoj, Hadithi nr. 5789
[28] Njesoj, Hadithi nr. 5790
[29] Sahih Muslim bi Shari-n-Nevevi: Kaptina mbi ndalimin e tërheqjes së veshjes nga Mendjemadhësia (Babu tahrimi xherri-th-thevbi khajela'en), Botimi i Esh-Sha'a, 4/795.
[30] Njësoj, 1/305
[31] Fet'hu-l-Bari, 10/263
[32] Shih veprën Hallalli dhe Harami në Islam (El-halal vel-l-haram fi-l-islam), kaptina mbi veshjen dhe stolitë.
[33] Shih: Fet'hu-l-bari, 10/252
[34] El-Buhariu e shënon pa sened të plotë por në formë apodiktike (sigatu-l-zhezm), ndërsa Ibn Haxheri thotë se nuk e ka shënuar askund me sened të plotë. Me sened të plotë e shëon et-Tajalisi dhe El-Harith ibn Ebi Usame në Musnedet e tij nga 'Amr ibn Shu'ajbi i cili e transmeton nga babai i tij e ky nga gjyshi i tij. Të plotë dhe me sened të lidhur e transmeton Ibn Ebi Dunj'ja në veprën Kitabu-sh-shukr. Shih: Fet'hu-l-Bari, 10/253
[35] Hafiz ibn Haxheri thotë: "Me sened të ngjitur e shënon Ibën shejbe në Musanef. (Njësoj)
[36] Fet'hu-l-vari, 10/262.
Marrë nga: Marre nga libri: Dr. Jusuf el Karadavi - Te kuptuarit e Sunetit; Orientimet Metologjike dhe Rregullat